Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/05

Porfida, ballo në Versaille


Nga Flori Bruqi


Skeda:Mira Meksi.jpg

Mira Meksi ka mbaruar studimet e larta për filologji frënge dhe hispanike.Ka kryer (nje sere specializimesh ne France dhe Spanje . Mira Meksi njihet si nga perkthyeset me te mira te Frengjishtes dhe Spanjishtes . Ajo është e njohur si përkthyese e Dumas-së, Yourcenar-it, Duras-it, Borges-it, Marquez-it, Paz-it, Cortazar-it, Neruda-s, etj dhe si autore romanesh, përmbledhjesh me tregime, analiza filozofike dhe libra për të rinj dhe fëmijë. Romanet e Meksit jane botuar ne shume gjuhe te botes, ku permendim romanin Porfida botuar ne France. Mira Meksi është kryeredaktore e revistës letrare “Mehr Licht!”.Revista me e mire europiane kulturore e shpallur nga Eurozine si dhe fituese e Poetekes.
Mira Meksi eshte cilsuar si shkrimtarja me e mire femer nga kritika e librit si dhe eshte nderuar me mjaft cmime prestigjoze shqiptare dhe te huaja ku vlen per tu permendur cmimi perkthimi me i mire i vitit 2006 me romanin Kujtim Kurvash te Trishta nga Gabriel Garcia Marques dhene nga Ministria e Kultures
Mira Meksi eshte themeluese e Fondacionit Kulturor Velija, i pari fondacion kulturor i cili ndante cmimet e pervitshme letrare kulturore. si dhe themeluese e Radio Tlevizionit Satelitor Alsat ne Shqiperi dhe Maqedoni ku i dha dhe formen e plote ne boten e Biznesit qe me zanafillen e drejtimit te VeVe group dhe sipermarrjeve te shumta,

Romani me i suksesshem i Mira Meksit njihet E Kuqja e Demave, i cili kryesoj ne renditjen e librave me te shitur.
Mira Meksi eshte njohese e shkelqyer e gjuheve: frengjisht, spanjisht, anglisht, Italisht dhe Portugalisht

Mira Meksi eshte e martuar me Ilir Meksin dhe i biri i saj eshte Marin Meksi


Disa botime nga Mira Meksi:

Mira Meksi (Meksi, Mira) Albanian Buze Te Panjohura Gruaje by Mira Meksi Hardcover, Onufri, ISBN 9992730013 (99927-30-01-3) Frosina E Janines: Roman by Mira Meksi Hardcover, Onufri, ISBN 9992745010 (99927-45-01-0) Porfida: Ballo Ne Versaille Roman by Mira Meksi Hardcover, Botimet Ideart, ISBN 9994388711 (99943-887-1-1) Macedonian Frosina Od Janina: Roman by Mira Meksi Hardcover, Serembe, ISBN 998923874X (9989-2387-4-X)



Porfida, ballo ne Versaille, Mira Meksi

Titulli: Porfida, ballo në Versaille
Roman
Autori: Mira Meksi
Shtëpia botuese: Ideart
Viti: 2006
f. 232
Pesha: 0.48
Hardcover

Mbi librin

Dedikimi: Për gjyshin tim Vasil Isaia, që më rrefeu së pari përrallëzat e Biblës dhe më mësoi të krijoja vetë engjëllin tim.
Ky është romani i dytë që lexuesit shqipfolës i vjen në dorë nga Mira Meksi. Ky roman është përpunim dhe zgjerim i një tregimi të botuar më 2002, porse përpunimi artistik shumëplanësh është i përmasave të tilla, sa mes tregimit të hershëm dhe romanit të tanishëm s’përqokin përpos se në largësi farefisnie prej disa breznish.

Fantazma me sy njeriu

Fantazma me sy njeriu, Mira Meksi

Roman për fëmijë
Autori: Mira Meksi
Piktore: Lindita Daja, (Koliqi)
Shtëpia botuese: Ideart
Viti: 2004
f. 62
Çmimi: 300 lekë
Pesha: 0.23 Kg.
Dedikimi
Për Kelian sykaltër, mbeskën tim që i pëlqejnë rrëfenjat fantazore

Mbi librin

Në guvën e lagësht të një eremite të vjetër ishin mbledhur fantazmat. Fantazmadhja mori një grusht drite dhe e hodhi në një magje guri. Pastaj hodhi edhe një tjetër, edhe një tjetër… Përzjeu dritën me dritë dhe zuri të ngjeshte brumin dritë. Brumi nuk lidhej dhe nuk i bindej Fantazmadhes. Fantazmat e tjera qenë përkulur mbi magje. Grushte të tjera me dritë, hidh e hidh. Kjo s’kish bërë kurrë vaki, të mos ngjizej dot një fantazmë me kaq shumë dritë. Fantazmadhja lëvizi duart dhe më në fund brumi mori formë. Dy sy të vërtetë njeriu mbinë në mes të asaj forme fantazme. Sy njeriu në trup fantazme!

Mira Meksi :E kuqja e demava

E kuqja e demava, Mira Meksi
Titulli: E kuqja e demave
Autori: Mira Meksi
Shtëpia botuese: Ideart
f. 144
Pesha: 0.22 kg
ISBN: 978 99956-29-32-8

Mbi autoren dhe librin
Në një qytet legjendash në Spanjë, murgjit “Luftëtarë kundër harresës së Ikonës” kanë vite që punojnë për deshifrimin e misterit që vesh të kuqen e fuqishme të ikonave të Onufrit. Brenda një realiteti të përndezur ndeshjesh me dema, rivalitetesh dhe tradhtish të gjakta, Mira Meksi përshkruan lojën pasionante të jetës ku ngërthehen fort dhe përleshen egërsisht Dashuria dhe Vdekja.

