Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/02/17

Kosova po feston 3 vjetorin e Pavarësisë


Qytetarë të shumtë nga anë të ndryshme të Republikës së Kosovës por edhe të trojeve të tjera shqiptare, kanë ardhur në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë për të festuar trevjetorin e pavarësisë.
Një koncert për fëmijë, i organizuar nga komuna e Prishtinës, ishte pikëtakim, jo vetëm për fëmijët. Flamuj shtetërorë e kombëtarë ishin më të kërkuarit, ndërsa stenda me ushqime e pije janë ngritur përgjatë tërë sheshit Nënë Tereza. Qytetarët, ndërkaq, presin ditë më të mira në përvjetorët tjerë të shtetit të ri.
Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, falënderoi popullin e Kosovës, miqtë ndërkombëtarë dhe të gjithë ata që kontribuuan që Kosova të jetë një shtet i lirë e i pavarur.
Këto komente ai i bëri pas homazheve te varri i presidentit Rugova.
“Jemi këtu për të nderuar dhe për të shprehur respektin për kontributin e presidentit Rugova në vazhdimësi, një kontribut i rëndësishëm dhe i madh për pavarësinë e Kosovës. Sot, kur shënojmë përvjetorin e pavarësisë, kujtojmë të kaluarën tonë krenare, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, të gjithë luftëtarët e lirisë, meritën e çdo qytetari të Republikës së Kosovës për pavarësinë e Kosovës”, tha Thaçi.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, në adresimin e tij për opinionin, tha se shpallja e pavarësisë përmbushi aspiratat e brezave të tërë që sakrifikuan veten për lirinë e Kosovës. Ndërsa sot, Krasniqi bëri homazhe te kompleksi memorial Adem Jashari në Prekaz. Ai tha se Prekazi është shtrati pavarësisë së Kosovës.
“Është bërë sakrifica më e madhe në historinë, jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe në historinë e përbotshme për të qenë vend i lirë dhe lirisht mund të themi se këtu është shtrati i pavarësisë së Kosovës që e gëzojmë sot, i cili është formalizuar më 17 Shkurt 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, theksoi Krasniqi.
Një përgëzim qytetarëve të Kosovës për Ditën e Pavarësisë iu adresua edhe nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith. Përveçse uroi Kosovën në këtë përvjetor, i ftoi edhe vendet tjera që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë.

Në trevjetorin e pavarësisë mesazhe urimi qytetarëve iu drejtuan edhe subjektet politike.
Kryetari i Prishtinës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se Dita e Pavarësisë është një ditë, e cila na bën të kujtojmë se si jetuam në të kaluarën dhe se si po jetojmë sot.
Ai përkujtoi të rënët për liri dhe pavarësi, kurse veçoi figurat më të reja të historisë së Kosovës, presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, dhe sakrificën e familjes Jashari.
“Shpresoj që edhe përvjetorët e tjerë do të na shërbejnë për të treguar rezultate edhe më të fuqishme në realizimin e projekteve dhe në realizimin e rolit tonë”, tha Mustafa.
Përmes një komunikate me shkrim, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se “puna e palodhur e gjeneratave të tëra dhe sakrifica e vazhdueshme për liri, u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Por, AAK-ja vlerësoi, po ashtu, se të arriturat e deritashme në udhëheqjen e shtetit, zhvillimi i brendshëm, mosfunksionimi i shtetit në gjithë territorin dhe njohjet e pakta ndërkombëtare, lënë shumë për të dëshiruar dhe janë tregues se vendit i duhet një qeverisje më e përkushtuar.
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, i shoqëruar edhe nga prof. Muhamet Mustafa, dr. Ferid Agani dhe nënkryetarët e AKR-së prof. Ibrahim Gashi e Ibrahim Makolli, për nder të përvjetorit të tretë të pavarësisë së Kosovës, bënë homazhe të varri i komandantit legjendar Adem Jashari, te varri i presidentit historik dr.Ibrahim Rugova dhe te varrezat e dëshmorëve në Gllogjan.
Me këtë rast Pacolli dhe delegacioni që e shoqëroi, vizituan familjen Rugova, familjen Jashari dhe familjen Haradinaj.
Mesazhi i tyre ishte se kontributi i këtyre familjeve dhe i popullit të Kosovës në luftën për çlirim përkujtohet me pijetet të lartë çdo 17 shkurt.

Premieri kosovar Hashim Thaçi vizitoi familjen e presidentin të ndjerë Ruhova.


Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e trevjetorit të pavarësisë bëri homazhe te varri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, ndërsa theksoi se në këtë ditë meritojnë nderime meritojnë të gjithë ata që punuan për shtetin e Kosovës
Ai tha se presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, për të cilin tha se kontribuoj për këtë ditë, ndërsa vizitoi edhe familjen Rugova, për herë të parë, në shtëpinë e tyre në Velani.

“Sot kur po ndërtohet shteti i Kosovës, kur po konsolidohet dhe forcohet në të gjitha aspektet, në atë të sigurisë, të ekonomisë, gjithashtu edhe në aspektin diplomatik, ku është njohur nga 75 shtete, Kosova ka një rrugë të sigurt të integrimit euro-atlantik”, theksoi kryeministri Thaçi , duke shtuar se në trevjetori e Pavarësisë, kujtohet e kaluara jonë krenare, familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës, gjithë luftëtarët e lirisë dhe meritën e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për Pavarësinë e Kosovës.

Thaçi ka shprehur mirënjohje dhe respekt për gjithë botën ndërkombëtare demokratike për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të rendit demokratik.
“Pavarësia e Kosovës është vullneti dhe projekti i qytetarëve të Kosovës, i implementuar më 17 shkurt 2008, kontributi i çdo lideri politik është vlerësuar dhe meriton respektin më të madh, prandaj jemi edhe sot këtu për të shprehur mirënjohjen, për të shprehur nderimin shtetëror”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Pas homazheve, Kryeministri Thaçi ka vizituar edhe familjen Rugova dhe u ka përcjellë urimet me rastin e festës së pavarësisë.

Mashtrimi në letërsi II

Hiqmet Meçaj

Mashtrimi në letërsi II
(absurdi te Miti i Sizifit të Kamysë)



Shkaqet që më shtyjnë të ndërmarr këtë esé nuk janë të shumtë. Me anë të saj, duke vazhduar idenë e mashtrimit në letërsi, më duhet të shprehem se shkrimtarët, mes të cilëve edhe Kamy-ja, duan të na mbushin mendjen se teoritë e tyre qëndrojnë më këmbë edhe duke na sjellë argumente anësore nga një mit. Në këtë rastin e Kamy-së kemi një paraqitje klasike mashtruese të mbrojtjes së idesë së absurdit, se lumturia dhe moskryerja e misionit jetësor deri fund, janë themeli i jetës. Sipas këtij autori, Sizifi duhet të jetë i lumtur në absurditetin e vet të mosçuarjes së gurit asnjëherë në majë të malit. Mjafton vetëm përpjekja për të arritur në majë. Rezultati nuk ka rëndësi.
Lexoj mitin, bazën e tij themelore, siç përshkruhet në një enciklopedi greke, por që Kamy-ja na sjell diçka tjetër, të zgjeruar, e cila i shërben idesë që ai kërkon të na përcjellë. Ja miti: Sizifi, djali i Eolit, mbret i Korintit. Sizifi ishte i dëgjuar për veprimet e këqia të tij (nënvizimi im). Ngriti mure në ngushticë, (aty ku sot ndodhet kanali-shënimi im) dhe merrte taksë të rëndë nga çdo udhëtar (I detyronte kalimtarët të punonin për të- shënimi im) . Për mëkatet e tij u dënua të shkonte në Skëterrë të rrokulliste një gur të madh drejt majës së një mali. Por, sapo afrohej për atje, shkëmbi rrëshqiste pas dhe ai e fillonte nga e para ngjitjen. Dhe ajo vuajtje e tij vazhdonte pambarimisht. (Enciklopedia Idra, vëllimi 10, faqe 3493-3494, botim i vitit 1987).
Vetëm kaq. Pra thelbi i mitit përbëhet nga njëra anë prej prapësirave dhe mëkateve të rënda të Sizifit, nga ana tjetër prej ndëshkimit të tij. Është e çuditshme se, sipas këtij varianti-bazë të tij, kemi në themel gurin nga kreu deri në fund: Sizifi ngriti mur, kuptohet me gur dhe u ndëshkua të ngrinte gur në Skëterrë, duke mos arritur të ngrinte më mur.
A nuk e ka ditur këtë thelb Kamy-ja? E pabesueshme ta pranojmë se nuk e dinte. Po përse ai na e sjell mitin nëpërmjet degëzimeve të tij, nëpër paraqitjet dytësore e jo në atë thelbësore?
Ja fragmenti kryesor i mitit i sjellë nga Kamy-ja. "Po t'i besojmë Homerit, Sizifi është njeriu më i ditur dhe më i kujdesshëm midis te vdekshmëve. Megjithatë, sipas një tradite të vjetër, atë e tërhiqte zanati i cubit. Nuk më duket kontradiktore. Opinionet janë të ndryshme për shkaqet përse u dënua që të bënte në ferr punë të padobishme. Para së gjithash, e dënojnë për mendjelehtësi në sjelljet me perënditë. Nuk i ruajti të fshehtat e tyre. Egina, vajza e Azopit, u rrëmbye nga Jupiteri1. I ati u befasua nga kjo zhdukje dhe u ankua te Sizifi. Ky i fundit, që kishte dijeni për rrëmbimin, i premtoi Azopit t'i tregonte, me kusht që ky t'i jepte ujë kështjellës së Korintit. Midis rrufeve qiellore dhe bekimit të ujit, ai zgjodhi të dytën. Për dënim, u dërgua në ferr".*
Te ky fragment i sjellë nga Kamy-ja, Sizifi na përshkruhet i ngarkuar me virtyte, më i ditur dhe më i kujdesshëm midis te vdekshmëve, vetëm ngaqë e tërhiqte zanati i cubit. Por edhe këtë ves autori i cituar ia fal, nuk i duket kontradiktor. Ndryshe, teoria e tij për absurdin nuk mund të mashtrojë. Sipas këtij versioni, Sizifi dënohet sepse midis rrufeve dhe bekimit të ujit, ai zgjodhi të dytën. Kam të drejtë të pyes: Përse nuk u dënua me ujë, por me gur? Këtu lind çarja e parë në logjikën e mitit dhe atij të Kamy-së.
Edhe në traditën e shumë popujve, jo vetëm në lashtësi, masa e ndëshkimit vihet mbi bazën e asaj që kryhet nga fajtori: nëse vret, vritesh. Nëse të kapin duke vjedhur, për shembull një dele, ta varin atë në qafë e të turpërojnë për tërë jetën duke të shëtitur, pra ta bëjnë jetën skëterrë. Në disa vende të tjera vjedhja ndëshkohet me prerje dore, pra hiqet nga trupi ajo pjesë që u përdor për të kryer veprimin e ndaluar..
Kurse Sizifi përdori gurin për të kryer prapësitë e tij dhe u ndëshkua me ngritje guri, jo me dele. Në një pamje jo aq figurative të çmitologjizuar, Sizifi mund të jetë një njeri i zakonshëm që e shëtitin fshat më fshat e krahinë më krahinë me një gur mbi shpatulla, duke e turpëruar, pra duke ia bërë jetën skëterrë. Edhe në këtë rast bartja e gurit nuk ka si qëllim ndërtimin e murit, pra nuk kryhet me të asnjë punë, është një lodhje e kotë me qëllim jo ndërtimin, por ndëshkimin. A mund të jetë i lumtur Sizifi apo çdo lloj sizif tjetër me këtë? Kotësia e punës dhe e lodhjes a do të ishin burim kënaqësie në një rast të tillë? Padyshim, jo dhe për asnjë.
Homeri gjithashtu na tregon se Sizifi kishte lidhur me zinxhirë Vdekjen, vazhdon citimin Kamy-ja. Plutoni nuk mund ta duronte këtë pamje të shkretë të mbretërisë së vet. Ai dërgoi perënditë e luftës të çlironin vdekjen nga duart e ngadhnjimtarit.
Ky citim i duhet autorit të arrijë në përfundimin se Sizifi i përçmonte perënditë, se ai donte të vepronte ndryshe, i lirë prej tyre, të shijonte pasionet e jetës i shpenguar. Mos vallë në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një hero absurd, por anarkist? Mos kemi të bëjmë me një orvatje për të qënë ndryshe, për të përjashtuar të tjerët duke u bërë më pas i përjashtuar prej tyre?
Por kjo është një çështje e rëndësishme që duhet trajtuar në një esé të tërë.
Që Sizifi lidh me zinxhirë vdekjen, në rregull, dëshiron të jetë i pavdekshëm edhe vetë, pra t'u ngjajë perëndive. E bën këtë edhe për të tjerët, për të gjithë njerëzit? Cili motiv e shtyn? Është ngasje e brendshme e vetvetes për vetveten, apo për vetveten dhe të tjerët? Cilëndo nga të dyja të pranojmë, në asnjë rast nuk do të vërejmë se veprimi i Sizifit është absurd, shterp dhe pa fryt. Revolta ndaj një vullneti sipëror për të ndryshuar diçka, nuk është asnjëherë veprim absurd, edhe nëse nuk arrin të plotësohet si kryerje. Mirëpo vështirë të pranojmë se ai e kryen këtë veprim edhe për të tjerët, sepse sipas mitit, të cilin e solla në fillim, Sizifi është njeri plot vese që dëmton të tjerët. Ai dënohet të mos kryejë në skëterrë atë punë që e kreu në jetë, me anë të së cilës dëmtonte të tjerët. Edhe vdekjen, sipas kësaj logjike, ai e mbërtheu vetëm për vetveten, që të kthehej përsëri në jetë, ku bartja e gurit do të përfundonte me ndërtime muresh, ndarës të njerëzve, pengesë qarkullimi të lirë, me qëllim përfitimi e plotësimi të dëshirave të mbrapshta që i mbulonin shpirtin.
Dhe në librin "Fjalor i mitologjisë", me autor Todi Dhama (Shtëpia Botuese "8 Nëntori", Tiranë, 1977), në faqen 221-222 Sizifi përshkruhet kështu: "Të gjithë poetët e vjetër e tregojnë si vjedhës, gënjeshtar dhe dinak". Kurse më tej vazhdon: "Shkaqet për të cilat qe dënuar Sizifi, Homeri nuk i tregon, kurse autorë të mëvonshëm japin versione të ndryshme (Sizifi qe dënuar kështu, sepse tregoi planet e perëndive, ose sepse grabiste udhëtarët, ose se i tregoi Asopit se ku e kishte fshehur Zeusi vajzën që kishte mbërthyer").
Po të gërmojmë edhe më në mitologjinë greke, do të vërejmë se ekziston edhe një tjetër, që fare mirë mund të quhet "binjaku i Sizifit", i quajtur Skiron. Ky, si edhe Sizifi, qëndronte në istmin (ngushticën) e Korintit Ai i detyronte udhëtarët që t'i lanin këmbët, pastaj në shenjë falënderimi i hidhte nga maja e një shkëmbi në det, që të shëndoshte breshkat me të cilat ushqehej.
Nuk dimë cili nga të dy heronjtë mitologjikë është më i vjetri, por të dy janë të ngarkuar me vese të ngjashme dhe të dy i kryejnë prapësitë në ngushticën e Korintit, në Peloponez.
Po përse Kamy-së nuk i intereson të merret me thelbin, të thotë ose të shpjegojë se janë veset ato që e çojnë Sizifin në Skëterrë? A do t'i interesonte autorit të Absurdit të bënte të lumtur nga mundimet një njeri që vuan të këqiat që ka kryer? Përse dëshiron ta paraqesë Sizifin si një pararendës të largët të Krishtit, apo ta përqasë me proletariatin? Edhe Krishti, si Sizifi, mban një peshë në çastin para vdekjes. Duhet ta çojë kryqin te shtylla ku do ta mbërthejnë për të vdekur. Mirëpo Krishti nuk dënohet me Skëterrë pas vdekjes, ku të cfilitet duke mos e çuar dot kryqin te shtylla e, sa herë që ai t'i bjerë nga supet, të kthehet prapsht e ta fillojë veprimin nga e para. Krishti e do ndëshkimin, kryqin, ai është i barabartë me kryqin. Thuhet se Krishti vdiq i lumtur, pasi u dha ngushëllim njerëzve me vdekjen e vet dhe akti i tij ka një fillim e një fund. Te Sizifi ndodh ndryshe: në jetë u ka sjellë telashe e mundime njerëzve dhe perëndive, ka ndërtuar mure me gur për të ndarë njerëzit, se kështu realizonte dëshirat e tij të prapshta, dënimi i tij për të mbartur gurin ka si qëllim të vetëm ndëshkimin dhe kjo nuk ka mundësi t'i sjellë gëzim, aq më tepër kur thuhet në mit, se kur i iku vdekjes një herë, iu dha i shfrenuar gëzimeve të jetës.
Po të lexojmë mitin e Odisesë, mësojmë se duhet të ketë qënë kjo kohë kur Sizifi u lidh për kënaqësi epshore me Antiklenë, të fejuarën e Laertit, (prindët e ardhshëm të Odisesë), prej nga do të lindte heroi mitik i Trojës. Pra, Odiseja na del sipas këtij miti, djalë jo i ligjshëm i Sizifit. Prej tij besohet t'i ketë marrë disa nga veset: sidomos dinakërinë, vjedhjen dhe gënjeshtrën. Kujtojmë se në Luftën e Trojës ai u fut me Diomedin fshehtazi në Trojë dhe grabiti statujën mbrojtëse të qytetit, Paladiumin.
Sipas historianëve të lashtë, Peloponezi dikur quhej Pellazgji dhe dihet se pellazgët qenë mjeshtra në ndërtime muresh me gurë qiklopikë. Ata kishin ndërtuar edhe muret e Athinës së vjetër. Dihet se atikasit i dëbuan pellazgët, por para se ta bënin këtë, zuri fill fushata propagandistike kundër tyre. Dihet se dëbimet kryhen me dhunë, jo me mirësjellje. Në mitin propagandistik mbi Tezeun, heroin e Atikës, mes të tjerave heroizma të Tezeut, përmendet vrasja e hajdutit Sinid, të mbiquajtur Pitiokampt, (përkulës i pishave). Ai ishte i pajisur me një forcë të madhe, përkulte pishat më të trasha, afronte majat e tyre dhe lidhte aty kalimtarët që kishte zënë. Degët, kur drejtoheshin, i shqyenin viktimat. Sinidi vepronte në ngushticën e Korintit, njëlloj si Sizifi dhe Skironi. Të tre janë me forcë të madhe, të cilën e përdorin për të kryer të këqia dhe ndëshkohen. Po ashtu, në mitin mbi Tezeun, ky vrau Skironin në kufirin midis Megarës dhe Atikës, e hodhi në det, por deti dhe toka nuk donin ta pranonin trupin e hajdutit, kështu që ai qëndroi për ca kohë i varur në ajër, derisa më në fund u shndrrua në shkëmb. Te ky mit kuptohet fare qartë se ky popull, pra pellazgët, as të gjallë nuk kishin më vend në tokë e në det, se toka dhe deti duhej t'i përkisnin një populli tjetër, të cilët i përfaqësonte heroi i tyre, Tezeu.
Skironi shndrrohet në gur, në atë që i simbolizon pellazgët, njerëz të mureve me gurë qiklopikë. Kurse Sizifi u dënua të ngrinte në Skëterrë një gur të madh, pa arritur ta çonte dot në majë të malit, në një mundim të pafund e të padobishëm. Në të gjitha këto raste, asnjë prej këtyre figurave mitike, në veçanti Sizifi, nuk mund të ndjehen të lumtur. Miti i Sizifit fare mirë mund të quhet miti i veprimit të papërfunduar, moskryerje e detyruar e diçkaje nën dhunën e një vullneti të epërm. Sizifi nuk ka më tepër vese se Zeusi. Zeusi është kryeperëndi, i pavdekshëm, Sizifi, princ i Korintit, i vdekshëm. Zeusi mbretëron qiellin, tokën, ujërat dhe nëntokën, jetën dhe vdekjen. Principata e Sizifit është e vogël. Zeusi dhunon perëndi dhe njerëz. Sizifi nuk mund të arrijë dot te perënditë. Edhe nga këto që thamë, kuptohet se Sizifi nuk mund të jetë i lumtur. Ai ndjehet i fyer dhe i poshtëruar, i nënshtruar e pa personalitet, një i tepërt që nuk sjell dobi as i gjallë e as i vdekur. Ai nuk është absurd sepse në këtë rast do të pranonim që absurditeti lind nga kotësia. Kështu do ta thjeshtonim së tepërmi problemin. Këtu kemi një lojë me mashtrimin, të cilin Kamy-ja e përdor për të na mbushur mendjen se një teori mund të qëndrojë më këmbë edhe duke sjellë argumente anësore nga një mit.
2007

