Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/05

KOHA QË UNMIK-EULEX-I DHE FAJT-DELLI TË IKIN NGA KOSOVA



Shkruan : Xhevat Bislimi

Diçka si hyrje


Për t’ua mbyllur rrugën e shpifjeve dhe kritikave kundërshtarëve dhe dashakqinjve po e them që në fillim të këtij shkrimi se populli shqiptar, pra edhe unë, i është për jetë mirënjohës Qeverisë dhe popullit të SHBA-së për përkrahjen dhe ndihmën që ka dhënë për çlirimin e njërës prej krahinave më të mëdha të Shqipërisë (Kosovës) nga pushtuesit serb. Po e deklaroj këtë, sepse po të shpallën «kundëramerikan» në këtë kohë, të mori lumi! Gati si në kohën e mesjetës kur dikush shpallej «heretik»! Një ditë në faqe të parë të në gazete lexova se «kritikat kundër Dellit janë kritika kundër Amerikës»!! Ec e mos u tremb! Populli shqiptar dhe vetë UÇK-ja ishin përcaktuar, madje edhe betuar, për «çlirimin dhe bashkimin e të gjitha krahinave të pushtuara nga serbët, grekët, maqedonët dhe malazezët» por, ndërhyrja e NATO-s i dha fund Luftës Çlirimtare të UÇK-së dhe e «mbylli» (përkohësisht) këtë çështje me vendosjen e KFOR-it dhe të UNMIK-ut në krahinën shqiptare të Kosovës. Të gjithë ne do të donim, sepse vetëm kështu mbylleshin konfliktet në Ballkan, që forcat e NATO-s dhe Administrata e OKB-së, të vendoseshin në territorin e Serbisë, e cila ishte shkaktarja e të gjitha luftrave në Ballkan. Ky shtet ishte përgjegjës për shkatërrim ekonomik, për krime lufte, gjenocid dhe holokaust ndaj shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Ndoshta, dhe sigurisht, sepse raporti i forcave në botë ishte i tillë, padrejtësinë përsëri duhej ta vuanin shqiptarët dhe boshnjakët. Kroatët i mbyllën hesapet me Serbinë nëpërmjet « ollujës », duke mos ia besuar fatin e vendit të tyre UNMIK-EULEX-it dhe miqëve ndërkombëtarë.

Aq mirë kaloi UNMIK-u në Kosovë, aq dashuri, respekt dhe mikpritje i ofruan shqiptarët atij sa u josh edhe Bashkimi Evropian për ta përgatitur dhe dërguar një mision të tij !! EULEX-i ishte më me fat. Pjesën e vështirë të rrugës e kishte hapur UNMIK-u. Kuptohet, me ndihmën e kolaboracionistëve shqiptarë, të cilët ishin "pajtuar" që UNMIK-u ta ruante Veriun e Kosovës për Serbinë, kurse në pjesën tjetër, sidomos në Anamoravë, të krijonte komuna të tjera serbe, një Veri të dytë!! De jure këto komuna serbe u themeluan nga EULEX-i gjatë viteve 2009-2010. Kontribut të veçantë dhe ndikim të madh (ndoshta vendimtar) për krijimin e këtyre komunave serbe (para se të zgjidhej çështja e Veriut dhe para se të vendosejë kontrolli i autoriteteve të Kosovës atje) pati ambasadori Dell, dihet, gjithmonë në emër të SHBA-së ! Më duhet ta them shkoqur se përgjegjësinë politike, kombëtare dhe historike për këto koncesione të rrezikshme për lirinë, pavarësinë dhe tërësinë e kësaj krahine shqiptare (Kosovës), që u shpallë edhe shtet i pavarur, e kanë Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës dhe, sidomos, kryetarët e komunave që pranuan dhe lejuan, pa patur mandat, krijimin e komunave serbe në komunat e tyre!!

