Intervistoi: Julia Vrapi
Shefkije Islamaj: Kush shkruan për shqipen standarde si për një projekt të dështuar, nuk është serioz
Këshilltarja shkencore në Degën e Gjuhës të Institutit Albanologjik të Prishtinës flet mbi debatin për gjuhën shqipe
“Kontestues të gjuhës standarde ka edhe studiues në Shqipëri, Kosovë e më gjerë, po që nuk shprehen haptas, së paku jo me shkrimet, por që në diskutime formale e joformale të tyre mund të deshifrohen qëndrimet kundër gjuhës standarde”, kështu u shpreh Shefkije Islamaj, këshilltarja shkencore në Degën e Gjuhës të Institutit Albanologjik të Prishtinës flet mbi debatin
për gjuhën shqipe njëkohësisht dhe nënkryetare e Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën ajo tregon se ndër kontestuesit është edhe ndonjë i huaj, gjerman, francez a anglez, që merr guximin të kontestojë standardin e shqipes, dhe sipas gjuhëtares në të vërtetë të bëhet avokat i atyre që nuk ndihen mirë brenda këtij standardi.
-Cilat janë sot problemet e gjuhës shqipe?
Gjuha standarde shqipe është gjuhë e shqipfolësve në një hapësirë mjaft të gjerë gjeografike dhe me kontekste historike e socio- kulturore pak a shumë të veçanta. Për arsyet e mirënjohura të rrugës së zhvillimit të folësve të saj, shqipja standarde, shoqërohet me disa veçanti që shprehen në rrafshin zhvillimor dhe me jo pak probleme në rrafshin e përvetësimit e të zotërimit në hapësirën e funksionimit të saj si gjuhë publike. Mund të thuhet se ajo gjendet dhe do të vazhdojë të gjendet në situatat që janë gjetur dhe gjenden sot edhe gjuhët e tjera standarde me prestigj e mundësi të ngjashme. Shkalla ulët e njohjes dhe e përvetësimit të gjuhës standarde sot është një realitet që shihet qartë, por një realitet jo vetëm i shqiptarëve të arealit të gegërishtes, po edhe i arealit të toskërishtes. Është e ditur se kur gjuha e përbashkët standarde shtrihet në gjithë bashkësinë folëse të saj, sidomos kur folësit e saj jetojnë në kontekste të dalluara shoqërore, problemet në këtë rrafsh rriten. Arsyet e një gjendje të këtillë duhet të drejtohen e të kërkohen në rend të parë në cilësinë e shkollës shqipe, sidomos në Kosovë, duke përfshirë këtu procesin e mësimdhënies, përgatitjen e kuadrove, cilësinë e teksteve mësimore, pastaj në ndikimin e madh degradues gjuhësor të mjeteve informative - shtypi, radio e televizioni, interneti etj. dhe në indiferencën e institucioneve arsimore, kulturore dhe, në përgjithësi, të institucioneve shtetërore. Faktorët që përcaktojnë sot zhvillimin e shqipes standarde dhe, rrjedhimisht, edhe problemet që shfaqen në këtë rrafsh janë: statusi i shqipes në hapësirën shqiptare, brenda dhe, sidomos, jashtë kufijve, në trojet shqiptare e në diasporë; përpjekja për copëzimin e hapësirës gjuhësore a variantizimin e saj; përpjekjet për ndryshimin e standardit; globalizimi; zotërimi i mangët i normës gjuhësore: inferioriteti çdo ditë e më i madh i folësve të shqipes ndaj normës gjuhësore të saj; shkalla e ulët e kulturës gjuhësore; imponimi i gjuhës së mediave dhe i gjuhës bisedore si stile kryesore funksionale, rënia e ndjeshmërisë për gjuhën, e disiplinës dhe përgjegjësisë në institucionet arsimore, institucionet publike dhe në media; vulgarizimi i gjuhës së mediave, teatrove, filmit, letërsisë, si edhe i gjuhës së përditshme; depërtimi madh i fjalëve të huaja, sidomos i anglicizmave në shqipen; mungesa e mbështetjes së duhur, sidomos financiare, shtetërore në gjithë hapësirën shqiptare për hulumtime në këtë fushë, që për pasojë ka sjellë pakësimin e kuadrit dhe rënien e cilësisë së arsimimit; zvogëlimi i kuadrit, mënyra e funksionimit të instituteve, mungesa e një ligji për përdorimin e gjuhës standarde në institucionet publike etj.
-E ndërkohë pse kanë lindur kaq shumë debate mes gjuhëtarëve shqiptarë dhe kosovarë, për shqipen standarde?
