Ngjarjet e fundit në vend, të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese kanë reflektuar edhe në Qeverinë e Kosovës, përkundër se një gjë të tillë e mohojnë një pjesë e kabinetit qeveritar. Edhe pse vazhdon të mbetet ndër institucionet më stabile, qeveria ka mbetur me një ‘këmbë’, për faktin se janë ministrat e partnerit qeverisës AKR-së, ata të cilët do të tërhiqen nga partneriteti me PDK-së në rast se kandidati i tyre për president nuk merr përkrahjen në seancën e radhës që pritet të mbahet gjatë këtyre ditëve.
Megjithatë, shefi i qeverisë Hashim Thaçi, ai që ka barrën kryesore për zgjidhjen e kësaj çështje, ditë më parë kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës është aktive ndaj këtyre zhvillimeve dhe është duke përcjell me seriozitetin më të lartë, gjithmonë duke vënë interesin e vendit në radhë të parë dhe qytetarëve. “Qeveria mbi bazën e respektimit të rendit dhe ligjit, respekton vendimet e institucioneve të pavarura në këtë drejtim edhe të Gjykatës Kushtetues, dhe do të sillemi konform vendimit”, kishte deklaruar kryeministri Thaçi në mbledhjen e fundit të qeverisë të mbajtur më 30 mars, duke garantuar edhe vazhdimin e koalicionit qeveritar. Thaçi ishte shprehur i sigurt se ky koalicion do të vazhdojë agjendën e vet të plotë shtetërore, meqë sipas tij aspekti procedural për zgjedhjen e presidentit do të kaloj me sukses në Kuvendin e Kosovës. Por nga ajo ditë gjërat kanë ndryshuar rrjedhën. Ka qenë AKR-ja ajo që ka paralajmëruar shqyrtimin e koalicionit me PDK-së, përderisa vetë kryeministri Thaçi i ka kërkuar z. Pacolli të tërhiqet nga kandidatura për president, por jo edhe shkëputjen e kontratës së marrëveshjes për koalicion.
No comments:
Post a Comment