Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/02/16

Vetëvendosja e ngjyros rektorin prof.dr.Mujë Rugova


http://www.botasot.info/reklama/rugaova-kuq-xxx.jpg
Gjatë mbajtjes së ceremonisë së 41 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, derisa rektori Mujë Rugova mbante fjalën e rastit, dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje i hodhën ngjyrë të kuqë rektorit Rugova, ndërsa rektori i zënë në befasi, i falënderoi studentët dhe tha se jemi në demokraci dhe në demokraci ndodh.
Në përfundim të fjalës së tij, Rugova mori një përkrahje morale nga të pranishmit në sallë, ndërsa i falënderoi studentët që u kujdesën t’i japin ngjyrë të kuqe më shumë.

“Unë vesha sot rrobe të zeza me një kravatë të kuqe, faleminderit për studentet se nuk kisha vu mjaft ngjyrë të kuqe”, tha ai.


Pas pak minutash në Fakultetin e Filologjisë ku po mbahet ceremonia e shënimit të 41 vjetorit të UP-së erdhi policia, e cila i arrestoi dy aktivistët e Vetëvendosjes.





NGA ELSA DEMO:Vend njerëzish, jo shqiponjash

Statutet e Shkodrës botohen të pajisura me studime filologjike. Autorja që i zbuloi, prof. Lucia Nadin, prezanton kërkimet e thelluara në tekstin më të lashtë ligjvënës të hartuar në një territor shqiptar. Nadin: Statutet, një botë magjepsëse e prirë drejt lirisë



Pas botimit "Statutet e Shkodrës" studiuesit janë marrë ndërkaq me studime të thelluara të atij teksti 40 faqesh, kodi më i lashtë juridik i hartuar në territorin shqiptar që ka mbërritur deri më sot.
Botimi dygjuhësh i vitit 2002 tani vjen i pajisur me tekstet studimore filologjike nën kujdesin e prof. Lucia Nadin, ajo që zbuloi më 1996 këtë dëshmi të kulturës juridike të shqiptarëve.


Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Universitetit "Ëisdom" në Tiranë paraqitën dje "Statutet e Shkodrës në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469", shqip-italisht, Botimet Onufri.


Gherardo Ortalli, Giovan Battista Pellegrini, Oliver Jens Schmitt në studimet që janë e reja e këtij botimi, trajtojnë çështje të transkriptimit dhe interpretimit të tekstit.

Marco Pozza i Universitetit të Venecies ndihmoi si paleograf në leximin e dorëshkrimit të statuteve.


Trajtesat i prijnë statuteve të përkthyera tashmë nga historiani Pëllumb Xhufi.
Njohja me analizat gjuhësore dhe rindërtimi historik i veprës mesjetare ua shtrojnë rrugën studimit të mëtejshëm, si shkencëtarëve shqiptarë dhe atyre të nivelit ndërkombëtar.


Është pranuar që vlera e këtij teksti ligjvënies paraqet interes për historinë e bregut lindor të Adriatikut, "të lidhjeve të tij me Venedikun e me fuqitë më të rëndësishme të zonës, në kuadrin e ekuilibreve të mëdha ndërkombëtare", thënë me fjalët e Gherardo Ortallit.

"Ai përbën një dëshmi të qartë dhe të qenësishme të asaj Shqipërie bregdetare, me qendra qytetare aq të ndryshme nga modelet stereotipe, që edhe sot e kësaj dite, (siç thotë Lucia Nadin) rrezikojnë ta uniformizojnë tërë realitetin shqiptar në logjikën e "vendit të shqiponjave" dhe të kulturave të malit; teksti na sjell kujtimin e një kryqëzimi të jashtëzakonshëm kulturash e njerëzish, lidhjesh e mbizotërimesh."


Të jashtëzakonshme e vlerëson ky studiues ndërtimin e tekstit. Ai ka parasysh, për shembull, se sa qartë dhe dukshëm është shkruar për: rolin e etnisë, prirjen drejt lirisë, ligjshmërinë për të patur statut, mitizimin e trimërisë dhe të forcës.


Profesoresha e Universitetit të Venecies ishte e pranishme në prezantimin e librit në Tiranë. Sa herë bën publike rezultatet e kërkimeve të saj, do të ketë gjithnjë një lajm të mirë nga zonja Nadin, për vlerat e zbuluara dhe perspektivën e mëtejshme.


Ajo kujtoi se libri që kishte dalë më 2002 në Itali, fryt i një pune disavjeçare në Venecia dhe Padova, ishte shitur i gjithi.


Interesin në rritje për statutet në Itali, në Evropë dhe në nivel ndërkombëtar, prof. Nadin e shpjegon me botën dhe historinë tërheqëse që statutet përfshijnë, e s'ka të bëjë thjesht me historinë e së drejtës, por me fushat e larmishme të jetës.


Kështu edhe Statutet e Shkodrës: janë pasuri që tregojnë si shkonte jeta e qytetare e përçdoditshme në këtë komunë, autonome për periudhën që po flasim. Është periudhë e lulëzimit të plotë, 1396-1479. Jeta e komunitetit rregullohej nëpërmjet statuteve.


"Është një botë magjepsëse", thotë Nadin. "Qysh prej viteve nëntëdhjetë, kur u hodh njëfarë vëmendje mbi Ballkanin, mbi historinë e Ballkanit e për rrjedhojë edhe mbi Shqipërinë, nuk dihej gjë për statutet. Dihej që kishin ekzistuar statutet e Durrësit, por asgjë për Statutet e Shkodrës. Kështu duhet të merrni me mend emocionin tim kur gjeta në Bibliotekën e Muzeut "Correr" të Venecies, këtë kod të vogël të Shkodrës, i kopjuar nga origjinali që ndodhej në Arkivin e Këshillit të të Dhjetëve, Arkivi i Shtetit të Venedikut."

Pse në Venecia?


Për këtë pikë prof. Nadin i ka dhënë tashmë gjerë e gjatë argumentet në studimin "Shqiptarët në Venedik, mërgim e integrim, 1479-1552". Për arbërit e mërguar apo të instaluar në Venedik, ajo pohon ndër të tjera se "nuk ishin thjesht punëtorë, apo varfanjakë siç është thënë në të shkuarën, ishin edhe njerëz të kulturës, fisnikë, me funksione e zanate prestigjioze."


Edhe dje ajo rikujtoi dy monumente të arbërve në Venedik: monumentin letrar të Marin Barletit dhe monumentin viziv të Vittore Carpaccio-s.


Në fillim të librit të tij mbi Skënderbeun, Barleti thotë se me këtë libër do të ngrejë një moment letrar ku të kujtohet çfarë ishte Arbëria dhe çfarë bëri Shkodra për të. Në këtë rend, "Statutet e Shkodrës" janë një monument tjetër që tregon ç'ishte Shqipëria mesjetare në aspektin konstitucional.


