Agjencioni floripress.blogspot.com

2010/12/30

Thaçi: Raporti i Dik Martit, sulm racist kundër Kosovës


Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi, citohet t'i ketë thënë Zërit të Amerikës se raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, ishte një sulm racist i drejtuar kundër Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar. Kryeministri Thaçi ka thënë se ky raport do të mund të ketë pasoja në procesin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës.

Shërbimi sekret i ushtrisë serbe nuk ka fakte për Raportin e Dik Martit


Shërbimi sekret i ushtrisë serbe nuk ka fakte për të dëshmuar trafikimin e organeve për të cilin flitet në Raportin e Dik Martiti. Kështu ka deklaruar për mediat serbe drejtori i Agjencisë sekrete të zbulimit ushtarak serb, Svetko Koviq.
Kreu i sigurimit sekret ushtark serb tha se kjo ka qenë arsyeja që kjo çështje nuk ka mundur të procedohet në drejtësinë ndërkombëtare.
Ai ka thënë se përkundër përpjekjeve nuk kanë mundur të sigurojnë fakte për të dëshmuar tregtinë e organeve. Drejtori i agjencisë sekrete ushtarake serbe ka thënë se VBA-ja nuk ka dosje klasike për kryeministrin e Kosovës në dorëheqje, Hashim Thaçi

2010/12/28

“Der Spiegel”, 1961: Mbledhja e Moskës u bë për problemin shqiptar

image
Çfarë shkruante shtypi gjermanoperëndimor në kohën kur Hoxha po prishej me Kremlinin? - Si e shihnin ata të ashtuquajturin “puç” antiqeveritar që mori jetën e Admiralit Teme Sejko dhe persekutoi 200 oficerë të tjerë shqiptarë? - Përse ndërrimin radikal të kursit të diktatorit shqiptar ata e cilësonin si “realpolitikë”? - Cilat ishin, sipas pjesëmarrësve komunistë perëndimorë, të thënat dhe të pathënat e mbledhjes së famshme të Moskës, në vitin 1960?


Çfarë shkruante shtypi gjermanoperëndimor në kohën kur Hoxha po prishej me Kremlinin? - Si e shihnin ata të ashtuquajturin “puç” antiqeveritar që mori jetën e Admiralit Teme Sejko dhe persekutoi 200 oficerë të tjerë shqiptarë? - Përse ndërrimin radikal të kursit të diktatorit shqiptar ata e cilësonin si “realpolitikë”? - Cilat ishin, sipas pjesëmarrësve komunistë perëndimorë, të thënat dhe të pathënat e mbledhjes së famshme të Moskës, në vitin 1960?

Këto dhe shumë detaje has, nëse të bie rasti të konsultohesh me materiale arkivore të mediave më të njohura gjermane, në vitin 1961 e më tej, të cilat duket se nuk hezitojnë ta sjellin “problemin shqiptar” në ballë të platformave të tyre më të njohura.
Duket se Admiralin Teme Sejko, megjithatë ata (të paktën në atë kohë) e trajtojnë si “njeriun e rusëve” dhe mirëfilli si organizator të një puçi të dështuar ndaj Enver Hoxhës të organizuar prej vetë rusëve, megjithëse për të nuk është vërtetuar asgjë e tillë edhe 20 vite pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri.
Gjithsesi, konstatimi se kjo ishte vepër e sovjetikëve mund të jetë pjesërisht i saktë, pasi në bashkëpunim me Hoxhën, shërbimet e fshehta sovjetike dhe ato shqiptare të kohës, nisur në dukje nga interesa momentale të përbashkëta, por në të vërtetë nga qëllime të ndryshme, kishin sajuar një “puç shteti”, i cili do të rezultonte më pas në njërin ndër proceset më tragjike në historinë e Shqipërisë, duke u marrë jetën, persekutuar e denigruar një elitë të tërë ushtarako-politiko-intelektuale, si kurrë më parë, të ardhur nga vetë radhët e Partisë Komuniste dhe duke forcuar edhe më shumë pozitat e Hoxhës. Gjithashtu, kjo do t´i shërbente edhe më shumë miqësisë së sapongjizur shqiptaro-kineze, duke e larguar Moskën paradoksalisht edhe më shumë nga objektivi i saj origjinal.
Një artikull i botuar në “Der Spiegel”, në vitin 1961, i cili përbën edhe bazën e materialit të përzgjedhur sot për botim në kuadër të ciklit “Shqipëria moniste në mediat perëndimore, 1945-1990”, nis me përshkrimin e rrugëtimit të vështirë që shkaktoi të paktën tri viktima, të një grupi të arratisurish pa emër, të cilët arritën të kalonin kufirin shqiptaro-jugosllav për t´i shpëtuar një vale të re persekutimesh të frymëzuara drejtpërdrejt nga Enver Hoxha.
Ndërkohë, qysh në gjysmën e dytë të viteve ´50 të shekullit të shkuar, kishte filluar një periudhë e re “spiunomani” dhe lufte kundër “revizionizmit”. Shkak për këtë u bë një ngjarje që për kohën konsiderohej e jashtëzakonshme: Ishte 16 maji i vitit të largët 1957, kur u arratis drejt Jugosllavisë një nga figurat më popullore të Luftës Nacionalçlirimtare, anëtar i KQ të PPSH-së, deputet i Kuvendit Popullor dhe ministri pa portofol, gjenerali Panajot Plaku. Kjo, pasi ai kishte mësuar se do të ishte viktima e radhës. Akoma nuk mund të vërtetohen dot edhe sot e kësaj dite se sa qëndronin dyshimet e Plakut, se ai nuk mund të pajtohej dot me atë gjendje terrori të krijuar nga Hoxha, madje ka edhe hamendësime se kjo ishte një lojë e kurdisur nga vetë Sigurimi i Shtetit.

Një muaj pas arratisjes, ai i dërgon një letër KQ të PPSH-së. Funksionari i lartë shqiptar shpresonte të gjente strehim në BRSS, por duket se diçka e pengoi Hrushovin dhe Brezhnjevin për ta pranuar. Më pas ai vendosi përfundimisht të qëndronte në Beograd, ku nuk regjistrohet deri në vitin 1961 as edhe një intervistë apo deklaratë e vetme politike në mediat vendase. Pikërisht më 27 maj të vitit 1961, pak a shumë në kohën kur edhe “Der Spiegel” raportonte për sfondin real të kacafytjeve shqiptaro-ruse, ai i shprehu shkurt korrespondentes së gazetës “Borba” (organi zyrtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë) mendimin e vet për procesin kundër Admiralit Teme Sejko dhe oficerëve të tjerë shqiptarë duke i cilësuar “viktima të pafajshme të spastrimeve staliniste” të regjimit të Hoxhës dhe revolucionarë të vërtetë, idealistë internacionalistë.

Gjithsesi, duke ia nisur qysh prej vitit 1960, në mediat e shkuara jugosllave nisën të shfaqeshin artikuj me autorë anonimë që trajtonin probleme të historisë së PPSH-së, që përmbanin të tilla hollësi, të cilat të bënin të mendoje se burimi mund të ishte vetëm një dëshmitar okular i ngjarjeve, siç ishte Panajot Plaku. Pavarësisht kësaj, pas vdekjes së tij, në vitin 1969, nuk pati më publikime të tilla.
Por thelbi i artikullit në fjalë, gjithsesi, janë përplasjet që tashmë kishin dalë hapur në sipërfaqe, mes Hrushovit dhe Enver Hoxhës dhe terreni në të cilin u zhvillua mbledhja e Moskës në vitin 1960. Na shfaqen aty qartazi aludimet apo konstatimet se Hrushovi tashmë po përpiqej të gjente një zgjidhje për problemin shqiptar, qoftë edhe duke e mënjanuar Hoxhën nga pushteti apo dhe duke e sjellë atë “drejt arsyes”. Përmendet aty në këtë kontekst, edhe fati i Koço Tashkos dhe i Liri Belishovës, të cilët duket se sapo po nisnin rrugëtimin e tyre të vështirë drejt persekutimit tipik enverist.
Gjithashtu, ato çka u thanë apo ndodhën në mbledhjen e 81 partive në Moskë, në debatin mes Hrushovit dhe Hoxhës, publiku perëndimor - ndryshe nga ai lindor apo ai shqiptar, i cili shumë detaje arriti t´i marrë vesh shumë vonë, madje vetëm në vitet e vona të demokracisë, falë dëshmive të vetë protagonistëve apo dëshmitarëve okularë, siç kanë qenë Ramiz Alia apo përkthyesi zyrtar i delegacionit shqiptar d.m.th. i vetë Enver Hoxhës, Prof. Agim Popa - kishte pasur rastin t´i merrte vesh qysh në atë kohë, falë edhe prezencës së komunistëve perëndimorë, të cilët duket se nuk ngurronin të gjenin mënyrën e të nxirrnin në shesh për gazetarët, shumë informacione të thëna “mes shokësh ideali”.
Por çka i shkonte për shtat Hoxhës dhe çka Hrushovit, ndërsa ravijëzonin politikat e tyre tashmë me kahe të kundërta, dhe përse u thirr mbledhja e Moskës? Përgjigjja e këtyre pyetjeve gjendet po ashtu në këtë artikull. Çfarë oferte i bënte Kremlini udhëheqjes shqiptare thuajse 16 vjet pas “prishjes së madhe”, gjithashtu e gjejmë duke lexuar një pasazh nga një artikull i gjatë i së njëjtës platformë, botuar në shqip për herë të parë sot, si pjesë e ciklit të sipërpërmendur.

Ndërkohë, se çfarë po ndodhte tjetër në atë vit në një kah tjetër për shqiptarët, në mënyrë tangjente na e japin edhe dy lajme të shkurtra, të hasura po në të njëjtat burime, për vdekjen e Mbretit Zog I dhe rikthimin e Mbretëreshës Geraldinë në Kishën Katolike, pas një audience private të vetë Papës për këtë të fundit.

