Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/03/28

Si e mbaj mend nxënësin tim Sali Berisha?

Nga: Prof. Murat Gecaj

Fillimi i viteve '90-të solli ndryshime të shpejta në vendin tonë. Nismëtarë të lëvizjes demokratike në Shqipëri u bënë disa intelektualë të guximshëm, të cilët edhe publikuan në shtyp artikuj thirrës e nxitës, që kërkonin reforma rrënjësore dhe ishin me nëntekst për ndryshimin e sistemit komunist në fuqi. Për këtë arsye, pati edhe ndonjë poet, që me mendimet e shprehura në vargjet e tij u vu në shënjestrën e regjimit të kohës. Ndërsa shkruan disa artikuj, që lanë gjurmë të thella në popull, intelektualë mjaft të njohur edhe për atë periudhë, si Dr. Sali Berisha, Dr. Ylli Popa e të tjerë. Me historikun e ngjarjeve të stuhishme të vitit 1990, 1991 e 1992 dhe në vazhdimësi, tashmë, jemi njohur të gjithë. Por dua të nënvizoj se e kam ndjekur me simpati dhe me nderim përkushtimin e guximin, që treguan Dr. Berisha, Azem Hajdari e të tjerë, në ballë e në udhëheqje të rinisë e popullit, që kërkonin ndryshime cilësore të pushtetit, si dhe në krijimin e forcës së parë opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike. Tërë ky vrull i paparë u shoqërua me rrëzimin e simboleve të komunizmit dhe fillimin e projektit për një shtet të ri demokratik europian. Kështu, rasti e solli që u ndodha pikërisht përballë, kur u rrëzua monumenti i E. Hoxhës në kryeqytet; ndoqa mitingjet e protestës, si në Qytetin "Studenti" e tjerë dhe shkova në mbështetje të grevës së urisë së studentëve, me bashkëshorten dhe dy djemtë e vajzën time.
Më vonë, duke ushtruar detyrën e gazetarit të arsimit, ka patur raste që jam takuar me Dr. Berishën, kryetar i PD-së e President i Republikës, si në konferenca shtypi dhe në punimet e Kuvendit të Shqipërisë, në Tiranë, por dhe në veprimtari të ndryshme nëpër rrethe. E tillë ka qenë, për shembull, veprimtaria kushtuar një përvjetori të shënuar të Normales së Elbasanit, të cilën ai e cilësoi atë "Universiteti i parë shqiptar".
Me vënien në përdorim gjerësisht të internetit e të celularëve, sidomos në këto vitet e fundit, jo vetëm në një rast, kam shkëmbyer mesazhe me Dr. Berishën e familjen e tij. Ai është treguar i vëmendshëm e korrekt jo vetëm në rastet e festave të ndryshme, por dhe në përvjetorë vetjakë. Kështu, në mars të vitit 2010, unë kisha 70-vjetorin e lindjes dhe përurova një libër jetëshkrimor. Në përgjigje të ftesë sime për të marrë pjesë aty, ai më dërgoi këtë mesazh në celular, të cilin e ruaj ende të pafshirë: "Në pamundësi me marrë pjesë në promovimin e autobigrafisë së mësuesit tim të respektuar, ju uroj! Me shumë mirënjohje për të gjithë kontributin tuaj. Me respekt: Sali Berisha". Po kështu, në një urim me rastin e 28 Nëntorit 2010, ai më shkruante: "Gëzuar këtë ditë, ditëlindjen e kombit dhe të flamurit tonë, më të bukurin mbi tokë. Me repekt: Sali Berisha".
Që mos ta lodh lexuesin e këtyre radhëve, po përmend dhe takimin e kohëve të fundit me Kryeministrin, Prof. Dr. Sali Berisha. Në prag të festës së 7 Marsit 2011, pra, Ditës së Arsimit kombëtar shqiptar, më njoftuan nga Ministria e Arsimit e Shkencës se aty kishin një ftesë të posaçme nga ai, për të marrë pjesë në ceremonitë festive, që u organizua në Pallatin e Brigadave. Sigurisht, ky ishte nderim e kënaqësi për mua. Bashkë me kolegët e tjerë dhe të ftuar të shumtë, isha dhe unë i pranishëm aty. Pas fjalës së rastit dhe urimit, që bëri Kryeministri Berisha për të gjithë mësuesit e pedagogët, nxënësit e studentët dhe prindërit e tyre e mbarë popullin e Shqipërisë, mori pjesë në koktejin e shtruar. Sigurisht, gjeta rastin që, bashkë me të tjerët, të afrohesha dhe ta takoja gotën me të. Sapo më pa, ai buzëqeshi e më përqafoi fort dhe iu drejtua të pranishmëve: "Është gëzim për mua, që sot po takoj këtu edhe ish-mësuesin tim!…". E falënderova për fjalët e tij dhe për mesazhet, që ai më kishte dërguar për ditëlindjen time dhe në raste të tjera.
Në mbyllje, dëshiroj të bëj një sqarim për secilin lexues të këtyre pak radhëve. I shkrova këto pa marrë parasysh aspak pozitën ose autoritetin e kaluar dhe aktual të ish-Presidentit e Kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha. Por u nisa e desha të flas dhe të tregoj me zemër të hapur dhe pa asnjë interes vetiak ose familjar, për aq sa e njoh unë, që në fëmijërinë e tij e deri më sot, që ai e ka dëshmuar veten gjatë tërë jetës njeri të thjeshtë e në radhët e para të punëve, ka qenë e është i ndershëm në profesion e në detyrë dhe se ka shpirt të pastër njerëzor. Përfundimisht, kam mendim të palëkundur dhe jam i nderuar që e kam patur nxënës në shkollë, mik në jetë dhe Partia Demokratike e shoqëria demokratike shqiptare, e kanë pasur dhe e kanë sot, Prof. Dr. Sali Berishën, në udhëheqje.