Sikundërse kemi vënë në dukje edhe në disa hapësira të tjera, e tërë krijimtaria e Mira Meksit lind dhe kristalizohet nën dritën e hapjes ndaj tjetrit, duke rrëfyer për tjetrin. Kjo hapje, ky përtejësim, në faqet e këtij romani jepet në formë më të qartë dhe më të shprehur se në çdo roman apo tregim të saj të mëparshëm. Ndërsa tek krijimtaria e mëparshme lexuesin e vërejmë të jepet si element strukturor i rrëfimit, porse në një trajtë fort të ndërfshehur, në faqet e këtij romani prania e tij jepet në formën më të hapur; ndryshe nga sa më parë, tek E kuqja e demave Meksi i drejtohet drejtpërsëdrejti dhe në emër lexuesit, madje, duke e shoqëruar këtë dialog me një ndriçim të fortë dhe mbresëlënës...

E kuqja e demave është një ikonë e madhe, një ikonë e gjallë, e mbrujtur me ngjyra të bollshme, me një vizualizëm ekspresionist dhe me një imazheri të prekshme surreale, por edhe me plot dritë-hije dhe me mister; porse, mbi të gjitha, është një ikonë vërtet e arrirë, në të gjitha kuptimet, ngjyresat dhe përftesat e këtij termi, për vetë ikonën, për natyrën dhe misterin e saj, një ikonë e përftuar nga soditja e ngulmët dhe misterike, nga bashkimi dhe shkrirja e dy universeve, e dy pafundësive, e pafundësisë së dritës hyjnore dhe asaj të shpirtit të soditësit.

Pikërisht kjo befasi, këto lëvizje plot zigzage, larg çdo skeme kanonike, të cilat i hasim të pranishme edhe tek hapësira ikonografike, janë gjithë sa na mbajnë gjithhershëm në suspense në tërë rrëfimtarinë e Mira Meksit, duke na shtyrë vazhdimisht drejt leximit të saj. Madje, më tepër sesa një herë.

Mira Meksi ka mbaruar studimet e larta për filologji frënge dhe hispanike. Është e njohur si përkthyese e Dumas-së, Yourcenar-it, Duras-it, Borges-it, Marquez-it, Paz-it, Cortazar-it, Neruda-s, etj dhe si autore romanesh, përmbledhjesh me tregime e librash për të rinj dhe fëmijë. Mira Meksi është kryeredaktore e revistës letrare “Mehr Licht!”.

Ismail Kadare : Don Kishoti në Ballkan



Shkrimi i mëposhtëm me titull Don Kishoti në Ballkan që mban firmën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare , është njëkohësisht edhe parathënie e botimit të ri të veprës se Servantesit. Një shkrim i transkriptuar pas fjalës se improvizuar në frëngjisht të Kadaresë, gjatë një konference mbajtur disa vjet më parë në Bibliotekën Kombëtare të Spanjës. Ky shkrim u botua në spanjisht nga media vendase e vjen në shqip i përkthyer nga Mira Meksi .



Nga Ismail Kadare

Në një konferencë që u bë më pas e famshme, në vitin 1939, në Nju Jork, Thomas Mann-i, duke folur për një grindje midis poetit të madh pers Firduisit, autorit të Librit të Mbretërve (Shahiname) dhe Shahut - punë honorarësh, pasi Shahu i kishte premtuar një sasi floriri për poemën e vet dhe pastaj ia kishte mohuar, - thoshte se gjera të përmasave të tilla mund t'u bëjnë vaki vetëm poeteve të mëdhenj epike. Në të gjithë i dimë - i kemi mësuar që në shkolle, - grindjet midis studenteve grekë për vendlindjen e Homerit. Është i njohur diskutimi nëse që Shekspiri vetë ai që i shkroi veprat e tij apo qe Baconi. Një gjë pak a shumë e ngjashme ka ndodhur me Servantesin në një vend të Ballkanit, të cilin ndoshta nuk e njihni. Diskutohet se ku qe burgosur Cervantes, në Algjeri apo atje në Ballkan. Me sa duket, kjo puna e burgimit të shkrimtareve vazhdon t'u ngjallë shumë kureshti popujve sot dhe mendoj se është domethënës fakti që, edhe pas kaq shumë vitesh, në Gadishullin Ballkanik flitet ende për burgimin e Cervantes-it, madje dhe pa ia ditur saktë emrin shkrimtarit.

Një folklorist shqiptar, duke folur për legjenda dhe kronika të vjetra mesjetare, përshkroi, përpara pak kohësh në shtyp disa histori për Cervantes-in, që kishin kaluar nga goja në goje, duke hedhur tezën se ka mundësi që Cervantes-i nuk ka qënë i burgosur në Algjeri, por në një qytet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ky studiues e bazon tezën e tij në rrëfeja pleqsh, të cilët përqëndroheshin në faktin se robi ishte një spanjoll shumë i ditur, për të cilin u pagua një sasi e madhe parash që ta lironin nga burgu. Emri i tij del, ka raste Cervantes, ka raste Servet apo Sarvet. Dhe të gjitha rrëfenjat përkojnë në një pikë, që ky rob i burgosur kishte miq në Spanjë dhe ata, që nga larg, donin ta lironin me çdo kusht. Studiuesi pohon se ka fort të ngjare që Cervantes-i të këtë qënë rob në Ballkan, sepse bregdeti ballkanas është shumë i thyer dhe plot me guva e shpella të përshtatshme për piratet. Sidoqoftë, edhe në mos qoftë e vërtetë historia, është tepër emocionues për një shkrimtar fakti, që pleqtë e Ballkanit, që janë analfabete, të ruajnë në kujtese fatin dhe jetën e këtij njeriu. S'duhet harruar që këta pleq mbajnë shumë drama në kujtesën e tyre dhe, në kohën që linden këto rrëfenja, Cervantes-i nuk ishte botuar në Ballkan. Mendoj se është domethënëse që njerëz injorante të mbajnë në kujtese një shkrimtar, ndonëse kjo ndodh fort rrallë.