Nuk mund të thuhet se debatet për shqipen standarde kanë lindur midis gjuhëtarëve shqiptarë dhe kosovarë. Përkundrazi. Bashkëpunimi dhe bashkëpajtimi për çështjet thelbësore që lidhen me shqipen standarde dhe për probleme të tjera albanologjike është në shkallën e dëshirueshme. Më parë mund të thuhet se këto debate zhvillohen midis atyre që janë për dhe kundër gjuhës standarde dhe ata i gjejmë brenda e jashtë shtetit shqiptar, në Kosovë e në viset e tjera shqiptare. Të parët, ata që janë për ruajtjen e standardit të shqipes, janë në numër shumë të madh në raport me ata që e kundërshtojnë.
Siç dihet tashmë po bëhen gati njëzet vjet që gjuha standarde shqipe i është nënshtruar një të ashtuquajturi “kontestimi” që nga tribuna e Konferencës kushtuar 20 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, për të vazhduar deri sot në mediat e në paraqitjet e individëve të ndryshëm e në raste të ndryshme. Debatet rrokin mënyrën e formimit, vlefshmërinë dhe të ardhmen e këtij standardi. Në këtë kontekst vlen të shtrohen disa pyetje që i konsiderojmë të rëndësishme: kush janë kontestuesit e gjuhës standarde shqipe përgjatë këtyre viteve, ku mbështeten këto kontestime dhe cili është qëllimi i këtyre kontestimeve, cilat janë argumentet që sillen në këto kontestime dhe cila është rrugëzgjidhja që propozohet nga kontestuesit në debatet që nxiten nga këta. Ata që sot shkruajnë për shqipen standarde haptas si për një projekt të dështuar as nuk janë gjuhëtarë seriozë dhe as nuk janë studiues të zhvillimeve historike e të sotme gjuhësore, për më tepër janë të vetëquajtur studiues a gjuhëtarë. Ç’është e vërteta ndër kontestuesit e gjuhës standarde ka edhe studiues në Shqipëri, Kosovë e më gjerë, po që nuk shprehen haptas, së paku jo me shkrimet, por që në diskutime formale e joformale të tyre mund të deshifrohen qëndrimet kundër gjuhës standarde. Ndër kontestuesit, numri më i madh i atyre që sot shkruajnë pa ngurrim kundër gjuhës standarde janë individë me përgatitje minimale gjuhësore e profesionale dhe të tillë janë më të zëshmit. Ndër kontestuesit ka edhe ndonjë i huaj, gjerman, francez a anglez, që merr guximin të kontestojë standardin e shqipes, në të vërtetë të bëhet avokatë i atyre që nuk ndihen mirë brenda këtij standardi. Ky numër është i vogël, po agresivë. Të gjithë kontestuesit kanë argumente pothuajse të njëjta. E ato janë: shqipja standarde është gjuhë politike, sepse është krijuar në kohën e diktaturës; është gjuhë e Enver Hoxhës, sepse është ngritur mbi bazën e toskërishtes; është gjuhë totalitare, sepse është kodifikuar në mënyrë totalitare, nga faktorët politikë dhe me argumente politike; është projekt i dështuar, sepse nuk ka arritur të zotërohet nga dy të tretat e folësve të shqipes; është e papërvetësueshme prej gegëve, sepse toskërishtja e gegërishtja kanë dallime të mëdha në të gjitha rrafshet; është gjuhë në bunker, sepse është e mbyllur dhe mbrojtur me zinxhirë të hekurt nga gegërishtja; është gjuhë e drunjtë, e shtangur dhe e paaftë për të shprehur pasurinë e zhdërvjelltësinë e gjuhës shqipe në përgjithësi; është e paaftë për shkak të varfërisë në format gramatikore, në leksik e në frazeologji, sepse toskërishtja është e varfër e gegërishtja e pasur; është e paaftë të përballet me vlerat letrare të botës; se ka skajuar dhunshëm gegërishten edhe nga letërsia. Më tutje: gjuha standarde nuk është përzgjedhje e kodifikim i elementeve gjuhësore, po përfshirje e këtyre elementeve, tezë kjo e ngritur së fundi në kundërshtim me të gjitha teoritë mbi krijimin e gjuhëve letrare. Qëllimet e motivet e kontestimeve janë më së paku gjuhësore e shkencore. Ato janë të vërtetë politike, krahinoriste, lokaliste e përçarëse. Qëllimi i këtyre ideve e pikëpamjeve është, pos të tjerash, që të rishqyrtohet gjithë historia jonë kulturore, në të vërtetë të “riedukohet” populli shqiptar duke ia harruar traditën ose një pjesë të saj të madhe, duke ia rishkruar e ndryshuar historinë, duke ia krahinorizuar gjuhën, duke ia vulgarizuar jetën dhe duke i rivënë norma të reja “morale”. Çka duhet të bëhet sipas kontestuesve, përkatësisht cilat janë rrugëzgjidhjet? Rrënimi i standardit ekzistues; legjitimimi i dy e më shumë standardeve; rishikimi, rivlerësimi dhe ndryshimi i këtij standardi; mbajtja e një kongresi të ri; shkrirja e gegërishtes në gjuhën standarde; kodifikimi i një norme letrare për gegërishten dhe përfshirja e saj në shkolla si “gjuhë” e barabartë; çbunkerizimi dhe çtotalitarizimi i shqipes standarde; çngurtësimi dhe liberalizimi i normës gjuhësore; krijimi i një standardi të ri për Kosovën, bashkë me krijimin e një identiteti të ri kombëtar. E kështu me radhë. Siç shihet kërkesat që dalin prej debateve kontestuese mund t’i quajmë prej të “buta” deri te ato”forta” a radikale, ndërsa “ndreqja” e gabimeve dhe “shpëtimi” kërkohen në destandardizimin, në variantizimin e gjuhës shqipe ose në liberalizimin e skajshëm të saj. Pothuajse, gjithmonë, argumentet shkencore lihen në heshtje e shtrembërohen ose me to spekulohet në mënyrën më të papranueshme, në të vërtetë ato janë jo vetëm joshkencore, joserioze, por më tepër shqetësuese.