Imponimi i Pacollit, vendimi i Gjykatës kushtetuese dhe Delli e Fajti

Tashmë dihet botërish se kandidatura e Pacollit iu imponua PDK-së dhe popullit të Kosovës nga Hashim Thaçi. Ai edhe ashtu ka pranuar të marrë përgjegësinë për listat e kandidimit për deputet, për koalicionin me Pacollin, për ministrat dhe për zgjedhjen e Pacollit Kryetar Kosove, sic e pati marrë personalisht përgjegjësinë për kandidimin e Astrit Salihut për Kryetar Prishtine!! «Martesa» me Pacollin ishte zgjedhja më e keqe e mundshme që bëri Thaci. Po dua të besoj se e bëri me qëllimin e mirë që t’u shpëtojë trysnive dhe shantazheve të të huajve, misioneve dhe agjenturave të tyre pa e kuptuar se trysnia e shantazhi vjen e rritet bashkë me lëshimet. Ne, disa që vazhdonim ta konsideronim si Kryetar Partie dhe para së gjithash si bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar, si shokun tonë të dikurshëm, ia thamë troç se kjo ishte zgjidhja më e gabuar dhe më e dëmshme për PDK-në, për Kosovën dhe për vetë atë. Por, disa njerëz (titistë e rugovistë), të cilët ka kohë që e kanë rrethuar dhe po i marrin frymën e nxitën dhe inkurajuan vazhdimisht të gabojë dhe të sharrojë. Për zgjedhjen e Pacollit në kundërshtim, jo vetëm me vullnetin e Partisë së tij dhe të popullit shqiptar, por edhe në kundërshtim me Kushtetutën e nxitën dhe e mbështetetën edhe Delli dhe Fajti. Këta dy janë përgjegjës të drejtëpërdrejtë për nxitjen dhe mbështetjen që i kanë dhënë koalicionit Thaçi – Pacolli dhe «zgjedhjen» e këtij të dytit «Kryetar» të Kosovës! Ndërhyrja e tyre në punët e Kosovës dhe në sistemin e saj është tepër brutale dhe skandaloze. Megjithatë, duhet ta pranojmë se fajin nuk e kanë ata por, këta që kanë ndërtuar marrëdhënie të këtilla me ta, zotëri – shërbëtor!! Megjithatë, Gjykata kushtetuese e «riparoi» këtë poshtërim që iu bë popullit shqiptar dhe këtë dhunim brutal të Kushtetutës. Shpallja e zgjedhjes së Pacollit jokushtetuese, e pa qenë, e shpëtoi Kosovën me fytyrë dhe i dha shuplakë të nxehtë atyre shqiptarëve dhe «miqëve» ndërkombëtarë që dashtën me ia nxi fytyrën këtij vendi.

Thirrja dhe porosia, që Delli dhe Fajti u bënë deputetëve në formë shantazhi e kërcënimi (këtij kërcënimi iu bashkua edhe i përkdheluri i Hashimit, Berat Buzhala! Sa fort u frikësun deputetët!), për t’u ulur në karriket e tyre dhe për të marrë pjesë në «rizgjedhjen» e «presednikut» (Pacollit) ishte trysni dhe ndërhyrje e panjohur në vendet e lira dhe demokratike! Si duket të mësuar gjatë këtyre 12 viteve me sjelljen prej shërbëtorësh të politikanëve tanë, ata menduan ta provojnë edhe kësaj here nëse janë akoma padronët e padiskutueshëm të këtij vendi apo jo? Sipas të gjitha gjasave në Kosovovë po frynë një erë e re. Delli duhet të kërkoj falje dhe të ikë, sepse ka dëmtuar rëndë imazhin e vendit të tij në sytë e opinionit publik dhe simpatinë e besimin e shqiptarëve te Qeveria dhe populli mik amerikan. Do të dëshiroja që ndërhyrjet e tij brutale dhe skandalet të kishin «pëlqimin» e Qeverisë së tij dhe të mos jenë në një vijë me ato të BE-së dhe Fajtit dhe urojmë që qëllimin e fundit ta kenë për të mirën e shqiptarëve! Kurse, Fajti dhe UNMIK-EULEX-i duhet t’i mbledhin valixhet e të ikin natën nga Kosova, sepse janë përgjegjës për cenimin e lirive njerëzore, ekonomike, kombëtare, politike e demokratike të popullit shqiptar në Kosovë. UNMIK-EULEX-i, Fajti dhe politika mafioze vendore janë fajtorë për shkatërrimin e asaj pak industrie dhe pasurie që kishte shpëtuar nga lufta. Nëpërmjet AKM-së UNMIK-u trafikoi dhe kontrabandoi pronën dhe pasurinë e Kosovës. Të njëjtat «politika» po i vazhdon AKP-ja me EULEX-in dhe qeverinë e Kosovës edhe pas shpalljes së Pavarësisë!! Ky mision, UNMIK-u, i përkrahur nga BE-ja (tash EULEX-i) krijoi enklavat serbe në Kosovë dhe ndau Veriun e Kosovës. Këtë përgjegjësi (fajsi) e pranoi publikisht edhe njëri prej kryeadministratorëve të UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen. E pranoi, e pastaj? Kështu do ta «pranojnë» fajin pas disa vitesh edhe për politikat dhe projektet e tjera antishqiptare por, kujt do t’i duhet ky pranim faji atëherë? Për shqiptarët prap do të bëhet vonë!