Më poshtë, artikulli i plotë i revistës “Der Spiegel”, me titull “Një kovë me pleh”
* * *
Kur u duk se po niste të shpërthente zjarri nga kufitarët shqiptarë në errësirën e natës, të tetë të arratisurit u hodhën në gropat buzë rrugës për t´u fshehur. Ndërkohë që tre prej tyre u prekën nga zjarri i automatikëve, pesë të tjerët u ngritën sërish më këmbë dhe ia mbathën drejt postave të kufirit jugosllav; pak minuta më vonë ata tashmë ishin në siguri. Shënohej data 30 gusht 1960.
Ajo çka më pas do të shihej si një fenomen rutinë në kufirin shqiptaro-jugosllav, u zbulua të ishte në vetvete edhe akti i parafundit i një drame të pazakontë: pesë të arratisurit po shihnin se ishin shpallur bashkëpunëtorë dhe ideatorë të një puçi ushtarak, i cili kishte pasur si synim të rrëzonte shefin e shtetit dhe të partisë komuniste-staliniste shqiptare, Enver Hoxha.
Deponimet e të arratisurve shumë shpejt u verifikuan edhe nga njoftimet e shërbimit të fshehtë jugosllav, sipas të cilave, Admirali i Flotës Luftarake Detare Shqiptare, Teme Sejko dhe 200 oficerë të tjerë ishin arrestuar me akuzën për komplot. Një javë më vonë, Partia Komuniste e Shqipërisë zhveshi nga detyrat dy funksionarët e saj të lartë partiakë, Liri Belishova dhe Koço Tashko, me arsyetimin se kishin ushtruar veprimtari armiqësore ndaj shtetit dhe kishin abuzuar me funksionet që kishin në parti.
Udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste shqiptare, megjithatë kishte preferuar të mohonte për muaj të tërë çdo zë që kishte të bënte apo që hidhte dritë mbi të ashtuquajturin “puç shteti” të Admiralit Sejko. Vetëm kur u zhvillua Kongresi i Partisë Komuniste në messhkurtin e këtij viti, diktatori Hoxha pohoi vetë se një përpjekje për puç kundër tij tashmë kishte dështuar.
Sa ç´ishte preciz kur raportonte për dështimin e puçit, po aq i vendosur ishte bosi i komunistëve shqiptarë për të harruar e për të mos dhënë as edhe një fakt të vetëm me të cilin ai do të provonte se pse Enver Hoxha gjatë javës së shkuar e kishte trajtuar si me vend të mos shkonte - duke u bërë i vetmi lider nga blloku i Lindjes - në takimin e nivelit të lartë të Moskës me krerët lindorë të Paktit të Varshavës: Kjo, pasi nismëtar i “puçit” kishte qenë vetë “vëllai i madh” i Shqipërisë, Bashkimi Sovjetik.
“Puçi” i Admiralit dhe Konferenca e Moskës reflektonin përpjekjet e Nikita Hrushovit për të nxjerrë nga ndikimi i rivalëve të tyre kinezë Shqipërinë dhe bashkë me të, vendin më zevzek të Evropës Lindore të zotëruar nga pushteti sovjetik.
Qëkurse përplasja ideologjike mes Moskës dhe Pekinit ka dalë në sipërfaqe, shefi i partisë së cilësuar “staliniste” të Shqipërisë, është lidhur aq fort me Kinën luftëdashëse të Mao Ce Dunit, saqë udhëheqja sovjetike parapëlqen tashmë të mos i drejtohet më komunistit Enver Hoxha me etiketën “shok i dashur”.
Që Hoxha ka hyrë tashmë në betejën dogmatike mes Moskës e Pekinit “„Mbi revolucionin botëror dhe revizionizmin”, duke i qëndruar qartazi në krahë “mandarinës së kuqe” kineze, ka një kuptim të mirëfilltë në realpolitikë. Shqiptari ka frikë se politika e shtensionimit e ndjekur nga Moska mund të çonte në një bashkim qëndrimesh mes Hrushovit dhe armikut të shpallur të Hoxhës, Marshallit jugosllav, Tito, ku si viktimë e vetme mund të binte fare lehtë Shqipëria, e cila gjeografikisht paraqitet si një vend i izoluar nga blloku sovjetik, në kufij me Jugosllavinë.
Radikalizmi i kundërshtarit të Titos, Mao, stalinistit Hoxha i shkon për shtat, dhe ai ka kontribuar realisht në sabotimin e dialogut mes Moskës dhe Beogradit. Në qershor të vitit 1960, Hoxha demonstroi për herë të parë hapur se ai tashmë gjendej në anën e kinezëve.
Kur Hrushovi udhëtoi drejt Bukureshtit në Kongresin e Partisë Punëtore rumune, për të bashkuar bllokun sovjetik në përpjekjet e tij për t´i bërë ballë fushatës kineze, Hoxha i ndenji larg këtij takimi. Tezave antikineze të udhëheqësve sovjetikë, Hoxha iu përgjigj shumë shpejt duke shprehur simpatinë ndaj shokut Mao.
Kokëfortësia e Hoxhës e bëri Hrushovin të niste përpjekjen për të ndërtuar brenda Partisë Komuniste shqiptare një fraksion prosovjetik, i cili duhej të ishte aq i fortë, që ose të sillte në „rrugën e drejtë“ udhëheqësin e plotfuqishëm, ose ta shmangte atë përfundimisht nga froni. Puçi i nisur nga sovjetikët me Admiralin Sejko, bëri që në vend të tij, të fuqizohej edhe më tej aleanca shqiptaro-kineze.
Konflikti u bë më se evident në pasditen e 24 nëntorit 1960, në mbledhjen e zhurmshme të Moskës ku u riformulua programi komunist mbarëbotëror. Me këtë rast, Hoxha akuzoi kryeministrin sovjetik se ai s´ishte veçse një frikacak që po tradhtonte komunizmin; dhe se revizionizmi i tij ngjasonte shumë me atë të tradhtarit, Tito.
Pas këtij sulmi - siç raportonin komunistët perëndimorë - Hrushovi u skuq dhe në një çast bërtiti: "Shoku Hoxha, ju më hodhët një kovë me pleh e tashmë ju duhet ta pastroni atë që bëtë!"
Shefi i partisë shqiptare, Hoxha, la më pas sallën aq i nxehur, saqë ai nuk pranoi madje as të qëndronte më as në vilën e lënë në dispozicion të tij nga udhëheqja sovjetike në Moskë, duke shkuar në ambasadën shqiptare dhe të nesërmen u nis andej nga kishte ardhur.
Ndërsa shefi i SED-së (shënimi im: i Partisë së Bashkuar të Socialistëve Gjermanë në ish-Gjermaninë Lindore) Valter Ulbricht, kishte thënë se shqiptari kishte “mbështetur konceptin e dogmatizmit dhe të sektarizmit”, reagimet e Hoxhës dhanë përshtypjen se ai tashmë e kishte marrë vendimin për ta shkëputur Shqipërinë nga blloku sovjetik. Kështu, vijuan menjëherë disa masa si:
Ambasada sovjetike në Tiranë u vu nën mbikëqyrje të rreptë; dy diplomatë shqiptarë, të cilët gjoja i kishin furnizuar sovjetikët me dokumente sekrete, u arrestuan nga Hoxha. Gazeta partiake "Zëri i popullit" paralajmëroi për sulme sovjetike dhe kërcënonte në të njëjtën kohë se vetëm Enver Hoxha mund ta garantonte miqësinë shqiptaro-sovjetike. Disa teknikë sovjetikë u zëvendësuan me ata kinezë, pasi një delegacion ekonomik shqiptar kishte udhëtuar më parë drejt Kinës për të negociuar një program ndihmash.
Manovrat e Hoxhës ishin ato madje që e bënë tek e fundit Hrushovin të mblidhte në Moskë të gjithë udhëheqësit lindorë. Ndërsa e gjithë bota besonte se tema kryesore aty do të ishte kriza në Laos, ajo që mori më shumë kohë e nerva, ishte skërmitja e dhëmbëve të “maçokut shqiptar”. Kolltuku i të akuzuarit mbeti bosh; Hoxha nuk erdhi.
Megjithatë, shefat e regjimeve lindore vendosën që ta sillnin drejt arsyes Shqipërinë nëpërmjet sanksioneve ekonomike. “Vendi i skipëtarëve” do të duhet tashmë t´u qëndrojë larg “bekimeve” ekonomike të botës komuniste, derisa Hoxha të rikthehet sërish në frontin e bashkuar antikinez. “Der Spiegel”, 12.4.1961

Rusët: Hoxha përdor brutalitet mesjetar
 “Mehmet Shehu ka ekzekutuar një grua shtatzënë. As policia e fshehtë cariste ‘Ochrana’ nuk ka përdorur mjete e metoda të tilla”. Pjesë nga fjalimi përmbyllës në Kongresin e 22-të të Partisë Komuniste Bolshevike të BS-së, më 27 tetor 1961. (Marrë nga gazeta gjermane “Die Zeit”, 3.11.1961, nr. 45)


 “Der Spiegel” 1976: Shqipëria zbulon protokollin e mbledhjes së fundit që solli ndarjen BS-Shqipëri

 Hrushovi, Hoxhës: Ju më pështytë në surrat!

Ndërkohë, shumë vite më vonë, marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike hyjnë sërish në fokusin e mediave gjermanoperëndimore, siç na dëshmon edhe ky pasazh nga një artikull i “Der Spiegel”, në vitin 1976 (9.2.1976): “Në 30-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Shqipërisë më 11 janar, Moska i cilësoi sërish shqiptarët si "popull vëlla", megjithëse Shqipëria nën udhëheqjen e shefit të partisë së saj, Enver Hoxha, në vitin 1960 bëri ndarjen me Moskën, doli më pas nga Traktati i Varshavës dhe u hodh në anën e kinezëve. Bashkimi Sovjetik ka ofruar tashmë "Rivendosjen e marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit" - Hoxha përkundrazi publikoi së fundmi protokollin e mbledhjes së fundit me Kremlinin në vitin 1960. Ky protokoll jep një vështrim të rrallë mbi sjelljet e krerëve të lartë komunistë me njëri-tjetrin dhe përshkruan edhe rrethanat në të cilat Moska humbi një aleat dhe një bazë nëndetësesh në Mesdhe”. Më pas artikulli vijon me përmbajtjen e protokollit, e cila tashmë është bërë e njohur me kohë për publikun shqiptar, ndërsa përmenden debatet e ashpra mes Hoxhës, Shehut, Alisë dhe Kapos nga njëra anë dhe krerëve sovjetikë: Susllov, Andropov, Hrushov, Mikojan, Koslov etj., nga ana tjetër. Gjithashtu, aty gjenden edhe tekstet e telegrameve të Hoxhës për Kapon dhe Shehun. Protokolli has në përputhje të plotë në shumëçka ishte raportuar në mediat perëndimore në vitin 1961, çka tregon se mediat në Perëndim ishin më se të informuara për atë çka kishte ngjarë me kohë. Në këtë kontekst përmendet edhe ajo çka Hrushovi i kishte thënë dikur Hoxhës, në një frazë me fjalë të tjera, porse me përmbajtje të njëjtë: “Shoku Hoxha, ju më pështytë në surrat!” Gjithsesi, zbulimi i parakohshëm, i njëanshëm, ilegal dhe i qëllimshëm i protokollit të mbledhjes për publikun nga pala shqiptare, përbënte për ta një risi plot interes, pikërisht për të parë edhe më mirë, se si silleshin ndërmjet tyre liderët komunistë, përtej asaj çka ofronte propaganda zyrtare në të gjitha vendet e ish-bllokut komunist.