-Si e komentoni refuzimin që disa albanologë kosovarë i kanë bërë konferencës shkencore të 15 dhjetorit, që do të zhvillohet në Tiranë?
Nuk mund të thuhet se debatet për shqipen standarde kanë lindur midis gjuhëtarëve shqiptarë dhe kosovarë. Përkundrazi. Bashkëpunimi dhe bashkëpajtimi për çështjet thelbësore që lidhen me shqipen standarde dhe për probleme të tjera albanologjike është në shkallën e dëshirueshme. Më parë mund të thuhet se këto debate kanë shpërthyer midis një numri të madh të gjuhëtarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë me organizuesit e konferencës shkencore për gjuhën standarde. Pakënaqësia lidhet në rend të parë me mënyrën e organizimit të kësaj konference, me mënyrën si janë ftuar ose nuk janë ftuar pjesëmarrësit, me theks të veçantë për mosthirrjen e figurave kryesore albanologjike të Kosovës, po edhe me synimet e pritjet që dalin në platformën e publikuar. Institucionet dhe gjuhëtarët që kanë kundër kundërshtuar pjesëmarrjen në këtë konferencë mendojnë se kur diskutohet për shqipen standarde, për zhvillimin e pasurimin e saj, për ndryshimet e përmirësimet në drejtshkrimin e saj, sidomos kur synohet “të ndërmerren politika (!) të guximshme gjuhësore”, duhet patjetër të jenë jo pjesëmarrës rasti a diskutues të thjeshtë, po bashkorganizatorë të konferencave të tilla, sepse konsiderojnë se shqipja standarde është pasuri e shqiptarëve kudo janë dhe se kanë të drejtat, përgjegjësitë dhe detyrimet e njëjta në raport me të.

Dr. Shefkije Islamaj lindi më 25.10.1953 në fshatin Likovc të Skënderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje më 1968, ndërsa shkollën Normale në Mitrovicë më 1972.
Më 1977 mbaroi Fakultetin Filozofik - Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë, ndërsa në vitin vijues 1978 u regjistrua në studimet pasuniversitare të këtij fakulteti. Magjistroi me temën “Sinonimet në gjuhën shqipe” më 1982.
Në vitin 1999 mbrojti me sukses edhe tezën e disertacionit “Veçoritë leksiko-semantike dhe stilistike të gjuhës së veprës letrare të Jakov Xoxës” me të cilën mori gradën ‘doktor i shkencave filologjike’.
Dr. Shefkije Islamaj gjatë studimeve ka punuar në arsim, një kohë në shkollën fillore “Liria” në Isniq, pak kohë në Qendrën e Shkollimit të Mesëm “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Ka punuar si ligjëruese e lëndës Kulturë gjuhe në Fakultetin e Arteve Dramatike gjatë viteve 2001-2004.
Fill pas përfundimit të studimeve, në vitin 1977 filloi punën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës, në Sektorin e Leksikografisë, në fillim si asistente, më vonë si hulumtuese e pavarur, bashkëpunëtore shkencore, bashkëpunëtore e lartë shkencore, ndërsa në vitin 2002 është zgjedhur këshilltare shkencore.
Sot punon në Institutin Albanologjik dhe ka titullin këshilltare shkencore. Jeton në Prishtinë.
Adresa elektronike: shefkije_islamaj@hotmail.com
Veprimtaria
Veprimtaria shkencore e Shefkije Islamajt përmban afro 100 studime, artikuj, trajtesa e kritika për çështje të ndryshme të leksikologjisë, të leksikografisë, të stilistikës gjuhësore e të kulturës së gjuhës, të botuara në organet shkencore e profesionale në Kosovë e Shqipëri.
Ka marrë pjesë me kumtesa e me diskutime në më shumë se 30 sesionet e në simpoziumet e ndryshme shkencore me karakter thjesht shkencor të organizuara nga akademitë, institutet shkencore, universitetet në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e në Mal të Zi.
