Pas vendimit të Gjykatë Kushtetuese, ende është e paqartë se si do të veprohet për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Aleanca Kosova e Re (AKR) kandidat për president të Kosovës do të ketë sërish Behgjet Pacollin, ndërsa nëse ky vendim nuk përmbushet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), AKR-ja do ta shqyrtoj marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Ibrahim Makolli, ushtrues detyre i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, tha për mediet se Behgjet Pacolli është kandidat jo vetëm i koalicionit për Kosovë të Re, por njëkohësisht edhe pjesë e marrëveshjes se koalicionit mes partnerëve qeverisës.
“Z. Pacolli jo vetëm që është i nominuar për president të vendit nga ana e koalicionit për Kosovë të Re, por është i nominuar edhe nga të gjithë partnerët qeverisës, prandaj do të vazhdoj të jetë kandidat për president nga koalicioni qeverisës”, ka deklaruar Makolli.
“Në rast se cila do pikë e kësaj marrëveshje vihet në pikëpyetje, atëherë natyrisht si subjekt politik, pjesë e këtij koalicioni qeverisës, rezervojmë të drejtën për ta rishqyrtuar gjithë marrëveshjen që e kemi arrit”, tha Ibrahim Makolli, ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së.
No comments:
Post a Comment