“Der Spiegel”: Çfarë ndodhte tjetër me shqiptarët në vitin 1961?
Mbreti Zog I ndërron jetë në Paris
Ahmet Zogu, 65-vjeçar, ish-mbret i shqiptarëve, ndërroi jetë në Paris si pasojë e vuajtjeve në stomak dhe mëlçi. Ai u shpall mbret në vitin 1928, kur më parë kishte avancuar nga komandant i një trupe vullnetarësh shqiptarë nën urdhrat e austriakëve, në komandant të ushtrisë, Kryeministër dhe President i Republikës Shqiptare. Kur Musolini pushtoi Shqipërinë në vitin 1939, Zogu shkoi në Turqi dhe më pas në Londër, ku ai edhe qëndroi gjatë Luftës së Dytë. Në vitin 1946, pas proklamimit të Republikës Popullore të Shqipërisë - ishte mysafir tek Mbreti Faruk në Egjipt, duke drejtuar një qeveri në ekzil, por u desh të lëvizte sërish drejt Francës pas rrëzimit të Farukut, ku qëndroi derisa ndërroi jetë. “Der Spiegel”, 19.4.1961
Mbretëresha Geraldinë bëhet sërish katolike
Geraldina, 45 vjeçe, ish-mbretëreshë e Shqipërisë, e veja e të ndjerit të sapovdekur, Mbretit Zog I, me emrin e lindjes, Kontesha Apponyi nga Hungaria, me gjithë shkishërimin e bërë nga Papa Gjon XXIII, u prit në audiencë private prej tij, pasi ajo ka shprehur sërish dëshirën të rikthehet në strehën e Kishës Katolike. Mbretëresha e rritur si katolike qysh nga fronëzimi i saj, ishte konvertuar në Islam. “Der Spiegel”, 12.7.1961

“Der Spiegel” 1973 Standardizimi shqipes një akt dhune

image
Shkencëtarë dhe gjuhëtarë po mundohen që të krijojnë më në fund një gjuhë të shkruar të njësuar shqipe. Në klasat e shkollave shqiptare dhe në redaksitë e gazetave

Shkencëtarë dhe gjuhëtarë po mundohen që të krijojnë më në fund një gjuhë të shkruar të njësuar shqipe. Në klasat e shkollave shqiptare dhe në redaksitë e gazetave, në shtëpitë botuese dhe shtypshkronjat, nxënësit dhe mësuesit, redaktorët dhe korrektorët mund të marrin frymë lirisht: një kongres ndërkombëtar për drejtshkrimin u dha dorën e fundit përpjekjeve të tyre në Tiranë për të pasur më në fund një kod të mirëfilltë rregullash të qarta e të njësuara drejtshkrimore, sipas të cilave, dy milionë shqiptarët në Republikën Popullore të Shqipërisë, ashtu sikurse një milion të tjerët në krahinën jugosllave të Kosovës, të shkruajnë për herë të parë si duhet gjuhën e tyre amtare.
Pasi, si i vetmi vend i Evropës, shqiptarët – ashtu sikurse grekët, renditen si populli më i vjetër i Ballkanit – nuk kanë pasur deri më tani një gjuhë të shkruar të njësuar. Ata e mbajnë veten për pasardhës direktë të ilirëve parakristianë dhe gjithashtu gjuhën e tyre - e cila nuk është e afërt as me sllavishten e as me greqishten - e trajtojnë si pasardhëse të ilirishtes. Por, për këtë nuk ka asnjë dokument të shkruar të përcjellë nga ilirishtja.
Shkencëtarët gjermanë nga mesi i shekullit të shkuar u morën dhe e argumentuan albanologjinë, por kancelari Bismarck nuk donte t’ia dinte fare për ekzistencën e një populli shqiptar: ai i trajtonte ata si turq (ndërkohë që shqiptarët tashmë ishin konvertuar në dy të tretat e tyre në Islam).
Vetëm andej nga viti 1908, Kongresi i Manastirit (sot: Bitola) vendosi përdorimin e alfabetit latin për shqipen. Më parë shqiptarët kishin përdorur alfabetin grek, atë arab e madje disa syresh edhe atë cirilik: siç mund të ndodhte nëse bavarezët do ta sillnin dialektin e tyre në letër në latinisht, kurse ata në Saksoninë e Poshtme, dialektin e tyre në alfabetin gotik, para se të gjithë gjermanët të pranonin alfabetin latin si mjet të përbashkët shkrimi.
E kështu që një komision i posaçëm gjuhëtarësh, i ngritur në Shkodër në vitin 1917, vendosi se ortografia e shqipes duhej të bazohej mbi parimin fonetik, pra të shkruhej ashtu siç shqiptohej nga populli. Por populli fliste në dialekte: Shumica e tyre fliste gegërishten – në Shqipërinë Veriore dhe në krahinën e banuar me shqiptarë në Jugosllavi, Kosovë. Pakica në Jug të Shqipërisë fliste ndërkohë toskë.
Kur në vitin 1944 komunistët erdhën në fuqi, të arsimuarit shkruanin – ndërkohë që 80% e gjithë shqiptarëve ishin analfabetë – tashmë në latinisht; si në dialektin gegë, ashtu dhe në atë toskë dhe nëndialektet e tyre më tej formonin shumë variante të tjera gramatikore, leksikore e ortografike.
Hapi i parë drejt njësimit të shqipes ishte një akt dhune gjuhësore. Qysh nga viti 1948, dialekti që flet udhëheqësi i Partisë Komuniste Shqiptare - i kreut më të moçëm komunist akoma në pushtet në Evropë – e që është i biri i një ish-latifondisti të kamur toskë nga Jugu i Shqipërisë, është edhe gjuhë zyrtare e Shqipërisë: toskërishtja.
Gegërishtja, megjithëse dialekt që flitet nga shumica e shqiptarëve dhe që mbart traditën letrare më të pasur në vend, u vlerësua prej tyre si i kompromentuar politikisht, pasi liderë gegë nga radhët e borgjezisë bashkëpunuan me Musolinin dhe me Hitlerin.
Gegët ushtruan sigurisht njëfarë rezistence kundër aplikimit të rregullave për gjuhën e re zyrtare, por ngaqë gegët dhe toskët në aspektin kulturor, në fakt, ndryshojnë më pak sesa serbët dhe kroatët, për shembull, konfliktet e rivalitetet nacionale të tipit “à la Jugosllavi” mbetën jashtë.
Sot toskërishtja ka zënë rrënjë, para së gjithash falë edhe faktit se 70% e shqiptarëve janë nën moshën 30-vjeçare dhe ata mësuan të lexonin dhe të shkruanin, kur toskërishtja tashmë po përdorej si gjuhë zyrtare. Por se si shkruhej ajo në mënyrë korrekte, askush nuk dinte ta thoshte saktë.
Qysh në vitin 1967, u botua një projekt për "rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe", i cili – siç këmbëngul profesor Kostallari, drejtor i Institutit të Gjuhësisë pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës – vendosi për herë të parë, le të themi, kodifikimin e plotë dhe sistematik të rregullave drejtshkrimorë në gjuhën letrare shqipe". Porse akoma aty mungonte një gramatikë shkencore dhe një fjalor ortografik.
Gjuha e tyre për komunistët shqiptarë ishte aq e rëndësishme, saqë ata për herë të parë në shtator të vitit të shkuar ua hapën dyert e vendit të tyre shumë të izoluar madje dhe një publiku ndërkombëtar: një “kongresi për studimet ilirike” me pjesëmarrjen e 70 shkencëtarëve nga 11 vende të botës.
Revista “Der Spiegel”, nr. 8/ 19.2.1973

nga Xhevair Lleshi : Realiteti flet vetë

image
160 vjet nga vdekja e të madhit Balzak; Cvajgu shkruan se Balzaku nuk qëlloi nga ata që thyhen lehtë, sepse e kishte ndarë mendjen që do ta pushtonte botën me penë, si Napoleoni me shpatë, duke cituar kështu një thënie të vetë Balzakut. Dhe vërtet e pushtoi botën, duke e mbajtur nën sundim të përjetshëm perandorinë letrare e që kështu, përkundër Napoleonit, ky u bë fenomeni i madh dhe perandori i lavdishëm...