Është redaktore e recensuese e shumë botimeve shkencore të Institutit e jashtë tij. Ka redaktuar një numër veprash shkencore dhe fjalorë të botuar, ndër ta, së fundi, Fjalorin elektronik suedisht-shqip, botim i Entit për Zhvillimin e Arsimit të Suedisë, botuar më 2004. Është recensuese e shumë veprave shkencore dhe mësimore; ka marrë pjesë si anëtare komisionesh në mbrojtje magjistraturash e doktoratash, dhe si mentore. Është anëtare e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën dhe kryetare e Komisionit për Çështje të Leksikut në kuadër të këtij këshilli.
Për dhjetë vjet ka udhëhequr Degën e Gjuhës në Institutin Albanologjik.
Është nënkryetare e Shoqatës së Gjuhës Shqipe, e themeluar në qershor 2002.
Është anëtare e redaksive të revistave shkencore të Institutit Albanologjik - Gjurmime albanologjike, Seria e shkencave filologjike dhe Gjuha shqipe, që nga fillimi i daljes së saj, si dhe e revistës Kulturë gjuhe, botim i ShGjSh-së.
Për vite me radhë ka marrë pjesë me biseda rreth gjuhës në radiot dhe televizionet tona; në tribuna të ndryshme gjuhësore profesionale dhe me studentë; ka marrë pjesë si trajnuese e gjuhës në institucione të ndryshme administrative.
Një ndihmesë të madhe i jep kulturës së gjuhës shqipe dhe problemeve aktuale të saj, si dhe studimeve gjuhësore në përgjithësi me botimet e rregullta në revistat shkencore që dalin në Kosovë e Shqipëri: Gjurmime Albanologjike, Filologji, Studime filologjike, Studime Albanologjike, Dardania sacra, Gjuha shqipe, Gjuha jonë, Kulturë gjuhe etj., si dhe në shtypin e përditshëm.
Ka marrë pjesë në një numër ekspeditash gjuhësore e shkencore, organizuar nga IA (Prishtinë) dhe IGjL (Tiranë).
Botimet - Veprat
1. Çështje të sinonimeve në gjuhën shqipe; Monografi, (recensues akad. Idriz Ajeti, mr. Mehdi Bardhi, dr. Shaqir Berani). Botim i Institutit Albanologjik, Prishtinë, 1985, f. 145;
2. Gjuha dhe stili i Jakov Xoxës; Monografi, (recensues akad. Rexhep Ismajli, akad. Rexhep Qosja). Botim i Institutit Albanologjik, Prishtinë, 2000, f. 420;
3. Kultura gjuhësore dhe përdorimi estetik i gjuhës, (recensues akad. Idriz Ajeti, akad. Rexhep Ismajli). Shtëpia botuese “Toena”, Tiranë, 2002, f. 440;
4. Gjuha, ligjërimi dhe fjala, (recensues prof. Emil Lafe, dr. Ragip Mulaku). Botim i Institutit Albanologjik, Prishtinë, 2004, f. 300;
5. Fjalor i fjalëve të huaja (bashkautore), (recensues akad. Idriz Ajeti, dr. Ruzhdi Ushaku). Botim i Institutit Albanologjik, Prishtinë, 1987.
6. Mos më thuaj se më ke parë ëndërr, roman, Shtëpia botuese “Toena”, Tiranë, f. 299.
Studime, artikuj vështrime dhe recensione
1. Sinonimia - gurrë e pashtershme për pasurimin e gjuhës, “Fjala”, 15.03.1979, Prishtinë.
2. Roli i sinonimeve në pasurimin e gjuhës, “Gjurmime albanologjike”, SShF, XI, 1981, f. 117.
3. Çështje të sinonimisë shqipe, në “Fjala”, gusht, 1986, Prishtinë.
4. Pasqyrimi i sinonimeve në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, në vëll. “Çështje të studimeve albanologjike I, Prishtinë, 1987.
5. Çështje të sinonimisë stilistike në gjuhën shqipe, “Gjurmime albanologjike”, SShF. XIII, 1983, f. 13.
6. Sinonimia frazeologjike në gjuhën shqipe, “Studime filologjike”, 4/1986, Tiranë.
7. Roli i sinonimisë në pasurimin e gjuhës, në vëll. “Studimi mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhë shqipe, III”, Tiranë, 1989, f. 359.
8. Sinonimia në “Valët e detit” të Spiro Dinos, në ciklin “Këngë dashurie”, “Gjurmime albanologjike”, SShF, 18/1988, f. 119.
9. Çifti sinonimik në veprën e Pjetër Budit (bashkautore), “Gjurmime albanologjike”, SShF, XVIII, 1988, f. 119.
10. Roli i shkrimtarit në pasurimin e terminologjisë shqipe, në vëll. "Gjendja e terminologjisë shqipe në Jugosllavi", Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1988, f. 97.
