Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/05/11

Ese nga Zhuliana Jorganxhi : Fajtor pa faj



View fotografi...jpg in slide show
Nga Eshref Ymeri


I nderuar zoti Flori,

Ju lutem, botojeni këtë ese mjaft tronditëse të poeteshës së shquar, zonjës Zhuliana Jorganxhi. Eseja është një aktakuzë e rëndë që zonja Jorganxhi i ka ngritur komunizmit të urryer enverian që vrau sa e sa përfaqësues të shquar të inteligjencies shqiptare, midis të cilëve edhe inxhinierin dhe piktorin e shquar Enriko Veizi.

 Esenë ma përcolli një miku im nga Miçigani, të cilit ia kishte dërguar nga Italia kunati i zonjës Jorganxhi, zoti Kostandin Leka.

Thelbi i esesë së zonjës Jorganxhi nxjerr në pah pikërisht dëshpërimin e thellë të të gjithë të përndjekurve politikë për faktin që klasa politike e Tiranës që erdhi në pushtet pas vitit 1990, nuk organizoi një Nurenberg të posaçëm kundër komunizmit kriminal shqiptar.

 Mendoj se eseja demaskuese e zonjës Jorganxhi duhet të shërbejë si një leksion mjaft kuptimplotë për të gjithë enveristët trushkundur që ende vazhdojnë të vegjetojnë në mbarë trojet tona etnike.

 Me respekt.


Prof.Dr. Eshref Ymeri 


Santa Barbara, Kaliforni 10 maj 2011


********



 Zhuliana Jorganxhi


 ESE  NGA ZHULIANA JORGANXHI :  FAJTORI PA FAJ 


 Kujtimit të shkencëtarit të shkëlqyer dhe artistit të madh Enriko Veizi


 