Udhëtim me Nezi Alizotin për një varr të humbur

Miranda HAXHIA,Tiranë
Në udhëtimet me Nezi dhe Sevim Alizotin mbeta e gozhduar qysh prej Korçe. Promovohej biografia e Fehim Bej Zavalanit, stërgjyshit të tyre, babait të publicistit dhe atdhetarit të shquar, Tajar Bej Zavalani. E vështroja Nezin dhe motrën e saj Sevimin gjatë ceremonisë së librit dhe pyesja veten: Po unë çfarë do t'u rrëfej nipërve dhe mbesave për të parët e mi? Kush e di sa krenare duhet të jenë këto dy zonja të urta, të thjeshta dhe të mençura për trungun nga kanë rrjedhur. Por kjo do të zgjaste shumë pak, pasi historia e jetës së tyre më bëri të mendoj pyetjen pasardhëse: Kushedi çfarë dhimbje ndjejnë këto dy zonja të urta, të thjeshta dhe të mençura kur qëndrojnë për një çast mbi trungun e prerë dhunshëm të familjes së tyre nga regjimi komunist!
***
Atë kohë ishte prill. Nezi Alizoti ishte vetëm tre vjeç. Nuk e kuptonte se një gjyq special, pikërisht në vitin 1945, do t'ia dënonte gjyshin me pushkatim.
Po kështu, më vonë, shumë më vonë, do të mësonte se gjyshin e saj nuk e kishin kapur plumbat e skuadrës së pushkatimit ashtu si gjashtëmbëdhjetë burrat e tjerë. Atë çast, ai kishte mundur të fliste: "Sipas ligjit ndërkombëtar më falet jeta…".
I kthehen duke i thënë: "Komunistët nuk njohin ligje…" dhe e gjuajnë me plumb pas koke.
Sa herë janë përsëritur këto fjalë: Komunistët nuk njohin ligje! Sa njerëz u zhdukën pas kësaj fjale!
Nezi, motra dhe vëllai i saj, nuk kujtojnë a i thirrën ndonjëherë "gjysh" atij burri të mençur që ishte shkolluar në Turqi.
Ishte pesë vjeç kur i dënuan të atin me varje, Riza Fejzi Alizoti, inxhinier nafte. Nëpër mjegull kujton ndonjë tipar të të atit, ndonjë belbëzim që nuk do ta shqiptonte kurrë më, pas moshës pesë vjeçare, baba!, apo përqafimet që u kanë munguar gjithë jetën, përqafime e përkëdhelje që dinë të japin veç etërit.
Nëna e saj, Vera Alizoti (Ypi), u end nëpër internime, derisa dha shpirt në Kryevidh të Kavajës në vitin 1970, pa mundur të bëjë paraqitjen e radhës, të orës pesë në mëngjes e të orës pesë pasdreke te operativi. Rrojti shumë, ishte vetëm 46 vjeç kur u nda nga jeta prej një sëmundjeje të rëndë, pa mjekim dhe pa ndihmë.
Nezi është e motra e Fejzi Alizotit të ri, kaluar gjithë jetën në internim dhe në burgjet e Spaçit Qafë-Barrit.
Janë histori që nuk rrëfehen në udhëtimin e shkurtër nga Tirana në Kuçovë.
***
Rrugën e Kuçovës e kam bërë me dhjetëra herë, por nga rrugëtimi i fundit në atë cep qyteti, mësova se nuk kisha shkuar asnjëherë në jetën time. Ndokush mund të mendojë se kjo nuk është fort e qëlluar, por besoj se njeriu udhëton jo vetëm kur shpie diçka, por kur mbart me vete diçka nga qyteti në kthim. Atë rrugë e kam bërë me fëmijët e mi, por nuk kam patur histori të mëdha, të vërteta për t'u rrëfyer. Jeta ime, gjyshërit e mi, prindërit e mi nuk kanë ngjarje, nuk kanë të pathëna. Ata që nuk jetojnë më e kanë një varr dhe unë e di. Ata që jetojnë ende e kanë një strehë e pikëpjekja me ta është një thjeshtësi e thellë.
Kurse të udhëtosh me Nezi Alizotin do të thotë të vështrosh me sy fëmije e të kuptosh se toka ku ti ecën, bari ku ti shkel mund të gjëmojë nga rënkimet dhe eshtrat e të humburve, të vrarëve, të pushkatuarve, të varurve, të zhdukurve përgjatë diktaturës.
Në anë të rrugës, mes lulishtes, gati e padukshme, është një pllakë e thjeshtë mermeri. Nuk ka madhështinë e lapidarëve të luftës, as shtrenjtësinë e lapidarëve të aksidenteve rrugore. Është një kujdes njerëzor i Bashkisë së Kuçovës, e cila e nderoi inxhinierin që punoi në atë qytet.
Një pllakë përkujtimore për ditëlindje dhe ditëvdekje. I lindur dhe i varur në të njëjtën ditë, 36 vjet jetë midis.