11. Aspekte të stilit të Xoxës, “Rilindja”, 4.08.1979.
12. Aspekte të stilit dhe të gjuhës së Mjedjes, “Bota e re”, 25.V.1983, f. 26.
13. Ngjyrimi emocional i përmbajtjeve leksikore, “Rilindja”, Prishtinë, 30.06.1979.
14. Edhe diçka rreth gjuhës së Buzukut, në përmbledhjen “Meshari” i Gjon Buzukut - monument i kulturës shqiptare”, Ulqin, 1995, f. 220.
15. Çështje gjuhësore e stilistike në “Mrizin e Zanave” të Gjergj Fishtës, në “Gjurmime albanologjike”, SShF, XXVI dhe në “Seminarin për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare”, Tiranë, 1996.
16. Norma, pleonazmi dhe shkurtia gjuhësore, në vëll. “Letërsia shqipe dhe gjuha letrare”, AShAK, Prishtinë, 1998, f. 245.
17. Kultura e shkrimit sot e nesër, në “Gjuha shqipe”, 2/1998.
18. Mjetet shprehëse dhe norma letrare, në “Gjuha shqipe”, 1/1982, f. 18.
19. Ndikimi i mjeteve shprehëse të gjuhës në ngulitjen e normës letrare, në “Zëri i rinisë”, nr. 9, 28.IX.1981.
20. Malli - fjalë çelës në poezinë e Lasgush Poradecit, në “Gjuha shqipe” nr. 2, 1999.
21. Çështje të normës stilistike, në “Gjurmime albanologjike”, SShF, 23, Prishtinë, 1993, f. 163.
22. Kongresi i Manastirit, moment i rëndësishëm i kulturës dhe i historisë shqiptare, “Fjala”, 11, 1978.
23. Mërgimi në jetë dhe në letërsi, në vëll. “Letërsia dhe mërgimi”, bot. i Institutit Albanologjik, 1997, Prishtinë.
24. Gjendje shqetësuese në hapësirën tonë kulturore, në “Alternativa”, nr. 7, 8, Lubjanë, 1990, f. 113.
25. Poezia “Qielli - një model i gjuhës poetike, në rev. “Stil”, SHSHM, Shkup, 1998.
26. Vepër me interes për gjuhësinë shqiptare (R. Ushaku, “Kërkime filologjike”), në “Fjala”, dhjetor, 1985.
27. U ribotua “Fjalori Bashkimit”, “Gjurmime Albanologjike”, SShF, XI. 1979.
28. Botim me vlerë shkencore e praktike (Xh. Lloshi, “Stilistika dhe pragmatika”, në ‘Universi i librit shqiptar’, 2, Tiranë, 2000.
29. Studim me interes shkencor (Z. Gjocaj, “Struktura leksiko - semantike dhe stilistike e frazeologjizmave të shqipes”), “Gj. Shqipe”, 1, 2000.
30. Gjuha shqipe - çështje e rendit kombëtar, në “Rilindja”, korrik, 2000, Prishtinë.
31. Ndihmesë dhe përkrahje për gjuhën letrare shqipe (Xh. Lloshi, “Mbështetje për gjuhën letrare”, Toena I, 1997), “Gjuha shqipe”, 2, 1998.
32. Botim me vlerë të çmueshme - Njohuri për stilistikën e gjuhës shqipe (Xhevat Lloshi), “Gjurmime albanologjike”, SShF, XVIII, Prishtinë, 1988, f. 267.
33. Botim monografik me interes (Meshari i Gjon Buzukut - monument i kulturës shqiptare), “Gjurm. alb.”, SSHF, XXV, f. 171.
34. Sukses i madh në leksikografinë tonë, (“Fjalori shqip-serbokroatisht”) “Rilindja”, 1982, 1, 2 janar.
35. Një kontribut për leksikografinë tonë, “Gjuha shqipe”, 1/1982, f. 35.
36. Një vepër me interes të veçantë e leksikografisë shqiptare, “Gjuha shqipe”, 1/1982, f. 37.
37. Tekst me interes për shkencat e ligjërimit, (Osvald Dykro - Cvetan Todorov, “Fjalor enciklopedik për shkencat e ligjërimit”), “Gjuha shqipe” 1/1986, f. 67.
38. Fjalor enciklopedik me interes shkencor, “Fjala”, 15.12.1985.
39. Studime me rëndësi shkencore, (“Gjurm. alb.”, SSHF, XIV,1984), “Gjuha shqipe” 3/1985, f. 53.
40. Rezultate dhe detyra të reja në fushën e terminologjisë, “Gjuha shqipe” 1/1988, f. 63.
41. Strukturalizmi ndër ne, “Zëri i rinisë”, 28.06.1984.
42. Sesioni shkencor “Letërsia shqipe dhe poetika strukturale” (vështrim), “Gjurmime albanologjike”, SShF, XIV, 1984.
43. U mbajt Konferenca shkencore për 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, “Gjurm.alb.” SShF. VIII, 1978, f. 261.
