Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/05

Ismail Kadare : Don Kishoti në Ballkan



Shkrimi i mëposhtëm me titull Don Kishoti në Ballkan që mban firmën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare , është njëkohësisht edhe parathënie e botimit të ri të veprës se Servantesit. Një shkrim i transkriptuar pas fjalës se improvizuar në frëngjisht të Kadaresë, gjatë një konference mbajtur disa vjet më parë në Bibliotekën Kombëtare të Spanjës. Ky shkrim u botua në spanjisht nga media vendase e vjen në shqip i përkthyer nga Mira Meksi .



Nga Ismail Kadare

Në një konferencë që u bë më pas e famshme, në vitin 1939, në Nju Jork, Thomas Mann-i, duke folur për një grindje midis poetit të madh pers Firduisit, autorit të Librit të Mbretërve (Shahiname) dhe Shahut - punë honorarësh, pasi Shahu i kishte premtuar një sasi floriri për poemën e vet dhe pastaj ia kishte mohuar, - thoshte se gjera të përmasave të tilla mund t'u bëjnë vaki vetëm poeteve të mëdhenj epike. Në të gjithë i dimë - i kemi mësuar që në shkolle, - grindjet midis studenteve grekë për vendlindjen e Homerit. Është i njohur diskutimi nëse që Shekspiri vetë ai që i shkroi veprat e tij apo qe Baconi. Një gjë pak a shumë e ngjashme ka ndodhur me Servantesin në një vend të Ballkanit, të cilin ndoshta nuk e njihni. Diskutohet se ku qe burgosur Cervantes, në Algjeri apo atje në Ballkan. Me sa duket, kjo puna e burgimit të shkrimtareve vazhdon t'u ngjallë shumë kureshti popujve sot dhe mendoj se është domethënës fakti që, edhe pas kaq shumë vitesh, në Gadishullin Ballkanik flitet ende për burgimin e Cervantes-it, madje dhe pa ia ditur saktë emrin shkrimtarit.

Një folklorist shqiptar, duke folur për legjenda dhe kronika të vjetra mesjetare, përshkroi, përpara pak kohësh në shtyp disa histori për Cervantes-in, që kishin kaluar nga goja në goje, duke hedhur tezën se ka mundësi që Cervantes-i nuk ka qënë i burgosur në Algjeri, por në një qytet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ky studiues e bazon tezën e tij në rrëfeja pleqsh, të cilët përqëndroheshin në faktin se robi ishte një spanjoll shumë i ditur, për të cilin u pagua një sasi e madhe parash që ta lironin nga burgu. Emri i tij del, ka raste Cervantes, ka raste Servet apo Sarvet. Dhe të gjitha rrëfenjat përkojnë në një pikë, që ky rob i burgosur kishte miq në Spanjë dhe ata, që nga larg, donin ta lironin me çdo kusht. Studiuesi pohon se ka fort të ngjare që Cervantes-i të këtë qënë rob në Ballkan, sepse bregdeti ballkanas është shumë i thyer dhe plot me guva e shpella të përshtatshme për piratet. Sidoqoftë, edhe në mos qoftë e vërtetë historia, është tepër emocionues për një shkrimtar fakti, që pleqtë e Ballkanit, që janë analfabete, të ruajnë në kujtese fatin dhe jetën e këtij njeriu. S'duhet harruar që këta pleq mbajnë shumë drama në kujtesën e tyre dhe, në kohën që linden këto rrëfenja, Cervantes-i nuk ishte botuar në Ballkan. Mendoj se është domethënëse që njerëz injorante të mbajnë në kujtese një shkrimtar, ndonëse kjo ndodh fort rrallë.

Njerëzimi ka një ndjeshmëri shumë të veçante për të zgjedhur se ç'njerëz do të përdorë për krijimet e tij, me çfarë njerëzish do t'i mbrujë legjendat e veta. Sado e çuditshme që të duket, lidhja midis Cervantes-it dhe pleqve të Ballkanit ka një logjikë të brendshme. Një logjike e brendshme e prek këtë lidhje dhe e pohon atë.

Kjo, nga ana e saj ka të bëjë me temën që do të trajtoj më tej, me faktin që udhëtimi i Don Kishotit nuk është një udhëtim hapësinor, por bën pjesë në udhëtimin e brendshëm të njerëzimit. Udhëtimi i Don Kishotit ndodh në kohën e udhëtimeve të mëdha, siç është udhëtimi më i famshëm dhe me më bujë i historisë së njerëzimit: zbulimi i Amerikës. Nuk mund të këtë, është e pamundur që në histori të këtë një zbulim më të madh se ky.