Pikërisht aty, ku dikur lëshonte degët një rrap i vjetër, u var një njeri. Iu hodh litari i vdekjes një inxhinieri të zot nafte. Ishte viti 1947, koha kur pushteti i Hoxhës po u hidhte litarin të gjithë njerëzve të shquar shqiptarë, në të gjitha familjet e njohura, në të gjithë shtresën që në kohë të ndryshme, kush më shumë e kush më pak, kishin vënë nga një gur në themelet e shtetit shqiptar.
Rrapi, kjo pemë e vjetër, dëshmitare e pagojë nuk është më. E kanë prerë. Ndoshta nga frika se do të rrëfente çastet e fundit të jetës së inxhinierit. Ndoshta nga babëzia për të prerë, për të vrarë, për të shkulur… rrënjët e atdheut!
Një njeri kujton se ishte fare fëmijë atë vit të largët, ishte buzëmbrëmje, kur bashkë me dy-tre shokë vërtiteshin rreth rrapit për të marrë nga një govatë betoni ndonjë pije të freskët që ishte futur në akull. Panë që po varnin një njeri. Tregona, o dëshmitar! Oh, sikur ta dinit ju si ishin ato çaste të fundit për babain tuaj! Nuk mund të rrëfej, e kam të pamundur! Juve, vajzës së tij, jo, nuk është e drejtë!
Nezi përlotet. Ka mësuar fundin e gjyshit, dëshirën e vetë vdekjes për të mos e marrë. Plumbat këmbëngulës të komunistëve për ta vrarë. Ndërsa litari i të atit, vuajtja e tij, çastet e fundit… vetëm një perëndim dielli mund ta zbusë dhimbjen. Vetëm një agim mëngjesi mund ta kthjellojë arsyen deri në fund e të bëjë një kompromis me paqen dhe me jetën e gruas që u rrit pa gjysh, pa baba, më tej pa nënë dhe gjithmonë me frikën se po të rrëfente se cila ishte, do ta dënonin edhe atë, edhe motrën apo vëllain.
***
Rizai, kishte bërë një "krim" të madh për diktaturën, ishte shkolluar në Stamboll në "Robert College", vijoi studimet në Shkollën Teknike "Harry Fultz". Më tej, në vitin 1929 filloi studimet e larta në Angli, për inxhinieri miniere. Po kështu, si Rizai kishte edhe shqiptarë të tjerë që studiuan në Angli, Rizai u kthye në Shqipëri që të punonte në vendin e tij. U emërua me punë në puset vajgurore të Kuçovës. Ai u internua prej italianëve në Porto Romano, pasi bashkohet me punëtorët për të drejtat e tyre.
Riza Fejzi Alizoti me jetën mbërthyer në litarin komunist nuk e shëmtoi as rrapin e vjetër, as familjen e tij, as jetimët që la pas, as Shqipërinë. Ajo vdekje ashtu si dhjetëra e qindra të tjera përgjatë diktaturës, shëmtuan vetë sistemin që tashmë mbahet me ndonjë cep përroi ku eshtrat e të humburve nuk gjenden e askush nuk rrëfen kurrgjë; me ndonjë cep lakmie për të zhbërë, tjetërsuar e zhvlerësuar rolin e madh që pati jo vetëm jeta, shkollimi, puna e atyre njerëzve, por edhe vetë dënimi i tyre me të cilin mburreshin e lëvdoheshin paranojakët e sistemit, ajo vdekje është vetëm dinjitet.
Në fund të rrugëtimit, Nezi kujton çastet kur nëna e saj vuante dhe në përpjekje të mundimshme për ta kuruar, përgjigjja e funksionarëve të Ministrisë së Shëndetësisë në atë kohë në Spitalin Onkologjik e kujtoi: "Nuk është çerdhe e Alizotëve këtu".
***
Kurse sot, udhëtimet e Nezit janë udhëtime në kërkim të varreve. As gjyshi i saj, as babai i saj nuk e kanë një varr. Gjyshi, të paktën prehet bashkë me gjashtëmbëdhjetë martirë të tjerë. Rënkimet e tyre janë të njëhershme dhe dhimbja shpërdahet. Po babai i saj? Ku është përroi ku mendohet se e kanë varrosur? Edhe një pllakë tjetër në buzë të tij, në cep të Kuçovës nuk e mposht dot rënkimin e të zhdukurve.
Në ka një gjest që mund të mbulojë çdo mërmërimë mbi gjashtëdhjetë vjeçare që vjen prej eshtrave të të humburve është violina e Plarentit, djalit të Nezit, i cili ishte vetëm 14 vjeç kur mësoi se tingëllima e muzikës së tij përbënte rrezik për regjimin e Enver Hoxhës, pasi ishte nip i një gjyshi të varur në degën e një rrapi të vjetër në qytetin e vogël të Kuçovës.