 Tani mbi mua ka rënë heshtja e mortit. Koka më ka mbetur e kthyer pak nga ana e djathtë, ku rri ime bijë, Enida. Ime shoqe, Ema, më rri mbi krye. E shkreta ajo ç’ka hequr me dhe pa mua! Pranë saj rri nëna, që nuk heq nga goja fjalët: "I bukuri i nënës, ku po më ikën kështu? Ta shkurtuan jetën katilat, o bir?! Ç’më duhet tani mua jeta pa ty, o bir i nënës, bir!" Ime motër, Tefta rri pranë sime bije dhe qan në heshtje. Dy binjakët, Enoja dhe Endri, ende nuk kuptojnë, që më kanë dhe për pak orë. Të dy rrinë pranë e pranë dhe presin burrat, tek dhoma e tyre. Rrinë të hutuar dhe s’flasin dot një fjalë. Me ta është dhe im vëlla Genci. Njerëzit nuk pushojnë së ardhuri sot në shtëpinë time. Ka dhe prej tyre, që më braktisën atëhere mua dhe gruan time dhe sot nuk pushojnë duke më numëruar të mirat! Çdo gjë filloi atë ditë të enjte, të gjashtë shkurtit njëmijë e nëntë qind e tetëdhjetë e gjashtë. U zgjova atë mëngjes si çdo ditë, hëngra mëngjesin me pak qumësht të blerë nga gruaja , një ditë më parë, pas një rradhe të gjatë, që në orën tre të mëngjesit. Piva me të kafen dhe u nisa. Ajo, atë ditë do të shkonte në Durrës, se kishte një rast vdekje në farefisin e saj. E kujt i shkonte mendja, se aty rreth orës dhjetë, do të hynin në zyrën time kryetari i degës së qytetit dhe dy civilë dhe do të më thoshnin ato fjalë, që i thuheshin atëhere "armikut": " Gjergj Veziri, në emër të popullit je i arrestuar!". Më hodhën prangat në duart dhe as më lanë të veshja pallton, por më nxorrën nga zyra dhe në oborrin e ndërmarrjes pashë "gazin" e Degës. Hyra aty dhe u ula në sediljen prapa mes dy civilëve. Prej atij çasti s’isha më njeri i lirë. Jeta ime kishte pushuar atë ditë. Tani isha një "i hetuar" nga hetuesia e qytetit, e atij qyteti, ku kisha punuar për gati njëzet e katër vjet. Ishte një çerek shekulli punë! Këtë, që po provoja unë e kishin provuar më parë miqtë e mi, të cilët ishin burgosur dhe dënuar rëndë. Ishte një kohë, që sikur ishin ndalur këto arrestime dhe dënime në sektorin e naftës, por isha gënjyer. Enver Hoxha kishte gati një vit që kishte vdekur. Me të kisha pasur rastin të takohesha dikur me një grup bashkëpunëtorësh të mi. Kishim marrë krahë nga ai takim. Kishim kujtuar, se mund të punonim të qetë, sepse ai, koka e udhëheqjes na kishte takuar dhe vlerësuar, por ja s’kishte kaluar pak kohë dhe mbi sektorin tonë ai lëshoi përsëri rrufetë e tij. Inxhinierë të zotë si Kosta, ai që dikur kishte udhëhequr diplomën time dhe ishte bërë mik i familjes, siç kisha marrë vesh kishte vdekur në tortura. Drejtor Nashua ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Për të kisha dëgjuar, se e kishin pushkatuar dhe ja tani pikërisht pas vdekjes së Enverit erdhën prangat në duart e mia. Ku kisha gabuar? Po Ema me fëmijët ç’bëjnë tani? Ç’do bëhet me ta? Do t’i heqin me siguri nga qyteti, do t’i internojnë? Kush ishin ata që kishin urdhëruar arrestimin tim? Para pak muajsh, tek ne kishin ardhur ata dy nga lart, njëri dikur kishte qënë inxhinier mekanik, kurse tjetri shofer. Byroja politike vit pas viti ishte "zbrazur" nga "garda e vjetër" dhe në vend të tyre ishin "ngjitur" karrocierët, shoferët dhe mjelëset e lopëve! Ata të dy, as që kishin zbritur nga makina atë ditë, por siç duket kishin shkuar lart dhe raportuar, se aty në "naftë" ka sabotim, se aty "angjetura" e huaj kishte vepruar me duart e mia dhe të Taqos, drejtorit tim. Ema, siç mësova pas "lirimit" tim, atë mbrëmje ishte kthyer nga Durrësi. Kishte thirrur nga poshtë pallatit emrin tim, por asnjë përgjigje. Kishte ngjitur shkallët dhe kishte hapur derën e apartamentit tonë, aty në katin e dytë. Prapa derës rrinin të tmerruar të tre fëmijët. -Mami! Mami! Kanë arrestuar babin!