Bota, toka, globi tokësor u dyfishua. Por ka ndodhur diçka e habitshme: ky zbulim kaq i madh pothuaj se nuk la gjurmë në letërsinë botërore. Domethënë, nuk i pasuroi faqet e saj. E megjithatë, udhëtimi i një marroku nga një fshat në një tjetër të Spanjës, një udhëtim që nuk i ka sjellë atij asgjë dhe që, nuk kishte pikë rëndësie për njerëzimin, që nuk i ka sjellë atij asgjë dhe që, ndoshta, as që ka ndodhur fare, i jep njerëzimit një nga kryeveprat më të mëdha letrare. A është kjo një kundërshti apo në logjikën e gjerave? Unë besoj se nuk është kundërshti. Gjithmonë, kur kanë ndodhur zbulime në botë, zbulime të mëdha, është shtruar ideja se këto zbulime do të transformonin letërsinë. Të fundit janë udhëtimet, zbulimet kozmike dhe sidomos fakti që njeriu ka shkelur në Hënë. Për shumë njerëz poezia po merrte fund në botë, sepse Hëna, një nga frymëzueset e poezisë, tashmë humbte misterin, meqë po shkelej nga njeriu. Në e dimë se kjo nuk ndodhi. E, megjithatë, me kalimin e kohës, kaneë kaluar tashmë shumë vjet, udhëtimi i Don Kishotit i takon këtij kalendari të fshehtë. Prandaj ka ndikuar në letërsinë botërore më tepër se shpikja e lokomotivës, më tepër se zbulimet e Kristofor Kolombit, më tepër se anijet kozmike. Ndonëse duhet thënë se ky personazh i madh i historisë së njerëzimit nuk ka bërë shpesh inkursione të gjalla në jetën njerëzore. Jeta e këtij personazhi është e dyfishte: ai bën pjesë njëkohësisht në trazimin e brendshëm të njerëzimit, por edhe në jetën e jashtme të tij. Më pas do të mundohem të shpjegoj se përse duke dalë në botën e jashtme, kjo figureë është dëmtuar jashtëzakonisht. Përpara kësaj, do të hap një parantezë në lidhje me përkthimin e Don Kishotit në një vend të Ballkanit, në vendin tim, në Shqipëri. Është një fakt tipik që ky personazh hyn i gjallë në histori. Don Kishoti u përkthye në shqip nga peshkopi i Shqipërisë. Ky peshkop ishte në luftë me mbretin e ardhshëm të Shqipërisë. Peshkopi përpiqej ta përmbyste monarkun. Për t'u dhënë guxim njerëzve e, në rradhë të parë, vetes, në fillim përktheu Hamletin dhe Makbethin dhe arriti vërtet ta përmbyste mbretin. Më pas, mbreti rrëzoi përsëri peshkopin dhe u përmbys situata, dhe ndërsa peshkopi ishte ngujuar dhe tejet i trishtuar, iu vu përkthimit të Don Kishotit. Në parathënien me të cilën peshkopi shoqëron librin, thoshte se Don Kishoti do të kuptohet në Ballkan më mirë se në çdo vend tjetër. Ai e gjeti një lidhje midis marrëdhënieve të Spanjës me hapësirat amerikane dhe lidhjeve të njerëzve të Ballkanit me Perandorinë Otomane, vetëm se këtu fati është i përkundërt. Ndërsa Spanja pushtoi hapësirat e mëdha amerikane, popujt e Ballkanit u pushtuan nga një tjetër forcë, që vinte nga hapësirat e mëdha. Është njëlloj sikur Spanja të pushtohej nga indianët e Amerikës. E, megjithatë, ndodhi pak a shumë e njëjta gjë: Perandoria Otomane, që ishte jashtëzakonisht e madhe, krijoi marrëdhënie aventureske me popujt e Ballkanit. Ajo kishte qindra mijëra ushtarë të një niveli të lartë, ushtarë të bindur, tepër të bindur, porse i mungonin oficerët. Kishte nevojë për çmendurinë ballkanase. Në këtë mënyrë shpjegohet që ushtria otomane e krijoi elitën e saj ushtarake kryesisht me oficerë ballkanas, sidomos shqiptarë. Kur u shpërbë kjo perandori, të gjithë këta oficerë dhe mercenarë mbeten pa punë. Dhe këtu e gjen paralelizmin peshkopi midis këtyre njerëzve dhe Don Kishotit dhe Sanco Pancos, që nuk kanë shkuar në Amerikë, por bredhin poshtë e përpjetë dhe fillojnë të ëndërrojnë kthimin e të kaluarës. Peshkopi shqiptar thotë se të gjitha vendet e Ballkanit në shekullin XX janë mbushur me Don Kishote, por ne po shohim se hija e tij vazhdon të shfaqet edhe sot në gadishull. Figura e Don Kishotit vazhdon të përdoret shumë shpesh tani midis partive politike. Nuk ka forcë politike që të mos këtë akuzuar liderët perëndimorë si Don Kishotë. Këta të fundit kanë bërë të njëjtën gjë duke akuzuar stalinistët si Don Kishotë. E kështu më rradhë, historia vazhdon. Ka disa javë, dëgjova në fushatën elektorale presidenciale në France që njëfarë Philippe de Viller, përpara kamerave, e cilësuan si një Don Kishot. Dhe siç e shikoni, Don Kishoti del i humbur në të gjitha rastet, sepse në të gjitha rastet politikanët që ia përdorin emrin janë nën nivelin e tij dhe nuk kanë grime nga fisnikëria e tij.