Letër e hapur për z. Lubonja - “Grek apo shqiptar”



nga Pleurat Rexhepi
 
Përshëndetje z. Lubonja,
Më lejoni të shpreh konsideratën time maksimale për ju dhe për shkrimet tuaja. Unë që po ju shkruaj quhem Pleurat Rexhepi, (student i Doktoraturës në King’s College London me bursë nga Fondi i Ekselencës) dhe kam mbi 10 vite që jetoj në Angli.
Ideja dhe argumentimi juaj në debatin e fundit tek “Opinioni” (“Grek apo shqiptar”) është shumë perëndimor dhe shumë parimor për një shoqëri të avancuar. Patjetër që argumentimi juaj do të ishte shumë i denjë për një audiencë të BBC-së, ku vlerat multikulturore janë parimet bazë të një shoqërie moderne. Por, me keqardhje më rezulton se për një vend nacionalist si Greqia argumentet tuaja janë komplet jashtë realitetit aktual.
Gjatë këtyre 5 viteve të fundit kam marrë pjesë në disa shkolla verore politike në Greqi të organizuara nga George Town University dhe sinqerisht jam tronditur nga mendimet shoviniste të akademikëve grekë.
Gjatë studimeve të mia për master në Cass Business School London, më ka rënë rasti që të kem mbi dhjetëra shokë/shoqe greke, që vazhdoj t’i konsideroj shumë të afërt dhe vazhdoj të kem marrëdhënie të shkëlqyera. Por sa herë që kam hapur temën e kombësisë, opinioni i tyre vazhdon të jetë tepër asimilues në raport me shqiptarët.
Si liberal që jam, besoj se shteti i së drejtës dhe mirëqenia e qytetarit është baza e civilizimit dhe jo nacionalizmi. Absolutisht që jam dakord, por jo në realitetin e zymtë të ekstremistëve grekë, të cilët për 20 vite rresht kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë politikën e ekspansionit ekonomik, fetar dhe nacionalist në Ballkan.
Nuk e kuptoj se si ka mundësi që një intelektual si ju akoma nuk ka kuptuar se pjesa konservatore e politikëbërësve grekë vazhdon të funksionojë si në shekullin e 19-të pasi:
• Duke krijuar një mjedis të zymtë, detyron qytetarët shqiptarë që të ndryshojnë emrat dhe fenë e tyre.
• Deklarojnë hapur se regjistrimi i popullsisë është mundësia e fundit për Vorio Epirin.
• Krijojnë varreza me “Gjeneralë të ushtrisë së vdekur”.
• I imponon presione qeverisë shqiptare për mbështetje në Bashkimin Europian.
• Organizon operacione “Fshesare” vetëm për të pasur influencë në kishën ortodokse.
• Nuk denoncon gjenocidin e popullsisë çame ku u shpërngulen 50 000 shqiptarë.
• Mohojnë të drejtën e pronës private të popullsisë çame.
• Nuk vlerësojnë studentët e shkëlqyer shqiptarë në bazë të meritokracisë për të mbajtur flamurin në parakalimet shkollore.
• Stërviten ushtarakisht para gjeneralëve me mllef dhe parulla kanibalësh kundër vendeve fqinje.
• Refuzon realitetin e ri gjeopolitik të Kosovës.
Unë thjesht dua të di dhe sa argumente të tjera dëshironi që t’ju jap që të bindeni se përpara nesh kemi një fqinj, i cili vazhdon të jetojë në shekullin e 19-të, ndërsa ne duhet që të jetojmë në shekullin 99.
Të lutem reflekto dhe kupto realitetin politik të Ballkanit.
Realiteti dhe analiza duhet të fillojnë që nga ndërtimi i marrëdhënieve shqiptaro-greke, duhet të fillojnë që nga politika “budallaqe” e shtetit grek, e cila falimentoi ekonominë e tyre vetëm për të realizuar ëndrrën e tyre të dështuar për dominimin e Ballkanit.
Ti me të drejtë mund të më pyesësh: “Përse thua budallaqe?”
E quaj “budallaqe”, pasi shpenzoi miliarda euro në “modernizimin” e ushtrisë për të balancuar influencën ushtarake me Turqinë dhe akoma nuk e kanë kuptuar që nuk mund të balancohet.
E quaj “budallaqe”, pasi shpenzoi me miliarda dollarë në ndërtimin e kishave në rajonin e Ballkanit gjatë këtyre 20 viteve.
E quaj “budallaqe”, pasi paguan mijëra pensionistë shqiptarë, maqedonas, bullgarë me pretendimin se janë minoritete greke dhe jo në bazë të kontributeve shoqërore.
E quaj “budallaqe”, pasi kompanitë e tyre që mësymën tregjet e Ballkanit e bazuan biznesin e tyre në korrupsion, e bazuan në përfitim afatshkurtër, e bazuan në korporata nepotike, në korporata false. Ndërsa tani “xhevahiret” e korporatave greke u blenë vetëm brenda 1 viti nga kompanitë gjermane, kineze, ruse, italiane apo austriake. Kompanitë celulare, portet, hekurudhat, rrugët dhe të gjitha bizneset e tjera po blihen ose po privatizohen nga investitorë të huaj me vetëm pak dollarë.
E quaj “budallaqe”, pasi po paguajnë norma të larta interesi për paratë e marra borxh, që shpenzuan në politikat e tyre nacionaliste për pensione, kisha, ushtri apo korporata nepotike.
E quaj “budallaqe”, pasi akoma nuk e ka kuptuar se me politikat e shekullit 19 nuk ndërtohet një shtet europian, ku 50% e dyqaneve në Athinë akoma nuk të presin një kupon tatimor.
E quaj “budallaqe”, pasi strategjia e tyre ekspansioniste drejt shteteve të brishta të Ballkanit dështoi totalisht, sepse nuk u bazua në punë, vlera dhe iluminimin perëndimor, por u bazua në influencë fetare, korrupsion ballkanik, presione politike dhe gjeopolitikë despotike lindore.
Duke mbetur një adhurues i historisë antike greke, që ka iluminuar të gjitha shoqëritë e njerëzimit, shpresoj që një ditë fqinji ynë ta kuptojë seriozisht gjendjen e tij aktuale dhe të kuptojë se reflektimi mbi gabimet e tyre është e vetmja zgjidhje për një shoqëri të shëndoshë dhe jo presioni politik me një shtet të brishtë ballkanik si Shqipëria.
(BA, MSc, PhD King’s College London) Pedagog – Fakulteti i Ekonomisë, UT

