2011-04-05

RIZA LAHI :AGIM MATRAKU , ENGJËLLI QË KALOI NËPËR SKËTERRË

Agim Matraku tok me talentin tjetër të artit të fluturimit në supersonik, Petrit
Dashi, kanë qënë fizikisht pilotët e fundit të flotës shqiptare ajrore që kanë
realizuar në ajër fluturime akrobatike, figura të pilotazhit të lartë vërtikal,
me reaktv. Tanimë specia ke kësaj rrace pilotësh shqiptarë është shfarosur;
shfarosur dhe pa ia bërë as “hallvën” e xhenazesë.Tanimë shumë kanë kthyer kokat
e dëshpëruara nga pena e shkrimtarëve, të cilët duhen ndihmuar nga të
gjithë.Por...
Paradoksi qëndron se , ky burr që ende e ruan të qeshurën e menjëherëshme të
rinisë, ka kaluar fizikisht nëpër ferr; në ferrin e kushteve tokësore...
Lexuesëve, sigurisht që u tërheqë vëmëndjen mbiemri "Matraku" .
Është një pikturë e periudhës së rilindjes sonë, një vepër e klasicizmit
shqiptar në pikturë, e quajtur "Çeta e Shahin Matrakut"e Spiro Xegës.
Në atë tabllo ku mbizotëron e blerta e jetës më interesante të kacakëve,
paraqiten një grup komitësh të shtruar për shtatë palë qejfe në një lëndinë mes
pyllit, ku spikat kryekomiti i mësuar të shqyejë

" thela ujku" .
Ju siguroj që Agimi duket nga të pamët se nuk ka asgjë prej "kapurali" që është
mësuar të nxjerrë alltijen për një fjalë goje ;sic do ta shohim më poshtë, edhe
nën lëkurën e këtij buzagazi ka edhe nga genet e katragjyshit të tij që e
shikonte vdekjen duke bërë shaka me gjithë shpirt me 'të.
….Matraku sjellë në mëndje ndihmën që i ka dhënë për formimin e tij
profesionist, njërin prej instruktorëve veteranë të reaktivit, një burr i
heshtur, tejet jashtë djallëzive dhe qindra kilometro larg "bërrylave", një
njeri që e kujtojnë mjaft pilotë për pastërtinë kompiuterike të fluturimit, i
vetmi jevgjit të cilit ia heqin kapelën me nderim që të gjithë profesionistët e
dalë nga shkolla e jonë e aviacionit , që mbante deri sa u mbyll, emrin
“Babace Faiku “, e që quhet Guri Merko.
" Unë shmangesha djathtas gjithmonë në ulje. Isha thuajse në gjëndje krize prej
kësaj shmangieje, të cilën ma eleminoi pedagogjia e Guri Merkos, dhe unë nuk e
përsërita më" - thotë Matraku.
Mbase nga që s'po e eleminonte këtë "shmangie", kursant Matraku ishte "ca i
mërzitur" kur u fut në sediljen e parë të MIG -15 tës dy vendëshe duke patur
pas instruktorin e tij Delo Isufi, i njohur për qëndrimin e tij kategorik
kundër "huliganstvove" në praninë e kursantëve, për shpirtin e tij romantik dhe
si autor i dy vëllimeve të ndjerë me poezi.
Kur ishin vetëm në lartësinë 500 metro në hapësirën e aerodromit,befas ra fuqia
motorrike . qe mëngjesi i 20 nëntorit 1972.Motorri qe bllokuar në xhirot e vogla
dhe, duke shfrytëzuar vetëm formën e krahëve për të kullandrisur forcën e
rëndesës, duhej bërë ulja e menjëherëshme në pistë.
Ngaqë nuk u funksionoi në rregull edhe sistemi i mbledhjes së rrotave, të cilat
duhen të jenë pikërisht ashtu kësi rastesh,ulja u bë me këtë bilanc:
" Delua nxorri shpatullën, unë desh nxorra sytë".
Të dy djemve nuk u qe mbledhur njëra rrotë.
Pyetjes sime nëse i kishte shkuar ata caste mëndja te vdekja, Agimi iu përgjigj
me të qeshurën e tij të përzemërt, të zakonëshmen.
Unë e besova menjëherë.
Thonë se, një klysh i rrahur, vjen e bëhet një qen qurrash...
Agim Matrakun e kemi parë të gjithë në një ditë solemne të bënte mbi
aerodrom një "virazh" tejet të vecantë.
Virazhi është një rrath i mbyllur horizontal rrezja e të cilit, sa më e vogël që
të jetë, aq më i ngjeshshëm është organizmi i pilotit përmbi sedilje, duke
ushtruar mbi të disafishin e peshës së tij. Ky "disafish" quhet mbingarkesë, e
cila shoqërohet me një stërmundim të trupit të njeriut deri në errjen e syve,
deri në të fikët; fëtyra e pilotit ata sekonda, i ngjet shëmbëlltyrës së tij në
moshën e pleqërisë së thellë, për të ardhur në gjëndjen rinore vetëm në mbarim
të atij stërmundimi.
Gjatë "virazhit", pilotit i duhet të mbajë edh "pastërti", përpos përballjes me
efektet shkatërruese të mbingarkesës.
E, pra, heroi ynë buzagaz, ka bërë në prezencën tonë dhe të një delegacioni
italianësh, me MIG 19, me "forsazh", pra, me tër kapacitetin emergjent që
përmbab motorri i reaktivit, një virazh, vetëm njëzet metro mbi pistë.
Mbingrakesa gjatë tërheqjes shënonte gjashtë ( pra, ka ushtruar mbi ndenjëse dhe
mbi cdo pjesë të trupit gjashtë fishin e peshës së vet).
Kuptohet se c'mund të ngjiste nga një lëvizje qoftë një milimetër gabim me
stërnipin e kacakut Shahin Matraku, që , megjithëse c'ka parë dhe pësuar atë 20
nëntor të vitit 1972, gjatë tër jetës së vet ajrore, ka patur sigurinë për jetën
, sic e ka një luftëtar veteran i vijës së parë të zjarrit që nuk është
plagosur asnjëherë...