Balzakun e madh, që krijoi nën moton “Realiteti flet vetë”, pothuaj e njohin të gjithë, edhe ata që janë arsimuar mirë, por edhe ata që kanë siç thuhet “pesë gramë shkollë”. Ai është njëri nga themeluesit më të mëdhenj të shkollës letrare të realizmit. Madhështia e tij nuk rëndon aq për rrymën që krijoi e ndoqi, por për temat e freskëta që solli, për letërsinë dinamike, për shkathtësinë dhe kthjelltësinë kreative, hapësirën e jashtëzakonshme që rroku, vlerat dinamike të artit që krijoi dhe galerinë e hatashme të personazheve. Balzaku, thuhet me të drejtë, nuk ka krijuar thjesht letërsi por ka qëndisur me një elegancë të rrallë e me durim të përbindshëm. Mu për këtë arsye kritika (e pasur!) e ka kërdisur me kopan dhe e ka ngritur në qiejt e lavdisë. Qëndisja e tij madhështore ka të bëjë me përshkrimin e hollësishëm të detajeve të kohës, të zakoneve e dokeve, të sjelljeve e të moralit, për jetën e kryeqytetit e të qyteteve provinciale, por edhe të fshatit; për politikën, shtypin, financat, luftën, fenë, filozofinë, artin, veset, virtytet dhe krimet; dashuritë, pabesitë e shumta madje dhe idealet e zhgënjimet. Balzaku është nga të rrallët që e rroku jetën në tërësinë e saj, me një përmasë gati jashtëshqisore, duke hyrë në lidhje mendore me njerëzimin, ashtu si pretendohet se ka hyrë njeriu i epokës moderne. Dhe epokën moderne në letërsi pati nderin ta përurojë Madhëria e Tij, Honore dë Balzak!
Jeta e çoi shkrimtarin e madh në pragun e udhëkryqeve. Duke mbajtur në dorë e në zemër atë që i kishte dhuruar Revolucioni i Madh Francez me deklaratën e mirënjohur për Drejtësi, Barazi, Liri dhe Vëllazërim e që pati ngjallur te njerëzit shpresa të mëdha, realiteti do ta shpinte më vonë te dështimi i revolucioneve të vitit 1832 dhe të vitit 1848, të cilët i zhgënjyen thellë njerëzit. Ndërkohë, në letërsi, përfaqësuesit e pozitivizmit dhe të utilitarizmit, u shprehën për lindjen e një shprese të re përgjatë revolucionit industrial, duke folur për të mirat materiale të njerëzve, ngërthyer kjo (pse jo) edhe me përfaqësuesit e marksizmit, të cilët ushqyen idenë e triumfit të revolucionit proletar botëror dhe të vendosjes së barazisë komuniste, por edhe me ithtarët e darvinizmit, që rrënjosën besimin se jeta do të evoluonte drejt përsosjes. Kjo është arsyeja e vërtetë që zëdhënien e kësaj atmosfere të re në fushën e arteve e bëri realizmi. Pikërisht fjala “realizëm” të çon te mendimi se kemi të bëjmë me shprehjen rigoroze të së vërtetës jetësore. Përfaqësuesit më të mëdhenj të tij, ndër të cilët vendi i nderit i takon Honore dë Balzakut, arritën të rikrijojnë artistikisht të vërtetat jetësore përmes tablosh të gjera, konfliktesh dramatike dhe zgjidhjesh në përputhje me idealet më të bukura e më përfaqësuese, por edhe ato vetjake, kurdoherë në përputhje me logjikën e jetës reale.
Shkrimtarët e realizmit krijuan personazhe tipike që veprojnë në rrethana tipike. Ata morën përsipër të jepnin me dinamikë dialektikën e shpirtit, duke shpalosur konflikte, të cilat do të merrnin zgjidhje përmes të vërtetave jetësore. Shkrimtarët realistë u bënë tendenciozë, domethënë se e shihnin botën duke e rikrijuar atë në mënyrë artistike e në një këndvështrim të përpunuar po prej vetë atyre. Deri në çastin që Balzaku hyri në letërsi, romani ka qenë zhanri më pak i pëlqyer, sepse sipas traditës ishte rrënjosur në vendin e nderit poezia dhe drama. Kështu mbi shpatullat e bëshme të Balzakut ra lavdia e ngjitjes në podin e triumfit të romanit, duke e bërë të dashur, përmes lëvrimit të shkëlqyer nga ana e tij, duke derdhur djersë, shumë djersë dhe shpalosjen e një talenti të hatashëm e nën shtypjen e një vullneti të llahtarshëm. Pas Balzakut, realistët e tjerë të mbarë botës do ta çonin shumë përpara këtë lloj letrar, madje do ta shpallnin mbret të letërsisë. Por, sidoqoftë, Balzaku është quajtur dhe mbeti përjetë babai i romanit realist.
Honore dë Balzak lindi më 20 maj 1799 në qytetin provincial të Tur-it, nga një baba që rridhte prej një familje të pasur fshatare, por që shërbente si intendent në ushtri dhe një nëne tridhjetë vjeçe më e re se i ati dhe që e tradhtonte atë. Madje vëllai i vogël i Balzakut, Henri, ishte kanakar i së ëmës dhe një fëmijë i jashtëligjshëm. Studiuesit e Balzakut, shkrimtarë të tjerë, biografë dhe psikologë kanë nxjerrë mjaft përfundime nga jeta e ndërlikuar e shkrimtarit të madh, madje disa prej tyre shkruajnë se interesi i tij për problemin e martesave dhe të tradhtive bashkëshortore shpjegohet sidomos me atmosferën që mbretëronte në familjen e tyre! Balzaku e lakmonte në fshehtësi jetën oborrtare, madje nuk ngurroi ta shtonte siglën “dë”, duke ushqyer tendencën ledhatuese se në jetë do të bëhej një princ i vërtetë. Po ja që ai u bë mbret i një letërsie të madhe, duke vënë nën pushtetin e tij absolut një perandori të tërë letrare. Që nga kolegji e pastaj në Shkollën e Drejtësisë si “për të siguruar më shumë pará e për të bërë karrierë”, siç shprehej e ëma, pastaj puna si nëpunës në një zyrë juridike bashkë me përvojën e gjyqeve, shërbyen për njohje tipash e karakteresh, por edhe e mallkuan shpejt sepse atij iu desh të hiqte dorë herët nga marramendja dhe ankthi monoton i punës zyrtare, nga limontia dhe avashllëku i përbindshëm i kësaj jete të zvargur e të allasojtë. E la karrierën me një përbuzje reale, sigurisht në kundërshtim me dëshirën e prindërve. Kështu në një kthesë të befasishme të jetës ai iu vërsul letërsisë. E nuk pyeti se ia zvogëluan të ardhurat, por vetvetiu u hodh në betejë, ashtu siç hidhen gjithnjë e në çdo kohë të rinjtë; kështu një ditë të bukur djaloshi i vullnetshëm iu përvesh punës lodhëse të krijimtarisë artistike.
Në vitet 1820-1829 ai u përlesh me forcat e egra të vetvetes e të shoqërisë që e shtrëngonte me lak në fyt për të siguruar bukën e gojës. Po fillonte karrierën e shkrimtarit. Punonte, punonte dhe vetëm punonte, strapacohej, kapitej dhe ndërkohë prodhonte shumë, por ende qe larg cilësisë së dëshiruar. Sigurisht botoi me pseudonim disa romane me subjekte të mprehta dhe me brendi moralizuese, por i njohur nuk u bë dot. Mirëpo, siç thotë Cvajgu, ai nuk qëlloi nga ata që thyhen lehtë, sepse e kishte ndarë mendjen që do ta pushtonte botën me penë, si Napoleoni me shpatë, duke cituar kështu një thënie të vetë Balzakut.
Dhe fama e tij nuk vonoi. Në vitin 1829 botoi romanin “Shuanët” me temë nga Revolucioni Francez, e cila u mirëprit me interes të dyfishtë. Ndërkohë Balzaku shkroi edhe një vepër disi të çuditshme Fiziologjia e martesës me skica dhe me anekdota zbavitëse për jetën bashkëshortore, që i botoi me emrin e tij të vërtetë. Këtu është starti i tij i vërtetë dhe fati i priu, duke e bërë të njohur në qarqet mondane (dhimbja e tij e vërtetë), ku ëndërronte që të depërtonte. Filloi kështu periudha e suksesshme e krijimtarisë së Balzakut. Duartrokitjet, hamendjet e mëdha, sfidat, bastet letrare, diskutimet, kritikat e ashpra, gjithçka. Dhe lavdinë ia dha romani filozofik “Lëkura e shagrenit” (1831). Një shakullinë përzierjeje dhe mendim filozofik i hollë e i nënkuptuar qartë. Balzaku, ndërkohë, u bë popullor te femrat, që e çmuan për psikologjizmin dhe ngrohtësinë në përshkrimin e grave, ndërsa vazhdonte të merrte shumë letra prej tyre, ndër to dhe nga kontesha polake Evelina Hanskaja, e cila i shkroi me pseudonimin “E huaja”. Pas 18 vjetësh ajo do të bëhej gruaja e Balzakut. Vijnë tanimë dhjetë vjetët e mëdhenj në letërsinë e tij (1830-1840) me “Fajdexhiu Gobsek” (1831), “Evgjeni Grande” (1833), “Koloneli Shaber” (1833), “Xha Gorio” (1834), një tjetër kryevepër e Balzakut. Shkrimtari gjenial vazhdon t’i qëndrojë besnik prirjes madhështore për të treguar me vërtetësi të hatashme, vijon të qëndisë hollë si në filigran, anët më thelbësore të jetës, por me një ndryshim: realizmi kushtëzohet edhe nga botëkuptimi i tij. Nëse deri më në këtë çast kishte treguar me realizëm për njerëzit e ardhur nga poshtë në skenën balzakiane, sigurisht edhe të pasuruar me spekulime (Gorioi, Grande, Gobsek), në vitet ‘40 në këtë skenë do të luajnë përfaqësuesit e aristokracisë që mbajnë poste drejtuese në ekonomi dhe në pushtet (Nysingen, Rastinjak). Çel sythet një temë e re: humbja e iluzioneve që bëhet parësore në romanin “Iluzionet e humbura” (1837-1848). Shkrimtari i madh e “detyron” lexuesin të nxjerrë përfundimin se midis personaliteteve të larta shtetërore dhe të burgosurve ordinerë nuk ka ndonjë ndryshim kushedi çfarë, se postet zakonisht arrihen falë rastësive dhe dredhive, se shoqëria nuk u jep kurrfarë ndihme talenteve që dalin nga shtresat e ulëta të shoqërisë, që mbeten tejet të deziluzionuar, se këta i shpenzojnë kot fuqitë kreative. Shndërrimi bëhet, siç do të thoshte më vonë Niçja, për të gjitha vlerat: ato të epërmet kthehen kokëposhtë dhe ato të poshtmet ngrihen çuditërisht lart.
Balzaku denoncon shoqërinë në të cilën jeton, madje edhe në shoqërinë njerëzore që vjen. Kjo forcë demaskuese dhe mos pranuese e shoqërisë ka mbetur ende pa u rregulluar. Ajo është thjesht e hidhët, mosbesuese, e trallisur dhe e zymtë. Ajo edhe ta jep me një dorë e pastaj ta heq me tjetrën. Çfarë zhgënjimi! Njësoj siç ndodh edhe në ditët tona me shumë shoqëri që jetojnë fazën fillestare të zhvillimit, të ngritjes në përgjegjësi dhe të lakmisë së pashembullt. Veçse veset e shoqërisë kur jepen me art të madh bëhen të besueshme, bëhen të urrejtshme, të ndezura për t’u parë e për t’u luftuar me shpirt. Te Balzaku gjithçka shpjegohet me humbjen e iluzioneve pro-bonapartiste dhe me zhgënjimin pas dështimeve të Revolucionit të Korrikut dhe të Revolucionit të 1848-s. Mos harroni se ata që e shihnin veten të prekur nga pena e mprehtë e shkrimtarit të madh realist nuk vonuan që t’i vërsuleshin, ta shpallnin kritizer dhe antikombëtar, një njeri (qoftë edhe të madh) që po shkatërronte traditën e letërsisë franceze të shekujve XVII e XVIII. Ky ishte thjesht një heroizëm krijues që nuk u ndal kurrë. Sepse pjekuria e bën më të mprehtë kritikën, e bën më tërheqës artin dhe më të madh emrin e tij të shquar! Vijnë tanimë “Kushërira Betë” (1846) dhe “Kushëriri Pons” (1847). Një psikologjizëm i përsosur, shekspirian, gjithçka e treguar me pastërti shpirtërore të rrallë, me ca personazhe në dukje humbamenë e të trashë, por që mbajnë përbrenda virtyte të rralla njerëzore, pasi thjesht nuk janë të përlyer nga pasurimi i paligjshëm dhe i korruptuar.
Ndërtesa madhështore e veprës së Balzakut u arkitektua prej tij që në fillimet e ashpra të krijimtarisë, e cila erdhi duke u thadruar. Në vitet ‘30, Balzaku filloi që t’i gruponte veprat në cikle, kurse ciklet i mblodhi në një vepër të vetme që u titullua “Komedia njerëzore”. Si urë kalimi nga romani në roman dhe nga cikli në cikël shërbejnë jo vetëm personazhet, por, sidomos konceptimi ideor dhe artistik që u bëhet ngjarjeve dhe fateve të njerëzve në to. Kështu u arrit që të krijohej një panoramë e gjerë lëvizëse e jetës bashkëkohëse. Arkitektura e veprës së tij kishte planifikuar 160 romane, nga të cilat u realizuan 92. Një shifër mahnitëse! Shumica e tyre janë vepra të klasit më të lartë, krijime madhështore!
Balzaku na thotë plot gojën se fitimtar në jetë del ai që ka ide dhe pasione, por mbi të gjitha qëndron vullneti. Kundërtitë janë vendosur siç janë në të vërtetë, bashkë me përputhjet dhe mospërputhjet, harmoninë apo mungesën e saj, me vullnetin individual të personazheve dhe rrethanat ku ata jetojnë dhe veprojnë, duke përbërë kështu boshtin e subjekteve të veprave të Balzakut. Shkrimtari ka gjetur ca impulse të fuqisë së mendimit dhe të shpërthimit të kësaj energjie të brendshme te njeriu, duke zbuluar cilësi që ajgëtohen mirë, cilësi që shtyjnë përpara ose e mbyllin brenda burgut social vetë ngjarjen, madje e shuajnë atë. Kjo fuqi dhe energji është vetëm e vetëm pasionale, por edhe krejt realiste, pa zgjidhje të jashtme, si me dorën e tjetërkujt, të Zotit për shembull. Kjo është dora e brendshme e vullnetit të njeriut, aty ku buron pashtershëm forca dhe energjia. Kjo e bën të fuqishme artistikisht edhe dialektikën e zhvillimit, në përputhje sigurisht me logjikën e jetës. Një tregues i këtillë e bën veprën e shkrimtarit të madh të përshkuar nga një realizëm i shkallës më të lartë, e varur kjo edhe nga temat e mëdha sociale që ka ditur t’i rrokë me madhështinë e gjenialitetit të tij, duke i bërë një strukturim tejet të veçantë Komedisë së Tij Njerëzore. “Xha Gorio” ngre lart dhe e vërvit në humnerë dashurinë prindërore, “Evgjeni Grande” zhbiron thellësitë e natyrës njerëzore për dashurinë ndaj arit që arrin t’i shkatërrojë të gjitha virtytet, “Kushërira Bet” shpalos forcën e hakmarrjes (a nuk është edhe në psikologjinë kombëtare shqiptare forca e hakmarrjes, madje këtu, te kjo e drejtë zakonore kemi të drejtë të themi e nënvizojmë tri shtyllat që e mbajnë gjallë njeriun: hakmarrja, larja e borxhit dhe divorci – ndarja me gruan...). Në shoqërinë e ndërtuar keq, siç ishte shoqëria franceze e kohës së shkrimtarit, arrin që t’ia plotësojë dëshirat dhe aspiratat njeriut vetëm nëse ky tregohet egoist, i paskrupull, i pamoralshëm, të fuqishëm ose edhe vullnetpakët e të dobët, pse jo, pasi duhet të ketë edhe të humbur e të vdekur... Mirë pena gjeniale e Balzakut është treguar po aq bujare në vlerësimin e virtytit njerëzor, sa ç’është treguar e pamëshirshme në denoncimin dhe asgjësimin e vesit dhe të perversitetit njerëzor.
Në prag të vdekjes vuri kurorë me konteshën polake Hanska, duke realizuar një ëndërr të ngrohur në shpuzën e energjisë së tij krijuese. Vdiq, më 18 gusht 1850. Një njeri dhe krijues i pataksshëm si ai, padyshim që gjëja më e thjeshtë ishte të stërmundonte veten, veten por jo fjalën, veten por jo faqet e shumta të letrës që shkruante brenda një dite dhe natyrisht që bënte një jetë te çrregullt, sepse kur ke energji të shumta (sidomos krijuese) nuk di as t’i kursesh dhe as si t’i përdorësh. Pikërisht kjo energji krijuese i la njerëzimit 92 vepra të përfunduara, njëra më e madhërishme se tjetra, me mbi 2500 personazhe, një koloni e tërë njerëzish që japin e marrin me njëri-tjetrin, brenda arkitekturës së mrekullueshme të komedisë së tij të hatashme njerëzore.