Ka perënduar ajo kohë

nga Bledi Kasmi


 
Deri 20 vjet më parë, realizmi socialist i ofronte publikut togfjalësha të tillë të fortë, si "vargmalet e zemrave të njeriut të ri që mundin në çdo betejë revizionizmin dhe kapitalizmin grabitqar". I gjeje këto dogma në këngët e festivalit, i gjeje në pjesën më të madhe të filmave. I gjeje të skalitura në male, shkolla dhe kudo në institucione.Ekzistenca e dy botëve të ndryshme paraqitej me ngjyrime të tilla që të bënte të besonte këdo në realitetin shqiptar se, parajsa qëndronte vetëm këtu dhe askund tjetër. Ndaj edhe izoloheshim gjithnjë dhe më shumë që askush të mos na merrte sadopak nga parajsa jonë.
Ata që e propagandonin parajsën e "vargmaleve të zemrave të njeriut të ri" nuk e besonin atë që thoshin. Por dogma të tilla ishin si një injeksion i përditshëm që duhej t'i bëhej shoqërisë.
Të gjithë ata që kanë lindur pas vitit 1990 nuk e kanë prekur atë realitet dhe fatkeqësisht është bërë shumë pak që ajo kohë të mos harrohet dhe të ngulitet në memorien e kujtdo si një e keqe, e cila erdhi nga gryka e pushkës dhe që tentoi jetëgjatësinë duke u mbajtur jo vetëm tek arma, por edhe tek dogma të atilla ai ajo e viktimizimit përpara një të keqeje mjaft të madhe.
Kryetari i PS e rinisi mbrëmë fushatën mediatike për Bashkinë e Tiranës duke u bazuar pikërisht tek kjo armë e njohur dhe e ndryshkur e diktaturës, tek viktimizimi. Në funksion të saj ai rikujtoi edhe një herë togfjalëshat bajate dhe të vjetëruara të deri 20 viteve më parë se ne do të luftojmë me "malin e zemrave tona ndaj një regjimi të kusarisë".
Ajo çfarë Rama nuk arrin të llogarisë është fakti se ndryshe nga realiteti i 20 viteve më parë, sot është shumë e vështirë që njerëzit t'i indoktrinosh përmes intervistave dhe shumë më e vështirë t'i motivosh ata për një "luftë të shenjtë", duke shfaqur si armë të vetme viktimizimin. Nuk ka njeri sot të mos e dijë se ai që flet publikisht për një "mal zemrash", po publikisht ka përçudnuar dhe mohuar njerëzit më të afërt të familjes së tij. Dhe një njeri që nuk ka pyetur për zemrat e bashkëshortes së tij, nënës, babait, apo djalit të tij është e kuptueshme se çfarë mund të ndjejë për zemrat e atyre që i llogarit vetëm si numra votuesish.
Rama e ka të vështirë të ngrejë viktimizimin si ideologji edhe në aspektin material, sikurse u mundua të bëjë mbrëmë, sepse sot nuk mund të gjesh qoftë edhe një qenie të vetme në sipërfaqen e kësaj toke të mos e dijë se ky Ramë që flet për varfërinë është jo vetëm njeriu më i pasur sot në vend, por edhe ndër më të pasurit në Evropë dhe se është i vetmi kryetar partie në Europë që në gjirin e tij ka më shumë se 20 miliarderë deputetë.
Është e kuptueshme se Rama nuk ka asnjë kartë tjetër për të përdorur në këtë fushatë elektorale, ndaj ai nuk e donte atë, ndaj me çdo kusht dhe me çdo çmim synoi deri në minutën e fundit që ta evitojë. Ndaj edhe tani po kërkon që ta shndërrojë në një fushatë politike dhe aspak lokale, sepse nuk ka çfarë t'u thotë banorëve të Tiranës për të gjitha ato premtime që bëri katër vjet më parë.
Nuk mund t'u shpëtojë Rama kurrsesi premtimeve të bëra katër vjet më parë; për më shumë gjelbërim, për më shumë hapësira publike, për më shumë rrugë të reja dhe të tjera e të tjera premtime të dhëna duke luajtur kartën e viktimës dhe të justifikohet se ai nuk paska bërë asgjë sepse e paskan bllokuar.
Nëse Ramën e paska bllokuar qeveria, atëherë ai nuk duhet të pretendojë që të kandidojë në zgjedhje sepse po kjo qeveri do të jetë edhe për të paktën dy vjet të tjera dhe do të qeverisë me mandatin e plotë. Ose, në rast se do të vazhdojë të luajë me kartën e viktimizmit, atëherë të tregohet i sinqertë dhe t'u thotë qytetarëve se ai po u kërkon votën që të mos ndryshojë asgjë edhe për vitet e ardhshme në Tiranë.

