Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/05

PSE TË MOS JENË, ADEM DEMAÇI, APO HYDAJET HYSENI, KANDIDATË PËR PRESIDENT TË SHTETIT TË KOSOVËS?

Opinion

Shkruan:Fehmi Ramadani

PSE TË MOS JENË, ADEM DEMAÇI, APO HYDAJET HYSENI, KANDIDATË PËR PRESIDENT TË SHTETIT TË KOSOVËS?

“Heronjët janë institucione qëndrese dhe morale, figura gati mitike duke qenë njërëz real, konkret, simbole por edhe një koncentrim i kuptimit të ekzistencës dhe mbijetesës shqiptare.”- Moikom Zeqo



                         ADEM DEMAÇI
Duhet të kuptohet se ngjarja e fundit e mbetjes së Kosovës pa president ka hap opinione dhe dilema nga më të ndryshmet, se kush vërtet duhet të jetë në krye të shtetit më të ri dhe të sapoformuar të botës. Mirëpo, çështja nuk qëndron në atë, se pse kishte mbetur Kosova pa president, por shtrohet pyetja a ka ky vend figura të kompletuara, që kanë performanca shumëdimesionale, tabanë kombëtar, si dhe vërtet a meritojnë dhe i plotësojnë të gjitha kushtet për një pozitë të tillë çfarë është roli i presidentit.

Pa asnjë dyshim, kësaj pyetje deri më tani shumë pak iu është kushtuar nëpër mediumet e ndryshme, por edhe nëpër kuluaret intelektuale e politike në Kosovë. Edhe pse tashme kanë kaluar tri vjet pas pavarësisë së Kosovës dhe instalimit të sistemit demokratik, përfaqësuesit e grupeve të ndryshme politike nuk kanë gjetur guximin, që rolin e presidentit të Kosovës t’ia ofrojnë Adem Demaçit, apo Hydajet Hysenit, dy kolosëve më të mëdhenj të popullit shqiptarë, të cilët një jetë të tërë e shkrinë për lirinë dhe kauzën shqiptare.

Këto dy simbole të mëdha të kombit, jo vetëm që meritojnë, por kanë aftësi dhe kritere të jashtëzakonshme për udhëheqjen e Kosovës drejt rrugëtimit demokratik dhe përparimit të gjithmbarshëm shoqëror. Nevoja për ta është shumë e madhe, sepse vetëm njerëz të formatit të tillë mund ta nxjerrin këtë vend nga ky udhëkryq në të cilin është futur.


          HYDAJET HYSENI
Të përshkrush punën dhe historinë e ketyre dy burrave të kombit për mes një shkrimi nuk është e mjaftueshme, sepse është e pamundur të përfshihet i gjithë opusi i veprimtarisë dhe vlerat e tyre. Kjo nuk mund të bëhet lehtë, sidomos në kohën e tanishme të amullisë politike në Kosovë, ku pseudovlerat kombëtare kanë marrë hov zhvillimi dhe po tentohen të shndrrohen në norma kombëtare e shoqërore. Në këtë kohë është shumë vështirë të fitohen betejat politike, sepse morali politik ka shënuar stadin më të ulët të zhvillimit të saj. Atëherë, sa modest që të jetë ky opinion do të ishte një satisfakcion shumë i vogël në krahasim me sakrificën dhe veprimtarinë e tyre të gjatë atdhetare.

Një maksimë revolucionare thotë: ”Historinë e një kombi e bëjnë luajtë, ndërsa të tjerët zhdjerrin frytet e ti”j. Padyshim, këta dy vigan të lirisë, kjo maksimë i kishte përcjellë gjatë veprimtarisë së tyre, të cilët përveç peripecive jetësore kishin rrezatuar dritë dhe jepnin shpresë se një ditë do të jetësohet lirina e shumëpritur për popullin shqiptarë në ish-Jugosllavi. Por, jo vetëm që ishin inspirues, frymëzues, udhërrëfyes të lirisë, drejtësisë, tolerancës dhe humanizmit shqiptarë, njëherësh ndihmonin edhe në vetëdijesimin e popujve tjerë për çlirim nga diktatura komuniste e atëhershme jugosllave. Ata kishin kontributin e tyre të madh në shkatërrimin e nomenklaturës udhëheqëse komuniste dhe krijesës së ashtuquajtur Jugosllavi, si pasojë të së cilës kishin lindur disa shtete më të vogla dhe padyshim shteti i Kosovës. Me punën e tyre kishin ndikuar që të zhduken shumë nga paragjykimet që kishin të tjerët ndaj shqiptarëve. Ata ishin rrënuesit e disa nga mureve më të errëta të nacionalizmave primitiv, konkretisht të atij serb, i cili ishte shumë agresiv, sidomos ndaj shqiptarëve.

