Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/04

SHKRUAN FLORI BRUQI: POPULLI TË MËSON






Mirko Gashi u lind më 2 janar 1939 në Kralevë, Serbi. Shkollën fillore e kreu në Preshevë ndërsa Gjimnazin në Gjilan. Ka kryer edhe një shkollë për gazetarë. Ka punuar si mësues në fshatin Caravajkë të Preshevës, pastaj gazetar në Radio Prishtinë, Në Teatrin e Kombësive në Shkup, në Teatrin Popullor të Prishtinës e së fundit ka redaktuar gazetën “Kosova” të një ndërmarrje ndërtimore në Prishtinë. Me krijime letrare ka filluar të merret qysh herët. Është marr edhe me përkthime nga gjuha shqipe në atë serbe dhe anasjelltas. Punimet e Mirko Gashit janë përkthyer në gjuhët frënge, italiane, gjermane, arabe, sllovene, angleze, turke dhe maqedone. Është prezantuar në shumë vepra të autorëve që kanë shkruara për shkrimtarët shqiptarë. Ka kaluar një jetë prej bohemi, gjatë kohës sa ishte pensionist. Vdiq në vitin 1995, në Prishtinë.



Mirko Gashi mbetet poeti më i njohur bohem i poezisë shqipe. Me jetën e tij të veçantë, me poezinë dhe zërin e tij të veçantë, ai konsiderohet edhe si njëri prej poetëve më të mirë të Kosovës. Mbi jetën e tij dhe mbi poezinë e tij janë shkruar shumë artikuj që janë botuar nëpër gazeta, revista letrare dhe nëpër libra të ndryshëm. Studimi më i plotë mbi jetën dhe mbi poezinë e tij i botuar deri më tani lirisht mund të konsiderohet libri me titull “Gjenitivi i lirikës – poezia e Mirko Gashit”, i autorit Prend Buzhala. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Rozafa” dhe përkon me shtatëdhjetë vjetorin e lindjes së poetit. Autori i librit tashmë është dëshmuar si kritik letrar, si njohës i mirë i letërsisë shqipe, si autor i disa librave me studime si dhe autor i disa librave monografikë mbi disa prej autorëve të njohur të letërsisë shqipe. Në këtë libër, Buzhala mbështetet në një zbërthim e përgjithësim të shumanshëm të lëndës së trajtuar, duke nxjerrë në pah elemente të ndryshme të poezisë së Gashit. Libri është i ndarë në nëntë kapituj.


 Në kapitullin e parë “Lexim mitopoetik (Nga gjenitivi i krijimit të kozmosit)” autori e analizon kryesimbolin e Mirko Gashit, ujin, të cilin autori e quan Ideal Poetik, nga i cili ideal rrjedhin edhe kuptimet tjera të poezisë e të poetikës së Mirko Gashit, siç janë raportet mes poezisë, artit e realitetit, miti i krijimit kozmologjik e kozmogjenetik i kënduar në artin e poetit bohem. Kapitulli i dytë “Lexim kontekstual (Kulti i bohemës)” i kushtohet konteksteve kohore kur u krijua kjo poezi, kurse kapitujt “Lexim akvapoetik (Në vorbullën e ujit)”, “Lexim në intermedium (Hapësira eternale e akvapoetikës), “Lexim situacional (Netët e bardha)”, Lexim i subverzionit estetik (Gjarpri i shtëpisë)”, Lexim paradigmatik”, (Arbor vitae)”, “Lexim fenomenologjik (Reinkarnimi im)”, merren me interpretimin e leximit, të cilin autori e quan polimorfizëm të leximit. Në një rast, Buzhala ka shkruar se Mirko Gashi e kishte zërin e vet të veçantë, mënyrën e veçantë të reagimit dhe mënyrën e veçantë të jetesës. Ndërsa diku tjetër, ai ka shkruar se ‘vet jeta me ngjyrime tragjike e Mirko Gashit përbën thelbin e poezisë së tij, thelbin e dilemave tragjike’.


Mirko Gashi në rrethet letrare ka qenë i njohur si poet bohem, i cili nuk pajtohej me konventat e shoqërisë, prandaj doemos e bënte jetën e vet të veçantë, ashtu të dëshiruar, të vetëzgjedhur, si artist endacak duke bredhur midis realitetit dhe ëndrrës, midis jetës dhe vdekjes, midis gëzimit dhe vizionit. “Mirko Gashi hyn në radhën e atyre pak poetëve tanë bashkëkohorë, i cili nuk ngarend mbas sasisë, por është i dhënë qenësisht pas krijimit të poezisë dhe me përkushtim e zhvillon dhe e thellon procesin e vet krijues poetik”, ka shkruar për të studiuesi Anton Nikë Berisha. Studimin e tij monografik mbi poetin bohem, Buzhala e përfundon me botimin e disa poezive që poetë të ndryshëm i kanë kushtuar Mirko Gashit.