Me siguri mund të thuhet se data e kodit juridik të Shkodrës është viti 1504, viti i festimeve të mëdha në Venecia, i mbërritjes së paqes me turqit.


Po t'i kërkonin prof. Nadinit të ndalej në nyje domethënëse të statutit, me siguri do të përmendte ato ku trajtohet pozita e gruas dhe e ashtuquajtura vendetta e cila nuk ka asnjë lloj lidhje me hakmarrjen fizike, marrjen e gjakut. Pikërisht këto dy nyje, meqë si
hakmarrja dhe mbrojtja e nderit, kanë pasur një vend kryesor në të drejtën zakonore të shqiptarëve.


"Pozita e gruas vihet në realitetin qytetar të Shkodrës në qendër të vëmendjes. Gruaja është e lirë të bëjë testament dhe të mbajë për vete një pjesë të prikës, për t'ua dhuruar njerëzve me të cilët ndjehet e lidhur me "anima" (me shpirt), për shpëtimin e saj shpirtëror. Gruaja, në mungesë të bashkëshortit, mund të thirret në gjyq, për çështje që i takojnë dhe të përgjigjet përmes avokatit të saj...."


Ashtu sikurse gruas së përdalë, i ndalohet të mbajë "umbrano", një mbulesë tipike koke që përdoret për gratë shkodrane dhe nëse kapet duke kryer magjira apo përfshihet në afere rufianësh, duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet njëherë e përgjithmonë nga komuna.
Ndërsa "në rast vrasjeje, përgjegjësi duhet t'i paguajë gjysmën e dënimit në të holla mbretit dhe gjysmën tjetër, personit të afërm me të vrarin."


Sa për gjuhën e përdorur, veneto-venedikase e kohës mesjetare, prof. Nadin, duke kujtuar studimin e prof. Pellegrinit, i ndarë së fundi nga jeta, përmend që statutet janë një dokument i çmuar dhe i jashtëzakonshëm i Lacus Labeaticus - labeatae, fise të vjetra që banonin në afërsi të liqenit të Shkodrës.


"Për mua këto statute edhe nga ana gjuhësore kanë shumë për të dhënë", thotë profesoresha e Universitetit të Venecies.


Pa retorikë, ajo beson që një e ardhme e Shqipërisë, një e ardhme evropiane e Shqipërisë, gjen në këtë zemër antike të statuteve të Shkodrës një pikë nisje. Pikërisht në fillimet e njëmijë e treqindës, në rezonancë me vokacionin e Evropës.


Moikom Zeqo:


"Zbulimi i Statuteve të Shkodrës krijoi një bosht të ri konceptual për një Arbëri tjetër, sidomos për atë që quhet kultura urbane e Arbërisë në mesjetë. Unë mund të përfytyroja zonjën Lucia Nadin sikur ishte një nga dëshmitarët në momentin e rënies së kështjellës së Shkodrës më 1479 dhe njëkohësisht që mbijeton në ditët e sotme.


Pra një grua me një moshë të koncentruar për të kuptuar se çfarë vlerë të madhe ka kjo vepër, një monument shkrimor juridik i klasit të parë jo vetëm për Arbërinë po edhe për Ballkanin në tërësi.


Është kultura që solli që zotërimet venedike, deri tek ajo që u quajt konvencionalisht "Albania Veneta", të bazohen në parim juridik të komunës qytetare, të kulturës urbane e cila i mungonte shumë mjedisit historik të kohës. Kjo është një vepër matricë e nuk mund të krahasohet me Zakonikun e Stefan Dusanit. Ajo ka motërzimet e veta me statutet e tjera po të zotërimeve veneto-arbërore dhe është një sinkretizëm shumë interesant i disa të drejtave në histori, për të cilat ka folur në mënyrë sintetike Shuflaj.


Ambasadori Paolo Foresti:

"Një libër për shqiptarët dhe për ata që flasin shpesh pa e njohur cila është Shqipëria dhe cilët shqiptarët. Është e lehtë të flasësh për atë që nuk e njeh. Është shumë më e vështirë të flasësh për atë që njihet.


Një motiv që na shtyu të ndihmojmë për botimin e tyre është se Shkodra përfaqëson Shqipërinë dhe të mos e harrojmë këtë. Sepse atë kohë Shkodra kishte një influencë mbi një pjesë të madhe të Shqipërisë, ose të Arbërisë. Dikush e quajti këtë vepër "pasaportë evropiane". Po çfarë pasaporte do të ishte nëse ne nuk arrijmë ta njohim dokumentin tonë, çfarë pasaporte nëse ne nuk njohim historinë tonë dhe nëse nuk identifikojmë rrënjët tona."


Diçiturë: "Lajmi", 1504, tablo e Vittore Carpaccio

Elsa Demo:Dinjiteti i gjembaçëve

Një artiste që debuton në skenën e artit në Shqipëri në moshën 40-vjeçare. Një model durimi dhe modestie mbi një motiv të thjeshtë gjembaçësh.


Lulet e thara që Entela i pikturon në orët e natës, janë një kërkim sublim i të bukurës në një botë steriotipesh


"Perfeksion nuk do të thotë vetëm definicion formal, por më tepër dashuri e skajshme për natyrën e sidomos për atë pjesë të saj që konsiderohet e pavlerë dhe e harruar herë-herë deri në anatemë apo përbuzje. Këto "shkurre" janë të bukura edhe pse morfologjia e tyre në trajtën e veshjes jo mikpritëse duket se të largon.



"Dinjiteti" i tyre meriton vëmendje për t`i përkthyer apo riparaqitur me dashurinë dhe vëmendjen hulumtive leonardeske. Natyra është monument dhe rivitalizimi e ridimensionimi i saj është pjesë e "hipereales" sonë."


Koncepti i veprës "Perfeksion" me të cilën Entela Kasemi u prezantua në "Onufri 2010". Punë e vitit 2010, vaj dhe laps, 135x63 cm. Është debutim në një skenë shqiptare të artit pamor i Entela Kasemit, 40 vjeç.


Objekt është një lloj gjembi që rritet në kanale, anë rrugës. Objekt i pikturimit nuk është paraqitja në mënyrë të përsosur e formës së kësaj luleje të egër, e cila thahet dhe shumë shpejt kthehet në shkurre, mosha e saj permenante.


Objekti i perfeksionit, në këtë rast bart një kundërshti që lidhet me vetëdijen që ka njeriu i zakonshëm për të bukurën: është pa aromë, pa ngjyrë, pa stinë, nuk demonstron, nuk merret lehtë në dorë, nuk është i rëndomtë për poetët, as për piktorët. Nuk është megjithatë e anasjellta e Kuazimodos.


