Prej disa javësh, forcat speciale amerikane dhe britanike në komandën e CIA-s janë bërë aktive në Libi, në lidhje me dhënien e objektivave bombarduesve, me vendndodhjen e Gaddafi-t dhe mbështetjen e rebelëve, duke i lënë më pas klanet të lira që të shpallin fitoren e tyre. Sipas disa specialistëve nuk është dora e CIA-s ajo që në këtë rast i ka nisur gjërat, si në rastin e Kilit kundër Allendes, apo Vietnamit kundër Diem, apo në Iran kundër Mossadeq. Në rastin e Libisë duket që ishte rebelimi i papritur ai që vuri “dorën” në lëvizje. Megjithatë prej dhjetëvjeçarësh, ky është një “modus operandi” e amerikanëve, shumë më parë se në rastin e luftërave të Bush-it, kur bëhet fjalë për të kryer luftëra dhe për të mohuar ndërkohë praninë zyrtare të shtetit në këto luftëra. Në këtë mënyrë, Amerika edhe merr pjesë në luftë dhe nuk e humbet zyrtarisht luftën në rast se gjërat shkojnë keq dhe në vend të fitores, arrihet disfata. Gjeneralët dhe admiralët e Pentagonit u treguan shumë të qartë dhe Obama e kishte kuptuar refuzimin e tyre për të nisur një tjetër sipërmarrje për “ndryshimin e një regjimi”. Shefi i Pentagonit tha se nuk do të dëshironte ushtarë amerikanë në Libi dhe madje, ai kishte shprehur mëdyshjen edhe në rastin e sulmeve ajrore dhe për këtë, kishte thënë se “nuk bëhet fjalë për një videogame”.
Në këtë rast, mbetej vetëm vënia në jetë e “Planit B”, atij me pasoja më të vogla: vënia në punë e nëndetëseve që shkojnë në brigjet armike si në rastin e Somalisë. Janë nëndetëse nga bordi i të cilave zbarkojnë në tokë njësi të forcave speciale, të rejnxhërsve të ushtrisë, të marinës, Delta Force, zyrtarë që shpesh janë stërvitur për detyra të shërbimeve sekrete dhe të analizës politike. Ata janë në kontrollin e CIA-s, e cila si edhe në rastin e Afganistanit, hyn në rol atëherë kur ushtria amerikane vendos që të mos futet në lojë. Është CIA që ka në kontrollin e saj të gjitha operacionet.
Njësitë që zakonisht përbëhen prej jo më shumë se tre vetash, të cilët janë të stërvitur që të “jetojnë në terren”, të ushqehen, të pinë dhe të veprojnë. Ato mund të quhen edhen “bomba inteligjente”. Për të siguruar precizion më të saktë të objektivave, avionët kanë nevojë për informacione nga terreni, të cilat pilotët nuk mund t’i marrin përveçse nga personat që ndodhen aty. Pra bëhet fjalë për ata që do të vërtetojnë se cilat janë objektivat e vërtetë dhe cilat objektivat civilë që nuk duhet të qëllohen. Sigurisht që në këtë rast, gjithçka është urdhëruar nga kreu i shtetit dhe komandanti i Forcave të Armatosura, Barack Obama, përmes firmës së tij. Në këtë rast nuk duhet miratimi, shpesh shumë i komplikuar dhe i vështirë i Parlamentit si në rastin e luftërave të hapura dhe zyrtare. CIA është një agjenci civile, që varet drejtpërsëdrejti nga Obama. Kjo është diçka që dihet, sikundër dihet edhe debati për furnizimin ose jo të rebelëve me armatime moderne. Është një debat që gjen shumë kundërshtarë në qeveri, si dhe te presidenti i Komisionit të Inteligjencës në Parlament, Mike Rogers, që ka thënë: “Para se të vendosim në duart e rebelëve opozitarë armë të rrezikshme, duhet që të shohim se cilët janë dhe me cilët kemi realisht të bëjmë”. Kjo është detyra më politike dhe më e vështirë. Është shumë e vështirë që të dallosh një rebel, një pjesëtar të fiseve që kërkojnë vetëm pushtet nga njerëz që deklarojnë me të vërtetë se janë pro demokracisë dhe zhvillimeve të mbara në Libi dhe se me rrëzimin e Gaddafi-t kuptojnë ikjen e një diktatori dhe jo zëvendësimin e tij me një tjetër. Në Afganistan ishte shumë më e thjeshtë. Shefat e klaneve dhe zotërit e luftës që kontrollonin dhe kontrollojnë ende luginat, transituan në masë në veri dhe vetëm pas kësaj, nisën lojën e dyfishtë që vazhdon edhe sot pas dhjetë vitesh. Në Vietnam ishte një sipërmarrje e dëshpëruar dhe e dështuar. Ata që kishin për detyrë që të inflirtoheshin ishin zakonisht të parët që tradhtonin dhe situata bëhej shumë e paqartë dhe kaotike.
Në Europë, rrjeti i Maquis në Francë, ai i patriotëve polakë apo ai i italianëve në periudhën e rezistencës, ishin më të besueshëm për njerëzit e OSS. Kjo e fundit ishte pararendësja e CIA-s gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe në Irak, në vitet ‘90-‘91 kur u ndërmorën të njëjtat operacione, që po ndërmerren aktualisht në Libi, për drejtimin e avionëve aleatë, si dhe për t’i dhënë ndihmë në terren pilotëve të goditur, koalicioni e dinte se mund të kishte besimin dhe mbështetjen e popullsisë vendase shiite kundër sunitëve, që mbështeteshin dhe përfaqësoheshin nga Sadam Huseini. Uashingtoni kishte një kuadër shumë të qartë dhe të detajuar në lidhje me situatën në Irak, për marrëdhëniet mes grupeve të ndryshme etnike dhe fetare. Ai kishte besim te bashkëpunimi i gjeneralëve dhe zyrtarëve të tjerë që bënë lojë të dyfishtë, duke i ndihmuar me informacione dhe me mbështetje dhe kjo për vite e vite të tëra.
Ndërsa rasti i Libisë është më tepër rasti i një toke të panjohur, ose i një harte memece, që është shumë e vështirë ta deshifrosh, apo ta shpjegosh në një mënyrë, apo në një tjetër. Sipas gjeneralit Carter Ham që i ka kaluar, apo ka bërë sikur i ka kaluar drejtimin e operacioneve NATO-s, Libia është një libër me faqe të bardha.
Kjo sepse, të paktën sipas shpjegimeve zyrtare të Uashingtonit, kur Gaddafi deklaroi zyrtarisht se kishte hequr dorë nga ideja dhe projekti për të pasur armë bërthamore në këmbim të rehabilitimit të figurës së tij nga ana e Perëndimit, amerikanët dhe europianët e hoqën vëmendjen e tyre nga ky vend që për shumë kohë nuk ka qenë në vëmendjen e Uashingtonit, duke u konsideruar prej tij jo shumë i “rëndësishëm”. Sipas agjencive të shërbimit sekret amerikan, në Libi nuk ekzistonin shumë persona që jepnin informacione në lidhje me atë që ndodhte në vend. Sytë dhe veshët njerëzorë dhe satelitët në terren mund të tregojnë vendndodhjen e armatave, por jo se cilat janë qëllimet dhe planet e gjeneralëve të tyre. Në këto kushte mund të thuhet se pa informacionin e duhur, të paktën nga sa pranohet nga burimet zyrtare, Amerika ka hyrë në këtë përplasje në “errësirë” dhe se sipas saj janë pikërisht kontingjentet e forcave speciale ato që duhet të “bëjnë dritë” në këtë situatë.