Nisia e dashurisë - Atlantida ime


Hëna lëshoi rrjetën
qyteti vazhdoi jetën

në muzgun e parë
si në zgjua
jeta vloi

të dashuruarit në çdo hap
bluanin
drithin e dashurisë

e zemra ime
vaj e në vaj
si zurkajë
as në këtë moshë
me dashuri
s' u josh

jetoja
pa mostra
bëja zustra

me çdo varg
shkoja larg
e më larg

shkrova
për renë e zezë
për nënën Terezë
por jo edhe këtë këngë
jetoja zi e më zi
skamnor e i pasur
por i tëri në poezi

taverna
më çeli
kaverna në çdo tavernë
nga një kavernë

po qe besa
s' më la shpresa
se njëherë në jetë do të më paraqitet
ajo kometë
e Halejit

prej tavernës më shpien
në orën letrare
atje poezia ime
qe abetare
e jetës së shkretë
e jetës së vërtetë

dhe aty
në odeonin e diturisë
zë fill i dashurisë

e gjeta

në syrin e qiellit
në zenitin e diellit
në orën e gjelit

nëpër tingujt e lahutës
me ata sytë e sutës
erdhi në livadhin tim

dre o dre
i pafre
sa gjumin e pamatur
e kishe pasur

dora dorës
zemra zemrës

me baticë i mbushur uri
për dashuri
unë urithi
pashë kometën e Halejit
u harruan tavernat
u mbyllën kavernat

në prehrin e hënës
sa e lumtur
m' ishte jeta
edhe në shpirtin tim
tashti zbriti bleta

dre o dre
i pafre
zemra jote dorë
luan daullën kraharor

Eta nuk m' ishte vetëm floçkë
ajo m' ishte loçkë
ar
thesar

dre o dre
i pafre
zemra jote dorë
luan daullën kraharor

kush është Ikari
kush Armstrongu

u dëgjua gongu

pa fijen e romantikës
do ta pushtoj
yllin më të largët
të Galaktikës
t' ia dhuroj
Etës floçkë
Etës loçkë

klithën yjet
nga gëzimi
i saj dhe imi

ajo Rrushë
imja
jo e Rexhës
i largoi
pas ferexhes
së reve

pastaj
diku larg
pelat hingëlluan
qentë kuitën
arat e thara
të dashurisë
s' u ujitën

kush na bëri magji
lanetit i dha gji

treti Eta
u zhduk drenusha
vajti nuse Rrusha

mua fati
Rexhën ati
mua ylli im i fatit
Rexhën thundra e atit

diku lart
flet një alt
Eta Eta
e jo Mauthia
Etaaa

e unë e hëna
vajtojmë
luajmë etida
ç' u bë nisia
ku është Atlandida.




Liria


(Lumit, sugarit tim)

Eu çfarë djali kam,
eu çfarë Lumi kam.
Sa kafshata,
sa një pëllëmbë
s' e ka mjekrën
s' ka as dhëmbë,
mallkon yje,
shkatërron yje
Edhe në muajin e vet
të tetë s' don të lidhet në djepin e vet.


Populus Illyricus


Populli
e di
kur duhet bërë kryq
me tre
e kur
me pesë gishtërinj
e kur
të thuhet dova
Ai
më së miri
të thotë
s'ka përëndi të tjerë
përvec meje
Populli të thotë
se s'ka kryeplak
më të urtë se fshati
Ai e ka meteorologjinë
e vet
në gjunjtë e pleqëve e të plakave
kur ky yll apo ai
gjendet këtu apo aty
Populli di
pse
s'duhet përqeshur lumin
për rrugën e tij gjarpërore
rrjedhën mund ta gabojë ndonjë pikë
po lumi kurrë


2.-


pasi vetëm ai e di
rrugën e vet
vallen e popullit
askush
s'do ta mësojë
as t'i marrë erë
për një jetë kalimtare
Kurrë mos humb besë
ndaj Zotit tënd të ri
beso
e po të besoj
në këtë aksiomë


Populli e di
se vetëm fëmijët dhe kafshët
të duan pa hile


Cdo fjalë që të thuhet
për Popullin
është e stërvockël
Ai e ka celësin
për cdo rebus
vetëm për të s'ka enigma
Eu
Ai
di
se cili mashkull i shtëpisë
është për pazar
e cili jo
Ai e di
mu si Luli i vocërr