Njerëzimi ka një ndjeshmëri shumë të veçante për të zgjedhur se ç'njerëz do të përdorë për krijimet e tij, me çfarë njerëzish do t'i mbrujë legjendat e veta. Sado e çuditshme që të duket, lidhja midis Cervantes-it dhe pleqve të Ballkanit ka një logjikë të brendshme. Një logjike e brendshme e prek këtë lidhje dhe e pohon atë.

Kjo, nga ana e saj ka të bëjë me temën që do të trajtoj më tej, me faktin që udhëtimi i Don Kishotit nuk është një udhëtim hapësinor, por bën pjesë në udhëtimin e brendshëm të njerëzimit. Udhëtimi i Don Kishotit ndodh në kohën e udhëtimeve të mëdha, siç është udhëtimi më i famshëm dhe me më bujë i historisë së njerëzimit: zbulimi i Amerikës. Nuk mund të këtë, është e pamundur që në histori të këtë një zbulim më të madh se ky.

Bota, toka, globi tokësor u dyfishua. Por ka ndodhur diçka e habitshme: ky zbulim kaq i madh pothuaj se nuk la gjurmë në letërsinë botërore. Domethënë, nuk i pasuroi faqet e saj. E megjithatë, udhëtimi i një marroku nga një fshat në një tjetër të Spanjës, një udhëtim që nuk i ka sjellë atij asgjë dhe që, nuk kishte pikë rëndësie për njerëzimin, që nuk i ka sjellë atij asgjë dhe që, ndoshta, as që ka ndodhur fare, i jep njerëzimit një nga kryeveprat më të mëdha letrare. A është kjo një kundërshti apo në logjikën e gjerave? Unë besoj se nuk është kundërshti. Gjithmonë, kur kanë ndodhur zbulime në botë, zbulime të mëdha, është shtruar ideja se këto zbulime do të transformonin letërsinë. Të fundit janë udhëtimet, zbulimet kozmike dhe sidomos fakti që njeriu ka shkelur në Hënë. Për shumë njerëz poezia po merrte fund në botë, sepse Hëna, një nga frymëzueset e poezisë, tashmë humbte misterin, meqë po shkelej nga njeriu. Në e dimë se kjo nuk ndodhi. E, megjithatë, me kalimin e kohës, kaneë kaluar tashmë shumë vjet, udhëtimi i Don Kishotit i takon këtij kalendari të fshehtë. Prandaj ka ndikuar në letërsinë botërore më tepër se shpikja e lokomotivës, më tepër se zbulimet e Kristofor Kolombit, më tepër se anijet kozmike. Ndonëse duhet thënë se ky personazh i madh i historisë së njerëzimit nuk ka bërë shpesh inkursione të gjalla në jetën njerëzore. Jeta e këtij personazhi është e dyfishte: ai bën pjesë njëkohësisht në trazimin e brendshëm të njerëzimit, por edhe në jetën e jashtme të tij. Më pas do të mundohem të shpjegoj se përse duke dalë në botën e jashtme, kjo figureë është dëmtuar jashtëzakonisht. Përpara kësaj, do të hap një parantezë në lidhje me përkthimin e Don Kishotit në një vend të Ballkanit, në vendin tim, në Shqipëri. Është një fakt tipik që ky personazh hyn i gjallë në histori. Don Kishoti u përkthye në shqip nga peshkopi i Shqipërisë. Ky peshkop ishte në luftë me mbretin e ardhshëm të Shqipërisë. Peshkopi përpiqej ta përmbyste monarkun. Për t'u dhënë guxim njerëzve e, në rradhë të parë, vetes, në fillim përktheu Hamletin dhe Makbethin dhe arriti vërtet ta përmbyste mbretin. Më pas, mbreti rrëzoi përsëri peshkopin dhe u përmbys situata, dhe ndërsa peshkopi ishte ngujuar dhe tejet i trishtuar, iu vu përkthimit të Don Kishotit. Në parathënien me të cilën peshkopi shoqëron librin, thoshte se Don Kishoti do të kuptohet në Ballkan më mirë se në çdo vend tjetër. Ai e gjeti një lidhje midis marrëdhënieve të Spanjës me hapësirat amerikane dhe lidhjeve të njerëzve të Ballkanit me Perandorinë Otomane, vetëm se këtu fati është i përkundërt. Ndërsa Spanja pushtoi hapësirat e mëdha amerikane, popujt e Ballkanit u pushtuan nga një tjetër forcë, që vinte nga hapësirat e mëdha. Është njëlloj sikur Spanja të pushtohej nga indianët e Amerikës. E, megjithatë, ndodhi pak a shumë e njëjta gjë: Perandoria Otomane, që ishte jashtëzakonisht e madhe, krijoi marrëdhënie aventureske me popujt e Ballkanit. Ajo kishte qindra mijëra ushtarë të një niveli të lartë, ushtarë të bindur, tepër të bindur, porse i mungonin oficerët. Kishte nevojë për çmendurinë ballkanase. Në këtë mënyrë shpjegohet që ushtria otomane e krijoi elitën e saj ushtarake kryesisht me oficerë ballkanas, sidomos shqiptarë. Kur u shpërbë kjo perandori, të gjithë këta oficerë dhe mercenarë mbeten pa punë. Dhe këtu e gjen paralelizmin peshkopi midis këtyre njerëzve dhe Don Kishotit dhe Sanco Pancos, që nuk kanë shkuar në Amerikë, por bredhin poshtë e përpjetë dhe fillojnë të ëndërrojnë kthimin e të kaluarës. Peshkopi shqiptar thotë se të gjitha vendet e Ballkanit në shekullin XX janë mbushur me Don Kishote, por ne po shohim se hija e tij vazhdon të shfaqet edhe sot në gadishull. Figura e Don Kishotit vazhdon të përdoret shumë shpesh tani midis partive politike. Nuk ka forcë politike që të mos këtë akuzuar liderët perëndimorë si Don Kishotë. Këta të fundit kanë bërë të njëjtën gjë duke akuzuar stalinistët si Don Kishotë. E kështu më rradhë, historia vazhdon. Ka disa javë, dëgjova në fushatën elektorale presidenciale në France që njëfarë Philippe de Viller, përpara kamerave, e cilësuan si një Don Kishot. Dhe siç e shikoni, Don Kishoti del i humbur në të gjitha rastet, sepse në të gjitha rastet politikanët që ia përdorin emrin janë nën nivelin e tij dhe nuk kanë grime nga fisnikëria e tij.