44. Frazeologjia gjuhësore e Xoxës, rev. “Glosa”, FF i UT, 1/1999, f. 62.
45. Shprehësia leksikore në veprën letrare te Jakov Xoxës, në rev. “Glosa”, FF i UT nr. 2/1999, f. 64.
46. Çështje të frazeologjizmave letrarë në romanet e Jakov Xoxës, “Filologji”, UP. 1999, Prishtinë.
47. Botim me interes shkencor (“Fan S. Noli” - monografi), “Gjuha shqipe”, 1/1985, f. 42.
48. Një tekst me vlerë praktike (“Shenjat e pikësimit”), “Rilindja”, 21.3.1981.
49. Edhe një sukses i leksikografisë tonë (“Fjalori i fjalëve dhe i shprehjeve popullore”), “Rilindja”, 17.07.1982, f. 14.
50. Një ribotim i rëndësishëm (“Fjalor serbokroatisht-shqip”), “Fjala”, 15.11.1986, f. 12; “Gjurm.alb.”, SShF. XVI, 1986, f. 285.
51. Leksiku dialektor dhe sinonimet dialektore në tregimin tonë të sotëm, “Fjala” 1-15 nëntor, Prishtinë, f. 4.
52. Faik Konica dhe gjuha shqipe (në monografinë “Faik Konica, jeta dhe vepra”), Prishtinë, 1996.
53. Kontribut i çmueshëm në fushën e onomastikës (“Gjuha shqipe” 1/1987), “Fjala”, 1 gusht 1987.
54. Sinonimet në veprën e Pjetër Bogdanit, “Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, 1989, Prishtinë.
55. Tribuna me interes shkencor, “Gjurm. alb.”, SShF, XIV, 1989.
56. Strukturalizmi ndër ne, në “Zëri i rinisë”, 28.06.1984.
57. U mbajtën tribunat e para shkencore në organizim të Institutit Albanologjik, “Gjurm. alb.”, nr. 16, 1984; “Gj. Shqipe”, 2, 1984.
58. Sesion shkencor, i mbajtur me temën "Letërsia shqipe dhe poetika strukturale", në “Gjurm. alb.” nr. 14, 1984.
59. Shqipja përballë anglishtes (Ilir Hoti – “Fjalor enciklopedik anglisht-italisht-shqip për bankën, biznesin, bursën ekonominë”, bot. ”Star”, Durrës, 2001), “Koha ditore”, 1.6.2002.
60. Kultura gjuhësore dhe proza jonë e sotme, “Seminari i 20 për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare”, Prishtinë, 2002.
61. Pamja jonë gjuhësore në mjetet e informimit, “Gjuha shqipe”, 1-2001, IA, Prishtinë.
62. Gjuha letrare – shprehje e qytetërimit, “Rilindja”, 30.7.2001.
63. Gjuha letrare – faktor bashkues në shkallë kombëtare, “Gjuha jonë”, 3-4, 2000, Tiranë.
64. Çështjet e gjuhës – çështje të rendit kombëtar, “Zëri”, 13 korrik, 2000.
65. Rezultat i lakmuar në frazeografinë shqipe (J. Thomai – “Fjalor i frazeologjik i gjuhës shqipe”, Tiranë, 1999), “Rilindja”, korrik 2000.
66. Gjuha në mjetet e informimit, “Gjuha shqipe”, 2 – 2001, IA, Prishtinë.
67. Funksioni stilistik i foljes në Lahutën e Malcis të Gjergj Fishtës, “Seminari XXI - Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, 2002, “Gjurm. alb.”, “SF”, 2002.
68. Letërsia dhe shkolla, “Shkëndija”, tetor 2002.
69. Përdorimi i shqipes standarde në mjetet e informimit, Konferenca shkencore ”Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare” , Tiranë, 2004.
70. Gjuha letrare–simbol dhe shprehje e qytetërimit, “Tribuna me studentë”, më 16.12.2002.
71. Etapë e re e përdorimit të shqipes standarde, “Koha ditore”, 5.8.2003.
72. Xoxa, ky mjeshtër i madh i gjuhës, “Koha ditore”, 15.5.2003.
73. Pasuria gjuhësore e Maqedonisë shqiptare, “Fakti”, 25.9.2003.
74. Fjalëformimi në gjuhësinë shqiptare, “Seminari XXII”, 2003.
75. Kultura gjuhësore dhe mjetet e informimit, “Kulturë gjuhe”, 1, 2003.
76. FSHS – pasuri e madhe kombëtare, “Gjuha shqipe”, 1-2, 2002.
77. Letërsia e sotme shqipe – çështje të leximit gjuhësor-stilistik, “Gjurm. Alb.”, “SF”, 2003.
78. Njësimi i alfabetit dhe njësimi i gjuhës, “Zëri ditor”, 22. 11.2003.
79. Ndërtimi i standardeve në dy rrafshe të rëndësisë kombëtare, “Zëri ditor” 20.11.2003.
80. Një raport real ndaj njëmendësisë sonë gjuhësore, “Zëri ditor”, 21.11.2003.
81. 50 vjet studime albanologjike, “Epoka jonë”, 17-18.12.2003.
