2011-04-07

Gjeneralja e PK -së z.Atifete Jahjaga u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës me 80 vota


Me 80 vota Atifete Jahjaga kandidate e tri partive të marrëveshjes politike në mes të PDK-së, LDK-së e AKR-së u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës. Ndërkaq kundërkandidatja e saj Suzanë Novobërdaliu mori 10 vota ndërkaq të pavlefshme ishin 10 vota.

Atifete Jahjaga u zgjodh në raundin e parë të votimit pasi ajo mori më shumë se 2/3 e votave të deputetëve të pranishëm në Kuvend dhe kështu nuk pati nevojë që të shkohet në dy raundet e tjera të votimit.
Më pas presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga
dha betimin si presidente ndërkaq më pas u intonua himni shtetëror i Republikës së Kosovës.
Me zgejdhjen e Atifete jahjagës presidente të Republikës së Kosovës merr fund së paku përkohësisht kriza institucionale në Kosovë.
Pas zgjedhjes, zonja Atifete Jahjaga dha betimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës, si dhe iu drejtua deputetëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës me një fjalim, të cilën po e sjellim në vijim:
I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë,
I nderuari Kryeministër,
Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë,
Honorable ambassadors. Dear guests,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Poshtovani gradjani Republike Kosovo,
Zgjedhja ime Presidente e Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin koncensual dhe marrëveshjen ndërmjet partive politike parlamentare për kapërcimin e krizës politike dhe për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për të ardhmen e vendit, duke bërë ndryshimet e nevojshme në Kushtetutën e Kosovës dhe në sistemin zgjedhor, si dhe duke caktuar një agjendë të qartë të veprimeve institucionale për tre vjetët e ardhshëm.

Deri dje, nuk kam menduar kurrë për të marrë një pozitë të lartë udhëheqëse politike. Por, ashtu si shumë nga Ju, bashkëqytetarët e mi, isha e gatshme të shërbejë kur dhe ku të më ftojë vendi.


 I kam përkushtuar jetën time qytetarëve të këtij vendi në ndërtimin e njërit prej institucioneve më të rëndësishme demokratike. Gjatë 11 vjetëve të kaluara, i kam shërbyer vendit tim në Policinë e Kosovës, ku kam hyrë si fillestare dhe e lë sot si zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme.

Karriera ime pasqyron ndryshimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë dekadës së shkuar. Kam përjetuar të gjitha sfidat që kanë çuar në pavarësinë e Kosovës. Jam krenare që jam angazhuar në krijimin e ndërtimin e njërit prej institucioneve më të respektuara të Kosovës. Jam e nderuar që kam zhvilluar dhe udhëhequr Policinë e Kosovës, një forcë të fuqishme dhe të aftë që mishëron vlerat e Kosovës, një vendi demokratik dhe multietnik.
Kosovo jeste nezavisna demokratska i multietnichka drzhava.
Detyra më sfiduese në karrierën time gjer tani do të jetë detyra e Presidentit të vendit. Kam vullnet dhe vetëbesim se së bashku do t’ia dalim, do të bëjmë ndryshime të mëdha dhe përparim për vendin tonë. Dëshiroj të jem pjesë e këtij përparimi, ashtu si edhe Ju, si përfaqësuese e një gjenerate të re të udhëheqësve të Kosovës, të gatshëm të ndërtojnë mbi sukseset e gjithë atyre që ishin para nesh dhe që udhëhoqën këtë vend dhe popullin drejt shekullit 21.
Kam besim në Kosovën, kam besim në këtë Qeveri dhe kam besim dhe shpresë për qytetarët e vendit tim se do të përmbushim të gjitha objektivat tona.
Si Presidente e vendit do të jem garante e kushtetutshmërisë dhe e ligjshmërisë, faktor unifikues, e paanshme politikisht, mbrojtëse dhe përfaqësuese e interesave të Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, përfaqësuese e të gjithë qytetarëve, pa dallim kombi, feje, race e gjinie.
Gjatë shërbimit tim në Policinë e Kosovës, iu kam përmbajtur vlerave që e bëjnë Kosovën unike dhe kam mbrojtur të drejtat e secilit individ, pavarësisht përkatësisë së vet, dhe tani si Presidente, kjo përgjegjësi është edhe më thelbësore, më domethënëse, duke forcuar atë që e nisëm kur Kosova e shpalli pavarësinë.

Si Presidente e vendit, do të përpiqem çdo ditë, të sigurohem se Kosova po i dëshmon vlerat më të mira të Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës.