Apetitet serbe për territore nuk kanë pushuar

nga Gazmend Islami

Bisedimet Kosovë- Serbi
Përmbajtja e bisedimeve, nuk mund të kuptohet ndryshe, pos bosnizim i Kosovës dhe se përpilimi i tij është bërë sipas skenarëve të njohura antishqiptare. Përballë realitetit që po krijohet, shqiptarët pas të gjitha atyre sakrificave që u detyruan të bëjnë, jo pa fajin e tyre, do të detyrohen të përballen serish me sfida shumë të rrezikshme, e që epilogu do të jetë vendimtar për të ardhmen e tyre në përgjithësi.
Shkalla e rrezikshmërisë së këtij paralajmërimi nga këto bisedime është shume i madhe , kur atij i shtohen edhe paralajmërimet kërcënuese qe vijnë na fuqiplotët EULEKS se do të ndërhyjnë pa asnjë mëshirë ndaj atyre që do të shprehin publikisht mospajtimin ndaj nëpërkëmbjes.
Është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare ta kuptojë drejt, mirë dhe përfundimisht, se shqiptarët u çarmatosen, si popull i civilizuar që janë, këtë veprim të urtë e bënë nga bindja, se mos më në fund ajo çka përjetuan para syve të bashkësisë ndërkombëtare, do të kishte zgjuar ndërgjegjen e saj njerëzore dhe, më në fund do të shfrytëzonte rastin për t’i korrigjuar gabimet që u kishte bërë shqiptarëve në të kaluarën, duke e copëtuar Truallin etnik të tyre, për një qëllim të vetëm: kënaqjen e orekseve grabitqare të fqinjëve të tyre sllavo-grek. Është momenti i fundit që, si Bashkësia Ndërkombëtare, ashtu dhe servilët e saj vendorë, të rishikojnë sjelljet e tyre në raport me shqiptarët, para se t’i kalojnë kufijtë e durimit të tyre. Po u kaluan këta kufij, pasojat do të jenë, jo vetëm të paparashikueshme, por edhe shumë vështirë të riparueshme, ndërsa përgjegjësia nuk do të mund t’u adresohet shqiptarëve. Ajo që është thënë dhe trumbetuar nga politikanët tanë nuk do jetë ashtu por shumë më ndryshe. Në Kosovë jeton populli shqiptar,që përbën mbi 90 për qind të popullsisë. Vullneti i shqiptarëve të Kosovës është që të jetojë i lirë dhe i pavarur,si edhe popujt e tjerë të Evropës, apo që do të ishte në interes të gjithë Evropës të bashkohej me Shqipërinë,si pjesë e popullit dhe e territorit shqiptarë.
Dobësia dhe mos efikasiteti i këtyre bisedimeve qe nuk po merren me shqyrtimin e dëmeve te luftës, vrasjet, plagosjet, dhunimet, plaçkitjet, vjedhjet...dhe rrënimi i bazës materiale familjare dhe kombëtare nga regjimi i shteti të Serbisë. Zgjidhja që ofrohet tash nuk e bënë ndarjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çështja e pazgjidhur drejt e Kosovës mbetet burimi krize e konfliktit në rajonin,duke rrezikuar paqen në këtë pjesë të Evropës dhe më gjerë. Falënderojmë Amerikën për ndihmën e madhe që i dha këtij populli gjithashtu edhe NATO-n që ndihmoj popullin shqiptarë në momentet vendimtare kur luftohej për jetë a vdekje,mirëpo ne ende besojmë se Amerika do të ndihmojë proceset politik, të shqiptarëve për bashkim dhe vetëvendosje.
Një zyrtar evropian është cituar të ketë deklaruar para gazetarëve se bashkësia ndërkombëtare do të qëndrojë në Kosovë përgjithmonë, sepse Bashkimi Evropian nuk ka strategji dalëse nga Kosova, duke shtuar se do të ndërrojë vetëm natyra e pranisë ndërkombëtare. Kërcënimet për një përsëritje të këtij problemi të ndarjeve të tokave shqiptare janë shumë afër duke pasur parasysh krejt ajo që mbështjell çështjen shqiptare është e errësuar. Problemi më delikat që monumentet historike që janë në Kosovë fitojnë një autonomi apo një minishtet .Një eksterritorialitet që në bazë të fjalorit politikë do të thotë ato pjesë do të jenë jashtë Kosovës edhe pse ndodhen në Kosovë ata tash kane 150 monumentet që ndodhën në Kosovë kane fituar këtë të drejtë që do të thotë gati 10 për qind të territorit të Kosovës nen juridiksionin serb dhe nuk mund të kemi qasje në këto pjesë. Decentralizimi ia mundësoj Serbisë ushtrimin e kontrollit në më shumë se 15 për qind të territorit të Kosovës prej rajonit të Anamoravës e deri ne Graçanicë plus 18.9 për qind të territorit që shteti serb ka në Veriun e Kosovës ku funksion çdo strukture paralele e këtij shteti. Por apetitet serbe për shtimin e territoreve nuk kanë pushuar.

Në malet e Drenicës UÇK-ja mbronte popullatën dhe nuk bëri krime




      Nga  prof.Skënder Karaqica
 
 
Dëshmi e ish-luftëtarit të UÇK-së që jeton në ShBA
Për luftën e drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së dëshmitarë të kohës është vetë populli shqiptar në Kosovë.Vitet l998-99 ishin vitet më të rënda të jetës së popullit të pambrojtur shqiptarë dhe skenarët e makinerisë ushtarako-policore të dirigjuara nga kryekrimineli Sllobodan Millosheviq,ditën vrisnin dhe shkatërronin çdo gjë shqiptare dhe natën e bënin propagandën tashmë të njohur(vrajë natën dhe qaj ditën) për opinionin ndërkombëtar.Po më këta skenarë ugurzezë edhe sot pushteti aktual në Serbi luan me kartën para syve të diplomacisë dhe të drejtësisë ndërkombëtare.