Kjo është një karakteristike mijëvjeçare e njerëzimit. Besoj se dy personazhe të letërsisë dhe të botës, Prometeu dhe Don Kishoti, kanë patur një fat të përbashkët, janë korrigjuar, kanë ndryshuar janë reformuar nga njerëzimi. Në pamje të parë, duket një nder i madh që i gjithë njerëzimi merr pjesë në ribërjen e një personazhi, porse ky ndryshim, ky korrigjim mund të jetë për mirë ose për keq. Në rastin e Prometeut, personazhi ka fituar dhe në rastin e Don Kishotit ka humbur. Por në të dyja rastet është diçka e jashtëzakonshme që njerëzimi bëhet bashkautor me shkrimtarët. Do të mundohem ta shpjegoj këtë më thjeshtë. Le të marrim Prometeun: Prometeu nuk u krijua as nga legjenda dhe as nga Eskili në kohën e tij, ashtu siç e njohim në sot. Prometeu u pasurua nga i gjithë njerëzimi. Ai ka qënë një personazh shumë më i koklavitur se ai që njohim tani. Prometeu arriti të merrej vesh me Zeusin, ndërsa pjesa më e madhe e njerëzimit këtë fakt nuk e njeh, domethënë nuk e rinjeh, e ka shmangur, ia ka bërë një korrigjim personazhit. Me një fjalë, e ka bërë heroik Prometeun. Me Don Kishotin, siç thamë më lart ndodh e kundërta, i humbet fisnikëria duke e krahasuar me personazhet mediokër. Schiller-i thoshte se përfytyronte korin e tragjedive antike si një mur mbrojtës, si një ledh që e mbron artin nga ndërhyrja e njerëzve, që nuk duhet ta prekin atë. Sipas tij, pjesëmarrja e spektatoreve grekë në teatër do ta kishte shkatërruar atë. Natyrisht është populli ai që mban të gjallë artin dhe tjetër gjë është ta mbash të gjallë artin dhe tjetër gjë të ndërhysh për ta rregulluar, për ta korrigjuar, për ta riformuar. Sidoqoftë, ekzistojnë personazhe të mëdhenj, tek të cilët njerëzimi ka ndërhyrë për t'i ndryshuar pikërisht për hir të popullaritetit të tyre. Nga ana tjetër, ka vepra të mëdha si Makbethi i Shekspirit; megjithatë, Makbethi asnjëherë nuk është kthyer në një figurë popullore në botë. Çuditërisht kjo ka ndodhur me shoqen e tij, Ledin Makbeth, e cila vitet e fundit është përdorur si figurë krahasuese për disa nga gratë e udhëheqësve komuniste, sidomos për Chiang Chingun, vejushën e Mao Ce Dunit, dhe Elena Causheskun.

Kjo tregon se mund të këtë vepra të mëdha të njerëzimit, si Makbethi, Fausti, Vëllezërit Karamazov etj, personazhet e të cilave i përkasin vetëm gjithësisë së artit. Të tjerë personazhe, si Prometeu apo Don Kishoti, dalin në këtë botë dhe pikërisht për shkak të kësaj daljeje vendosen përpara një prove shumë të vështirë. Besoj se Don Kishoti vazhdon të jetë edhe sot një personazh i pashpjeguar. Është e nevojshme të bëhet një përpjekje, një përpjekje e madhe nga të gjithë, për t'ia vënë nderin në vend, për ta ngritur serish në vendin që i takon. Nuk mund të lejohet që Don Kishoti të përdoret në diskutimet politike. Historia e vërtetë e botës, ajo që i intereson letërsisë dhe së cilës i përket Don Kishoti është, siç thamë më lart, historia e brendshme e saj. Kalimi nga një botë tek tjetra, me fjalë të tjera, dalja në klimën e egër të botës ku në jetojmë, siç është rasti i Don Kishotit, mund të këtë rrjedhoja dramatike.