Teksti që shoqëron punën "Perfeksion" dhe që flet për pikturën si për poezinë, është shkruar nga një skulptor, Ilmi Kasemi, bashkëshorti i Entelës. Duket që e ai e njeh mirë punën e saj. Sepse ka 13 që shikon të shoqen të pikturojë dhe vizatojë "shkurre".


Edhe pa atë tekst, vepra që pamë të ekspozuar për një muaj e gjysmë në Galerinë Kombëtare të Arteve, është një ikje shumë domethënëse nga arti retinal, ndërkohë që është i lartë rreziku ta marrësh për të tillë.


Familja Kasemi që jetoi në emigrim për afro dhjetë, në Itali, është kthyer në Tiranë. Gruaja ka gati tani ekspozitën personale, një cikël gjembaçësh hiperealë.


Entela, puna jote veç ndjesive, të çon te një çështje e vjetër: arti si pasqyrë apo riprodhim i natyrës. Si fillim donim të dinim arsyen e prezantimit në "Onufri 2010" me një pikturë, një gjembaç i tharë, skulptural, i quajtur "Perfeksion".


Sepse "Perfeksion" i përgjigjej më shumë tekstit kuratorial, sepse tërheq më shumë vëmendjen kur e sheh në këtë gjendje të thatë, sepse jam unë vetë dhe me sa di, nuk ka njeri tjetër që i bën për momentin lulet e thata.


Po thua se është një objekt yti?


Kam vite që e bëj këtë lloj luleje, 13 vjet, këtë dhe kaktuset.


Ç'të lidh me të?


Një ditë në vitet 1990-'91 duke udhëtuar rrugës Durrës-Tiranë, kam ndaluar dhe i kam marrë në shtëpi për zbukurim, sepse nuk i doja lulet artificiale që dolën atëkohë. Atëherë vendosa t'i vizatoj, këtë dhe një lloj tjetër gjembaçi me më shumë gjemba. Nga vizatimi kalova në pikturë. Kam prej vitit 1995-'97 që i realizoj.


Sa ke realizuar?


Të të them me qindra? Shumëzoi pastaj për gjemba, i bien me mijëra. Gjatë emigrimit në Itali kam realizuar shumë, njerëzit i kërkonin këto dhe kaktuset, me një lloj luleje që del një herë në vit.


E çelur apo e thatë, cilën nga gjendjet e bimës ndjen më afër?


E thata më qëndron më besnike sepse nuk më prishet asnjëherë. Kurse me natyralen unë duhet të jem shumë e shpejt gjatë pikturimit, sepse ajo vyshket dhe më ikën.


Ti në pozitën e piktorit flet për procesin e pastër të pikturimit, ndërsa shikuesi shpesh ndalet tek leximi dhe përjetimi i objektit, te historia që ngjall ai.


Gjatë procesit të punës e kam fjalën. Gjembaçi i thatë është më besnik.


Është edhe më afër konceptit të perfeksionit?


Është aq perfekt sa unë dua gjithmonë ta arrij, por s'e arrij dot kurrë, sepse është natyrë dhe pikërisht për këtë s'e arrij dot.


Emri i saktë cili është?


Disa i thonë shkurre, kurse në gjuhën popullore i thonë "lule gomari" sepse i hanë kafshët, tamam gomerët. Mua më pëlqejnë sepse bëjnë një punë, ushqejnë atë kafshë pune që është më e rëndësishme në fshat. Por gjembaçë janë, gjembaçë uji.


E përmenda që janë perfekt, majat e tyre janë perfekte. Që t'i vizatosh, nuk të lejojnë as të lëvizësh, as të shtosh. Janë misterioze, janë shumë të ndërthurura.


Pak a shumë i kam qëndruar besnike dhe sfondit që është në natyrë. Është grija në okër e tokës, e ngrohtë dhe ajo jeshile që e jep pranvera. Tani çelin, në mars-prill, rrinë pak natyral. Në rrugë i gjen të thata, të zeza.


Ti do të riprodhosh në mënyrë besnike atë që është në natyrë, e megjithatë kjo nuk është natyra.
Atë që punoj unë kërkoj ta kem afër.


Nuk dua të merrem me problemet sociale në pikturën time. I rri larg mjedisit, kur bëhet fjalë për njerëzit dhe problemet. Gjithmonë kam zgjedhur këtë lloj pikture. Piktura ime është më shumë studim. Pak shtoj, tjetër gjë është kompozimi që e krijoj nga fillimi, por i qëndroj asaj që shoh, objektit: studim, vizatim, edhe ngjyra pothuajse siç është në natyrë.


Çfarë do të thuash me "nuk shton", sepse e gjithë kjo punë je ti. Kjo është shtesa, gjëja e arritur, gjëja e fituar.


Si të thuash, nuk më pëlqen transformimi, modernizimi i asaj që shoh. Unë bëj thjesht atë që shoh, zbërthej mirë atë që shoh. Dikush do thoshte, oh, po kjo është lule e zezë. Një tjetër mund ta shohë vetëm të errët, sepse ashtu duken kur i sheh. Po ta këqyrësh me vëmendje si unë, kanë shumë ngjyrë brenda.


Shkarkoj shumë te kjo punë. Tani që pohoj këtë nuk do doja që të ma përkthejnë "Entela është si gjembat". Kur ulem të punoj ia shkarkoj gjithçka penelave dhe lapsit. Punoj natën dhe në atë qetësi, si duket atëherë fillojmë e flasim...


Kjo lule është bërë enkas për "Onufrin" dhe kam mbyllur një cikël. Tani po merrem vetëm me pjesën e poshtme të lules, vetëm me gjembat. Them që këtë pjesë ta zhvilloj duke ecur.


Ku do të shkosh me këtë anatomi që bën ti?


Për të treguar që duhet studiuar, që duhet bërë natyra. Ky është gjithë qëllimi im.


Duhet bërë natyra?


Mos të idealizohet, mos të bëhet përmendësh. Unë nuk kërkoj shumë. Kërkoj thjesht të bëj natyrën, ta bëjnë dhe tjerët se e kanë harruar. Kur them të tjerët e nis nga fëmijët e mi.


Çfarë kupton me natyrë dhe me kthim të dinjitetit të natyrës?


Jetësoren. Më kuptoni, nuk po them që piktorët t'i rrinë strikt modelit, por le t'i rikthehen njëherë në kaq vite modelit.


Është aq perfekt saqë në momentin që mendon se e ke arritur, ai të lë. Faktikisht asnjëherë s'e kam bërë këtë lule përmendësh, por puna është se unë i kthehem dhe më duket e pambaruar.


Qëllimi im është që njerëzit ta njohin atë që kanë, bukurinë dhe vlerën e asaj që mund ta hedhin nesër.


