Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/05

ARTISTIKJA DHE ATDHEDASHURIA NË GËRSHETIM :HYDAJET HYSENI



Dashuria për fjalën e bukur artistike dhe dashuria për çlirimin kombëtar, Hydajet Hysenin e kishin pushtuar qysh ne moshë të re. Vargjet e thurura që i buronin nga thellësia e shpirtit, Hydajeti i ri ishte i vetëdijshëm se vjershat e tij nuk do të botoheshin në faqet e gazetave dhe revistave të asaj kohe, sepse ato vargje frymonin me çlirimin, lirinë, vuajtjet dhe padrejtësitë shekullore që iu bënë popullit të tij. Mirëpo, djaloshi i ri nuk demoralizohej dhe vazhdonte me poezinë dhe vargjet e tij i recitonte para shokëve dhe ushqente shpresën se një ditë do të vijë koha që edhe poezia e tij nuk do censurohej.


Shkruan: RESHAT SAHITAJ

Vetmia


Dashuria për fjalën e bukur artistike dhe dashuria për çlirimin kombëtar Hydajet Hysenin do ta shoqëronin gjatë tërë veprimtarisë së tij ilegale, dhe tani më në fund edhe me veprimtarinë legale. Këto dy dashuri, edhepse të ndaluara, Hydajet Hysenit do t’i shërbenin si motiv dhe gjenerator për të mbijetuar dhe për t’i sfiduar të gjitha problemet që i haste duke u nisur nga torturat fizike e psikike që policia serbe ia bënte e deri tek intrigat më perfide të ndonjë primitivi apo servili të pushtetit të asaj kohe e ndoshta edhe të kësaj kohe. Sa herë që Hydajeti ndodhej i vetmuar në qelitë e ftohta të burgut, në mendjen e tij i parakalonin djemuria heroike shqiptare që i kishte përjetuar pikërisht në të njëjtën qeli, në të njëjtin burg , të njëjtat tortura: Dikush kishte arritur të vuante tërë dënimin,dikush kishte vdekur në burg pa e përfunduar dënimin, dikush ishte liruar për të vdekur pak muaj më e vonë e dikush kishte mundur t’i përballonte deri në fund. Mendjen e djaloshit të ri e preokuponte fati i qindra e mijërave djelmosha që kishin hy ne dyert e të njëjtit burg dhe i mijëra të tjerëve që do të hynin pas tij. “Burgjet plot, liria më afër”, shkruhej asokohe në revista e gazeta ilegale dhe kjo thënie i çelnikoste të rinjtë me patriotizëm dhe forcë duke i frymëzuar që t’i kundërshtonin forcat e pushtuesit të instaluara në Kosovë.


Hydajet Hyseni, deputet në Kuvendin e Kosovës

Në vetmi, Hydajet Hysenit do t’i rikujtoheshin sa e sa herë rrëfimet e më të vjetërve që flisnin për trimëritë e burrave të këtyre anëve dhe ndoshta këto rrëfime ia shtonin shpresën dhe ia forconin idenë se shumë shpejtë shqiptarët do të fitonin atë që e kërkonin. Ndoshta ato rrëfime të pleqve e të burrave që e përcillnin amanetin gojë me gojë, djaloshin e ri e kishin brumosur me ide patriotike. Mbase ato rrëfime të dëgjuara shumë herë në oda në momente më të ngushta, më dramatike, i mbyllur mes katër mureve, po ia shtonin vullnetin për të jetuar. E ndoshta pikërisht në ato momente vetmie në qelinë e ftohtë do t’i lindte edhe ideja për krijimin e poemës së tij “Pushka amanet”, që është një poemë ku përshkruhet artistikisht njëra prej periudhave më të tmerrshme të pas Luftës së Dytë Botërore që e kishte përjetuar populli shqiptar - kohën e aksionit të armëve. “Pushka amanet”, në vitet e 80-ta, do të recitohej dhe incizohej në një studio të njohur në Brukselit dhe për një kohë shumë të shkurtër kjo poemë dhe disa poezi tjera të Hydajet Hysenit do të bëhen ushqim shpirtëror i tërë diasporës shqiptare qe nga Evropa deri në Australi dhe në Amerikë. Poezitë e Hydajet Hysenit të incizuara në Pllakë 33 Tr ( sikur sot CD), e të shpërndara falas kudo në metropolet botërore të banuara me shqiptarë, u shumëzuan edhe në mijëra kopje nga vetë bashkatdhetarët dhe brenda një viti nuk kishte shtëpi shqiptare dhe veturë shqiptare në diasporë e të mos i dëgjoje vargjet e poezive të Hydajet Hysenit të recituara nga R.S. Gjatë viteve ‘80-ta, nuk kishte demonstratë shqiptare e diasporës ku para, pas ose gjatë manifestimit që të mos dëgjoje vargjet: “Mbi Kosovën time/ Dimër ka pllakosur/ Borë e shi pa pra/ Acar që s’ka të sosur./ Nëna, nuse, fëmijë/ Lotët derdhin gurrë/ Zemra e kurbetçiut,/ digjet sikur furrë/ “. Asokohe pak kush e dinte kush ishte autori që i kishte shkruar këto vargje e kush i recitonte, por porosia e poezive të Hydajet Hysenit depërtonte thellë në zemrat e çdo shqiptari që i lexonte ose dëgjonte.