82. Leksikografia shqiptare në rrethanat e reja, “Zëri ditor”, në shtatë vazhdime, 25 shkurt deri 2 mars 2004.
83. Fjalor që plotëson zbrazëti të ndjeshme, “Koha ditore”, prill, 2004.
84. Trajtimi i fjalëformimit në gjuhësinë shqiptare, “Gjuha shqipe”, 2, 2004.
85. Kujtime historike, politike dhe autobiografike, “Koha ditore”, 10.7.2004.
86. Gjuha shqipe, kompjuteri dhe interneti, Koha ditore, 31.7.2004.
87. Një fjalor i madh i fjalëve të huaja – kërkesë e ngutshme, “Koha ditore”, 21.8.2004.
88. Intelektuali në një kohë tipike komuniste, “Shekulli”, 22.5.2004.
89. Roman i veçantë me gjuhë të veçantë, “Koha ditore”, 29.5.2004.
90. Gjuha standarde, zgjidhje e vetme për shqiptarët, “Shekulli”, 24.8.2004.
91. Për një qëndrim të drejtë ndaj prurjeve të reja në gjuhë, “Zëri”, shtator, 2004.
92. Sqarim i problemeve kryesore teorike e praktike që lidhen me sinoniminë leksikore shqipe, “Zëri”, 12.3.2005.
93. Një fjalor i pasur dialektor (P.H., S.A. “Fjalor i shqipes së Plavës dhe Gucisë”, T. 2004), “Koha ditore”, 25.6.2005.
94. Një vepër e madhe leksikografike (“Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe”), “Shekulli” 4.3.2005.
95. Për një leksikografi bashkëkohore, përmbledhje.
96. FGjSSh- bazë e mirë për një fjalor të derivacionit semantik, “Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, 2005.
97. Drejtshkrimi kompjuterik, megjithatë një arritje e madhe, “Koha ditore”, 16.4.2005.
98. Si paraqitet kultura shqiptare në internet, “Koha ditore”, 9.10.2004.
99. Vepra e Fishtës në shembujt e paktë të modelimit artistik të historisë sonë, “Zëri”, 8.10.2005.
100. Pse dhe si ta lexojmë Fishtën sot, “Shekulli”, 18.10.2005.
101. A i duhet Kosovës një gjuhë e re letrare, “Shekulli”, 4.12. 2005, “Fakti”, 30.11.2005, “Epoka e re”, 30.11.2005.
102. Shqip në Suedi (“Fjalori suedisht-shqip”), 11.11.2004.
103. Lehtësia e padurueshme e reagimit, “Shekulli”, 15.12.2005.
104. Shqipja ne kontekstin e ri socio-gjuhësor, “Dardania sacra”, 2004.
105. Shqipja – gjuhë e vogël apo gjuhë e madhe? “Zëri”, 26.11.2005.
106. Anglishtja dhe shqipja, zgjerim i mjeteve shprehëse të shqipes, “Zëri”, 17.12.2005.
107. Shqipja dhe rilatinizimi i shqipes, “Gjuha shqipe” 1, 2005.
108. Për një korpus letrar dhe për një korpus gjuhësor në internet, “Gjuha shqipe” 3, 2005.
109. Kultura gjuhësore dhe terminologjia islame, “Tryeza shkencore”, AShAK, 16.11.2005
Romani “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr” është romani i parë i gjuhëtares Shefkije Islamaj, e cila në jetën intelektuale shqiptare është bërë e njohur me studimet e saj për çështje leksikologjike e leksikografike, për çështje të gjuhës standarde dhe për çështje të gjuhës e të stilit të disave nga shkrimtarët e mëdhenj të traditës e të letërsisë së sotme shqipe. “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr” në të vërtetë është romani i parë modern mbi pasojat e luftës së fundit në Kosovë, në botën shpirtërore të njerëzve. I treguar përmes përjetimit real, përmes lirizmit të theksuar dhe ironisë së përmbajtur, përmes dokumentarizmit të mbështetur në të dhëna konkrete dhe imagjinare, romani “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr” bëhet vepër fort përshtypjelënëse e një vetëdijeje kritike për mëdyshjet me të cilat na ngarkon koha e pasluftës. Në të, me dashjen a padashjen e autores, i krijohet hapësirë vështrimit humanist për jetën dhe njerëzit, që e pësojnë në jetë - vështrimit humanist aq shumë të skajshëm në kohën tonë.

Shefkije Islamaj. Mos më thuaj se më ke parë ëndërr.