" Sa orë ke bërë këtë vit, zoti komandant? " - përktheu pas përfundimit të
demonstrimit shoqëruesi i ushtarakut italian.
Pasi mori përgjigjen " tetë orë", askush nga njerëzit përqark nuk e patën më
nevojën e përkthyesit kur u dëgjua:
" Ma lei é favoloso!"

Agim Matraku më tregon me të shpejtë, sigurisht duke qeshur me të
mbyllur capkën të syrit - hehe, ja pra, të mburrem dhe unë, a më the vetë? - për
ca kulme të CV së së tij fluturuese, si pjesmarrja në filmin "Ballpërballë", në
parada, me pilotët e kalimit, të qënët që tridhjetedy vjec për dhjetë vite
intsruktor për klasë, e...Ehu...
Dhe..." Vdisja për të fluturuar në cift në pozicionin e shoqëruesit!"

xxx

E bija e Spiro Priftit, mbesa e partizanit Llukan, emrin e të cilit sot e mban
një lagje, i ka treguar të shoqit vetëm si ai është kthyer në shtëpi pas atyre
28 ditëve që lidhën funddimrin me pragpranverën e '97 ës...I ka treguar për
telefonatat e përnatëshme dhe anonime.
" Poqese Agim Matraku do të ngrihet edhe një herë tjetër më në ajër, shtëpinë e
keni të djegur ! ".
" I thuaj tënd shoq se, poqese nuk ngrihet në ajër e të vrasë ata banditët e
Vlorës, do t'u zhdukim familiarisht!"
Margarita e trëmbur në palc edhe pa ata kërcënime, pa të shoqin në shtëpi dhe në
atë atmosferë të xhindosur, kur në shumicën e qyteteve njerëzit mblidheshin në
shtëpia që në drekë, përpiqej të tregohej sa më e qetë kur fliste në telefon me
pilotin e saj apo kur vente ta takonte te postblloku.
Mbi supet prej artisti të Agimit kishin rënë bubullimat e Zeusit.
Ai komandonte bazën luftarako ajrore të Kucovës dhe merrte përditë urdhëra për
t'ia transmetuar burrave që manaxhonin 52 aeroplanët luftarakë reaktivë të
dislokuar atje.
Shumica e urdhërave ishin pa shkrim. Me tone kërcënues edhe tepër të habitëshëm
ndaj " Betimit ushtarak " ....
...Ndërsa jam duke shkruar, kam përpara edhe një relike të jashtëzakonëshme
dhe jo vetëm për të zotin e saj. Kjo relike përmban dhjetë fletë të shkruara në
të dyja anët me një shkrim "këmbë pulash". Agim Matraku e ka shkrua atë me një
frymë dhe pa e carë kokën për kaligrafinë; madje edhe pa e daktilografuar.
Pjesa më pacavure e kaligrafisë së kësaj relikeje është në krye dhe përmban
vetëm pesë fjalë:" Zoti sekretar i shtetit, zotërinj gjeneralë".
Më poshtë - vazhdon një rjedhë tjetër e stabilizuar.
Është një analizë e bërë pas 26 qershorit 1997 nga Komandnati i Bazës së
Kucovës.

Luftarakët e Ministrisë së Mbrojtjes së asaj kohe nuk e kanë mbajtur as edhe si
