Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/05

Rudi Erebara dhe Vezët e Thëllëzave - Një roman tronditës.

Nga: Mimoza Erebara (autore e romanit: Dry me qera )
Vezet e Thellezave, Rudi Erebara
Vezët e thëllëzave është romani i fundit i autorit Rudi EREBARA, një roman që të trondit. Lufta të trondit, persekutimi të trondit, vuajtja të trondit, dhimbja të trondit, pafajësia e fëmijës të trondit, revolucioni të trondit. Sipas një këndvështrimi të përgjithshëm në kritikën botërore të letërsisë pranohet që pjesa më e madhe e letërsisë posttraumatike nuk është edhe aq e mirë. Kjo e ka shpjegimin e saj. Së pari, autorët nuk janë ende të distancuar nga ajo çka ka ndodhur. Së dyti, egërsia dhe intensiteti i ngjarjeve, të gjitha të përjetuara në një periudhë të shkurtër kohore, dhe të gjitha të egra, makabre, njëra me makabre se tjetra, edhe kjo mungesë hapësire kohore sjell një "frenim" të autorëve. Së treti, edhe autorët pas luftës janë të amullt, qetësia që pason në fillimet e veta u duket e rrejshme dhe e papranueshme. Pra në thelbin e vet kjo letërsi me gjithë qëllimin e mirë dhe të padiskutueshëm, nuk është edhe aq edhe mirë. Kjo letërsi vuan nga parcialiteti, qoftë nga forma, qoftë nga përmbajtja. Personazhet nuk skaliten mirë dhe nuk bëhet dallimi mes tipikës dhe tipizimit. Veçanërisht problemet e tipizimit janë edhe ato që e dëmtojnë më shumë. Nga pikëpamja e stilit ka mangësi strukturash dhe gjuha me qëllim nuk është e latuar dhe e përzgjedhur, por kemi të bëjmë në shumicën e rasteve me një gjuhë të vrazhdë, gati-gati zhargon. Por nga ana tjetër, e gjithë kjo prurje, që çdo letërsi do ta kishte zili, ka edhe një anë të mirë, nëse e shohim nga ky këndvështrim. Ndoshta i shërbejnë qëllimit më të madh se ne, për të kuptuar të keqen, që pastaj po ne të kuptojmë të mirën më mirë.

Në fakt ka shumë teori dhe mendime për mënyrën se si shfaqet letërsia tek një autor, se si vjen ajo te ai dhe se si e përdor ai këtë dhunti. Nëse shikojmë letërsinë në fjalë, ajo ka një shkëputje nga vetë autorët, është si në ajër, herë-herë ndodh që ndonjë shkëndijë t'i sjellë ata në tokë drejt hulumtimit të ndjenjave dhe të shpirtit të tyre, por kjo është po aq sporadike sa edhe vetë ekzistenca e këtyre autorëve. Në këtë kontekst më pëlqen t'u bashkangjitem formalisteve rusë të cilët pranojnë dhe mbrojnë pikëpamjen se letërsia, energjitë e saj vijnë si një vullkan, vijnë nga së brendshmi. Romani "Vezët e thëllëzave" i Rudi Erebares e vërteton më së miri këtë qëndrim. Autori duket qartë që zotëron mekanizmin e letërsisë. Ai di shumë bukur të përzgjedhë historinë më tipike dhe përmes saj të na japë një tipizim të asaj kohe. Personazhet e tij janë të pakët në numër por me ngarkesë të lartë emocionale. Ky është një sekret që Rudi e zotëron falë qëndrimit të tij ideoemocinal. Qëllimi i tij si autor në këtë rast nuk ka qënë në asnjë çast ekspozimi por leximi. Duke ndarë këtë qëndrim me veten ai arrin të mbajë analizën e hollësishme të një sistemi të caktuar politik edhe përmes një 13 vjeçareje, sikur është Afërdita, vajza kryeqytetase që ideologjia ndryshe e prindit të saj, e hodhi në egërsinë dhe indeferentizmin e pushtetit, krejtësisht në mëshirë të fatit. Është një "praktikë" e njohur në letërsi syri i një fëmije për të bërë analiza të thelluara të një sistemi të caktuar, apo të një lufte të caktuar. Kujtojmë, të parin që na vjen ndër mend "Ditari i Ana Frankut". E përbashkët është fëmija. Imazhi. Imazhi që na çon me gjithë personazhin në kalvarin e vuajtjeve. Meritë e autorit është fakti që këtë imazh ai pasi e ka gjetur na e servir me elegancë, stil, por ç'është më e rëndësishmja me shpirt. Në çdo rresht që lexon dhimbja është aty, ulëritëse në heshtjen e saj, ulëritëse në sytë e fëmijës dhe të nënës së vet. Dhimbja zotëron ngjarjen, dhimbja zotëron mendjen dhe ndjeshmërinë tonë duke arritur të na përçojë, jo keqardhje, por shpresë, jo humbje, por dashuri. Janë këto elementë që e mbajnë leximin gjallë deri në fund. Ne jetojmë tashmë jo më me imazhin, harrojmë primardialitetin e letërsisë dhe bëhemi njësh me të, jetojmë me ankthin e zgjimit pas një nate të egër dimri në mal, pothuaj jashtë. Dhe duam (ah, sa shumë duam!), të ndihmojmë personazhet tanë. Në një çast të tillë autori duhet të ndjehet me të vërtetë i bekuar, sepse ka mbërritur kësisoj qëllimin dhe funksionin e ekzistencës së vetë letërsisë. George Eliot thotë: "Funksioni i romanit është të shpërndajë simpati ku qëniet njerëzore mbajnë një qëndrim të barasvlefshëm me veten". Mendoj se Rudi Erebara me "Vezët e thellëzave" e arrin më së miri këtë kërkesë qënësore të romanit.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...