3.-


ku është hija
e ku gjendet dielli
kush është Mark
kush Januz
e kush Janus
Populli e ka syrin
të thellë
sa një oqean
populli të thotë
se kënga
është vaji i burrit
se kështu e ka jeta
Ai ka
cka s'ka
asnjë kryevepër s'e ka krijuar Dante Aligieri
apo ndonjë tjetër
po Ai
i mjeri
Për cdogjë që ke ndier
mos beso as ti
po populli
e di
Ai
para se ta capojë
të njëmbëdhjetin hap
dhjetë i ka kaluar
Populli
s'ka epiqendër
të gjitha trojet
e skajet
e tij
ashtu mund të quhen


4.-


Populli të mëson
me proverba
ai të thotë:
"I di Meta punët e veta"


BUZÊ LUMIT


Sa të shkurtëra janë largësitë
nganjëherë
deri në breg të lumit

Kur kitara therret
lumi vlon
peshqve zëri u shterret

Ti për bukuri
zgjon puhinë
fjetur në flokët e së dashurës
dhe ia leshon freret





****************
“Jetoj ashtu siç dëshiroj!...”


Si mendon, çka punon e çka mendon njëri ndër poetët më bohemik në qarqet tona letrare?


Intervista e Qani Mehmedit me Mirko Gashi, Marrë nga Zëri i Rinisë, 1984

Edhe lexuesi më i rëndomtë i gazetave dhe i revistave tona mund ta ketë hetuar fare lehtë se poeti Mirko Gashi rrallë, tepër rrallë, jep intervista. Për më shumë se 20 vjet krijimtari, ai nuk i ka bërë as dy-tri biseda për gazetë. Mbase, prandaj është e nevojshme që të kalohet qoftë edhe shkarazi nëpër biografinë e tij. Banon diku në skaj të Prishtinës, në nja dy dhoma përdhese, plot lagështi, në një hapësirë ku ladrojnë minjtë më të mëdhenj se maca, në “Morava 11” rrugë kjo e njerëzve me shumë halle. Është i kënaqur, sic shprehet vetë, me bashkëshorten e fundit, Sevdijen, e cila ka mirëkuptim të plotë ndaj personalitetit dhe përkushtimeve të këtij poeti si dhe me fëmijët e tij Zorën, Antonion dhe me Lumin e vogël, ndaj të cilëve duket se ushqen dashuri të madhe.

Fëmijëria e poetit Mirko Gashit, e cila shpesh është prezente edhe ne poezinë e tij, fillon diku në Preshevë. Atje nis të mendojë e të preokupohet edhe për çështje që ndoshta moshanikëve të tij kurrë nuk u kanë rënë ndërmend. Djalë i bashkëshortëve të përzier, shkollën fillore e të mesme e vijon në gjuhën serbokroate, por dashurinë ndaj gjuhës atnore ia nxit nëna, që, sic shprehet vetë, vazhdimisht i thoshte: “Biro, ti je shqiptar, mësoje gjuhën e babit tënd!”. Kjo këshillë e nënës qe bërë për Mirkon e ri obsesion. Në moshën 17 vjeçare, nën përkujdesjen e Rizah Bicajt dhe të Rexhep Elmazit, fillon ta mësojë shqipen për të arritur aty ku ka arritur: të krijojë poezi në këtë gjuhë.

Është i madh vargu i vendeve të punës nëpër të cilat ka kaluar Mirko Gashi. Arsimtar, gazetar i “Flakës së vëllazërimit”, aktor profesional në Teatrin e Kombësive në Shkup, gazetar i Radio-Prishtinës (7 vjet), redaktor i gazetës “Kosova” të Obiliqit (3vjet), gazetar-përkthyes në gazetën “Kosovodërvo” (7 vjet)dhe tash, më në fund, prej 7.10.1983, pensionit, artisti i lirë, siç thotë ai... Ata që i përcjellin rrjedhat e poezisë sone e dinë se Mirko Gashi ka filluar të botojë poezi në vitin 1995, por përmbledhjen e parë “Në vorbullën e ujit” e botoi në vitin 1972, “Netët e bardha” në vitin 1975, ndërkaq “Gjarpërin e shtëpisë” në vitin 1980. I janë përkthyer shumë poezi në vendin tonë dhe jashtë (frëngjisht, anglisht, rumanisht, arabisht, etj). Është i përfaqësuar në të gjitha antologjitë e poezisë sonë.

Në fillim na thatë se nuk jepni intervista. Pse?