dokument për ta arshivuar.
" I thashë më pas deputetit XY se mos i nevojitej dikujt kjo analizë, por ai tha
pa hezitim, jo".
Dhe piloti gjuajtës, po pa hezitim , e futi atë në xhep për ta ruajtur diku në
bibliotekën e tij dhe për të rënë, si një top i florinjtë prej qiellit, këtu, në
tavolinën time të punës.
Ja, pra, të lexojmë disa fragmente nga ky relik i Matrakut, që ai e ka
ruajtur si një fëmijë të hedhur në rrugë e që nuk pranon ta marrë asnjë
jetimore, megjithëse është një gjeni i lindur.
" Kam 14 muaj që kryej detyrën e Komandantit të repartit...Sapo e mora atë,
në gusht 1996, mendova dhe arrita të realizoja, pas tri viteve radhazi
ndërprerje, fluturime natën...Në tetor të po atij viti, mbas katër viteve,
organizova qitje dhe bombardim në poligon dhe,në nëntor - dhjetor, me gjashtë
ekipazhe morëm pjesë në stërvitje shumarmëshe - qitje luftarake në derdhje të
Erzenit..."
" Që nga dt. 25 janar ... deri me dt. 10 mars 1997 pothuajse kam ndenjur në
repart ditë e natë, herë vetëm e herë me të tjerë".
" Me dt. 6.2.97 vjen fonogrami ( vijeni re, lexues të dashur, F O N O G R A M
- Shën. imi R.L.) nr.33 për kalimin në gatishmëri 100% të njerëzve dhe teknikës
" .
Pas një uljeje të përqindjes së gatishmërisë për mungesa materiale,përsëri...
" Me dt.28.2.97 , në orën 23, më vjen fonogrami nr. 50 i Shefit të Shtabit të
Përgjithshëm (SHSHP) për kalimin e regjimentit 100% në gatishmëri të lartë...Po
atë ditë, ora 11.50, një urdhër nga Komanda e FMA për të përgatitur një avjon dy
vendësh që të shkojë për zbulim në zonën Tri Urat - Çarshovë, me tendencë në
kufirin grek".
...I dashur lexues, do të hap një pauzë të kësaj rrjedhe! Merre, qoftë edhe
si sprovë për durimin tënd...Kur kishin nisur revoltat e fajdeve në jug,
kosovari në Suedi I.M., që e kam mik dhe është patriot i denjë, më telefonoi
duke më thënë se në Shqipërinë e Jugut kishte hyrë greku, ndaj " po due me i cue
të dy djemtë me luftue me grekun qi ka hi në Shqipni".
Dhe kjo, kur Kosova kishte hedhur kushtrimin për luftëtarë.
Pas luftës së Kosovës, shqiptari H. P. me banim në Dallas më tha gjatë një
tripi në Kosovë me shpenzimet e tija: " Kam ardhë i armatosun deri edhe me
pancirë për me luftue me grekun në jug, se kështu na u hap fjala në Dallas. Kam
pritë tri ditë te dera e SHIK ut me sqarue se,a me tamam kishte hi greku në
Shqipni, apo ishin ngatërrue shqiptarët ndër mes vedit. Kur e mora vesh të
vërtetën, sigurisht që nuk u nisa me luftue në Jug vëllau me vëllanë".