Për t'ia rritur duhet dashuria hulumtive leonardeske?


Dashuria hulumtive leonardeske është mënyra e të punuarit në të gjithë pjesët. Janë lule që kanë shumë frakturë. Gjethja është e vrazhdë, ndonjëherë më e vrazhdë se sa vetë gjembi.


Punimi me laps dhe me ngjyrë të jep më shumë kënaqësi. E kam provuar dhe me bojëra vaji, ka një moment që të velet. Duhet të jesh kurajoze ta gërryesh, ta pastrosh, ta rinisësh... pastaj nuk të jep dëshirën t'i kthehesh të nesërmen.


Po flas për një lloj mënyre me lëngje me laps: i hedh lëngun e vajit të linit dhe e punoj me majën e lapsit, gjithmonë me maj të mprehur, me dhjetë lapsa, që të qëndrojë e freskët. Ka dhe një gjë që e punoj si afreskun, me pjesë, me dhjetë centimetra. Kështu që një lule bëhet me një muaj punë. Është me shumë djersë. Pa katër orë punë në darkë...


Entela, për ty dimë vetëm që ke lindur më 1971 në Durrës.
Unë prindërit nuk i kam pasur piktorë dhe nuk jam rritur me pikturën. Ka qenë mësuesi i vizatimit që më tërhoqi vëmendjen drejt pikturës kur pa se kisha realizuar një akuarel. Pastaj ndoqa Liceun në Durrës, kam mësuar me Gavril Priftulin.


Cilët kanë qenë profesorët e tu në Akademinë e Arteve?


Në Akademi kam punuar me pedagogët Gazmend Leka, Jorgji Gjikopulli, Bashkim Ahmeti dhe Bujar Asllani. Kam bërë shkollën dhe fëmijët njëherësh. Në atë kohë sa shpërtheu arti: filluan katrorët, trekëndëshat, të errëtat.


Ti i hyre kësaj pune?


S'kam bërë asnjëherë art modern. Unë dua që kur ta shohin një vepër arti, të qëndrojnë dhe mundësisht edhe të afrohen. Këtë kam për qëllim.

Berisha:Dom Nikollë Kaçorrin nuk e ndalën dot donkishotët e historisë


Berisha:Dom Nikollë Kaçorrin nuk e ndalën dot donkishotët e historisë





Me rastin e riatdhesimit të eshtrave të rilindësit dom Nikollë Kaçorri, në katedralen e Shën Luçisë në Durrës është mbajtur një meshë, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Sali berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.


Dom Nikollë Kaçorri ishte një ndër personalitetet që firmosi pavarësinë e Shqipërisë, nënkryetar i qeverisë së Vlorës dhe protagonist kryesor i zhvillimeve kulturore dhe politike me peshë kombëtare. Ai ishte pjesëmarrës edhe në Kongresin e Manastirit, ku u përcaktua alfabeti i gjuhës shqipe.


Eshtrat e tij u kthyen në atdhe pas 94 vjetësh. Gjatë fjalës së tij, Berisha shprehu nderimin dhe mirënjohjen e tij ndaj Dom Nikollë Kaçorrit. "Ai u përket atyre burrave, të cilët dhanë për këtë komb dhe për këtë vend, më shumë se kushdo tjetër, dhanë për mëvetësinë, lirinë, dinjitetin e tyre. Imzot Nikoll Kaçorri, shndërroi dioqezën e tij jo vetëm në një kështjellë besimi tek Krishti dhe zoti, por në një kështjellë besimi të pathyeshëm, tek flamuri dhe Shqipëri. Asgjë nuk ishte e rastësi, sepse ky qytet, mijëra vjeçar u përzgjodh për tu valëvitur flamuri i pavarësisë, kjo sepse flamuri kishte këtu flamurtarin e pamposhtur, kishte këtu Dom Nikoll Kaçorrin".


Berisha e quajti dom Nikollë Kaçorrin arkitektin e qeverisë së parë të shtetit shqiptar të pavarur. "Themeluesi i pavarësisë dhe kryesuesi i qeverisë së parë së bashku me Ismail Qemalin, do të detyrohej të largohej të mërgonte në Vjenë. Atje i ra një sëmundje e rëndë, thuhet se ishte kancer, por atë nuk e mposhti kanceri. Më të rëndë se kancerin, më të rëndë se çdo gjë, ai kishte brengën e madhe për kombin dhe vendin. Shqiptarët në 2/3 e tyre lëngonin të pushtuar nga fuqia armike të tyre. Dhe jo se ata nuk luftuan, ata luftuan për bashkimin e trojeve të tyre, për bashkimin e kombit të tyre, por sepse fuqitë më të mëdha ushtarake të botës u përdorën barbarish kundër tyre në mënyrë që fqinjët të mund të vendosnin pushtetin e tyre".


Në vijim të fjalës së tij, Berisha shtoi: "Bashibozukë, mercenarë, antishqiptarë, nën flamurin rroftë baba poshtë shkaba, do ta zhysnin vendin në kaos. Shqipëria do të hynte në një përpëlitje tjetër të madhe, për t'i shpëtuar ambicieve lakmitare, lakmive të papërmbajtura të fqinjëve për copëtimin e saj, ndaj dhe një nga themeluesit kryesorë i pavarësisë vdiq me një brengë të madhe për vendin e tij".


Kryeministri u shpreh krenar për faktin s Dom Nikollë Kaçorri sot kthehet "në një vend, i cili është vend anëtar i NATO-s ashtu siç edhe e kishte projektuar ai".
"Sot kthehet i lumtur në tokën e tij, sepse shqiptarët janë të lirë, sepse Kosova është e lirë, sepse shqiptarët kudo janë të lirë. Natyrisht, sot na del para ndonjë Haxhi Qamil, sërish bërtet rroftë baba, por këto janë don kishotër të historisë. Hapin tonë, vullnetin tonë, vendosmërinë tonë për të ecur drejt Europës, nuk do të mund ta pengojë asgjë. Dom Nikoll Kaçorri është një burim frymëzim i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë rrugë", përfundoi ai.

