Agjencioni floripress.blogspot.com

2010/12/20

Krime ka bërë ushtria e policia serbe e jo UÇK-ja

Prenkë Gjetaj kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në Kosovë ka reaguar ndaj raportit të Dick Martyt.
Prishtinë - Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur-Zhdukur i Republikës së Kosovës është tej-mase i indinjuar me Raportin e z. Dick Marty i cili u paraqit dhe u aprovua në Komitetin për Çështje Ligjore të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Paris me 16 dhjetor 2010.
Raportin e vlerësojmë si tendencioz dhe denigrues si dhe të nxitur nga qarqe të caktuara dhe me ndikime nga propaganda nacionaliste serbe dhe më gjerë .E kuptojmë së çdo individ mund të ketë mendime të pavarura por kur përfaqëson institucione me karakter vlerësues çdo kush duhet të lirohet nga konceptet dhe mendimet individuale që mund të ndikojnë në përmbajtjen e vlerësimit që ai vlerësim të jetë i paanshëm dhe i drejt..
Zoti Marty se si moto dhe mbështetje kryesore ka pas librin –pamflet të znj. Karla del Ponte-ish kryeprokurores së Tribunalit të Hagës për Krime Lufte në ish –Jugosllavi..Në librin e znj. Del Ponte bëhet një përshkrim i pabazuar pa asnjë argument për luftën e UCK-së me etiketime për trafikim të organeve njerëzore, ku citohet ‘shtëpia e verdhë’ në Shqipëri. Ato përshkrime të pabazuara kanë për qëllim denigrimin, etiketimin për gjëja “keqpërdorimin e UCK-së, luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë, si dhe inkriminim e një shteti të pavarur – Shqipërisë”. I cili shtet i hapi dyert për të shpëtuar popullin shqiptar nga terrori dhe ndjekjen që bëri policia dhe ushtria serbe. Në këtë kontekst shtrohet pyetja , ku ishte zonja Del Ponte kur kishte detyrën e Kryeprokurores, pse nuk ndërmori ndonjë hap për të ndriçuar këto ndryshime, por gjeti formën përmes një libri anal të denigrojë, të etiketojë një popull, një ushtri çlirimtar që iu imponua dhe u detyrua të mbrojë qenien e vet.
Në librin e Del Pontes, përmenden masakrat, përmenden të zhdukurit, por harrohet se kush mban përgjegjësi për masakra dhe për zhdukjet që bënë ushtria dhe policia serbe, si dhe forcat paramilitare serbe që vepronin me bekimin e institucioneve serbe. Edhe pse në raport përmenden personat e zhdukur, të cilët janë 1823 persona, që aktualisht nuk dihet së paku për eshtrat e tyre, nuk kërkohen rrugët që zgjedhin çështjen e ndriçimit të fatit të tyre. Nuk pretendojmë që krimet të fshihen por kërkojmë që masakrat si Reçaku, Meja, Krusha e Madhe, Krusha e Vogël, Kralani, Qyshku, Rrezalla, Shavarinat e Qirezit, Studime, Lubeniqi, e të tjera, ku me dhjetëra e qindra civilë të pambrojtur janë masakruar dhe trupat e tyre janë bartur në varrezat masive anekënd Serbisë, për t’u fshehur dhe për t’u zhdukur gjurmët e krimeve. Nuk përmenden ndjekjet dhe përndjekjet e popullatës së Kosovës nga shtëpitë e tyre në drejtim të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Bartësit e aktiviteteve kriminale kanë qenë strukturat institucionale të organizuara në pushtet, ushtri dhe polici. Shumë kriminel lirshëm enden në Serbi, mbase edhe ushtrojnë funksione ne hierarkinë shtetërore dhe çmohen si heronj të popullit. Z. Marty ka pasur mundësinë që të pyes, se a kemi shënime për bartësit e aktiviteteve kriminale, se a kemi dosje, ku janë dëshmitarët të cilët i kanë para me sytë e vet duke u masakruar civilë të paarmatosur, duke iu masakruar të afërmit e tyre.
Z. Marty gjen të etiketojë, të akuzojë, luftëtarët që u detyruan t’i rrokin armët për ta mbrojtur popullin e vet, për të mbrojtur shtëpitë e veta, për ta mbrojtur Kosovën që u gjakos nga nacionalfashizmi serb.
Pse z. Marty nuk pyet se kush e mban dhe ku gjendet krimineli Mladic, i cili para syve të ndërkombëtarëve urdhëroi masakrimin e mbi 7000 personave në Srebenicë,me kriterin e vetëm që të jenë meshkuj .
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, me mbështetjen edhe të Shoqatave të Familjeve të Personave të Zhdukur, kërkon dhe pret nga faktori ndërkombëtar dhe nga individë që përfaqësojnë institucionet ndërkombëtare që të bëhet trysni në Beogradin zyrtar që të tregojë se ku gjenden trupat e të masakruarve në Kosovë. Madje t’i kushtëzohet Serbisë çdo hapje për integrim me hapjen e arkivave ushtarake dhe policore, dhe të nxjerrë para organeve të drejtësisë përgjegjësit e krimeve dhe ata të dënohen në vendin ku kanë kryer krimet, që do të ishte një satisfaksion për ata që pësuan dhe pasardhësit e tyre, thuhet në fund të reagimit të Prenkë Gjetajt , kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler: Raporti i Martit, imazh i keq për Kosovën

