Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/05/10

Revolta e Shkollës së Bashkuar në 1991, si e shmangëm vëllavrasjen




Enver Hoxha dhe udheheqes te partise komuniste ne paraden e zhvilluar ne shkollen e bashkuar, ne vitin 1978
Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit u shoqërua me pështjellime të mëdha. Veçanërisht në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve tensionet u rritën shumë. Vendosja e një busti në miniaturë, që do të zëvendësonte monumentin e derdhur në tetë tonë bronz special, dukej se do të rivendoste nderin e humbur. Dhe ndërsa qindra studentë ushtarakë të armatosur ishin të gatshëm ta bënin këtë, edhe forcat jashtë territorit të Shkollës bënin një presion të madh. Ndoshta vetëm një shkrepëse dhe konfrontimi i palëve do të realizohej me “sukses të plotë”, por kjo nuk ndodhi. Kur flitet për ngjarjet e Shkollës së Bashkuar, në këtë rast duhet saktësuar se në atë garnizon ishin edhe Akademia Ushtarake e shkolla “Skënderbej”. Pra, tri shkolla. Në këtë kuptim, do të ishte e udhës që ato ndodhi t’i quajmë   “Ngjarjet në shkollat ushtarake të Tiranës”. 

Statuja e Enver Hoxhës, Tiranë(1985-1992).



Kur jam pyetur për grushtin e shtetit të shkollës, kam theksuar se grusht shteti quhet ajo goditje që rrëzon pushtetin dhe merr në dorë drejtimin e tij. Ne e kishim ende pushtetin dhe nuk kishim asnjë arsye që të rrëzonim vetveten. Pra as që bëhej fjalë për grusht shteti. E vërteta qëndron krejt ndryshe. Ajo ngjarje në shkollat ushtarake u quajt grusht shteti për qëllime politike, por ndoshta edhe nga injoranca, nga padia. Qëllimi i vërtetë ka qenë provokimi i shkollave ushtarake (të tilla kemi pasur edhe në reparte të tjera), që ushtarakët të irritoheshin e të përlesheshin me qytetarët dhe forcat e opozitës, ku natyrisht do të derdhej gjak dhe kështu, sipas një skenari të sofistikuar, do të akuzohej ushtria dhe PPSH-ja.

SHKOLLA E BASHKUAR NUK SULMOI, POR U SULMUA 
Në atë kohë flitej se Shkolla e Bashkuar përgatitej për rivendosjen e monumentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Në fakt, nga gjithë ato zhvillime duhet sqaruar se Shkolla e Bashkuar nuk sulmoi, por u sulmua. U sulmua nga forca  regresive. Ndaj kësaj shkolle filluan provokimet. Provokimi apo sulmi ndaj saj ishte i organizuar  dhe kishte për qëllim që forcat e Shkollës të dilnin në rrugë e të gjakosnin popullin. E pastaj të thuhej se ja ç’bën ushtria e Enverit, vret popullin. Midis Shkollës së Bashkuar dhe turmës u vendos policia, pra policia kishte kontaktin me njerëzit. Policia hante gurët dhe të paktën një polic u vra kur një udhëheqës i PD-së hapi portën e një furgoni. Para kësaj  ngjarjeje ishte krijuar një bërthamë, në krye të së cilës ishte një pedagog shumë i mirë i Akademisë dhe disa pedagogë të Shkollës së Bashkuar. Meqenëse Ramiz Alia dhe udhëheqja kishin shprehur keqardhjen për rrëzimin e monumentit, Shkolla e Bashkuar mori përsipër të vendosej shtatorja në qendër të Tiranës. “Po qe nevoja e mbrojmë ne dhe kush të dojë, le të vijë dhe ta rrëzojë”, thoshin ata. Më 21 shkurt më telefonoi drejtori i Televizionit e më tha se kishin shkuar dy studentë të Shkollës së Bashkuar me një peticion dhe donin të transmetohej tekstualisht siç e kishin shkruar. Madje e kishin kërcënuar: “Ose transmetojeni kështu siç është, ose do ta marrim ne televizionin e do ta transmetojmë vetë”. 

Unë iu përgjigja se nuk kishte gjë të keqe të transmetohej përderisa çdo natë transmetoheshin dhjetëra peticione nga shoqata me dy-tre anëtarë, “megjithatë, – i thashë, – unë nuk jam kompetent, se urdhrat i marr nga lart, nga Ramiz Alia”. Sa për televizionin  i thashë, mos ki frikë, nuk merret me forcë. Pas pak më merr në telefon Vaskë Çifliku, sekretari i Ramiz Alisë e më thotë të njëjtat gjëra. “Ti urdhrat i merr nga shoku Ramiz”. Po, i thashë, e di këtë dhe s’kam dhënë urdhër të veçantë. Pastaj, shtova se “ajo që duan të bëjnë studentët e Shkollës së Bashkuar është gjë e mirë, meqë juve ju ka ardhur keq që u rrëzua  monumenti, ata duan ta venë prapë në vend. Pra ngrihen për atë që u qan zemra”. Përfundimisht peticioni nuk u transmetua nga Radio-Televizioni. U botua pa pikën që fliste për rivendosjen e shtatores, vetëm në gazetën “Zëri i Popullit”, më 22 shkurt 1991.

TAKIMI I 21 SHKURTIT 1991 
Në mbrëmjen e po asaj date, në Shkollën e Bashkuar po zhvillohej një takim me pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve, një përfaqësuesi nga Ministria e Mbrojtjes (më duket shefi i Shtabit), Neritan Ceka nga PD e të tjerë. Ndërsa po vazhdonte takimi, u dëgjuan krisma. Ata të PD-së thanë se “e ndërpresim diskutimin, sepse Shkolla hap zjarr dhe në kushte lufte nuk mund të diskutojmë”. U ngjitën të gjithë në tarracë dhe panë se të shtënat vinin nga jashtë, nga ku u plagos një oficer i Shkollës së Bashkuar. Pasi u bindën se nga Shkolla nuk ishte hapur zjarr, ata u kthyen dhe mbledhja vazhdoi. Shkolla ndërkaq ishte nën komandë dhe ndodhej e pozicionuar. Në Shkollën e Bashkuar kishte pedagogë e studentë (ndonjë edhe në Akademi), që ishin kompromentuar nga PD ose mendonin se duhej përkrahur ajo. Njerëz të tillë kishte në togat e zbulimit, të prapavijës, dhe kjo përbënte një rrezik. Unë dyshoja e kisha frikë që po të ndodhte  ndonjë situatë brenda në shkollë, mund të shkaktohej edhe vëllavrasje. Në të vërtetë, kur u rrethua Shkolla e Bashkuar nga njerëz provokatorë, këta që unë dyshoja ishin të parët që u ngritën  kundër rrugaçëve, të cilët donin të sulmonin shkollën. Togat e zbulimit e të prapavijës, për të cilat dyshoja se ishin më të komprometuarat, u bënë më luftaraket, sepse u fyen në sedrën e tyre që po u shkelej nderi i ushtarakut nga rrugaçët.