IMZOT NIKOLLË KAÇORRI - FIGURË E NDRITUR E KOMBIT SHQIPTAR



" Kalben njerëzit e ndershëm atje ku lartësohen kriminelët"
(Sami Frashëri)

Pikërisht më fjalët e pakta, por plot mendim të filozofit të shquar shqiptar Sami Frashëri


"Kalben njerëzit e ndershëm atje ku lartësohen kriminelët", dëshiroj ta filloj shkrimin për imzot Nikollë Kacorrin, njeriun e flamurit, projektuesin e pavarësisë së Shqipërisë. Lufta për mbrojtjen e kombit ishte kredo jetësore e imzot Nikollë Kacorrit, por fatkeqësisht dhe jo rastësisht për gjithë këto vite veprimtarinë patriotike të tij do ta mbulojë tisi i harresës, i arkivave të ndryshme në Shqipëri. Po pse u kalbën, u harruan dhe u përbuzën figurat historike, ndërsa u lartësuan kriminelët, pansllavistët, turkofilët dhe grekofilët e shumë fila e servila të tjerë kjo do të dëshmohet atëherë kur shqiptarët do ta shkruajnë historinë e tyre në bazë të argumenteve shkencore, pa ngjyrime ideologjike e pa synime të ngritjes të atyre, që më shumë i sollën dëme se dobi kombit.

Sa i përket jetës dhe veprimtarisë atdhetare të Imzot Nikollë Kacorrit informacione më të bollshme japin sidomos disa artikuj të shkurtër në Revistën "Leka", e cila dilte në Shkodër para periudhës së komunizmit. Një studim të mirëfilltë dhe të plotë deri më tani e ka bërë don Pren Kola me titull " Imzot Nikollë Kaçorri për mëvehtësinë ë Shqipërisë", studim i cili u botua në revistën "Shpresa" të Prishtinës dhe "Zëri i Shën Nikollës" në Velezhë të Prizrenit.

Kush është imzot Nikollë Kacori ?

Imzot Nikollë Kacorri u lind në vitin 1862 në fshatin Kre i Bajrakut të Lurës. Ai rridhte nga një familje, babai i së cilit ishte katolik, ndërsa nëna islame, gjë që tregon për tolerancën fetare tek shqiptarët. Si çdo fëmijë shqiptar edhe imzot Kacorri u rrit më fisnikërinë, bujarinë, besën dhe trimërinë, që ishin tradita të vyera të malësisë dhe që ndikuan më vonë në përgatitjen atdhetare të tij. Duke parë aftësinë e madhe të Nikollës së vogël Arqipeshkvi i Durrësit imzot Ambrosio pas një vizite që bëri në Lurë e mori me vete për ta përgatitur për meshtar e prijës të popullit.

Në vitin 1884 mbaroi studimet filozofiko - teologjike për meshtar dhe u shugurua po të njëjtin vit në Shkodër. Një kohë shërbeu në Delbnisht, pastaj u emërua famullitar në Durrës. Për veprimtarinë e zellshme dhe të frytshme kishtare dhe njerëzore Papa i asaj kohe e nderoi me "Kryqin e artë", "Për Kishë dhe Papë". Po në këtë vit emërohet edhe Ipeshkv. Ky titull do t'i ndihmonte edhe më tepër në lëmin politik, në luftën për çlirimin e atdheut. Në mes të viteve 1905 - 1907 drejtoi kryengritjen e armatosur kundër turqve në Kurbin.

Në vitin 1908 në Kongresin e Manastririt së bashku me at Gjergj Fishtën dhe Luigj Gurakuqin e shumë atdhetarë të tjerë, i dhanë kahje perendimore kulturës shqiptare, duke e vendosur alfabetin që kemi tash e 91 vjet. Mori pjesë edhe në Kongresin e Elbasanit i cili synonte të korigjonte imazhin negativ të kongresit të Dibrës (korrik 1909) të organizuar prej xhonturqve. Veprimtaria atdhetare e imzot Nikollë Kacorrit, sulltanit iu bë ferrë në sy dhe ai e priste vetëm një shkak sa më të vogël për ta burgosur. Dhe shkaku u gjet, mu në momentin kur ishte përfshirë për një kryengritje të armatosur në gjithë Shqipërinë. Për gjyqin dhe denimin me disa vjet burg dhe gjobë në të holla i referohemi Revistës "Leka", e cila boton lajme të gazetës "Dielli".

“Dielli i dates 8.3.1911 shkruan:”

Me 15 te Dhjetorit u kenduen ne gjykatore te Durresit letrat qe paten ardhur te prishura preji temizit te Stambollit,me 17 vazhdoi gjygji perseri pore pa len shum me fole te ndershmin prift atdhetar,dhe ppa thirr njeri si deshmitar.E denuan perseri me dy vjet burg e 25 lira gjob.Avokati mbrojtes zoti Talib Efendiu nga Gjirokastra kerkoji te zburgosurit e Don Nikoll Kaqorrit,dhe e bani temiz per se dyti por gjygji nuk e liroji”.Dielli nr 89 shkruan”Nga gazetat e huaja mesuam sihariqin se te ndershmit prift katolik nga Durresi z Don Nikoll Kaqorrit ju dha falje preji sulltanit per denimin qe kishte dhen gjykatorja ushtarake,.Pergezojm nga thelbi i zemres te shkelqyerin atdhetar dhe i lutemi zotit ti fale pas keteji shendet dhe prehje per te miren e atdheut.

Ne korrik te vitit 1911 ushtria turke zuni ne Shijak rrogtarin e imzot
Nikoll Kaqorrit me tri manxerre e do fishek e letra poste qe po i qonte ne Delbnisht te Arqipeshkvi i Durresit imzot Bianki.Imzot Nikoll Kaqorri ke qite ne gjygjin ushtarak e ke denue me burg e sidomos per shkak te nje letre ku jepte drejtime per nje kryengritje kombetare.

Kjo tregon se imzot Nikoll Kaqorri ishte njeri nder dy tre arkitektet kryesor te berjese se shtetit te ri Shqiptar,ku me se miri kjo gje ilustrohet ne memorandumin derguar Mbretit te Austro Hungaris Franc Jozefit vetem dy jav para se te shpalleji Pavarsia e Shqiperis.

Pas gjithë këtyre përpjekjeve kombëtare dalëngadalë përgatitej terreni për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë . Në fillim atdhetarët shqiptarë kishin vendosur që pavarësia të shpallej jo në Vlorë, por pikërisht në Durrës, në qytetin ku imzot Nikollë Kacorri zhvillonte veprimtarinë atdhetare. Por autoritetet turke lajmëruan telegrafikisht komandën e Janinës dhe u përgatit me shpejtësi një njësi ushtarake turko-greke që të mos lejonte në çdo mënyrë suksesin e përpjekjeve të atdhetarëve shqiptarë për të shpallur pavarësinë, dhe me çdo kusht të bëhej likuidimi i tyre. Duke iu falenderuar patriotëve durrësakë delegatët shpëtojnë dhe marrin rrugën e Vlorës. Kështu me 28 nëntor 1912 në orën 14.00 botërisht u shpall pavarësia e Shqipërisë. Kuvendi Kombëtar i Vlorës formoi Qeverinë e parë shqiptare, Qeveri e Përkohshme me këtë përbërje.