Në shtypin e 97 'kam lexuar edhe deklarime rezervistësh që thonin se ishin
mobilizuar për në jug sepse kishte sulmuar Greqia.
Në analizën e zhvilluar për ngjarjet e '97 nga ish shefi i shtabit të ushtrisë
Gjen.Aleks Andoni kam lexuar se " dy persona jo të stafit të në radio Kukësit,
kanë lexuar atje njoftimin e rrenjtshëm se kishte sulmuar Sërbia Shqipërinë ".
Ja,kjo ishte paranteza ime, pa as edhe një koment më shumë...
" Me dt. 2.3.97 vjen urdhëri për ngritjen e avjonit UTI MIG në Rajonin Fier -
Vlorë. I them komandës se nuk mund të bëj fluturim natën për këta arsye...Në
orën 21.11 ngrihem në ajër me masa shumë të pakta sigurimi..Ngrihem edhe një
herë në orën 22.34 , po për zbulim ,në rajonin Fier - Vlorë.
...Në orën 10.55 vjen urdhëri nga FMA që dy cifte MIG 19 të jenë gati dhe të
armatosur me rraketa të padrejtuara.Detyra jepet nga VKQ në ajër, që të hapet
zjarr në ajër."
Më pas - gjithnjë jemi me 3 mars, jepet urdhër që të bëhet përsëri shantazh
mbi "rrebelët" apo "kryengritësit" duke qëlluar përmbi kokat e tyre ( por jo për
të vrarë ), por, cuditërisht," zjarr nuk u hap se kishte difekt topi".
Atë ditë jepet urdhëri për të patur të armatosur me rraketa të padrejtuara katër
MIG ë dhe, Matraku, sic shkruan, "vërej tek efektivi pilot se ka reagime;
sidomos shtrohej gjithandej pyetja se si do të reagohet po të jepet urdhëri për
“zjarr kundër objekteve toksore"?.
Komandanti tanimë është i mbushur. I duhet të vendosë. Është mësuar që
skënderbegas të bindet.Tani po i vihej në provë burrëria e tij. Burrëria para
atdheut.

Matraku shkruan:
" Së bashku me shefin e shtabit, u thashë pilotëve:
- Në të gjithë rastet që do të na jepet urdhëri për të fluturuar, ne si
ushtarakë, jemi të detyruar, sipas betimit, të zbatojmë urdhërin.
- Në rast se do të jepet urdhër për të hapur zjarr në ajër -zemrën dhe trurin e
keni me vete; virini në dispozicion të ndërgjegjes suaj.
- Në rast se do të jepet urdhëri për të hapur zjarr kundër objekteve toksore, në
asnjë mënyrë të mos hapet , duke qënë të vendosur plotësisht për këtë.