                                                       Demonstratat në vitin 1981

Vula e atdhedashurisë në poezi


Për poezinë e Hydajet Hysenit deri më sot Agim Vinca e ka analizuar më së miri dhe e quan si përfaqësues tipik të brezit të 81-shit, ku veç tjerash shkruan: “ ...veprimtar i devotshëm dhe krijues i ndjeshëm, që shkruan një poezi të qartë e konkrete, e cila niset pothuajse gjithmonë nga një fakt real dhe si e tillë arrin të komunikojë lehtë me lexuesin dhe veçanërisht me atë kategori lexuesish që e ndien vërtetë dramën për të cilën fletë ajo dhe kauzën për të cilën angazhohet poeti”.

Posa të përmendim vitin 1981, automatikisht na lidhet me Hydajet Hysenin, i cili aso kohe ishte në ballë të demonstruesve që kërkonin të drejtat legjitime që u takonin. Hydajet Hyseni dhe tërë ajo gjeneratë e dinin se Pranvera e 81-shit, ishte vendimtare për shembjen e ëndrrave serbe se Kosovën gjithnjë do ta mbanin të pushtuar. Pranvera e 81-shit, ua lëkundi muret e kalbura të shtetit Jugosllav, që secili e dinte se ishte pikëvazhdimi i një rezistence shumëvjeçare dhe nga kjo rrugë më nuk kishte forcë që mund t’i ndalonte shqiptarët në rrugën e tyre drejtë lirisë. Asnjëri aktivist i asaj gjenerate kurrë nuk do ta imagjinonte se 27 vjet më vonë, në një Kosovë të lirë do të ngritën disa “analistë” tanë dhe demonstruesit e vitit 1981, do t’i quanin të manipuluar, kurse organizatorët si spiunë të Serbisë. Hydajet Hyseni dhe shokët e tij, po t’u kishte shkuar mendja se një ditë në Kosovë të çliruar do të quheshin të manipuluar, vitet në burgje do i kishin përjetuar edhe më rëndë.

Vuajtjen e dënimit, Hydajet Hyseni, e shkurtonte duke e lëshuar imagjinatën e tij lirshëm e duke mbajtur shpresën së populli është ai që e ka fjalën e fundit, andaj edhe në ilegalitet punonte në ngritjen e vetëdijes kombëtare gjithëpopullore, që secili aktivist e bënte në formën e tij, e Hyda i ri, përveç se tjerash, i shkruante poezi gjendjes reale që përjetonte populli shqiptarë nën okupimin e huaj një pjesë shumë të mirë do ia kushtonte edhe rinisë shqiptare të shkapërderdhur në katër anët e botës. Hydajet Hyseni në poezinë e tij e përshkruante gjendjen shpirtërore të mërgimtarit e njëherazi të prindërve që digjeshin flakë për bijtë e tyre në mërgim. “Mbi varr të saj atëherë, /Mund të mbijë bar,/ Por sytë e saj nuk mbyllen /Djalin pa e parë/”, janë vargjet e poezisë: “Qan Kosova për bijtë e saj”. Në këtë poezi, Hydajet Hyseni, mjeshtërisht përshkruan ndarjen në mes birit dhe nënës, të cilët do të vdesin pa e parë kurrë më njërit-tjetrin.

Mbi 500 faqe poezi të Hydajet Hysenit, në secilën prej tyre do të vërehet vula e atdhedashurisë, ashtu siç është e mbushur edhe tërë jeta e Hydajet Hysenit me veprimtari patriotike për çlirimin kombëtar. Pa asnjë dyshim Hydajet Hyseni do të mbetët në mënyrë të pakontestueshme në faqet e Historisë së Letërsisë, dhe në atë të Historisë së popullit tonë.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...