Të nderuar deputetë
Kosova e kapërceu një rrugë të vështirë, por të lavdishme, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e shtetit për të cilën shume breza të bijve dhe bijave më të mira të Kosovës u sakrifikuan, duke e mbajtur të gjallë idenë e lirisë, idenë e demokracisë, idenë e dinjitetit dhe të barazisë ndërmjet popujve.
Ideali i të gjithë qytetarëve të Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë rrugë, ne po punojmë vazhdimisht, për të përmbushur të gjitha standardet e nevojshme në respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, në sundimin e ligjit, në arritjen e objektivave të larta në arsim, në shëndetësi, sidomos në zhvillimin ekonomik, për t’i siguruar qytetarëve një jetë të mirë, një jetë të qetë dhe të prosperueshme të normalitetit evropian.

Unë besoj, dhe do të angazhohem, që ne, të gjithë së bashku, t’i realizojmë synimet tona. Unë besoj, edhe e di, se ëndrrat tona, në një ditë të afërme, do t’i bëjmë realitet. Këtë besim e mbështesë te forca e popullit, te mendja dhe vullneti i të rinjve dhe i të rejave të Kosovës.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës
Së bashku me miqtë tanë ndërkombëtar, ne kemi nisur një proces dialogu me Serbinë. Ky është një proces krejt normal ndërmjet vendeve që kanë pasur mosmarrëveshje dhe konflikt në të kaluarën. Në këtë proces të dialogut ne, të dy vendet fqinje, që ishim të detyruar ta ndajmë të shkuarën, do të jemi të detyruar ta ndajmë edhe të ardhmen. Pasi nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, ne do ta ndërtojmë të ardhmen, duke mësuar nga gabimet e të shkuarës. Dialogu do të ketë sukses. Pas përfundimit të tij, rajoni do t’i kthehet paqes dhe stabilitetit. Kosova dhe Serbia do ta kenë rrugën e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke ndihmuar e jo duke penguar njëra-tjetrën. Qytetarët e të dyja vendeve do t’i kthehen jetës normale, bashkëpunimit dhe zhvillimit, që do t’u sigurojë një ardhmëri të qetë dhe më të mirë.
Të gjitha zgjidhjet nga dialogu ndërmjet palëve, duke përfituar të gjithë, do të jenë evropiane, që do të kenë për bazë praktikat dhe përvojat më të mira të Bashkimit Evropian.
Kosova shtet i lirë dhe i pavarur është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë, që zhvillon marrëdhënie të mira dhe fqinjësore me të gjitha vendet. Kosova do të ketë një rol më aktiv në politikën e jashtme, duke u bërë anëtare në nismat dhe në organizatat rajonale dhe botërore, duke rritur numrin e njohjeve dhe duke vendosur marrëdhënie diplomatike, duke bërë marrëveshje bilaterale dhe shumëpalëshe dhe duke krijuar rrethanat e brendshme dhe të jashtme që sa më shpejt Kosova të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Me politikën tonë të urtë e të përgjegjshme do të dëshmojmë para vetes dhe përpara botës se ekzistojnë që gjitha arsyet që çdo shtet ta njohë Kosovën e pavarur, si një realitet të pakthyeshëm, si një faktor paqeje dhe stabiliteti. Marrëveshja ndërmjet subjekteve politike e dëshmon përgjegjësinë e mandatit, që gjithë neve na ka dhënë populli, e dëshmon përkushtimin që interesat e vendit janë mbi të gjitha.
Të nderuar deputetë
Ky Kuvend sapo miratoi buxhetin, i cili do të jetë në funksion të zhvillimit. Kështu, duke rritur pagat dhe duke rritur mirëqenien, ne njëkohësisht nxisim ndërrimet strukturore në ekonomi, duke i kushtuar vëmendje shtimit të prodhimtarisë dhe nxjerrjes të prodhimeve në treg, duke mundësuar që ne të jetojmë nga puna jonë dhe që taksat të jenë në funksion të prodhimtarisë dhe të përparimit të sistemit arsimor, shëndetësor dhe të politikave sociale. Kosova edhe këtë vit po vazhdon me investimet kapitale, po e vazhdon procesin e privatizimit duke i futur paratë e fituara në këtë mënyrë në politikat zhvillimore, duke mbrojtur njëkohësisht interesat e punëtorëve por edhe të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Reformat në arsim, në shëndetësi, në shkencë, ndërrimi i strukturës së ekonomisë dhe përshtatja e saj me trendet globale është e mundshme me një menaxhim të mirë të buxhetit, me politika të drejta fiskale dhe me nxitje të degëve zhvillimore të ekonomisë duke rritur cilësinë dhe duke ndjekur parametrat e vendeve të zhvilluara evropiane.