- Pavarësisht se në cfar lartësie ju jepet urdhëri, në asnjë rast, përmbi zona
me njerëz, të mos uleni poshtë 5000 metrove, sepse ju qëllojnë nga poshtë."
" Me dt. 4.3.97 , në orën 13.30 , jepet urdhëri nga Kom.FMA që, në vazhdim të
urdhërit të 100 ( ish MMbrojtjes) që, 600 a, Fatmir Mecaj, me rraketa, të
qëllojë makinat që ngarkojnë municion në rrugën Tepelenë - Vlorë, në rajonin e
Gusmarit. Diskutoj në telefon zbatimin e këtij urdhëri.Sqaroj se nuk duhet
zbatuar një detyrë e tillë jo vetëm nga ana morale, por edhe teknikisht, është e
pamundur futja pozicionale për qitje. Marr kontakt me pilotët dhe u them për
urdhërin e dhënën dhe i pyes se si të veprojmë më tej.
Të mos ngriheshim në ajër, e dinim se c'na priste, të qëllonim mbi njerëzit
ishte absolutisht e pabërë. Vendosëm një rrugë të mesme.Po të ngriheshim në
ajër, të vëpronim si më parë...Nga ana tjetër, duke parë se në c'rrugë po hynim
tanimë, i dhashë urdhër shefit të VKB " TË REGJISTROHET CDO GJË NË
MANJETOFON...TË SHKRUHET CDO URDHËR I DHËNË NGA VKQ DHE CDO FJALË E PILOTIT NË
AJËR".

Shënimet e asaj dite vazhdojnë më tej; 600, Fatmir Mece (sot në SHBA me Green
Card), i urdhëruar për "zjarr", kthehet duke raportuar se nuk kishte parë asgjë
në rajonin e vendlindjes së tij, Tepelenë, pikërisht në Gusmar.
" Me sa duket, ata nuk e besuan raportimin e Fatmir Meces, dhe më urdhëruan mua.
Duke mos më besuar edhe mua, ngrënë nga Rinasin Petrit Dashin por, edhe ai
raportoi njëlloj ; që në ajër, se “nuk shikoj asgjë”".
Po vinte era gjak. Dikush e dëshëronte këtë ose i inatosur, i prishur nga
nervat apo si pjesë e një skenari të tërë.E dëshëronte me këmbëngulje.
Po atë ditë, pas uljes së aeroplanit të tretë që qe ngritur ora 21.17,
komandanti i mësuar me adhurim gjithandej prej spektaklave ajrore, tanimë, në
pikë të hallit nga "tokësorët", i përngjet një vajze të përkëdhelur nga të
gjithë e të rritur me pekule e që s'i ka munguar asgjë që i duhet të vetëmbrohet
nga një bandë burrash të palarë që duan ta përdhunojnë.Ai mbledh shtabin që ka
dhe vendosin kolegjialisht që edhe në ajër nuk do të qëllojnë më dhe se nuk do
të kryejnë asnjë lloj detyre më pa ardhur urdhëri me shkrim dhe i vulosur dhe
se, kundër objekteve tokësore do të qëllojnë vetëm poqese ai është forcë e huaj
që ka hyrë forcërisht në territorin e shtetit shqiptar.
Me dt 5.3. 97 gjeti zbatim për herë të parë vendimi i mësipërm: nuk u zbatua
urdhëri i dhënë për të qëlluar një autokollonë me tanke.
"Në këta kushte, në orën 9.00 të dt. 5.3.97 raportoj në komandën e FMA –së se
gjëndja morale e pilotëve është e ulët e se nuk pranojnë fare të ngrihen në
ajër.
Asnjë përgjigje!
Në orën 09.15 ngul këmbë se, pa ardhur njeri nga Shtabi i Përgjithshëm, ose MM
nuk zbatoj asnjë detyrë...Në orën 15.00 vjen në repart zv.min. Alfred Moisiu dhe
veterani i aviacionit Edip Ohri...Në esencë, pilotët u kërkuan atyre që të
ndërpriten veprimet luftarake...Me dt. 6.3.97 , në orën 09.35 marr një konfirmim
se nuk do të ketë ngritje në ajër, vetëm në rast se ka shkelje të kufirit
shtetëror..22 avjonë i kisha siguruar tanimë në tunel. "
Kjo - pas vizitës së dy veteranëve...
" Pas dt. 3 , shumë fluturime janë kërkuar të realizoheshin pikërisht nga unë,
sic duket duke marrë shkas nga largimi i dy gjuajtësve në Itali".
" Me sa kemi dëgjuar, sulmi mbi repartin me dt. 9 është përgatitur të paktën
që me dt.8 "
Shënimet e Komandantit vazhdojnë më tej rreth sulmit të bërë mbi repart nga
turmat e prira nga fëmijë, ndërsa kishte dhënë urdhër që, asnjëri nga ushtarakët
të cilët ishin të gatshëm ta mbronin me zjarr vënddislokimin e tyre, të mos
shtinte pa urdhërin e tij.

