2011-04-09

Fatos Kongoli, një roman për veten


Shkrimtari Fatos Kongoli ka vendosur të zhvillojë një takim me lexuesin për romanin e tij më të fundit. Bëhet fjalë për “Iluzione në sirtar”, botuar nga shtëpia botuese “Toena.. Pak kohë më parë, autori e promovoi këtë libër në qytetin e Elbasanit e tani edhe në Tiranë. I ndërtuar mbi dy motive të ndërthurura, jeta e shkrimtarit dhe rruga e tij e vështirë drejt letërsisë, ky roman ka si personazh qendror vetë autorin. Ai na sjell pamje të papërsëritshme epokash, të djeshme dhe të sotme. Dhe një varg protagonistësh të letrave shqipe, të kulturës, arteve dhe politikës etj. Ashtu siç i ka njohur autori, që nga fëmijëria e hershme e deri më vonë, në kohë të qeta dhe të trazuara, gjatë periudhës së diktaturës e pas saj. Është një lloj autoportreti, ku për herë të parë Kongoli u kthehet disa episodeve nga më të rëndësishmit e jetës së tij.
Kohë më parë në emër të Presidentit të Republikës dhe në bazë të pushteteve që na janë dhënë, ne ju bëjmë kalorës të Legjonit të Nderit". Zonja Maryse Daviet, ambasadorja franceze në Tiranë, e artikuloi me një emocion të veçantë këtë frazë drejtuar shkrimtarit Fatos Kongoli, në një ceremoni të veçantë organizuar pasditen e djeshme në Ambasadën franceze. Kësisoj u bë publik lajmi se shkrimtari i mirënjohur u nderua me titullin më të lartë që jepet në Francë "Kalorës i Legjonit të Nderit", një vlerësim i akorduar nga presidenti francez, Nikolas Sarkozi. "Vendi im njeh në të gjithë kuptimet e fjalës (të njohësh dhe të shprehësh mirënjohjen) madhështitë e veprës tuaj. Vepra juaj e vështirë, "të bësh letërsi është një akt vuajtjeje dhe vetmie", përshkruan mirë në mënyrë të admirueshme, ashtu si vëllezërit tuaj Primo Levi, Solzhenitsyn-i, Vasily Grossman, njëherazi shkatërrimin e ngulmët dhe të plotë, fatet në shkallën e së përditshmes të individëve, të thyer, të shtypur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, rënien e tyre, por megjithatë njëherazi, dinjitetin e tyre", - tha në fjalën e saj ambasadorja Daviet, duke vijuar se librat e Kongolit të përkthyer në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht, italisht etj, "i kanë zbuluar botës, gulagun shqiptar, njëkohësisht, dinjitetin dhe nderin e shqiptarëve, edhe pse të shtypur". Maryse Daviet ka përmendur më tej kontributin që ka dhënë letërsia e Kongolit për njohjen e Shqipërisë në botë. "Vendi juaj ka veçanësinë dhe fatin që ka ushqyer edhe në mjerim shkrimtarë si ju dhe Kadare. Vepra juaj jep ndihmesë për njohjen dhe kuptimin e Shqipërisë veçanërisht nga të huajt. Kjo është diçka jashtëzakonisht e rrallë në botë". 
Duke e cilësuar frankofon dhe frankofil që në moshën më të re, edhe pse Francën e zbuloi vetëm në vitin 1989, ambasadorja Daviet përmendi shtatë librat e përkthyer mjeshtërisht në gjuhën frënge nga "miku juaj, nga dyzimi juaj, përkthyesi gjenial, Edmond Tupja: "I humburi", "Kufoma", "Dragoi i fildishtë", "Ëndrra e Damokleut", "Lëkura e qenit", "Te porta e Shën Pjetrit", "Hija e tjetrit", "Jetë në kuti shkrepësesh", botuar nga shtëpia botuese "Payot &Rivages". "Të gjithë ne, - tha më tej ambasadorja Daviet, - shpresojmë me padurim botimin e ardhshëm të librit "Bolero në vilën e pleqve", të cilën Edmondi e ka përkthyer në frëngjisht dhe përhapur në të gjithë botën frankofone. Në ceremoninë e dhënies së këtij titulli merrnin pjesë një rreth mjaft i ngushtë me të ftuar, miq të shkrimtarit por edhe shtetarë si kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili ka mbajtur një fjalë të gjatë në gjuhën frënge, e ku ka përmendur ndër të tjera edhe kujtime të hershme me Kongolin, profesorin që i ka dhënë mësime matematikë në kohën kur shkrimtari i madh ushtronte profesionin e mësuesit të matematikës. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, zv/ministrja Suzana Turku, përkthyesi i gjithë veprave të Kongolit në frëngjisht Edmond Tupja, deputeti Fatmir Toçi së bashku me Irena Toçin, që drejton tashmë botimet "Toena", e ku janë botuar të gjitha veprat e shkrimtarit Fatos Kongoli në gjuhën shqipe. 