Kryeveprat, Dino Buzzati

Kryeveprat, Dino Buzzati

$35.21



Titulli: Kryeveprat
Origjinali: I capolavori
Roman, novela
Autori: Dino Buzzati
Shqipëroi: Dritan Cela, Hasan Bregu
Shtëpia botuese: Ombra-GVG
Viti: 2010
fq. 1010
Pesha: 1.08 kg
ISBN: 978-99956-38-56-6

E para përmbledhje e plotë e shkrimtarit italian përfshin romanet "Një dashuri" dhe "Shkretëtira e Tartarëve", të sjella në shqip nga përkthyesi i njohur Dritan Çela dhe 60 tregime të përkthyera nga Hasan Bregu, pjesa më e madhe e të cilave ishte e panjohur më parë për lexuesin shqiptar. Vetë Buzzati është kujdesur për përmbledhjen e këtyre tregimeve.

Dino Buzzati me më të mirat e krijimtarisë së tij vjen në një opus letrar. "Kryeveprat" është titulluar përmbledhja e plotë, botuar shqip nga "Ombra GVG". E para përmbledhje e plotë përfshin romanet "Një dashuri" dhe "Shkretëtira e Tartarëve", të sjella në shqip nga përkthyesi i njohur Dritan Çela, si dhe 60 tregime të përkthyera nga Hasan Bregu, pjesa më e madhe e të cilave ishte e panjohur më parë për lexuesin shqiptar. "Kryeveprat" e Buzzati-t në shqip është botimi identik që "Mondadori" ka ofruar për lexuesin italian. Ky botim është në vazhdën e përmbledhjeve në serinë e klasikëve modernë të "Ombra GVG". "Shkrimtari i njohur Zija Çela, njëkohësisht edhe babai i përkthyesit të përfshirë në këtë vepër, në një bisedë që kemi bërë, ka thënë se njerëzve u bëhen monumente pas vdekjes, ndërsa shkrimtarëve u bëhen monumente me libra. Korpusi i plotë që sapo kemi hedhur në treg është një homazh ndaj veprës së Buzzati-t, ndaj letërsisë italiane dhe pse jo edhe ndaj asaj letërsie që asnjëherë nuk vdes. Opusi i Buzzati-t vjen në një përmbledhje serioze, shërbimin ndaj së cilës jemi munduar ta bëjmë sa më kompleks", shprehet Gëzim Tafa. Kjo vepër prej 1100 faqesh është e shoqëruar me një jetëshkrim dhe një bibliografi të plotë të Buzzati-t. Tregimet përbëjnë një pjesë të rëndësishme të këtij korpusi. Ndonëse më parë disa prej tregimeve janë përkthyer pjesërisht nga autorë të ndryshëm në kohë të ndryshme, kjo vepër në 60 tregime është më e plota në tipologjinë e vet, për faktin se vetë Buzzati është kujdesur për përmbledhjen e këtyre tregimeve. Sipas Tafës, korpuse të tilla janë të mirëpritura nga lexuesi shqiptar. "Lexuesi është i ndjeshëm ndaj letërsisë serioze. Botimi sapo është hedhur në treg dhe konstatojmë se është pritur pozitivisht. Dua të them që pavarësisht se Buzzati mbush 40 vjet që është larguar nga kjo jetë, krijimtaria dhe vepra e tij mbeten po kaq moderne, kaq serioze sa në kohën kur ai është botuar për herë të parë".

Dino Buzzati

Bota që ofron Dino Buzzati është një botë magjike, e mistershme, mjaft tërheqëse për lexuesin, i cili mbërrin deri në fund të leximit me frymën pezull, në pritje për të njohur të vërtetën e vetme që kthen në anën tjetër të gjitha ato që deri në ato momente dukeshin të vërteta. E kjo ndodh në mënyrë të veçantë në tregimet e tij, që frymëzohen nga episode prej së përditshmes, e prej së cilës më në fund subjekti merr jetë. Atmosfera bëhet surreale dhe në një moment ndodh e pabesueshmja. Pas dukjes së rrëfimit përrallor shfaqen edhe tematikat e rëndësishme me të cilat autori përballet... "Historitë që do të shkruhen, tablotë që do të pikturohen, muzikat që do të kompozohen, çmenduritë dhe gjithçka e pakuptueshme që ti thua, do të jenë gjithnjë pika maksimale e njeriut, flamuri i vet autentik... ato idiotësi që ti thua se do të mbeten gjithçka që të bën të dallueshëm nga kafsha... Ditën kur ato idiotësi nuk do të bëhen më, njerëzit do të jenë kthyer në disa krimba nudo të mjerueshëm si në kohën e shpellave", kështu shkruante shkrimtari, gazetari dhe piktori italian, Dino Buzzati. Vila e familjes dhe biblioteka ishin thelbësore në formimin e shkrimtarit, detaje të jetës që do të meritonin një histori më vete. Gjatë viteve të para të fëmijërisë, shkrimtari tregoi vëmendje të veçantë dhe një ndjeshmëri të madhe ndaj arteve figurative dhe muzikës. Për 12 vite ai studio piano dhe violinë, por më pas vendosi t'i braktisë studimet. Dashuria për malin është gjithashtu e rëndësishme për Buzzati-n, një dashuri që do ta shoqërojë përgjatë gjithë jetës. Pas vdekjes së të atit, në moshën 14-vjeçare Buzzati regjistrohet në Liceun e Milanos, ku njihet me Arturo Brambilla, i cili në vazhdim do të jetë edhe miku i tij më i mirë. Të dy jo rrallë herë u përballën edhe në duele shkrimesh, prej së cilave do të dalë edhe prodhimi i parë letrar i këtij autori. Me Brambilla-n do të nisë edhe një korrespondencë e vazhdueshme deri në vdekjen e parakohshme të mikut të tij të ngushtë, ngjarje që la gjurmë të thellë në jetën e shkrimtarit. Qysh në rini ai nis të mbajë një ditar ku vazhdimisht shkruante mendimet dhe ngjarjet e ndodhura. Brenda tij nisi të marrë jetë dëshira për t'iu kushtuar cilitdo zanat që ka të bëjë me të shkruarin. Ndihet mjaft i tërhequr prej gazetarisë dhe ja ku në vitin 1928, pa i përfunduar ende studimet, hyn si praktikant në gazetën "Corriere della Sera". Shënon në 10 korrik në ditar: "Sot hyra në ‘Corriere', kur do të dal prej saj? - shpejt, ta them unë, i zbuar si një qen". Në janar të vitit 1939 dorëzon dorëshkrimin e kryeveprës së tij, librit më të dashur e më të njohur, "Shkretëtira e Tartarëve" që do të kthehet më pas në një emblemë të letërsisë së ‘900-s. Lexuesi i parë që e merr këtë dorëshkrim është sigurisht miku i ngushtë, Arturo Brambilla, i cili pasi e lexon me entuziazëm ia kalon atë Leo Longanesi-t, që ishte duke përgatitur një koleksion të ri për shtëpinë botuese "Rizzoli", të quajtur "Sofà delle Muse". Me sinjalizim të Indro Montanelli-t, ai pranon publikimin e romanit, edhe pse në një letër Longanesi i lutet autorit t'i ndërrojë titullin origjinal, "Kështjella", për të evituar çdo lidhje që mund të bëhej asokohe me luftën tashmë mjaft afër. Më 10 qershor në Romë dëgjon fjalimin e Musolinit dhe shpalljen e luftës.