 

Komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler ka thënë se raporti i Dik Martit, i cili akuzon kryeministrin Thaçi për përfshirje në “trafikim me drogë dhe me organet njerëzore”, i ka shkaktuar imazh të keq Kosovës.
“Përderisa nuk ka dëshmi mbi tavolinë, për ne është gjithsecili i pafajshëm. Kështu që, në bashkëpunimin tonë nuk ka ndryshuar asgjë. Më vjen keq për dëmet që u janë bërë njerëzve nga ai raport, pasi nga perceptimi që kemi përfituar nga shtypi ndërkombëtar, raporti nuk i kontribuon imazhit të Kosovës”, ka theksuar Byhler.
Byhler, gjatë një vizite në Skënderaj, ka thënë se të thënat në raportin e Martit janë thashetheme që dihen vite me radhë.
“Dua të them një gjë, se ne bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in, dhe nëse do të kemi dëshmi, ne do t’ua dorëzojmë policisë ato. Mirëpo, derisa nuk ka dëshmi, atëherë vlen pafajshmëria”, theksoi Buhler, duke sqaruar se raporti ose është i vërtetë, ose nuk është, dhe “nëse është i vërtetë, atëherë duhet të ketë dëshmi”.

EULEX-i: Marti t'ia dërgojë provat prokurorëve tanë

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka kërkuar nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti që t’ia dërgojë të gjitha të dhënat prokurorëve të BE-së në Prishtinë. Marti ka hartuar një raport, ku akuzon kryeministrin Thaçi për përfshirje në “trafikimin e drogës dhe të organeve njerëzore”, akuza këto të hedhura poshtë nga Thaçi.
“EULEX-i i ka dërguar një letër Martit ku e inkurajon që t’ia ofrojë autoriteteve prokuroriale brenda EULEX-it informacionet ose të dhënat që mund të vënë dritë mbi dyshimet e bëra në raport”, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

Zvicër: Të sqarohen akuzat lidhur me tregtinë e organeve

Deputetët e Këshillit Komnbëtar të Zvicrës, që është Dhoma e Epërme e Parlamentit, kërkojnë që të sqarohen akuzat se të hollat nga tregtia me organe të njerëzve në Kosovë dhe Shqipëri, janë dërguar në llogaritë bankare në Zvicër.
Kryetarja e Komisionit të jashtëm të këtij këshilli, Krista Markwalder, deklaroi për mediat zvicerane në gjuhën gjermane, se “nëse dyshimet vërtetohen, duhet të angazhohet edhe prokuroria shtetërore”, sepse është në interesin e Zvicrës që të “mbetet qendër e pastër financiare”.

