Kohë më parë gazetari Oliver Kamm, shkroi një artikull që kritikon drejtësisht propagandën në rritje e sipër, që agresionin e fundit serb në Kosovë e justifikon duke fajësuar shqiptarët (viktimat) për masakrat serbe ndaj tyre.(http://timesonline.typepad.com).
Ky reagim u bë pasi publikimit të një artikulli në The New Statesman shkruar nga Neil Clark me titullin “Don’t Mention the War”, ku ndër të tjera thuhet se “lufta e vitit 1999 ka pak të bëjë me Milosevic-in, dhe çdo gjë me ambiciet ekonomike dhe hegjemonike të SHBA-ve në Ballkan.”
Kamm së pari pyet se a ia vlen që të merremi më kësilloj propagande pro-serbe, dhe konkludon se në këtë rast ia vlen pasi që artikulli u shkrua në një revistë që ka një pozitë të rëndësishme në historinë e së majtës britanike.
“Ka pak çka të thuhet rreth tezës që Neil Clark ofron. Teoritë e konspiracionit për nga natyra janë vështirë të vërtetohen se janë të pavërteta. Nëse gjeni dikë që është i vendosur të besoj “se evidenca në rritje tregon se lufta e vitit 1999 ka pak të bëjë me Milosevic-in, dhe çdo gjë me ambiciet ekonomike dhe hegjemonike të SHBA-ve në Ballkan”, atëherë kurrfarë evidence nuk do t’ja hiqte bindjen”, shkroi Kamm.
Kamm shkruan se diplomacitë e Britanisë dhe SHBA-ve të mesit të viteve 1990-ta ishin të painteresuara në Kosovën. Për dallim nga Bosnja dhe Kroacia , Kosova nga diplomacia perëndimore trajtohej si pjesë e Serbisë. Ky ishte një gabim: krahinat autonome të Kosovës dhe Vojvodinës kishin shumë elemente të republikave tjera ish-Jugosllave dhe ballafaqoheshin me kërcënimet e njëjta, dhe aspak nuk ka kuptim të sugjerohet se kinse diplomacia perëndimore paska pasur qëllime dizajnimi në Kosovë.
Ai shton se interesi i SHBA-ve në Kosovë ishte sinqerisht humanitar dhe kishte për qëllim që të zbatonte vetë-qeverisjen. Ndarja e Kosovës nga Serbia u bë jo nga presionet perëndimore por nga ajo se po thuaj çdo shqiptar i Kosovës e dëshironte atë.
Në artikull përmendet edhe masakra e Raçakut, e cila sot e kësaj dite nuk pranohet të ketë ndodhur nga qeveritë post-milosheviqiane të Serbisë. Kamm ofron evidencë të pamohueshme në këtë drejtim duke cituar gazetarë dhe diplomatë të asaj kohe të cilët kishin parë kufomat e masakruara, e ndër ta pleq, gra dhe fëmijë.
Fatkeqësisht ky trend i propagandës pro-serbe pak po ballafaqohet nga qeveria dhe mediat e Kosovës. Është fjala se gjatë dhjetëvjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë numri i artikujve pro-serbë në gjuhën angleze ishte shumë më i madh se sa nga ato të mediave pro-shqiptare apo shqiptare. Ky është një dështim i propagandës shqiptare kur është në pyetje përdorimi i internetit në ndriçimin dhe mos-harrimin e një periudhe tejet të rëndësishme të historisë së Kosovës moderne.
http://en.wikipedia.org/wiki/Oliver_Kamm