I thirrur nën armë, niset nga Napoli mbi kryqëzorin Fiume si korrespondent lufte dhe arrin zonën e operacioneve detare të Mesdheut. Në bordin e luftanijes Trieste merr pjesë në betejën e Kepit të Tauladës. E kujton kështu një dëshmitar i drejtpërdrejtë: "Dino Buzzati, edhe duke mos qenë i kontingjentit tonë, domethënë duke mos pasur detyra specifike në gjuajtje apo në manovrim, qëndronte gjithmonë në vendin e tij, duke treguar qetësi dhe guxim". Që nga Adis Abeba vazhdonte të ndiqte fazat e shtypjes së romanit të ri. I shkruan më 16 shkurt mikut Arturo Brambilla dhe e ngarkon të korrigjojë bocat dhe të procedojë me ndonjë rregullim të diktuar nga frika e censurave të mundshme. Më në fund, "Shkretëtira e Tartarëve" del. Libri ka sukses, botimi i parë mbarohet me shpejtësi. Rreth fundit të viteve ‘50 takon S.C., gruan e re, që pastaj do të bëhet protagoniste e romanit "Një dashuri". Duke iu referuar kësaj lidhjeje sentimentale e torturuese, ai shkruan në ditar: "E vetmja gjë, për të shpëtuar, është ta shkruaj. Të tregoj gjithçka, të bëj të kuptohet ëndrra e fundit e burrit që është te porta e pleqërisë. Dhe, në të njëjtën kohë ajo, mishërim i botës së ndaluar, të rremë, romanceske e përrallore, në kufijtë e së cilës kishte kaluar gjithmonë me përbuzje dhe dëshirë të errët". Njeh më pas Almerina Antoniacin, që e takon gjatë punës së një shërbimi fotografik për gazetën "La Domenica del Corriere". Në një bisedë me Paolo Monelin në shkurt të vitit 1961, zbulon disa aspekte të përvojës së tij private. "Ka individë... që piqen vonë, shumë të shtyrë në vite. Unë duhet të jem njëri prej tyre. Shumë gjëra nuk i kuptoj ende, të tjerat i kam kuptuar kur nuk më shërbente më t`i kuptoja. Dashuria për gruan, them dashuria, jo të shkuarit në shtrat, xhelozitë, lotët e pasionit, dëshira për të vdekur, ose madje për të vrarë veten, kënaqësia e dëshpëruar që të vuash për një mosmirënjohëse, për një të pabesë, të gjithë këtë e kam zbuluar vetëm në këto kohë. Nuk di të them nëse jam bërë më në fund i pjekur, apo sapo i kam arritur tani njëzet vjetët e vërtetë". Më 18 qershor të vitit 1961 vdes e ëma, Alba Mantovani. "Nëna ime ishte i vetmi njeri që nëse unë bëja diçka, nëse kisha ndonjë sukses të vogël, ishte me të vërtetë e lumtur për këtë. Dhe, nëse përkundrazi kisha ndonjë dhimbje të vogël, ishte me të vërtetë e pikëlluar. Ky është i vetmi tip dashurie - për atë që njoh unë - që me të vërtetë realizon në mënyrë të përjetshme (domethënë pa çekuilibrime) këtë pjesëmarrje të mrekullueshme, që është pikërisht dashuria për të afërmin", shkruan ai. Vdekja dhe varrimi i së ëmës shkaktojnë te Dinoja një vrarje ndërgjegjeje të mprehtë: akuzat për mosmirënjohje e për egoizëm që i drejton vetvetes reflektohen në tregimin "Dy shoferët"... E ndërkaq, krahas krijimtarisë së gjerë letrare e gazetareske, vend të konsiderueshëm zuri edhe piktura. Autor bocetesh e pikturash të ndryshme, Buzzati merr pjesë në ekspozita të ndryshme, duke deklaruar se e konsideron pikturën jo si një hobi, por si profesionin e tij. Në një diskutim autoironik, publikuar në katalogun e një galerie arti, ai pranon se e pikturuara dhe e shkruara për të, në fund të fundit janë e njëjta gjë. "Nuk ka rëndësi në pikturoj apo shkruaj, pikësynimi im është të arrij atë që dua, të rrëfej histori". Me "Poemë me vizatime" ai do të nderohet me çmimin "Paese Sera", në vitin 1970. Ndërkaq kishte nisur sëmundja e rëndë, prej së cilës edhe ndërron jetë në vitin 1972. Kështu e përshkruan Indro Montanelli: "Më kujtohet shëtitja jonë e fundit në Cortina. Ishte mjaft i sëmurë, por nuk donte ta thoshte. Preferonte të bënte sikur u besonte atyre që i thoshin mjekët të cilët flisnin si disa personazhe të tregimeve të tij, duke u munduar të jepnin besim në atë që thoshin, të fusnin të dridhurat deri në kockë pikërisht për atë që nuk thoshin..."