Hashim Thaçi :Dik Marti të gjejë avokatë të mirë

Thaçi: Marti të gjejë avokatë të mirë

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi tha se do të padisë për shpifje raportuesin e Këshillit të Evropës, Dik Martin.
Në një raport të tij, Marti e akuzoi Thaçin se ishte "bos i krimit të organizuar që merret me trafikimin e drogës dhe organeve njerëzore”.
“Dik Marti le të përgatisë avokatë të mirë, nëse mund ta gjejë dikënd që mund ta mbrojë, sepse nën asnjë rrethanë, Dik Marti nuk do t’i shpëtojë drejtësisë për këto shpifje”, i ka thënë Thaçi agjencisë së lajmeve Reuters. Ai nuk ka dhënë detaje tjera.
Thaçi ka thënë se dyshimet për trafikim organesh janë hetuar tri herë.
“Së pari janë hetuar nga misioni i OKB-së në Kosovë pastaj nga institucionet lokale dhe Tribunali i Hagës dhe më vonë edhe nga EULEX-i”, ka thënë Thaçi.
Hetimi dyvjeçar i Martit është kërkuar nga Këshilli i Evropës, pas akuzave për trafikim organesh që i bënte në librin e saj “Gjuetia”, ish kryeprokuroja e Tribunalit të Hagës Karla del Ponte.

Familja Katuçi: Marty tentoi të hidhte eshtra në ''Shtëpinë e Verdhë''

Familja Katuçi në Gurrë të Matit vazhdon të ngrejë supet teksa dëgjon të ripërsëriten akuzat ndaj shtëpisë së tyre, se është përdorur si qendër për grumbullimin e robërve serbë dhe heqjen e organeve të tyre.
News24 arriti të sigurojë reagimin e familjes së Abdulla Katucit, pas publikimit të raportit të Dick Martyt, i cili thekson se zotëron prova që dëshmojnë se shtëpia e tyre, e njohur si Shtëpia e Verdhë, ka shërbyer si vend ku UÇK-ja kryente transplantime organesh të robërve serbë.
Abdulla Katuçi pretendon se gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Verdhë, dy vjet më parë, Dick Marty tentoi të hidhte eshtra në banesë, ndërsa kërkon nga shteti që të padisë raportuesin e KE-së dhe ish kryeprokuroren e Hagës, Carla del Ponte. Katuçi hedh poshtë çdo akuzë të raportit, sikurse që mohon pretendimet se Lulëzim Basha ka shkelur në shtëpinë e tij.
“Makinat kishin kocka të vdekurish që donin të mi linin në shtëpi. Por, ne i ndaluam ato se ndryshe do mi kishin hedhur brenda. Kemi 7 vjet që bezdisemi nga akuzat që na bëhen. Na është bërë një e padrejtë që nuk dimë se ku ta zgjidhim. Unë nuk di të ketë qenë këtu Lulëzim Basha, unë nuk e njoh vetëm në televizor e kam parë” shpjegon Abdulla Katuçi.
Banorët shprehen të bindur se nuk kanë parë asnjë ushtar apo civil serb të kapur rob, ndërsa pohojnë se dy vjet më parë, një ekip hetuesish të huaj ka kontrolluar çdo cep të kullës dykatëshe në pronësi të tyre. Sipas familjes Katuçi, gjithcka që rezultoi pas këtyre kontrolleve rrëzon akuzat e Dick Martyt, sikurse rrëzoi ato të ish kryeprokurores Carla Del Ponte, në kohën e botimit të librit të saj “Gjuetia”.

Anti-shqiptari Dick Marty dhe të tjerët

Gjykata Ndërkombëtare ka rrëzuar akuzat e Dick Marty


 Ministria e Jashtme në Tiranë ka hedhur poshtë  akuzat e raportit të Dick Martyt për kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, lidhur me trafikun e organeve.
“Autoritet shqiptare kanë bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. GJND ka rrëzuar kërkesat për trafik organesh. Raporti i pabazuar në fakte ndërsa nuk pasqyron frymën e KiE”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
 Raporteri i APKiE, Dick Marty tha se hetimi i tij është shumë serioz dhe se ai ka fakte e prova për akuzat e bëra në raport duke i kërkuar autoriteteve përkatëse të nisin hetimet pasi të kenë shqyrtuar me vëmendje raportin e tij, i cili është fryt i një hetimi 2 vjecar bazuar edhe në burime të FBI-së.