Mjaft emocionues ka qenë edhe fjalimi i shkrimtarit, i cili ka rrëfyer me nostalgji të gjitha fijet e jetës së tij që e kanë lidhur me Francën dhe gjithë botën frankofone, që në vitet e rinisë së hershme, kur si pa e kuptuar nisi të mësonte frëngjishten e mandej të lexonte gjithçka që i binte në dorë nga letërsia franceze e më gjerë. Kongoli e cilësoi një histori më se gjysmë shekullore marrëdhënien e tij me gjuhën dhe qytetërimin francez, kulturën franceze dhe Francën. "Do ta quaja një histori adhurimi të heshtur, në largësi", - tha ndër të tjera shkrimtari. Legjioni i Nderit është dekorata më e lartë që jepet në Francë. 


Fatos Kongoli: Die albanische Braut
Ammann Verlag 1999
ISBN 
3250600199










 
Fatos Kongoli: Hundehaut
Ammann Verlag 2006
ISBN 32504600881
 



Ajo është krijuar nga Napoleon Bonaparti në maj të viti 1802 dhe për herë të parë ajo është dhënë në 15 qershor të 1804-ës. Medalja jepet për trimëri në veprimet ushtarake ose për shërbim ushtarak 20-vjeçar të dalluar, por edhe në rastet e civilëve, kur puna e tyre rrit reputacionin e Francës përmes studimeve, arteve, shkencave, politikës etj. Në medaljen e titullit është koka e Napoleonit, ndërsa nga mbrapa shkruhet motoja "HONNEUR" (nder). Urdhri është dekorimi më i lartë në Francë dhe është i ndarë në pesë shkallë të ndryshme: Chevalier (kalorës), Officier (oficer), Commandeur (komandant), Grand Officier (oficer i madh) dhe Grand'Croix (Kryqi i madh). Me këtë titull nderi është vlerësuar edhe shkrimtari i madh, Ismail Kadare dhe përkthyesi i mirënjohur, Jusuf Vrioni.


Bolero ne vilen e pleqve, Fatos Kongoli
Romani i ri është një përpjekje e mundimshme e autorit për të depërtuar në skutat më të errëta të psikikës njerëzore, një tablo e errët, me ngjyra të rreme të një jete vanitoze dhe të trishtueshme të shoqërisë sonë që sapo është çliruar nga kthetrat e një shoqërie të mbyllur, por që hapjen ndaj botës e përjetoi si shqyerje të portave dhe lirinë si anarki, ku pasiguria e jetës së njeriut, sidomos e femrës, rrezikoi të fusë me përmasa të frikshme gjithë shoqërinë shqiptare në rrugën e deformimeve të ndjeshme të karakterit dhe të vetë qenies.

Dy pleq, në një vilë, dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t'i shtjerë në dorë.
Botën e mbyllur të vilës e trazojnë kohë më kohë doktori i familjes, njeri qejfli, hokatar dhe i paparashikueshëm; djali i pleqve, bos i një firme të fuqishme ndërtimi, me gruan e tij të re e të bukur; vajza e madhe e pleqve, gjyqtare e rreptë; një femër enigmatike, po aq e bukur, veshur gjithmonë me të zeza, etj.
Duke na sjellë me këtë libër prozën e tij më të përkryer, Kongoli, përmes rrëfimit të infermieres, zbulon misteret e saj, dramat e personazheve, me ndërlikimet, dëshirat e fshehura, në një mjedis shpesh të egër, të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtura.
Një qasje ndaj ekzistencës njerëzore, që nuk e kemi hasur më parë në letrat shqipe.


I humburi, Fatos Kongoli

Romani hapet me përshkrimin e ikjes së mijëra shqiptarëve, në mars të vitit 1991, nga Shqipëria. Ikje jo aq nga rreziku i persekutimit policor, ngase regjimi totalitar ishte në shembje e sipër, sa nga vendi ku ishin shtresëzuar pasojat e sundimit të këtij regjimi. Ikje prej gjurmëve dhe shenjave që mund të rikujtonin tmerrin e sundimit totalitar kah një botë imagjinare e bollëkut dhe lumturisë. Në këtë roman janë fare të rralla fjalët që do të sygjeronin drejtpërsëdrejti kontekstin politik apo natyrën e regjimit politik brenda të cilit çojnë jetën personazhet. Autori arrin të vërë në pah, me mjete letrare, atë që shquan botën e personazheve të tij. Njeri nga këto mjete ka të bëjë me figurat e ndryshme të kafshës dhe lidhjet e tyre me trajtat e vdekjes që shpalosen në këtë roman. 







Kush është Fatos Kongoli?



Fatos Kongoli, lindur në Elbasan më 1944, ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 1967. Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Është autor i një vargu librash. Shquhen sidomos romanet e tij, të vlerësuar nga lexuesi shqiptar dhe i huaj. 

Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari, Serbi, Britani e Madhe, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane si Le Monde, Le Figaro, La Stampa, Le Temps, Le Soir, L’Express, Magazine Littéraire, Der Tagesspiegel, The Guardian, The Indipendent, etj. Është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit Velia (2000). Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika”-2002. Është fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për 2006-ën, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.



Flori Bruqi

No comments:

Post a Comment

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...