2011-04-07

Ambasador Dell, ndoshta komshiun tim vërtet e vrau liria e ime

Ymer Halimi
       nga Ymer Halimi



Në parim nuk lexoj gazetat, por, krejt në mënyrë rasti në tavolinën e punës së një mikut tim pashë shkrimin editorial të z. Dell. E lexova me vëmendje, sepse është ambasador i SHBA-ës, që ne shqiptarët në Kosovë, këtë shtet e duam, aq sa dimë me dashtë, aq se mundemi me e dashtë, e aq se e duam edhe vetë Kosovën. Editoriali ishte një rikujtim i një dite të veçantë, një qortim dhe një sugjerim, njëkohësisht. Ne të gjallët, që e përjetuam, nuk e harrojmë dot atë ditë të shpresave të ringjallura, sikundër që nuk e harrojmë ditëlindjen personale, siç nuk e harrojnë kurrë vdekjen e me te dashurve. Ishte ditë e një shprese te madhe, e një popull liridashës se do arrijë ta mbijetojë një getoizim të paparë ndonjëherë n’ Europë, një pastrim etnik të përmasave biblike, që shqiptaret dy herë e përjetuan nga fqinjët e vetë. Mjerisht, kjo ishte platformë politike e shtetit Serb, kësaj radhe e prire, nga Milloshevoqi, e ndihmuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë dhe Kisha Autoqefale Ortodokse Serbe. Ishim n’ankthin e vdekjes, por besonim se të mbijetuarit do e takojnë lirinë, se besonim në Europen perëndimore, e në mënyrë të veçantë, në demokracinë dhe virtytin e larte liridashës të SHBA-së, në forcën dhe në qëllimin e saj. Besonim edhe në të drejtën tonë që deri atë ditë nuk na mjaftoi. Me të drejtë besonim në forcën vrasëse të bombave, që kësaj radhe vrisnin forcën dhe dhunën, që një popull të tërë e kishte mbështjellë cep me cep me vdekje. Dhe, ashtu, siç thotë ambasadori Dell: “Si përfundim i ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u bë shtet i pavarur”. Ne arritëm te një qellim i drejtë. Sot, ne jemi në shtëpitë tona, të lirë, por me kujtime të rënda të së djeshmes. Morëm obligimet, qe i ka e duhet t’i këtë, një shtet demokratik i mirëfilltë i kohës në të cilën jetojmë.
***
Ambasadori Dell na e rikujtoi, siç e cilësoi, “thinien kyçe” të zotimit në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës: “Ne shpallim Kosovën një republike demokratike, laike dhe multi-etnike, të udhëhequr nga parimet e jo-diskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe do të krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”
Nuk mjaftoi vetëm fjalia e parë e këtij pasusi, por u shtua edhe fjalia e dytë, qe të jetë kuptimplote, në synim sa më i lartë. Por, kush ishim ‘ne’?! Ne - shumica, ne - pakica, ne - multi-etnikët, ne - deputet, ne - populli i Kosovës?. Meqë dihet, për kë është fjala, a do arrijmë që në çdo fazë ta përmbushim atë qellim aq te larte?! Po, përpjekja e sinqerte kurrë nuk duhet munguar . ‘Ne’ morrem obligimin për shtetin. Por, pakica, begatia, dekori mult-etnik i Kosovës, sa u zotua te jetë “...efektive ne proceset politike dhe vendimmarrëse” për të mirën e të gjitha etnive ne Kosovë?!
Do t’iu rikujtoj se Kosova në periudhën e getoizimit ishte kështu e tëra; multi-etnike. Por, hiq komunitetin egjiptas dhe një pjesë e pakët turke e boshnjake, askush tjetër nuk ishte brenda asaj sakrifice kolektive. Përkundrazi. Në luftën njëvjeçare, në kohën e një deportimi biblik, po edhe me herët, e as më vonë pas lufte, nuk keni u ka rënë të takoni së paku një serb të vetëm nga Kosova, po edhe të pakicave, siç i ceka, që së paku te shprehë një përkrahje morale publike apo një shenjë pendes, për fqinjët qe u mohohej u rrezikohej ekzistenca fizike!? Edhe pse besoj se kanë pasur keqardhje, por sakrificën nuk e kane ndarë me 90% e popullit te Kosovës. Kjo nuk do të thotë assesi , që sot të mos janë të barabartë e të lirë. Përkundrazi, do mbështeten. Sot jemi në një proces të ri, në një zhvillim tjetër. Kemi rilindur dhe për të gjithë ka hapësire për liri, aq sa ka, ka për te gjithë. Dhe për këtë ne deklaratë është zotimi ynë kolektiv i sanksionuar me Kushtetutë dhe me ligjet. Por, për përmbushjen pasusit