Për hir të së vërtetës, jam i gatshëm që para EULEX-it dhe të gjithë mekanizmave të drejtësisë të dëshmojë se UÇK-ja në malet e Drenicës ka bërë luftë të pastër dhe me normat dhe moralin luftarak. Po në këtë kohë tërë Drenica ishte e rrethuar nga forca të mëdha ushtarako-policore. Në malet e Drenicës kishin ardhur banorët e ndjekur dhe të përsekutuar, të plagosur dhe të sëmurë nga fshatrat tashmë të bëra shkrum e hi të komunës së Malishevës,të Klinës,të Drenasit,të Lypjanit dhe të Shtimës. Këso kohe,njësitet luftarake të UÇK-së kishin dy detyra të mëdha ruajtja 80 mijë njerëzve që kishin mbetur si thotë populli me sy kah dielli dhe asgjë me vete pos rrobeve të trupti dhe nga ana tjetër mbrojtja nga sulmet dhe tentativa ushtarako-serbe për të hyrë në malet e Drenicës për të bërë Srebernicën e dytë të gjakderdhjes!

Po në këtë kohë rol të rëndësishëm ka luajtur Komandant Çeliku(Fatmir Limaj),i cili me përkushtim dhe dinjitet prore u fliste ushtarëve të Brigadës 121 se si duhen mbajtur qëndrimin, sjelljet dhe rregullat e luftës. Me përgjegjësi morale dhe njerëzore po e them para EULEX-it se a ka dëshmitarë më të mirë se vetë 80 mijë banorët e strehuar dhe nën mbrojtjen e djelmënisë shqiptare të UÇK-së që rininë dhe indexit e universitetit e kishin ndërruar me pushkën për lirinë e Kosovës. Njëri ndër ata djelmëni student ishte edhe vetë Fatmir Limaj nga Banja e Malishevës. Për të vënë edhe shumë detaje tjera të rëndësishme për organet e drejtësisë së EULEX-it po e them edhe këtë të dhënë. Fatmir Limaj jo vetëm që e la indexin e universitetit,por ai në mungesë të kushteve fillestare për të shkuar në betejë për vdekje dhe liri të Kosovës, shiti stolitë e arit ato që i kishte bashkëshortja e saj tashmë e ndjerë dhe e bleu pushkën e lirisë!

Po në këtë kohë,jam dëshmitar se njësitet luftarake të aviacionit serb disaherë kanë sulmuar malet e Drenicës dhe pati edhe të plagosur në malet e Berishës. Popullata serbe e mbrojtur mirë me të gjitha mjetet e mundshme kanë qenë larg nga Zona Luftarake e Drenicës me 70 km distancë dhe në asnjë mënyrë nuk ka pasur mundësi që UÇK-ka të bëjë ,,krime,,ndaj tyre. Edhe EULEX dhe mekanizmat relevantë ndërkombëtar dhe Gjykata Ndërkombëtare në Hagë e dinë se forcat ushtarako-policore serbe bënë krime në Kosovë. As sot ende nuk janë zbardhur rastet e krimeve dhe të masakrave në Likoshan, Abri të Epërme, Poklek të Vjetër, Poklek të Ri, Gollubovc dhe në shumë fshatra tjera të Kosovës. Për masakrën në Abri të Epërme të Drenicës unë mora pjesë në varrimin e Diturije Delijajt (trivjeçe)që paramilitarët ushtarako-serb ia kishin vrarë nënën dhe anëtarët tjerë të familjes.
Fatmir Limaj është shembull se si duhet bërë luftë të drejtë për lirinë e Kosovës. Për tërë rrjedhën e ngjarjeve që kanë ndodhur në malet e Drenicës si dëshmitar lë në dipozicion të EULEX-it raportet e mija gazetareske.
Për hir të së vërtetës po e them me përgjegjësi morale se rasti ,,Kleçka,,është pjellë e organeve të mëshehta të sigurimit serb që në bashkëpunim me disa koloborocionsitë shqiptarë(!)këta skenarë lëvizën herë poshtë e herë lartë saherë që e kërkonte koha e propagandës diplomatike serbe në Beograd. Për këtë rast shih komentin tim botuar në ,,Koha Ditore,,(arkivi në dispozicion)se kolovajza vrastare serbe me Vojisllav Sheshel që tentoj të vi në malet e Drenicës dhe të pinte kofën e vrastare dhe të gjakderdhjes në ,,Serbrenicën e Bosnës,,edhe në Kosovë!
Kërkoj që EULEX-i në bashkëpunim me institucionet relevante të drejtësisë të shtetit të Kosovës të formojë Dhomën e Opinionit me dëshmitarët më të devotshëm me popullatën e shpetuar nga vdekja dhe masakra kolektive në Malet e Drenicës(1998-99)që përgatitej nga forcat ushtarako-policore dhe paramilitare të Vojisllav Sheshelit dhe të Arkanit. Komandant Çeliku(Fatmir Limaj)me Brigafën 121 ishte në ballë të vdekjes për lirinë e Klosovës dhe jo në udhën e krimit që po i mveshën pa të drejtë.Verdiktin më të mirë për Fatmir Limajn dhe për luftën e drejtë të UÇK-së mund të japë vetë populli shqiptar në Kosovë që nga viti 1912 bëri luftë të parreshtur për liri dhe mëvetësi të Kosovës martire.Pse po mbahen të mshehtë emrat e ,,dëshmitarëve,,në organet EULEX me shifra (X) dhe (B)duhen të tregohet popullit se kush janë ata që po luajnë lojën e djallit në këto kohë kur shteti i Kosovës ende po i shëron plagët e luftës. Me njerëzit e Kolonës së Pestë Kosova ka pasur punë tash e njëqind vjet!