Ismail Qemali kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme, Imzot Nikollë Kacorri nënkryetar i Qeverisë, Myfit Bej Libohova ministër i punëve të brendshme, Abdi Bej Toptani ministër i financave, Mehmet Pash Deralla ministër i luftës, Petro Poga ministër i drejtësisë, Luigj Gurakuqi ministër i arsimit, Mithat Frashëri ministër i punëve botërore, Pandeli Cale ministër i bujqësisë dhe Lef Nosi ministër i Post Telegrafeve. Duke pasur parasysh faktin se Ismail Qemali edhe si ministër i punëve të jashtme pjesën më të madhe të kohës e kalonte jashtë Shqipërisë lirisht mund të thuhet se Imzot Nikollë Kacorri , luante rolin e kryeministrit në Shqipëri. "Shumë të vështirë e të rrezikshme janë këto ditë për ne shqiptarët e për nanën tonë Shqipërinë që të katër shtetet e Ballkanve po dojn me e përpi e me coptu". Më këto fjalë imzot Nikollë Kacori e fillonte Memorandumin derguar Perendorit të Mbretit të Austro Hungarisë Franz Jozefit I. Ky memorandum i shkruar dhe përgatitur prej Imzot Nikollë Kacorrit, dhe mban datën 12 nëntor 1912, gjashtëmbëdhjetë ditë para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë së Shqipërisë. Përveç imzot Nikollë Kacorrit, nënshkrues të këtoj memorandumi janë edhe zotërinjtë, Mustaf Asim Kruja, Rexhep Mitrovica, Fuad Toptani, Abdi Beu, Murat Toptani, Sali Gjuka dhe Bedri Pejani. Në këtë memorandum praqitej e vërteta mbi Shqipërinë dhe i kërkohej ndihmë mbretit të Austro Hungarisë që shteti shqiptar mos të gllabërohet nga sfingsat sllavë, grek e turq. Këtu kërkohej që të njihet shteti shqiptar "në katër vilajetet e Shqypnisë me Kosovë, Manastir, Shkodër e Janinë". Këtu jipej edhe numri i shqiptarëve që jetonin në vitin 1912, mbi tre milionë frymë, dhe qysh atëherë u kërkua që Shqipëria me katër vilajetet të jetë neutrale siç ishin Zvicra dhe Belgjika.

Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Germenjin themeloi lidhjen "Për atdheun e për Thronin" për shpëtimin e atdhuet nga trazirat e ndryshme antikombëtare. Pas gjithë kësaj së bashku me shumë atdhetarë të tjerë pa dëshirën e vetë imzot Nikollë Kacorri emigroi në Austri, ku qëndroi tri vjet në Vjen deri sa vdiq me 29 maj 1917. Po çfarë vdekje pati imzot Nikollë Kacorri, kësaj pyetjeje nuk mund t'i japim përgjigje të sigurt. Ai vdiq i ri, por vepra që la pas në luftë për mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit kombëtar është një udhërrëfyes për brezat e rinjë. Është e vërtet se imzot Nikollë Kacorri u vra dy herë, njëherë kur vdiq i thyer shpirtërisht për fatin e kombit, dhe të dytën herë kur veprimtarinë patriotike të tij e mbuloi tisi i harresës gati një shekull. Por edhe vrasësit e parë edhë të dytët do të harrohen, ndërsa veprimtaria patriotike e njeriut të flamurit Imzot Nikollë Kacorrit do të shenohet me shkronja të arta në historinë kombëtare të shqiptarëve.

Marr nga Libri Deshmi Koherash te Nue Oroshi

Nga Fritz RADOVANI: ESHTNAT E DON NIKOLL KAÇORRIT FRIKSOJNË QEVERINË ANADOLLAKE TË TIRANËS..!



Nga New Yorku:


Asnjë qeveritar shqiptar nuk pret në Rinas eshtrat e nënkryetarit të qeverisë së Vlorës

Ishte skandaloze dhe e turpshme mbërritja e eshtrave në Rinas të nënkryetarit të qeverisë së parë shqiptare, dom Nikoll Kacorri. Nënkryetari i qeverisë së Vlorës nuk është pritur nga asnjë qeveritar shqiptar, madje as nga ndonjë i rangut më të ulët. Por duke mos u ndalur me kaq, skandali vijon edhe më tej. Sepse në Rinas nuk kishte asnjë shenjë protokolli qeveritar për themeluesin e parë të kësaj qeverie. Për turpin e qeverisë, themelues i alfabetit shqip, patrioti i mirënjohur erdhi ne Rinas si ndonjë  njeri që mund të ishte vrare duke transportuar drogë. Madje zyra e protokollit qeveritar nuk ka lejuar të afrojë makinën pranë avioni që arkivoli të mos merrej nën dore si të ishte ndonjë valixhe. Më pas eshtrat e dom Nikollë Kaçorit janë transportuar me një karrocë mallrash. Në fakt nuk ke çtë presësh më shumë, kur ministri i Kulturës, është ende në “kërkim të eshtrave” të Ismail Qemalit....
           