te cituar ‘kyç’, duhet vullneti i të gjithëve, vullneti i sinqertë e i plotë e jo i pjesëshëm apo në marrëveshje shtese. Kuvendi i Kosovës ka aprovuar diskriminimin pozitiv, atë qe nuk e gjen askund në shtetet më demokratike të Evropës dhe e ka në zbatim permanent. Prandaj mendimi se është “përvjedhur urrejtja ndaj pakicave” ne kontekstin që e shpreh Ambasadori Dell nuk qëndron. Por qëndron diçka tjetër! Mosbesimi. Mosbesim nuk është aspak i njëjtë me urrejtjen. Po pse qëndron mosbesimi? Ambasadori Dell e di se kjo qeveri nuk e përfaqëson votën e shumicës numerike të popullatës së Kosovës, qe është parim themelor demokratik, për të mos sqaruar edhe formën e votës se fituar. Kjo është faktike dhe s’do koment. Të themi pa ekuivokë se shumica e pakicës serbe nuk është brenda institucioneve. Ajo ka krejt një qasje tjetër për institucionet Kosovës, dhe ka mbështetje te shteteve te caktuar në EULEX. Ajo nuk lejon bashkëjetesën në veriun e Kosoves. Me vetë faktin se nuk funksionojnë pikat doganore 1 dhe 31, dhe se shqiptaret nuk lëvizin lirshëm në pjesën veriore të Kosovës, sepse është e kontrolluar nga “strukturat paralele serbe të lidhur me qeverinë e Serbisë,dhe se qeveri e Kosovës nuk ka qasje në “institucinet” e atjeshme, në shesh del se pikërisht urrejtja e pakicave ndaj shumicës shqiptare është gjenerues i krizës potenciale. Asimetria e veprimit te pakicës është shqetësuese. “Sugjerimi” i shtetit serb, se serbët që jetojnë në brendi te Kosovës “mund te participojne ne institucionet e shtetit te Kosovës, por jo ata ne pjesën veriore” është faktori kryesor që këtë pjesë të patjetërsueshme të Kosovës ta mbajë nën tension të vazhdueshëm. Kjo është një shenje jo e mire, dhe mbi këtë qëndron dyshimi, besoj i arsyeshme, dhe retorika e mosbesimit , por “jo retorika urrejtjes etnike” apo retorika “përvjedhe e urrejtja ndaj pakicave” siç e cilëson ambasadori Dell për konsum politik. Prandaj, politikën e lartë, te forma e saj implicite, e sheshon vetëm finesa. Kjo është shqetësuese çfarë akuzon ambasadori Dell.
***
Ne “jemi krenar me vete faktin” se jemi te lirë, por ne kuptimin e plotë do jemi krenar kur qeveria del nga vota e pastër demokratike. Atëherë fare nuk ka rendësi përmasa e pakicave, se ajo do të jetë ne shumice ne qeveri, pakice apo s’do te jete ne qeveri. Kjo është demokracia. Nga ana tjetër e arsyeshme qe pakicave t’u garantohet hapësirë, por jo te manipulohet me atë hapësire, si ne rastin konkret, vendet ne Kuvend dhe votimi i kushtëzuar ne Kuvend siç është te ne.
***
Kur unë shkruaj këta rreshta, më 31 mars 2011, është pikërisht përvjetori i 31 Marsit 1999, kur n’orën 14 e47 minuta, oficeret e Ushtrisë Serbe, pa trokitur dhe me shqelm e thyen derën e banesës time. Urdhëruan që drekën ta lëmë ashtu të shtruar dhe për pesë minuta të dalim. Kështu bënë me të gjithë shqiptaret e 15 objekteve n’ lagjen ku banoja. Pikëllimi ynë kishte erë vdekjeje, kurse shpresa ishte te Qielli i NATO-s. “Komshiu” i im serb, koleg, profesor universitet, doli në derën e banesës së vet e me shikonte me përbuzje. Llafoste me krenari me oficerët e Ushtrisë Serbe që më dëbonin. Unë me dy vajzat e mia të njoma dhe gruan time, si edhe mijëra shqiptarë të tjerë e bënim lumin e pikëllimit të Eksodit biblik. Gjithë kohen shikonim qiellin dhe shpresonim se do te kthehemi prapë në këtë tokë atërore mije e mijevjeçare. U kthyem dhe gjetëm sofrën ashtu të shtruar. Dreken e mykur. Shtëpinë e plaçkitur. Nuk e takova me kurrë komshiun tim. Kishte ikur! Ndoshta, po them nga mëshira,se mund ta kishte vrare ndërgjegjja(!?), apo siç patë thëne komunisti serb,T.Kurtoviç. se:” serbët e Kosovës po shpërngulen nga Kosova, se nuk mund ta durojnë barabarësinë me shqiptaret”. Ishin sundues. Ndoshta komshiun tim, vërtet e vrau liria e ime. Për këtë mos me akuzoni, Ambasador Dell. Respekt SHBA !
Prishtinë, 31.03.2011.

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...