DEKLARATA :Në vijim të publikimit të raportit të hartuar nga parlamentari zviceran i Asamblesë së Këshillit të Evropës, z. Dick Marty, Ministria e Punëve të Jashtme thekson se:



Raporti është totalisht i pabazuar në fakte, prova apo realitet, çka dëshmon qartë për anësi politike të autorit, duke përbërë abuzim me autoritetin e Këshillit të Evropës. Një raport i tillë nuk pasqyron frymën e përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe maturisë që përçon Këshilli i Evropës.



Rikujtojmë se në vitin 2004, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, si i vetmi organ ndërkombëtar ligjor, i kualifikuar dhe i mandatuar për të hetuar krimet e kryera në ish-Jugosllavi, i ka hedhur poshtë pretendimet se në Shqipëri dhe Kosovë është kryer trafik organesh, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova.



Përmbajtja e raportit të z. Marty, si dhe pretendimet se autoritetet shqiptare nuk kanë bashkëpunuar në hetim janë krejtësisht të pavërteta, spekulative dhe shpifëse.



Institucionet e Republikës së kanë bashkëpunuar ngushtë me grupin hetimor të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi në vitin 2004 dhe i kanë ofruar bashkëpunim të plotë edhe vetë z. Marty gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2009.



Ministria e Punëve të Jashtme përsërit publikisht gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Shqipërisë për të bashkëpunuar pa asnjë rezervë me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në këtë çështje, me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe me Këshillin e Evropës.


,,Le ta dijë Evropa mbarë, do të qëndrojmë gjithmonë shqiptarë, nën flamurin tonë kombëtar’’!


Akademik Mark Krasniqi

*****

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka reaguar ndaj raportit të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Në një deklaratë për media, ASHAK-u shpreh shqetësimin për, siç thuhet, deklarimin shpërfillës të vlerave të UÇK-së dhe të disa udhëheqësve të saj nga eurodeputeti Dick Marty.

Besim Bokshi, kryetar i ASHAK
Akademik Besim Bokshi, kryetar i ASHAK

“Akuzat e shpallura në dokumentin e paraqitur nga zoti Marty ndaj vlerave për liri njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve dhe të të tjerëve që jetojnë në Kosovën e pavarur dhe sovrane janë të paargumentuara gjithanshmërisht dhe i dëmtojnë jo vetëm synimet tona për paqe e demokraci midis popujve të Evropës, por godasin rëndë raportet ndërmjet qytetarëve të kombësive të ndryshme të Kosovës”, thuhet në reagimin e ASHAK-ut.

Duke pasur parasysh procesin e emancipimit shtetndërtues të Kosovës demokratike, ASHAK kërkon nga instancat relevante ndërkombëtare rishqyrtimin e dokumentit të eurodeputetit Marty, i cilin konsiderohet tërësisht të pavërtetë, dashakeqës, me gënjeshtra të porositura dhe me pasoja të rënda për mirëqenien e popujve të rajonit dhe më gjerë.






Në Shqipëri presidenti prof.dr.Bamir Topi dënoi sot ashpër raportin e anëtarit të asamblesë së këshillit të Europës Dick Marty duke deklaruar se ai nuk është i mbështetur në fakte, se tenton të hedhë baltë mbi Shqipërinë e shqiptarët si dhe ndaj drejtuesve legjitim të Kosovës. Sipas presidentit Topi akuzat në raport rrezikojnë stabilitetin aftagjatë në Ballkan. Rruga më e mirë tha zoti Topi është një hetim nga organet e Drejtësisë kombëtare e ndërkombëtare i cili do të mbyllte përfundimisht këtë kapitull shpifjesh. 


Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi sot pas raportit të Dik Martit, duke vlerësuar se një raporti i tillë është i pa bazuar në fakte dhe në realitet.
Sipas kësaj ministrie, raporti përbën abuzim të qartë të autoritetit të Këshillit të Evropës.