Një mik nga Viena më njoftoi me shumë gëzim se shumë shpejtë do të niseshin për  Tiranë eshtnat e Atdhetarit Don Nikoll Kaçorri. Kujtimet e kohës së shkueme më topitne...
            Një tjetër mik nga New Yorku më dergoi foton e sipërme dhe tekstin e “Skandalit...”.
            Aty për aty vendosa me i dergue dy miqve shkrimin tem për këte që ka ngja në Rinas!
            Ky nuk asht “skandal”..! Ky veprim asht një fakt i pamohueshem se Populli Shqiptar vazhdon të qeveriset nga anadollakët e mbrapambetun e pasues injorant të pushtuesve turq.
            Ky asht një fakt tjetër që vërteton se mbeturinat e osmanllinjve të vjetër nuk janë as në Azinë e Vogel, as në vendet Arabe, po mu në qendren e Ballkanit me selinë e tyne në një nga qytetet “antike” të kohës Haxhi Qamilit dhe Enver Hoxhës, ku rrojnë “xhonturqit” e partisë komuniste (siç i quente i madhi Prof. Arshi Pipa), dallkaukët Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha, me të gjithë tarikatin kapitalisto – komunist që qeverisin sot Shqipninë “Europjane”...
            Ja pse u topita: Mu kujtue ajo kohë kur u nxuer nga vorri i vet Don Ndre Mjedja...nga Kisha e Jezutëve, e cila u shemb...Mu kujtue ajo kohë kur u nxuer nga Kisha e Zojës brijë Kalasë Rozafat, Imzot Jak Serreqi...dhe u tret në lumin Drin, e Kisha u shemb... Mu kujtue kur u nxorën Argjipeshkvijtë e Ipeshkvijtë e Arkidioqezit të Shkodres nga Kisha Kathedrale dhe u tretën eshtnat e Tyne, tue i pri karrocave të komunales Imz. Lazer Mjedja, dhe Kisha u shemb përmbrenda tue u kthye në “pallat sporti”...Mu kujtue tue u shkatrrue Kisha e Fretenve në Gjuhadol, dhe mbasi u tretën të gjithë Fretnit Atdhetarë... Kisha e Tyne u kthye në kinema “Punëtori”...Mu kujtue kur u holl në erë nga Fadil Pashë Ymeri, Kisha e Vaut të Dejës...dhe u shemb Ai Monument ku mendohej se asht Kunorzue Gjergj Kastrioti, me të gjitha afreskit e saj... Mu kujtue kur u shemb Kisha ku ishte i vorrosun Imz. Luigj Bumçi...në Tiranë, e plehat e Korçës dhe Gjirokastrës i “truenin” Shpirtin se “nuk na la me Grekun”...
            Mu kujtue At Gjergj Fishta, që nuk i afrohet askush tek “thesi i çimentos” me Eshtnat e Shenjta të Tijat, se siç ka thanë zotni Dilo, “tmerrohen prej Tij edhe për së vdekuri!”...
Mu kujtue Biblioteka e Fretenve tue u plaçkitë nga Jup efendi Kastrati...e, tue u vra Lef Nosi, e hajdutët tue plaçkitë Bibliotekën e tij, një ndër ma të pasunat në Shqipni...
            Mu kujtue At Konrrad Gjolaj kur më tregoj sesi Haxhi Qamili (shoku i Enverit dhe Ramizit), pat shkue me vra Don Nikoll Kaçorrin, po nuk e gjet aty...vrau sherbtorin e Tij dhe e dogj Ate e qelen bashkë me bibliotekën e librave, ku ruheshin dokumentat historike...
            E çka do që vjen në Tiranë, pikërisht në truellin e Qeverisë së Haxhi Qamilit...gati mbas 100 vjetësh, o Don Nikoll Kaçorri?
            Qeveria e Tiranës me siguri ka mendue se Don Nikoll Kaçorri edhe pse i vdekun, por ka shumë mundësi që të na marrin pushtetin, e mbasi të zbulojnë ku shkoi thesari shtetit, apo ku janë paret e Popullit Shqiptar, apo të informohet për korrupsionin e paskrupull të të gjithë qeveritarëve, apo të marrin vesh se çka bahet me trafikun e “lirë” të armëve, drogës dhe...
            A ka mundësi që një ditë Ky t’ na hapin dhe “dosjet” e të na nisin për Hagë, e tash që edhe na çojnë për pak orë se nuk ka nevojë as për “VIZA”...?
Apo nuk kishim boll ngatrresat tona me vagabondët “socialit”, edhe Ky na duhej... në këte rrumbujë që jemi, Këte kishim mangut!...po, kush ia ka pa hajrin Klerit Katolik... Mirë ua ka ba “shoku” Enver e Ramiz, e kjo Nexhmija si nuk na e kujtoj fare... atë kohë...?”...
Vetem një kuriozitet a ka për t’u mësue ndonjëherë: “Kush i ka pague paret e asaj karrocë që janë bajtë Eshtnat e Don Nikollit...Apo janë parapague nga Qeveria Austriake...?”
Mos u çuditni aspak se edhe kjo ndodhë..!
Nuk ke çka pret tjetër prej qeveritarëve që kanë perfundue “Mejtepin Enver Hoxha të Tiranës”...e, sot punojnë për “demokracinë”...e “xhepave” të vet!
Prap mirë...Po Ismal Qemali,... prite kur të vinë në karrocë dore...se, Ai na i solli Këta “Kryqa” në Qeverrinë e Parë të Vlorës në vitin 1912...!
Asht urrejtja...urrejtja e ruejtun dhe e trashigueme në gjak... Ajo urrejtje që ende na ban me kenë “vëllezër gjaku” me pushtuesin...E për “hater” të një Prifti do të prishen “shokët” Presidenta që nga Ramiz Alia...me “vëllezërit e gjakut të tyre”?!...

Ah,.. sa rahat je kenë o Don Nikoll Kaçorri, atje... në dhe të huej...!

Melbourne, 12 Shkurt 2011.


------------------------------------------------

http://floripress.blogspot.com/2011/02/don-nikolle-kacorrit.html




*************************

Piktori Muslim Mulliqi (1934 - 13 janar 1998)


Piktori Muslim Mulliqi ekspozoi në Kosovë, në hapsirat e Jugosllavisë, në Romë, e Tiranë. Punoi profesor i pikturës në Fakultetin e Artit në Universitetin e Prishtinës. Ishte zavendës-kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Galeria e Arteve të Kosovës mban ekspozitë të pëvjetëshme me emrin e tij.


Muslim Mulliqi (1934 - 13 janar 1998) është piktor impresionist dhe ekspresionit i Kosovës. U lind në një familje artistësh në Gjakovë. Ndoqi Akademinë e Artit Figurativ në Beograd dhe pastaj studimet postdiplomike po aty. Vdiq më 13.01.1998.



Mulliqi ekspozoi në Kosovë, në hapsirat e Jugosllavisë, në Romë, e Tiranë. Punoi profesor i pikturës në Fakultetin e Artit në Universitetin e Prishtinës. Ishte zavendës-kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Galeria e Arteve të Kosovës mban ekspozitë të pëvjetëshme me emrin e tij.




Për gati dy dekada, 33 veprat e piktorit Muslim Mulliqi vetëm dy herë janë vënë në murin e Galerisë së Arteve në Tiranë. Gjatë gjithë kohës tjetër, ato kanë qëndruar në bodrumin e saj. Moskthimi i tyre në fondin e familjes nuk ka ndonjë arsye të qartë. Fillimisht kishte mbetur si pasojë e gjendjes së luftës në Kosovë e më vonë i mungesës së komunikimit institucional midis Kosovës e Shqipërisë.
Visar Mulliqi, i biri i piktorit të njohur kosovar thotë se ka vite që kot provon të kthejë në vendlindje veprat e piktorit me nam. Shpresa e fundit për ta bërë këtë i ka mbetur te kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Ministria e Kulturës thotë se është e gatshme të ofrojë ndihmë, por tash 18 vjet nuk e ka listën e 33 veprave. Galeria Kombëtare e Arteve thotë se asnjëherë nuk ka marrë kërkesë zyrtare nga institucionet kosovare. Për kreun e Galerisë së Arteve të Kosovës kjo zvarritje e kthimit të veprave është absurde dhe pasojë e mungesës së komunikimit midis institucioneve kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë.