Ali Pashe Tepelena, Fransua Pukevil (Francois Pouqueville)

Ali Pashe Tepelena, Fransua Pukevil (Francois Pouqueville)

$21.13



Titulli
Ali Pashë Tepelena
Autori:
Fransua Pukëvil (François Pouqueville)
Shqipëruar me një studim nga:
Ardian Klosi
Shtëpia botuese: K&B
F. 548
Pesha: 0.9 kg



Ka dalë në qarkullim: "Ali Tepelena: Historia e vezirit të tmerrshëm", nga Fransua Pukëvil (François Pouqueville) nën shqipërimin e Ardian Klosit, pajisur me një pasthënie të gjatë prej tij. Është biografia kyçe e historianit frëng për vezirin e Janinës, botuar për herë të parë më 1825, si gjysma e parë e veprës së tij në tri vëllime "Historia e ringjalljes së Greqisë".

Prej saj u nisën gjithë shkrimtarët, historianët, artistët e mëpasëm që vunë në qendër figurën e Aliut ose episodet e ndryshme rreth karrierës së tij. Mjerisht në Shqipërinë komuniste dhe paskomuniste kjo vepër e Pukëvilit u quajt si "jo dashamire ndaj shqiptarëve", "me mllefe kundër Ali Pashës" etj. dhe nuk arriti deri më sot të shohë dritën e botimit.

Në disa numra do të botojmë nga Pukëvili portrete të Ali Tepelenës në periudha të ndryshme të jetës së tij, shoqëruar me fragmente nga pasthënia. Jetuan gati 9 vjet pranë e pranë, të vëmendshëm, dyshues, pa ia hequr sytë njëri-tjetrii Veziri u trembej letrave të konsullit dhe zotërisë së tij, perandorit, konsulli u trembej kurtheve dhe vrasësve të vezirit.

Veziri admironte fuqinë që fshihej prapa konsullit, Bonapartin e madh, pushtuesin e Europës, konsulli magjepsej nga errësirat që fshihte shpirti i tiranit. Veziri shpresoi ta përdorte në makinacionet dhe kombinimet e tij, pa sukses, konsulli u betua se do t'ia tregonte gjithë botës karrierën e tij gjakatare, me sukses, vetëm se më pas, atëherë kur koka e tij qe porositur për në Stamboll.

Pa Fransua Pukëvilin Ali Tepelena do të kishte mbetur një nga ata sundimtarët e Orientit që bëjnë emër sa janë gjallë, shkaktojnë edhe tërmete, pastaj i përpin historia. Do kishte mbetur diku në një varg të Bajronit ose në shënime ekzotike udhëtarësh europianë.

Kurse biografia që Pukëvili nisi ta botonte qysh në gjallje të pashait e që e mbylli të plotë 3 vjet pasi koka e tij u ekspozua në Bab Humajum, që u përkthye në gjuhët kryesore europiane me një shpejtësi prej shekulli 21, i dha një famë që mbajti me dhjetëvjeçarë të tërë. Ajo u ngacmoi fantazinë disa prej penave më të mëdha të kohës, Hygoit, Dymasë, ajo dha lëndë për vepra skenike ose për tablo madhështore të cilat mund t'i kundrosh edhe sot në galeritë e Luvrit.

Krahasimi mund të bëhet vetëm me një figurë tjetër shqiptari, tre shekuj e ca më parë, atë të Skënderbeut, vetëm se në drejtim të kundërt: Barleti, biografi i Gjergj Kastriotit, i dha Europës shembullin frymëzues të heroit të krishterë që është në gjendje ta pengojë vërshimin osman, kurse Pukëvili, biografi i Ali Tepelenës, i tregoi kontinentit shembullin tmerrues të tiranit oriental që s'ndalet para asgjëje në karrierën e vet, e që pastaj papritur bëhet pishtari që i vë flakën perandorisë së tij.

Vepra e Pukëvilit u mirëprit kudo, vetëm në vendin e lindjes së protagonistit të tij jo, sidomos pas Luftës së dytë botërore dhe ngritjes në Shqipëri të një historiografie të vetme, me vendosjen e një diktature të vetme. Edhe pse qëndrimi ndaj Aliut nuk u shpreh në mënyrë krejt eksplicite si në rastin e Skënderbeut ose rilindasve e të tjerëve, u nënkuptua se ai ishte një figurë e shquar e kombit. U përkrah botimi i disa veprave zbukuruese për të, dalëngadalë në vitet 70 e 80 u poq edhe qëndrimi zyrtar i historiografisë që thoshte pak a shumë se Ali pashë Tepelena punoi për një pashallëk të pavarur shqiptar, i nënkuptuar gati si pararendës i pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë frymë as që mund të mendohej botimi i biografisë së parë dhe kryesore për të, asaj të Pukëvilit.