Tiranë: Toena, 2004. 292 f. ISBN 99927-1-928-1
Kopertina: Rrëfimi shkëmbor. Piktor Bahskim Paloja
Prezantuar nga Rusana Hristova-Bejleri
Shefkije Islamaj është shkencëtare karismatike në rrethet intelektuale të Kosovës. Ajo është ndër gjuhëtarët më të respektuar shqiptarë, në shoqëri – tregimtare gojëmbël e humorit popullor gegë, në shtëpi – nënë me katër fëmijë. Në një mjedis social konservativ personaliteti i saj afirmon shkëlqyeshëm modelin e ekuilibruar të emancipimit.
Shefkije Islamaj ka botuar shumë literaturë shkencore, sapo u përurua monografia e saj e radhës “Gjuha, ligjërimi dhe fjala”, por mbase nuk do të shkruante roman, nëse nuk do të përjetonte si forcë madhore gjëmën e madhe të luftës. Romani “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr” u është kushtuar njerëzve tanë më të shtrenjtë, që nuk janë më. Të vdekurit dhe lufta, siç shprehet poetja bullgare Bllaga Dimitrova në vjershën e saj për tragjedinë në Kosovë, i bashkon “Ura e fundit në Ballkan”:
Ranë të gjitha urat. Tym e thërrime.
Ka mbetur vetëm një e vetme e pathyeshme –
ura që çon në botën e përtejme.
(Shqipëroi Agim Vinca)
Gjatë muajve të parë të kthimit në shtëpi vetëvritet pas depresionit të rëndë edhe një vajzë e përdhunuar. Prindërit e sfilitur psherëtijnë se ajo “ia pushoi vetes dhe neve brengat e barrës së saj” (f. 269) Reagimi është i ashpër dhe realist. Vajza është Butja, e bija e shoqes më të ngushtë të mjekes e cila në kohën e paktë midis turneve në maternitet ka vendosur të shkruajë një roman. Në vetën e parë.
Subjekti i romanit ndjek tri vija – jetën e lodhshme të përditshme të pasluftës, monologun introspektiv të protagonistes dhe retrospektivën e rinisë së saj. Doktoresha e maternitetit, e cila përshëndet përditë jetë të reja, ka shumë episode për të treguar dhe ato do të lexohen gjithmonë me interes të sinqertë. Dhimbjet e lindjes harrohen fizikisht, por kanë mbetur si metaforë e vështirësive të çdo fillimi të paharrueshëm. Pas humbjeve të njerëzve të afërm dhe makthit të pasigurisë, lindja është simbol dhe shkas për të kujtuar sagën familjare të mbijetesës në çdo shtëpi kosovare. Nga këndvështrimi i romanit të Shefkije Islamajit ky akt kulmor shërben edhe si pastrim të plagës shoqërore të shfaqur në rininë e thyer të Butes dhe në paradigmën e shtrembër të opinionit publik.
Monologu i brendshëm i protagonistes tregon ëndrrën e saj për të shkruar roman, shpreh nevojën të na dëgjojnë, të dalim për njëfarë kohe në dritën e projektorëve, të lëmë gjurmë shpirtërore: “Jeta është kjo që na ofrohet dhe marrin nga ajo aq sa dimë të ofrojmë ne” (f. 105). Kështu i thotë me ëmbëlsi gjyshja mbesës së vogël, që do të kërkojë diçka përtej “ofertës” së dukshme dhe të kapshme lehtë. Plani retrospektiv i romanit është “spiranca” reale në momentet e vështira. Asocimet pozitive ngjallen jo vetëm nga jeta e shtëpisë së madhe patriarkale, siç e ka parë një vajzë e lumtur, por edhe nga fatkeqësitë e vogla dhe të mëdha të jetës së zakonshme në kohë paqeje. Kurse ëndrrat dhe interpretimi i tyre janë element i dashur si i kulturës popullore dhe i besimeve bashkëkohore, ashtu edhe i teknikave të stilit postmodern.
Të tre planet e subjektit ndiqen me lehtësi dhe u ofrojnë mundësi për vetëidentifikim inteligjent, zhvillues dhe shërues lexuesve të grupeve të ndryshme. Bie në sy se romani “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr” mund të kthehet lehtë në skenar filmik, ku apokaliptika e historisë do të kristalizohej jo me tablo epike, por me anë të jetës individuale, siç shohim në tendencat e kinematografisë më të suksesshme botërore. Statistikat zyrtare thonë se janë me mijëra vajzat dhe gratë shqiptare me fatin e Butes. A duam ta dimë këtë fakt ne, dëshmitarët e jashtëm në Ballkan? Shefkije Islamaj ka gjetur një mënyrë jo imponuese për të na e kujtuar, për të na kuruar pa e ndier, përmes artit, nga sëmundja e indiferencës dhe paragjykimeve ndaj fqinjëve tanë më të afërt, ndaj njeriut që kemi pranë.
| Libri “Gjuha dhe identiteti” përmbledh një numër shkrimesh që kanë në qendër problemin e gjuhës standarde. |
| ||||
No comments:
Post a Comment