Privatizimi – trafikimi i pronës «shoqërore» (publike), i pasurisë kombëtare në Kosovë dhe koncesionet janë themeli, burimi dhe streha e sigurtë e korrupcionit, krimit të organizuar dhe mafias politike vendore e ndërkombëtare në Kosovë. Kësaj mund t’i shtohen edhe doganat, tenderët, etj. Superstruktura e këtij korrupcioni dhe krimi të organizuar është UNMIK-EULEX-i dhe një pjesë e madhe e klasës politike dhe institucionale në Kosovë. Kuptohet fabrika e korrupcionit dhe krimit të organizuar është UNMIK-EULEX-i por, asnjë politikan vendor nuk mund t’i ik përgjegjësisë pse ka pranuar dhe bashkëpunuar pa kushte, për «grada», pasuri dhe përfitime personale, që vendin e tij ta shndërrojë në lëndë të parë të kësaj fabrike! Pjesë integrale e këtij projekti antishqiptar ishte gjatë gjithë kohës dhe është Serbia me strukturat e saj të organizuara, të papenguara dhe financuara mirë në Kosovë. UNMIK-EULEX-i vazhdon të sillet (me fjalë) «asnjënës» përballë pavarësisë së Kosovës por, në fakt ai është kundër pavarësimit të Kosovës nga Serbia dhe nuk po lenë gur pa luajtur për ta mbajtur Kosovën të lidhur pas qerres serbe. UNMIK-EULEX-i është fajtor dhe përgjegjës direkt për humbjen e miliona eurove që i shkakton popullit të Kosovës vetëm për mosvendosjen e qëllimshme të doganave dhe kontrollin e kufirit në Veri. Ku e merr ky mision (UNMIK-EULEX-i) të drejtën morale, politike dhe ligjore për ta ndjekur dikend për korrupsion, krim të organizuar apo «krime lufte» kur dihet botërisht se vetë ky mision është fabrika dhe kupola e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Brukseli dhe Uashingtoni duhet ta dinë (sigurisht që e dinë më mirë se ne) se nuk ka liri dhe të drejta të njeriut aty ku nuk njihen dhe aty ku shtypen të drejtat ekonomike të individit dhe të një populli. E pra këto të drejta nuk njihen, po luftohen dhe shtypen në mënyrë sistematike nga UNMIK-EULEX-i dhe qeveritë kolaboracioniste në Kosovë. Thelbi i të drejtave dhe lirive të njeriut është e drejta ekonomike, të nderuar zotërinj! Prandaj, po mohohet, luftohet dhe shtypet kjo e drejtë. Me këtë shtypje sistematike të të drejtave ekonomike rritet pakënaqësia e popullit, rritet mosbesimi te klasa e tij politike dhe institucionale, rritet pesimizmi dhe demoralizimi. Shkurtë, shkatërrohet fuqia e këtij populli, baza ekonomike nga e cila varet e gjithë superstruktura por, në fund të fundit edhe shkalla e lirisë dhe pavarësimit të Kosovës nga Serbia. Ky mision i (pa)drejtësisë duhet ta kuptojë, sa më shpejtë aq më mirë, se shqiptarët nuk do ta durojnë gjatë shtypjen, persekutimin dhe padrjetësinë e tij. UNMIK-EULEX-i të vetmin angazhim dhe përkushtim të shpirtit ka pasur dhe e ka ndjekjen e atdhetarëve dhe luftëtarëve të lirisë, të gjithë atyre që u përpoqën dhe përpiqen për shkëputjen e plotë të Kosovës nga Serbia, me qëllim që ta vras edhe shpirtin e tij liridashës dhe