Kohë pas kohe, në deduksionet e tija, Agimi që ka nisur të përdorë syze tani
packa nga e qeshura ende djaloshare, i kthehet përsëri "asaj"...Asaj...

Një ditë përpara se të sulmohej reparti i tij, ai ka patur në prezencën e mbi
tridhjetë pjestarëve të efektivit që kishte nën komandë, një bisedë telefonike
të drejtpërdrejtë me ish Ministrin e Mbrojtjes, të ndjerin Safet Zhulali. Ja se
c'far ka të shkruar në shënimet që kam përpara për këtë takim:
" Ai më kërkoi se, përse nuk pranojmë të fluturojmë. I them se nuk ngrihemi në
ajër më për të qëlluar, jo vetëm popullin, por as edhe, thjeshtë, në ajër. Më
thotë se e keni bërë një betim. Po, i them, por...Më thotë se, për moszbatim
urdhëri, ushtaraku ka sanksione. I them se jam gati për cfardo lloj sanksioni,
po urdhëra të kësaj natyre nuk zbatoj.Me kaq, biseda u mbyll".

Është interesant se, në shënimet që u ka paraqitur eprorëve Matraku, nuk e ka
parë të arsyeshme se si , së paku , ka qënë edhe përpara një stresi tjetër.
Në shtypin ushtarak, është shkruar se "për moszbatim urdhëri" atë kishin
ardhur edhe ta arrestonin

Rreth kësaj teme, Matraku jep këtë sqarim.
" Në të vërtetë, ka ardhur një helikopter, që pilotohej nga Noc Selimi ( sot në
Itali, larguar nga atdheu me njërin prej helikopterëve të Regjimentit të Farkës,
ku kishte detyrën e zv.komandantit - shën. imi R.L.). Noci kishte pamjen e një
njeriu të marrë peng. Çunat e rinj që fluturojnë me MIG 17, Ilir Stefa, Përparim
Bizhga, Vegim Hasani, Altin Lame si edhe Arqile Titi m'u bënë gardh duke më
këshilluar të ikja tutje se ata të helikopterit kishin ardhur për të më
arrestuar".
Pyetjes së kujtdo se, si ka ngjarë puna me aeroplanin që e tërhiqnin civilët
si buall, pamje që u transmetua në gjithë rruzullin përmes " Euro Neës" it, ish
komandanti i bazës veterane, i përgjigjet me spiegimin e mëposhtëm.
Ka qënë njëri prej avjonëve të gatshëm se të tjerët ishin të ndryrë në tunel.
Ishte një bandë kucovare që po tërhiqte me diagac një MIG 15.
Komandanti u ka dalë përpara. Kucova është një qytet i vogël dhe banorët e saj
e njohin njëri tjetrin. Edhe djelmoshat kucovarë që , të dehur nga avujt e
anarkisë e që kishin vendosur ta conin avjonin mu në qendër të bulevardit, jo
vetëm që e njohën komandantin që nuk ishte asfare buzagaz e gojëëmbël, sic e
dinin të gjithë, por dhe e zgjidhën “lodrën “ e tyre të paparë askund, nga
diagaci.
Komandanti, ndërkohë, e pranoi pa asnjë hezitim këmbënguljen e tyre që të hipte
me ta në makinë.
Nipi i kacakut të lashtë tanimë nuk ishte adhuruesi i Pushkinit, Eseninit dhe
Dritëro Agollit.
“Të nesërmen, njëri prej atyre, më takoi dhe, duke përveshur llërën më tha:
" Komandant! As mua dhe asnjerit nga ne mos na dil përpara pas orës dhjetë të
darkës..Në atë orë ne jemi të droguar që të gjithë...Ja shënjat e inxheksioneve
që kam bërë unë...Dje ke shpëtuar krejt rastësisht pa të vrarë!".
Tre muaj më pas, Gjeneral Perlat Sula është takuar me heroin e tregimit
tonë, me të cilin është zhvilluar ky dialog:
" Zoti gjeneral! Duhet të më lironi nga detyra e Komandantit të
Regjimentit...Duhet ta bëni pëtjetër këtë!"
" Faleminderit Agim...Të falem nderit shumë...Më hoqe një barrë të rëndë...Ne
jemi takuar sot, pikërisht që unë të të komunikoj lirimin nga detyra".