-i kishte thënë vajza me një zë që shprehte tmerr dhe llahtarë. Apartamenti ishte kthyer përmbys. Njerëzit e Sigurimit kishin kontrolluar çdo cep të tij. Emës i ishte marrë fryma një çast, pastaj kishte përmbledhur veten. I kishte mbështjellë me krahët e saj të tre fëmijët dhe kishte filluar të qante me dënesë. Fëmijët qanin me të. Vajza, gjashtëmbëdhjetë vjeçare, Enida, dridhej nën dënesa. Ajo ishte shumë e lidhur me mua, po ashtu dhe njëri nga binjakët dhjetëvjeçarë, Enoja. Atë mbrëmje Ema u mundua të qetësonte fëmijët, t’iu përgatiste atyre darkën, por mendja ishte tek unë. Kishte kaluar ora dy e natës, kur kishte dëgjuar një trokitje të lehtë në derë. I ishte afruar asaj e trembur. "Kush do të ishte ai, që guxonte t’i trokiste në këtë orë në derën e saj me burrin, tani një i arrestuar? Mos ndonjë fqinj?" -Hape Ema! Jam unë Xhaviti! Hape të lutem! Xhaviti, ishte hetuesi, që gjer atë kohë të ditës dhe natës ishte marrë me mua. Ishte marrë me mua, do të thoshte, që aty në atë dhomën e errët të hetuesisë, unë i lidhur me duar prapa pas një karrigeje metalike, të ngulur në çimento, prisja papushim goditjet e tij. Grushte në fytyrër, shkelma në kurriz, në bark dhe gjoks. E njihja, se ai hiqej si "shok" e "mik" i ne intelektualëve të qytetit, aq më shumë, që kur u zgjodha dhe kryetar i degës së Lidhjes në këtë qytet. Pikturat e mia kishin zënë vend në shumë ekspozita të qytetit dhe në ato kombëtaret kisha fituar çmime. Piktura kishte qënë dashuria ime e parë! Kisha filluar të pikturoja qysh fëmijë. "Ata", siç më tregonte më vonë Ema, kur kishin përmbysur shtëpinë tonë i kishin marrë ato si "prova". Kishin rrëmbyer edhe disa katalogë pikturash, që unë kisha mundur të sjell nga ato dy rrugë që pata bërë jashtë shtetit. Ato albume pikturash do të bënin dhe një "dëshmi" tjetër kundër meje, si njeri që pëlqeja artin e huaj, kurse "daljet jashtë shtetit" për shkëmbim eksperience, do të ishin si shkak për të më ngatërruar me agjenturat e huaja!... Unë me agjentura të huaja?! Unë, që kur shkoja në institutet jashtë dhe shikoja sa kishte ecur shkenca, ndjehesha ngushtë dhe më vinte turp për dijet e mia të kufizuara në krahasim me ato ku kishte arritur bota e kërkimeve në naftë. Më vinte të qaja, që kishim mbetur aq prapa botës! Unë, që çdo eksperiencë të fituar aty, mundohesha, që sado pak, brenda mundësive të vendit tim ta vija çdo ditë në jetë. Aty në atë dhomë të errët qelie, pas torturave të tmerrshme, ndjeja se si një zhgënjim i dhimbshëm pushtonte gjithë qënien time. Kisha sakrifikuar gjithçka për punën time, nga që e dashuroja atë. Kisha sakrifikuar familjen, gjumin, pushimet e mia vjetore dhe përse?! Që një ditë të përfundoja këtu në këtë qeli me damkën e armikut sabotator!... Mëngjesi e kishte gjetur me sy të enjtur. Kishte bërë gati çajin për fëmijët, i kishte lënë porosi Enidës dy binjakët dhe ishte nisur për punë. Rrugës ecte kokëulur. Nuk donte të takonte njeri as me sy. Ajo ishte kryeinxhiniere në fabrikën e makaronave. Ç’do bëhej tani me të? Mos do ta internonin? Po ai, Gjergji, burri i saj çfarë kishte bërë, që e kishin arrestuar ? Kishin punuar një jetë, ai si nëndrejtori i Institutit të studimeve të naftës dhe ajo në fabrikë. Mos vallë kishte vënë firmën në ndonjë projekt të gabuar, që mund të quhej me atë fjalën e tmerrshme "sabotim"?! "Sabotatorë në naftë" "ishin zbuluar" gjatë gjithë kohës, që kur ajo njihte Gjergjin dhe kishte prej tyre që ishin dënuar dhe me pushkatim… Për pak sa nuk u përplas me dikë. Ishte Petriti, një punëtor i Azotikut, me të cilin e lidhte një krushqi e largët. -Bëju e fortë!