Kafka dhe përkthimtaria

Shpëtim Doda


image


Termin “Geier”, përkthyesi e jep “huta”, që është i pasaktë. E s’bëhet fjalë për një “shkarje” që mund të falet a “gafë” që kalohet me një shqyerje buzësh. Përkundrazi, fjala është për një pasaktësi që neutralizon elementët thelbësorë të tregimit, duke bllokuar edhe vetë të kuptuarit e tij.

Prej ditësh, lexuesi shqipfolës ka në dorë Franz Kafka – vepra e plotë në prozë të shkurtër. Duke e pasë lexuar më se një herë, jo vetëm në gjermanisht, prozën e Kafka-s, botimin shqip e nisa nga teksti shoqërues i përkthyesit, me idenë se do të gjeja (siç ndodh me botimin e Kafka-s në gjuhë të tjera), një paraqitje të kritereve dhe metodës përkthimore, dhe vështirësitë e sipërmarrjes. Por në botimin shqip s’gjeta asgjë të tillë; përkundrazi, hasa një eufori të thekshme, që kulmon në pohimin se “Kafka s’është i vështirë”, pasi “fraza” e tij është “e përpiktë”, “struktura e fjalisë e kthjellët”, “metalike” “leksiku pa ekuivokë”, “as dialektor, as zhargonal, as arkaik”, “stili” i tij “i ftohtë”, “klinik” dhe se “saktësia përkthehet vetëm me saktësi” përbën “parimin” që lipset ndjekur në rastin e prozës së tij; sipas përkthyesit, i vetmi problem që has ky “parim”, është mungesa e një shqipeje administrative të konsoliduar...
Ky kuadër më trazoi atë pjesë të qenies ku struken përvojat që kam pasur në labirintet kafkiane. E jo vetëm kaq; kur u hodha te proza kafkiane, përkthimi më la një shije dëshpërimisht të hidhur, e kundërt me çka premtonte vetë përkthyesi, dhe kjo për një varg arsyesh që do të shtroj në vijim.