Të nderuar qytetarë të Kosovës
Të jesh Presidente e Kosovës në këtë kohë është një nder por edhe një përgjegjësi e madhe. Këtë punë unë do ta kryej në bashkëpunim dhe në ndihmë të ngushtë me të gjithë Juve. T’i shfrytëzojmë këto vitet e tranzicionit për të bërë reforma të gjithanshme për të përshtatur legjislacionin me Bashkimin Evropian, për të fituar udhëzimin për liberalizimin e vizave dhe mekanizmin e qartë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kosova, për shkak të asaj që e përjetoi populli i saj, për shkak të prezencës më shumë se dhjetëvjeçare të misionit civil ndërkombëtar, të misionit ndërkombëtar ushtarak, nuk duhet të mbesë mbrapa vendeve të tjera në proceset e integrimeve euroatlantike. Ky atëherë do të ishte edhe një dështim i angazhimit ndërkombëtar në Kosovë dhe për Kosovën.
Kosova ashtu sikur i gjithë Ballkani Perëndimor e ka vendin në Bashkimin Evropian. Me këtë përmbyllet një rrugë e gjatë shekullore e përpjekjeve të popujve të këtij rajoni në civilizimin evropian.
Të nderuar qytetarë të Kosovës
Në rrugën tonë jemi krenarë në lavdinë, jemi krenarë në shëmbëlltyrën e Skënderbeut, në personalitetin e Nënës Terezë, në aktin sublim të Adem Jasharit dhe në veprimtarinë e Ibrahim Rugovës. Të gjitha këto personalitete, si edhe shumë e shumë të tjerë, gjatë shekujve dhe në ditët tona, interesin e vendit dhe të popullit e vunë përpara vetes dhe me dritën e veprës së tyre shndritën deri në ditët tona, e do të shndrisin edhe në të ardhmen, duke na e përcaktuar qartë rrugën tonë, përkushtimin dhe idealin për të qenë të ndershëm, për të qenë të dinjitetshëm të lirë dhe të barabartë.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Në punën dhe detyrën time do të udhëhiqem nga Kushtetuta dhe nga Ligjet e Republikës së Kosovës. Do të jem transparente dhe bashkëpunuese në të gjitha çështjet. Do të jem faktor dhe simbol i unitetit. Do të përfaqësoj dinjitetshëm e me përgjegjësi Republikën e Kosovës, interesat e të gjithë qytetarëve.
Ju faleminderit!
* * * * * *
Pas një pauze 10 minutëshe Kuvendi i Kosovës rifilloi seancën e jashtëzakonshme. Shefat e grupeve parlemetare të PDK-së e LDK-së përkrahën kandidaturën e Atifete Jahjagës për presidente të Kosovës, ndërkaq Visa Ymeri nga lëvizja Vetevendosje e kundërshtoi kandidaturën e Atifete Jahjagës për arësye se siç tha ajo kjo kandidate është në shërbim të Hashim Thaçit. Ai tha se kandidatura e Atifete Jahjagës është një "tender njëburimor" sepse tashmë të gjithë do ta votojnë në këtë Kuvned.
Visar Ymeri e kritikoi edhe liderin e LDK-së Isa Mustafa duke i thënë se edhe Mustafa, njësoj si paraardhësi i tij Fatmir Sejiu ia zgjati jetën mandatit qeveritar Hashim Thaçit duke ia dhënë edhe 1 mijë ditë të qeverisë së Kosovës. Ymeri tha në fund se Vetvendosja do të lëshojë sallën në momentin e votimit për presidenten Jahjaga.
Më pas fjalën e mori Ardian Gjini nga AAK-ja i cili tha se grupi parlamentar i AAK-së do të jetë në sallë në procesine votimit.
Kuvendi po vazhdon debatin.
* * * * * *
Me dhjetë minuta vonesë, pra rreth orës 18 e 10 minuta filloi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Seancën e hapi Jakup Krasniqi i cili fillimisht konstatoi se në Kuvend janë të pranishëm 110 deputetë, që nënkupton se Kuvendi ka kvorum për procedim.
Kryetari Krasniqi foti shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovcin i cili paraqiti arsyetimin e Grupit Parlamentar të PDK-së për dy kandidatet për presidente të Kosovës, Atifete Jahjagën dhe Syzanë Novobërdaliu, deputete e AKR-së.
Pasi u zgjodh komisioni verifikues, Kryetari Jakup Krasniqi dha një pauzë 15 minitëshe.