-i tha ai në vend të përshëndetjes "mirëmëngjes!"-Do të jetë bërë ndonjë gabim. Gjergjin unë e kam si vëlla. -Ik-i tha ajo me zë të dredhur-ik dhe mos më tako më! Por, ai sikur të mos kishte dëgjuar gjë vazhdoi: -Për çdo nevojë mua më ke pranë. Nuk kam si t’ia harroja për gjithë jetën atij mikut tim, Petritit, që për sa vite unë lëngova burgjeve iu ndodh pranë familjes sime. Nuk ia harroj as mikut tim shkrimtar Aliut, që një ditë kishte takuar nënën time dhe i kishte dhënë një stekë me cigare për të m’i sjellë mua në burg. Ato cigare ishin shenjë e mikut që nuk më kishte braktisur dhe nuk më kishte harruar. Ema, nuk kishte filluar mirë punën, sa kishte veshur përparësen e bardhë në laborator, kur kishte hyrë sekretari i partisë i fabrikës dhe pa e përshëndetur i kishte thënë: -Ema, të kërkojnë në komitetin e Partisë. Kishte hequr përparësen, kishte veshur pallton dhe kishte dalë nga fabrika. -Ti duhet të dish për tët shoq shumë gjëra-i kishte thënë sekretari i dytë i komitetit. -Hapju Partisë! Ajo duhet t’i dijë të gjitha. Ai yt shoq vazhdon të heshtë. Nuk do të pranojë asgjë! -Unë s’di asgjë përse e kanë arrestuar-tha Ema pa e parë në sy. -Mendoju mirë, ne ty të kemi zgjedhur në forumet e larta të gruas. Je në kryesinë e këshillit të përgjithshëm të BGSH-së. Mendo për fëmijët e tu, se ai yt shoq nuk ka menduar për ju! Ema heshtëte. -Ik tani-i kishte thënë më në fund sekretari - ne jemi këtu dhe presim të na ndihmosh. Ema kishte thënë si nëpër dhëmbë "ditën e mirë!" dhe kishte dalë nga ai prag i komitetit të partisë më e vrarë se sa kishte hyrë. "Ç’kërkojnë nga unë?!" pyeste veten. Ndjeu se për pak po i thyheshin gjunjët. Kishte kaluar natën më të tmerrshme të jetës së saj. Pas asaj dite, atë e kishin ulur nga përgjegjësia si kryeinxhiniere dhe e kishin çuar inxhiniere në prodhim. I kishin bërë mbledhje kolektivi, ku kishin kërkuar të "dënonte" mua, burrin e saj, shokun e jetës për njëzet vjet! Ajo ishte ngritur dhe kishte thënë: "Partia i di të gjitha. Nëse im shoq Gjergji, do të ketë faj le ta dënojë!" Mbledhja e kolektivit kishte kaluar si kishte kaluar, por ajo e këshillit të gruas së rrethit kishte qënë më e mundimshmja për Emën. Aty, gjithë ato gra, dikur "shoqe" të saj të plenumeve dhe kongreseve të gruas, ishin ngritur dhe kishin folur gjithë mllef gati gjer në shkumëzim për atë "armikun" Gjergj Vezirin dhe kishin kërkuar, që dhe ajo, si bashkëshorte e tij "të mbante qëndrim dhe ta dënonte"… Nga qytetet ku banonin, kishin erdhur që të nesërmen e arrestimit im vëlla i vogël Genci dhe ime motër Tefta. Genci kishte blerë një stekë prej dhjetë paketa cigaresh dhe kishte shkuar me njëherë në degën e brendshme të merrte vesh se ç’bëhej me mua. Ime motër nuk kishte marrë guximin të vinte në atë derë. Burri i saj ishte oficer dhe ajo kishte frikë mos merrej ndonjë masë edhe kundrejt tij, si kunat i një të arrestuari. Nga bodrumi, ku kisha tani njëzetë e katër orë i mbyllur, nga ajo dhomë e errët, kishte dalë ato çaste hetuesi im, më mirë të