“Një raport i tillë nuk pasqyron frymën e përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe maturisë që përçon Këshilli i Evropës", thekson deklarata. "Rikujtojmë se në vitin 2004, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, si i vetmi organ ndërkombëtar ligjor, i kualifikuar dhe i mandatuar për të hetuar krimet e kryera në ish-Jugosllavi, i ka hedhur poshtë pretendimet se në Shqipëri dhe Kosovë është kryer trafik organesh, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova", thuhet në njoftimin për mediat.

MPJ-aj nënvizon se përmbajtja e raportit të z. Marty, si dhe pretendimet se autoritetet shqiptare nuk kanë bashkëpunuar në hetim janë krejtësisht të pavërteta, spekulative dhe shpifëse.“Institucionet e Republikës së Shqipërisë kanë bashkëpunuar ngushtë me grupin hetimor të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi në vitin 2004 dhe i kanë ofruar bashkëpunim të plotë edhe vetë z. Marty gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2009”, thuhet më tej.

Në fund të deklaratës, Ministria e Jashtme shpreh gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Shqipërisë për të bashkëpunuar pa asnjë rezervë me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në këtë çështje, me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe me Këshillin e Evropës.


Akuzat të rreme, gati të përballem me Dick Marty

Trafiku i organeve mes Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, është gënjeshtra më e madhe që kam dëgjuar.
Kështu është shprehur sot ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror shqiptar, Fatos Klosi, në reagim ndaj akuzave të deputetit zviceran Dick Marty për trafik organesh nga Kosova në Shqipëri, në luftën e Kosovës.
Pikërisht në kohën kur Dick Marty pretendon të kenë ndodhur këto krime, Fatos Klosi drejtonte Shërbimin Sekret Shqiptar.Fatos Klosi në një prononcim për Klan, ka hedhur dyshime se akuzat e Dick Marty, janë në fakt një skenar me prapavijë politike e etnike.
“Shërbimi Informativ Shqiptar, në atë kohë, kishte marrëdhenie mjaft të mira me të gjitha agjencitë e tjera të shërbimeve sekrete në rajon dhe Europë, dhe se asnjëra prej tyre nuk kishte sinjalizuar ndonjëherë dyshime për trafik organesh” shprehet Klosi.
Ai sqaron se në kushtet në të cilat ndodheshin Kosova e Shqipëria, trafiku i organeve ishte i pamundur.
“Jam gati të përballem me një debat me deputetin Marty për ti dhënë fund këtyre akuzave”, ka thënë Klosi.


*****
Raporti i Dick Martyt për Këshillin e Evropës është  një fiksim i pabazuar në fakte ,por është i bazuar mbi fiksime. Akuza të tilla janë bërë dhe në të kaluarën, madje janë bërë dhe investigime të cilat kanë rezultuar tërësisht pa fakte. 
Marty, një person lunatik, kundërshtoi fort pavarësinë në 2008, duke lëshuar që atëherë akuza ndaj UCK-së. Pak ditë nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 ai tha se vendimi për shpalljen e saj nuk është marrë në Prishtinë.

Ai foli për “kutinë e pandorës” dhe pasojët e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Po shumëkush mund të thotë, pse ky raport erdhi pikërisht pas zgjedhjeve në Kosovë, ku PDK, forca politike e drejtuar nga Hashim Thaci, që është edhe i akuzuari i Marty-t, u quajt fituesja e zgjedhjeve?

Në intervistën e dy viteve më parë Dick Marty thotë shprehimisht kështu:

“Konstatoj se Kosova e administruar nga komuniteti ndërkombëtar pas 10 vjetësh ka një ekonomi që nuk ekziston, është kthyer në një qendër të krimit të organizuar e të trafikut të drogës, armëve dhe qënieve njerëzore. Konstatoj se nuk ka një shoqëri të vërtetë civile e cila të ngrejë themelet e një demokracie të vërtetë…”.
Dick Marty, i cili nga gazeta britanike „Guardian“ është prezantuar si autor i raportit mbi rrjetin e tregtisë me organe në Kosovë dhe Shqipëri në fund të viteve 90-të, është një politikan zviceran nga radhët e Partisë Liberale (FDP). Ai ka qenë prokuror i shtetit në kantonin e Tiçinos në kufi me Italinë. Që nga viti 1995 Marty përfaqëson kantonin e tij në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Zvicrës. Ai po ashtu është deputet i Këshillit të Evropës dhe anëtar i Komisionit të OSBE-së për të drejtat e njeriut. Në vitet 2006-07 ai si hetues i Këshillit të Evropës publikoi dy raporte mbi burgjet sekrete të shërbimit sekret amerikan CIA në Evropë.