RRËZIMI I STATUJAVE
Fakti i thjeshtë që rrëzimet e busteve në Tiranë, në Durrës, në Fier, në Korçë, Vlorë u bënë të gjitha rreth orës 11:00 na vuri në mendime. E diskutuam edhe në një rreth shumë të ngushtë në Shtabin e Përgjithshëm dhe gjykuam se kjo ishte  bërë me orientim. Unë ende mendoj se ishte orientim nga Ramiz Alia. Pra, përshtypja ime ishte se ato qenë të organizuara. Dhe meqenëse ishte kështu, kjo mund të ndodhte edhe brenda në Shkollën e Bashkuar. Vrisja mendjen se çfarë duhej bërë dhe vendosa që edhe unë duhej të organizoja heqjen e shtatores nga Shkolla. Kam thirrur shefin e Shtabit e drejtorin e Xhenios e u thashë: “Unë akoma nuk kam marrë lejen e Ramiz Alisë, por do t’i marr leje dhe vetëm ju do ta dini. Në rast se na japin urdhër për ta hequr shtatoren e Enver Hoxhës nga Shkolla e Bashkuar, ti si drejtor i Xhenios do të marrësh masa që në mëngjes atje të jetë bërë një lulishte, nuk dua që të mbetet gërmadhë”. Pasdite mora Ramiz Alinë në telefon dhe i thashë: “Me sa duket, rrëzimi i busteve ka qenë i organizuar. Nëse është vënë në program që të rrëzohet edhe busti në Shkollën e Bashkuar, ne do të marrim masa që në mëngjes të gdhihet lulishte”. Ai më bërtiti fort: “Si, shoku Kiço, ke mendimin të na heqësh komandantin e Përgjithshëm?!”. Unë, kuptohet, nuk i besova. Busti u hoq pas disa muajsh nga Qeveria e Stabilitetit dhe nuk u hoq siç e mendoja unë.

PËRPLASJET ME RAMIZ ALINË 
Edhe sot më duket paksa e çuditshme. Gjatë gjithë asaj kohe të tensionuar unë dhe Ramiz Alia nuk kemi komunikuar me njëri-tjetrin. Vetëm në mbledhjen e qeverisë unë raportova se situata ishte e ndezur. Nuk më kujtohet, por nuk kam marrë asnjë lloj detyre. Ne kishim punën tonë, të cilën e kishim shumë të qartë. Ramizi ndofta merrte raporte nga ndonjë burim tjetër, por unë nuk e di. Mua nuk më pëlqeu që brenda në Shkollën e Bashkuar ishte futur zëvendësministri i Brendshëm (Hajredin Shyti) bashkë me kryetarin e PD-së së Tiranës dhe unë s’isha lajmëruar. Në një moment, kur pati një të shtënë tanku, Hajredin Shyti më mori në telefon: “Jam këtu me kryetarin e PD-së për Tiranën”, e më bënte vërejtje për veprimin e tankut. Atëherë nuk m’u durua dhe i fola shumë ashpër, duke i thënë se “nuk jam në varësinë tuaj, kështu që foli ministrit tënd. Ç’punë ke me kryetarin e PD-së brenda në Shkollë? Ju merruni me policët përjashta, prandaj largohuni menjëherë, mos përfitoni nga mirësjellja e Komandës së Shkollës”. Unë nuk mund ta kuptoj edhe sot e kësaj dite se përse MPB dhe degët në rrethe, për çdo gjë informonin PD-në apo i merrnin leje asaj, duke mos menduar se kështu i viheshin më keq fitilat situatës. Kështu ndodhi edhe në Shkodër e rrethe të tjera.

TË PAVËRTETAT E PRESIDENTIT 
Ramiz Alia thotë në një intervistë se ushtria do të marshonte drejt Tiranës dhe se ai e shpëtoi vendin nga gjakderdhja. Kjo nuk është aspak e vërtetë dhe ishte e pamundur të bëhej në atë situatë, kur rezervistët që kompletonin ushtrinë, “marshonin” drejt kufirit e largoheshin si refugjatë nga Shqipëria. Atëherë shtrohet pyetja se cilat forca do të marshonin drejt Tiranës? Ku e paskësh marrë apo parë Ramiz Alia këtë informacion që unë, si ministër i Mbrojtjes, nuk e dija? Në qoftë se ishte ashtu, do të thotë se unë nuk e kisha në dorë situatën. Atëherë pse e bëri këtë deklaratë Ramiz Alia? Përgjigjja ime është se e bëri për të justifikuar shthurjen, anarkinë dhe shkatërrimin e Shqipërisë. Domethënë i duhej një maskë për të mbuluar mangësitë dhe kjo maskë ishte ushtria. Pra, për mendimin tim, nuk kemi të bëjmë me një pohim të sinqertë të Ramiz Alisë, por me të kundërtën. Unë as sot e kësaj dite nuk e kuptoj urdhrin për të mobilizuar 15 brigadat që do të marshonin drejt Tiranës. Ashtu sikurse urdhëroi për shumë kompani të specializuara që erdhën në Tiranë pa asnjë qëllim e objektiv e pastaj u kthyen. Për këto të fundit ekzistojnë urdhra të arkivuar. Të tillë urdhra e lëvizje ushtarake nuk vlejnë as për veprime demonstrative e psikologjike, por ato, ama, vlejnë për të akuzuar. Për mobilizimin e forcave nga Dibra, Ramiz Alia përdorte dhe shfrytëzonte shumë Haxhi Lleshin, i cili edhe në shtëpinë e vet qëndronte ato ditë i armatosur me automatik e pistoletën në brez dhe plot krehra fishekësh mbi tavolinë… Për këto urdhra që jepeshin pa u konsultuar e pa objektiva duhet të japë shpjegime Ramiz Alia. Po Kiço Mustaqi, si ministër i Mbrojtjes Popullore, ç’bënte me këto urdhra? Mund t’ju përgjigjem se unë i zbatoja ato deri në atë pikë që nuk kishte rreziqe. Për shembull, unë e zbatova urdhrin që kompania speciale të përqendrohet në Tiranë dhe të rrijë në gatishmëri. Nuk u jepja asnjë urdhër tjetër dhe i ktheja mbrapsht. Këto janë të dokumentuara, se përndryshe, për moszbatim urdhri, arrestoheshe.


“RRETHIMI CIVIL” I GARNIZONIT USHTARAK
Provokuesit u larguan nga Shkolla e Bashkuar se panë qëndrimin e vendosur të saj. Panë qëndrimin e saj korrekt, që nuk binte në provokacion, panë se as Shkolla, as Ministria e Mbrojtjes nuk mund të binin në kurthin e tyre. Edhe “dasma” pritej të bëhej brenda shkollës, jo jashtë saj. Ata shpresonin që ne të dilnim jashtë mureve. Ndërsa ne prisnim të na vinin brenda, e atje te ne do të mbroheshim. Do të mbrohej edhe me gjak. Këtë e përcaktonte ligji dhe statusi i saj. Ndërsa jashtë ne s’kishim punë. Sa më shumë të qëndronin ata jashtë, për ta ishte edhe diskreditim politik. Deri atëherë, në asnjë vend të botës nuk kishte ndodhur që turma civilësh të sulmojnë një repart ushtarak. Ngjarjet e Shkollës së Bashkuar ishin një turp i madh për ato forca që i organizuan. Të sulmosh qeverinë, Televizionin, Komitetin Qendror, këto kishin një kuptim, por të merrje Shkollën e Bashkuar, s’kishte kuptim. Ç’kuptim kishte të sulmoje një repart ushtarak?! Ajo do të thotë të kërkosh gjakderdhje për të justifikuar rezistencën e madhe që ke pasur ti për të sjellë demokracinë në Shqipëri. Nga ana tjetër, në qoftë se këtë e ka organizuar dikush i PPSH, atëherë ai e ka bërë për të fituar pikë, domethënë, shiko, të tillë ushtri kemi pasur, që e gjakoste njeriun për të fituar vlera të tjera. Unë mendoj se më tepër këtë e kërkonte në atë kohë kundërshtari. Kam përshtypjen që ishin edhe të drejtuara, edhe të organizuara, por realiteti është që unë nuk e di kush i drejtonte forcat e tyre. Shkolla e Bashkuar ishte plotësisht në urdhrat dhe nën kompetencat e urdhrave të mia; kjo nuk diskutohet, domethënë s’kishte asnjë rrezik për të jashtmit. Ajo nuk do të sulmonte kurrë. Trupa e Shkollës pati durimin e jashtëzakonshëm që nuk goditi asnjeri edhe kur iu shkatërruan tërë muret. Ajo u godit ngado, u godit madje edhe Komanda, por prej asaj shkolle ushtarake nuk u vra asnjë njeri. Faktet janë kokëforte. Dihet mirë kush e bëri sulmin. Ngjarjet janë fotografuar e filmuar…
Ultimatumi në TVSH: Do vendosim shtatoren e Enverit
Ajo çfarë ndodhi më 21 shkurt 1991 në Shkollën e Bashkuar u përjetua si ngjarje tronditëse, që më së shumti vinte në diskutim rrjedhën e proceseve demokratike në Shqipëri. Ishte me të vërtetë diçka e papritur e befasuese. Nuk ishin bërë as 24 orë nga rrëzimi i monumentit të Enverit në sheshin “Skënderbej” kur u përhap si rrufeja lajmi se efektivat e akademive ushtarake do të marshonin në qendër të Tiranës për të rivendosur shtatoren e diktatorit, që ndodhej në hyrje të Akademisë. Duhet theksuar se kjo nuk mund të ishte një iniciativë spontane, aq më tepër në një shkollë të tillë ushtarake ku nuk diskutohej disiplina e hekurt. Në thirrjen të efektivave të shkollave ushtarake të Tiranës drejtuar Presidentit, partive politike dhe gjithë popullit, në formën e një peticioni, pohohej fakti se me përmbajtjen e saj ishin njohur komandat e shkollave ushtarake dhe ishin dakord. Kërkesa e parë e kësaj thirrjeje lidhej me Enver Hoxhën, për figurën e të cilit  kërkohej që të përcaktohej me anë të një referendumi mbarëpopullor dhe ajo të vlerësohej ashtu siç e do populli. Kërkesat e tjera kishin të bënin me departizimin e ushtrisë në kushtet e pluralizmit politik, me mbrojtjen ligjore të figurës së ushtarakut dhe garantimin e objekteve shtetërore me vlera ekonomike, sociale, kulturore e historike etj. Përmbajtja e thirrjes tingëllonte si ultimatum dhe pati njerëz që kur u njohën me përmbajtjen e saj, menduan të tmerruar se vendi po kërcënohej realisht me puç ushtarak. Po ngjarjet nuk rrodhën kësisoj.
Peticion
“Efektivi i shkollave ushtarake Tiranë, bij të punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve të ndershëm, të shqetësuar seriozisht dhe indinjuar thellë nga veprimet kriminale dhe forcave të errëta, ndaj të cilëve partitë politike dhe shoqatat e ndryshme me deklarata janë distancuar prej tyre publikisht, por fatkeqësisht jashtë dëshirës dhe kërkesave të panumërta të popullit shqiptar, gjendja në vend jo vetëm nuk po qetësohet, por keqësohet gjithnjë e më shumë, ndaj kërkojmë :
1. Figura e Enver Hoxhës të vendoset menjëherë me anën e një referendumi mbarëpopullor, dhe ajo të vlerësohet ashtu siç e do populli.
2. Në kushte e demokratizimit të mëtejshëm të vendit dhe të pluralizmit politik, kërkojmë departizimin e ushtrisë.
3. Kërkojmë që figura e ushtarakut të mbrohet me ligj, ajo të jetë e paprekshme.
4. Të zbatohet me rreptësi ligji për mbrojtjen e objekteve që kanë vlera  ekonomike, sociale, kulturore, historike, që janë ndërtuar me gjakun  dhe djersën e popullit.
5. Kërkojmë që sot, më datën  22.2 1991, ora 17.00 përfaqësues të Presidiumit, të partive politike, të Ministrive të Mbrojtjes e të Punëve të Brendshme, si dhe të mjeteve të propagandës, Radiotelevizionit, organeve të shtypit të takohen me studentët dhe kuadrot e shkollave ushtarake. Takimi do të bëhet në sheshin e Shkollës së Lartë  të Bashkuar të Oficerëve ”Enver Hoxha”.
6. Radio-Televizioni të kalojë nën drejtimin e Këshillit Presidencial dhe të japë informacion të plotë për gjendjen në shkallë vendi dhe jo vetëm për ato çka zhvillohen në Tiranë.
7. Efektivat e shkollave  ushtarake në Tiranë  u bëjnë thirrje të gjitha  partive politike, organizatave dhe subjekteve të ndryshme të largohen  nga fjalët e deklaratat e mëdha dhe të ulen me masat e popullit për t’u siguruar atyre qetësinë dhe stabilitetin në vend, për t’i ndërgjegjësuar me qëllim që të kapërcehet pa dhimbje e gjak situata e rëndë që është krijuar.
21 shkurt 1991

Procesverbali, çfarë thanë Petrit Dume dhe Beqir Balluku para pushkatimit




Nga Afrim Imaj

“Fjalën e fundit!” Zëri kumbues i kryehetuesit shkreptiu si rrufeja, duke thyer heshtjen që pllakosi momentet e para kur tre të dënuarit u vendosën në vendin e ekzekutimit. Sakaq, ata filluan njeri pas tjetrit t’i përgjigjen urdhrit të tij, duke shqiptuar secili në mënyrën e vet atë që u vinte në mënd. Pastaj, tre breshëri shtrinë përdhe tre gjeneralët e shpallur tradhtarë.E ndodhur pasditen e 5 nëntorit 1975, diku përskaj kodrave të Linzës, në gjunjët e Dajtit, ngjarja mbeti e burgosur për shumë vite në kujtesën e një grushti njerëzish, të cilëve regjimi u besoi aktin e fundit të tragjedisë monstruoze. Më në fund, njëri ndër ta pas një mëdyshje tunduese mundi të thyejë heshtjen, duke kapërcyer përbetimin e dikurshëm se për gjëra të tilla do të rrëfehej vetëm në varr. U desh një odise e tërë me telefonata e ndërhyrje të shumta, për t’u ulur një ditë vjeshte te kafja e tij e preferuar në rrugën e Durrësit. Na tregoi në fillim se kishte qenë sëmurë dhe ishte kuruar disa ditë në spital. “Pleqëri”, shtoi pastaj shpërfillshëm me një zë autoritar. Sakaq fjalët iu rralluan dhe dukej sikur dëgjonte një mendim brenda vetes. Në fytyrë hera-herës i avitej një hije e kuqërremtë duke konturuar pamjen e një mase të veshur me një maskë prej hekuri.  “Fol, përse je munduar”, u hodh pa fshehur kërshërinë, duke më kapur për dore. Diku e ndjeu që e kishte tepruar me zymtësinë e tij dhe u mundua të shfaqej i sjellshëm. Një çast desha të dilja direkt në temë, por aty për aty hezitova. Sidoqoftë, diçka përmenda shkarazi dhe ai u gjallërua menjëherë. Fjala “mister” që përdora disi pa takt, i dogji dhe reagoi si ta kishte pickuar diçka. “Mister... për mua! Pa hë çfarë misteri na qenka ky?” Sytë e plakut u bënë njëherazi dinakë, gazmorë e çapkënë. Nuk kishte kohë për ta zgjatur më tej. Prandaj i fola hapur për historinë e gjeneralëve fatkeq, duke i kujtuar faktin se ai kishte qenë një nga dëshmitarët e paktë të çasteve të tyre të fundit. Sidoqoftë, as kjo nuk mundi të ndryshonte qoftë edhe një grim në pamjen e tij. “Kush të ka thënë?”. Fytyra iu mbërrol. Maska e fytyrës lëvriu. Për një moment u ndjeva keq dhe dyshova se mos kisha trokitur në derën e gabuar. Lëndimi i këtij burri të moçëm pastaj do më rëndonte shumë. Gjithsesi, tanimë loja ishte zbuluar e nuk mund të tërhiqesha. “Në qoftë se jam gabuar, mund të largohem”. “Jo, jo”, shtoi ai dhe më kapi sërish nga dora. “Atëherë mund të bisedojmë më shtruar”, ia ktheva. “Kush ju adresoi tek unë?”, u fut përsëri në bisedë dhe nisi të buzëqeshte lehtë duke më parë në sy. Aty për aty futa dorën në xhep dhe nxora dokumentin, që bënte fjalë për ngjarjen. Ia vura përpara dhe prisja me padurim si do reagonte. Ishte radha ime të vëreja si do t’i lëvrinin nervat e fytyrës. “Paske ardhur me dosje…. Mirë, po kadalë një herë… Duhet me qenë i saktë në të tilla sende…”


Teksa i hodhi një sy procesverbalit të firmosur para shumë vitesh, nisi të rrëfejë telegrafisht. Nuk bëhej fjalë për t’i bërë fotografi e për t’i vënë përpara diktofonin …
U kujtohet çasti kur morët për të ekzekutuar gjeneralët…
Si me ua thënë. Kanë kaluar vite qysh atëherë. Pastaj mosha, sëmundja, kanë bërë punën e vet…

E mbani mënd kush ua komunikoi urdhrin?
Urdhri, detyra speciale, siç i thoshim atëherë, për të tilla raste jepej drejtpërdrejt nga ministri i Brendshëm. Vet Kadri Hazbiu na i precizoi detyrat deri në detaje…
Ju thirri në zyrë…
Na dha detyrën, me atë mënyrën e tij. Kuptohet, ishim të zgjedhurit, të besuarit e tij. Kadri Hazbiu nuk e vinte lapsin kot. Prandaj…
Sa veta ishit që morët këtë detyrë?
Një rreth i ngushtë, tepër i ngushtë zyrtarësh dhe shoferi. Në fund të fundit çfarë duheshin të tjerët. Pastaj, veçoria e detyrës, shkalla e sekretit e kërkonte, që ngjarja të mbetej vetëm te pak njerëz…
E mbani mënd kohën, ishte dimër apo verë…
Vjeshtë besoj ishte. Më kujtohet që kur u kthyem, këpucët i kishim bërë tërë baltë. Një natë më parë kishte rënë shi i rrëmbyeshëm…
Në procesverbal thuhet se ekzekutimi u bë në vendin e caktuar…
Po, aty u bë. Në orën dhe zonën e caktuar…
Kush e kishte caktuar…
Organi kompetent. Në urdhrin e Kadri Hazbiut saktësohej ora 16:00 dhe fjala “vendi i caktuar”. Sa për këtë të fundit, ishim njohur më parë, bile e kishim shkelur me këmbë pëllëmbë për pëllëmbë…

Dokumenti, akuzat e Hoxhës për puçistët
E mbani mënd makinën me të cilën transportuat tre të dënuarit me vdekje…
Një gaz tip BC, në mos gaboj. Nga ato shtatë vendëshet. Me xhama të errët…
Si reaguan gjeneralët kur u nisët për te vendi i ekzekutimit?
Atë ditë e kishin humbur fare. Vetëm në pak orë ishin bombarduar me tre lajme të tmerrshme. Në mëngjes gjykata u komunikoi dënimin me vdekje (me pushkatim). Në drekë prokurori i njohu me përgjigjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që refuzonte kërkesën e tyre për t’u falur jetën. Pasdite doli urdhri për t’i çuar te vendi i ekzekutimit…
Pra, brenda një dite u mor vendimi i gjykatës, u bë apeli për falje, u kthye përgjigjja negative dhe u bë ekzekutimi i gjeneralëve…
Të paktën, unë kështu e kam fiksuar. Sidoqoftë, ka shkresa për këtë. Aty janë ruajtur të gjitha me korrektësi.
Nejse, ju ishit i pranishëm kur gjeneralët i hipën në makinën e ekzekutimit…
Kam qenë i detyruar ligjërisht, që këtë procedurë ta ndiqja nga fillimi deri në fund. Atëherë nuk bëhej shaka, ca më tepër me detyra të kësaj natyre që ishin shumë delikate…
U kujtohet reagimi i gjeneralëve kur i njohët me urdhrin për ekzekutim?
Këtë moment, me thënë të drejtën, nuk e kam parasysh. Më kujtohen vetëm disa psherëtima të tyre në çastet kur i nxorëm në korridor e u hoqëm skafandrat…
Pra, një lloj proteste…
Nuk ishte protestë. Më shumë një reagim nga befasia që shkaktoi tek ta rrëmbimi i papritur. Njëri ndër ta, Beqiri, në mos gabofsha, psherëtiu nën zë në vesh të Hito Çakos “Ku na çojnë”. Pastaj ky i fundit ia ktheu me një lloj ironie “Në dasmë, nuk e sheh ku na çojnë”. Vetëm kaq, fjalën “dasmë”, “dhëndër” dhe një lloj skërmitje të dhëmbëve të Hito Çakos mbaj mënd nga ai çast. Sidoqoftë, kjo vetëm në një moment, se veprimet duheshin bërë shpejt dhe ata i hipën në makinë për t’i çuar për te vendi i ekzekutimit…
Ku i çuat për t’i ekzekutuar…
Te vendi i caktuar thoshte urdhri, aty duhej t’i çonim patjetër…
Ku ishte ky vendi i caktuar…
Një copë vend, diku në një pyll të maskuar, i ruajtur nga afër e në distancë me masa të rrepta sigurie dhe…
Ju mendoni se ende mbetet sekret vendi i ekzekutimit të gjeneralëve…
Sekret ishte për atë kohë. Për tani, unë si me dëftye. Nejse, gjeneralët u pushkatuan diku në Linzë, në një kodër sipër zonës së “Rrapit të Treshit”. Ndanë një përroi e në krah të një borige të veshur me koçimare…
Mbërritët aty, cili ishte komunikimi i fundit me të dënuarit?
Komunikimi i fundit thotë ky. Nuk shkuam për Kuvend aty. Do zbatonim një vendim gjykate dhe vetëm kaq. Në rastin konkret ata ishin viktima dhe dihej se çfarë i priste. Të gjitha veprimet tona deri tek imtësia më e madhe, ishin përcaktuar në urdhrin dhe udhëzimet e Kadri Hazbiut…
I mbani mënd porositë e Kadri Hazbiut që zbatuat atë ditë?
Gjëra teknike më tepër që kanë të bëjnë me mënyrën e ekzekutimit, me llojin e armës dhe distancën nga viktimat…
Vetëm kaq. Nuk kishte ndonjë porosi të veçantë…
Janë në letra ato, me hollësi nuk më kujtohen të gjitha. Nga porositë e Kadri Hazbiut, mbaj mënd këmbënguljen për të regjistruar me korrektësi fjalët e gjeneralëve para pushkatimit. E kishte veçuar këtë edhe në urdhrin që kishte bërë me shkrim…  
Me një fjalë, para se t’i ekzekutonit u kërkuat që të shpreheshin…
Të dënuarve ua komunikoi këtë Nevzat Hazdenari. Ishim porositur t’i linim për t’u shprehur vetëm pesë minuta. Sa u urdhëruan për fjalën e fundit ta filluan njëri pas tjetrit të shqiptonin çfarë u vinte në mënd aty për aty. Pastaj, tre breshëri shtrinë përdhe tre gjeneralët e shpallur. I pari ra Petriti, pas tij Hitua e në fund Beqiri Balluku, që dukej sikur fjalët e fundit i kishin mbetur në grykë…
I mbani mënd fjalët e fundit të gjeneralëve?
Aty nuk kishte kohë për shumë gjëra. Ideja ishte për të marrë ndonjë mesazh, që nuk e kishin shprehur gjatë procesit. Më kujtohet që Beqir Balluku nuk foli fare. Petrit Dumja u shpreh “të rrojë partia e Shqipëria”. Ndërkaq, Hito Çakua me një pamje të egërsuar tha vetëm dy fjalë “mirë, bini, ç’prisni”…
Pastaj u kthyet e raportuat…
Kadri Hazbiu, me sa më kujtohet, kërkoi raport me shkrim për fjalët, që kishin thënë gjeneralët para pushkatimit. Na thanë të ishim të kujdesshëm, se këtë e kërkonte i madhi lart. Kam vrarë mendjen gjatë në atë kohë për këtë kërkesë të pazakontë, po… 
Pati ndonjë reagim pas këtij raporti për ngjarjen?
Ne bëmë punën tonë, raportuam për sa na kërkohej dhe u kthyem në detyrë. Ato ditë Partia kishte ndezur një fushatë të madhe për luftën kundër puçistëve, siç quheshin atëherë gjeneralët e pushkatuar dhe me detajet e çasteve të ekzekutimit të tyre, nuk u mor njeri. Me sa duket letrat tona u sekretuan në arkiva dhe mbetën aty. Këto histori kanë filluar të hapen vitet e fundit…
Vitet e fundit është konfirmuar se vëndvarrimi i tre gjeneralëve të ekzekutuar në nëntor ‘75 ka qenë në Vranisht të Vlorës, ndërkohë që ju thoni se i keni pushkatuar në Linzë…
Unë dëshmoj për atë që kam parë me sy. Bile e them me plot gojë që ekzekutimi i tyre është bërë në Linzë. Çka ndodhur më tej atë natë apo të nesërmen, unë nuk di gjë. 
Në raportin e ngjarjes që keni bërë nga vendi i ekzekutimit, thuhet se jeni vonuar 20 minuta nga koha e caktuar në urdhrin e ministrit…
Ka ndodhur vërtetë kështu. Teksa po merrnim gjeneralët për t’i çuar te vendi i ekzekutimit, njërin nga shoferët e caktuar për transportin e tyre e lajmëruan për një fatkeqësi në familje dhe u desh pak kohë sa për ta zëvendësuar…
Precedenti: Partizania që qëlloi Ramize Gjebrenë
“Në fillim qëlluam në ajër, pastaj shtimë drejt saj, për ta goditur nga këmbët. Ç’bëni, u marrosët!, klithi Ramize Gjebrea duke vështruar nga ne. Hito Çakua që e pa hezitimin tonë, u shkëput nga grupi ku qëndronte dhe me pistoletë në dorë u afrua tek partizania e dënuar. Ia vuri atë te koka dhe e shkrepi me rrëmbim disa herë. Ramizja u mbulua me gjak dhe ra në tokë pandjenja. Një heshtje varri pastaj pushtoi grumbullin e partizanëve që rrinin si të mpirë...” Rrëfimi i rrallë i S.L., ish-luftëtares së Brigadës së Pestë, u botua para disa kohësh te “Panorama”, duke zbuluar misterin e një ngjarje të shumëpërfolur. Për herë të parë, me dëshminë e saj u zbulua me detaje skena e çasteve fatale, e burgosur qysh atëherë në dosjen “Gjyqi partizan. Ekzekutim vendimi për cenim morali”. Padyshim që nuk e pati të lehtë, por sidoqoftë ish-pushkatarja ndjehej mirë, që më në fund i jepej mundësia ta kapërcente brengën e vjetër. Madje jo vetëm kaq, por në fund të rrëfimit S.L., na befasoi me një mesazh interesant. “Bëhet zhurmë, u shpreh ajo për të hapur dosjet, po më parë duhen hapur gojët e njerëzve. Të flasin dosjet e gjalla...”.
Urdhri i Kadri Hazbiut: Raportoni ç’thonë gjeneralët para pushkatimit
Në harkun e tetë orëve të një dite vjeshte janë nënshkruar tri dokumente zyrtare që kanë mbyllur procedurën e dënimit të tre gjeneralëve të shpallur puçistë e tradhtarë. Së paku në dosjen sekrete ku është hedhur e zeza mbi të bardhë, kjo shquhet pa shumë vështirësi, qoftë edhe me një vështrim të përciptë. Çuditërisht, ka ndodhur vërtet kështu: Vendimi për dënimin me vdekje të Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, përgjigjja negative e Presidiumit të Kuvendit Popullor për t’u falur jetën dhe dokumenti i ekzekutimit të tyre, mbajnë të njëjtën datë: 5 nëntor 1975! Pra, gjyqi ndaj gjeneralëve komplotistë, mbledhja e organit zyrtar për shqyrtimin dhe kërkesën për falje dhe pushkatimi i tyre është bërë në këtë ditë. Të tria aktet zyrtare, veç datës, mbajnë edhe orën e nënshkrimit. Firma e parë është hedhur në orën 10:00 të paradites dhe ajo e fundit, e cila i përket raportit për ekzekutimin e të dënuarve, i përket orës 16:00. Gazeta “Panorama” ka mundur të sigurojë urdhrin sekret të Kadri Hazbiut, ish-ministrit të Brendshëm për ekzekutimin e të dënuarve Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, në të cilin pasi bëhet i ditur refuzimi i kërkesës së tyre për t’u falur jetën nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, porositen ekzekutorët për zbatimin e vendimit të gjyqit në “vendin e caktuar”. Në të njëjtin dokument zyrtar, tërheq vëmendjen udhëzimi special i kreut të Sigurimit për të regjistruar fjalët e fundit të gjeneralëve para pushkatimit. Të përpiktë ndaj shefit, të besuarit e kryesigurimsit, pasi do të bënin ekzekutimin e gjeneralëve, do të raportonin me shkrim për aq sa dëgjuan nga goja e tyre. Në procesverbalin përkatës kanë mbetur të dokumentuara klithmat e fundit të gjeneralëve të martirizuar si puçistë e tradhtarë...
Urdhri: Pushkatoni në vendin e caktuar
URDHËR
Lënda: Mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të tre të dënuarve
        Ministrisë së Punëve të Brendshme
        Drejtorisë së Hetuesisë 
                    TIRANË
    Për njoftim Prokurorisë së Përgjithshme
                    TIRANË
Në bazë të Vendimit Nr.10 datë 5 nëntor 1975 të Gjykatës së Posaçme Ushtarake janë dënuar me vdekje (pushkatim) personat Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako.
Meqenëse Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën numër 850, datë 5 nëntor 1975 njofton refuzimin e kërkesës për faljen e jetës së tyre
                    URDHËROJ
Që të dënuarit Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako të ekzekutohen me vdekje (pushkatim) në vendin e caktuar më datë 5 nëntor 1975 ora 16:00
Për ekzekutimin e tyre, ngarkoj grupin e caktuar të Drejtorisë së Hetuesisë. Para se të ekzekutohen të njoftohen të dënuarit e sipërpërmendur se kërkesa për faljen e jetës, u refuzua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Pas ekzekutimit, i ngarkuari me punë duhet të bëjë procesverbalin e ekzekutimit të vendimit që mban edhe fjalët e fundit të të ekzekutuarve.   
            Ministri i Punëve të Brendshme
                Kadri Hazbiu

Raporti: Fjalët e fundit të gjeneralëve
PROCESVERBAL
Në Tiranë, më 5/XI/1975
Në bazë të urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme Nr.850 datë 5/XI/1975, ora 16:00, në vendin e caktuar në prani të prokurorit Murat Kanani dhe të mjekut Nevzat Vigani, nga unë Nevzat Haznedari, i ngarkuari i Drejtorisë së Hetuesisë, u ekzekutua vendimi me vdekje për armiqtë komplotistë Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako.
Para ekzekutimit secili nga këta armiq u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi kërkesën e tyre për faljen e jetës. Mbas kësaj ata thanë:
   
1. Beqir Ali Balluku – Nuk foli fare
2. Petrit Taulla Dume – “Të rrojë populli, të rrojë partia”
3. Hito Shaqo Çako – “Mirë”
Në përfundim u krye ekzekutimi i tyre nga unë Nevzat Haznedari dhe pasi u kontrolluan nga mjeku Nevzat Vigani, u konfirmua vdekja e tyre
Nevzat Haznedari    Murat Kanani     Nevzat Vigani
Tiranë, më 5. XI. 1975

jyqi i Beqir Ballukut, si iu sulën oficerët “ta hanin të gjallë”



Beqir balluku ne sallen e gjyqit, Çaste para komunikimit te vendimit per denimin me vdekje, pushkatim
Si u zhduk Beqir Balluku


Beqir Balluku

Beqir Balluku lindi me 14 shkurt 1917, ne Tirane. Ai studioi ne Shkollen Teknike te Tiranes dhe u perfshi shpejt ne levizjen komuniste. Ne vitin 1943, u caktua komandant i batalionit partizan “Kruje Ishem”. Ne vitin 1943, u emerua komisar i brigades se trete dhe me pas komandant i Brigades se Dyte. Pas clirimit te Shqiperise ishte emeruar kryetar i Shtatmadhorise se Ushtrise. Kreu ne Moske Akademine Ushtarake “Voroshillov”. Ne kongresin e pare te Partise Komuniste te Shqiperise u zgjodh anetar i Byrose Politike dhe ne vitin 1952 minister i Mbrojtjes Popullore. Ai ishte gjithashtu zevendeskryetar i Keshillit te Ministrave. Mori graden me te larte ne ushtrine shqiptare, ate te gjeneral-lejtnantit. Balluku ishte deputet i Kuvendit Popullor dhe “Heroi i Popullit”, ndersa ne vitin 1974 u akuzua si organizues i veprimtarise puciste ushtarake. U denua me vdekje dhe u pushkatua me 5 nentor 1975 per tradhti te larte ndaj atdheut.

Beqir Ballukun e kam njohur pak, madje me të nuk jam takuar asnjëherë. Por them se si njeri ka qenë i mirë. Nga shumë njerëz kam dëgjuar se ka qenë babaxhan. Me sa më kujtohet, kishte kërkuar edhe dorëheqjen rreth vitit 1972-1973, por nuk ia pranuan. Në Luftën Nacionalçlirimtare ka qenë komandant çete e më pas komandant brigade. Njihej si një nga atentatorët më të mëdhenj të Tiranës, bashkë me Lym Ketën dhe Adnand Qatipin. Thënë shkurt ishte burrë trim. Në shumë shkrime kam lexuar se Balluku ishte ndoshta më besniku i Enver Hoxhës dhe e çmonte jashtë mase. Në këtë pikë bashkohen të gjithë. Në vitin 1960, kur Enver Hoxha e Mehmet Shehu ishin në Moskë, atij iu la në dorë Shqipëria. Pra, në qoftë se do të dyshohej se ishte armik, ai i kishte mundësitë që të çonte në fund dëshirat, apo idetë e tij. Por jo, ai ishte besnik dhe i qëndroi me ndershmëri besimit të drejtimit të shteti,t për sa kohë Enveri dhe Mehmeti ishin në Moskë.
Mbledhja në Durrës, prill 74
Kam qenë prezent në gjyqin që iu bë para kuadrove kryesorë të ushtrisë, në prill të vitit 1974, si “armik e agjent”. U mblodhëm në Durrës, me vendqëndrim në Golem të Kavajës, me çadra me fjetje, ushqim e përgatitje për tre ditë. Mbledhja për diskutime e gjykime bëhej në vilën e Zogut, në kodrat e Durrësit, për tre ditë të tjera. Gjithsej 6 ditë. Merrnin pjesë komandantë e komisarë korpusesh, nga një komandant brigade për çdo Korpus dhe drejtorët e Ministrisë, Drejtoria Politike e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet.
Materiali i Beqir Ballukut
Veli Llakaj dhe Beqir Balluku
Që në ditën e parë na dhanë një material afro 100 faqe, pa emër dhe na thanë të përgatiteshim për diskutim, se ku qëndron mospërputhja e këtij materiali me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. (Materiali ishte një studim, lloj luftimi, për shkallën e dytë të luftës popullore, domethënë një lloj luftimi që organizohet kur pushtohet i gjithë vendi, sipas eksperiencës së Vietnamit. Këtë studim e kishte bërë një grup i madh, me në krye Beqir Ballukun dhe ishte shtrirë për njohje e vërejtje deri tek komandantët e korpuseve, të cilët kishin dhënë mendimet e tyre. Në rangjet e tjera nuk njihej asgjë. Pra, studimi nuk kishte përfunduar dhe as që diskutohej për ta përdorur). Filluan përgatitjet. Ditën e parë, askush nuk e dinte emrin se kush e kishte bërë materialin. Ditën e dytë, Hito Çako, aty para çadrave tona, bisedonte me një oficer dhe me zë të lartë u shpreh: “Thonë se këtë material e ka bërë shoku Beqir”. Ndërsa tjetri u përgjigj: “S’ka gjë, le ta ketë bërë, ne do të diskutojmë”. Kaq u desh dhe të gjithë morën vesh se materiali pa emër ishte i Beqir Ballukut. Tema e studimit ishte një lloj luftimi e strategjie ushtarake e huaj, studim i papërfunduar, ku ruhej sekreti deri tek komandantët e korpuseve. 

Në fund të fundit, pse të mos përgatiteshin oficerët shqiptarë për këtë strategji (luftim)?! Mirëpo e keqja qëndronte në atë, si ta themi ne, që u pushtua i gjithë vendi? Po nëse pushtohej si Vietnami? Këtë nuk ia mbante njeriu ta thoshte. Por edhe kjo është një përshtypje e vogël. Në fund të fundit ishin hipoteza, ishin ide luftimi, ishin mënyra përgatitjeje.
Gjyqi në Vilën e Zogut 
Në ditën e katërt me autobusët e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore shkuam për diskutim tek “Vila e Zogut”. Atje erdhi Mehmet Shehu. Aty ndodhej edhe Beqir Balluku dhe askujt s’ia merrte mendja se Beqiri do të ishte tabela e qitjes. 

Pastaj dihej besnikëria e tij ndaj Enverit, sikundër dhe kontributi i çmueshëm në luftë. Por me thënë të drejtën të gjithë ishim në ankth. Askush nuk ishte i qartë se çfarë do të bëhej. Ishin momente të vështira, tejet dramatike. Diskutimi ishte me shumë përgjegjësi. Një fjalë e pakujdesshme dhe si dihej si merrte udhë e ardhmja e gjithkujt. Por kryesore ishte se ende nuk dihej qartë se ndaj kujt do të drejtoheshin “silurët”.
Akuza e Mehmet Shehut
Në fakt Mehmet Shehu lexoi raportin e Byrosë Politike. Në këtë raport dënohej veprimtaria armiqësore e ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut. Por kryeministri më parë komunikoi dhe vendimin tjetër të Byrosë Politike që Petrit Dume dhe Hito Çako emëroheshin zëvendësministra, Sami Meçollari, Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe ministër i Mbrojtjes, Mehmet Shehu. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe Hysni Kapo dhe Kadri Hazbiu. Të gjithë të pranishmit, që nga shokët e byrosë Mehmeti, Hysniu, Kadriu (këta ia kishin thënë edhe në Byro), pastaj Hito Çako e Petrit Dume dhe gjithë drejtorët e komandantët që diskutuan, i thanë “armik” dhe “agjent” Beqir Ballukut, duke i mohuar të kaluarën. Beqiri rrinte si i ngrirë. Një fytyrë i vinte një i ikte. I dukej e pabesueshme, ndoshta, që ai më i besueshmi deri dje të diskutohej për tradhti dhe kundër vijës së partisë. Ishte një frymë shumë mbytëse. Të gjithë ata, që deri dje i thurnin lavde, tani ju sulën duke i thënë një mijë e një të zeza. Unë s’dija ç’të thoja (megjithëse isha i përgatitur me shkrim). Ishte ende një terren i panjohur për mua. Më dukej si një ëndërr kjo skenë, për të mos thënë si një film imagjinar. Kisha fituar një respekt të veçantë për atë njeri të luftës dhe babaxhan. S’ia hiqja sytë dhe s’mund ta besoja. Në fund të fundit edhe në plan gjithçka ishte imagjinatë. Por çudia e dytë ishte, se, ata që u emëruan zëvendësministra, Hito Çako e Petrit Dume, krekoseshin, dhe as që u shkonte mendja se më vonë do ta pësonin edhe ata.
Të gjithë kundër Beqirit 
Me të vërtetë ishte e dhimbshme për të mos thënë e pabesueshme. Drejtorë dhe komandantë (shumica) kur Beqir Ballukut iu dha fjala nga Mehmet Shehu (që drejtonte mbledhjen) për të diskutuar, sa ishin në sallë nuk e lanë të diskutonte. Pjesa dërrmuese e ushtarakëve i drejtohej Mehmetit njëzëri se, “nuk e duam armikun të diskutojë, nuk e duam agjentin në tribunë”. Dy-tre herë Mehmet Shehu u tha: Ta lëmë të diskutojë. “Jo, jo”, – u përgjigjën në kor drejtorët. Aq e madhe ish kjo histeri sa sikur të thuhej edhe një herë nga drejtuesi, Mehmet Shehu, për të diskutuar Beqiri, rrezik se do t’i thoshin edhe Mehmetit që je i molepsur edhe ti në punën armiqësore. Mehmeti ishte i zgjuar. E kuptoi drejt situatën. E dinte si duhej vepruar me ushtarakët se kishte shumë vite që punonte me ta. Ndaj heshti. Nuk kuptohej nëse i vinte keq për Beqirin apo jo. Kadri Hazbiu shikonte vetëm nga salla. Askush nuk e kuptonte se çfarë shprehte shikimi i tij.
Çudia me Petrit Dumen 
Me të vërtetë sjellja e tij më çuditi. Për shembull, Petrit Dumja kishte shtruar një rrip me çimento, nga çadra deri në vijën e ujit, që të mos i shkelnin këmbët në rërë. Mbështetej në trupin e shoqëruesit për t’u thekur në diell. E shijoi Golemin e atyre ditëve në mënyrën më të bukur të mundshme, kur ne të gjithë ishim paksa në ankth.  Menjëherë  pas dënimit të Beqirit, filloi të bënte vizita familjare në ishullin e liqenit të Vaut të Dejës. Domethënë ende pa përfunduar skenari i dënimit të Beqirit, ai filloi të manifestonte gjithë ato gjëra, veprime negative që dënuan edhe Beqirin.
Ditë të vështira në ushtri 
Nga fundi i vitit 1974, (tetor, nëse nuk gaboj) kur u bënë ndryshimet e mëdha pas dënimit të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, e Hito Çakos unë u emërova  Drejtor i Përgatitjes luftarake në vend të Nikollaq Sallabandës. Vendimin e Byrosë Politike për  këto ndryshime  e bëri  Mehmet Shehu në Ministrin e Mbrojtjes Popullore. Më parë ai komunikoi shkarkimet e “Kastës ushtarake “siç u quajt në atë kohë dhe pasi i nxori jashtë sallës u tha atyre që në mëngjes të vinin në zyra e  të bënin dorëzimet. Me daljen  e tyre jashtë, bëri emërimet tona, kështu që të shkarkuarit nuk dinin se kush do t’i zëvendësonte. Ne morëm detyrën që brenda 2 orëve të mëngjesit  të zëvendësonim të parët. Nikollaqi u vonua ndonjë orë, nuk e di përse. Më vonë, më thanë se erdhi. U fut në zyrën e tij dhe po qante siç më tha Marku. I thashë lëre të qajë, më vinte rëndë ta gjeja duke qarë. Shokët e drejtorisë e shihnin gjendjen. Kur mendova se do ish qetësuar shkova në zyrë dhe i thashë se në vend të tij isha emëruar unë. Bëri ato pak dorëzime dhe unë mblodha shokët e drejtorisë për t’u takuar, por ai nuk i takoi siç ua thashë më sipër, se i kishte duart me mikrobe. Nga sa mora vesh  nëpërmjet organizatës bazë të partisë mikrobet ishin disa dreka e darka që kishte shtruar për Beqir Ballukun kur ishte komandant Korpusi në Fier, por edhe për disa gjela që i shkonin Beqirit për vitin e ri.
Akuza e papritur
Ishte koha, kur me largimin e Veli Llakajt u emërova Shef i Shtabit të Pergjithshëm dhe zv. i parë i ministrit të mbrojtjes. Pa u mbushur 10 ditë  nga emërimi, në KQ mbërriti një letër e firmosur nga Luto Haskaj dhe Servet Demiri komandant i Brigadës së Tankeve  në Vorë, të cilët njoftonin se Kiço Mustaqi kur ishte komandant i Korpusit të Tiranës kishte përpiluar plane për asgjësimin e Byrosë Politike, në kohën që ata do të vinin me pushime në Durrës. Këtë letër Simon Stefani që mbulonte ushtrinë si sekretar i KQ dhe anëtar i BP, ma jep mua e më thotë: shko në Korpus dhe zgjidhe këtë punë. Epo, i thashë Lutua të më akuzoj mua? Duhet dhe një oficer i tretë, i them. Më tha shko se i dimë ne këto punë. Të paktën më jepni një instruktor i thashë. Jo, tha as atë s’ta japim, shko vetë. Shkova në Korpus në zyrën e komandantit dhe thirra komandant, komisar, sekretar korpusi, shef shtabi korpusi dhe komandantin Brigadës së Tankeve – Servet Demirin. Me qëllim që të mos e merrnin vesh arsyen e vajtjes u thashë; kam një material do ta lexoj, do të flas unë i pari, pastaj të flasë kush të dojë. Edhe mbylljen do ta bëj unë, dhe pasi do ta mbyll, juve jeni të lirë të bëni si të doni. Pasi lexova letrën u mor vesh pse kisha vajtur. Duke diskutuar i pari u thashë se shoku Luto e Servet kanë vepruar drejt dhe kushdo nga ne që dyshon për të keqen që mundet t’i vijë  njërit apo gjithë  byrosë  politike  bënë  mirë  që ta informoj menjëherë, partinë. Ndërhyri Lutua e tha mos u tall. I thashë se kjo është letra jote, unë e kam seriozisht dhe ti e ke vonuar tre vjet. Unë kam tre vjet që kam ikur, duhej njoftuar më përpara  por ajo që është  më kryesorja  që dua t’ua them është se ato plane janë për ta mbrojtur Byronë Politike  e jo për ta asgjësuar. Po të keni kundërshtime shkruani ku të doni. Është  turp i madh u thashë të godasësh pas shpine shokët me të cilat ke punuar etj, etj. U mbyll ky problem me Luton i cili ishte dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH.
vijon nesër…
Dilaver Poçi, gjenerali që përfundoi në Cërrik
Dilaver Poçi me gradën “Gjeneral Brigade”, në kohën kur kryente detyrën e drejtorit të Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore
Dilaver Poçi ka qenë një nga strategët më të mirë të politikës ushtarake, por që pati fat shumë të hidhur. Jemi të çuditshëm një pjesë e madhe nga ne shqiptarët. Sot të duartrokasim fuqishëm, ndërsa nesër të vrasim. Pas Beqir Ballukut, vazhduan më vonë analizat në parti e në komanda. Krerët u pushkatuan, të tjetër u dënuan me burgje e internime. Një ndër ta ishte edhe Dilaver Poçi. Ai u internua në Cërrik se e kishte marrë materialin e studimit të Beqir Ballukut dhe nuk e kishte lexuar. Ndoshta nuk i kishte bërë përshtypje. Ky nënvleftësim nuk do të kalonte pa rënë në sy. Kjo indiferencë ishte me pasoja. S’ishte pa siklet. Kjo harresë ndryshoi dhe fatin e tij. Por, kush ishte Dilaver Poçi? Ai ishte një gjeneral me përvojë dhe i përgatitur në mënyrë të shkëlqyer në fushën politike, ndërsa atë ushtarake ua linte komandantëve. Ishte shumë teorik dhe praktik në profesionin e tij si komisar, i pjekur dhe metodist i shkëlqyer në drejtimin e punëve të partisë. Të paktën kështu e kam njohur unë atë, kur ishte komisar korpusi në Shkodër, ndërsa unë isha komandant brigade dhe anëtar i Komitetit të Korpusit. Kur bënte biseda politike edhe me civilët e Shkodrës, nga niveli i lartë i bisedës, jo vetëm që mbretëronte vëmendja e qetësia, por dëshironin që të zgjatej edhe mbi orarin e caktuar. Para internimit, Dilaveri ishte drejtor politik i ushtrisë. Pra, kam pasur këtë njohje, ai epror dhe unë vartës i tij direkt. Jam  plotësisht i bindur që materialin e kishte lëne në kasafortë. Duhej internuar ky njeri? Kështu u veprua edhe me shumë të tjerë. Edhe pas internimit, Dilaver Poçi ka mbajtur qëndrim të shkëlqyer, nuk  lajthiti djathtas e majtas, por ndoqi parimet e drejta të demokracisë së vërtetë pa kaluar në ekstreme, siç ndodhi me ca kuadro të vjetër. E kam kujtuar gjithmonë me respekt. Korrekt, njerëzor, i respektueshëm, i dashuruar me librin. Mbi të gjitha nuk merrej me fjalë boshe. Ishte një komisar tipik me karakteristikat më të mira.
Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, dyshja më e besuar e Enverit
Mehmet Shehun e kam vlerësuar si njeriun e duhur në punët e mëdha të partisë, ekuilibratorin dhe rregullatorin në marrëdhëniet në Byronë Politike, zyrtari më i duruar dhe i besuar në udhëheqjen e lartë të Partisë. Kam pasur rastin ta dëgjoj Mehmet Shehun kur diskutonte për çështje të kuadrove të larta. Mehmet Shehu gjithmonë i thoshte Drejtorit të Kuadrit, t’i shikoj njëherë shoku Hysni, pastaj kalojani shokut Enver. Pra Mehmet Shehu kishte besim absolut tek Hysni Kapo. Ose më mirë duhet thënë se Hysniu dhe Mehmeti, jo vetëm ishin udhëheqësit më të shquar për partinë e pushtetin, të cilët kombinonin shkëlqyer me njëri-tjetrin, por në sytë e mi, ata përbënin çiftin më të mirë e më të besueshëm për Enver Hoxhën. Shkurt problemet që kalonin në duart dhe gjykimin e këtyre të dyve garantonin, siguri, besim, saktësi, zhvillim, perspektivë e të ardhme…

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...