them "torturuesi" im, Xhavit Korrja. Krahëve, siç më tregonte më vonë im vëlla, kishte hedhur një nga ata xhupat me jakë peliçeje, që mbajnë ushtarakët. Qeshte me të madhe me një nga hetuesit e tjerë të degës. Në dorë mbante ndezur cigaren. Im vëlla, Genci e njihte. Kishin qënë dikur shokë të një klase në shkollën e mesme. Zemra e tij sikur ishte ngrohur pas atij kallkani që kishte kaluar. I ishte afruar me ndrojtje Xhavitit dhe i kishte thënë: -Shoku Xhavit…Im vëlla është i pafajshëm! Unë mund të isha brenda, jo ai! -Yt vëlla është një kriminel i poshtër, që s’e ka shokun! Ai është koka e grupit! Ai do plumbin kokës! -Jo, jo! Im vëlla nuk është kriminel!-kishte thirrur Genci dhe kishte shpërthyer në lot. Xhaviti e kishte lënë aty të dërmuar nga dhimbja, me atë stetkën e cigareve që Genci kishte blerë për mua. I shkreti Genc! Gjithë jetën më ka adhuruar si vëllain e tij më të madh. Më dhimbej ai djalë, që pas arrestimit tim e kishin "zbritur" nga përgjegjësia si kryeinxhinier dhe e kishin çuar të punonte si përgjegjës turni në prodhim. Ai jetonte me nënën. Im atë kishte tre vjet që kishte vdekur. Nëna ime! Shenjtorja ime! Për sa vjet bëra burg ajo nuk iu nda rrugës së kalvarit tim! Më ndoqi nga burgu në burg! Në diell dhe shi, në të nxehtë dhe tufan. E shihja nga oborri i burgut tek ngjitej rrugës me ato dy torbat e rënda me ushqime dhe ndërresa për mua. Vitin e parë, nga një kamare e vogël takonim vetëm duart. Nuk na lejohej të shiheshim sy ndër sy. Ema nuk mund të vinte me të. Në çastet kur mbetesha vetë pas "marrjes në pyetje" nga hetuesit, kujtoja gjithë jetën time. Çastet më të bukura kishin qënë ato kur u njoha me Emën. Shëtitjet tona buzë detit në qytetin tim bregdetar, fejesa dhe më vonë ato dy javë pushimesh pas martesës sonë në kampin e punëtorëve në qytetin e Korçës. Ai ishte pushimi i parë dhe i fundit me Emën. I dhënë me pasion pas punës sime i mohova vetes ditët e pushimit. Ema shkonte me pushime në verë në qytetin e Vlorës, tek nëna ime së bashku me tre fëmijët tanë, pa mua. Lindja e fëmijëve kishte qënë gëzimi më i madh i jetës sime. Ata ma mbushën jetën dhe pas çdo dite të punës sime të lodhshme dhe cfilitëse, me gjithëse shumë herë i lija dhe i gjeja në gjumë, ato çaste që isha me ta, ishin çaste të mrekullueshme. I kisha parë të porsalindur, iu kisha dëgjuar natën të qarën e tyre, i kisha mbajtur përdore në hapin e tyre të parë, më kishte mrekulluar fjala e parë e thënë nga ato buzë fëmije, i kisha marrë përdore për t’i çuar për herë të parë në shkollë dhe këto kujtime sikur më bënin të ndjeja më shumë, se ç’kisha humbur me arrestimin dhe burgosjen time. Ndarja prej Emës dhe prej tyre ishte një dhembje, që më ndiqte pas në ato vite burgu. "Le të veprojë siç është më mirë për të dhe fëmijët, i thashë dikur nënës në një nga takimet tona.-Po qe se e shikon të nevojshme, le të bëjë ndarjen! Ne kështu njësoj të ndarë jemi!" Ema kërkoi ndarjen, por kjo u bë e mundur vetëm pas gjyqit tim dhe dënimit që m’u dha: "Njëzet e tre vjet burg! Për sabotim të ekonomisë socialiste!", por para se të vinte dita e gjyqit, ç’hoqa unë, vetëm atij, varrit tim, ku po shkoj tani, do t’ia tregoj… x x x Tetëmbëdhjetë muaj hetuesi! Grushtet dhe shqelmat nuk u ndanë. Në pushimet mes torturave pyesja veten: "ç’ju kam bërë këtyre njërëzve, që të më urrejnë dhe të më poshtërojnë kështu?!". Ata nuk ishin thjesht ekzekutorë torture. Në çdo grusht dhe goditje atyre iu