Çdo minutë "Bota sot" do të ju njoftojë për rrjedhën e seancës së Kuvendit të Kosovës për zgejdhjen e presidentit të Kosovës.
* * * * * *
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sonte në orën 18:00 në një seancë të jashtëzakonshme për të zgjedhur presidentin. Kandidate për këtë post janë dy garuese femra: Atifete Jahjaga, kandidate e marrëveshjes PDK, LDK dhe AKR, si dhe Syzanë Novobërdaliu, deputete e AKR-së.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se gjatë ditës deputetë të partive nënshkruese të marrëveshjes i kanë deponuar në Kryesinë e Kuvendit 41 nënshkrime, të cilat janë të mjaftueshme që të thirret seanca e jashtëzakonshme.
Krasniqi nuk deshi të komentojë nëse kjo marrëveshje ishte zgjidhja më e mirë, por ai tha se kjo ka qenë zgjedhje e liderëve të partive dhe jo e partive që pritet ta mbështesin kandidaturën e Atifete Jahjagës.
“Është e rëndësishme që është arritur një marrëveshje dhe muajt e ardhshëm do të tregojnë se cilat janë rezultatet e kësaj marrëveshjeje. E rëndësishme është që u ka pëlqyer kryetarëve të partive”, tha Krasniqi.
Në bazë të Kushtetutës, në garë për postin e presidentit duhet të ketë të paktën dy kandidatë; zgjedhja në këtë post bëhet me dy të tretat e votave gjatë dy raundeve të para të votimit, përderisa në raundin e tretë mjafton edhe shumica e thjeshtë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se është respektuar ana procedurale për seancën e jashtëzakonshme dhe zgjedhjen e presidentit.
“Ne kemi proceduar me të gjitha kërkesat tona nënshkrimet e nevojshme edhe për kandidaten, edhe për seancën e jashtëzakonshme, e cila pritet të mbahet sot në orët e pasdites”, tha Grabovci.
Kriza e zgjedhjes së presidentit pasoi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, zgjedhja e Behxhet Pacollit në postin e presidentit, në seancën e 22 shkurtit, nuk i kishte respektuar procedurat kushtetuese.
Fillimisht, Pacolli pati rikandiduar për postin e presidentit, por ai nuk arriti të sigurojë mbështetjen e opozitës, andaj bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, u përfshinë në bisedime me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.
Bisedimet triditëshe sollën si rezultat marrëveshjen që Behxhet Pacolli të tërhiqet, kurse Atifete Jahjaga të kandidohet si kandidate e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së për president.
Si pjesë e marrëveshjes u përfshi edhe pajtimi për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore dhe zgjedhje presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhje parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.
* * * * * * *
Sonte në ora 18:00 mblidhet Kuvendi, zgjidhet presidentja e Kosovës
Pas marrëveshjes së arritur mbrëmë nga tre liderët politikë të Kosovës Behgjet Pacolli, Hashim Thaçi e Isa Mustafa për tejkalimin e krizës institucionale të Kosovës dhe për zgjedhjen e presidentit koncensual të Kosovës, sonte në ora 18:00 të pasdites është thirr një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës në të cilën do të zgjidhet presidenti i Kosovës.
Siç dihet kandidate e përbashkët e tri partive politike PDK, LDK e AKR është Atifete Jahjaga zëvendësdrejtoreshë e Policisë së Kosovës.
* * * * * * *
Zëvendëskryemnistri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi gjatë një interviste në televizion, të enjten në mëngjes tha se sipas marrëveshjes së mbrëmshe të liderëve pritet që sot në një seancë të jashtëzakonshme të zgjidhet Presidentja e Kosovës.
Siç dihet mbrëmë është arritur me konsesnsus në mes tri partive politike PDK, LDK dhe AKR që gjeneral-majorja e Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga të jetë e nominuar për presidente të Republikës së Kosovës.
Kuçi gjithashtu deklaroi se mungesa e tij në mbledhjen e kryesisë së partisë së tij (PDK) ishte për shkak të angazhimeve të tij personale në postin e tij ministrit të drejtësisë.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...