Kujtime për dramën tragjike të shqiptarëve

Nga Prof. Pjetër Geci
 
Kujtime nga burgu
Politikani i njohur amerikan, A. Dalles, thotë: “Shqiptarët janë populli më i pamposhtur në botë”. Kjo qëndresë i kalon kufijtë edhe të mitit e legjendës, shpaloset, në radhë të parë, në ruajtjen e zhvillimit të vetëqenies nacionale, të thelbit etnik: racës së pastër iliro-shqiptare.
Libri “Kujtime nga burgu” i Muhamet Rogovës, pasqyron kujtimet për dramën tragjike të autorit dhe shokëve të tij shqiptarë të burgosur politikë nëpër burgjet e Sërbisë, nga viti 1981 e tutje. Këto kujtime, për ato ngjarje të ndodhura para tridhjetë vitësh, autori i shtjellon në hollësi duke i treguar këto ngjarje tragjike dhe rrënqethëse, që përjetuan të burgosurit shqiptarë nëpër kazamatet serbe. Me këtë libër Rogova tregon se golgota e popullit shqiptar është më e lartë se maja e Himalajeve. Të punosh me përkushtim, të sakrifikosh vetën e familjen, të burgosësh për atdheun e popullit tënd, kjo është punë e shenjtë dhe e madhërishme. Këtë e bënë intelektualët e kombit tonë, siç janë: Muhamet Rogova, Hydajet Hyseni, Berat Luzha, Martin Çuni, Sejdi Veseli, Gani Krasniqi, Sylë Muja, Xajë Nura, Bajram Kosumi, Xhemail Krasniqi, Enver Dugolli, Myslim Dobruna, Ali Lajqi, Emin Krasniqi, Ahmet Isufi, Asllan Dibrani, Hysen Gega, e shumë të tjerë.
Mr. Muhamet Rogova, me këtë libër na rrëfen se nëpër burgje gjëndeshin vrasësit, dhunuesit dhe vjedhësit si dhe të ndershmit, idealistët, revolucionarët dhe patriotët e vërtetë. Ky rrëfim është origjinal dhe ato ngjarje i tregon me dufin e shpirtit duke pasqyruar realisht mundimet dhe torturat e të burgosurve shqiptarë, gjatë atyre viteve të zymta e shumë të rënda.
Rrëfimi i tij është i sinqertë dhe origjinal. Sinqeriteti i këtij libri, shumë të vlershëm, rrjedhë nga sinqeriteti dhe guximi qytetar i vet shpirtit të autorit. Muhamet Rogova është njeri i veçantë: energjik, patriot, jo më fjalë, por me vepra, i cili tërë jetën e vet e sakrifikoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Për fat të keq, ne shqiptarët shumë shpejtë e harrojmë të kaluarën. Dikund në faqet e këtij libri, një punëtor serb i sigurimit shtetëror, duke e marrë në pyetje, i kishte thënë Muhametit: “Pse je kaq kokëfortë në qëndrime, mos shpreso se do të pritësh si hero” kur të kthehësh në Gjakovë”. Dhe vërtetë ai me shumë të tjerë, të burgosur politikë, jo vetëm se nuk u pritën si hero, por mbeti pa punë nga kuqloshët, udhëheqësitë shqiptarë, besnik të regjimit serb të asaj kohe. Ne, shqiptarët nuk dijmë apo nuk duam të çmojmë e vlerësojmë njerëzit tanë meritorë, të cilët i kanë ndriçuar rrugët tona drejtë lirisë e pavarësisë së vendit. I tillë ka qenë dhe është profesori Muhamet Rogova, të cilit kurrë nuk i është dhënë merita çfarë i takon.
Shqiptarët i shkruan, faqet e lavdishme të historisë së tyre, me gjak e lot. Gjatë këtij rrugëtimi të vështirë, fanar ndriçues ishin pishtarët e lirisë të cilët e organizuan popullin në demonstratat e viteve 1968, 1981, 1989 dhe në fund UÇK i vulosi kërkesat e drejta të popullit tonë, me grykën e pushkës me të cilën iu përgjegj okupuesëve serb.
Porosia e këtij libri për brezat që vijnë, por edhe për të gjithë neve, është domëthënëse dhe ka rëndësi të posaçme ngase pasqyron me besnikëri, sinçeritet ato kohëra tragjike me të cilat u përballën dhe i sfiduan të burgosurit politikë shqiptarë anembanë burgjeve të ish Jugosllavisë.
Sakrificat, vuajtjet tmerret që përjetuan Muhamet Rogova me intelektualët e gjeneratës së vet, janë tregues se sot kemi humbur diçka nga njërëzorja, me të cilën gjatë shekujve jemi krenuar para botës. Atëherë, a mos duhet të mendojmë më thellë për shumëçka, e cila nuk po ecën mirë, në përditëshmërinë tonë, si shoqëri, tashmë e konsoliduar në shtetin e ri, për të shpierë vendin drejtë proceseve të reja pozitive, në të gjitha hallkat e jetës.
Librin “Kujtime nga burgu” të Muhamet Rogovës, duhet ta kenë, në vitrinat e librave, çdo familje shqiptare, për ta lexuar me vëmendje; për të mësuar për të kaluarën e lavdishme të njerëzve të mëdhenj të kombit tonë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...