shpëtonin fjalë urrejtjeje të dala nga shpirti i tyre katran. Kush i kishte mësuar të urrenin kaq keq?! E keqja, më në fund, po e kuptoja, rridhte nga lart me rropamë dhe vinte e mblidhej pastaj si në një sterë të zezë tek këta ekzekutorë të tmerrshëm. Në jetën time s’i kisha bërë keq asnjë mize. Më pëlqente gjithçka ishte e bukur në natyrë, në njerëzit. Dashuroja artet, muzikën, gjuhët e huaja, punën, me gjithë vështirësitë e saj. Atë punë, unë nuk do ta ndërroja kurrë me një post atje lart në ministri. Ishte punë kërkuese, hulumtuese dhe kur një ditë jepte rezultatet e saj të mira, pra kur zbulohej një vëndburim i ri, s’kishte gjë më të bukur, se gëzimin e ndanim të gjithë bashkë, specialistë, inxhinierë dhe naftëtarë dhe ja tani për gjithë këtë dashuri, që mbaja brenda shpirtit, si një të pafaj, më torturonin, njerëz të liq e të pashpirt. Torturë e tmerrshme ishte ajo kur më hoqën pa anestezi, me pincë elektriçisti, gjithë dhëmbët e mia të para! ( Në rininë time ato më dukeshin, se ishin gjëja më e bukur në fytyrën time. Kisha dhëmbë, që siç më thoshte nëna, ishin si inxhi!). Ulërija nga dhimbja, po ku deshën t’ja dinte Xhaviti me shokë?! Kur e panë, se dhe ashtu unë nuk firmosa deklaratën e diktuar prej tyre, atëhere filloi tortura më e tmerrshme. Më hoqën pantallonat dhe të mbathurat më përkulën kurrizin dhe ndjeva në anusin tim të hynte diçka dhe pastaj një lloj lëngu, që i vinte era qepë. Ulërita nga djegia e tmerrshme, që më shkaktoi ai lëng në gjithë barkun tim! Kjo torturë u përsërit me ditë me rradhë. Ashtu të çveshur lakuriq duke kaluar nëpër korridorin e errët, vetëm pas një muaji, më bënë të hyj në një dhomë ku ishte dushi. Uji ishte akull dhe ishte fillimi i marsit… -Ne të bëjmë të pish shurrën tënde!-thërriste Xhaviti. E pra, edhe urinën time jam detyruar ta pi, nga etja që kisha ditët e para. Pa bukë, pa ujë. Trupi im u tret. Trupi im njëmetër e nëntëdhjetë dhe që peshonte dikur mbi nëntëdhjetë kile. Flokët e mia të verdha çdo muaj qetheshin në zero për kaq vjet me rradhë! Kur dola nga burgu isha i thinjur…Isha dyzet e gjashtë vjeç, sa i kisha mbushur, kur më mbyllën aty dhe po dilja i dërmuar, sikur të kisha jetuar njëqind vjet! Tetëmbëdhjetë muaj hetuesi! Pesëqind e dyzetë ditë tortura, gjersa një ditë më thanë: "Ti sikur ke grua dhe tre fëmijë, hë?! S’i ke për të patur më!" Më thoni, kush nuk do të nënshkruante atë deklaratë për të mos i vrarë fëmijët e tij? Dhe unë e nënshkrova… "Ah, sikur të mos ta kishte nënshkruar atë të shkretë deklaratë!", i kishte thënë Ema Andreas, mikut tim të rinisë, aty para Gjykatës së Lartë në Tiranë, atë qershor të nëntëdhjetës, tek kërkonte të drejtën e studimit për Enidën.. "Kur je aty brenda, i kishte thënë Andrea, gati në vesh, e nënshkruan dhe me këmbë!" x x x Të lehtë s’e kishte as Enida gjashtëmbëdhjetëvjeçare. Ishte e para e shkollës, ishte zgjedhur sekretare rinie për klasën e saj. Kisha një dobësi të madhe për të dhe ajo për mua, ndoshta se ishte e para që më thirri "babi"ose është ajo që thonë, se vajzat lidhen më shumë me etërit. Pas arrestimit tim, shoqet i ishin larguar dhe nuk i vinin më në shtëpi, si dikur. E kishin hequr dhe si sekretare të rinisë. Ishte mbyllur në vetvete dhe shpesh grindej me Emën, sidomos pas "ndarjes", që kjo kishte kërkuar me mua. Studionte gjithë pasditen dhe nuk dilte kurrë më nga shtëpia. Erdhi mosha e maturës. Të gjitha notat ishin dhjeta në dëftesën e saj, vetëm ajo