Njëkohësisht u përhap opionini, përsëri zyrtar, se Pukëvili nuk kishte qenë dashamirës ndaj shqiptarëve dhe se kishte shtrembëruar faktet historike. Kjo gjendje vazhdoi edhe pas vitit 1991, megjithë liberalizimin e botimeve. Me sa duket biografia e Ali Tepelenës nga Pukëvili ka qenë kafshatë e fortë edhe për periudhën e pluralizmit të mendimeve. Çka tregon edhe një herë se e kemi vështirë të merremi haptas me historinë tonë, me ngjarje dhe fakte që mund të luhatin skema të ngulitura nëpër koka prej kohësh. Nga Ardian Klosi

Fragment nga libri

Kjo ekspoze më shtyn të vendos në planin e parë të tablosë sime një njeri që sundoi për një kohë të gjatë në Greqi dhe që e mbushi skenën deri në atë shkallë, saqë Greqia u përgatit për fatin e vet të lartë nën hijen e ambicies së këtij tirani.

Do të hyjë në tregimin tim gjithë ajo që arriti të bëjë gjenija fatale e një skithi muhamedan, i cili kalkulimet e arsyes i përdorte vetëm për të turbulluar rendin publik; kurse talentet e jashtëzakonshme me të cilat e kishte pajisur një natyrë e egër, për t'u ngjitur, krim pas krimi, në rangun e sovranëve, të cilët arrinte t'i sfidonte si i barabartë mes të barabartëve.

Një përzierje mendjehollësie dhe injorance, naiviteti dhe pabesie, maturie dhe kuturisjeje, trimërije dhe vetëruajtjeje, mizorie dhe bestytnije, tolerance dhe fanatizmi; kam për të treguar se si Ali Tepelenë Veli Zadeja, si krijoi një nga ato famat e përbindshme që kanë për të jehuar gjatë në të ardhmen, erdh u rrokullis nga maja e pushtetit teposhtë, duke i lënë Epirit, atdheut të tij, trashëgiminë ogurzezë të anarkisë, dinastisë tartare të osmanllinjve të këqija që s'llogariten, grekëve shpresat e lirisë dhe Europës tema ndoshta afatgjate grindjesh dhe mosmarrëveshjesh.

I panjohur ashtu si dhe farërat e pavarësisë që po mugullonin në Greqi, Ali Tepelena lindi së bashku me to aty nga viti 1740....

Ai thosh se rridhte nga një familje e moçme e Azisë së Vogël, i pari i së cilës i quajtur Isa ose Jezu, pat kaluar në Epir bashkë me hordhitë e Bajazit Ilderimit; mirëpo nuk përmend asnjë titull që të përligjë origjinën e vet.

Gjurmimet që kam ndërmarrë për të nxjerrë prejardhjen e tij ma tregojnë më tepër vendas sesa aziatik, pasardhës shqiptarësh të krishterë që përqafuan muhamedanizmin pas pushtimit të Shqipërisë nga turqit.

Ky fakt duket pozitiv; kurse sa për gjenealogjinë e tij, që zbret deri në fundin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, ajo do të kishte mbetur pa ndonjë interes sikur ambicja e tij të mos e ngjiste përpjetë në shkallët e famës.

Lahuta e Malësisë. Varianti i plotë dhe me shënime


Titulli: Lahuta e Malësisë. Varianti i plotë dhe me shënime
Autor: Gjergj Fishta
(libër me kopertinë të trashë)
Shtëpia botuese: UEGEN
Viti: 2010
fq. 332
Pesha: 0.36 kg
ISBN: 978-99956-27-21-8

Lahuta e Malesise. Varianti i plote, Gjergj Fishta

"Lahuta e Malësisë", me 30 këngë, rreth 17.000 vargje është quajtur nga shumë studiues "Iliada" shqiptare, është vlerësuar si i vetmi epos kombëtar i letërsisë sonë, madje edhe si epos i Ballkanit. Si vepër epike që është, megjithatë "Lahuta e Malësisë" nuk ka një subjekt të mirëfilltë qendror, rreth të cilit të vërtiten ngjarjet, rrethanat, personazhet përfytyrimet. Nëse do të kërkonim një hero qëndror të veprës, ai do të ishte heroi anonim, populli. Unitetin e veprës në të vërtetë, e krijon një përsonazh që, herë vihet në plan të parë, herë është i nënkuptuar. Është Fati i Shqipërisë, jo më me këtë emër si në poemat e tjera epike si "Skënderbeu i pafat" i Jeronim De Radës, "Historia e Skënderbeut" të Naim Frashërit etj. Këtu Fati i Shqipërisë qëndron prapa simbolit mitologjik "Ora e Shqipërisë". Dhe, sipas besimit shqiptar, rrotull kësaj ore, grupohen orët e fiseve, bajrakëve, trojeve, orët e shtëpive, së fundi, orët e çdo luftëtari, të çdo shqiptari. Këto krijojnë ansamblin më simpatik të personazheve në grupin e personazheve mitologjike dhe përgjithësisht në vepër meqë përcjellin edhe mesazhin madhor të mbijetesës së shqiptarit dhe të kombit të tij, pavarësisht nga befasitë më tragjike të çfarëdo kohe që mund të vijë. Në unitetin e veprës ndikojnë drejtpërdrejt edhe zanat, ndër të cilat njëra përcakton unitetin formësor të veprës. Kjo është Zana shqiptare që ka kuptimin e Muzës së "Iliadës" të Homerit. Në pikëpamje të rolit që luan në poemë, përbën binom me Orën e Shqipërisë. Në këtë grupim bëjnë pjesë edhe kuçedrat, dragonjtë, lugetërit, hijet etj., etj.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...