qëndresëtar. Arrestimet e fundit dhe fletarresti për nënkryetarin dhe deputetin e PDK-së, Fatmir Limën, dëshmojnë qartë përkushtimin e fundit të këtij misioni për ta shkatërruar jo një grup shqiptarësh, por imazhin që kanë shqiptarët dhe bota e civilizuar në sytë dhe mendjet e tyre për UÇK-në si forcë antipushtuese dhe clirimtare. UNMIK-EULEX-i dhe ata që janë prapa tyre duan të krijojnë një imazh tjetër për UÇK-në dhe Luftën Antipushtuese Çlirimtare të saj dhe të kombit shqiptar. Këtë luftë dhe UÇK-në duan ta paraqesin si «kriminale», nga e cila shqiptarët duhet të «turpërohen», kurse vendet që e përkrahën atë të «pendohen»!! Kështu krimet, masakrat, gjenocidi dhe holokausti shekullor serb mbi shqiptarët do të arsyetohejë dhe shpërlahej si më parë edhe tash. Turp! E gjithë kjo nuk bëhet vetëm për t’u hakmarrë ndaj këtyre figurave të luftës ose ndaj UÇK-së, që guxoi të luftonte kundër Serbisë vrastare por, edhe për t’u siguruar se kjo luftë nuk do të jetë burim frymëzimi dhe edukimi atdhetar për brezat që po rriten dhe që do të udhëhiqen nga betimi dhe platëforma e UÇK-së për clirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm, në një Shqipëri. Prandaj, atdhetarët, luftëtarët e lirisë, institucionet dhe politikanët, që ende kanë gjak dhe zemë dhe populli shqiptar duhet të mbledhin veten, të mbledhin forcën dhe t’u thonë shporruni këtyre misioneve kusare dhe antishqiptare! Një rol të rëndësishëm në këtë luftë të madhe për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar duhet të luajë inteligjencia shqiptare. Të përmbysen këto raporte të dëmshme dhe të rrezikshme për lirinë dhe të ardhmen e kombit shqiptar në Ballkan dhe të rindërtohen marrëdhënie të reja me Brukselin, që qëllim të fundit ka mbajtjen peng të kombit shqiptar, sidomos, nga Serbia dhe Greqia. Po këtë nuk munden dhe nuk do ta bëjnë ata politikanë e qeveritarë që ditën e arrestimeve dalin në ekran dhe pa fije turpi thonë se «nuk kemi ditur gjë», se «ishim të painformuar»!! Turpi bëhet edhe më i madh kur të nëjtit vazhdojnë të «qeverisin» sikur të mos kishte ndodhur asgjë!! Cila qeveri dhe cili qeveritar i një shteti do ta bënte këtë marre? Prandaj, qytetari ynë pyet më zëshëm se kurrë: Jemi apo nuk jemi shtet i pavarur, sovran e demokratik? Apo jemi koloni e UNMIK-EULEX-it? Ka apo nuk ka qeveri ky vend?

Kjo gjendje vërteton për të satën herë bindjen se Tirana zyrtare, shteti shqiptar, ashtu siç e obligon edhe Kushtetuta, duhet të marrë rolin që i ka dhënë historia dhe kombi për ta mbrojtur dhe zgjidhur përfundimisht çështjen shqiptare në Ballkan. Ajo duhet ta bind edhe Brukselin se ky është interes edhe i fqinjëve tanë, të cilët do të përjetonin «çlirimin» e tyre nga shqiptarët dhe do ta gëzonin vendin dhe lirinë e tyre të plotë. Ky është interes afatgjatë edhe i Evropës dhe sigurisë së saj.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...