“Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe”(Nënë Tereza)
Nga Mimoza Dajçi
Në kuadrin e pregatitjve për festën e Mother’s Day, anëtaret e organizatës “Hope & Peace” ndoqën pak ditë më parë sekuencat e plota filmike të dokumentarit artistik “Women, forgotten faces of war” dedikuar femrave të dhunuara e masakruara nga makineria serbe gjatë luftës në Kosovë.
DVD-ja e këtij filmi i u dërgua si dhuratë e veçantë kësaj organizate nga producentet e filmit Susan Muska e Greta Olafsdottir, i cili do të shfaqet në mbrëmjen speciale që do të mbahet më 7 Maj. Dokumentari është një eksplorues i qartë i pastrimit ethnik në Kosovë, ku nëpërmjet të mbijetuarave njihemi edhe me abuzimet e masakrave serbe ndaj femrës shqiptare. “Historia e tyre është shumë e dhimbshme. Rrëfimet e tyre janë tepër tronditëse e prekin cilindo person që i shikon për herë të parë –thonë producentet amerikane”. Dikush loton apo nuk ka kurojo ti ndjekë deri në fund këto sekuenca, por mos të harrojmë se ky është realiteti i hidhur i asaj lufte, që na detyron të ndalemi duke kthyer kokën pak mbrapa.
Xhirimet fillojnë në Kampet e Mikpritjes së Refugjatëve në Shqipëri, e vazhdojnë me kthimin e tyre pas lufte në Kosovë. Filmi dokumentar i realizuar me shumë kujdes e profesionalizëm nga producentet Susan e Greta dëshmon fakte e ngjarje tragjike që ka përjetuar popullsia e pambrojtur në Kosovë, veçanerisht vajzat e gratë, të cilat përpos ekzekutimeve në masë që kanë parë të kryhen tek familjarët, burrat e fëmijët e tyre nga kriminelët e Millosheviçit, gjejnë kurajo të flasin mbi abuzimet e masakrat që janë ushtruar padrejtësisht mbi ato. Disa nga të mbijetuarat - protagoniste në këtë dokumentar kanë qenë pjesë e dëshmive në Tribunalin e Hagës. Sot janë nën kujdesin e Organizatave Jo Qeveritare që veprojnë në Kosovë, por që kanë akoma probleme me shëndetin dhe anën social ekonomike.
Megjithëse kanë përjetuar trauma e dhunë të përgjashme, ato karaterizohen nga një guxim e vendosmëri për të përballuar të shkuarën. Dëshmia e tyre në Tribunalin e Hagës thyen çdo tabu, frikë e mentalitet mbytës. Ato me një vullnet të fuqishëm shikojnë përpara të ardhmen edhe për fëmijët e tyre pasi e dinë se e drejta megjiithëse me disfata të mëdha triumfoi. Kosovës i u dha Pavarësia. Populli fitoi lirinë e ëndërruar. E për të gjitha këto, ato u janë mirënjohëse SHBA, Anglisë e të gjithë shteteve demokratike që duan paqen e lirinë në botë.
Si i gjithë populli amerikan duke filluar me Presidentin Bill Clinton e George W. Bush edhe producentet Susan Muska e Greta Olafsdottir fituese të disa Çmimeve, nuk mund të qëndronin indiferente ndaj kësaj ngjarje që tronditi botën. Të dyja së bashku u angazhuan në shumë fluturime për në Kosovë, Shqipëri, SHBA e anasjelltas duke filluar nga viti 1998, 1999, 2000, 2001, ku edhe pas realizimit të këtij dokumentari kanë qenë disa herë atje, e ruajnë raporte të mira me organizatat e grave pas lufte në Kosovë e Shqipëri. Vizita e tyre e fundit në këto vende ishte fundi i vitit 2009.
Nëse do t’i kthehemi punës së tyre krijuese si producente do të shikojmë se për dokumetarin “Women, forgotten faces of war” janë nominuar me Çmimin; “Dokumentari më i Mirë” nga Juria “Astra International Documentary” Festival. Gjithashtu ky dokumentar ka qenë për afro dy vjet pjesë shoqërimi për parandalimn e dhunës e luftës ndaj gruas nëpër botë nga Amnesty International.
Një kafe e një bisedë me producentet amerikane i dha më shumë shanse e perspektivë për të ardhmen Organizatës së Gruas Shqiptaro - Amerikane “Hope & Peace” që tashmë zhvillon veprimtarinë e saj të ngjeshur social - shoqërore në dobi të femrës shqiptare në diasporë.