Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, thotë se PDK-ja nuk duhet më të zhvillojë bisedime vetëm me AKR-në në lidhje me presidentin. Ai propozon ndryshime kushtetuese dhe presidenti të zgjidhet nga populli brenda afatit ligjor. Në anën tjetër, AKR-ja kërcënon që nëse Pacolli nuk mbështetet nga PDK-ja për president, atëherë ajo do të tërhiqet nga koalicioni qeverisës.
Ceremonia e dorëzim - pranimit të detyrës së presidentit nga Bexhet Pacolli tek ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, është anuluar për të dytën herë brenda dy ditësh.
Sipas njoftimit të Aleancës Kosova e Re, zoti Pacolli nuk mund ta bëjë dorëzimin e detyrës te kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, “duke u bazuar në nenin 90 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të datës 1 prill 2011”.
Ndërkohë, paqartësitë në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri vazhdojnë.
Aleanca Kosova e Re sërish kërcënon se nëse Pacolli nuk do të jetë president, marrëveshja me PDK-në do të prishet.
Por, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëse ka marrëveshje mes subjekteve politike, atëherë zgjidhja e qëndrueshme është e mundshme.
“Tani gjendja është kthyer në zero. Unë mendoj se paraprakisht do të jetë një marrëveshje politike, mes partive politike që janë në Kuvend, do të thotë është e domosdoshme për të ecur më tej, për të zgjedhur presidentin”.
“Ne konsiderojmë se janë dy-tri mundësi që kemi përpara. Mundësia e parë është që partitë politike të bëjnë një marrëveshje dhe ta bëjnë një zgjidhje të një kandidati të mundshëm për president. Çështja tjetër është të ndërrohet Kushtetuta brenda këtij afati sa mund të shfrytëzohet detyra e ushtruesit të detyrës së presidentit dhe të shkohet me zgjedhje nga qytetarët”, thotë Krasniqi.
Neni 86 i Kushtetutës, që merret me zgjedhjen e presidentit, sipas Krasniqit, duhet ndërruar në atë mënyrë, që të mos “përsëriten pazaret politike”.
“Për të mos u bërë më zgjedhja e presidentit një farë pazari politik i partive politike, është mirë që presidenti të zgjidhet nga qytetarët e Kosovës dhe pastaj të formohen koalicione për të qeverisur vendin”, thekson Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, deputetja e Aleancës Kosova e Re, Myzejene Selmani, thotë se pasditen e së hënës do të sqarohet gjithçka në lidhje me koalicionin PDK-AKR.
“Kemi një mbledhje të Kryesisë, dhe sipas të gjitha gjasave aty do të merret vendimi përfundimtar në lidhje me koalicionin. I vetmi shans për koalicionin është që marrëveshja të funksionojë ashtu siç është nënshkruar. Në rast se nuk funksionon marrëveshja PDK-AKR, me president Behxhet Pacollin, atëherë është e kotë çdo gjë tjetër”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Selmani.
Por, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasiqi, shpreh mendimin se PDK-ja më nuk duhet të flasë vetëm me AKR-në, por edhe me subjektet tjera politike për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Mendoj se tash duhet të zhvillohet një bisedë mes partive politike, të bëhet marrëveshje mes të gjitha partive politike parlamentare dhe jo vetëm mes AKR-së dhe PDK-së”, shprehet Krasniqi.
Gjykata Kushtetuese javën e kaluar tha se procedurat e zgjedhjes së Pacollit për presidenti më 22 shkurt, kishin qenë jokushteteuse, duke kthyer kështu situatën në pikën zero.
Por, vendimi i Kushtetueses u përcoll me dy kushte që duhet patjetër të plotësohen - propozimi i të paktën 2 kandidatëve për president, dhe prania e 80 deputetëve në sallë.
Dilema mbetet tek opozita, e cila ka thënë se do ta bojkotojë sërish seancën, duke pamundësuar kështu kuorumin prej dy të tretave, po qe se kandidat është Behxhet Pacolli.
Ndërkohë, nga deklarimet e deritashme të drejtuesve të Partisë Demokratike të Kosovës është parë një ndasi në këtë parti në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Ndryshe nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili ditë më parë nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se zgjidhja duhet të bëhet përmes reformave zgjedhore.
Krasniqi thotë se zgjedhjet e parakohshme do të riciklonin krizën e njëjtë, në të cilën është futur Kosova që nga tetori i vitit të kaluar, kur dha dorëheqje presidenti Fatmir Sejdiu.
No comments:
Post a Comment