Familja Mulliqi kërkon ndihmën e kryeministrit Berisha

Sipas Visar Mulliqit, djalit të piktorit me nam, problemi nuk është si kthehen veprat, por për mënyrën se si të zhvillohet ky proces.
“Ne dëshirojmë që veprat të kthehen në mënyrë institucionale”, ka thënë Mulliqi, sipas të cilit ai ka shkuar shpeshherë për të bërë një gjë të tillë vetë ai.
“Kam shkuar te Galeria në Shqipëri dhe më kanë thënë se duhet të bëj kërkesë përmes Ministrisë së Kulturës në Kosovë dhe më pas t’i drejtohemi ambasadës në Tiranë. Ka qenë e lodhshme dhe e pakuptueshme, por e kemi bërë”, ka thënë Mulliqi. Sipas tij, ish- ministri i atëhershëm në MKRS-së, Valton Beqiri, i kishte dërguar letër Galerisë ku jepej garancia për veprat e Mulliqit. Këtë e ka pohuar edhe vetë Beqiri, i cili tashmë nuk ka ndonjë informacion se çfarë është duke ndodhur.


“I kemi dërguar një letër Galerisë në Tiranë dhe i kemi dhënë garancitë tona për veprat dhe kthimin e tyre. Ne kemi ofruar edhe heqjen e shpenzimeve për dogana edhe për bartje, por nuk e di çfarë ka ndodhur tutje”, ka thënë Beqiri.
Kësisoj, Visar Mulliqi thotë t’i ketë mbetur vetëm një shpresë që ky kthim të ndodhë në mënyrë institucionale.


“Unë veç me Sali Berishën duhet të flas për të kryer punë. Përndryshe nuk jam duke parë ndonjë rrugëdalje”, ka thënë Mulliqi. Ai shpreson se më së largu në tre muajt e fundit të këtij viti, veprat e babait të tij do të kthehen në Prishtinë.
“Duhet gjithsesi të kthehen deri në fund të këtij viti. Po shpresoj që në verë t’i kthejmë meqenëse atëherë planifikohet edhe restaurimi i ateliesë së babait që do të shndërrohet në galeri - muze”, ka thënë Mulliqi.
Për drejtorin Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, kthimi i veprave nuk është ndonjë problem i madh. Por, sipas tij, duhen plotësuar disa kushte.

“Ato vepra nuk janë të galerisë sonë. E di që ka ardhur i biri për të kërkuar kthimin e tyre, mirëpo duhet përmbushur disa kushte”, ka thënë Shima. Sipas tij, veprat janë të ruajtura mirë, mirëpo për të dalë nga Galeria të cilën ai e drejton duhet plotësimi i dokumentacionit.
“Problemi është teknik. Ato vepra që të dalin nga Shqipëria duhet të kenë një dokumentacion shoqërues që ato vepra i takojnë filanit, që janë pjesë e koleksionit familjar. Këto duhet të bëhen nga autoritetet në Kosovë”, ka thënë Shima.
“Të gjitha këto probleme duhet t’i zgjidhë familja, sepse ato nuk janë veprat tona që më detyrojnë mua të merrem me dokumentacionin. Ne thjesht kemi shprehur gatishmërinë që ato të jenë të sigurta dhe kaq”, ka shtuar ai.

Shima mohon të ketë marrë ndonjë dokumentacion nga ana e familjes ose nga institucionet në Kosovë, ani pse i biri i piktorit Mulliqi thotë t’i ketë të gjitha të kompletuara.
“Nuk i kam ato dokumente. Por ai mund të vijë t’i marrë që nesër po të dojë. Nëse kjo punë është aq shume për ngut. Kanë pasur mjaft kohë për ta bërë këtë”, ka thënë Shima.
As drejtori i Departamentit të Kulturës, Sami Piraj, nuk e sheh si një problem të madh kthimin e veprave të Mulliqit në Prishtinë, ani pse një gjë e tillë nuk është bërë tash gati dy dekada.
“Është çështje teknike dhe nuk e besoj se do të ketë probleme financiare”, ka thënë Piraj.
Sipas tij MKRS është e gatshme që t’i ofrojë ndihmë logjistike dhe financiare për t’i kthyer veprat.
“Mirëpo familja duhet të bëjë një listë të tyren së bashku me një kërkesë tek MKRS-ja për t’i ditur se cilat janë ato vepra dhe ne do ta nisim këtë procedurë përmes Galerisë së Arteve në Prishtinë”, ka thënë Piraj. Ai thotë se para së gjithash duhet të krijohet ambienti se ku do të ruhen ato.
“Galeria - muze e Mulliqit në verë do të përfundojë dhe deri atëherë ne nuk e shohim të arsyeshme që veprat të dëmtohen kur të kthehen”, ka shtuar ai.

Drejtori i Galerisë së Arteve të Kosovës, Fahredin Spahija, thotë të mos e kuptojë se përse veprat nuk janë kthyer tek familja Mulliqi.
“Çështjen e veprave të Mulliqit të mbetura në Galerinë Kombëtare të Tiranës, e kam diskutuar edhe me disa njerëz që punojnë në këtë galeri. E di që i biri Visari ka folur me autoritetet në Tiranë dhe përgjigjja ka qenë pak konfuze”, ka thënë Spahija.
Sipas tij, udhëzimet që i biri i Mulliqit t‘i drejtohet ambasadorit të Kosovës në Tiranë e pastaj ai t’u drejtohet autoriteteve të Tiranës zyrtare është një zvarritje pa arsye.


“Galeria e Tiranës ka mundur t’i drejtohet Ministrisë së Kulturës në Tiranë dhe ajo me një procedurë të përshpejtuar t’i kthente veprat”, ka theksuar Spahija, sipas të cilit Galeria të cilin ai e drejton është e gatshme t’i mbajë veprat në fondin e saj derisa të hapet galeria - muze e Muslim Mulliqit.
“Mendoj se Tirana ka mundur t’i kthejë veprat qysh para 12 vjetëve, por kjo tregon për mungesën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore në Shqipëri dhe Kosovë”, ka thënë Spahija.
Tridhjetë e tri veprat e piktorit Muslim Mulliqit ishin dërguar në Tiranë, në vitin 1993, në kohën e Qeverisë Bukoshi, në kuadër të manifestimit "Java e kulturës Kosovës". Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë qe hapur ekspozita personale e Muslim Mulliqit. Ai në shenjë respekti, kishte dhuruar një vepër për Galerinë Kombëtare të Arteve dhe një për Sali Berishën.

Në bazë të një vërtetimi të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, të lëshuar më 2 tetor 2008, me numër protokolli 481, konfirmohet se në Galerinë Kombëtare të Artit në Tiranë vazhdojnë të ruhen 33 vepra të piktorit kosovar Muslim Mulliqi.

Përgatiti:Flori Bruqi

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...