*Citime nga libri "Miti i Sizifit" i Alber Kamy-së, përkthyer nga frëngjishtja prej Petrit Sinanit, botim i vitit 1992, Tiranë, shtypshkronja A.Z.Çajupi
1- Sipas mitit, vajza u grabit me urdhër të Zeusit, ose nga vetë Zeusi, i cili edhe e fshehu diku duke e mbërthyer. Sizifi nuk e tregoi këtë fakt ngaqë i dhimbsej babai apo vajza, por që të përfitonte, duke spiunuar kryeperëndinë.


Krenar Zejno[1]

Na ishte se ç’na është...

“Si u bëka, more vëlla,
që të mësojmë nga kukullat
si të duam njeriun?”
Ja një maraz poeti, përgjatë vargut të Milazim Krasniqit, i denjë për të na e ngarë rrëfimin mbi kukullat ndër përralla njerëzish.
Gjenia e Rilkes me një ese magji kukullat i pat ngritur gjer në elegji; e na bën të kujtojmë zemëratën që shkaktonte shpërfillja e tyre, mizore e pagojë;
zhgënjimin fillimtar të realitetit që po mësynte në vrrunduj me shumicë: “Përpara kukullës shtrëngoheshim të pranonim që nëse do braktiseshim prej saj, nuk na mbetej kësisoj askush më. Heshtte ajo ahere, jo për kryeneçësi; heshtte ngaqë ky ishte i parreshturi bishtnim i saj, sepse qe gatuar prej një lënde pa voli e fare të papërgjegjshme, s’bëzante dhe as i shkonte nëpër mentë të krekosej, sidoqë do t’i lypsej shumë t’i jepte ca rëndësi vetes në një botë ku fati, nëmos dhe Zoti vetë, e kanë tërë atë zulmë ngase na bëjnë ballë heshtazi.
Në një kohë kur të gjithë ende turreshin të na e jepnin përgjigjen vetëtimthi për t’na dhënë siguri, ish ajo, kukulla, më e para që na pështillte ndër më t’madhen heshtje të jetës, e cila më vonë gjithëherë kthehej të na ndihte, diku tek mbërrinim në kufi të ekzistencës”.

Ja kështu pra, nga ato pulitje qepallash kallpe ballë përkujdesjes fëminore, ze fill i pari leksion i madh mbi atë dashje bote e cila bëhet sublime kur do e dashuron. Edhe si fëmija kukullat, pa i thirrur hiç kryes nëse bota sakaq, dashka dhe ajo a si!
Duke ndjerë kukullën e nderur në papërfillje mësohet si të japë e të jepet, në një dhënie pa u zbehur a shtirur si kukull e vonët për Jungët e Fromët.
Balada e Rilkes luan loja kukullash lojën ku ngjizet katedra që fton provimin e parë të jetës, ... për t’u diplomuar përtej si njohës me sqimë i realitetit, qoftë të hidhur, të gjërave a gjëmave.
Gjersa t’ja mbërrish e të bëhesh engjëll i elegjive...
asoj elegjish që luhen me lirë apo lahutë, por veç ndër kufij, përgjatë sinorëve të qenësisë kur marazi i mbrapshtë të gjegjet shkurt e gjithaq shpinëkthyer: mëso më së fundi nga njeriu... si të duam kukullat!
Nëmospo, prit sikur parajsën. Ti e di, teksa dashje krijon, se parajsa e krijuesve është një parajsë kukullash hirushe, kësulëkuqe, pinokë, borëbardha, barbi, të bukura e bisha...

“Kur ishim fëmijë,
bisedonim me delet
që na flisnin fjalë të mençura.
Çudi! Kur rritemi dhentë nuk na flasin më”
Na e vargëzon kështu Frederik Reshpja kohën e tij të lodrave, atë kohë kursa duket, kukullat e fëmijës që do bëhej poet ishin mishëruar ndër dele, si totem i shpirtit të klanit mjerim.
Dhe paskëtaj, ...pikëçudinë e klanit mjeran të të rriturve.
Para tij, poeti i bukur si çilimi, Bodler, pat luajtur me lodrën e moralit në shkrimin aq të ndjerë Moral du joujou; Dhe na kthen kohës prapa: “Gjithë fëmijët u flasin lodrave të tyre. Lodrat bëhen aktorë të dramës së madhe të jetës, ngucur në odën e errët të trurit të tyre të vockël”.
Kishte nevojë poeti i “thjeshtësisë barbare” t’i rikthehet pa ledha asaj mundus infantile, të shprishte kukulla dhe kolovitej mbi kalë të drunjtë, si kalorës i hershëm vetmitar kah zhbirimit të “shtysës më të parë metafizike”.
“Mais ou est l’ame? ia plas poeti si fëmija. Po shpirti ku na qenka pa?
Hiç! Dhe njëherit: “Bash këtu zë fill trullosja dhe trishtimi”.
Kaq?! Po atë ku e lamë?
Atykohërash kur ishte seç na ishte... Në oaze iliadash, ehee, kohë përpara Iliadës së vargut homerik. E di i dliri Bodler edhe moshën e foshnjes poetike, sepse bariste dhe ndër oazet e atit Homer. Ndaj na thotë veç zëfillin, atë me emrin trisht (që ndër ne tingëllon si numër). Nëmos e ditka ku është shpirti, ama di si mishërohet.
Se as ati i epikës s’na e tha ku shpirti ishte, por veçse në ç’formë do prehet dhe kush do ta përcjellë përtej: “ Trishtimi qenka fati i ynë; andaj jetët tona do këndohen gjer në përjetësi, nga e tërë njerëzia që do t’vijojë”.