Anti-shqiptari Dick Marty

 Në këto burgje, të cilat sipas Martyt me siguri të plotë kanë ekzistuar në Poloni dhe Rumani, por me gjasë edhe në vende të tjera, CIA ka mbajtur të dyshuar për terrorizëm, por pa respektuar të drejtat e tyre njerëzore. Marty njihet si skeptik sa i përket pavarësisë së Kosovës. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 ai ka deklaruar se Kosova nuk është e gatshme të jetë shtet. Marty ka thënë se nuk mund të mohohet se Kosova „sot është njëra ndër qendrat më të mëdha të krimit të organizuar, duke përfshirë tregtinë me njerëz, me drogë dhe me armë“. Më tutje Marty kishte deklaruar: „Mbase çdo prokuror në Evropë e ndjek një gjurmë që çon në Kosovë. Njerëzit atje nuk kanë perspektivë ekonomike. Gjendja ekonomike është e tmerrshme, papunësia tepër e lartë, territori tepër i varur prej donacioneve nga jashtë. Kosova fare nuk është e gatshme për pavarësi. Asgjë nuk është bërë më mirë nën administratën ndërkombëtare. Ajo ka dështuar“. Gjatë kohës sa ishte prokuror i Tiçinos, Marty ishte bërë i njohur sidomos me luftën e tij të pakompromis kundër tregtisë me drogë dhe kundër krimit të organizuar. Për këtë angazhim ai është shpërblyer edhe nga Ministria e Drejtësisë e SHBA-së.


EULEX: Hetime, nëse ka prova
EULEX është i gatshëm të rinisë hetimet rreth çështjes së pretenduar nga raportuesi Dick Marty mbi të ashtuqajturin trafik të organeve në Kosovë dhe Shqipëri gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë.
Zyrtarët e EULEX-it zotohen se, në rast se raporti i raportuesit special të Komitetit të Çështjeve Ligjore ofron prova te reja dhe fakte, EULEX-i do i rinisë edhe njëherë hetimet.

Ky mision madje i bën thirrje qytetarëve, që të ofrojnë fakte dhe prova në rast se kanë.

“Nëse ka dëshmi të prekshme dhe prova për organet atëherë EULEX-i do të fillojë hetimet. Deri tani nuk ka asnjë dëshmi që e vërteton këtë”, është shprehur Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it në Kosovë.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, Bexhet Shala thotë se, në të ashtuquajturën “shtëpinë e verdhë” në atë kohë nuk ka patur mjete për të shkulur një dhëmb e jo më të realizoheshin transplante organesh.

“Qëllimi politik dhe manipulues është arritur dhe tani mbetet që Marty të faktojë akuzat ose të përgjigjet para gjykatës për shpifje”, është shprehur Shala.

Ndërsa, sipas Tomë Gashit, avokatit të kryeministrit në largim, me këtë raport Dick Marti i jep fund karrierës së tij politike. Gashi thotë Marti, ka publikuar një raport duke u bazuar në të dhëna të shërbimeve sekrete, por nuk i ka të konfirmuara pretendimet e tij.

“E ka tejkaluar çdo limit të personit normal. Pasojat do të jenë të mëdha. Ne do të bëjmë padi në lidhje me këtë çështje. Besoj se Marty me këtë deklaratë i ka dhenë fund karrierës së tij politike”, shprehet Gashi.

Raporti i raportuesit special u miratua të enjtën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkohë qeveria kosovare tashmë po bëhet gati të angazhojë ekspertë të njohur ligjor që ky proçes të zbardhet deri në fund.