Adem Demaçi dhe Hydajet Hyseni, jo rastësisht konsideroheshin si engjëj mbrojtës të çështjes shqiptare, por edhe të lirisë, drejtësisë dhe humanizmit të popujve tjerë. Për ta, lufta për liri dhe vetëvendosje tregon shkallën më të lartë të ngritjes së vetëdijes së një populli. Andaj, ata ishin bashkudhëheqës të ndërgjegjes së popullit shqiptarë. Derisa, Baca Adem punën rreth ngritjes së vetëdijes së shqiptarëve për liri dhe vetëvendosje e kishte filluar para një gjysmë shekulli, Hydajet Hyseni këtë veprimtari e kishte filluar gjatë periudhës së pranverës së vitit 1981, në kohën kur nacionalizmi dhe shovenizmi serbo-jugosllav kishte marrë turrë ndaj figurave më të ndritura shqiptare dhe ushtronte dhunë të pakuptimtë ndaj tyre.

Të flitet për veprimtarinë e Adem Demaçit dhe Hydajet Hysenit nuk mjaftonë të thuhet se luftonin vetëm për liri, por pikëpamjet e tyre politike tashmë ishin shndërruar në doktrina politike, të cilat shfrytëzoheshin nga popujt e ndryshëm për lirinë e tyre nga sistemet diktatoriale komuniste, si në ish-Jugosllavi, por edhe në shtetet e bllokut socialist.

Mirëpo, dallimi ishte se në këto shtete luftohej kundër diktaturës komuniste dhe bllokut ushtarak Sovjetik, ndërsa Adem Demaçi, Hydajet Hyseni dhe një brezë i tërë patriotësh shqiptarë luftonin për liritë dhe të drejtat e munguara të popullit shqiptarë, i cili padrejtësisht vuante nën thundrën e ish-Jugosllavisë Titiste dhe diktaturës sllavo- komuniste. Kjo ishte një luftë shumë e rëndë, e cila kishte përpirë shumë gjak të bijëve dhe bijave më të mirë të këtij kombi dhe njëherësh kërkonte sakrifica të vazhdueshme. Padyshim, se të kësaj rruge ishin Adem Demaçi, Hydajet Hyseni dhe atdhetarët tjerë, të cilët për asnjë çmim nuk ishin ndalur, trembur, apo kishin shfaqur ndonjë lajthitje.

Adem Demaçi dhe Hydajet Hyseni janë legjenda të gjalla të popullit shqiptarë, sepse nga këta u fryëzuan shumë gjenerata të mëvonshme, të cilët më vonë edhe jetën e tyre e bënë bazament të lirisë së Kosovës. Nga mësimet e tyre atdhedashurie ishin frymëzuar si, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Ismet Jashari-Kumanova, Fehmi Lladrovci, Shkëlzen dhe Luan Haradinaj dhe shumë e shumë heronjë të tjerë, të cilët gjatë luftës së fundit të vitit 1999 ranë në altarin e lirisë duke dhënë shembullin me sublim se për atdheun nuk duhet kursyer as jetën. Derisa, nxënësi i tij, tashmë dëshmorë Fehmi Lladrovci, në një rast pat thënë: “Edhe më i merituari i ka borxh atdheut, më shumë sesa atdheu atij.” Dhe, kjo maksimë kishte shërbyer te shumë heronjë dhe atdhetarë, të cilët iu kishin bashkuar luftës së UÇK-së në vitin 1998-1999 dhe së bashku me forcat e NATO-së, përfundimisht kishin dëbuar armikun nga Kosova. Ky ishte kontribut madhor i heronjëve të Kosovës, por edhe heronjve të gjallë të kombit si, Adem Demaçi dhe Hydajet Hyseni, sepse për këtë kishin punuar shumë.

Megjithatë, nuk mund të mos përmenden edhe peripecitë e shumta, që kishin përjetuar gjatë jetës së tyre. Adem Demaçi në ish-Jugosllavi ishte dënuar tri herë me procese të montuara politike me gjithsej 28 vjet burg dhe të gjitha këto i kishte mbajtura nëpër kazamatet e këtij shteti. Ai ishte korifeu i vuajtjeve dhe përpjekjeve për liri të popullit shqiptarë. Këto vuajtje më shumë e kishin kalitur dhe kurrë nuk devijoi nga visioni dhe vlerat për të cilat ishte përcktuar më parë. Për vlera univerzale dhe humane kishte marrë disa çmime të rëndësishme ndërkombëtare, kurse në vitin 1991 nga Parlamenti Evropian ishte nderuar me çmimin Saharov dhe kjo ishte një meritë e tij për luftën që bënte për të drejtat dhe liritë e njeriut. Lufta e tij e pakompromisë për kauzën kombëtare, sidomos kundërshtimi i tij ndaj Konferencës së Rambujesë tregonte vitalitetin e shpirtit të tij të pathyeshëm karshi çështjes së lirisë dhe të drejtës së vetëvendosjes së popullit shqiptarë në Kosovë dhe Ballkan. Ai dinte mirë të respektonte miqtë, por dinte edhe të dallonte armiqtë, dhe kur ishte nevoja dinte edhe të hidhëronte kundërshtarët që ishin kundër lirisë së popullit shqiptarë.