mësuesja e marksizëm-leninizmit nuk i vuri më notën dhjetë. Vajza e një të dënuari , "armiku" të Partisë, nuk mund të meritonte dhjetën në atë lëndë! Ajo as që priste t’i dilte e drejta e studimit atje ku kishte kërkuar. Erdhi shtatori i atij viti dhe ajo u detyruar të hynte punëtore në ngakim shkarkim tek fabrika e Emës. Punëtore ngarkim shkarkimi, ajo nxënësja e parë e shkollës! E kush do të fejohej nesër me të? Kush do të merrte për grua një vajzë me atin e dënuar njëzet e tre vjet burg?! Një ditë korriku, tek ngrinte arkat bosh prej dërrase iu afrua një djalë i ri. Ajo e njihte atë. Ishte Ervini, djali i njërit nga inxhinierët e shfrytëzimit të puseve të naftës. Ai ishte student në shkencat e natyrës, dega kimi industriale. Kishte ardhur të punonte muajt e verës në atë fabrikë, aty në repartin e ngarkim shkarkimit. Enida i ishte shmangur në fillim afrimit të tij. A nuk i kishte ndodhur, që pas arrestimit dhe burgosjes sime, ai djali i aktorit, që jetonte në apartamentitn përballë kishte filluar të sillej keq me të. Një ditë, kur vajza po vinte çelësin në bravë për të hapur derën, ai që atë çast u ndodh në korridor e kapi Enidën për krahu dhe kërkoi ta puthë, por vajza i dha një të shtyrë dhe ndër kohë kishte mundur të hapte derën. Hyri në apratament dhe duke iu dridhur duart, kishte mbyllur me çelës derën. Për këtë i kishte folur të ëmës sa kish hyrë në shtëpi. "Kam frikë, moj mami! Kam frikë mos ndonjë ditë më hyn në shtëpi dhe nga ai pritet gjithçka! Tani, që babi është në burg, ai horr kujton që mund të sillet si të dojë me mua!"… Ervini ditë pas dite afrohej gjithnjë e më shumë me Enidën. E priste sa mbaronte turnin dhe bënte me të rrugën deri tek pallati ynë. Shkuan kohë dhe me atë djalë, Enida ndihej e mbrojtur…Tani ata kanë shpallur fejesën, por unë s’do të mund të shoh dot Enidën time të dashur të veshur nuse. Tani ajo vazhdon fakultetin aty ku dëshëronte, në degën e arkiteturës. Binjakët e mi, tani janë rritur dhe kanë hedhur shtat. Kur Genci pas kaq e kaq vitesh burgu më solli Enon, në një nga ditët e takimit, unë nuk e njoha. -Cili është ai pas teje?-e pyeta i habitur. -Është yt bir, Enoja nuk po e njeh?-më pyeti Genci i habitur Enoja ishte bërë një djalosh i bukur. Vetëm dorën mundëm t’i jepnim njëri tjetrit. Polici ishte mes nesh dhe ruante çdo lëvizje tonën. Enoja gjithë kohës pothuajse nuk tha asnjë fjalë. Përgjigjej me nga një "po" ose "jo" për çdo pyetje që i bëja unë. Dukej që ishte i tronditur. Unë isha para tij, një njeri tjetër. I dobësuar sa më s’ka, me dhëmbët përpara të hequra, me supet e rëna nga dobësimi…Atë ditë u ndjeva disi i gëzuar. Munda pas katër vjet të shoh njërin nga fëmijët e mi. "Ema nuk di gjë, që Enoja erdhi të të takojë"-më tha Genci. E kuptova, frika Emës i kishte hyrë në asht. Gjithçka e bënte për të ruajtur fëmijët tanë. Para dy vjetësh ishte bërë ndarja jonë. Atë ditë, Ema do të më shihte për herë të parë pas dy vjetësh dhe unë atë. Kishte pritur në korridor të gjykatës për gati një orë dhe një çast ishte ndjerë keq. Kishte hyrë me vrap në një nga banjot, që ishin aty dhe kishte qarë duke mbytur dënesat. Nuk donte të ndahej kurrë nga unë, por ndryshe atë dhe fëmijët tanë e priste internimi. A s’isha unë, që i kisha thënë nënës sime, që poqese duhej, Ema të kërkonte prishjen e martesës sonë. Kur hyra në sallë me policin, që më shoqëronte, ajo rrinte e ulur në një nga karriget e rradhës së parë. U pamë sy ndër sy