1. Demagogjia e përkthyesit
Le ta vështrojmë një çast si të mirëqenë kuadrin e ofruar nga përkthyesi dhe idenë se “saktësia përkthehet vetëm me saktësi” përbën vërtet “parimin” që lipset ndjekur në përkthimin e prozës së Kafka-s. Lexuar sipas kësaj perspektive, përkthimi shfaqet egërsisht zhgënjyes. Këtë “parim” përkthyesi thjesht sa e pohon, s’e zbaton; përkthimi i tij qëndron larg “saktësisë”, që do të thotë se gjendemi përpara një demagogjie.
Le të marrim, p.sh., “Der Geier” – një tregim i shkurtër, ku spikat një pjesë e mirë e tipareve të rrëfimtarisë kafkiane.
Termin “Geier”, përkthyesi e jep “huta”, që është i pasaktë. E s’bëhet fjalë për një “shkarje” që mund të falet a “gafë” që kalohet me një shqyerje buzësh. Përkundrazi, fjala është për një pasaktësi që neutralizon elementët thelbësorë të tregimit, duke bllokuar edhe vetë të kuptuarit e tij.
Tregimi ndjek një shtrirje dialektike; ndonëse fare i shkurtër, ai jepet i strukturuar në tri pjesë: pjesa e parë shtrihet nga fillimi, deri tek pyetja e parë që i panjohuri i drejton rrëfimtarit; pjesa e dytë është dialogu mes tyre, dhe pjesa e tretë gjithë sa mbetet. Jemi para një tipari të rrëfimtarisë kafkiane: “trefishësisë”. Përpos organizimit strukturor, Kafka aktivizon një “retorikë” të trefishtë: “retorikën imazhive”, atë “poetike”, dhe “retorikën e makthit”. Përmendja e “lloji” të shpendit i përgjigjet përpikmërisht kësaj “trefishësie”.
1. Pasaktësia në përkthimin e termit “Geier” tjetërson “retorikën imazhive”, që Kafka na e jep në pjesën e parë dhe të fundit përmes disa penelatave të shpejta të sjelljes së shpendit. Arsyeja është e thjeshtë: “huta” e mësyn “prenë” me “kthetra”, si “hutini” dhe “sqepin” nuk e përdor kurrë në fluturim, por vetëm kur ulet në tokë, ndërsa në tregim shpendi e mësyn rrëfimtarin me “sqep” e “në fluturim”; më pas, ndryshe nga imazhi që “huta” ka në kulturën shqiptare (mjaft të kujtojmë se “huta” qëndron në rrënjë të foljes “hutohem” a epitetit “hutaq”), në tregim shpendi s’na jepet hutaq, por hetues, jo i trashë, por i mprehtë, sa është në gjendje të kuptojë edhe gjuhën e njerëzve, jo i ngathët, por i shpejtë dhe i saktë. Madje, Kafka e jep “vërsuljen” e shpendit me një penelatë emblematike: “und stieß dann wie ein Speerwerfer den Schnabel durch meinen Mund tief in mich” – penelatë që jepet “e pastaj u lëshua si një ushtë e vërtitur me sqepin përpara nëpër gojën time thellë në brendësi”. Kjo frazë s’është thjesht e pasaktë, por paradoksale, dhe krijon hendek jo të vogël sa i përket të kuptuarit; është paradoksale sepse, siç vura në dukje më lart, “huta” s’e mësyn “prenë” me “sqep”, por me “kthetra”, arsye për të cilën s’mund t’i mbajë krahët mbyllur, s’mund të marrë trajtën e “ushtës”; krijon hendek në të kuptuar pasi lë shteg për mistifikime, sa lexuesi pyet veten: “kush e vërtiti ushtën?” – Teksa i lë shteg mistifikimit, pasaktësia jo vetëm i lë vend keqinterpretimit, por neutralizon edhe dy “retorikat” e tjera. Thashë “pasaktësia”, pasi Kafka është i saktë, thotë se “Speerwerfer”-i, “hedhësi i shtizës”, “shtizari”, është shpendi, dhe shtiza është “sqepi” i tij i mprehtë: “und stieß dann wie ein Speerwerfer den Schnabel durch meinen Mund tief in mich” – “dhe më pas si një shtizar e nguli sqepin mespërmes gojës thellë brenda meje”.
2. Kjo pasaktësi neutralizon “retorikën poetike”. Tregimi është parabolë e legjendës prometeike; klima e legjendares ndihet qysh në fjalinë hapëse, tek aktivizimi i pavetorit “es” me të cilin nis rrëfimi, që këtu s’është pavetor gramatikor, si tek “es regnet” (bie shi), por sintaksor, funksionon si paraqitje formale, duke i paraprirë subjektit të njëmendtë, çka në shqip i përgjigjet formës “na ish”. Nëse do niste me subjektin e njëmendtë, “Ein Geier hackte in meine Füße” – “Një shkabë çukiste te këmbët e mia” – tregimi do zhvishej nga klima e legjendës. Sakaq, në tregim rrëfimtari simbolizon Prometeun, i panjohuri Herkulin, dhe “Geier” shpendin torturues. E këtu çdokush e ka të qartë se “shpendi” i legjendës së njohur s’është “huta”, por “shkaba”; madje, për arsyet që përmendëm më lart, në kulturën shqiptare “huta” s’është as shpend “epik”, siç shfaqet, p. sh., “sokoli” a “fajkoi” – siç e jep Agron Tufa, i cili i mëshon më tepër agresivitetit të “shpendit”, duke qenë kësisoj shumë herë më i saktë sesa përkthyesi në fjalë – dhe jo më “mitik”, si “shkaba”, “zhgabonja” a “shqiponja”, çka do të thotë se jemi përpara një pasaktësie trashanike. Por “retorika poetike” s’mbaron me kaq; në këtë tregim, paradigma prometeike kalon nëpër të njëjtin “filtër” emblematik që Goethe aktivizon te Fausti, ku “shkaba” s’është “ndëshkim hyjnor”, por pjesë e ekzistencës njerëzore (“Hör’auf, mit deinem Gram zu spielen,/Der, wie ein Geier, dir am Leben frißt” – “Jepu fund lojërave me tënden brengë/Që bash si shkabë jetesën të zhagmit”). Për këtë arsye, në tregim vëmendja përqendrohet jo tek heroi, por tek shkaba, çka jepet qysh në fjalinë hapëse, përmes të cilës Kafka na jep gjithnjë personazhin kryesor. Sakaq, duke kaluar nëpër të njëjtin “filtër”, paradigma prometeike zhvendoset në një topos të ri, në trevat shkëmbore të ekzistencës së njeriut, në Kaukazin e psikës njerëzore.
3. Pasaktësia në fjalë neutralizon “retorikën e makthit”; ndonëse të mëvetësishme në një vështrim të përciptë, të tre “retorikat” shfaqen organikisht të ndërlidhura në planin e rrëfimit si një i tërë. Që do të thotë se cenimi i njërës “retorikë” ndikon drejtpërsëdrejti tek “retorikat” e tjera. Kështu, neutralizimi i dy “retorikave” të mësipërme lë shteg për ta vështruar rrëfimin si një parodizim të paradigmës prometeike, ku në vend të “shkabës” kemi “hutën”, që s’i zhagmit heroit “mëlçinë”, “filtrin e jetës”, por “këmbët”, “pjesën më të ulët të trupit”, e në vend të shpëtimit, kemi fundin tragjik të heroit, pasi Herkuli, ndryshe nga sa vërejmë te paradigma prometeike, s’ishte nisur për të çliruar Prometeun, gjendet rastësisht aty, për këtë arsye s’e kishte marrë “dyfekun” me vete... Ky vështrim, krejt i gabuar, tregon qartë simbiologjinë e tri “retorikave” dhe se cenimi i njërës prej tyre ndikon drejtpërsëdrejti jo vetëm tek të tjerat, por edhe tek të kuptuarit e tregimit. Në tregim, elementët që prekëm s’janë parodizues, por pjesë të “retorikës së makthit”. Njëlloj si tek Strofulla, edhe në këtë tregim “makthi” e zhagmit rrëfimtarin përmes vërsuljesh “nga sipër” e “nga poshtë”. Ky makth shtrihet sipas dialektikës së tregimit: nis me zhagmitjen e “çizmeve” dhe “çorapeve”; më pas të “këmbëve”, çka shënjon “natyrshmërinë” e frikshme të përshkallëzimit të “makthit”, që shtrihet nga përjashtësia, tek përmasa biologjike e njeriut, për të depërtuar në fund thellë shtresave të tij (“tief in mich” – “thellë brenda meje”); që do të thotë se, përpos “përmasës biologjike”, “këmbët” shënjojnë edhe “përmasën ekzistenciale” të njeriut, janë pikë-takim i tij me sipërfaqen e tokës (Fußboden), me konkretësinë e botës (“qëndroj me këmbë në tokë”), janë pikëmbështetja dhe pikësiguria e tij mbi tokë, gjymtyrët që e sigurojnë duke i siguruar “lëvizjen”, endjen në kërkim të “sigurisë”, dhe “shpëtimin”, ikjen sa më larg pasigurisë, rrezikut, vdekjes, çka rrëfimtari na e jep qartas kur i thotë të panjohurit se është krejt i pafuqishëm për të mbrojtur veten (“Ich bin ja wehrlos”), për aq sa është i “paralizuar”, i privuar nga “lëvizja”, sepse “shkaba” i ka zhagmitur “këmbët” (“Nun sind sie [die Füße] schon fast zerrissen”), imazh që rreh të përftojë “mbërthimin” e Prometeut pas shkëmbit (krh. “lajmi i preu këmbët”, “e paralizoi”, “e bllokoi”, “e ngriu në vend”).

Fundi i tregimit shfaqet emblematikisht alla Kafka, ku tri “retorikat” shkrihen në një “fijëzim” (textus) të vetëm, duke na shpalosur qartas teknikën e njohur rrëfimtare të Kafka-s: siç ndodh në një pjesë të mirë të rrëfimtarisë së tij, edhe në këtë tregim Kafka shkruan nga brenda mendjes së personazhit, ndërkohë që syri retrospektiv dhe zëri introspektiv, pikërisht ai sy që sheh “gjithçka” dhe ai zë që na rrëfen “gjithçka”, është vetë autori. Krahas zhvendosjes së dramës në një topos të ri, kalimi i paradigmës prometeike në “filtrin” e lartpërmendur sjell edhe një ndryshim thelbësor sa i përket fatit të heroit. Si tek paradigma prometeike, edhe në këtë tregim, heroi në fund “çlirohet” (“fühlte ich befreit” – “ndjeva i çliruar” – që në përkthimin shqip jepet “ndjeva i lehtësuar”, çka neutralizon dhe bllokon paq të kuptuarit e skenës në veçanti, dhe të tregimit në përgjithësi); porse, fjala është për një “çlirim” që ndryshon thelbësisht nga “çlirimi” herkulian. Duke mos qenë pjesë e jashtme, një “ndëshkim hyjnor”, por e brendshme, pjesë e ekzistencës njerëzore, e vetmja rrugë “çlirimi” është vdekja, ku skena mbyllëse na shfaqet sa emblematike, po aq edhe simptomatike: duke brejtur ekzistencën e njeriut, “makthi” bren edhe ekzistencën e vet, pasi jo vetëm organikisht, por edhe ontologjikisht, ekzistenca e tij qëndron e lidhur me ekzistencën e njeriut, prej nga skena mbyllëse është lehtësisht e kapshme: duke vrarë njeriun, “makthi” vret edhe veten; fundi i njeriut jo vetëm e zhvesh “makthin” nga “arsyeja për të ekzistuar”, por edhe nga një “themel ontologjik”, çka shënon sa natyrshëm, aq edhe pashmangshëm (“unrettbar”, thotë rrëfimtari, “pa asnjë rrugë shpëtimi”) edhe fundin e tij.
Sidoqoftë, ndonëse ofron një ide të qartë rreth kuptimësisë që ka humbur dhe pakuptimësisë që ka fituar ky tregim i Kafka-s në përkthimin shqip, tabloja e mësipërme mbetet e paplotë, pasi s’hedh dritë rreth prozës kafkiane, as rreth faktit nëse sipërmarrja për ta sjellë në një gjuhë tjetër është apo jo një të vështirë; në këtë pikë, kjo tablo s’ofron asgjë: pasaktësitë e vërejtura janë thjesht trashanike, jo rrjedhojë e natyrës komplekse të gjuhës, arsye për të cilën, shumë-shumë, mund të vënë në dyshim njohuritë në gjermanisht të përkthyesit. Më pas, përjashto fjalinë e parafundit, ky tregim i përgjigjet kuadrit të ofruar nga përkthyesi, çka nga njëra anë e bën demagogjinë e tij trazuese, ndërsa nga ana tjetër – ndonëse s’ka rëndësinë e prozave të shtrira, dhe gjuha e tij ndryshon rrënjësisht nga e këtyre të fundit – lë të hapur gjasën se ndoshta ky kuadër i përgjigjet tërë prozës së Kafka-s. Këndejmi lind nevoja e anashkalimit të demagogjisë së përkthyesit dhe vështrimit të kuadrit të tij jo “si” të mirëqenë, por siç është, për ta vendosur prozën e Kafka-s përballë përkthimtarisë. 