Pikëpamjet e tij për zgjidhjen drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan ishin të pandryshueshme. Edhe atëherë kur bënte politik, si me rastin e projektit të Ballkanisë, donte të lëvizte diçka, sepse në atë kohë politika e Kosovës ishte në agoni të thellë dhe nuk lëviznin fare nga vendi. Baca Adem, jo më kot nga të huajt konsiderohet Mandela i Kosovës, sepse për kauzën shqiptare kishte shkrirë trupin dhe mendjen e tij. Të huajt do t’ia kishin zili të kenë një njeri të tillë në radhët e popujve të tyre, sepse do të mburreshin shumë për sakrificën, veprimtarinë dhe vlerat e tij.

Tani, kur në Kosovë po eksperimentohet kinse me shkelje,apo mos shkelje të njëfarë Kushtetute Ahtisariane dhe po improvizohet krizë e ashtuquajtur e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, për shkak se dy presidentët e fundit kishin shkelur rregullat e saj dhe ky vend ka mbetur pa të parin e saj. Andaj, do të ishte e udhës që njëri nga këta dy kolosë të shqiptarisë të jenë kandidatë për president të Kosovës, sepse janë më të merituarit, më të mirët, më të kompletuarit dhe përfaqësues më të denjë të popullit shqiptarë.

Adem Demaçi dhe Hydajet Hyseni në politikën e këtij vendi kanë lënë gjurmë të thellë dhe shquhen si figura më unike dhe komplete, të cilët nuk përfaqësojnë grupe të caktura interesi, por në fokus të veprimtarisë së tyre kanë interesin e popullit shqiptarë. Adem Demaçi nuk i takon asnjë grupi politik, ndërsa Hydajet Hyseni, edhe pse i angazhuar në një grupim politik në fokus të veprimit tët tij ka vetëm interesin publik të këtij populli dhe këtij vendi. Profili i tij ka mbështetjen e të gjithë spektrit politik të këtij vendi dhe për këtë arsye mund të luaj rolin e një figure unike dhe të përfaqësojë Kosovën vërtet ashtu siç duhet dhe meriton.

Shumë përfaqësues politik dhe deputet partish, të cilët janë rritur dhe brumosur nga mësimet e tyre, tani sikur sorra ia ka mpirë mend dhe nuk po munden të gjejnë kurajo të mbështesin këto legjenda të gjalla të kombit shqiptar. Nuk mund të kuptohet, se si disa politikanë që ishin nxënës të tyre nuk kanë guximin të ngrenë zërin në forumet e tyre politike, por edhe në Parlament e gjetiu, të ngrenë iniciativën për nominimin e tyre për president të Kosovës, sepse jo vetëm që e kanë borxh, por e kanë edhe detyrim kombëtar e moral, sepse respekti ndaj tyre dhe vlerave të tyre është akti më mirënjohës që mund t’i bëhen këtyre figura të lavdishme të kombit.

Me Adem Demaçin dhe Hydajet Hysenin në krye shtetit të Kosovës do të ngritet krenaria dhe dinjitetit kombëtar, i cili kohën e fundit është rrënuar dukshëm. Ata do të ngrenë moralin politik, si standard demokratik, i cili ka rënë shumë në skenën politike të tanishme të këtij vendi.

Me Adem Demaçin, apo Hydajet Hysenin, kandidatë për president të Kosovës do të përfundojnë përgjithmonë të gjitha projektet eksperimentuese dhe improvizuese ndaj kauzës shqiptare. Me ata dhe do të hapen shtigje të reja të popullit shqiptarë, sepse Kushtetuta e Ahtisarit dhe Shqipëria londineze nuk janë zgjidhja e duhur dhe e drejtë e shqiptarëve.

Adem Demaçi dhe Hydajet Hyseni ende nuk kanë përfunduar misionin e tyre të fundit, e kjo është lufta e tyre për liri të plotë, e drejta për vetëvendosje, integrimi ndër shqiptarë dhe bashkimi i tyre në një shtet të përbashkët. Misioni i tyre do të jetë edhe integrimet rajonale, evro-atlantike e më gjerë dhe përfundimisht me këto dy legjenda shqiptare në krye të politikës së Kosovës, ky vend dhe kjo pjesë e Ballkanit dhe Evropës për mot e jetë do të shndërrohen në një oazë të paqes, lirisë së popujve, stabilitet të përhershëm, zhvillimit dhe perspektivës më të shndritshme, si për popullin shqiptarë, por edhe për popujtë tjerë.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...