gjatë. Sytë e saj folën sa për mijëra fjalë ato çaste. Gjykatësja, një grua e shkurtër me syze optike të errëta filloi të lexojë kërkesën e Emës për çbërje martese, pas kësaj m’u drejtua mua duke më akuzuar si "armik". Unë kërkova fjalën: "Shoqja gjykatëse, unë e desha dhe e dua gruan time dhe fëmijët e mi…" -Po ta doje-më ndërpreu gjykatësja,- nuk kishe përfunduar aty ku je sot! -Për atë unë mora dënimin dhe po e vuaj-thashë. Gjyqi mbaroi shpejt dhe prej andej unë dhe Ema dolëm si dy të huaj. Ai ishte takimi i parë dhe i fundit me të pas arrestimit tim. x x x "Shpëtuat mirë!", na tha mua dhe Taqos polici, që na shoqëronte në autoburg, pasi kishim dëgjuar vendimin e gjykatës. "Të tjerët si ju kanë ngrënë plumbin!" Të dy me Taqon të lidhur dorë pas dore me pranga u pamë sy ndër sy. Unë isha dënuar me njëzet e tre vjet, kurse ai si drejtor njëzetë e pesë vjet! Nuk e dinim, as ai as unë a do të dilnim gjallë ndonjë ditë. Autoburgu u nis. Rruga për në kampin "Përparimi" kishte qënë e tmerrshme. Taqon e zuri makina dhe autoburgu u mbush me të vjellat e tij. Gjatë gjithë rrugës ai mbeti i mbështetur mbi gjurin tim të majtë dhe kur më në fund arritëm, unë për ditë të tëra këmbën e tërhiqja zvarrë, aq shumë më ishte mpirë! Ditët e para të kampit filloi të më afrohej një tip, të cilin nuk e njihja. "Mos u shoqëro me të, se është spiun i kampit", dëgjova dikë të më pëshpëriste ngadalë. E falenderova me sy. Ato vite në atë kamp njëherë në muaj vinte e shkreta nënë e ngarkuar me ndërresa dhe ushqime. Torturat në hetuesi, vitet në atë kamp ma rënuan shëndetin dhe aty zuri fill ajo sëmundje, që një ditë do të më shtrinte këtu ku jam tani. x x x Lëvizja studentore e dhjetorit na zuri mua dhe Taqon në burgun e Tiranës. Na kishin sjellë aty vetëm se duhej të përkthenim literaturë, unë nga anglishtja dhe ai nga rusishtja. Kishim një vit e gjysëm në atë burg, dhe natyrisht ndjeheshim shumë më mirë, se në kampin "Përparimi", të rrethuar nga telat me gjëmba, ku një kilometër terren ishte lëruar me plug, që nëse dikush kapërxente ato tela t’i dalloheshin gjurmët… Askush nga të burgosurit, siç tregonin ata më të vjetrit, nuk kishte guxuar të kapërxente ato tela. Rojet si karakolle rrinin syhapur ditë e natë me "kallashnikov" në dorë. Torturat në hetuesi dhe puna në atë kamp, ma morën shpirtin, kurse këtu bënim si të thuash punë "intelektuale", atë të profesionit tonë. Në këtë burg gjatë orës "së ajrimit" një ditë m’u afrua një djalë i ri. -Ti je Gjergj Veziri, më tha-unë të njoh, se dhe unë e dashuroj pikturën. Ti të paktën je burrë, siç të ka bërë nëna, kurse mua "këta" më kanë tredhur! Jetoj kot! Unë u drodha. Ç’t’i thoshnja atij djali, që nuk kishte mbushur ndoshta akoma të tridhjetat dhe e kishin kthyer në një njeri të mjerë?! Në Tiranë u takova dhe me Endrin. Një ditë pas lëvizjes së studentëve dhe formimit të Partisë Demokratike, në janar të vitit njëmijë e nëntëqind e nënëtëdhjetë e një, tek ne erdhi një komision nga ata të Helsinkit. Me ta ne folëm gjatë, unë në gjuhën angleze dhe Taqua rusisht, por kur u ndamë prej tyre i thashë Taqos: "Si harruam t’iu flisnim për llahtarën e autoburgut?" Ditën, që u hodh monumenti i Enver Hoxhës, oshëtima e zërave të popullit në sheshin "Skënderbej" dëgjoheshin deri në burgun tonë. Me siguri policët ishin shtuar dhe burgu ishte rrethuar nga ata. Pas ca ditë më erdhi e më takoi përsëri Genci, këtë herë me të dy djemtë, Enon dhe Endrin. