Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/05/09

Dokumenti i sigurimit: Të huajt e riatdhesuar i kemi torturuar

“Të dënuarit që po riatdhesojmë janë torturuar pa masë, por nuk kanë pranuar akuzat”. Relacioni i Sigurimit të Shtetit që përmban këtë fakt, është pjesë e procedurës zyrtare për faljen e tre gjermanëve të dënuar në Shqipëri në vitet ‘50.Të detyruar për të raportuar gjithçka për mënyrën e sjelljes me ta, krerët e Policisë Sekrete, siç dëshmohet në dokument, pohojnë ndërkaq torturat e përdorura ndaj tyre. Erna Shubert, Irmgart Tennius dhe Hans Troschel, tre përfituesit e parë të marrëveshjes Hrushov-Adenaur, që parashikonte veç riatdhesimit të robërve edhe lirimin e shtetasve të huaj që nuk rezultonin kriminelë lufte, vuanin dënimin në Shqipëri prej vitesh. Procesi për riatdhesimin e tyre nisi me vizitën e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë Lindore në nëntor të vitit 1953 në Tiranë dhe vijoi me zyrtarizmin e çështjes nga autoritetet përkatëse. Kreu i diplomacisë shqiptare, Behar Shtylla, ishte i pari që vuri në lëvizje mekanizmin për riatdhesimin e tre gjermanëve të dënuar, duke iu drejtuar fillimisht organeve të Policisë Sekrete. Përgjigjja e zyrtarit të lartë të Sigurimit të Shtetit, Rexhep Kolli, që artikulonte profilin biografik të tre shtetasve gjermanëve të burgosur në mesin e viteve ‘50, pasi mori bekimin e Mehmet Shehut, ish-ministër i Brendshëm, iu paraqit Presidiumit të Kuvendit Popullor për të mundësuar faljen për Erna Shubert, Irmgart Tennius dhe Hans Troschel. Dokumenti i sigurimit që i parapriu riatdhesimit të tre shtetasve gjerman, pohon torturat në qelitë e burgut dhe dënimet krejtësisht arbitrare të tyre.


Qeli e burgut te tiranes, ku mbaheshin te huajt e denuar nga gjykatat
 ushtarake shqiptare (viti 1947)

RELACION




Faksimile e dokumentit të Sigurimit për dënimin e të huajve

Tiranë 1 dhjetor 1953

Në vendin tonë ndodhen tre shtetas gjermanë të internuar, dy prej të cilëve ndodhen në kampin nr. 5 dhe njeri në kampin nr.l.

1-Erna Shubert e bija e Vilhelmit dhe e Margaritës, lindur ne Berlin (Gjermani) në 1921 dhe me banim të përhershëm në Berlin, Chartotbenburg Dalmaustrese 23-V-IV (Republika Demokratike Gjermane), ka mbaruar 8 klasë fillore, din me shkrue gjermanisht dhe italisht, ndërsa anglisht dhe shqip, vetëm me folë. Rrjedh nga një shtrese e mesme qytetare me profesion nëpunës stenografe dhe me kombësi dhe shtetësi gjermane. E përmendura qysh në moshën 15 vjeç, ka filluar punë si stenografe në ndërmarrje dhe firma të ndryshme private, ka qenë anëtare e organizatës së “Rinisë Hitleriane”, (BDM) “Bund Dietch Meil”. Më 1942 mobilizohet nga Sindikatat e Berlinit për shfrytëzimin e vajrave dhe të benzinës RANTIVENTAL YLLY GEZOFSHET dhe në qershor të vitit 1944 vjen në Shqipëri në degën e kësaj shoqërie me qendër në Tiranë. Në këtë degë ka punuar 3 muaj dhe në kohën kur gjermanët po largoheshin prej Shqipërie, kjo, me urdhër të gjeneral Fitzum, përfaqësonjës i Hitlerit në Shqipëri, niset për t’u 1arguar, por autokolona ku kjo udhëtonte, u godit nge forcat partizane të Brigadës V. Në shtator 1944 u zu rob, mbas çlirimit u procedua dhe u dënua me 2 vjet burg dhe mbasi mbaroi afatin e dënimit, lirohet nga burgu në shtator të vitit 1946. Më 31 tetor 1946 arrestohet përsëri për arsye se gjatë kohës së qenies së saj e lirë, ka frekuentuar Misionin Amerikan dhe të UNRRA-s, ka mbajtur kontakte me elemente të dyshimtë dhe ka propaganduar kundra pushtetit popullor, ajo u procedua dhe qëndroi e padënuar 26 muaj në burg, deri në janar të vitit 1949, kohë në të cilën për mungese faktesh nuk i kaloi gjyqit, por u internua në kampin e Kamzës, ku ndodhet edhe sot. Në kampin e internimit nuk ka mbajtur qëndrim të mirë mbas kthesës së Partisë, është pyetur nga ana e organeve të Sigurimit, por nuk ka deponuar se ka qenë agjente e zbulimit gjerman. Në fillim të vitit 1952 i kemi propozuar Komisionit të Dëbimeve dhe Konfiskimeve për lirimin dhe riatdhesimin e të sipërmes dhe më datën 19 maj 1952, komisioni vendosi që kjo të riatdhesohej bashkë me Irmgart Tennius dhe Hary Beneli, por në këtë kohë ky i fundit u implikua në një proces si nëntoger i Policisë së Fshehtë gjermane dhe gjatë kohës së zhvillimit të hetimeve nga organet tona, Hary u arratis dhe nga kjo arsye u pengua lirimi dhe riatdhesim i saj.
2- Irmgart Tennius, e bija e Frederikut dhe e Emilies, lindur më 30 janar 1918 në Voltersdorf pranë Lukenvalde, rrjedh prej një shtrese të mesme, ka kryer 6 klasë lice dhe di gjuhët; anglisht frëngjisht dhe me fol italisht, me kombësi dhe shtetësi gjermane, familja e saj banon në Berlin, katundi Melenx1, rrugë Kosën nr.40 (Republike Demokratike Gjermane). E sipërmja ka punuar në Gjermani në firmë private. Në vitin 1942 është mobilizuar nga sindikata për shfrytëzimin e vajgurit në vendet e okupuara dhe në këtë sindikatë ka punuar në Gjermani deri në vi­tin 1944, ku ka bërë pjesë në organizatën e “Rinisë Naziste Gjermane”. Në qershor të vitit 1944 është transferuar në Shqipëri dhe ka punuar në degën e shoqërisë për shfrytëzimin e vajgurit në Kuçovë e Tiranë. Më 3 shtator 1944 është larguar me autokolonë gjermane nga Shqipëria për në rrugën Kukës-Prizren, u kap se bashku me shoqen e saj Erne nga forcat e Brigadës V. Me çlirimin e Shqipërisë, dënohet me 2 vjet burg si bashkëpunëtore me gjermanet dhe në shtator të vitit 1946 u lirua mbasi plotësoi afatin e dënimit. Është riarrestuar, liruar dhe internuar në akuzën e së parës, Erna Shubert, gjithashtu edhe përmbi saj nga internimi, por arratisja e Hary Benal përfundoi në kampin e internimit nr.5.
3-Hans Troschel, i biri Ernestit dhe e E1isa, lindur në Berlin më 1899 (zona Demokratike), i martuar, ka një vajzë, me arsim të lartë, profesor gjimnazi, gjuhë të huaja di të flasë frëngjisht dhe anglisht. Hansi ka ardhur në Shqipëri në mars të vitit 1938 (sipas deponimeve të tij si emigrant), por mundet që të ketë ardhur dhe me që­llim spiunazhi si agjent i zbulimit gjerman, mbasi ardhja e të sipërmit në Shqipëri ka qenë pak kohë përpara se Gjermania hitleriane të lëshohej në luftën e saj imperialiste për skllavërinë e popujve. Nga koha e sipërme dhe deri në ardhjen e okupacionit gjerman në Shqipëri i sipërmi ka punuar pranë Ministrisë së Arsimit si piktor. Mbas kësaj kohe, mobilizohet ushtar nga komanda Gjermane me gradën tetar, ku gjatë kësaj kohe ka punuar në shtypshkronjën Tiranë. Me largimin e forcave gjermane nga Tirana, i sipërmi, nga frika se po arrestohet, qëndron i fshehur deri më 28 nëntor 1944, kohë në të cilën u arrestua dhe në vitin 1945 dënohet nga Gjykata Ushtarake në Tiranë me 20 vjet burg, si bashkëpunëtor me okupatorin gjerman. Është për t’u theksuar se Hansin në hetuesi, para kthesës, është torturuar shumë, por me gjithë këtë, ai nuk ka pranuar asgjë. Ky qëndron në kampin e internimit nr.1, ku punon si pikturist. Qëndrimi i tij është indiferent.



Faksimile e dëshmisë së Edith Ndroqit, në gjyqin e Troshilës

Të huajt e martirizuar si vegla të të huajve
Të gjithë të huajt që i zuri përfundimi i luftës në Shqipëri, u bënë objekt i represionit të sigurimit të shtetit. Pjesa më e madhe e tyre, pas proceseve maratonë, përfunduan në qelitë e burgjeve famëkeqe. Rreth një mijë syresh morën dënime disavjeçare, përpos dhjetëra të tjerëve që u ekzekutuan barbarisht me akuza nga më të rëndomtat. Dokumentet e kohës përmbajnë arsyet e kësaj kryqëzate barbare. Në të gjitha rastet e gati për çdo syresh, penalitetet motivohen me togfjalëshin “vegël e okupatorit të huajt”. “Njerëzit-vegla” me kombësi gjermane, italiane, austriake, hungareze, polake etj, patën fatin e keq pikërisht se i gjeti koha e gabuar në vendin e gabuar. Stigmatizimi kësisoj nga regjimi i Tiranës, parakuptonte ndëshkime të jashtëzakonshme që vazhduan për vite me radhë. E vetmja shpresë që ngrohu paksa të huajt e martirizuar si vegla të të huajve, u bë marrëveshja Hrushov-Adenaur e mesit të viteve ‘50. Po edhe ajo, në kushtet shqiptare, lexohej disi ndryshe nga aleatët e tjerë. Sidoqoftë, nga radhët e të huajve të dënuar në Shqipëri, përfitoi një grup i kufizuar. Nuk kishte si të përfitonte pjesa e të dënuarve me vdekje që u ekzekutuan fill pas çlirimit, të ndëshkuarit për krime lufte, të tjerët e harruar në kampet e internimit në skajet e largëta etj. Gjithsesi, të parët që u riatdhesuan pas duarshtrëngimit të parë të kreut të Kremlinit me kancelarin e Gjermanisë, ishin tre gjermanët e dënuar në vitet ‘40 me 30 vite burg. Bashkë me rikthimin në Berlin të Erna Shubert, Irmgart Tennius dhe Hans Trochel, zbardhën kujtimet nga jetëferri në burgjet e Shqipërisë. Sakaq, persekutorët në Tiranë, konservuan në sirtarët e errët të sigurimit dosjet e tyre me siglën “tepër sekret”. Ajo çka ka mbetur në to është vetëm një pjesë e dramës së tmerrshme…
Austriakia Edith Ndroqi: Hansi nuk është spiun
I gjithë procesi ndaj piktorit gjerman, është mbështetur vetëm mbi dy dëshmi, njëra që e penalizon si spiun të okupatorit dhe tjetra që përjashton veprimtarinë e tij në bashkëpunim të nazistëve. Pavarësisht kësaj, trupi gjykues ka formuluar një verdikt disi ndryshe, duke e kryqëzuar Hans Troschilën si “vegël të okupatorëve të huaj”. Nga aq sa përmban dosja e tij, të bën përshtypje guximi i austriakes Edith Ndroqi, dëshmitares së thirrur me forcë në sallën e gjyqit, e cila hedh poshtë çdo akuzë ndaj piktorit gjerman. Për të, Hans Troschila jo vetëm nuk ka bashkëpunuar me gjermanët, por ka qenë një simpatizantë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, madje ka punuar me shpirt për ta. Dëshmia e saj e zbardhur më poshtë sipas dokumenteve të kohës, konfirmon absurdin e dënimeve arbitrare të gjykatave komuniste. Po çfarë rrëfen Edith Ndroqi…
Dëshmia

Faksimile e dëshmisë së Edith Ndroqit, në gjyqin e Troshilës
U thirr për t’u pyetur si dëshmitare e quajtura Edith Ndroqi, e bija e Fritzit dhe bashkëshortja e Ahmet Ndroqit, vjeç 28, lindur në Austri dhe banuese në Tiranë. Në përgjigje të pyetjeve ajo deklaroi: “Hans Troschelin e kam njoftun përpara se të vinte këtu Italia. Në atë kohë ka ardhur në shtëpinë tonë dhe ka kërkuar burrin tim Ahmet Ndroqi. Në atë periudhë, i përmenduri Hans mirresh me studime të shkencave natyrale. Kishte vajtur për të studiuar në rrethet e Shkodrës, gjithashtu ka shkue edhe në Divjakë, në pyllin e atjeshëm dhe në vende të tjera. Më duket se një vit pas ardhjes së italianëve këtu ka ikur që këtej dhe ka shkuar në Gjermani. Me ardhjen e ushtrisë gjermane në Shqipëri ka ardhur edhe Hans Troscheli dhe ka shkuar për vizitë te burri im, në një kohë që unë nuk isha këtu, por në çifligun e kunatit tim, pranë Shijakut. Gjatë periudhës që kanë qëndruar gjermanët në Shqipëri, ky ka ardhur disa herë në shtëpinë tonë për vizita të thjeshta, herë i veshur me uniformë ushtarake dhe herë civil, por asnjëherë nuk ka kërkuar informata dhe nuk besoj që të ketë qenë spiun. Tre-katër muaj para se të largohej ushtria gjermane nga Shqipëria, Hans Troschil, i veshur civil, ka ardhur në çifligun tonë afër Shijakut ku ishte informuar se ndodhesha edhe unë dhe më ka thënë se dëshironte të qëndronte atje për shkak se Gjermania e kishte humbur luftën dhe atij i pëlqente të rrinte në Shqipëri. Nuk besoj se kishte llafosur me burrin tim para se të vinte në çiflig. Aty ka jetuar bashkë me familjen e kunatit tim dhe me mua dhe qëndronte i fshehur prej ushtarëve gjerman. Mbas ikjes së gjermanëve nga Tirana asht kthyer në Tiranë dhe kishte qëllim të paraqitesh me kërkue punë. Tjetër gjë nuk kam. Këto thënie i vërtetoj edhe me nënshkrimin tim.
Dëshmitarja, Edith Ndroqi

AFRIM IMAJ

Osama Bin Laden në videot e fundit, i thinjur, i kërrusur e i dobësuar




Osama bin Laden nuk ishte njeriu i fortë që të gjithë kishin parasysh kur përmendnin emrin e tij.Gjatë viteve të fundit, në jetesën në vilën e tij në Abutabad ai shfaqet me mjekër dhe flokë të thinjur, me pak kurriz të dalë dhe i dobësuar. Ndërkohë, SHBA ka kërkuar nga Pakistani që ta lejojë të marrë në pyetje tre të vejat e Bin Ladenit, duke e konsideruar informacionin e tyre kyç për të zbuluar çfarë dinin qeveria pakistaneze dhe shërbimet e saj sekrete mbi fshehjen e Bin Ladenit. Pentagoni publikoi videot e gjetura në vilën e kreut të Al Kaedës, ndërkohë që ai ishte ende gjallë, ku shfaqet duke admiruar veten në televizor dhe duke parë se si përshkruhet në edicionet e lajmeve. Në një nga pesë videot e marra nga forcat speciale amerikane rreth një javë më parë, gjatë blicit që vrau Osama bin Ladenin, ai shfaqet duke u përpjekur të sistemohet në shikim dhe qëndrim për të gjetur pozicionin e duhur, kur bën gati mesazhet me urrejtjen ndaj Perëndimit. Ai ka veshur një rrobë ngjyrë floriri në njërën video dhe e ka mjekrën e lyer me bojë për të mos u shfaqur i thinjur në kamera për të mbrojtur imazhin e tij publik. Në një tjetër video, shihet i ulur këmbëkryq në dysheme, duke parë veten në TV me foton e ndëshkuesit të tij, Barak Obama, duke u paraqitur bashkë me imazhe të sulmeve të 11 shtatorit. Ai ka një batanije mbi supe dhe mban një kapelë të zezë të leshtë. Në dhomë është një tryezë e vogël me një kuti të dyshimtë satelite mbi të. Afër një kompjuteri Osama kishte një set me shumë kufje, ai e kalonte para dhe prapa lajmin e regjistruar kur fliste Presidenti amerikan. Ai po planifikonte sulme të tjera kur u vra. Shënimet dhe materiali i gjetur në kompjuterin e tij konfirmojnë se banesa në Abutabad shërbente si një qendër komande dhe kontrolli nga larg për Al Kaedën. Një rrjet korrierësh i shërbenin atij për të dërguar mesazhet, sepse ai nuk kishte telefon dhe as internet për të evituar lokalizimin. Mes imazheve të pamjes së tij të tjetërsuar, aty kishte edhe një mesazh të ri kërcënues, të quajtur “Mesazhi për Popullin Amerikan”, i cili do të shfaqej së shpejti me figurë, edhe pse Bin Laden kishte që në vitin 2007 që nuk jepte mesazhe me video. Nuk dihet pse ky material nuk ishte shfaqur ende, edhe pse ishte i përfunduar. Të gjitha videot e Osama bin Ladenit janë publikuar pa audio, sepse autoritetet amerikane të sigurisë menduan se audioja e tyre mund të provokonte sulme të tjera terroriste. Në një mesazh të ri të regjistruar pak para se të vritej nga aksioni i forcave amerikane, Bin Laden kishte paralajmëruar se nuk do të kishte siguri në Shtetet e Bashkuara, pa pasur siguri në Palestinë. Mesazhi u nxor në rrjet nga një adresë islamike ekstremiste. Mesazhi i drejtohet Barak Obamës, ku Osama e paralajmëronte se “Amerika nuk mund të ëndërrojë të jetojë në siguri, deri kur të jetojë në siguri Palestina, sepse nuk është e drejtë që ju të jetoni në paqe, ndërsa vëllezërit tanë në Gaza jetojnë në pasiguri”. Themeluesi i Al Kaedës shton se “sipas vullnetit të Allahut, sulmet tona do të vazhdojnë deri kur ju të vazhdoni të mbështesni Izraelin”. Mesazhi përkon me atë që përcolli numri dy i Al Kaedës, Ayman al Zauahiri, kur ai pohoi se Osama bin Laden kishte vdekur dhe se Al Kaeda do të hakmerrej dhe nuk do të kishte paqe në SHBA deri sa të kishte në Palestinë.

“Vrite edhe ti”

Krijuesit e lojërave kompjuterike rindërtuan aksionin e forcave speciale amerikane në shtëpinë sekrete të Osama bin Ladenit, vetëm një javë pasi ai u vra. Në një krijim super të shpejtë, ata imituan kompleksin e kreut të Al-Kaedës, ku lojtarët mbërrijnë me helikopterë “Black Hawk”. Episodi 107, “KumaWar” u reklamua më shpejt për të tërhequr vëmendjen. Aty vritet Osama bin Laden. Tashmë gjithkush mund ta vrasë atë virtualisht.

Obama: Osama, bashkëpunëtorë në qeverinë pakistaneze

Barak Obama ka rritur presionin mbi Pakistanin duke kërkuar hetime nga qeveria, nëse njerëzit e saj ishin përfshirë në një rrjet për të mbrojtur Osama bin Ladenin në kompleksin e tij në Abutabad. Komentet e Presidentit amerikan ishin më të drejtpërdrejtat që ka bërë deri tani administrata amerikane mbi mundësinë e bashkëpunimit të autoriteteve pakistaneze me terrorizmin. Ai tha në “CBS”, në emisionin “60 Minuta”, se Bin Laden mund të ketë pasur “ndonjë lloj rrjeti mbështetës” brenda vendit. “Ne nuk e dimë nëse kanë qenë njerëz brenda qeverisë, apo jashtë saj, kjo është diçka që duhet ta hetojmë dhe, ajo që ka më shumë rëndësi, qeveria e Pakistanit duhet ta hetojë”, tha ai.

Shpërthen Facebook, me faqe personale 90% e fëmijëve 10 vjeç



Ju ka ndodhur të çuditeni se dinë të përdorin Facebook-un më mirë se ju?Apo t’i shihni të gozhduar përpara kompjuterit duke “chat”-uar e duke bërë biseda të rriturish? Nëse flasim për adoleshentët, asnjëra nga këto pyetje nuk të ngjall habi, por kur bëhet fjalë për fëmijë 10 vjeç apo më të vegjël, gjërat ndryshojnë disi. Vetë kompania Facebook e ka cilësuar si të ndaluar çdo përpjekje të fëmijëve nën 13 vjeç për të pasur një profil personal. Por, tek ne janë me mijëra që të dhënat i kanë të rreme. Një pjese të tyre ua hapin vetë prindërit faqet në rrjetet sociale. Fillimisht për t’u plotësuar një tekë e, më pas, kur situata u del jashtë kontrollit, janë ata të parët që nisin ankesat. Janë jo pak, por rreth 90% e fëmijëve të moshave nga 10-16 vjeç që janë të regjistruar në një nga rrjetet sociale (Facebook, My space apo Hi5). Të dhënat vijnë nga Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale. Nga studimi i kryer tek kjo grupmoshë, specialistët kanë nxjerrë një sërë të dhënash për kohën që i kushtohet përdorimit të rrjeteve sociale. Rreth 46 % e fëmijëve shikojnë çdo ditë profilin e tyre dhe po kaq i shtojnë materiale të reja. Nuk mungojnë as miqësitë e reja me persona të panjohur. Plot 42% e fëmijëve dhe adoleshentëve pranojnë se kanë gjetur njohje të reja nëpërmjet rrjeteve sociale. Numri i miqve në profil varion për pjesën më të madhe, nga 100-200 persona, përfshirë këtu familjarët. Të pyetur nëse prindërit janë dakord me faktin se ata kanë një profil në rrjetet sociale, 60% i janë përgjigjur me po. Rreth 24% e fëmijëve kanë pranuar se prindërit nuk janë dakord, ndërsa 8% e tyre se nuk e dinë fare mendimin e prindërve për këtë çështje. Nga përgjigjet e fëmijëve rezulton se janë rreth 4% e prindërve që kanë vetë profile në Facebook dhe numri i tyre sa vjen e rritet.
Paketa e këshillave
Komisioneri për mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka nxjerrë së fundmi një paketë këshillash, për të ndihmuar ata që dëshirojnë të hyjnë në një rrjet social në Internet. “Një këshillë e përgjithshme që u jepet prindërve është të bëjnë kujdes dhe të kontrollojnë në mënyrë sistematike lundrimin e fëmijëve në faqet e rrjeteve sociale”, thuhet në paketën e këshillave të Komisionarit. Sipas ekspertëve të tij, rrjetet sociale janë një mundësi e mirë komunikimi e fëmijëve me shokët apo mësuesit, por mund të përbëjnë dhe një rrezik për jetën e tyre. “Vetë kompania Facebook në ‘Politikën e Privatësisë’ parashikon ndalimin e çdo përpjekjeje të fëmijëve nën moshën 13 vjeç për të krijuar një profil në faqen e saj. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale inkurajon prindërit që të edukojnë fëmijët e tyre në lidhje me praktikat e sigurta për përdorimin e internetit”, thuhet në paketën e këshillave.
60 per qind
e fëmijëve i janë përgjigjur me po pyetjes nëse prindërit janë dakord me profilet e tyre në Facebook. Rreth 24% e fëmijëve kanë pranuar se prindërit nuk janë dakord, ndërsa 8% e tyre se nuk e dinë fare mendimin e prindërve për këtë çështje.
46 per qind 
e fëmijëve shikojnë çdo ditë profilin e tyre dhe po kaq i shtojnë materiale të reja. Nuk mungojnë as miqësitë e reja me persona të panjohur. Plot 42% e fëmijëve dhe adoleshentëve pranojnë se kanë gjetur njohje të reja nëpërmjet rrjeteve sociale.
Rezultatet e studimit për përdorimin e rrjeteve sociale për moshat nga 10-16 vjeç
1. A jeni regjistruar në rrjetet sociale (si psh. Facebook, MySpace, Hi5)?
A    Po                    90 %
B    Jo                    10 %
2.  Nëse po, sa herë e shikoni faqen tuaj? 
A    Çdo ditë                46 %
B        Një apo dy herë në javë        29 %
C        Një herë në muaj            0 %
D        Rrallë                     17 %
F         Nuk e di                2 %
3. Sa herë e përditësoni faqen tuaj në rrjetin social? 
A    Çdo ditë                44 %
B     Një apo dy herë në javë        31 %
C    Një herë në muaj            2 %
D    Rrallë                     16 %
F    Nuk e di                7 %
4. Afërsisht sa miq keni në rrjetin tuaj social? 
A    0-50                    16 %
B    50-100                29 %
C    100-200                35 %
D    Mbi 200                18 %
F    Nuk e di                2 %
5. A i njihni të gjithë miqtë tuaj? 
A    Po                    56 %
B    Disa                    7 %
C    Pjesën më të madhe        37 %
D    Nuk e di                0 %
6. A keni takuar ndonjë nga miqtë e rrjetit social të cilin nuk e njihnit më parë?
A    Po                    42 %
B    Jo                    49 %
C    Nuk e di                2 %
D    Preferoj të mos e them        7 %
7. Po prindërit tuaj janë rregjistruar në një rrjet social? 
A    Po                    4%
B    Jo                    96%
C    Nuk e di                0%
8. A janë dakord prindërit tuaj që ju të keni një profil në një rrjet social?
A    Po                    60%
B    Jo                    24%
C    Janë indiferentë            0%
D    Nuk janë shumë dakord        8%
F    Nuk e di                8%
Fjalëkalimet
Në paketën e këshillave Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale u kërkon qytetarëve të kenë kujdes me fjalëkalimet e adresave. “Mbani fjalëkalime të fshehtë dhe ndryshojeni shpesh. Mos përdorni të njëjtin fjalëkalim për të gjitha adresat e e-maileve që mund të keni. Mos zgjidhni fjalëkalim të thjeshtë, emrat e personave tuaj të afërt, datëlindjen etj.”, sqarojnë ekspertët. Sipas tyre, duhet të zgjidhet një fjalëkalim me shumë karaktere, shkronja e numra.
Sensibilizimi
Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka nisur një sërë aktivitetesh sensibilizuese në shkollat 9-vjeçare. Ato kanë për synim ndërgjegjësimin e kësaj grupmoshe në lidhje me rreziqet e shkeljes së privatësisë. Meqenëse një pjesë e mirë e nxënësve të këtyre moshave janë përdorues të rregullt të rrjeteve sociale, për pasojë edhe mundësia e përhapjes pa kriter të të dhënave personale është e lartë.
Kujdes: I “klonuari” mund të jesh ti
Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale u bën apel të gjithë personave që përdorin rrjetet sociale që të kenë kujdes nga profilet false. Mjafton një foto, emri dhe disa informacione për jetën e një personi për të poseduar online identitetin e tij. Nga ana tjetër, jo gjithmonë flitet, “chat”-ohet dhe ndahet  informacion me ata që mendohet. Ai që mund të shfaqet si fëmijë, mund të jetë një i rritur dhe e kundërta. Gjithmonë e më shumë krijohen identitete false “Mjafton fotoja jote dhe disa informacione mbi jetën tënde dhe i “klonuari” i ardhshëm mund të jesh ti”, thuhet në paketën e këshillave të KPMD.  Rrjetet sociale sipas Komisionerit nuk janë asnjëherë të sigurta. “Mos regjistroni të dhënat tuaja atje, ekziston gjithmonë rreziku që dikush t’i kopjojë dhe më pas t’i përdorë për qëllime jo të mira. Për më tepër këto site i kanë qendrat e kontrollit në Amerikë dhe nuk kanë përfaqësues në vendin tonë, kështu që autoriteti ynë nuk mund të ndërhyjë për abuzimin me të dhënat tuaja nëpërmjet këtyre siteve”, sqaron Komisioneri. Kjo do të thotë që ju duhet të jeni të kujdesshëm për atë që zbulojnë rreth jush përdoruesit e tjerë.

ZIRINA LLAMBRO

Aktiviteti fizik nga nxënësit e shkollave, ndër më të ulëtit në Europë



Ato orët e fizkulturës edhe jashtë mësimit, apo ndeshjet ku konkurrohej mes shkollave janë harruar. Nxënësit e shkollave 9-vjeçare kryejnë pak aktivitet fizik .Vetëm 21% e nxënësve të moshave 13-15 vjeç bëjnë më shumë se një orë aktivitet fizik të moderuar ose të sforcuar çdo ditë të javës. Rreth 3% e tyre nuk kryejnë aktivitete fizike. Të dhënat vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik në studimin e kryer së fundmi për sjelljet e shëndetshme në fëmijët e moshës shkollore. “Duhet të pranojmë se këto shifra nuk janë fort të kënaqshme, po të kemi parasysh se në shtetet e tjera europiane shifrat lëvizin nga 15% që është më e ulëta dhe që i korrespondon Zvicrës deri në 46%, që është shifra më e lartë dhe që i korrespondon Sllovakisë”, konstatojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre, duhet të pranojmë se shoqëria shqiptare në përgjithësi ka një prirje të uljes së numrit të individëve fizikisht aktivë, gjë që përbën një problem në rritje për shëndetin publik, ashtu sikurse përbën edhe një shqetësim të vazhdueshëm për të gjitha strukturat shtetërore. “Në këtë drejtim ndikojnë faktorë objektivë dhe faktorë subjektivë. Ndër faktorët objektivë mund të përmendim sidomos mungesën e terreneve sportive nëpër qendrat e banuara. Eshtë një fakt tashmë se në qendrat ekzistuese të banimit terrenet sportive që kanë qenë janë “pushtuar” nga ndërtimet shumëkatëshe dhe nuk ekzistojnë më si të tilla, duke i privuar fëmijët nga mundësia për të luajtur në ambiente të lira”, thuhet në studimin e specialistëve të ISHP. Sipas tyre, nuk mund të mohohet edhe një e vërtetë tjetër “e hidhur”, që edhe në qendrat e reja të banuara që janë ngritur, pothuaj në të gjitha qytetet e mëdha, është menduar vetëm për banesat por jo edhe ambientet shoqërore, përfshi këtu edhe terrenet sportive.” Në këtë mënyrë, neve na mungojnë terrenet sportive, si në blloqet e vjetra të banimit, ashtu edhe në ato të reja. Në këto kushte fëmijët duhet të lëvizin në distanca shpesh të konsiderueshme nga banesat e tyre deri tek terrenet e përqendruara sportive; por edhe në këto terrene, në raste të caktuara ata duhet të paguajnë, për t’i shfrytëzuar”, vërejnë specialistët.

Prindërit ngarkojnë fëmijët

Sipas ISHP, ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në uljen e numrit të fëmijëve që kryejnë aktivitete fizike gjatë javës. “Ndër faktorët subjektivë mund të përmendim ngarkesën e madhe të fëmijëve me mësime dhe me kurse të tjera, gjë që nuk i krijon hapësira të kohës së lirë fëmijëve për të luajtur lojëra të ndryshme”, thuhet në studim.

Ish-kryebashkiaku Zilja: Piramidat e grekët dogjën Vlorën




• Gëzim Zilja

Më 27, 28 dhe 29 janar “Gazeta Shqiptare”, nën titullin “Libër i Ndaluar” botoi pjesë nga libri i autorëve James Pettifer dhe Miranda Vikckers, autorë të dy librave për Shqipërinë dhe Kosovën. Të dy autorët e mësipërm kanë botuar në vitin 1997, librin me titull “Albania- from anarchy to a Balkan Identity”. Libri u botua në shqip në vitin 1998 nga shtëpia botuese “Toena” me përkthimin shumë të mirë nga Xhevat Lloshi. Libri, të cilit atëherë ju bë një publicitet jo i pakët megjithë pasaktësitë dhe interpretimet jo korrekte në disa raste, u shit shpejt. Autorët rreken të shpjegojnë gjithë proceset politike dhe shoqërore në Shqipëri nga vitet ‘90 deri në zgjedhjet e majit ’96. Në dhjetë faqet e fundit të librit voluminoz, me titullin “Në vend të pasthënies” autorët merren me ngjarjet e vitit ’97, duke i parë nën këndvështrimin e tyre. Me sa duket libri i ri “The Albanian questions reshaping the Balkan”, është vazhdim i faqeve të librit të botuar në vitin ’97.
Në faqet e gazetës thuhet se libri do të botohet pas 18 shkurtit, që të mos ndikojë në zgjedhjet elektorale, sipas porosisë së autorëve. Nga sa lexova në tre numrat e gazetës nuk pashë materiale sekrete të shërbimeve të huaja, aq më shumë fakte e dokumenta të reja. Materialet janë marrë nga shtypi i kohës dhe nga pandehma ose supozime të vetë autorëve, ku konstatohen pa vështirësi edhe të pavërteta dhe interpretime të gabuara. Sidoqoftë, botimi i librit në gazetë është një publicitet jo i keq për autorët. Nuk do shumë mendje gjithashtu të kuptohet se libri i ka shërbyer tashmë fushatës elektorale pavarësisht se libri do të botohet shqip pas 18 shkurtit.
Në vitin ’97, në pjesën më të madhe të ngjarjeve në Vlorë, por edhe më gjerë, kam qenë dëshmitar okular. Në detyrat që kam kryer atë kohë si Kryetar Bashkie dhe deputet, më është dashur të takojë shumë njeërz nga presidenti Berisha, kryeministri Meksi, Kryeparlamentari, i ndjeri Pjetër Arbnori, antarë të “Forumit për Demokraci”, të Komiteteve të Shpëtimit Publik, të opozitës së atëhershme, gazetarë vendas e të huaj dhe gjithfarë kusarësh e kriminelësh të lloit Zan Caushi & co. Duke e quajtur detyrë qytetare kam shkruajtur dy libra për ato ngjarje, që janë pritur me interes nga lexuesit shqiptar brenda dhe jashtë kufijve. Kam parë me sytë e mi se ç’ndodh kur shteti merr rrokullimën, kur pozita nuk është e aftë të drejtojë dhe opozita do me çdo çmim pushtetin, kur politikanët hedhin pushkën majëkrahu, për të “çliruar” Shqipërinë, kur krimi merr rrugët dhe kriminelët e bandave mund të të vrasin thjesht se nuk ju pëlqen fytyra jote. Kam ndjekur me vëmendje shtypin e kohës, të vendit dhe të huaj dhe kam parë të shkruhet e vërteta, ashtu si dhe jo e vërteta. Duke patur si qëllim të shkruhet e vërteta, po jap disa mendime rreth asaj, që është botuar në faqet e gazetës në pritje të botimit të librit.

Kryengritja e Jugut, me partizanë antifashistë, kundër Veriut e Berishës

Nga ajo që lexon në tre numrat e gazetës, të krijohet përshtypja se në vitin 1997 populli shqiptar i Jugut, i organizuar në formacione luftarake model të Luftës së Dytë Botërore, u ngrit në një kryengritje të armatosur kundër regjimit diktatorial të Berishës. Ky është dhe konkluzioni përfundimtar. Në gazetën e datës 29 janar autorët shprehen: “… Gjithsesi rënia e shtetit nuk erdhi si pasojë e mafias apo krizës së piramidave. Ndryshimi mes atyre që mund ishin trazira në disa qytete dhe një kryengritjeje të madhe, që çoi në rrëzimin e qeverisë u shkaktua nga fakti se jugorët që e urrenin qeverinë, ishin të aftë të ndërtonin një model kryengritjeje partizan edhe respektoi figurat e liderve me një edukatë të stërvitur ushtarake partizane dhe me aftësi themelore ushtarake në të gjithë popullatën e rritur. Kjo u shoqërua me efektin çlirues të rrimarjes së të drejtës të armëve, në një kulturë shqiptare ku mbajta e armëve kishte qenë me rëndësi historike…”. Duke shpresuar në një përkthim serioz të citimit të mësipërm, ngelet që autorët e librit të shpallin heronjë të Shqipërisë ata që organizuan kryengritjen e armatosur të Jugut, kundër Veriut dhe të bëjnë propozime për dekorimin e tyre. Është me të vërtetë për të ardhur keq që autorë të tillë me emër, të bëjnë interpretime utopike, jo të vërteta. Le të shpresojmë që nuk janë të qëllimshme dhe të vazhdojmë në fletët e përkthyera të gazetës. Në ’97 shteti ra, u gjunjëzua dhe u bë inegzistent në disa zona të Shqipërisë së Jugut, por kjo jo rezultat i një lufte partizane, apo i luftës së Veriut me Jugun. Të tjerë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm ndikuan, që ndodhën ngjarjet e vitit ‘97 me pasojat që dihen tashmë.

Jo vetëm një njeri, as veriorët

Nuk mendoj se është një pakujdesi, apo padituri e autorëve, trajtimi i revoltave të vitit ’97 si një luftë e Veriut kundër Jugut, ku Veriu personifikohet në figurën “diktatoriale” të Berishës dhe Jugu në antifashistët dhe luftëtarët e luftës së dytë botërore.
Ngjarjet e vitit ’97, janë shumë komplekse, duke përfshirë edhe figurën tepër autoritare të presidentit të atëhershëm, dhe disa veprime të pajustifikuara të qeverisë. Ishin një sërë faktorësh të brendshëm e të jashtëm, që çuan në shpërbërjen e shtetit dhe armatosjen e popullsisë. Por në gjithë ato ngjarje të shikosh fajtor një njeri të vetëm, “Nacionalistin agresiv, diktatorin Sali Berisha dhe veriorët e tij” nuk është as reale dhe as objektive.
Si një organizim i ri ekonomik dhe politik, qeveria demokratike e ndërtuar rishtas pas një diktature 45 vjeçare, do të paraqiste mjaft dobësi, jo vetëm se drejtuesit e saj vinin gati të gjithë nga shkollat komuniste, por edhe sepse nuk ishte e lehtë të ndryshoje sjelljet e njerëzve, karshi shtetit të ri kapitalist që po ndërtohej. Korrupsioni, padituria, autoritarizmi i lidershipit, varfëria proverbiale materiale e shpirtërore, mungesa e plotë e eksperiencës në ekonominë e tregut etj, do të bënte që ecja e Shqipërisë në rrugën e demokracisë të ishte plot zig-zake dhe gabime, ndonjëherë foshnjarake, por me kosto shumë të lartë.
Një nga këto gabime të paqëllimshme, që unë mendoj se ndodhën nga padituria dhe indiferentizmi i qeveritarëve, por të pafalshme e me kosto shumë të lartë, ishte lejimi i firmave piramidale në Shqipëri, mosmarrja e masave në kohën e duhur nga qeveria për të parandaluar të keqen, megjithë paralajmërimin shumë të vonuar të FMN-së në tetor ’96, si dhe të Ministrit të Financave të asaj kohe Ritvan Bode. Falimentimi i “Sudes” dhe mbyllja e “Gjallicës” tronditi besimin e huadhënësve. Të mësuar për 40 vjet me rradhë, që çdo problem edhe atë më të imtin, tua zgjidhte “Partia”, pa u menduar aspak se ato ishin mardhënie midis personash e firmash private, huadhënësit ju vërsulën shtetit, duke e bërë atë përgjegjës për gjithçka. Duke parë ngathtësinë dhe paaftësinë e qeverisë në zgjidhjen e problemit, njerëzit dolën në rrugë fillimisht në Vlorë, Lushnje dhe Tiranë. Qeveria përdori kërbaçin e policisë, që nuk mund të godiste për njëmijë arsye turmat, të cilat kërkonin paratë, madje megjithë përqindjet. Më 28 janar 1997 futet në lojë “Forumi për Demokraci” një përzierje partish dhe të pavarurish dhe disa ditë më vonë opozita e majtë. Nga fillimshkurti ’97, deri në 29 qershor ’97, ditë kur fitoi opozita, nuk u zunë më në gojë paratë, por rrëzimi i Berishës dhe marrja e pushtetit nga të majtët me çdo kusht. Këtë fakt e vënë në dukje edhe autorët e librit kur thonë “…Menjëherë PS tentoi të merrte në dorë situatën dhe bëri thirrje për protesta kombëtare…”. Dhe më tej:”…Lëvizja që sinjalizoi një shenjë ogurzezë për qeverinë, ishte kur mbështetësit e qeverisë në Jug të vendit, filluan të bashkoheshin me demonstruesit në rrugë…”. Nuk pati bashkime të tilla veç në raste shumë sporadike. Sapo protestat filluan të bëheshin të organizuara nga opozita, antarët e PD-së shikoheshin si armiq dhe rëndom rriheshin, linçoheshin dhe jo rrallë asgjësoheshin, si kundërshtarë politikë, vlerësim tipik enverist për armikun e klasës. Përmendja më tepricë në libër me qindra herë e fjalëve “Berisha” e “Veriorë” me vend e pavend, nuk e fsheh dot të vërtetën. Kryeministri i asaj kohe Aleksandër Meksi e akuzoi opozitën, se ajo po manipulonte turmën, për të ardhur në pushtet me dhunë.
Presidenti, Qeveria e Meksit, Parlamenti, gjithë institucionet e varura dhe të pavarura, duke i dhënë pa mëdyshje dhe “pjesën e majme” të saj opozitës së atëhershme, ka secili pjesën e vet në veprimet ose mosveprimet që sollën ditët e turpit të vitit ’97. Teprimet në këtë libër nuk mendoj se janë bërë nga padituria apo mungesa e fakteve.
Pushtet e punëtorëve dhe fshatarëve apo Komitetet e Shpëtimit Publik
Në libër thuhet “…Në jug linjat e PS-së së vjetër dhe Sigurimit e përhapën pushtetin në rradhët e punëtorëve dhe fshatarëve në lokalitete të reja, disa të organizuara nën kontrollin e komiteteve popullore… Këto komitete në përgjithësi bazoheshin në organizimet e PS-ve vendore të cilat i panë ato si e vetmja mënyrë për të shpëtuar demokracinë shqiptare…”.
Se çfarë janë pushtetet e punëtorëve dhe fshatarëve apo sovjetët, shqiptarët e dinë mirë, por pse mallëngjehen kaq shumë autorët nga një dukuri e tillë, tre vjet para se të hynte shekulli i 21!? Nuk mund të shpëtohej demokracia sado e brishtë apo e ndërtuar keq, nga ish-komunistët dhe ish-Sigurimisat e Shtetit diktatorial të Hoxhës. Me të vërtetë çuditesh. Komunistët dhe gjeneralët e Enver Hoxhës nga Gozhita, Qilimi e deri te Aleks Andoni, organizuan rebelimin në Jug, por ata nuk e patën problem të ngrenë flamurin grek në Himarë, Delvinë e Sarandë. Marrja e pushtetit me dhunë, në çdo demokraci është e dënueshme me ligj. Populli humbi paratë, bashkë me të edhe toruan, por të tjerë ustallarë e armatosën, të brendshmit, pra opozita, për të marrë pushtetin dhe të jashtmit për të prurë një qeveri protyre. Sulmi i armatosur i komandove greke në postën ushtarake të Peshkëpisë dhe arrestimi i disa pjestarëve të Omonias, që mbanin armë dhe kryenin veprime në kundërshtim me ligjet shqiptare, i kishte ftohur mardhëniet e qeverisë shqiptare me atë greke. Por kjo do të thoshte më pak eksporte, më pak investime greke, më pak ekspasion dhe si rjedhim më pak para të firuara nga tregu u lirë dhe i pakontrolluar shqiptar. Për këtë Greqia ishte e interesuar që “Komitetet fshatare e puntore” të binin një qeveri progreke. Nuk ka ndodhur në historitë moderne dhe post-moderne që revolucionet fshatare dhe puntore të bien demokracinë. Ato si rregull e çojnë demokracinë shumë prapa dhe instalojnë pushtete të korruptuara e të dhunshme.
Për këta njerëz që do të vendosnin pushtetin demokratik të puntorëve dhe fshatarëve thuhet: “…Figurat eksmilitare që ishin spastruar nga ushtria gjatë qeverisjes së Berishës ishin shpesh të dukshme si i ashtuquajturi gjeneral Gozhita në Gjirokastër. Këta njerëz kishin lidhje direkte me traditën e ushtrisë partizane që datonte nga lufat e dytë botërore….
Rebelimi po përhapej dhe në pjesët e tjera të Jugut ashtu si kishin bërë forcat antifashiste pas vitit 1943 dhe nëse nuk ndalonte kërcënonte seriozisht Tiranën…”
Se ç’lidhje kishin traditat e lufës partizane me udhëheqsit e KSHP-ve nga Skënder Sera, tek Gozhita e deri tek Zan Caushi, këtë mund ta shpjegojë vetëm Miranda Vikersi me Xheims Petiferin. Por Tirana nuk ishte e pushtuar as nga fashistët italianë e as nga nazistët gjermanë, që do të çlirohej nga luftëtarët partizanë jugorë. Në Tiranë vazhdonte të qeveriste ndoshta edhe keq, një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike.
Por në librin e botuar në vitin ’98: “Shqipëria nga anarkia në identitetin ballkanik” ata shprehen krejt ndryshe. Atje thonë: “…Forcat speciale u çarmatosën, u shpërndanë armët e marra nga kazermat e policisë dhe nisi kështu të krijohej një ushtri popullore sipas modelit klasik marksist… “ (Shqipëria, nga anarkia në identitet ballkanik, faqe 311). Lufta e dytë botërore u zhvillua kundër nazizmit dhe nuk ishte aspak një luftë e tipit m-l, që zhvillohet nga proletariati për të përmbysur borgjezinë. Ose njera ose tjetra. Autorët nuk duhet të harrojnë se çfarë kanë shkruar për këto ngjarje në librin e parë të tyre shtatë vjet më parë.
Në vitin ’97 nuk flitej për luftë civile dhe shqiptarët të djathtë apo të majtë nuk mund të binin në një situatë të tillë, megjithëse ajo u nxit dhe u kërkua nga qarqe të caktuara antishqiptare brenda dhe jashtë vendit. Edhe politikanë të majtë, që i përkrahën protestat, madje edhe armatosjen dhe krijimin e KSHP-ve, në shumicë, ishin kundër vëllavrasjes dhe luftës civile. Nëqoftëse kishte koka të nxehta në Shqipëri, që ndoshta e kërkonin një përplasje të armatosur midis forcave qeveritare dhe atyre opozitare, populli nuk ra në atë kurth dhe marrëveshja e 9 Marsit 1997, që autorët e librit çuditërisht nuk e përmendin fare, tregoi se shqiptarët ishin në gjendje të zgjidhnin problemet e tyre me bisedime në tavolinë e jo me luftë vëllavrasëse.

Marrje pushteti me dhunë apo shpëtimi i demokracisë

Në libër shpjegohen shkaqet e lindjes së Komiteteve të Shpëtimit Publik dhe detyrat që ata morën përsipër. Autorët shprehen: “...Këto komitete në përgjithësi bazoheshin në organizimet e PS-ve vendore, të cilat i panë ato si e vetmja mënyrë për të shpëtuar demokracinë shqiptare kundër rregullave militare apo vendosjen e diktaturës…”
Shumë qartë shprehet në këto rreshta detyra e KSHP-ve dhe drejtimi i tyre nga antarët e PS-ve vendore. Por pak më poshtë po aty, autorët shprehen : “…Sekuencat ekzakte të 2-3 marsit, ishin më pak të rëndësishme sesa fakti që të dy palët filluan luftën për pushtet mbi themelet militare. ..” Ose njera ose tjetra. Ose lufta me mjete lufte, topa, mitraloza e kallashë, që autorët i cilësojnë me hollësi, bëhet për të shpëtuar nga diktatura e Berishës ose bëhet për të marrë pushtetin. Faktet treguan që gjithë presioni me armë i KSHP- ve dhe kërcënimet për pushtimin e Tiranës nuk u bënë për të prurë demokracinë e vërtetë. Ato u bënë siç do e shohim më poshtë për të prurë kryengritësit-komitetas-socialistë në pushtet, sipas teorisë së marrjes së pushtetit më dhunë dhe për të vendosur një qeveri progreke. Sa për demokracinë, shqiptarët që dinë, por edhe ata që nuk dinë shkrim e këndim e kanë kuptuar me kohë, që është një rrugë e gjatë, por që nuk bëhet duke zëvëndësuar qeveritë me luftë të armatosur por me votë të lirë.
Në vitin’97 në Shqipëri nuk pati luftë civile, as fetare.
Vihet re në faqet e librit një këmbëngulje e madhe, që ngjarjet e vitit ’97 të trajtohen si një luftë civile me ushtri nga dy palë, të armatosura deri në dhëmbë me armatime të lehta dhe të rënda, me gjeneralë, kapterë dhe ushtarë, me front dhe prapavijë. Por jo vetëm kaq. Autorët përpiqen me mjaft mjeshtëri, jo duke dalë fare hapur t’i japin kësaj lufte karakter fetar të Jugut ortodoks me veriun myslyman dhe katolik. Arrihet deri në absurditete të tilla duke futur në “lojë” priftin katolik Rrok Mirdita, që gjoja u paska bërë thirrje italianëve për ndërhyrje të armatosur kundër kryengritësve. Ndërkohë anashkalojnë ndërhyrjet e fqinjit jugor. Ka fakte të panumërta të ndërhyrjes së segmentëve ultranacionalistë grekë, duke përfshirë edhe mjaft priftërinjë e politikanë, në ato ngjarje. Këtë nuk e mohojnë as autorët e librit, por me kujdes mundohen të venë shenjën e barazisë midis mids ndërhyrjeve italiane e ato greke.
Në gazetat greke të ’97-ës, shkruhej me ngazëllim se erdhi dita që Vorio Epiri të bashkohej më dheun amë, Greqinë. Gazeta e revista të tilla si “Katheimerini”, “Pondiqi”, “Avgi”, “Eleftero Tipos”, “Stohos” “Dimokratiko Logos”, “Elefteri Ora”, “To Vima”, “Ta Nea” dhe me dhjetëra kanale televizive lokalë e kombëtarë, deklaronin për beteja imagjinare që po zhvilloheshin në Shqipërinë e Jugut dhe për gjeneralë me origjinë greke, që po bashkojnë Epirin e Veriut me Greqinë ( për median greke, janar-qershor ’97 mund të lexoni gjërësisht në librin e autorit të artikullit, me titull “Vrasës dhe Shpëtimtarë” ) Gazeta “Stohos” e datës 5 Mars 1997 shkruante: “…Oficerët vorio-epirotë drejtojnë oficerët e Kiço Mustaqit ish-ministër i mbrojtjes së Shqipërisë. Ngrihet flamuri dhe shpallet autonomia në Himarë dhe Tepelenë. Shtabi i andartëve të Epirit të Veriut bën thirrje: Tani autonomi. Mos na tradhëtoni prapë...”
Duhet theksuar me këtë rast se koka e kryengritësve të Jugut erdhi nga Greqia. Aleks Andoni, Arbër Qilimi, Zan Caushi, Gramoz Ruçi, Luçiano, Kiço Mustaqi, Albert Shyti e dhjetëra të tjerë zbritën nga Greqia dhe burgjet e Greqisë.
Po le të kthehemi te e ashtuquajtura luftë civile e përshkruar nga autorët e librit. Në rreshta të lodhshme shkruhet: “…Në mëngjesin e 6 marsit tanke dhe transportues, filluan të lëviznin dhe operacioni sigurisë filloi në Jug të vendit. 400 ushtarakë rrethuan Delvinën. Më 8 mars qeveria dërgoi helikopterë me forcat speciale për të çarmatosur qytetin (Gjirokastër), por shefi i policisë lokale drejtoi një sulm në rajonin e tij të policisë dhe më pas u hapën depot dhe populli veçanërisht të rinjtë u armatosën plotësisht…” Hajde histori hajde! Po si ka mundësi që forcat speciale të shkojnë të çarmatosin qytetin kur ky nuk është armatosur ende? Sepse vetë autorët e librit thonë, që më pas u hapën depot dhe populli u armatos. Çudi e madhe apo zell i pakontrolluar? Autorët e librit e dinë shumë mirë sesa helikopterë kishte në dispozicion flota ajrore shqiptare dhe që më së shumti ishin grumbull hekurishtesh sesa makina fluturuese luftarake. Në Gjirokastër shkoi vetëm një helikopter me një ekuipazh prej pesë vetash, që pa zbritur në tokë u rrethua nga njerëz të armatosur, që plagosën pilotin Veli Përleka në këmbë me dy plumba. Më poshtë autorët marrin mundimin e madh të përshkruajnë një luftë të zhvilluar midis palëve ku nuk mungojnë operacionet luftarake me pjesmarrjen e aeroplanëve, helikopterëve ushtarakë, tankeve, mortajave, armëve të rënda, antitankeve, mitrolozëve e kallashnikovëve. Pastaj si në gazetat greke të marsit ’97 jepet pushtimi apo çlirimi i qyteteve (vini re! ) të Jugut nga Veriorët, kapja rob e “veriorëve”, etj etj. Nuk harrohet të përmendet edhe xhamia e vetme në jug “….. ajo e Këlcyrës që ishte një qytet pro mysliman, pro PD-së që sapo ishte ndërtuar me fondet e drejtuesit të PD-së Azem Hajdari, i cili do të vdiste në verë të vitit 1998..”
Fjalët pro mysliman dhe pro PD-së për një xhami në Këlcyrë, ku autorët nuk harrojnë të shkruajnë, se atje janë varrezat e ushtarëve grekë, tingëllojnë aspak objektive dhe antishqiptare. Ato qindra kisha ortodokse në Jug që mbinë si kërpudhat pas shiut, janë ndërtuar me paratë e kishës ortodokse greke, me qëllimin e mbrapshtë jo fetar, për helenizimin e atyre trevave.
Në janar të vitit 1997, pas rënies së firmave piramidale, populli doli në protesta për të kërkuar paratë. Qeveria e papërgatitur e trajtoi si një krizë të thjeshtë dhe mendoi se mund ta menaxhonte me anë të forcës duke bërë strucin, se ato ishin vetëm mardhënie midis firmave private dhe individëve. Ngjarjet rrodhën me shpejtësi, por policët dhe ushtarakët e shtetit shqiptar nuk kishin moralin dhe nuk ishin të motivuar që të përlesheshin me demonstruesit. Shumë prej tyre kishin humbur paratë në firma. Në asnjë rast ata nuk ishin të armatosur dhe nuk shtinë kundër turmave dhe as morën urdhër për të qëlluar apo për të vrarë protestuesit siç pretendohet nga autorët e librit. Përkundrazi, në më të shumtën e rasteve policët e paarmatosur u bënë objekt i dhunës së protestuesve dhe bandave të armatosura. Vetëm në Vlorë bandat e armatosura vranë 15 policë. Në qytetet kryesore u sulmuan dhe ju vu zjarri një pjese të madhe të institucioneve, duke përfshirë edhe biblioteka, muze, kopshte e shkolla, megjithëse atje nuk kishte para. Në këto kushte shteti në Gjirokastër, Vlorë, Delvinë, Sarandë, Përmet Tepelenë e gjetkë, pushoi së ekzistuari. Komitetet e Shpëtimit morën përsipër të qeverisnin, por e vetmja punë që bënë mirë ishte sigurimi në shifra të larta i fitores së opozitës në zgjedhjet e 29 qershorit Ashtu si do të ndodhte në çdo shtet të botës, kur qeveria bie, atje gëlojnë bandat e hajdutëve dhe kriminelëve. Jugu u bë shesh beteje për bandat e armatosura që në rivalitet midis tyre dhe jo rrallë në bashkëpunim edhe me komitetet e shpëtimit, terrorizuan gjithë Jugun, duke grabitur, vjedhur e vrarë policë e kundërshtarë. Atje nuk kishte palë dhe nuk ndodhi luftë civile midis Veriut dhe Jugut. Pati rënie të shtetit, përleshje bandash dhe Komitetet e opozitës që morën drejtimin e bashkive në mënyrë të paligjshme pa arritur kurrë t’i drejtonin realisht.

Po ultranacionalistët grekë?

Ishin më të interesuarit që e keqja të ndodhte. Duhet thënë se qëndrimi i qeverisë greke në deklaratat e saj, ishte mjaft i rezervuar dhe korrekt, por ajo nuk lëvizi as gishtin e vogël të dorës, për të ndaluar ultranacionalistët grekë dhe median të ndihmonte rebelët t’i vinin zjarrin Jugut të Shqipërisë, duke shpresuar në një aneksim të Jugut, ose të paktën në vendosjen e një qeverie progreke që edhe autorët e librit e pohojnë më se një herë. Mjaft politikanë grekë, pa përfillur qeverinë shqiptare filluan “shëtitjet” pa vizë dhe takimet me krerët e komiteteve të shpëtimit dhe bandave të ndryshme, si me Qilimin e Sarandës, Gjolekën e Tepelenës, Gozhitën e Gjirokastrës, apo Shytin e Vlorës. Këto ecejake dhe të tjera lëvizje bën që kryeministrja turke, Tansu Çiller të bëntë deklaratën e famshme para medias dhe shtypit turk, më 16 mars 1997: “…Turqia është e vendosur të ruajë integritetin e Shqipërisë dhe nuk mund të qëndrojë pasive ndaj ngjarjeve që kërcënojnë copëzimin e Shqipërisë. Përkeqësimi i situatës në Shqipëri, është i palejueshëm dhe do të ishte një turp për Europën. Nga ana e saj Turqia është e gatshme të bëje gjithçka për stabilitetin e gjendjes në Shqipëri…”
Duke i parë ngjarjet e vitit ’97 si një luftë civile midis Veriut dhe Jugut të Shqipërisë, duke i ngarkuar të gjitha gabimet e ngjarjeve të atij viti një njeriu të vetëm me emrin “Berisha” dhe “veriorëve të tij”, duke mos marrë parasysh gjithë ata faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në shuarjen e përkohëshme të shtetit shqiptar, autorët e librit jo vetëm i largohen të vërtetës, por gabojnë rëndë.
Disa pasaktësi që çojnë në keqinerpretime
Po citojmë disa pasaktësi me komente të shkurtra sipas rëndësisë.
“…SHIK-u i frikshëm nisi operacionet për arrestimin e liderve të protestave dhe më 31 janar njoftoi se kishte arrestuar 250 aktivistë opozitës…”
Asnjëherë nuk është dhënë një njoftim i tillë dhe autorët nuk e thonë burimin, që të mund të jenë të besueshëm. Ka patur lista të arrestuarish jo nga shik-u por nga policia, në datat 29-30 dhe 31 janar 1997. Emrat janë të personave, që sulmuan dhe dogjën bashkitë, prefekturat, shkollat, kopshtet etj. në Lushnjë e Vlorë në datat 24 dhe 26 janar. Disponohen kaseta të filmuara dhe fakte të tjera për këto akte të dhunshme. Nuk është fjala për demonstruesit në rrugët e qyteteve, por për zjarrvënës të institucioneve të shtetit. Në cilin vend të botës do të ndodhte ndryshe kur zjarrëvënësit e institucioneve shtetërore, qofshin edhe të opozitës të liheshin të lirë? Numri 250 natyrisht është i zmadhuar ose një dëshirë e autorëve.
“…Në qytetin verior të Shkodrës rreth 40 mijë demonstrues morën rrugët kundër Berishës. Kryebashkiaku Hamdi Ura…”
Nuk ka pasur asnjëherë 40 mijë demonstrues në shkurt apo mars të vitit ‘97 që të marshojnë kundër Berishës apo Partisë Demokratike në Shkodër. Sa për kryebashkiakun e Shkodrës është matematikisht e sigurt, që quhej Bahri Boriçi. Mezi mblodhi dy autobuza me shkodranë në 28 shkurt të vitit 1997 dhe i pruri në Vlorë, ditën që u krye sulmi mbi godinën e shik-t në Vlorë.
“…Hapja e zjarrit solli për pasojë vrasjen e dy personave. 10 shkurt, Vlorë…”
Më 10 shkurt Vlora u gdhi e rrethuar nga forca të shumta policore të ardhura nga Tirana, të vendosura kryesisht gjatë bulevardit Vlorë-Skelë dhe në kryqëzime. Ishte një veprim i nxituar dhe jo i menduar nga ana e e Qeverisë Demokratike. Nuk ishte ajo zgjidhja për të ndaluar protestat. Shumë vlonjatë, duke përfshirë edhe protestues, të revoltuar nga ky “shtetrrethim” i papritur u përleshën me ato forca duke i rrahur paq. Në raste të veçanta, ju hoqën uniformat dhe i dogjën në mënyrë demonstrative. Por duhet thënë që të gjithë forcat policore të ardhura nga Tirana, ishin të paisura me shkop gome dhe pjesërisht me mburoja plastike dhe skafandra. Nuk u qëllua me armë kundër njerzve të revoltuar. U vra nga ana e protestueve Artur Rustemi me armë zjarri, por që kurrë nuk u zbulua nga kush u godit dhe për çfarë arsye.
“…Media kishte hedhur dyshime se Xhon Mejxhër dhe ministri Dagllas Hurd dhe antarë të tjerë të qeverisë kishin marrë dhurata nga presidenti Berisha gjatë një vizite në Londër, të cilat ishin vjedhur nga muzeumet shtetërore shqiptare…”
Nga titujt e gazetës pritej të dilnin të dhëna nga CIA për këtë akuzë, por aty kishte vetëm pandehma.
Autorët e librit përdorin shpesh një gjuhë të tillë hamendjesh si: Ishin hedhur dyshime, U hapën fjalë, Thuhej se ishte i korruptuar, etj etj. Në një studim serioz që ka të bëjë me ngjarje, data e persona të lartë të politikës, nuk flitet me hamendje e me supozime. Ose i ka vjedhur ose nuk i ka vjedhur në muze, ose ishin të shtrenjta ose ishin të lira. Këto lloj supozimesh që e lënë lexuesin të mendojë çfarë të dojë përbëjnë shpifje ose dezinformim. Ka një sqarim të plotë në median e kohës, për këtë problem nga njerëzit që u akuzuan.
“…Nën një zhvillim kërcënues në 3 mars, në Vlorë turmat morën arsenalet e armëve të ushtrisë dhe filluan të formojnë ushtri lokale. Skena ishte krijuar tani për një konflikt Veri-Jug…”
Si e dinin dhe mbi ç’baza arsyetojnë autorët që armët u morën për të sulmuar Veriun dhe kujt i hynte në punë ky konflikt? Më poshtë nuk jepet asnjë fakt apo arsye që armatosja u bë për të sulmuar Veriun. Aq shpesh i përmendin autorët e librit fjalët Veri-Jug, veriorë e jugorë, sa të duket sikur papushim të qëllojnë me një çomangë të madhe në kokë, për të të dëmtuar se s’bën, diku në një cep, sado të vogël të trurit. Të krijohet përshtypja sikur Shqipëriza jonë, ka në përbërje dy raca të ndryshme njërëzish, njera në Veri, që ngjason sipas tyre me Berishën: agresivë, të dhunshëm, të lidhur me sërbin dhe tjetra në Jug, ku autorët megjithëse nuk shprehen haptazi, janë më të zgjuar, më racionalë, pak komunistë por gjithsesi me shumicë greqishtfolës. Më keq nuk ka ku shkon.
Duke lexuar e rilexuar ato që janë shkruar në libër e janë përcjellë të përkthyera në “Gazetën Shqiptare”, me gjithë ato informacione, dezinformacione, pandehma e supozime për shqiptarët, për shërbimet e huaja, për shtetet e huaja, veçanërisht Amerikën, Italinë e Greqinë, duket sikur fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve janë të paracaktuara. Politikanët e Shqipërisë janë të detyruar të ndjekin politika pro “ikx” ose “ypsilon” shteti me hir apo me pahir me ryshfet apo me kërcënim me kulaç apo me kërbaç. Pastaj ç’të mbetet për Shqipërinë e dashur, që për 15 vjet po endet sa andej këndej në kërkim të Perëndimit, që herë afrohet e herë largohet pa pyetur për dëshirat e vetë shqiptarëve.

http://video.google.it/videoplay?docid=5207602246668762550&q=p2palbania#

Kur qeshim dhe tallemi me të vërtetat


I dashur Flori,
Ju rekomandoj ta ribotoni këtë material mjaft interesant, në të cilin hidhet dritë mbi të kaluarën diktatoriale të Kiço Mustaqit.
Përshëndetje.
Eshref Ymeri

**********

Kur qeshim dhe tallemi me të vërtetat



Nga Gëzim Zilja



Më 24 prill 2011 ma dërgoi nga Miçigani me internet zoti Qerim Vrioni




“Zonë e lirë” nuk është nga emisionet e mia të preferuara megjithëse është nga më të shikuarit. Hera-herës e kthej kanalin andej, duke parë se me çfarë po merret drejtuesi i emisionit. Të ftuarit e zakonshëm janë analistë, poetë, politikanë, shkrimtarë, kryetarë partish, qeverish, “ishër”, veprimtarë të ndryshëm, këngëtarë, fallxhorë madje edhe nga “ato” që ushtrojnë atë zanatin e vjetër. Në datë 15.04.2011 ishte i ftuar dhe një ish-ministër mbrojtjeje, i kohës së diktaturës, Kiço Mustaqi, lidhur me një libër për jetën e tij.

Marrja në intervistë e figurave të njohura të diktaturave, e terroristëve, kriminelëve madje edhe e hajdutëve të mëdhenjë, kudo në botë është një praktikë e njohur e gazetarisë botërore. Veçse nuk është kollaj të intervistosh e operosh në studio me figura të tilla. Rrallë ata pranonjë se janë të tillë, por gazetarët profesionistë, me faktet e grumbullura, drejtojnë me mençuri pyetje që i bëjnë ata të rrëfehen, duke zbuluar fytyrën e vërtetë, si njerëz të botës së krimit apo të diktaturave. Kuptohet që këta të fundit nga ana e vet duan ta shfryrëzojnë median për të shpalosur “jetën e tyre të pastër”, se thjesht janë zbatues të ligjit, se nuk kanë të bëjnë direkt me atë që akuzohen etj etj. Kërkojnë si të thuash, të kryejnë një pastrim të figurës së tyre. Është një ndeshje elegante alla kobra–mangustë, midis profesionistësh ku secili ka qëllimin e vet, njeri demaskimin e tjetri pastrimin e figurës.

E vërteta është që analistët apo gazetarët që marrin në intervistë tipa të tillë duhet të gërmojnë gjatë për grumbullimin e fakteve. Në rastin e Çanit, me Kiço Mustaqin ose ka një nëvleftësim ose ka një shtirje “ustai” që di mirë se ç’bën dhe pse e bën. Sepse nuk mund të qeshet e bëhet gallatë në ekran me ish-antarë të byrosë politike, me një ish-ministër mbrotjeje me të kaluar (faktet do t’i rendisim më poshte) të errët. Nëse Çani, e ka thirrur për gallatë siç bën me shumë njerëz të tjerë, ajo intervistë me K. Mustaqin, për mendimin tim nuk duhej të ishte e tillë. Ajo dhemb dhe kushton shumë në ndërgjegjen e shqiptarëve.

U bënë njëzet vjet që në disa gazeta e TV-ra ish-ministrat, ish-gjeneralët e diktaturës dhe vet Ramiz Alia, jepen si prurës dhe bartës të pluralizmit, na jepen gati-gati si heronj, duke shtrembëruar kështu të vërtetën dhe historinë. Shpesh në këto emisione të duket sikur të qëllojnë pa pushim me një çekan në kokë për të të kallur me zor në ndonjë pjesëz të trurit informacionin e pavërtetë se ata janë ashtu si flasin vetë dhe jo ndryshe.

Unë e kuptoj problemin shumë më ndryshe nga ata gazetarë që i shtrëngojnë dorën Ramiz Alisë dhe krerëve të tjerë të ish-diktaturës, që iu luten për një fotografi, që pranojnë gjithë gënjeshrat dhe hipokrizinë e pështirë të tyre, duke menduar se po bëjnë ndonjë gjë të veçantë. Aty jo vetëm që nuk thuhet e vërteta, por shtrembërohet historia ekstremisht, deri sa ndërrohen rolet e viktimës me kriminelin. Dhe po u vazhdua kështu, mund të ndodhë një ditë që në tekstet e shkollave diktatura 40-vjeçare, të na jepet ashtu si nuk ka qenë, si një kohë e mirë me udhëheqës të mirë, trima e patriotë. Kjo për mendimin tim përbën një krim ndaj kulturës dhe historisë së Shqipërisë. Jo vetëm. Nëqoftëse i hedhim një sy ajkës (vetëm ajkë nuk janë dreqi e mori!) së njerëzve që pushtojnë sot ekranet televizive: analistëve, politikanëve në pushtet dhe jo në pushtet, bisnesmenëve të fuqishëm, pronarëve të TV-ve (atyre të vërtetë jo atyre që hiqen për të tillë) do të mësojmë lehtësisht se një pjesë e konsiderueshme janë bijë, bija, nipër e mbesa, të njerëzve më të zinj të diktaturës. Ata sot kanë para dhe pushtet sa të duash. Ata diktojnë sa majtas-djathtas, nderohen e dekorohen nga presidentët, dhe shumë njerëz të ekranit dhe medias së shkruar, janë gati t’u puthin duart, madje edhe prapanicën në këmbin të ndonjë favori a leku. Deri këtu ata janë në rregull me të gjitha, madje edhe me rendin demokratik!

Por këta njerëz të fuqishëm që ndikojnë jo pak sot në jetën shqiptare i mundon e kaluara e gjyshërve, prindërve, xhaxhallarëve, dajallarëve, tezeve dhe hallave të tyre, që i kanë duart të lyera me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm. Prandaj me metodat e tyre të stërholluara duan, t’i zbukurojnë, t’i paraqesin të mençur, humanë, trima, dhe natyrisht atdhetarë të mëdhenjë. Madje edhe të bukur fizikisht! Por si thuhet në këtë rast: e kaluara as shitet e as blihet. Ajo nuk mund të ndryshohet, është përherë aty, sado dhe sido ta trukojnë.

Këtë “pastrim” e bëjnë nëpërmjet televizioneve, revistave, gazetave, librave me kujtime, shpesh tepër të shtrenjtë e që i promovojnë si festa të vërteta në salla luksoze, shoqëruar me meze e pije të shtrenjta. Mjerisht jo rrallë ia dalin. Jo me me brezin tim, por me ata që nuk e jetuan diktaturën dhe e kanë me të treguar e me të lexuar. Kjo sjell që rruga plot kthesa drejt demokracisë të bëhet edhe më e mundimëshme dhe e gjatë sa ç’është sot; urrejtja midis shqiptarëve dhe ndarja ende në kampe armiq, të vazhdojë pafundësisht.

Po le të kthehemi te ajo intervistë e dyshimtë e datës 14.04.2011 e Mustaqit, tek “Zona e lirë”. Nuk prisja që Kiço Mustaqi, të kërkonte falje për krimet e diktaturës si një nga përfaqësuesit e lartë të saj edhe sikur Çani t’ia bënte atë pyetje. Asnjë nga krerët e diktaturës, edhe ata që kanë ikur me të shumtit, edhe ata që janë ende gjallë nuk e kanë bërë atë gjest human dhe as nuk kanë për ta bërë: thjesht të kërkojnë falje. Të kërkojnë falje se nuk e dinin, se ashtu ishte ligji, se ishin të paditur, se u vjen keq për atë që ndodhi, se i detyruan etj etj. Le të kërkojnë falje si të duan. Ata mijëra e mijëra njerëz të vrarë, të burgosur, të internuar e sakatuar nga ata, janë të faktuar. Më shumë se kushdo në Shqipëri, ata, ishët e diktaturës kanë nevojë të lajnë e pastrojnë shpirtin. Kështu trashëgimtarët e tyre që sot i gjen gjithandej, do të qetësohen e nuk do të mundohen me mijëra mënyra të na i japin ndryshe nga çkanë qenë. Por sido që të bëjnë e vërteta nuk mbytet dot as në një det gjaku e as në një det genjeshtrash dhe mashtrimesh.

Prisja që libri për Kiçon (e kuptoni, dikush i bën libër në gjallje, monografi, si i thonë, ministrit të mbrojtjes së diktaturës dhe antarit të byrosë politike, duke i ngritur lart figurën!?) të ishte lexuar nga Çani dhe ai të bënte zbritjen midis librit dhe asaj që kishte ndodhur në të vërtetë. U duk ashiqare që libri as që ishte lexuar, megjithëse kryezoti i “Zonës së Lirë” pa u lodhur na grishte ta blinim si një libër interesant për jetën e një njeriu interesant.

Çani, si një njeri i kënduar, duhet ta kishte kuptuar që Kiçua donte të pyetej veçanërisht për vitet 90-91 dhe vitin ’97. Ndoshta dhe e kuptoi po nuk ka dashur.

I kërkoi Kiçua pyetjet “interesante” sepse sipas tij aty kishte dhënë kontribut të veçantë. I donte ato pyetje ish-ministri i diktaturës se donte të pastrohej dhe t’i shkruhej emri në njerëzit që sollën demokracinë, ndoshta ta bënin edhe hero. Meqënëse kjo nuk ndodhi atëherë po jap nja dy fakte për “ndihmesën” e Kiços në ardhjen e demokracisë në Shqipëri dhe veprimtarinë patriotike në vitin 1997.





Dy fjalë për kriminelët që nuk kanë vrarë asnjë njeri.



Një nga rastet me të spikatura është ai i kriminelit nazist Adolf Ajhman. Ai u kap gati gjashtëmbëdhjetë vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore diku në Argjentinën e largët. U soll në Izrael dhe u akuzua për pesëmbëdhjetë krime, duke përfshirë edhe atë për krime kundër njerëzimit. Gjatë gjyqit u vërtetua se Ajhmani nuk kishte torturuar, nuk kishte vrarë, nuk kishte dhënë ndonjëherë urdhëra për vrasje, nuk kishte goditur as me kamxhik ndonjë njeri. Ai nuk shikonte dot gjak dhe ishte një familjar i mirë. Madje i mori me vete gruan dhe fëmijët në Argjentinë. Të gjithë fqinjët në kuartierin ku banonte e njihnin si një njeri të regullt e të sjellshëm.

Por ky njeri që edhe në gjyq dukej paqësor, kishte qenë bashkëpuntor i Hitlerit. Kishte ndihmuar në vrasjen e rreth 4 (katër) milion hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore, ishte një nga zbatuesit kryesor të Holokaustit dhe pati në dorë jetën e miliona njerëzve, që i çoi drejt vdekjes.

Në gjyq iu vërtetuan të pesëmbëdhetë krimet për të cilat akuzohej. Ajhmani deri në fund nuk pranoi fajësinë për asnjë krim. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 31 maj të vitit 1961.

Detyra e Ajhmanit ishte e thjeshtë: Të kapte, të grumbullonte e transportonte në kampet e përqëndrimit drejt vdekjes së sigurt, hebrenjtë kudo ndodheshin. Dhe ai këtë e kreu me besnikërinë e një fanatiku. Kur eprorët e tij e panë që lufta ishte e humbur, i dhanë urdhër ta ndërpriste “punën”. Por ai vazhdoi deri në fund me devizën: “nderi im është besnikëria ime.” Por ama e theksoj, ai me dorën e tij nuk vrau asnjë njeri.



Maskra në kufijtë e Shqipërisë në vitin 1990.



Në gazetën “Panorama” një ditë pas Çanit (le të besojmë që është rastësi) ka një intervistë të Ramiz Alisë. Midis të tjerave ish-sekretari i parë i k.q.p.p.sh-së thotë: “… kishte ardhur momenti për t’i hapur rrugë demokracisë pluraliste (viti1990. Shën im) dhe ekonomisë së tregut. Ne ishim të ndërgjegjshëm që duheshin bërë ndryshime … Atëherë shqetësimi i vetëm ishte që kalimi drejt demokracisë pluraliste të realizohej duke evituar pasojat që mund të dëmtonin interesat e vendit…”Panorama” 16.04.2011”

Çfarë ironie, gjakftohtësie dhe cinizmi i pashoq. Po ky njeri në vitin 1990, deklaronte: Edhe bar do të hamë, edhe gjak do të derdhim, por pushtetin nuk e dorëzojmë. Gjithsesi Ramizi, nuk është në fokusin e këtij shkrimi.

Në vitin, 1989, doli ligji ku kalimi i paligjshëm i kufirit nuk quhej tradhëti e lart ndaj atdheut, por vepër penale dhe dënohej jo me pushkatim por me shtatë vjet burg. Kiço Mustaqi, atë vit ishte ministër i mbrojtjes dhe antar i byrosë politike. Të joshur nga ndryshimi i ligjit, qindra shqiptarë mëtuan të kalonin kufirin.

Por atje në kufi Ramiz Alia president dhe Kiço Mustaqi ministër i mbrojtjes, kishin lënë në fuqi ligjin e vjetër, dhe lejuan oficerët e kufirit ( ndoshta dhe i kanë urdhëruar fshehurazi) të zbatonin ligjin e diktaturës, ku çdo njeri që kalonte kufirin të qëllohej, të vritej.

Gjashtëmujorin e parë të vitit 1990, u vranë nga plumbat e rojeve kufitare 31(tridhjetenjë) djem të rinj që guxuan të kalonin kufirin.

Trupat e disa prej tyre, ashtu të masakruar u shëtitën fshatrave kufitarë, mbi karroceri makinash, duke përhapur terror e frikë në njerëzit e thjeshtë. Dhjetëra trupa të tjerë u gjetën në malet e Gramozit të ngrirë nga dëbora ose të shqyer nga egërsirat. Emrat e atyre tridhetenjë fatkeqëve mund t’i gjej kushdo, në muzeun historik, tek stenda e ngritur për masakrat e diktaturës. Janë të gjithë: me emër, mbiemër, atësi, datëlindje, vendin dhe datën e vrasjes.

Natyrisht Ramiz Alia dhe Kiço Mustaqi ashtu sikurse edhe Ajhmani nuk vranë asnjë me dorën e tyre. Por Ajhmanin gjykuan dhe e dënuan, madje i dhanë dënim kapital, kurse ish-byroistët tanë i marrin në TV për gallatë?!

Kjo duhet të ishte pyetja e parë e zotit Çani, për “barba Kiçon”, që u përpoq të na japë ndryshe të premten. Krahas librit duhet të kishte në dorë edhe atë listë megjithë fotografitë e disave prej atyre djemve të bërë shoshë nga plumbat. Por ai këtë pyetje ai nuk e bëri dhe unë jam midis: Nuk e dinte këtë fakt apo nuk donte.



Historia e anijes “Kanina”



Në librin tim “Drejt perëndimit”, fq.69, kam përshkruar me hollësi arratisjen e anijes 500 tonëshe, “Kanina”. Kam qenë dëshmitar okular si qindra skelarë të tjerë, që nga çasti i rrëmbimit (mars 1990), mbushjes me njerëz, në molin e Skelës e deri sa ajo kaloi mezokanalin dhe nuk shihej më. Sipas komandantit dhe komisarit të bazës detare të Vlorës, Muharrem Kuçana dhe Halil Leli, ata u urdhëruan me telefon nga ministri i mbrojtjes Kiço Mustaqi, ta godisnin anijen me silurë dhe ta mbytnin ashtu të mbushur me njerëz. Në anije ndodheshin gjithsej (sipas RAI-it) 104 njerëz. Atë urdhër ata nuk e zbatuan. Për këtë veprim me një urdhër tashmë me shkrim të Kiço Mustaqit u përjashtuan (i zhveshën) nga ushtria. Sipas Kiços shkruar në gazetën “Panorama” disa ditë më parë, ai dha urdhër që anija jo të qëllohej me silurë por të përmbysej?! Se cili është ndryshimi midis përmbysjes dhe mbytjes me silurë vetëm Mustaqi e di. Gjithsesi nga një katër silurues, që e ndoqi si qen i egërsuar nga prapa “Kaninën” e stërmbushur me njerëz, u godit me mitraloz kabina e timonierit. U vra njeriu që ishte në timon dhe u plagosën dy të tjerë. I vrari quhej Agron Xhelili, ishte rreth të tridhjetave dhe la pas gruan e re me dy fëmijë. Natyrisht që atë nuk e vrau “barba Kiçua” me dorën e vet por ja që është dhënë një urdhër nga ai, është qëlluar nga një anije luftarake, kur Kiçua ishte ministër. Dhe të gjithë autorët dhe aktorët e atij krimi janë gjallë me përjashtim të atij djali guximtar nga Skela, që e vranë atje në kabinën e timonierit.

Edhe këtë pyetje po të kishte gërmuar për jetën e Kiços, duhej ta kishte bërë zoti Çani.



Roli i Kiços në ngjarjet e vitit 1997.



Në vitin 1997 Kiço Mustaqi, pasi kthehet nga Greqia ( me se u mor në Greqi vitet e mërgimit oficeri i lartë!?) përmendet si një nga udhëheqsit e kryengritjes së armatosur të atij viti jo pak herë. Shumë njerëz në Jugun e Shqipërisë e kanë parë gjeneneralin në ato kohë midis formacioneve të armatosura të komiteteve të shpëtimit publik. Të bën përshtypje që edhe shtypit të huaj i ka rënë në sy veprimtaria e ish- ministrit në ato ditë. Çani për hir të së vërtesë në këtë drejtim e “kruajti’ pak me një nga ato metodat e tij “midis”, por si duket kur pa që fytyra e “usta Kiços” nga e kuqe filloi merrte ngjyrën e tebeshirit e la rehat. Faktet flasin se ai ishte një nga ata që përpunoi planet për një sulm mbi Tiranën dhe rrëzimin e Berishës, por sidomos për çlirimin e “Epirit të Veriut.”

Po le tu refererohemi fakteve. Më datë 05.03. 1997 gazeta ultranacionaliste greke “Stohos” shkruante midis të tjerash: ... Oficerët vorioepiriotë drejtojnë kryengritësit e Kiço Mustaqit, ish ministër i mbrojtjes i Shqipërisë. Ngrihet flamuri dhe shpallet autonomia në Himarë dhe në Tepelenë. Në duart e autonomistëve grekë prapë “Epiri i Veriut”Për më shumë shih librin “Skaner 1997” fq.316.

Nuk mendoj se kjo gazetë po shpifte dhe e ka pasur ‘armik” Kiçon” që kishte disa vjet që rrinte në Greqi si në shtëpi të tij. Nuk mendoj as se ata shpifin për Kiçon ashtu “kot e kot”. Ata thonë që Kiço Mustaqi ka në komandë kryengritësit e Jugut, që nga ana e tyre po drejtohen nga oficerë voriepirotë dhe po ngrejnë flamujt grekë e po çlirojnë Vorio Epirin.

Gjashtë ditë më vonë në gazetën prestigjioze italiane “La Republika” gazetari italian Renato Kaprile, midis të tjerave do të theksonte:

... Atëherë kush i drejton rebelët? Një vështrim në hartën e kryengritësve (praktikisht janë të gjitha qendrat më të rëndësishme nga pikpamja strategjike) të bën të dyshosh se nuk bëhet fjalë për një protestë spontane, por më tepër për një plan ushtarak. Kthehet kështu makthi i Epirit të Madh.... dhe atëherë nxjerrin kokën skenarë shqetësues të shërbimeve sekrete të huaja të interesuara për këtë projekt dhe mbi të gjitha dallon një emër, ai i Kiço Mustaqit, ish ministër i mbrojtjes i Enver Hoxhës... Ka mundësi që të jetë ai regjizori i revoltës së Jugut...

La Republika 11.03.1997, “ Skaner 1997”. fq.290

Nuk mendoj se dalja e emrit të Kiço Mustaqit në disa gazeta të huaja (jo vetëm në ato të cituara më lart ) dhe sidomos në TV-të greke të asaj kohe është rastësi. Kiçua në ato ngjarje të zeza për Albaninë tonë të dashur, e ka pasur një rol që duhet ta sqarojë.

Kisha besim te Çani, te mendja dhe atdhetarizmi i tij i kulluar. Mendova që do ta zhbirilonte pak ”heroin” që kishte thirrur, t’i tregonte se çfarë përfaqëson ai vërtetësisht, se vetë qënia hierark i lartë i diktaturës e jo vetëm bëmat e tij në vitin 1990, dhe në vitin 1997, përbëjnë krim. Por u kjo nuk ndodhi, përkundrazi. Prandaj shkrova këto rreshta, ca nga dëshira që kam për të vërtetat e ca nga mërzia e trishtimi që më sjellin emisione të tilla.

Gjithsesi e di përgjigjen: Nëse s’të pëlqen ndërro kanal. Ashtu bëra por këto rreshta nuk mund të rrija pa i shkruar.

ziljag@yahoo.com

(Gëzim Zilja ka qenë kryebashkiak  i Vlorës)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...