Le të flasin vargjet. S’jam unë as Fadil Vokrri e as Sabri Fejzullahu. Ata janë për faqe të para të gazetave. Kjo është hera e dytë që jap intervistë. Më kanë lutur, por s’doja të flisja...


Kur shikoni pas, çka i thoni vetvetes?

Mbi të gjitha e çmoj lirinë. Jetoj ashtu siç dëshiroj... Dëshirat nuk i kam të mëdha për jetë luksoze, por mundësitë i kam tepër të vogla për të jetuar si njeri i rëndomtë. Qe 22 vjet bredh nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës, pa kulm timin mbi kokë. Më në fund këto ditë pres vendimin për banesë nga BVI-ja Krahinore për Kulturë. (Sabit Jakupin, të lutem mos e harro se i jam falënderues për tërë jetën! Ai me disa shokë të tjerë që m’i dinë fort mirë hallet kanë bërë përpjekje të mëdha që, më në fund, të sigurohet një banesë shoqërore për Mirko Gashin). Jam i kënaqur me tre fëmijët e mi dhe, më në fund, e gjeta edhe bashkudhëtaren e mirëfilltë e cila më kupton dhe më respekton të këtillë sic jam – Mirko Gashi! Shumë gjëra i humba në jetë për shkak të poezisë. Kam mundur të bëhem “dikush” por kam mbetur “një poet i shkretë” rrugëve të Prishtinës, kafeneve, 22 vjet pa kulm mbi kokë. Pra, poezia shumëçka më mori e pak gjë më dha. Të merresh me poezi është punë tejet e vështirë. Vjen koha që fjalët ta kërkojnë kokën tënde. (Nëse dikush ia fal jetën poezisë, ai duhet të jetojë me fjalët, e fjala e ka masën, dimensionin, huqet e veta). S’është poet ai i cili nuk e jep edhe jetën për fjalët e veta. Është shumë vështirë, por kështu është. Jam tejet i sinqertë në këtë bindjen time. Pra, tepër e vështirë është loja me fjalë, nëse i kupton fjalët siç duhet. Të thashë, s’dëshiroj të bisedoj për gazetë, por pasi është e të rinjve, nejse...

Çka është poezia, çka mendon për të?

Begatia jonë në poezi është ajo që kemi mjaft individualitete poetike. Të gjithë përbëjnë koloritin aq të duhur të letërsisë shqipe. Poezia jonë është motive, eminente dhe e përmasave ndërkombëtare. Këtë e kam vërejtur edhe prej kontakteve të mia me letrarë të vendeve të ndryshme... Kur e pyeta një të ri një ditë se ku po shkon, m’u përgjigj se shkon në shtëpinë e tij për të shkruar poezi! U çudita. Unë qe shtatë-tetë vjet mendoj për ta trajtuar në poezi motivin e “lulediellit” mirëpo ende s’mund të shkruaj asgjë...

E poezia e të rinjve?

Një 115 emra të letërsisë sonë i kam përkthyer në gjuhën serbokroate, në gazeta e revista, plus 35 vepra letrare. E kam një vërejtje tek të rinjtë, mirë është që e shfrytëzojnë traditën, por më duket se nuk po gjurmojnë sa duhet. Le ta dinë se shumë motive të jetës sonë bashkëkohore, por edhe të thesarit tonë popullor, janë ende të patrajtuara...

E, kush duhet të shkruaj poezi?

Vetëm ai që e ndjen pulsin e popullit. E, mund ta ndjejë nëse jeton në mesin e tij. S’mundet të ndjejë pulsin e masës poeti që shëtit me “Mercedez” e që jeton në vilë luksoze. Nuk them se poetët për të shkruar poezi duhet të jetojnë në kushte “mizerable” sic kam jetuar unë dekada të tëra, por ai gjithsesi duhet të gjendet në mese të ndryshme të shtresave më të gjera popullore, t’i njohë hallet dhe peripecitë e tyre, gëzimet dhe lumturitë, jetën e tyre... Me ka ndodhur që gruaja 70 vjeçare të ma lëshojë vendin në autobus, cka për mua ka qenë kritikë mbi të gjitha kritikat.

Thatë diçka mbi atë se si duhet shkruar poezia. A keni të shtoni edhe diçka?

Se si krijohet poezia, varet edhe prej atij që e shkruan, por edhe prej frymëzimit. Unë nuk mund të shkruaj poezi të papërjetuar. E bart idenë si nëna fëmijën me vite të tëra deria vjen momenti për ta nxjerr në dritë. Më në fund, tash jam letrar i lirë, kam më shumë kohë për frymëzim e meditim, prandaj besoj se lexuesit mund të presin prej meje dicka më të rëndësishme jo vetëm në poezi, por edhe në gjininë e dramës. Megjithëkëtë, edhe tash e tutje do të paraqitem rrallë (do të përpiqem) e për mall.

Fjala jetë është shumë prezentë në poezinë tënde. Cka është jeta për ty?

Unë vetëm e përshkruaj jetën. Ashtu siç është e vrazhdë, e hidhur, shumë më pak e hareshme. Ne poezinë time i këndoj hidhësisë sepse më shumë e kam përjetuar atë. Duke i kënduar dëshiroj që sidomos të rinjtë, mos ta përjetojnë kurrë.

Cila nga hidhësitë e jetës të preokuptojnë më shumë?

Më së shumti jeta edhe vdekja, veset dhe vyrtyet, shqetësimi dhe trishtimi... shpeshherë nuk ndodh ashtu siç thuhet: hudhe farën në det e do të gjesh dikur e diku... Kam përjetuar shumë por përsëri jam i lumtur sepse tre fëmijët e mia janë të rrugë të drejtë. Dinë të çmojnë edhe jetën edhe lirinë, edhe krijimtarinë...

A jeni i kënaqur nga kritika letrare?

Janë do ushtarë të mirë në kritikën tonë letrare, por kritikë ata nuk mund të bëhen kurrë. U mungon etika krijuese, ndërkaq, kemi disa teorikë të kritikës, estet e kritikë të shkencës, siç është, bie fjala, Rexhep Qosja me dinjitet, etikë të lartë shkencore e me individualitet plotësisht të formuar. Në kritikën tonë letrare janë disa që premtojnë por tash për tash edhe veprat e tyre e edhe mundësitë krijuese janë të atilla sa, të thuash, se premtojnë.

Çka kujtoni më me dëshirë në jetë?

Fëmijërinë time të varfër. Kur me një rrogë të babait mësues ne fëmijët e tij jetonin dhe shkolloheshim, sic thuhet, me bukë e kripë...

Cka ju shtyn të pini?

Të përgjigjem me pyetje: Të banosh 22 vjet nëpër bodrume të huaja, t’i përkthesh 35 vepra, t’i kishe botuar mbi 10 mijë vargje, ta kishe një rrogë të vogël tash si pensionist në këtë moshën time, por edhe shumë probleme intime jetësore, shumë moskuptime... cka do të gejshe tjetër ti pos t’i kaloje do çaste të lumtura me gotën e rakisë në buzë?!... (Të lutem, mos harro të thuash fjalë të mira për Sabit Jakupin, i cili po ma zgjidh problemin më të madh ekzistencial). C’është e vërteta, hallet e mia i kanë kuptuar edhe kolegët e mi poetë, por çka kanë mundur të më ndihmojnë?

Çka ju bën të lumtur?

Tash në moshën 44 vjeçare kam edhe një djalë – Lumin. Ai po ma shton jetën. Ai është gëzimi im, pasuria më e madhe që mund të ketë njeriu. Në të tretën martesë kam gjetur edhe gruan, bashkudhëtaren time të jetës, e cila më do e më kupton.

Po e përmendni shpesh gruan. Cka mendon për gruan në përgjithësi?

E kishin pyetur Muhamedin: a është gruaja myslimane? I duhet myslimanit – i ishte përgjigjur. E kishin përsëritur pyetjen duke menduar se nuk e ka kuptuar... Kishte dhënë po të njëjtën përgjigje. Edhe për të tretën herë e kishin pyetur: A është gruaja myslimane? I duhet myslimanit – ishte përgjigjur.

E për burrin?

Ka trima dhe budallenj...

Për fund?

Kam folur ashtu siç ndjej. Edhe nëse diku nuk ia kam qëlluar – s’prish punë... E madhe është kjo dritë që del nga këto poça kur e di se është fryt i djersës së xehetarit. I njoh xehetarët mirë, kam jetuar gjatë në mesin e tyre. A e ke lexuar atë vargun e poezisë së Ymër Shkrelit në përmbledhjen “Febris”: Mbi varrin tim mos mbani fjalime? Këta ia kam përsëritur poetit unë aq shpesh. Shkova se më pret Lumi...

A dëshironi të autorizoni tekstin e kësaj bisede?

Më ke ofenduar. Cka kam ta autorizoj unë. E kreva punën time...



P.S. Biseda u zhvillua kryesisht në kafenenë “Tre sheshirat” por edhe në lokalet e redaksisë sonë.
Qani Mehmedi
Marrë nga Zëri i Rinisë, 1984

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...