Manush Peshkëpia ose Portret artisti në mungesë

image
Shkrimtari & Diktatura/ In memoriam në 100-vjetorin e lindjes së një autori të harruar, një prej emrave që zhduku diktatura, si zanafillë poetike, jeta e të cilit u ndërpre në kulm të pjekurisë intelektuale, në moshën 40-vjeçare. Shkrimtari Agron Tufa në portretin eseistik të mëposhtëm, tërhiqet mbrame, ndalet në emrin e Manush Peshkëpisë, ndeshur shpesh në shtypin e viteve ‘30, në revistat “Përpjekja shqiptare” të B. Merxhanit, të rinjohur me një aktivitet publicistik, poetik e përkthimor. Peshkëpia u pushkatua më ‘51, ndërsa emri i tij, në dy poezi, është përfshirë në një antologji të poezisë shqipe në gjermanisht, përkthyer nga Maximilian Lambertz

Sa herë kam shfletuar periodikët dhe revistat letrare të viteve ‘30, kam ndeshur herë pas here në krijimet letrare të Manush Peshkëpisë (1910-1951). Spektri i botimeve është pa dyshim shumë më i gjerë dhe jo të gjitha revistat kam pasë fatin t'i shqyrtoj. Madje, krejt rastësisht interesimi im nisi me një poezi të botuar në një nga numrat e revistës "Përpjekja" të Branko Merxhanit. Poezia mban titullin "Shpirt' i ri" me autor Manush Peshkëpia. Ishte një emër që në poezi e ndeshja për herë të parë dhe krejt natyrshëm, nën efektin mbresëlënës të poezisë, kisha dëshirë të dija më shumë për autorin e saj. Kompozimi i idesë në tri strofa klasike me rima abba në dy strofat e para dhe të alternuar në strofën përmbyllëse, ndjek trajektoren e brishtë të Shpirtit të përmalluar, që i etur mëton të dalë në dritë, duke pritur gjatë i topitur e i paralizuar në errësirë. Por bota jonë nuk është mirëseardhëse dhe në vend të "dritës së kulluar" që ëndërron të ndeshë, Shpirti përballet me një realitet të vrazhdë e lebetitës. Ideja e kësaj lirike përfton vetvetiu në çdo kohë një kontekstualitet bashkëkohor, për qëllimin e lartë të Krijimit me një destinacion të qartë e të lartësuar, por pikëmbërritja e tij është zhgënjyese dhe nuk e shpërblen itinerarin e udhëtimit të tij nëpër errësirë. Mbetet që bota jonë reale është diçka më e përçudshme, më e dhunshme se errësira prej nga e merr zanafillën rrugëtimi i Shpirtit. Shpirtit, të brishtë dhe të pambrojtur, i mbetet të jetë një vizitor i trishtë i kësobote, duke vajtuar me lot të hidhur zhgënjimin e madh; që gjithë pritja e tij paskësh qenë një rreng mashtrimtar dhe se gjallimi i tij do të mbetet përdhunshëm një peng, i një bote që e refuzon, që nuk e do. Le ta përcjellim poezinë e plotë:
Shpirt' i ri posa gatuar,
Nëndë muaj n'errësirë
Nëndë muaj krejt i mpirë
E zë mall' i përvëluar.

Shpirt' i ri posa gatuar
N'errësirë s'duron dotë,
Do të vijë në këtë botë
Të shoh' dritën e kulluar.

Shpirt' i ri posa gatuar
Lindi, ra në botën t'onë,
Po - i shkreti shpirt' i njomë
Zu të qaj', oh, i penduar!
Nuk e di në është një nga krijimet e para të poetit njëzetë e ca vjeçar asokohe, Manush Peshkëpisë, por struktura e vargjeve, përsëritjet e vargjeve të para, organizimi i lirshëm i strofës me skema ritmike vargjesh dhe sidomos trajtimi i idesë si një trajektore e zhgënjyer fati nga hiçi në hiç na bën me dije se kemi të bëjmë me një dorë të ushtruar mirë një artin e poezisë dhe në shterimin e një përvoje leximore, e cila, përpos idesë së thelbit të lirikës, nuk i ngarkon aspak komponentët e poezisë me erudicione shtjelluese. Poezia vetë ngjan me një kantatë të trishtë, me një vokal të brendshëm intonativ, si grafikë lirike muzikore, të atilla që ngjajnë me zhanrin e "muzikë dhome" të Shubertit. Në këtë fill të brishtë këndon muzika e idesë së një "unë" pavetor, i cili mund të jetë njëherësh i yti dhe i gjithkujt.
Të gjitha poezitë e Manush Peshkëpisë, të shkapërdara nëpër shtypin dhe periodikët letrarë të kohës, flasin për një zanafillë të vyer të lirikës intime e filozofike, aq të domosdoshme në peizazhin e atëhershëm të poezisë shqipe, të sapodalë prej traditave epiko-didaktike me patos atdhetar. Emancipimi i lirikës sonë duket qartë se e ka pasur një kahje, një tendencë, një formacion ndjeshmërie, i cili përkapet si tek Manush Peshkëpia, ashtu edhe tek disa poetë të viteve tridhjetë, si Nexhat Hakiu, Vedat Kokona, Shefqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Sotir Caci etj. Shumë prej këtyre emrave patën rrugëtime të ndryshme në letërsi, në varësi të koniunkturave ideologjike pas Luftës së Dytë Botërore, disa ndërruan krejtësisht profil, duke u bërë shërbëtorë të regjimit komunist, e disa të tjerë, thjesht mbetën anonimat, pushuan së krijuari veprat e veta, ngase qe "stinë e keqe" për lirikën. Pikërisht në zërin e ndrydhur të këtyre të mbramëve duhet parë edhe fati i krijimtarisë së Manush Peshkëpisë. Autorët e tjerë të viteve '30 gjetën një mënyrë afirmimi; disa e përmblodhën krijimtarinë e tyre poetike në një libër edhe pas vitit 1945, si për shembull, Nexhat Hakiu, por Manush Peshkëpia mbeti i panjohur për lexuesin, duke ndarë fatin e shkrimtarëve të ndaluar të regjimit, edhe pse lirika e tij meditative me tone nostalgjike e pesimiste do të kishte qenë mjaft e dashur në epokën e denatyrimit të poezisë shqipe të realizmit socialist. Thjesht, për artin e tij në epokën servile nuk kishte më vend. Fatin e artit të tij e vulosi më së fundi, fati tragjik i jetës së shkrimtarit, për t'u shndërruar mandej në një nga emrat tabu gjatë diktaturës.
Tani që kanë kaluar mbi 70 vjet është e vështirë (por jo e pamundur) të risillet, së paku, bërthama e freskët e lirikës së Peshkëpisë. Krijimtaria e tij, e shkapetur nëpër organe e periodikë revistash e gazetash elitare para Luftës së Dytë Botërore, lyp një hulumtim e kërkim sistematik për t'u mbledhur e strukturuar. Ne, sot, vetëm se mund ta përftojmë e përkapim këtë trashëgimi letrare nëpërmjet indikacioneve e treguesve të ndryshëm në shtypin e kohës, apo nëpërmjet përmendjeve me veneracion të thellë nëpër mbresat e rrëfimet e atyre shkrimtarëve që e kanë njohur si njeri me shije e formim kulturor solid dhe si një nga krijuesit më të spikatur të viteve tridhjetë. Një ndër personalitetet qendrore të kulturës shqipe, prof. Arshi Pipa, sjell këtë miniportret të Manush Peshkëpisë në esenë e tij "Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë":
"...Manush Peshkëpia ka tjetër histori. Qe arrestue që në ditët e para dhe dënue në Gjyqin Special të Tiranës me pesë vjet burgim. Bani katër vjetë dhe doli. Nuk kishte veçse dy vjetë që ishte lirue, kur e arrestuen përsëri. Kjo qe me rasën e bombës së hjedhun në Legatën Ruse, në Shkurt 1951. Bomba, si u muer vesh ma vonë, pat qenë vu nga nji antar i Partisë Komuniste. Ma se tridhjetë vetë, t'ashtuquejtun "reakcionarë", u pushkatuen m'atë rasë, për reprezalje. Njani ndër 'ta qe edhe Manushi.
Poezitë e Manushit janë të shpërndame ndër revista të ndryshme, dhe sidomos te "Përpjekja Shqiptare", e drejtueme nga z. Branko Merxhani. Janë poezi të shkurta, të qarta, plot ndije të shkrime në nji nostalgji t'ambël. Prof. M. Lambertz në librin e vet "Albanesisisches Lesebuch", ka përfshi disa shembuj nga poezia e Manushit. Poezitë janë të mira, por edhe ma i mirë ka qenë njeriu: i kthejtë, zemërartë, i butë, i nji butsije evangjelike, i pazoti t'i bante keq njeriut, as vetë anmikut". (1)
Ne kemi pasur raste të zhbirimit hulumtues të autorëve fare minorë në letërsinë shqipe të viteve ‘30, të çupëlinave e çunakëve me prirje e ëndrra marksiste e bolshevike apo të ashtuquajturve poetë-partizanë, si Memo Meto, Gaqo Kollumbi (Yrka), Qemal e Veli Stafa, Kristaq e Margaritë Tutulani etj., shkrimet e pakta të të cilëve janë mbledhur e komentuar, derisa kanë zënë vend edhe nëpër antologjitë shkollore, por armata e ideologjizuar e shkarrashkruesve të regjimit nuk arriti, së paku objektivisht apo qoftë edhe nëpërmjet qëndrimit kritikues, t'i përmendte shkrimet patriotike e intelektuale të Manush Peshkëpisë. Lufta e klasave e kishte prerë vendimin për t'i rraposur përjetësisht në harresë gjurmët humane të një intelektuali me horizont e vizion si Manushi. Ata mendonin se e kanë asgjësuar përfundimisht edhe njeriun, edhe veprën, sikur ai të mos paskësh ekzistuar kurrë! Birin e një familjeje me tradita intelektuale atdhetare, pasardhësin e një dinastie aristokratikë me vetëdije dhe shqetësim kulturor e kombëtar, komunistët u munduan ta shuajnë me jetë e me vepër, e mandej, me një egërsi të ligë, të vepronin me të njëjtin stil çnjerëzor edhe mbi trashëgimtarin e Manushit, Gëzim Peshkëpinë. I biri, Gëzimi, gjithashtu u dënua më qëllimin e qartë, që nga kjo familje e madhe, të mos mbeteshin më filiza. Megjithatë, linja e kësaj sage tragjike të familjes, nuk u ndërpre, përderisa i biri ia doli t'u mbijetonte burgjeve gjenocidiale enveriste për të mbërritur tek dëshmia. Libri tij memuaristik e aforistik "O njeri", i botuar para pak kohësh, bart karakterin tronditës fragmentar, pa aq sa na shfaqet fragmentare edhe jeta e të atit, gjithë ndërprerje. E pikërisht fragmenti na bën të lidhim sot fijet e përjetimit tronditës të individit në atë plojë rrënimtare të kohës, si fat dhe ekzistencë në zgrip të zhdukjes. (2)
Sërisht i rikthehemi mendimit, se krijimtaria e hapërdarë e Manush Peshkëpisë, paraqet ndoshta një model tragjik të fatit të intelektualit shqiptar, tek i cili është i mishëruar simbolikisht karakteri krejt ndërprerje të dhunshme kulturash, traditash, historish, kohësh, çka përbën një sens fatal vetëshkatërrimi, të cilin e kemi trashëguar në embrion tonë si komb. Nga kjo pikëpamje vetë fati i individiumit përputhet në mënyrë të hidhur me përvojat tona të dhimbshme kolektive.
Ne nisemi të mbërrijmë tek Manushi, por përpara kemi pirgje plehrash të historisë sonë, mbeturinat acide të ideologjisë, mosvëmendjen dhe mungesën e përgjegjësisë qytetare të trashëguar nga komunizmi. Rruga për të rinjohur veten tonë autentike, identitetin tonë zanafillor, do të ishte rruga për të mbërritur në një portret të plotë e të pastruar të Manush Peshkëpisë, të pastruar nga harresa dhe zhyli i kohërave. Madje edhe sikur të kishim të bënim, jo me një trashëgimi letrare, publicistike e përkthimore të shpërndarë nëpër botimet e kohës, por edhe sikur të kishim të bënim, qoftë edhe me një dëshmi të vetme, qoftë edhe me një segment epistolar!
Në gjithë rrëmetin dhe katastrofën që shkaktoi stalinizmi shqiptar, duhet të na interesojë njeriu në vetvete, njeriu si projekt antropologjik. Ne duhet të na interesojë se çfarë u bë me njeriun, me njeriun në përgjithësi, që në ditën e parë kur e morën dhe i hodhën prangat mes familjes, sepse nuk mund të ketë asnjë ngushëllim me slogane, asnjë rehabilitim në trajtë letre apo një qeseje me eshtra! Dhe rruga për të zbuluar portretin njerëzor dhe intelektual të Manush Peshkëpisë, është vetëm udhë në nisje, tentativë drejt përftimit të tij, nxjerrjes së tij nga harresa. Se nuk mund të shlyhen ashtu siç mendonin komunistët gjurmët e një jete të tërë njerëzore! Shpesh nga harresa ku është flakur prej dekadash, Manush Peshkëpia na jep shenja, lajmërohet; gjurmët e tij i ndeshim në trajta mjaft intriguese. Një numër i "Revistës letrare", me drejtor dhe përgjegjës Vedat Kokonën njofton se së shpejti do të dalë në qarkullim edhe libri i Manush Peshkëpisë - "Folklori i Epopesë së Vlorës, 1920". Përpos këtij libri të paralajmëruar (fatin e të cilit nuk e dimë, së paku nuk dimë as për dorëshkrimin e mbetur në ndonjë arkiv të Sigurimit të shtetit), ndeshim në publicistikën eruditive të tij, sidomos në "Revistën letrare" me rubrikën "Të huajt për ne", kryesisht analiza, meditime dhe recensione të vyera për librat e shkruar mbi realitetet shqiptare: analiza të librave të Justin Godart-it, Gabril Louis-Jaray, Fracesco Krisp-in etj.
Rëndësinë e krijimtarisë poetike të Manush Peshkëpisë e ka vërejtur edhe studiuesi dhe një nga albanologët më të shquar gjermanë, Maximilian Lambertz, duke e përfshirë atë si autor në antologjinë e poezis shqipe të përkthyer dhe botuar në Leipzig më 1948 me titullin "Albanisches Lesebuch". Në këtë antologji në gjermanisht Manush Peshkëpia përfaqësohet, krahas poetëve më të rëndësishëm të viteve '30, me dy poezi: "Der Mutter" (Nënës) dhe "Der Blonden" (Flokëverdhës).
Jeta e poetit Manush Peshkëpia u ndërpre nga plumbat, në frymën e barbarisë komuniste, në moshë të re, kur kishte 40 vjeç. Zakonisht në këtë moshë artisti piqet dhe bën sintezën e përvojave të veta. Ne nuk e dimë se si do të zhvillohej poetika e tij; nuk dimë se çfarë zhanri do të lëvronte Manushi, qoftë dhe në heshtje, i pabotuar, sikundërse nuk dimë ende asgjë mbi fatin e dorëshkrimeve të tij. Me siguri raportet e tij me shkrimin do të ishin shtjelluar në vepra sirtarësh, si rezistencë, e papërzier në korin himnizues të regjimit. Por ai kishte dashuruar kombin shqiptar, jo komunizmin. Një ndër hartuesit e platformës ideore të Ballit Kombëtar, Manush Peshkëpia e kishte bërë zgjedhjen e vet si kundërshtar i ideologjisë bolshevike. Ne vetëm mund të hamendësojmë mbi rritjen e tij intelektuale dhe llojin e letërsisë që mund të shkruante, po aq sa e dimë mirë, se një mundësi e tillë pak shanse kishte të ndodhte, për shkak se "hekatomba" komuniste nuk mund të kursente intelektualë të tillë si Manushi... përpos kësaj, më të vëllanë (shkrimtarin Nexhat Peshkëpia) të arratisur në Amerikë! Herët a vonë do të mbërrinte ajo natë e kobshme, ai "Shënbartoleme" i kuq, ashtu siç e përshkruan i biri, Gëzimi: "Në datën 27 shkurt (1951) trokitën në derë, hynë brenda dy persona të cilat na komunikuan: ‘Manush Peshkëpia është pushkatuar sot, si armik i popullit. Me 3 mars të keni bërë gati plaçkat sepse do të dëboheni nga Tirana. Në 3 mars erdhën me kamionë për të na marrë. Shumica ishim gra dhe fëmijë të trembur… ". (3)
Në një nga numrat e revistës "Përpjekja Shqiptare", gjendet një poezi tipike e Manush Peshkëpisë, që shpreh ndjesinë tragjike të jetës dhe fatit të shkurtër të njeriut në këtë botë. Përkohësia, efemerizmi i lëndës, itinerari i shkurtër jetësor i njeriut si bujtës i trishtë në visoret tona, ngulitja fatidike se jeta është veçse një ëndërr e shqetësuar - përbën ndoshta një metaforë, që përmbledh në një kornizë simbolike portretin e papërfunduar të njeriut ëndërrimtar, intelektualit të shqetësuar dhe krijuesit me fat tragjik. Megjithëse poezia i kushtohet, siç e thotë dhe titulli "Shokut të vogjëlisë" (Nikollaq Ruçit, ajo e përmbledh edhe fatin e vetë autorit në paradigmën filozofike të "jetës-ëndërr", që kalon parasysh, duke lënë më fort mbresën e hidhur se sa gëzimet e saj:
Jeta jote? Flakë n'erë!
Ndezi, shoi me nxitim
Dhe s'të fali mor i mjerë,
Asnjë ditë pa vajtim!
Psherëtite, ngashërove,
Jo se gjë të pat munguar,
Po sepse në bot' s'shikove
Veç të mjerë - e të munduar.