Kjo është një karakteristike mijëvjeçare e njerëzimit. Besoj se dy personazhe të letërsisë dhe të botës, Prometeu dhe Don Kishoti, kanë patur një fat të përbashkët, janë korrigjuar, kanë ndryshuar janë reformuar nga njerëzimi. Në pamje të parë, duket një nder i madh që i gjithë njerëzimi merr pjesë në ribërjen e një personazhi, porse ky ndryshim, ky korrigjim mund të jetë për mirë ose për keq. Në rastin e Prometeut, personazhi ka fituar dhe në rastin e Don Kishotit ka humbur. Por në të dyja rastet është diçka e jashtëzakonshme që njerëzimi bëhet bashkautor me shkrimtarët. Do të mundohem ta shpjegoj këtë më thjeshtë. Le të marrim Prometeun: Prometeu nuk u krijua as nga legjenda dhe as nga Eskili në kohën e tij, ashtu siç e njohim në sot. Prometeu u pasurua nga i gjithë njerëzimi. Ai ka qënë një personazh shumë më i koklavitur se ai që njohim tani. Prometeu arriti të merrej vesh me Zeusin, ndërsa pjesa më e madhe e njerëzimit këtë fakt nuk e njeh, domethënë nuk e rinjeh, e ka shmangur, ia ka bërë një korrigjim personazhit. Me një fjalë, e ka bërë heroik Prometeun. Me Don Kishotin, siç thamë më lart ndodh e kundërta, i humbet fisnikëria duke e krahasuar me personazhet mediokër. Schiller-i thoshte se përfytyronte korin e tragjedive antike si një mur mbrojtës, si një ledh që e mbron artin nga ndërhyrja e njerëzve, që nuk duhet ta prekin atë. Sipas tij, pjesëmarrja e spektatoreve grekë në teatër do ta kishte shkatërruar atë. Natyrisht është populli ai që mban të gjallë artin dhe tjetër gjë është ta mbash të gjallë artin dhe tjetër gjë të ndërhysh për ta rregulluar, për ta korrigjuar, për ta riformuar. Sidoqoftë, ekzistojnë personazhe të mëdhenj, tek të cilët njerëzimi ka ndërhyrë për t'i ndryshuar pikërisht për hir të popullaritetit të tyre. Nga ana tjetër, ka vepra të mëdha si Makbethi i Shekspirit; megjithatë, Makbethi asnjëherë nuk është kthyer në një figurë popullore në botë. Çuditërisht kjo ka ndodhur me shoqen e tij, Ledin Makbeth, e cila vitet e fundit është përdorur si figurë krahasuese për disa nga gratë e udhëheqësve komuniste, sidomos për Chiang Chingun, vejushën e Mao Ce Dunit, dhe Elena Causheskun.

Kjo tregon se mund të këtë vepra të mëdha të njerëzimit, si Makbethi, Fausti, Vëllezërit Karamazov etj, personazhet e të cilave i përkasin vetëm gjithësisë së artit. Të tjerë personazhe, si Prometeu apo Don Kishoti, dalin në këtë botë dhe pikërisht për shkak të kësaj daljeje vendosen përpara një prove shumë të vështirë. Besoj se Don Kishoti vazhdon të jetë edhe sot një personazh i pashpjeguar. Është e nevojshme të bëhet një përpjekje, një përpjekje e madhe nga të gjithë, për t'ia vënë nderin në vend, për ta ngritur serish në vendin që i takon. Nuk mund të lejohet që Don Kishoti të përdoret në diskutimet politike. Historia e vërtetë e botës, ajo që i intereson letërsisë dhe së cilës i përket Don Kishoti është, siç thamë më lart, historia e brendshme e saj. Kalimi nga një botë tek tjetra, me fjalë të tjera, dalja në klimën e egër të botës ku në jetojmë, siç është rasti i Don Kishotit, mund të këtë rrjedhoja dramatike.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...