E do vijojmë ne, ende të endemi, edhe në Teatrin e kukullave te Hajnrih von Kleist.
Ja tek na dëfton edhe ky (idhull i Kafkës) drynin e parajsës dhe kerubinin që na rri pas krahëve.
Bën be që s’e ka kyçin, dhe na nis “të marrim udhët përreth botës dhe të hapim sytë mbase e gjejmë hyrjen nga deriçka e pasme”.
Pastaj na tregon hijen e shtrembër që i bëjmë dheut, shtegut të gabuar që njeriu paska zënë mes dy skajeve pa krye, “kukullës – materie e kulluar dhe Zotit – shpirt i kulluar”.
Më tej na fryn në vesh se si “gjendet të paktën ajo prehje e paqme, kur njohuria të ketë përshkuar, si me thënë, të pafundmen; ashtu siç shpërfaqet e dlirë dhe njëherësisht, tek ajo lloj ngrehine prej njeriu e cila ka o asfare o një pafundësi vetëdije, pra ose tek kukulla ose te Zoti”.
E pra, kësisoj këto kukulla gjysëm qenie - gjysëm gjëra, këto nimfa mitike (sipas Borgesit është gjuha shqipe e dallon sirenën nga vajza e valëve, duke na shtirë në mend se të parët tanë dinin mjaft mbi bukurinë përrallore, harmoninë, madje dhe trajtat e përsosmërisë) që shfaqin shpërfilljen më mizore e të përjetshme të papërgjigjes, i shpallen fëmijërisë si mësuesi i parë i filozofisë dhe artit të krijimit. Por edhe si një mësues gjysëm Pinok e gjysëm Xhepeto...
Është Xhepeto që ka bërë Pinokun apo Pinoku që e bën më njeri këtë të fundit? Kjo është e ç’është! Të fundit? Ç’po them? Mbase numërimi në botën e kukullave nis nga fundi.
Kushedi prej ç’keqkuptimi të tillë gjuhëzimi, Vallery ka shprehur atë të vërtetë zanafillore:
E para ishte përralla.
Po, po, “e vërteta më e vërtetë është përralla” - e mbështet gjeniun dhe dashnorin e miteve, edhe adhuruesi i tij, italiani Calvino. Gjithë ky gjenalitet... nën robërinë e miteve.
E si të mos mbetesh peng i mitit? A nuk i kemi krijuar ato për të qenë peng i tyre.
Asgjë nuk është kaq e përjetshme sa ato që nuk kanë ekzistuar kurrë, mitet.
Mitet janë shpirtrat e bëmave dhe dashurive tona, thotë Valery.
Ndaj jemi pengjet e femijërisë sonë, të botës mitike të kukullave dhe lodrave, pse na gatisin, përrallë ndër përrallë, lodër mbi lodër e kukull pas kukulle, të mbajmë peshën e botës së rëndë të miteve megjithë haraçin e saj, ...e të rrimë qoftë si shtrembër, por të flasim drejt.
Sa më shumë largohemi prej tyre, aq më tepër mbulojmë me dhera Atlantidën që kemi brenda nesh, në vend që dheu e plehu të ndihnin për të mbjellë dashurinë, moralin, etikën dhe estetikën e qytetërimit që rrekemi të përballojmë.
Ja, si e thotë Nietzsche: “Pa mite...çdo kulturë humbet pjellorinë e shëndetshme të energjisë së saj të lindur; vetëm një horizont i përvijuar nga miti mund të sigurojë unitetin e qytetërimit të gjallë që ai mbyll përbrenda”.
Adulti nuk njihet si i rritur prej shkëputjes, adulterit tradhëtor që u mbivë kukullave.
Duke humbur me dashje, veç të tjerash, edhe vizionin foshnjor e pulsionin rinues, fantazinë, imagjinatën e beftë, që na i mban gjallë veç fëmija përbrenda nesh.
Qetësisht alarmante, si vetë marrëdhënia e fëmijës me kukullën, raportit me papërfilljen, njeriut me shpirtrat (Se nuk rresht Rilke dhe përshkruan shpirtin kukull, shtrënguar fort në dorën e foshnjes nën ethe, si të vetmen gjë që kishte ende forca të mos e lëshonte, ndërsa ethja e ligë e vdekjes po avitej), mitet e përrallat na venë në kandar moralin tundues, rrëgjues dhe ato pak parime, ...që mezi ia dalim mbanë të mos i flakim.
Më shumë se sa jemi ne që shohim kukullat, kukullat na shohin ne.
Ne shohim në to të vetmit miq të përbashkët, rreptësisht të sigurtë, që kemi pasur në jetë, kësoj jete ku, ndërkohë, për të qenë si miq na duhet, medoemos, të shpikim armiq të përbashkët.
A nuk dëshiron njeriu që të vijojë të krijohet në sajë të imazhit të miteve të kukullave, përrallave që vet ka sajuar?
Por miti, vëren miku i tyre - Levi Strauss, përbëhet nga shumësia e varianteve të tij.
Hë pra si i bëhet, ende sot, kur njeriu shumicë do që të shohë të gjtha kukullat veç tek vetja e tij, dhe nuk sheh tek tjetri asnjërën prej tyre!
Thonë se Ronstadi u zemërua, pse s’ja zhveshi dot veset heroit të tij (le dernier nuit de don Juan), që s’rreshtte së gënjyeri veten, prandaj nuk e vërvit në ferr natën e fundit të romanit.
Por e braktis në një teatër kukullash!... që të mbetet rob i legjendës së vet.

Shih një kukull! E bukur paq... meqë si e trishtë.
Si shkak trishtimi. Kukull aq!
Po shih lotin në mollzën e saj pa! Atë pikël shi rrëzuar prej syrit
të fëmijës mbi kukullën si epikë ndër duar.
Shumë më i bukur loti... edhe pa lypur shkak.
Plot hirë, i vërtetë, i njelmët, i trishtë, shkaktar, i shkaktuar.
Si një gjëhiç! Vegim. Këputur ëndrrash foshnjërie.
vetë shkak vetë trishtim! Për hiçgjë; Si në përrallë pengjesh fëmijërie.
Si një asgjë. Asgjë tepër, kurrgjë mangut. Pikë loti!

RAGIP SYLAJ: Vetëkryqëzimi (Dramë në pesë pamje)

“Mos e kërkoni vdekjen me gabime të jetës suaj

Dhe mos e rrënoni veten me vepra të duarve tuaja,

Sepse Hyji nuk e krijoi vdekjen

Dhe nuk i gëzohet vdekjes së të gjallëve”

Bibla (Nga "Libri i Urtisë")


Personat:


MAESTROJA

MISIONARI

SHPRESA

DASHURIA

Hija e BARDHYLIT

REGJISORI





Ngjarja ndodh në një vend të Kosovës së pasluftës.


Tekstet NË VEND TË PROLOGUT dhe ai në fund, NË VEND TË EPILOGUT, janë tekste shpjeguese sa për regjisorin po aq për lexuesin e kësaj vepre dramatike. Njësitë në kursiv (që janë vendosur brenda këtyre teksteve) mund të deklamohen (në vend të një narratori) nga Regjisori që njëherësh është personazh i kësaj drame.


Për rolin e Hijes së Bardhylit, përkatësisht për dukjen e tij në skenë le të vendosë regjisori i shfaqjes në marrëveshje me inspicientin (organizatorin) dhe ekipin përbërës të saj. Në kontekst të kësaj me disa ide të tij mund të kontribuojë edhe autori i tekstit.


Çdo ngjashmëri me personat e kësaj drame është e rastësishme.





NË VEND TË PROLOGUT


(Në mesin e korrikut të asaj vere të pas pavarësisë, Bardhyli përpëlitej ndërmjet dy përbindëshave: mërzisë e pikëllimit. I kishte munguar diçka që ta bënte të fortë, i kishte munguar diçka që ta bënte të lumtur, i kishte munguar diçka që ta bënte të buzëqeshur. Për këtë gjendje, sa i kishte ardhur keq prej vetes, po aq i kishte ardhur keq prej të tjerëve. Kishte mëtuar për ta ndriçuar terrin e këtyre mëdyshjeve. Një pasion nepsqar për ta njohur veten sa më mirë i ishte shtuar nga viti në vit.)


- Njëherë e një kohë i kishte pëlqyer të rrinte vetëm. Askush nuk e kishte parë me sy të mirë këtë veçim të tij. Kjo mbyllje e tij brenda vetes përbënte një enigmë, por edhe mospërfillje për të tjerët. Askush nuk e dinte në ishte frikë, apo një krisje tjetër që e katandiste në një gjendje të tillë. Por Bardhyli e kishte nevojë të brendshme qëndrimin në vetmi. Ndoshta vetëm ajo gjendje i mundësonte ta shihte veten më mirë.

Megjithatë, hija e zymtësisë që ia vishte fytyrën nuk mund të mos vërehej se përbrenda ndrydhte një shpirt të lënduar. Ishte e vështirë të dihej në ishte i vetëlënduar apo i lënduar nga të tjerët, qoftë me dashje, a pa dashje. Në gjendjen në të cilën ishte katandisur, të tjerëve iu vinte keq, thua se në shpirtin e tij nuk kishte trokitur rrezja e dashurisë. Por kishte të tjerë që mëdysheshin se pikërisht dashuria ishte shkaktarja e molisjes së tij. Dashuria mund të ishte shkaktare e mërzisë dhe e mbylljes përbrenda.


(I kishte ardhur keq sa herë kishte takuar njerëz që iu mungonte besimi në jetë. Shpeshherë e kishte pyetur veten: çka iu mungon këtyre qenieve që të lidhen më fort për jetën? Këto krijesa linden, apo të tilla bëhen më vonë? Çka e shëron frikën?... A mjafton drita e Hyjit për ta përmbushur zbrazëtinë e ekzistencës, apo duhen bërë kërkime të reja edhe përtej jetës?

Para se ta nxirrte përpara Librin e Jetës, iu kujtuan fajnitë dhe fajtorët. Iu kujtuan mëkatet dhe mëkatarët. Iu kujtua fillimi i pa fillim dhe fundi i pafundmë. Iu kujtua që, siç thoshte Libri, dikush dikur e kishte ngrënë frytin e ndaluar. Iu kujtuan ndëshkimet, iu kujtuan dhembja dhe flijimi. Iu kujtua udha për në tempull dhe kthimi me shpirt të lehtësuar prej tij. Iu kujtua nevoja për të kënduar, nevoja për të heshtur dhe etja për të ditur... për të jetuar.

Iu kujtua domosdoja për rinjohje me veten. I duhej të njihej me errësirën dhe dritën, me dhembjen dhe gëzimin, i duhej ta shkarkonte barrën e së kaluarës nga shpirti. I duhej të kthehej në pyllin e mëkateve të veta. A filtrohet e kaluara? – meditonte shpeshherë me vete. A kishte rregullator që do ta lironte nga ankthi, nga të gjitha përvojat e hidhura të së kaluarës?)


- Kush e kishte lënduar shpirtin e tij të brishtë? Pse i kishte munguar balsami për shërimin e tij? Vallë nuk kishte ditur apo nuk kishte dashur ta krijonte e ta riprodhonte, apo ishte vënë në sprovë nga i Gjithëdijshmi? I ishte dashur që lojën e jetës ta luante disa herë me hidhërim?

I ishte mbushur mendja se nuk dinte të jetonte. Nuk kishte ditur, nuk kishte mundur, apo nuk kishte dashur?


(Zbriti në të kaluarën e jetës së vet... E takoi portretin e dhembshurisë të mbuluar me shumë terr e ma fare pak dritë. Në fillim iu afrua si fëmijës së pafajshëm, pastaj si njeriut të humbur, më pas – si një kufome që i duhej bërë autopsia. Ana tjetër e vetes iu bë se i ankohej për mundimet, për pafajësinë, për dhembjet, për mungesat... Kishte vuajtur për pak dritë, për pak mëshirë, për pak respekt e për shkak të zbrazëtisë.)


- Kam jetuar në një kohë të rëndë”, tha. “Janë lodhur duke më akuzuar. Gjithmonë më kanë kërcënuar. Sikur t’ua kisha zënë krejt hisen e diellit. E kanë pasur fytyrën e vdekjes, fytyrën e urrejtjes. Kanë ardhur me thika, me armë të shkurtra e të gjata dhe më kanë terrorizuar vazhdimisht. Kanë dashur ta zgjojnë egërsinë në mua. Pastaj e kanë zgjuar djallin. Kanë ardhur për ta zgjuar të keqen në mua, kur kam mundur ta kultivoj frytin e mirësisë”.


(Ndoshta këtu mund të kërkohej dobësimi i asaj fijeje që e kishte lidhur me jetën. Mbase i duheshin bërë edhe seanca të tjera për të dëshmuar, çka kishte ndikuar që t’ia kthente shpinën diellit të jetës.)






I. (ORA E FATIT)


REGJISORI, MISIONARI, MAESTROJA, Hija e BARDHYLIT


Skena mund të përshtatet sipas pikëpamjes a konceptit regjisorial, edhe pse në bazë të konceptit autorial mund të hetohet njëfarë zbrazëtie e zymtësie. Mund të jetë një mjedis restoranti (me emërtimin “Eldorado”), në muret e të cilit mund të vërehen dy-tri piktura ekspresioniste, ose surrealiste. Këtë zbrazëti e përmbush një melodi e muzikës klasike, e cila imponon një atmosferë të një shtjelle meditative. Në skenë së pari shfaqen Maestroja dhe Misionari. Shikohen si me habi e me dyshim. Sikur duan të hyjnë në botën e njëri-tjetrit, por sikur i pengon njëfarë ftohtësie e indiference. Vihen në mëdyshje të dinë nëse kjo ftohtësi është shenjë qytetarie, apo vanitet i një jete të zbrazët. Mendohen të gërmojnë në zemrat e njëri-tjetrit nëse brenda tyre mund të jetë fshehur njeriu. Përralla e rrëfimit të tyre mund të fillojë si antipërrallë. Kjo gjendje, që duket të jetë me nuanca depresive, sikur e imponon atmosferën e një situate absurde – absurdit të vonë shqiptar. Në gjysmerrësirë, në trajtë hijesh, lëvizin edhe figura të tjera, që mund të marrin trajta varësisht nga koncepti regjisorial, mbi bazë të të cilit ndërtohet antidrama e autorit. Këtë shtimung gulçues sikur mëton ta çlirojë ndezja e dritave, përkatësisht e reflektorëve. Në ujëvarën e kësaj drite, njëri bëhet sikur lan fytyrën me të dyja duart, ndërsa tjetri sikur rregullon flokët. Këto gjeste sikur duan të sinjalizojnë gatishmërinë për bisedë, por nga një kënd i skenës shfaqet Hija e Bardhylit.


Hija e BARDHYLIT

Pata mbetur as me mish, as me lëkurë... Mërzitjes nuk kisha ku t’ia bëja vendin. Lënda e saj fluide, një lëndë plasëse, më endej gjithkah nëpër trup. Endej nëpër trup e më kafshonte në shpirt. Merrte trajtën e djallit e m’përvidhej ngado në përfytyrim. Grafullonte brenda meje, herë si helm urrejtjeje e herë si neveri. Nuk më mbante lëkura brenda. Edhe shtëpia nuk më mbante brenda.

Kush e kishte trazuar detin e paqes brenda meje?

Nuk e di pse bija në një gjendje kaq të rëndë depresive. Më vinte inat prej vetes dhe më vinte turp prej të tjerëve. Bëhesha i padurueshëm e mbase i mërzitshëm. Nuk kisha ku të fshihesha as prej vetes, as prej të tjerëve, sepse nuk doja të më shihnin në gjendje të përvuajtur. Ditë të tëra kishte bërë një e ftohtë e palakmueshme. Sot ishte një ditë e bukur përjashta, por diçka skëterrike po gëlonte brenda meje. Më bëhej se askush nuk më kuptonte. Fatkeqësisht isha i vetëdijshëm se gati askënd nuk po e kuptoja. Çfarë ishte kjo nevojë për mirëkuptim nga njerëzit? Ndoshta ishte nevoja për ekuilibër, për paqe. Ku gjendet ky balsam i shpirtit?

Shtëpia, ah, shtëpia! Kjo fjalë po e trondiste qenien time. Këtu mund të fillonte përralla për dhembjet e mia. Nuk e di ku fillon përralla për dhembjet e të tjerëve. Një hije e keqe, si perde e ngrysur, e kishte mbuluar fytyrën time. Ndërsa mua vuajtja po më bluante përbrenda. E dija se ishte ligësi, por nuk kisha si të dilja prej saj. Jam qenie e brishtë, jam qenie e ndjeshme, qenie e shqetësuar. Jam strukur brenda vetes dhe po i përgjoj dhembjet, po e dëgjoj tik-takun e rrahjeve të tyre...