E në kohën më të ndritur
Sapo ish edhe agim,
Shpit-e-zemërë-zhuritur
More udhën që s'ka kthim...
Ç'janë ndaj përjetësisë
Parëvera njëstenjë?
Shok, o shok i vogjëlisë,
Vetëm nj'ëndër dhe asgjë! (4)
Ky vit që po mbyllet, shënon 100 vjetorin e lindjes së intelektualit dhe shkrimtarit Manush Peshkëpia, të pushkatuar në moshën 40 vjeçare, pas asnjë gjyq, thjesht sepse ai nuk shfaqi asnjë zell për t'i kënduar komunizmit dhe "njeriut të ri". Për të shkuarën dhe për të ardhmen e tij, ky njeri duhej të fshihej e të asgjësohej pa lënë asnjë gjurmë mbi këtë tokë dhe mbi këtë popull, që e deshi, me atë dashurinë e dhimbsuri që ia mëkuan të parët e tij. Dhe parulla leniniste "Kush nuk këndon me ne, është kundër nesh", nuk mund ta kursente vetëdijen intelektuale e nacionaliste të një atdhedashësi. Tjetër vend nuk kishte për të! Ne nuk mund ta zhbëjmë dot "veprën e pandreqshme të vdekjes", por ne mund ta ringjallim kujtimin e tij, duke e risjellë, duke ribashkuar të gjitha gjurmët e krijimtarisë dhe copëzat e jetës së tij, në një portret të qëndrueshëm, më të plotë, me të cilin të kemi se ç'të kuvendojmë, sepse kemi ç'të mësojmë prej shembullit të jetës dhe përpjekjeve të tij - në mos shumë - të paktën do të mësojmë si ta duam vlerën e patradhëtueshme të atdheut, njeriut dhe ndjenjën e pandotur mbi të bukurën.

Shënime:
1-Arshi Pipa "Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë", gazeta "Shqiptari i Lirë", 31 mars 1959
 2- Lidhur me librin "O njeri" të Gëzim Peshkëpisë ia vlen të sjellim një fragment nga shkrimi i Fatos Lubonjës "Kujtesa si rezistencë" (Panorama, 13 gusht 2009), për të ilustruar idenë e fragmentit si rrëfim mbi plojën familjarë e individuale: "Ata që në jetën e lirë sot shkruajnë për jetën e burgut, janë dëshmi e kësaj rezistence, e këtij mospranimi, e këtij qëllimi jete. Për një pjesë jo të vogël, ky qëllim jete ka qenë të jetuarit për të rrëfyer një ditë tragjedinë tonë njerëzore. Libri “O njeri” i Gëzim Peshkëpisë është provë e kësaj mbijetese. “të ekzistosh do të thotë të mbërrish në një libër”, - thotë Stephane Mallarme. Nëse di t’i vija një nëntitull këtij libri, ai do të ishte “Episode burgu”. Kjo sepse karakteret e shumtë dhe ngjarjet që tregohen në të, nuk përshkruhen duke u shtjelluar gjerë e gjatë, por në formë episodesh. Episodi është si një pikë kulminante i një ngjarjeje apo i një karakteri që ka mbetur i mbresuar në kujtesë. Është e vështirë të shpjegosh deri në fund mjetet e kujtesës që na bëjnë që ngjarje dhe njerëz t’i harrojmë dhe të tjera t’i mbajmë mend. E sigurt është se ky proces kujtese flet për ndjeshmërinë e secilit. Episodi është kështu si perla e krijuar me guaskën e kujtesës, pikërisht aty ku mbresa/plaga ka qenë më e fortë".
3-"Siç kanë emër ata që u vranë duhet të kenë emër dhe ata që i vranë", "Përpjekja", 6 mars 2006
4- "Përpjekja Shqiptare", nr 18-24, dhjetor 1938, fq. 404.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...