POST SCRIPTUM
Të gjithë jemi habitur por dhe e kemi parë nderim kur i ndjeri Safet Zhulali,
në kohën kur sulmohej ende në shtyp për shkatërrimin e ushtrisë , erdhi
befasisht në atdhe.

Ai erdhi i hapur para drejtësisë, pa kërkuar mbështetjen e shtërnguar të
partisë, drejtuesit e së cilës kanë "imunitetin" e komponentit shoqëror të
quajtur opozitë , dhe duke ecur, kur kishte dëshirë, edhe fare i vetëm dhe i
qetë mes për mes bulevardeve të Tiranës.
Të ndjerit Zhulali i përket një thënie kasandrine, sipas së cilës, '97 është
një dosje e zezë dhe e mbyllur për të mos u hapur kurr.
Se c'ka ditur ai njeri që drejtoi me sukses jo pak reforma në ushtri, përfshirë
një programi të mjaftë në fushën e integrimeve dhe që, u ambjentua paq me
devocionin e oficerët që i përngjisnin " së kuqes së shalqinit " , këtë tanimë
s'e dimë.
Zotin Zhulali nuk e kemi më, ama, kemi prej tij , një thënie burrërore, që
askush nuk ka guxuar ta thotë gjer tanimë .
Kemi në dorë një kyc. Një kyc që, sipas thënies së të ndjerit, nuk ka për ta
gjetur derën kurr.
Sipas këtij kyci të lënë nga personi me të cilin ka bashkëbiseduar një ditë para
shkatërrimit të repartit të tij heroi ynë, vallë, kush të jenë ata forca që e
mbajnë të mbyllur "dosjen e zezë"?
Ambicia ime si shkrimtar me profesionin e pilotit, sigurisht që nuk ka pasur
as ka për piksynim të tentojë për ndonjë pikiatë, qoftë edhe të vetme , në
drejtim të kësaj "Dosjes së zezë".
Lumturia ime do të ishte të paraqisja , sado në mënyrë modeste ( unë, në
librin " Ylli që sheh mbi sheshin "Skënderbe" kam parëqitur para lexuesëve
tregimin rreth kësaj teme me titull "Bomba mbi urën e Mifolit”), atë që kanë
hequr prej kësaj kutie të zezë objekti që unë njoh më mirë - aviatorët.
Pjesa më e zgjedhur e popullatës shqiptare.
Dhe më naivja.
RIZA LAHI

No comments:

Post a Comment

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...