Isha zënë ngushtë brenda vetvetes. Desha ta pyes Providencën pse nuk u mësova ta luaj në këtë teatër rolin e vetvetes. Kisha dëshirë të fshihesha diku prej vetes dhe prej të gjithë të tjerëve dhe t’ia plasja vajit: të qaja tërë gëzim deri ta mësoja gjuhën e gurit, të drurit, të shpirtit e të krijesave të tjera. A thua vallë unë s’po e marr vesh gjuhën e të tjerëve, apo të tjerët nuk po e marrin vesh gjuhën time?


REGJISORI

(Mund të flasë nga publiku)

Ç’thoni, maestro?


MAESTROJA

Po, jemi gati.


Në skenë Misionari dhe Maestroja.


MISIONARI

Hë, ç’më deshët? Më thanë se më keni kërkuar dhe më keni pritur gjatë. Në një tjetër dramë-antidramë kam qenë vetëm në avujt e një pritjeje. Kisha mbetur vetëm figurë letrare, a filozofike. Tash vendosa ta zbërthej figurën e vetvetes. Flisni!


MAESTROJA

Nuk e di në e çmoni më tepër madhështinë mistike, duke qenë i mospranishëm, apo praninë e një krenarie konkrete. Edhe pritja jonë ishte e lashtë dhe mitike. Ajo u bë sprovë dhe provë për ne, saqë edhe kur erdhët menduam se më mirë do të ishte atje ku s’ju dinim dhe atje ku mund të shkelnit vetëm në ëndrrat tona.


MISIONARI

Meqë isha bërë njëfarë objekti i njëfarë filozofie, tashmë nuk ka kuptim të filozofoj. Por, me siguri ka qenë një ndjenjë e fortë e dikujt që e ka prekur qendrën e kozmosit. Ajo ndjenjë e fortë dhe e pastër më vuri në lëvizje mua, veçmas atëherë kur e kuptuat çka prisnit.


MAESTROJA

Mendonim se me ardhjen tuaj vjen gjithçka. Kishim harruar se trishtimin tonë nuk e zhbëjnë të tjerët. Zbrazëtitë tona na dhembin sa herë mbeten gropa të pa kuptimësive në qenien tonë shpirtërore.


MISIONARI

Megjithatë, unë jam këtu që t’ju ndihmoj juve.


MAESTROJA

Ne u rrënuam gjatë luftës. Mbetëm edhe pa kulme mbi krye. Na u tronditën themelet. Pas luftës nuk mund ta gjenim vetveten. U bëmë pyll i rralluar. Shumë lisa na u prenë. Dikush sikur deshi të na bindë se evolucioni (siç dëshironim të shkonim nga një ëndërr në tjetrën) nuk mund të bëhej pa revolucion.


MISIONARI

Kjo tashmë dihet. Krejt ajo që u mboll u korr. Krejt ajo që do të mbillet do të korret. Këtë urti të thjeshtë më duket se e harron shpeshherë shumëkush. Është një ligj i jetës. Nganjëherë harrojmë se filozofia e jetës qëndron edhe në gjërat e thjeshta. Por për t’i thjeshtësuar gjërat duhet shumë kohë, shumë mund e shumë kërkime.


MAESTROJA

Ju dhatë një shpjegim tepër lakonik për një përvojë të tërë. Ne disa herë e kemi pasur të vështirë ta marrim vesh se ajo që ndodh në jetë është rastësi, apo e programuar në kompjuterin kozmik... Çështja tash është si ta gjejmë veten në harmoninë universale. Kanë mbetur zbrazëtitë në ne, siç ju thashë, dhe dhembjet.


MISIONARI

Ah çdo gjë e ka ilaçin e vet në këtë botë e në këtë jetë. Tjetër është se ato janë të hidhura. Tjetër për tjetër është që njeriu nganjëherë nuk di t’i prodhojë ato e aq më keq kur ato i ka përbrenda vetes dhe nuk mund t’i gjejë.


MAESTROJA

Por, më thuaj, hirësi: këto dhembje burojnë nga mëkatet tona, apo ngaqë në shpirtrat tanë na rëndojnë mëkatet e të tjerëve?


MISIONARI

Gjithmonë kanë bashkëjetuar e mira dhe e keqja. Kur rrinë pranë njëra-tjetrës ato, sikur i japin diçka njëra-tjetrës. Ndoshta kështu ndodh kur bëhen bashkë edhe drita e terri, mbarësia e prapësia. Megjithatë, urtakët thonë se helmi e dëmton më së tepërmi enën e vet, ku rri.


MAESTROJA

Pse atëherë e keqja na ndjek? Pse na mbush frikë? Pse na e mbush qenien fërgëllimë, pse na kredh në humbellën e trishtimit e nuk na lë të qetë?


MISIONARI

Njeriu, thonë, është qenie e papërsosur. Andaj, ai ka nevojë për organe të reja. Një organ i disa prej tyre është arti poetik. Mbase nuk kanë nevojë që të gjithë njerëzit për këtë organ. Prandaj, njeriu edhe kur nuk është i vetëdijshëm ka nevojë për dritën hyjnore, ka nevojë të lutet e të bekojë.


MAESTROJA

Pse atëherë njeriu bën vetëvrasje?! Një varri të ri të një të riu në vendlindjen time ende s’i ka mbirë bari. Një ditë mbase do të harrohet. Ky zakon a kjo shprehi nuk ishte e jona. Tashmë kjo këngë e përvajshme dëgjohet thuaja çdo ditë. A thua kush po na vret tash pas atij tmerri që e kaluam? E quanin Bardhyl dhe ishte i 460-ti që ia mori jetën vetes. Megjithatë, çdokush do mund të pyeste: kush e vrau Bardhylin?


Dëgjohet ezani i hoxhës gjatë faljes së xhenazes.


MISIONARI

Është zbrazëtia ekzistenciale që është krijuar mbase mungesën absolute te disa njerëz. Lufta disa i forcon edhe më tepër, ndërsa të tjerët me gjasë i ligështoi edhe më keq. Ndoshta të tillët i vrau shpirtërisht qysh atëherë dhe tash iu ka mbetur vetëm t’iu shembet trupi përdhé.


MAESTROJA

Si mund të shembet një qenie e tillë e krijuar nga i Gjithëdijshmi?


MISIONARI:

Së pari, prishet drejtpeshimi trup-shpirt. Këtë e shkakton mungesa e dashurisë. Në zbrazëtinë e dritës hyjnore hyn terri djallëzor. Pastaj vjen mërzia e jetës. Pastaj shpirtit i vjen i rëndë trupi për t’iu bërë pastaj një shtëpi e papërdorshme. Në një vend kundër kësaj dukurie e kishin vënë edhe këtë mbishkrim: “Njeriu është një kryevepër e Zotit dhe vetëvrasja është fyerje”.


MAESTROJA

Nga kjo del se humb kuptimi i jetës. Po pse humb ky kuptim? Çka e bën jetën të rëndë e të mërzitshme, të padurueshme e të pavlerë, ndonëse, sipas fesë, vetëvrasja është e ndaluar?


MISIONARI

Është e vështirë të shpjegohet si e ku thyhet qerrja e jetës. Ndoshta është kryengritje e atij që ka vendosur të japë dorëheqje nga jeta, ndoshta është çmenduri, ndoshta është vetëm papjekuri. Është vështirë të shpjegohet pse dikush e humb masën në gjërat që na përcjellin në jetë, është e vështirë të shpjegohet çka e ysht mbrapshtinë e një fati të tillë...


MAESTROJA

Por, një qenie e tillë, çka e bën kaq të zbrazët? Jetën e tij çka e bën kaq të kotë?


MISIONARI

Ah, Maestro! Vetëm një Zot e di, pse një qenie e tillë, pse një krijesë e Zotit nuk e do më veten, pse e urren jetën. Ndoshta është e vetmja protestë e tij për të kallëzuar se ai është i shkelur, se ai nuk ka mundur të realizohet për shkak të të tjerëve. Kur nuk na ecën ora e fatit, na bëhet se gjithmonë dikush, për të mos thënë gjithkush, na ka faj.


MAESTROJA

Megjithatë, është e vështirë të kuptohet vendosmëria e tij për të shkuar në litar, për t’ia shkrehur vetes plumbin, apo për ta gëlltitur h... helmin, për t’u vetëkryqëzuar.


MISIONARI

Keni të drejtë. Krijesa e tillë është në konflikt të ashpër me rrethin. Ai dëshiron ta ndryshojë botën, e harron që së pari duhet ta ndryshojë vetveten. Sikur ngutet për të ecur me ritmin e Zotit. Sikur do të ecë para kohe... por në fund lodhet dhe kërkon të pushojë. Mosbesimin që ka në jetë ua lë brengë të rëndë të tjerëve. Këtë ndëshkim të rëndë mbase nuk e meritojnë më të dashurit e tij. Një mund të thuhet, që e thekson edhe urtia biblike: “Paga e mëkatit është vdekja”.


(Gjatë errësimit të skenës dëgjohen tingujt e kambanave të kishës dhe lutjet e përmortshme)







II. (DUKE PRITUR AGIMIN E FATIT TË RI)



REGJISORI, MAESTROJA, SHPRESA, Hija e BARDHYLIT


Skena mund të jetë një studio/dhomë pune. Në mes të saj është vendosur një tavolinë e në të, kompjuteri; një tavolinë tjetër, ku bisedohet, dhe një kanape. Në tavolinë gjendet një vazo me lule plastike. Në mur mund të vërehen piktura që lënë mbresën e një ambienti intelektualësh, përkatësisht të një dhome të punës krijuese. Në sfond vërehet rafti i librave. Dëgjohet një soprano, në fillim me zë të lartë e më vonë me zë më të ulët. Maestroja duket i përgjumur dhe i shqetësuar. Një gjendje ankthi sikur e plotëson shtimungun e një disponimi kur përsiatet për çështje ekzistenciale.


Hija e BARDHYLIT

Imzot, kush ma veshi këmishën e dhembjes atë ditë që linda? Një këmishë e tillë më binte e ngushtë, ose trupi më binte i madh. A ka njeri që nuk rehatohet në trup të vetin?

Nuk më duan, Imzot, ose unë s’po e shoh dashurinë e tyre. Mbase përbuzja e tyre është një trajtë tjetër e dashurisë që ma dhurojnë. Pikëllimi i kujt ka gjelbëruar sot në fusha e në male dhe e ka pranveruar stinën e fatit tonë? Kjo këngë a poemë lirike ka shpërthyer nga nëntoka, nga lëngu i jetës brenda drurit të gjallë të dashurisë. Kam dashur të këlthas e ta nxjerr dhembjen jashtë. Kam dashur të këndoj e të lirohem nga pikëllimi. Kam dashur të pikturoj e të lirohem nga depresioni. Kam dashur të rrëfej e të lirohem nga shqetësimi që e trand qenien time të brishtë.

Mbase kisha lakmuar yllin e tjetërkujt. Mbase e kisha tradhtuar yllin tim. Andaj ai kishte lotuar. Kishte lotuar ai duke më parë mua, apo i prekur nga unë. Mbase kisha lotuar unë i prekur nga përgjërimi për yllin tim.

Atë ditë që linda, kush ma veshi këmishën e dhembjes, Imzot?


REGJISORI

(Regjisori, nga vendi ku është i ulur në publik, ngrihet në këmbë)

Maestro, a jemi gati? A mund të rifillojmë?


MAESTROJA

Po, por Shpresa nuk po duket. Le të hyjnë siç jemi marrë vesh në prova!


Hyn Shpresa, një grua e hajthme.


REGJISORI

Në fund ishte një konstatim a gjykim: “Paga e mëkatit është vdekja” Ç’është kjo, Maestro?


MAESTROJA

Nuk është nevoja të jesh domosdo ndonjë katolik, ose ortodoks i mirë, që ta kuptosh këtë sentencë. Kështu ka thënë ai që ka thënë, dhe urtisë nuk ka pse të mos i besohet. Ja ku është edhe Shpresa. Edhe ajo mund të shpjegojë ç’janë këto dorëheqje nga jeta, qoftë të të rinjve, qoftë të pleqve, të të varfërve, madje edhe të atyre që s’iu mungon asgjë.


SHPRESA

Çdo gjë e ka fillimin dhe fundin e vet.


MAESTROJA

Jo, fillim e fund nuk ka.


SHPRESA

Edhe njeriu e mbyll ciklin e vet të kësobotshëm në mënyrën si ka punuar për të, ose pse nuk ka kushte më të mira për lumturi më të madhe në këtë jetë.


MAESTROJA

(I flet Shpresës duke bërë me duar nga publiku)

Atëherë, a mund t’iu tregosh këtyre njerëzve: pse Bardhyli e vari veten?


SHPRESA

Ku ta di, unë? Nuk kam mundur t’i mbaj në gji që të gjithë. Një gjë e di nga librat se ai që mund të rrijë vetëm, ai mund të rrijë edhe me të tjerët. Por, me sa shohim, këtë pasuri nuk e kanë që të gjithë. Andaj, siç po vërehet e siç po ndodh gjithnjë e më shpesh: disa nuk mund të rrinë as me veten e as me të tjerët.


MAESTROJA

Mëkat. Më duket se nga një pjesë të fajit e kemi të gjithë nga pak. Atë ditë që varrosej djaloshi, më të dashurit e tij ishin rrënuar pothuajse shpirtërisht e fizikisht. Derisa grumbulloheshin njerëzit që ta përcillnin trupin e Bardhylit në banesën e fundit, doktori më tha: e sheh, mjeshtër, jeta nuk i takon vetëm një njeriu, por edhe të tjerëve.


SHPRESA

Më duket e drejtë. Përimtime të tilla s’kemi bërë më herët.


MAESTROJA

Por, ne sikur e braktisëm djaloshin. Ne sikur po ikim nga vetja, po tjetërsohemi. Më duket se e braktisëm edhe Bardhylin. Ai, madje thonë, se u shkëput nga dora jote...


SHPRESA

Nuk munda ta ndalja. Ndoshta nuk më besoi aq sa duhet. Është e vërtetë se nuk e merrja me mend që do të na bënte gjëmën. Ai kishte prindër, vëllezër e motra, kishte shokë...


MAESTROJA

A di gjë, a kishte kriza djaloshi?


SHPRESA

Në vendin dhe në kohën tonë vetëm kriza nuk ka krizë. Atij diçka sikur i ishte neveritur në jetë. I ishte errur perspektiva dhe nuk shihte të ardhme.


MAESTROJA

Do të thuash se u lodh nga jeta!?


SHPRESA

Ai vërtet u mërzit nga jeta. Sikur deshi t’ia tërheqë vërejtjen dikujt, sikur deshi të protestojë ndaj këtij rendi të shthurur. Sikur deshi të thoshte: kënaquni ju, se unë po shkoj. Po shkoj, që të mos ju pengoj, të mos ua prish lumturinë. Po shkoj të mos u bëhem pengesë.


MAESTROJA

E tmerrshme, tepër e dhimbshme... Mbase dikush, si Bardhyli, nuk e di se jeta është një dhuratë hyjnore, e cila nuk duhet të përbuzet, aq më keq – të mbytet. Mbase duhet ditur se njeriu ka bërë çmos që ta përballojë vuajtjen, edhe atë më të tmerrshmen. Është i pafundmë shembulli i tyre: kujto burgjet e rënda të pushtuesve, kujto krematoriumet, torturat çnjerëzore dhe dëshirën e pamposhtur të njeriut për të jetuar. Është e pamundur të shpjegohet ku gjendej ajo fuqi për ta dashur jetën dhe për ta përballuar vuajtjen – edhe më të papërballueshmen, edhe më vrastaren.


SHPRESA

Po, Maestro, njëri që kishte bërë burgje të rënda në komunizëm tregonte në një emision televiziv për Kalvarin e jetës së vet dhe të të tjerëve. Ai përmendi një formulë – mbase program të mbijetesës: SKSHKSH. Pastaj e zbërtheu akronimin që dukej i çuditshëm dhe mistik: Sa kam Shpirt Kam Shpresë. Por ai ishte një intelektual dhe, mbi të gjitha, ishte një shkrimtar. Ndoshta s’e kishte lëshuar veten të binte në humbellën e fërgëllisë, as në humbellën e errësirës së mendjes.


MAESTROJA

E vërtetë e kuptueshme. Qeniet e tilla, në vend të veterrësimit, punojnë për të arritur përndritjen. Në këtë jetë të amshueshme dhe të përkohshme njëherazi ka dhembje, por edhe gëzime. Ne sikur e harrojmë dashurinë që ka krijuar botët dhe jetën. Ne sikur harrojmë që përpjetëza e ka edhe tatëpjetën, ne harrojmë se as jeta e as viti nuk janë me një stinë. Ju mbase e dini pse Nastradini qante kur ngrohte dielli e pse këndonte kur prishej moti.


SHPRESA

E drejtë, Maestro! Ndoshta është dashur të dimë se si t’i japim kuptim çdo rrahjeje të damarëve e çdo çasti që e jetojmë. Por mjeshtëria më e madhe, Maestro, do të ishte t’i jepet kuptim atij çasti që s’ka kuptim. Kështu thonë disa prej dijeve të vjetra e të reja. Kështu përafërsisht më duket se kam lexuar edhe në disa nga esetë tuaja, në të cilat thoshit, duke u thirrur te psikologu austriak Viktor Frankli se kuptimi i jetës qëndron në mbikuptim.


MAESTROJA

Megjithatë këto vetëvrasje janë një vërejtje se një zhgënjim i rëndë po i kaplon njerëzit tanë. Disave ky vend po iu bëhet i pashpresë. Një numër i madh i tyre jetojnë në skamje e mjerim të thellë. Disa janë fundosur në trishtim dhe në shkretëtirën e fatit të tyre, ku nuk çel asnjë lule.


SHPRESA

Kësaj ndoshta mund t’i shtohet edhe absurdi i pamundësisë për ta harmonizuar dëshirën dhe mundësinë, pamundësinë për t’i realizuar ato ëndrra të bukura që çelin si lule magjike në shpirtin njerëzor.


MAESTROJA

Ndoshta këtyre njerëzve dikush po ua vret edhe ëndrrat.


SHPRESA

Vrasësit e ëndrrave në këtë mjedis janë shfaqur që herët. Frika për jetën na e ka ngrënë shpirtin. Por unë për vete i kam besuar asaj thënies se sado të jetë nata e gjatë, ajo patjetër në një çast do të agojë.


MAESTROJA

Ne ëndrrat tona i varfëruam që kur na e dëbuan Zotin. Nuk e dinim se ne kemi nevojë për Të, nuk e di sa kishte Ai nevojë për krijesën e Vet... Prandaj, edhe pas një zbrazëtie të gjatë, para se të vetëtijë ky mallkim mbi ne, e vijuam ritualin e pritjes.


SHPRESA

Ta presim, pra, agimin e fatit të ri.


(Errësohet skena)





III. (BRIGJET E ANKTHIT)


REGJISORI, MAESTROJA, MISIONARI, DASHURIA, Hija e BARDHYLIT


Zyra e Misionarit. Në zyrë janë kolltukët, kompjuteri, por mund të fitohet përshtypja e atmosferës së ftohtë të mjedisit. Në zyrë vërehet Misionari. Përballë tij është Dashuria. Misionari duket i lodhur e i rraskapitur; përballë tij – Dashuria duket e zbehtë. Shqetësimi krijues ka zbritur në të gjitha këndet e skenës. Një muzikë e lehtë dëgjohet me zë të ulët. Pikturat që i stolisin muret janë moderne. Ato pasqyrojnë disponimin e një atmosfere të ngrysur.

Misionari ka vënë këmbët mbi tavolinë. Dashuria qëndron në një pozitë e përgatitur sikur të presë ndonjë përgjigje nga Misionari. Nga ai ajo pret përgjigje për çështje jetike, nga ai pret zgjidhje të problemit, të problemit të saj, që është i të tjerëve.


Hija e BARDHYLIT

Kur zgjohem, shpërgjumem dhe ruhem të mos rrëzohem në të kaluarën. E kaluara më tërheq për këmbësh, kurse e ardhmja – për koke. Në këtë zgjatim më dhemb shpirti. Dikur kam banuar në ëndrra, në ëndrra të lulëzuara. Por, dikush ma ka prishur gjumin. Dikush, në një çast tepër të fshehtë, u gjet të ma veshë këmishën e dhembjes, në vend të këmishës së pendesës. Rrobat e pafajësisë atëherë nuk preheshin e as nuk qepeshin për ne, e me gjasë, as për mua.


REGJISORI

(I ulur në të njëjtin vend në publik, ngrihet në këmbë)

Maestro, a mund të shkojmë më tej?


MAESTROJA

(Nga prapaskena)

Skena është për Misionarin dhe për personazhin e ri që do të dalë në shfaqje.


MISIONARI

(Dashurisë)

Ku je, më e mira e të mirave?


DASHURIA

Unë edhe kur jam nuk e di se si më duket se nuk jam. Nuk di si t’ua them, hirësi, nuk jam për vete apo për të tjerët.


MISIONARI

E di, e di. Të gjithë ankoheni te unë. Madje, edhe para se të ankoheni, sikur do të më jepni shenjë se çdo gjë duhet ta ndreq unë.


DASHURIA

Nga një Misionar gjithsesi se do të pritej një gjë e tillë.


MISIONARI

Mirëpo disave, m’është mbushur mendja, se do të duhej t’ua rregulloja edhe jetën në shtrat. E atë nuk e bëj dot. Jo vetëm se nuk e bëj, por madje edhe sikur ta kisha në dorë nuk do të kishte kuptim ta bëja.


DASHURIA

Por po m’duket se po harroni hirësi se investimi në lumturinë e të tjerëve është investim në lumturinë e vetes.


MISIONARI

Keni të drejtë kur filozofoni kështu. Por një gjë është duhet ta dijë edhe ai që nuk e di: shpresat duhen varur vetëm te vetja. Më duket se është thënie e një shkrimtari gjerman.


DASHURIA

Si mund ta thoni një gjë të tillë për një vend që doli i rrënuar nga lufta, për një vend me plagë të hapura, me qenie të dashura që ende nuk dihet ku iu kanë mbetur eshtrat.


MISIONARI

Desha ta them vërtetësinë e hidhur, a vërtetësinë e vërtetë. Fëmijët presin gjithmonë nga të tjerët: edhe mbrojtje, edhe mbështetje... Të rriturit, të pjekurit do të duhej të zbatonin një tjetër filozofi të jetës.


DASHURIA

Do-me-thënë: lehtësinë e papërballueshme të qenies?


MISIONARI

Ata që e njohin urtinë dhe që e kuptojnë këtë thënie të Kunderës, besoj se do t’ia dilnin mbanë shumë lehtë.


DASHURIA

A ju kujtohet Godoja i Beketit, hirësi?


MISIONARI

E kuptoj ku po doni ta hidhni gurin. Ju ishit të mbushur me pritje. Dhe ai erdhi. Nuk e dimë në erdhi siç e prisnit, në iu doli ashtu siç e ëndërronit, por ai arriti. Ndoshta do të ishte mirë të mos harronit as ju e as ne se tash jemi vetëm pas pritjes.


DASHURIA

Po, këtu më duket se ndodhi konfuzioni. Nga gjendja ëndërrimtare e pritjes dolëm në një gjendje të ankthshme të pas-pritjes. Doli se ishim të pamësuar me lirinë. Një zbrazëti e re çuditërisht hyri brenda nesh.


MISIONARI

E qartë, e qartë. Në atë zbrazëti hyri dhembja, hyri pasiguria. Kishit harruar se kishit kërkuar një sistem të ri shoqëror e politik, të cilin me gjasë nuk e kishit pas njohur. Këtu mund të supozohet se lindi konflikti i brendshëm që u reflektua edhe së jashtmi.


DASHURIA

Prandaj unë nuk mund të jem aty ku duhet të jem. Prandaj unë jam këtu e jo aty ku më kërkojnë.


MISIONARI

Pajtohem plotësisht me konstatimin tuaj, zonjë e nderuar, se çdo njeri ka një mision në këtë jetë dhe besomëni se më pëlqen insistimi juaj për ta përmbushur atë.


DASHURIA

Dëgjova që prapa kuintave para se të hyja në këtë dramë – antidramë se dikush pret agimin e fatit të ri. Kjo ma kujtoi faktin se ne kemi pritur me shekuj: edhe kur shekulli ka qenë brenda një çasti, edhe kur çasti ishte i gjatë sa shekulli.


MISIONARI

Të urtët gjithmonë e presin diellin e fatit të tyre dhe ai prore lind përtej brigjeve të pritjes.


DASHURIA

Mbase edhe përtej brigjeve të ankthit.


MISIONARI

Çka do të thotë kjo sipas jush: t’i mbash shpresat te vetja?


DASHURIA

Ai, ose ajo që nuk i beson vetes, nuk i beson as tjetrit.


MISIONARI

Mua, ta them sinqerisht, më ka lënduar deri diku e vërteta se ju shqiptarët pothuajse të gjitha shpresat i kishit pas varur te ne. Po kaq më ka ardhur keq kur kam kuptuar se në mënyrë mbase të pavetëdijshme i nënçmonit mundësitë tuaja reale.


DASHURIA

Po të ishit në vendin tonë, me siguri do të na kuptonit më mirë.


MISIONARI

Po, por në disa raste më ishte mbushur mendja se shihesha dhe pritesha si një Mesi. Më dukej se humbej masa dhe sensi. Mbase mund të gabohem e ta lëndoj dikë, por ai adhurim më bëhej neveritës.


DASHURIA

Juve ndoshta s’ju ka rënë ta dëgjoni fjalën e urtë: edhe guri për gurin ka nevojë. E kundërta e kësaj është braktisja. Vetmia e sëmurë, çka është tjetër? – pos ikje nga dashuria, nga dashuria njerëzore, ajo që na mban në jetë dhe që e bën njeriun njeri.


MISIONARI

Ju me siguri që duhet ta merrni me mend se unë nuk jam rastësisht këtu. Njeriu duhet të jetë njerëzor së pari për veten. Ma merr mendja se një njeri bëhet njeri për tjetrin aq sa mbetet borxh prej tjetrit. Të tjerët sillen ndaj nesh ashtu siç mendojmë ne për ta.


DASHURIA

Diçka megjithatë po i errëson shpresat.


MISIONARI

Nuk është hequr e tërë errësira nga ky vend. Sa herë nuk ka ndriçim, errësira mbetet e pranishme.


DASHURIA

Diçka po i rrënon disa shpirtra. Ata që po ia marrin jetën vetes sikur kanë vënë alarmin. Pse po iu lëviz trualli ndër këmbë këtyre njerëzve, a mund ta shpjegoni hirësi? Ç’është ky vetëkryqëzim i paparë ndonjëherë ndër ne?


Dëgjohen ezani i hoxhës dhe kambanat e kishës në të njëjtën kohë.


MISIONARI

Ky veterrësim dhe vetëdënim është brengosës, sepse nuk thuhet kot se një njeri është i tërë njerëzimi. Megjithatë le të lutemi që t’i falë Krijuesi. Prandaj, nëse njëqind herë do të rrëzohemi, edhe njëqind e një herë do të duhej të ngriheshim. Besoj dhe madje ngulmoj se detyrë e qeverisë suaj mbetet asgjësimi i bombës së dëshpërimit, që dikush ua pat kurdisur.


(Errësohet skena)





IV. (IKJA NGA VETJA)


REGJISORI, MAESTROJA, Hija e BARDHYLIT


Skena e pamjes së parë. I njëjti dekor, përveçse është dendësuar zbrazëtia. Me mëtimin për ta zhdrivilluar perin e lëmshit të shfaqjes, Regjisori e Maestroja sikur mbesin padashur të ngujuar në shfaqje për të shpjeguar ç’ndodhi dhe deri ku shkuan zhvillimet e shfaqjes. Më i habitur në këtë rast është Regjisori, të cilit sikur i ka ikur situata nga kontrolli. Në këta dialogë, megjithatë, sikur rivendoset “rendi” pasi inkuadrohen në shtjellimin e temës së dramës-antidramës. Kjo bëhet veçmas me shkrirjen e bisedës së tyre në çështjet thelbësore të shfaqjes. Një muzikë e lehtë sikur i mbush disa nga zbrazëtitë evidente.


Hija e BARDHYLIT

Jam ngushtuar së tepërmi. Ngushtë më bie lëkura, ngushtë më bie bota, ngushtë më bie kozmosi, ngushtë më bie liria... Ka kohë që s’kam qeshur, ka kohë që s’kam kënduar, ka kohë që botën e shoh të pikturuar në ngjyrat e zymtisë. Ka kohë që dhembjet e shpirtit më zgjojnë nga gjumi, nga ai gjumë me ëndrra të këqija. Frika për jetën, për të ardhmen më është bërë veshmbathje! Kam harruar të jetoj. Jeta po ndodh pa mua. Pema e jetës po i çel sall lulet e pikëllimit. Pema e jetës po i lidh e po i pjek sall frutat e hidhura të dëshpërimit.


REGJISORI

(Nga i njëjti vend, nga publiku)

Maestro, shkojmë!


MAESTROJA

Në fakt shkuan ata, se ne nuk kemi ku të shkojmë.


REGJISORI

(I afrohet skenës)

Kush paska shkuar kështu?


MAESTROJA

Shkoi ai që s’e prisnim, shkoi ai që ne e kishim pritur më së shumti.


REGJISORI

Kush?


MAESTROJA

Misionari, vetë Mesia. Le që shkoi ai, por me vete i mori edhe Shpresën e Dashurinë!


REGJISORI

(Ngjitet në skenë)

E pabesueshme, si të mos kishin qenë asnjëherë këtu. Asgjë s’na paska mbetur.


MAESTROJA

Vërtet shkuan si të mos ishin. E pabesueshme.


REGJISORI

Mos ishin vetëm në vegimet tona. Ndoshta ishin të pranishëm vetëm në ëndrrat tona.


MAESTROJA

Sa menduam se na u kthye Shpresa, sa thamë se do të jetojmë me Dashurinë.


REGJISORI

Si është e mundur të na shkretohet skena e jetës kaq keq?


MAESTROJA

Sa menduam se ia gjetëm ilaçin vetmisë...


REGJISORI

Çudi e çudirave. Nuk e di a e kishte paraparë autori ikjen e Misionarit dhe të atyre dy zonjave në tekstin e kësaj drame-antidramë!


MAESTROJA

Misionarët, në përfundim të misionit, zakonisht kthehen në vendet nga kanë ardhur. Lidhur me këtë çështje, prandaj, s’ka asgjë për t’u habitur.


REGJISORI

Por ai sikur la një porosi, që kishte të bënte me diçka brengosëse. Ishte një vërejtje që m’u duk se rëndonte...


MAESTROJA

La një porosi të rëndë, ashtu siç është e rëndë e vërteta, ashtu siç është i ashpër realiteti ynë, së paku.


REGJISORI

Na e kujtoi një bombë të dëshpërimit që dikush e ka kurdisur të shpërthejë midis nesh... Obobo!!!


MAESTROJA

Sigurisht që me kumtin e tij bëri mirë, sepse, pavarësisht prej autorit, autoritetit a fajtorit, të asaj që e tha... ne jemi të prirur që më tepër t’i besojmë një të huaji.


REGJISORI

(Si në shaka)

Priti tash protestat...


MAESTROJA

Tek ne gjithkush është mjeshtër për t’i asgjësuar këto “bomba”, përveç mjeshtërve të vërtetë. Secili, fundja, e kemi për detyrë të bëjmë nga një punë të mirë. Ndoshta vetëm kështu mund t’i kthejmë Shpresën e Dashurinë midis nesh.


REGJISORI

Ah, vetëm tash po e shoh dhe po e ndiej zbrazëtinë...


MAESTROJA

Varet për çfarë zbrazëtie e ke fjalën. Zbrazëtia e jashtme edhe përpihet diqysh, por ajo e brendshmja, ajo gërryen...


REGJISORI

Megjithatë, mua më duhet ta shtjelloj më tej këtë dramë-antidramë.


MAESTROJA

Në vijim të bisedës që e vumë theksin, e që është përbërës i këtij shtjellimi, nuk po e marr vesh saktësisht nëse po na dhemb më tepër e djeshmja, apo e nesërmja.


REGJISORI

Sa shumë u përpoqëm të dalim nga shkretëtira e fatit tonë dhe çuditërisht nuk po ia dalim. Ndoshta pikërisht pse kemi mbetur të shkapërderdhur pak në të djeshmen, pak në të nesërmen, dhembjet tona nuk kanë të ndalur.


MAESTROJA

Ndoshta edhe do të ndaleshin dhembjet, po t’i hapnim dyert e suksesit. Qofsha gabim, por kemi zënë të bëhemi pengesë e njëri-tjetrit. Ndoshta vuajtja që na e shkaktonin të tjerët tash na u bë shprehi që e shfrytëzojmë për t’ia shkaktuar shoshoqit.


REGJISORI

Shiko si e kemi artin në përgjithësi – në krizë, sikur askush nuk ndjen nevojë të fisnikërohet në këtë vend. Njerëzit e librave vetëm sa nuk janë shpallur të marrë... e ne të tjerët – të krisur.


MAESTROJA

(Si për vete)

Kush na ka faj që na ra hise të jetojmë në një vend ku fyhen vlerat? Ndoshta treni ynë u nis i fundit. Por fakti se dëshpërimi na është bërë ushqim i përditshëm tregon më së miri të vërtetën tonë të hidhur.


REGJISORI

Ku i bazoni këto fakte, mjeshtër?


MAESTROJA

Në realitetin tonë banal. Në varfërinë shpirtërore dhe materiale, në shthurjen nga baza e deri tek maja e piramidës. Qofsha gabim, por, siç po zhvillohet drama jonë, këtë vend një ditë s’do ta dojë askush. Ëndrra e braktisjes së këtij vendi po zë rrënjë në ndërgjegjen e shumëkujt. Njerëzit duan të shkojnë atje ku mund të shkurorëzohen nga brengat, atje ku është dinjiteti dhe atje ku iu çmohen vlerat.


REGJISORI

Doni të thoni se ikin nga ajo bomba e kurdisur e dëshpërimit. Sipas kësaj, teatri ynë do të braktiset dhe neve do të na mbetet të shkojmë pas tyre, të bëjmë teatër shëtitës, teatër mërgimtarësh?


MAESTROJA

Kemi zënë të ikim nga vetja, zotëri. Teatri u braktis qysh nga dita kur ai ndodhi jashtë kësaj ndërtese. Qysh kur na braktisi qetësia, qysh kur na kaploi pasiguria, teatri humbi vlerën dhe rëndësinë e vet.


REGJISORI

Ndoshta këtu qëndron arsyeja pse në lashtësi kanë besuar edhe në hyjnitë e arteve dhe në vetë hyjnitë e teatrit. Ndoshta diçka i ka mbrojtur teatrot e lashtësisë, ndoshta diçka do të duhej t’i mbronte, ose t’i ushqente edhe teatrot bashkëkohore.


MAESTROJA

Mund të keni të drejtë. Është një rregull që e mban në harmoni kozmosin. Ka një rregull që e mban botën, shtetin dhe familjen të mos shprishen. Një rregullator të brendshëm mbase duhet ta ketë edhe teatri. Ne kemi nevojë gjithmonë të edukojmë e të edukohemi, të përsosemi, por edhe ta shohim vetveten në një pasqyrë me të mirat dhe të këqijat tona.


REGJISORI

Ju me këto fjalë frymëzuese po ma ktheni një vetëbesim që më ishte bjerrë prej kohësh.


MAESTROJA

Ne, me gjasë, jemi në një fazë të re të jetës sonë. Ndoshta po i përjetojmë dhembjet e rilindjes pas atij trishtimi të tërë, por do të duhej ta lusnim Hyjin tonë që të mos degjenerohemi në atë masë sa të vijnë të tjerët për të parë vetëm komedi të zeza ndër ne.


REGJISORI

Domethënë të mos bëhemi përrallë e botës?


MAESTROJA

Të mos bëhemi përrallë e botës dhe përrallë e vetvetes.


REGJISORI

Sipas jush, vetëm atëherë në mjedisin tonë do të mund të ktheheshin Shpresa e Dashuria?...


MAESTROJA

Po. Bashkë me Shpresën dhe Dashurinë do të mund të kthehej edhe Gëzimi, të cilin nuk e pamë deri tash asnjëherë në skenë.


(Errësohet skena)





V. (DASHNORËT E LIRISË)


REGJISORI, MAESTROJA, SHPRESA, Hija e BARDHYLIT


Mund të mbetet i njëjti dekor i skenës nga Pamja paraprake. Në qendër të këtij ambienti restoranti janë Regjisori dhe Maestroja. Pozita e tyre mund të ujdiset në vendet më të përshtatshme për skenën, qoftë në ulëse të larta që vendosen afër shangut e me fytyra të kthyera kah publiku, qoftë rreth një tryeze. Ata (...) në fillim ndodhen si të hutuar, më pas si të huaj, për të krijuar një atmosferë të pazakontë, si ata njerëzit kur ndiejnë nevojë të dalin nga anonimiteti në një hapësirë ku askush për ta nuk i jep pesë pará. Megjithatë, ata janë pjesë e shtjellës së kësaj drame-antidramë dhe, si të tillë, ndiejnë nevojë të dialogojnë për problemin e është bërë tashmë jo vetëm çështje sociale, por edhe një fenomen. Sado dikujt mund t’i duket normal, ai përbrenda e ka hidhësinë e tmerrin. Mos është goditje e Providencës për larje mëkatesh, apo?!...


Hija e BARDHYLIT

Kush e kishte mbjellë bimën e frikës në zemrën time? Sa herë nuk dukej dielli, hijet e dendësonin terrin në gjakun tim. Ai terr shpeshtohej në gjakun e damarëve dhe në gjakun e mendimeve. Që kur binte gjysmëterri, a muzgu i sëmurë, mbi dashurinë, më shfaqeshin lloj-lloj formash të frikshme. E dija se frika ime u jepte atyre formë dhe fuqi. Ajo bartej në trajta amorfe dhe më linte të zbrazët. Rreth meje lulëzonin ferrat e skëterrës, ferrat e dhembjes. Mbase dikush kishte dashur të m’i ndërronte disa germa në Librin e Fatit. E pyesja veten, meqë nuk kisha kë tjetër ta pyesja, kush e vari pikëllimin në germat e librit të jetës sime?

Pse më krijove, Imzot: për t’u çuditur unë me të tjerët, apo të tjerët me mua? E di se këtë klithje nuk do ta lëshoja po të mos përplasesha tatëpjetës së jetës së dëshpërimit tim, po të mos më gulçonte ankthi i mëdyshjeve ekzistenciale, po të mos ma ngjyroste fytyrën tisi i melankolisë, po të mos më derdhej në shpirt shiu i pikëllimit, po të mos më shtypte qielli i paanë i Kosovës. Këtë shqetësim mbase nuk do ta nyjëtoja po të mos më perëndonte dielli i fatit andej bregut të shpresës. M’u bë se u err jashtë e u err brenda. Mbase vetëm kur u err brenda, terri u përhap edhe përjashta. Obobo!!!


REGJISORI

(Ngrihet nga vendi ku qëndron i ulur në publik)

Maestro, a mund të vazhdojmë?


MAESTROJA

Pse të mos vazhdojmë përderisa publiku po pret?


REGJISORI

Ata vanë e më s’u kthyen. Por, çështja e vetëvrasjes së Bardhylit, sa interesante dhe e dhimbshme, po mbetet mjaft enigmatike.


MAESTROJA

Ai thonë se e donte Lirinë. E donte aq tepër, sa nuk mund të shpjegohet.


REGJISORI

A ia kishte shfaqur dashurinë Lirisë?!


MAESTROJA

Thonë se jo vetëm që ia shfaqi dashurinë asaj, por edhe luftoi për të.


REGJISORI

Atëherë ç’ndodhi?


MAESTROJA

Ah, femra është si jeta, si fati, si vetë hija. Kur e ndjek, të ik. Kur i ikën, të ndjek pas.


REGJISORI

Ç’doni të thoni me këtë?


MAESTROJA

Ajo ishte një vashë e bukur, tepër e bukur dhe joshëse për djaloshin. Por, meqë ishte e bukur, i joshte edhe të tjerët, pothuajse të gjithë. Bukuria dhe sjellja e saj aq shumë u keqkuptuan, saqë ajo ngjante në një lavire.


REGJISORI

Me një lavire?!


MAESTROJA

Pikërisht. Mbase mund të ishte, siç e përmenda më parë, edhe keqkuptim. Por krijohej përshtypja se kush çohej më herët asaj mund t’i falte puthje, kush mundej më parë ia ndrydhte gjinjtë, cilit t’i jepej rasti do të mund t’ia përvilte fustanin, kush të vinte në radhë i pari mund ta pallonte.


REGJISORI

Dhe?


MAESTROJA

Mos pyet. Bardhyli kish dëgjuar për të gjitha këto ndodhi. Nuk e kishte marrë me mend se qenia njerëzore mund të binte kaq poshtë. Mbase edhe kishte sharruar thellë kur, me gjasë, gabimisht e kishte konsideruar Lirinë të shenjtë.


REGJISORI

Për nder, po më lë pa mend me rrëfimin tënd, o njeri!


MAESTROJA

E di se është e tmerrshme dhe e pabesueshme të rrëfehet, por kishte ndodhur e pandodhura.


REGJISORI

Cila e pandodhur?


MAESTROJA

Thuhet se një nga një ishin vrarë dashnorët e Lirisë. Shumë të tjerë qenë burgosur...


Dëgjohen tinguj të trishtëm të një muzike klasike.


REGJISORI

Pse, në shtëpi publike paskësh punuar ajo?


MAESTROJA

Dikush, nuk dihet saktësisht në kishte dyshuar, apo vetëm kishte konstatuar, se Liria kishte punuar në shtëpi publike.


REGJISORI

A i ra në fije kush kësaj shtëpie?...


MAESTROJA

Nuk e di, për patriotizëm, për t’u maskuar, apo për ndonjë arsye tjetër, ajo ishte emërtuar “Kosova”. Aty shkonte dhe e shkërdhente kush mundej.


REGJISORI

Po Bardhyli nuk e dinte këtë?


MAESTROJA

Jo, me gjasë, nuk e kishte ditur. Ishte i ri dhe tepër i dashuruar pas saj. Ku di i dehuri? Ose, edhe nëse di, në atë situatë ai është si qura në mjegull. Ai i besonte asaj, i besonte ndershmërisë së saj. Kjo ia theu më së shumti krenarinë. Kjo e vrau të tërin.


REGJISORI

Sipas jush, kjo çështje e vuri në lak?


MAESTROJA

Në mos ishte kjo kryesorja, me këtë atij iu plotësua ai helm që ta shpinte në vetëkryqëzim, në varr.


REGJISORI

E tmerrshme dhe mjaft e çuditshme...


MAESTROJA

E vërtetë. Ishte një i ri, i pamësuar me kurvëritë e jetës. S’e kishte menduar se mund ta tradhtonte ajo aq keq.


REGJISORI

E kuptueshme. Një femër të tillë shumë kush do të dëshironte ta kishte në shtrat.


MAESTROJA

Një femër të bukur do të mund ta dëshironte, por ndoshta jo edhe një lavire, një lavire që ta ha kryet.


REGJISORI

Gjërat e bukura e të shtrenjta gjithmonë e kanë çmimin e lartë.


MAESTROJA

Këto e joshën djaloshin. Këto e dehën pamëshirshëm dhe e tërhoqën drejt humnerës së fatit të vet. Por fatkeqësia tjetër është se me këto shkaqe është e vështirë t’i bindësh më të afërmit e tij. Ata do të dëshironin të ëndërronin gjithmonë për të një nuse të ndershme.


REGJISORI

Po. Me një nuse të tillë ai mund të martohej vetëm në ëndrra, siç edhe mund të supozohet se u martua. Me një nuse të tillë të përsosur mund të martohet vetëm në parajsën e vet, ku pushon tashmë shpirti i tij, dritë pastë!


MAESTROJA

Medet për jetën që tretet në humbëtirat e fatit tonë. Ajme që nuk dimë çka mund të na presë në të ardhmen!...


REGJISORI

Megjithatë, po thonë, se e korrim vetëm atë që e mbjellim. Qoftë në gjyqin e tokës, qoftë në Gjyqin e Qiellit, vetë duhet të përgjigjemi për veprimet tona.


MAESTROJA

Para pritjes, apo pas pritjes?


REGJISORI

Kam dëgjuar të thonë se ëndrrat më të bukura ndodhin në pritje, ndërsa pas pritjes ndodh zhgënjimi.


MAESTROJA

Me çka mund ta përmbushim atëherë zbrazëtinë?! Ne prisnim të na kthehet kuptimi i jetës e po na kthehet sall trishtimi. Sall trishtimi ka qenë vizitori më i shpeshtë dhe më besnik i këtyre anëve. A di kush të më thotë kah po rrokulliset guri i fatit tonë, Imzot?


SHPRESA

(Hyn me rrëmbim)

Vraponi shpejt, se një i ri, i dëshpëruar nga jeta, po do të hidhet nga kulmi i një ndërtese shumëkatëshe, që t’i japë fund!...


(Ndërsa errësohet skena, dalin me rrëmbim)





NË VEND TË EPILOGUT


(Nuk dihej kush ia kishte vjedhur qetësinë. Qetësia e të vdekurit nuk i ishte dashur, por ky shqetësim e kishte gërryer së brendshmi. Bardhyli, shpeshherë e kishte pyetur veten: njeriu lindet me shqetësimin, apo atë e përfton nga trandjet e shpirtit?

Një kohë kish qenë i qetë, në ekuilibër, plot vetë-besim, por diçka ishte shprishur brenda tij. Një gjendje e rëndë, depresive, e kish bërë të dilte jashtë lëkure.

Ndoshta Bardhyli kishte kërkuar edhe të rritej, të zgjerohej, ta ndërrojë fatin e tij.)


“Kam kërkuar të shkel në truallin e së panjohurës. Kam dashur dhe kam synuar ta kapërcej vetveten”, kishte thënë në një rast.


(Ndoshta ishte dashur të pyesë edhe për gjëra të tjera: qerren e jetës a e drejtojmë vetëm për vete, apo edhe për të tjerët? Kështu kishte hyrë në pyllin e dilemave, edhe pse jo verbërisht. Kështu kishte hyrë në mjegullën e meditimeve si oshënari dyfytyrësh: si ai që jeton i lumtur duke hequr dorë nga gëzimet e jetës e herë si ai që pendohet për një dorëheqje të tillë.

Në rrjedhën e këtyre përsiatjeve Bardhyli një ditë kishte pyetur pa ngurrim, pa turp dhe plot vetëdije: mos ia kishte vjedhur qetësinë dikujt? Ndonëse kishte njëfarë bindje se nuk kishte shkelur në shtigje të mëkatit, por çka mund të ishte ajo që e yshtte për në zjarrin e ferrit të vet?


-Ndoshta kemi lindur me damkën e mëkatit në shpirt, ndoshta bëhemi fajtorë sa herë jemi të pakënaqur me veten e me të tjerët, ose nuk jemi në gjendje t’i kuptojmë sprovat e Hyjit,- ishte kredhur shpeshherë në përsiatje. Ishte i vetëdijshëm se një zbrazëti po e sundonte qenien e tij. Kjo zbrazëti bëhej gojë e pangopshme, bëhej humnerë që e gëlltit shpresën. Kishte hyrë në këtë zbrazëti siç hyhet në tempull dhe kishte derdhur lot, kish hyrë në këtë boshllëk siç hyhet në neuropsikiatri dhe ishte parë armiqësisht me veten.


(Kishte hyrë në këtë zbrazëti dhe kishte shëtitur si i dehur, duke kërkuar pasqyrë për ta parë shpirtin e vet. Kur kishte arritur në pafundësinë e këtij trishtimi, kish nisur ta shfletojë Librin e Jetës fletë-fletë. Ishte një përrallë e çuditshme që nuk e kishte ditur asnjëherë më parë. Ndoshta secila qenie e ka përrallën e vet të papërsëritshme. Ndodh që secila përrallë e ka nga një mësim për jetë. Ky mësim mund të ndodhë që e ka çmimin e vet.

Kujt i tregohet kjo përrallë-antipërrallë? Ndoshta është tregim që vetëm jetohet, ndoshta është roman që vetëm lexohet e përjetohet, ndoshta është dramë-antidramë e pashkruar që është shfaqur me mijëra herë në skenën e anti-jetës.)

FUND

(Kosovë, 2008)





Ragip SYLAJ (Sllapuzhan, 1959) me shkrime merret që nga bankat e gjimnazit, kurse në periodikun letrar u paraqit në fund të viteve shtatëdhjetë.




Ka punuar si mësimdhënës, publicist në gazetën e studentëve "Bota e re", në të përditshmen "Bota sot", ndërsa tani është përgjegjës i rubrikës së kulturës në gazetën e përditshme "Zëri" të Prishtinës. Përveç shkrimeve nga fusha e e publicistikës, Ragip Sylaj shkruan edhe poezi, prozë, ese dhe kritikë letrare.




Ka botuar këto vepra letrare:

1. Hije e gjallë (poezi), "Rilindja", 1986,

2. Anatomia e rrënjës (poezi), "Rilindja", 1989,

3. Obsesioni (tregime), "Rilindja", 1992,

4. Lisi i shenjtë (poezi), "Fjala", 1993,

5. Përhitja (tregime), "Plejada", 1996,

6. Mëngjes qumështor me akull (poezi), "Rozafa", 2000,

7. Humbella e fërgëllisë (tregime), “Rilindja”, 2001.

8. S’kam kohë të jetoj me vdekjen (tregime), “Rozafa”, 2004,

9. Eliksir (poezi), “Rozafa”, 2007,

10. Estetika e misterit, 2008,

11. Hija e shtëpisë, “Rozafa”, 2008.




Etj.







Për librin e poezive "Hije e gjallë" është vlerësuar me çmimin "Hivzi Sulejmani" që jepej për librin më të mirë të autorëve të rinj (1986), ndërsa në vitin 1999 u nderua me "Penën e artë" të revistës për kulturë, art dhe letërsi "Fjala" për poezinë më të mirë (“Kurth për liridashësin”), të botuar midis dy mitingjeve të poezisë në Gjakovë. Po ashtu është fitues i shumë çmimeve në konkurse të ndryshme letrare.

Poezia e këtij autori është përfshirë në antologjinë e Ali Podrimjes “I kujt je, atdhe” (Sprovë për një antologji, 2, Prishtinë, 2003), të Ardian-Christian Kyçykut “Un alfabet al poeziei albaneze" (Një alfabet i poezisë shqipe, antologji e poezisë shqipe në gjuhën rumune, Bukuresht, 2003), etj.

Teatri i qytetit të Prizrenit dha shfaqjen “Plis i pashkelur” (2007)., të ndërtuar me poezi të këtij autori.

AKADEMIK KOPI KYÇYKU: Kultura në kontekstin e globalizimit

Dihet tashmë se globalizimi është procesi i zgjerimit, i thellimit dhe i përshpejtimit të ndërlidhjeve në shkallë botërore, jo vetëm në lëmin ekonomik, por edhe në atë shoqëror, politik, teknologjik e kulturor. Në kuadrin e marketingut global strategjia e firmave synon të promovojë marka universale, me ç’rast kultura e publicitetit bëhet një industri e vërtetë.

 Nga kjo pikë vështrimi, globalizimi përbën një dukuri që ka të bëjë me qarkullimin e informacioneve e të ideve, pra me diçka jashtë fakteve kulturore të mirëfillta. Hulumtimet shkencore kanë vërtetuar zanafillën e përbashkët të të gjitha qytetërimeve, të cilët, gjatë shekujve, janë çapitur në mënyra e trajta nga më të ndryshmet.

 Ky pohim mund të qëndrojë në themel të konceptit të ekzistencës së një bashkësie njerëzore të vetme, ndërsa kapërcimi i kufijve në hapësirë dhe në kohë nga ana e kombeve dhe e sistemeve ekonomike, çon drejt globalizimit kulturor.

Një sërë zhvillimesh të sotme sjellin argumente në mbështetje të idesë se në themel të procesit të globalizimit qëndron pikërisht kultura.

Falë teknologjisë së informacionit njerëzit hyjnë në marrëdhënie me një larmi normash dhe vlerash kulturore, të cilat, me kalimin e kohës, përftojnë një sjellje, një qëndrim global. Por globalizimi, në parim nuk duhet t’u kundërvihet traditave dhe vlerave kulturore të një kombi. Madje ai lipset të ngjizë e të përhapë një kulturë të shumëpërmasore në pejzazhin e traditave kulturore kombëtare.

Televizioni, radioja, „udhëtimi” elektronik virtual, interneti apo mësimdhënia e hapur në largësi, pa praninë fizike të mësimdhënësit, janë forma të globalizimit kulturor.

Faktorin përcaktues të ndryshimeve në të ardhmen e përbën ecuria e teknologjive informacionale dhe digjitale, të cilat e ndryshojnë mjedisin rrethues dhe kufijtë institucionalë klasikë, përfshi ata kulturorë. Vlen të theksojmë se, në fund të fundit, e rëndësishme nuk është kultura në vetvete, por një cilësi e re e inteligjencës, për të cilën kultura mund të shërbejë si themelvënëse.

Një rol krejt të veçantë në fushën e kulturës ka aspekti etnik etnik i procesit të globalizimit, që parakupton mbartjen e vlerave të ndryshme kulturore kombëtare nga njëra anë në anën tjetër të globit. Bashkësi të fuqishme të popujve evropianë i gjejmë në kontinente të tjerë të globit dhe anasjelltas - bashkësi të Lindjes së Largët, apo të zonave të tjera, i hasim në vendet evropiane.

Secila nga këto bashkësi ruan specifikën e vet kulturore. Në procesin e ndërlikuar të globalizimit, çështja e ruajtjes së identitetit kulturor përshfaq dy pamje: nga njëra anë ekziston rreziku i homogjenizimit kulturor, çka do të thotë që bota mund të kishte një formë të vetme kulture, ndërsa nga ana tjetër një rrezik akut i shpërbërjes kulturore dhe psikologjike, si për individët, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi. Të dy këta rreziqe janë të gërshetuar mes tyre.

Sipas përkufizimit që jep Anthony McGrew, globalizimi është një intensifikim i ndërlidhjes, një përhapje pa sforcim e të gjitha besimeve, vlerave, mallrave, përtej kufijve territorialë të çdo shteti. Kësisoj globalizimi çon drejt "tkurrjes" së nocionit të hapësirës e të kohës; distancat zvogëlohen, bota bëhet më "e ngushtë", si një fshat global (Global Village - sintagmë e famshme e Marshall McLuhan-it).

Por edhe nëse ekziston një afëri e caktuar e kulturave (falë zhvillimit teknologjik), ato janë ende të ndara për shkak të specifikave përkatëse. Në të vërtetë globalizimi synon ta mpakë një gjë të tillë, duke mundësuar që në të gjitha kulturat të shfaqen "shënjat" e konsumit, duke bërë që, edhe në këtë aspekt, çdo vend të ngjajë, më shumë a më pak, me tjetrin.

Sa i takon përmasës kulturore të një shoqërie, kjo është e vështirë të përcaktohet sidoqë ka disa veçori:

a. Kultura mund të këqyret si sferë e ekzistencës, në të cilën njerëzit ndërtojnë domethënien e praktikave me ndihmën e simboleve;

b. Është një mënyrë, me të cilën njerëzit i japin një kuptim jetës falë komunikimit ndërmjet tyre;

c. Qëllimi i kulturës është, gjithashtu, t’i japë një kuptim jetës;

d. Kultura mund të shihet edhe si «territori» i domethënieve nga këndvështrimi ekzistencial;

e. Si përfundim, kultura përmbyll krejt larminë e praktikave të përditshme, duke frytuar vetë ekzistencën njerëzore.


 
Në periudhën e globalizimit, përmasa kulturore jo rrallë ngatërrohet me kulturën mediatike, pra me atë të teknologjive audio-vizuale dhe të komunikimit, me anën e të cilave përcillen shfaqjet kulturore. Me «kulturë mediatike» kuptojmë tjetërsimin përmes konsumizmit, një demokratizim i konsumit, por edhe një "mediokrizim" i tij.

Në epokën tonë të internetit e të televizionit, kultura bëhet relative: na thuhet çfarë dhe ku të shohim, çfarë të lexojmë e të dëgjojmë.

 Njëherazi me kulturën masive, sikurse ve në dukje Edgar Morin, nxjerr krye një «kolonizim» i dytë. Një kulturë e tillë synon «gërryerjen» e kulturave të tjera, deri në zëvendësimin e tyre. Kështu kultura masive bëhet kultura e parë universale në historinë e njerëzimit.

Bota e sotme, siç tërheq vëmendjen Samuel Huntington, - autori i bestseller-it The Clash of Civilizations, - po shkon drejt pluriqytetërimit, duke fshehur «përthyerje» të pashmangshme. Kultura e mediave na përshfaqet si një "agjent" i globalizimit për shkak të universalizimit të zbavitje-argëtimit, mbivlerësimit të këtij të fundit, duke çuar, gati pashmangshëm, në një gjendje varësie.

 Sikurse ka theksuar hulumtesi rumun Adrian Rakieru, «kultura coca-cola i josh turmat dhe shkakton shqetësimin e kulturave të vogla. Globalizimi përjashton mbylljet kulturore dhe ekonomike». Më tej, ai shton se «Rrezikojmë që, në vend të një qytetërimi të diversitetit, të përfshihemi në një qytetërim të vetëm – të zbavitje-argëtimit».

Kështu, pra, masmedia përfaqëson vetëm një pjesë të procesit nëpërmjet të cilit përshfaqet ndërtimi i kuptimeve simbolike, duke qënë njëra nga trajtat e shprehjes së globalizimit nga pikëpamja kulturore.


Në librin e J. Tomlinson, “Globalizim dhe kulturë”, hasim pohimin sipas të cilit kultura do të përfaqësonte aspektin thelbësisht të pavarur të procesit të ndërlidhjes së shumëfishtë. Po ashtu, simbolet kulturore mund të përftohen gjithkund, kurdoherë, përderisa nuk ekzistojnë kufizime që lidhen me prodhimin apo riprodhimin e tyre. Në këtë kuptim, në sajë të marrëdhënieve dhe trajtave të saj, kultura është globalizuese. Bota i ngjan një tregu të pamatë mallrash.

 Veprimet e individëve përcaktojnë vetë kulturën së cilës ata i përkasin, duke arritur të kenë rrjedhoja globale. Globalizimi është me rëndësi të veçantë për kulturën. Ai bën të mundur që «negocijimi i përvojës kulturore të mbërrijë në qëndrën e strategjive të ndërhyrjes në fusha të tjera ndërlidhjeje: politike, ekologjike, ose ekonomike». Si rrjedhojë, me anë të globalizimit kultura fiton peshë në të gjitha fushat e mësipërme.

Sociologu Anthony Smith e paraqit kulturën globale si diçka artificiale, të patrajtë. Sipas tij, kultura në fjalë, në fund të fundit, është një kulturë e sajuar, e stisur, ahistorike. Por jo vetëm kultura globale është sajesë, por edhe kultura kombëtare. Veçse, në dallim nga e dyta, kultura globale nuk është specifike, as e përcaktuar në kohë dhe në shprehësi.

Lidhur me pohimin e Smithit, sipas të cilit një kulturë kombëtare është ngrehina e disa mendjeve të mençura dhe përbëhet nga tradita të shpikura, duhet përmendur fakti që, - pa e vrarë mendjen shumë, - mund të ndërtohet edhe një identitet i rremë - parazit në shpinë të ndjenjës së identitetit të një kulture.

 Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në rastin e komunizmit, kur “vlera” dhe “ide të reja” ua zunë vendin vlerave të Shqipërisë së përhershme. Mund të flitet, gjithashtu, për një "imperializëm kulturor", të barasvlershëm me atë të një kulture globale. Ky vizion ka pikënisje faktin që kultura të caktuara, - le t’i quajmë të mëdha, mbizotëruese, - priren të lenë "pa frymë" kultura të tjera më të prekshme.

 Sidoqoftë, megjithëse është përqafuar nga disa kritikues të kapitalizmit, një teori e tillë nuk mund të ketë taban në praktikë, ngaqë lëvizja mes sferës kulturore dhe asaj gjeografike dikton ndryshime, shndërrime.

 Arsyeja është se globalizimi ka si tipar veçorizues kryesor lehtësimin e qarkullimit të informacioneve dhe nuk janë të pakët ata që shohin tek ai një proces të mbisundimit të të dobtëve nga ana e korporatave të rëndësishme të botës. Gjithsesi, globalizimi nuk ka karakter homogjenizues; përkundrazi, çon në diferencime të hapësirës globale.

Në librin e autores rumune Ekaterina Kokora me titull “Globalizim dhe menaxhim” ndeshim grupfjalët Think global, act local. Vetëkuptohet prirja e filialeve të kompanive të mëdha prodhuese për ta përdorur dhe për ta eksportuar më tej në shkallë planetare fuqinë puntore të pranishme në vendin pritës.

 Mund të themi se e njëjta ndodh edhe në rastin e kulturës, sidomos në kinematografi - art i cili nuk kërkon meditime të thella dhe kohë të kulluar psikologjike për të tejçuar kumtet dhe gjerdanët me simbole. Një shëmbull domethënës është seria e filmave me Harry Potter-in, ku regjisorët, aktorët, skenografët e kombësive dhe feve të ndryshme kanë bashkëpunuar për të jetësuar një projekt që ka themeluar tashmë një armatë fansash të përkushtuar, jo rrallë fanatikë, anembanë globit.

Duhet thënë se në librin nga buron seria e lartpërmendur shtjellohen disa veçori të globalizimit, si:

1. ka teknologjitë e veta - kompjuterizimin, komunikimin me satelit, internetin;


2. ka modelin e vet demografik - përshpejtimin e ndjeshëm të zhvendosjes së njerëzve të mjedisit rural;


3. ka strukturën e vet të pushtetit, në kuadër të të cilit sistemi i globalizimit ndërtohet mbi tri baraspesha forcash - a. baraspesha tradicionale ndërmjet shteteve kombëtare; b. baraspesha ndërmjet shteteve kombëtare dhe tregjeve globale; c. baraspesha ndërmjet individit dhe shteteve kombëtare.

Globalizimi mund ta ruajë bashkekzistencën paqësore midis kulturave vetëm në kontekstin e pikënisjes nga specifika e "industrive kulturore" për të mbrojtur lirinë e informimit dhe për të shmangur përqëndrimin e kulturës vetëm në duart e një elite. Gjithashtu shkencat shoqërore lipset “të studiojnë identitetin e ri kulturor ashtu siç shfaqet në botën e çkolonizimit, e globalizimit ekonomik”.

Për rrjedhojë, "komercializimi i lirë" i kulturës hëpërhë duket një veprim fisnik, përmes të cilit çdo qytetar i globit mund të përfitojë nga qarkullimi i lirë i ideve, i fjalëve, i pamjeve, duke nxitur njëlloj vendet e pasura e të varfra ta përhapin e ta bëjnë të njohur kulturën e tyre. Nga ballafaqimi i opinioneve të ndryshme, pro dhe kundër, mund të dilet në përfundimin se globalizimi krijon vetëdijen e larmisë, fuqizon demokracinë dhe e bën individin të aftë të zgjedhë midis shumë variantesh të mundshme.

Gjithashtu, ky individ mund të vetëmbrohet kundër manipulimit, sepse ka mundësi ta qëmtojë e ta zbulojë atë. Globalizimi ka rol të veçantë për të shkurtuar dhe «asgjësuar» distancat dhe hapësirat që i ndajnë kulturat. Bota po bëhet një vend i vetëm, ndërsa ne jemi të gjithë "fqinjë".

KOPI KYÇYKU: Dëshmi të qëndresës intelektuale

Në çdo diktaturë, veçanërisht në atë komuniste, intelektuali është i detyruar të zgjedhë, - publikisht ose në intimitetin e vet shpëtimtar, - një nga alternativat e mëposhtme:

a. të jetë aminollar i pushtetit, gjë që nënkupton jo vetëm heqjen dorë nga profesionalizmi, por edhe pranimin pa një pa dy të kompromisit;

b. “tërheqjen” në sferat ezoterike të kulturës, gjë që, në mungesë të çdo perspektive tjetër, mund të cilësohet si mënyra ideale e qëndresës pasive ndaj të këqijave të regjimit;

c. qëndresën me dinjitet, të hapur dhe energjike, ndaj ideologjizimit të kulturës dhe dëmtimit të skajshëm të marrëdhënieve ndërmjet pushtetit politik dhe shoqërisë civile.

Megjithse tek ne, - për arsye të njohura, që kulmojnë me pamundësinë e plotë për të shprehur apo shpallur në shtyp bindjet e kundërta me të regjimit, - nuk ka pasur një letërsi të dukshme disidente si në ish-Bashkimin Sovjetik, Poloni, Çeki, Sllovaki, Hungari dhe deridiku Rumani e Bullgari, - vende ku liria e shtypit dhe e shprehjes nuk ishte aq e kufizuar, - mund të qëmtojmë dhe të rindërtojmë disa momente, individuale, por edhe në grup, të qëndresës shqiptare. Në historinë e disidencës sonë intelektuale janë të mirënjohur emra si Trifon Xhagjika, Bilal Xhaferri, Agim Musta, Bedri Myftari, Visar Zhiti, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Uran Kostreci, Ylber Merdani, Petraq Kolevica, Piro Kuqi, Zhaneta Ogranaja, Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli, Ali Oseku, Anton Çefa, Ferik Ferra, Maks Velo e shumë të tjerë, të cilët hodhën në letër, në telajo e në pentagram, ngjitën në skenë e në ekran vepra me përmbajtje e nivel të lartë (lexo: nivel të lirë estetikisht) ideor e artistik.

Pra, edhe në kushtet e rënda të ndrydhjes së artit autentik prej vargonjve të ideologjisë zyrtare, mjaft vlera shpirtërore të vërteta mbijetuan.

Në këtë drejtim ndikoi jo pak solidariteti mes krijuesve që, në rreth të ngushtë e kokë më kokë, (gjithnjë duke rrezikuar kokën) shkëmbenin mendime rreth të ardhmes së artit në një Shqipëri demokratike. Vetë qëndresa antitotalitariste e kërkonte dhe e nënkuptonte një solidaritet të tillë.

Argumenti i fuqishëm i disidentëve ishte eliminimi i kompromiseve të çdo lloji, përfshi edhe kompromisin moral. Njëkohësisht, ata vinin me avantazhin e një kulture të tipit evropian.

Në fillim, aparatçikët, kulturçikët, nuk i ranë dot hiles, por, me kalimin e kohës, kur gjithçka zuri të shpërthente hapur, konflikti ndërmjet të rinjve dhe atyre që kishin lidhur qysh herët pakt me djallin, u acarua.

Fillimisht cenzura e pa veten të papërgatitur dhe u befasua ngaqë krijimet e demokratëve, përveç erudicionit e finesës, aluzionet e alegoritë therrëse antitotalitariste i përçonin me një gjuhë të stërholluar e me nëntekste të mençur, të pakuptueshëm lehtë nga koka të mykura prej dogmash.

Ndërkaq numuri i “rojeve” vigjilente u shtua me shpejtësi.

Këta kalemxhinj servilë mezi prisnin të përgatisnin me
“përkushtim parimor” raporte që i dërgonin në dy adresa: në Komitetin Qëndror të PPSh dhe në Sigurimin e Shtetit.

“Gjah” i parapëlqyer për këto “ameba” pa shtyllë kurrizore, u bënë në radhë të parë dorëshkrimet që krijuesit përparimtarë çonin në gazeta, revista dhe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”.

Në çdo fjalë dhe mes rreshtave, inkuizitorët zorrëkuq përpiqeshin të gjenin qimen në vezë dhe ta paraqitnin të bardhën të zezë.

Kulmin e nivelit intelektual-ideor e të burrërisë disidenca shqiptare e shënoi me dërgimin e Letrave të hapura në udhëheqjen më të lartë të partisë-shtet, përfshi personin numur 1 të saj.

Me këtë akt të pashëmbullt në atë periudhë të errët, intelektualë të shquar, që ndodheshin ende jashtë burgut, si shkrimtari e dramaturgu Kasëm Trebeshina, apo pedagogu i letërsisë Qani Çollaku, vëlla heroi, sidhe të tjerë, që ishin në pranga tashmë, si Fadil Kokomani e Vangjel Lezho, krahas denoncimit të diktaturës, guxonin t’i thoshin “ndal” edhe heshtjes ndaj krimeve të llahtarshme të regjimit.

Në një kohë kur shumëkush, i mposhtur nga trysnitë e egra, kish arritur në përfundimin se nuk mund t’i bihej murit me kokë, Letrat e disidentëve të lartpërmendur, që ishin tekste thelbësore të filozofisë morale, rrëzonin murin e “sigurimzuar”, duke “ftuar” për dialog vetë kryeshkaktarin e të gjitha të këqijave që përjetonte prej vitesh një popull i tërë.

Nuk ishte fjala, pra, për dialogje që zhvilloheshin kokë më kokë, në fshehtësi të plotë, midis miqsh, sa më larg veshit e syrit të “armës më të dashur të partisë”, por me zë të lartë, frymëzuar nga nevoja sokratike për të vërtetën, pas pamundësisë për të zgjidhur problemet me institucionet e tejpolitizuara të të gjitha shkallëve.

Letrat e disidentëve përmbanin qëndrime kritike për gjendjen e mjeruar ekonomiko-sociale dhe sidomos për mungesën e të drejtave më elementare të njeriut.

Kjo, në një kohë kur intelektualët e vendeve të tjera eurolindore dërgonin pa pengesë në Perëndim materiale me përmbajtje antikomuniste, të cilat botoheshin, ose transmetoheshin të plota nga radiot “Zëri i Amerikës”, “BBC” dhe “Evropa e Lirë”.

Duke marrë rrezikun në sy dhe duke shpërfillur pasojat edhe më të rënda që do të shoqëronin këtë mënyrë komunikimi katarsiste, disidentët shqiptarë dëshmonin një etikë të re qytetare dhe një shpirt të pavarur, të paindoktrinuar e të panjollosur nga ideologjia komuniste.

Në Letrat e disidentëve jepeshin gjykime të pjekura rreth përmbysjes së shkallës së vlerave nga regjimi totalitarist dhe, përmes një ironie të hollë, fshikulloheshin mjaft dukuri negative, që e kishin zanafillën në politikën miope dhe vetizoluese të partisë-shtet.

Të konceptuara si një formë incipiente e një dialogu a debati publik të mundshëm, Letrat në fjalë përfaqësojnë analiza të mprehta, të sakta, të gjalla e të dokumentuara të kalbësisë së regjimit diktatorial, duke formuluar edhe ide të qarta dhe bindëse për rrugëdaljen nga kriza gjithëpërfshirëse dhe frymëzënëse.

Letrat programatike të disidentëve shqiptarë, të këtyre njerëzve normalë që fati i zi i bëri të jetonin nën një regjim ano(r)mal, përbëjnë një aktakuzë pa të dytë ndaj komunizmit, i cili konsiderohet “marrëzia më e madhe e sajuar nga njerëzit kundër njerëzve”.

Nga frika se idetë e thella të Letrave mund të përhapeshin me shpejtësi në mbarë vendin duke pasur pasoja fatale për regjimin, ato nuk u kthyen kurrë në dialog. Në vend të përgjigjeve që duhej të jepte, diktatura i cilësoi akte vetëdënimi dhe i fundosi edhe më thellë në terr autorët e tyre.

Por, nga ajo që ke frikë, nuk shpëton dot. Regjimi totalitar u përmbys, ndërsa fryma e Letrave ndjehet ngado sot në botën shqiptare, bashkë me mirënjohjen ndaj autorëve të tyre që ishin zgjedhur, si duket, ta mposhtnin totalitarizmin dy herë me radhë, para dhe pas daljes së kombit nga skëterra.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...