Deputeti evropian, Bernd Posselt ka reaguar pas projekt-rezolutës të së enjtes të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
 
Në një intervistë dhënë programit shqip të Deutsche Welles, deputeti i Partisë Popullore në Parlamentin Evropian, Bernd Posselt e quajti Dick Martyn një demagog, që keqpërdor pozitën e tij.

“Natyrisht që unë jam për atë që këto akuza të hetohen në mënyrë faktike, si në aspektin e së drejtës penale ashtu dhe në aspektin moral. Por jo ashtu thjesht si zotëri Marty, i cili është i njohur për tendencën e tij për sensacione, për të ngritur diçka nëse nuk ka prova.
Për aq kohë sa nuk dëshmohet fajësia, Marty nuk mund të veprojë kështu. Prandaj unë e konsideroj Martyn absolutisht një demagog, i cili keqpërdor funksionin e tij”, përfundoi eurodeputeti Posselt.

Gazeta britanike “The Guardian” ngre dyshime të reja rreth tregtisë së organeve njerëzore në Kosovë. Gazetari i saj, Paul Lewis, është në Prishtinë, për të ndjekur nga afër rastin “Medicus” dhe akuzat për kryeministrin Thaçi, . Në raportin e tij, gazetari Paul Lewis përshkruan momente nga transplantimi i një dhuruesi veshke me kombësi turke dhe një blerësi izraelit, 74- vjeçar. Ai shkruan se “dhuruesi turk dhe pranuesi izraelit ishin të shtrirë në shtrat pranë njëri-tjetrit para se veshka të shkëmbehej. Të dy burrat më vonë kanë  konfirmuar se sytë e tyre janë takuar pak sekonda para operacionit. Yilman Altun, 23 vjeç, ishte një turk i dëshpëruar që ka thënë se iu premtua një shpërblim i madh për veshkën e tij, nga një ndërmjetës në Stamboll. Pranë tij shtrihej, Bezalel Shafran, një izraelit 74-vjeç i cili i ka dhënë 90.000 euro në tregun e zi për veshkën që besonte se do t’ia zgjaste jetën.”


Shtetet e Perëndimit kishin rolin kryesor në historinë e re të përgjakshme në Kosovë, ndërkaq nga mbështetja perëndimore për Prishtinën më së shumti përfitoi kryeministri Hashim Thaçi, i cili tani akuzohet për krime “nga të cilat njeriu i vjen të vjellë”, citojnë sot mediet e Beogradit “Times”-in e Londrës. 

Në një koment redaksional me titull “Shteti i tmerrit”, duke theksuar se Thaçi akuzohet për trafikim të heroinës dhe të organeve njerëzore, “Times” thekson se pavarësia e Kosovës është akt i kryer, por përfshirja e tij në familjen e popujve evropianë është vënë në pikëpyetje. 

Parlamenti i Prishtinës duhet të kërkojë nga politikanët kosovarë përgjegjësi për akuzat e paraqitura kundër Thaçit në raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Martyt. 

Posaçërisht NATO duhet të kërkojë që Thaçi të përgjigjet bindshëm ndaj akuzave ose të dalë para gjyqit, meqë ndërhyrja e Aleancës i ka ndihmuar Kosovës të “ikë nga represioni” i liderit të atëhershëm Sllobodan Millosheviq, shton “Times”. 

Duket se pushteti në Kosovë ndodhet në duart e një grupi banditësh, pavarësisht se në pushtet kanë ardhur përmes zgjedhjeve, transmeton këtë shkrim Radio BBC. 

Derisa të mos hetohen krimet e përmendura në raportin e Martyt dhe përgjegjësit të mos nxirren para gjyqit, Kosova do të jetë vetëm një në vargun e dhimbshëm të shteteve të dështuara. 

Pavarësia e Kosovës është e çmueshme, por më e çmueshme është respektimi i paanshëm i të drejtës, citojnë mediet e Beogradit “Times”.



nga Ivica Petroviq/Bahri Cani

Prokurori i Serbisë për krime lufte Vladimir Vukçeviq deklaroi se raporti i Dick Marty-t për krime në Kosovë paraqet një fitore të madhe për punën e prokurorisë dhe punën e tij personale.

Në një takim me gazetar në Beograd ai bëri të ditur se Prokuroria serbe ka punuar për vite të tëra në këtë lëndë.
Vlladimir Vukçeviq pohon se ndryshe nga Dick Marty-t, pala serbe nuk ka mundur të hetojë për "shitjen e organeve" në vendin e ngjarjes. Pala serbe, sipas tij, ka kërkuar prej autoriteteve të Shqipërisë që të kryejnë hetime të përbashkëta, lidhur me pohimet për trafikimin e organeve njerëzore, por kjo nuk është pranuar. Vukçeviq pohon se Serbia e ka dëshmuar vendimin e saj për bashkëpunim me arrestimin dhe dërgimin në Tribunalin e Hagës të krerëve politikë dhe ushtarakë të akuzuar për krime lufte.
„Prandaj nuk shoh asnjë arsye pse dikush nga Kosova, pa marrë parasysh funksionin që kryen, mund të falet nga përgjegjësia eventuale për krime të tilla. Mendoj se këtu është fjala për krime monstruoze, që e kemi thënë prej fillimit të hetimeve tona dhe kjo na ka stimuluar të vazhdojmë në këtë drejtim me këmbëngulje", theksoi Vukçeviq.
Zëvendësi i prokurorit Bruno Vekariq, thotë se përfaqësuesit e Prokurorisë serbe shumë herë janë takuar me Dick Martyn, me të cilin kanë shkëmbyer informacione. „Nëse shikoni raportin do të shihni se pjesa që ka lidhje me strukturën e organizimit të UÇK-së është pjesë e marrë nga raporti ynë, që kemi dërguar ne. Po ashtu në raport ndodhen edhe pjesët që i kemi dhënë ne për dëshmitë lidhur me trafikimin e organeve njerëzore si dhe lidhjen e krimit të organizuar me qarqet politike", pohon Vekariq.
Bruno Vekariq bën të ditur se përmes hartave dhe emrave të vendeve që i ka dhënë pala serbe, Dick Marty ka shkuar në disa vende të caktuara dhe ka pyetur autoritetet lokale, të cilat pala serbe nuk ka mundur t'i marrë në pyetje. Në këtë kontekst, Vekariq thotë se prej largimit të UNMIK dhe ardhjes së Eulex-it janë shënuar përparime të dukshme në funksionimin e organeve juridike në Kosovë.
„UNMIK-u e ka lënë pas dore këtë rast dhe kemi humbur gati gjysmë viti në përpjekjet për të ardhur deri tek raporti i UNMIK-ut për veriun e Shqipërisë", pohon zëvendësprokurori i Serbisë për krime lufte Bruno Vekariq.
Gazetarët u interesuan edhe për dëshmitë konkrete lidhur me emrat që përmenden në këtë raport dhe pohimet se kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi "është shefi i grupit kriminel".
„Ne do të shohim nëse ka prova të mjaftueshme. Mund të shikoni raportin e Dick Marty ku ai flet për këtë punë dhe për faktet se çfarë ka ndodhur atje, respektivisht që ka pasur trafikim organesh njerëzore. Do të thotë, ne kemi shkuar edhe më larg se ato që përmenden në raportin e Dick Marty dhe kemi edhe disa emra të caktuar, por për emrat aktualisht nuk dua të flas", pohon Vukçeviq.
Prokurori serb mendon se është e rastësishme koha e paraqitjes së raportit të Dick Marty, vetëm disa ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Ajo që është e sigurt, sipas tij, është që përparime nuk do të ketë lidhur me këtë lëndë, pa bashkëpunimin e Eulex-it, prokurorisë serbe dhe asaj shqiptare.  „Detyra jonë është të dëshmojmë se këto krime janë bërë dhe të vijmë deri tek ata që kanë kryer ato. E kush do ta bëjë këtë, Eulex-i prokuroria serbe apo shqiptare, nuk është me rëndësi. Me rëndësi është që ata të përgjigjen“, pohon Vukçeviq

Flori Bruqi

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...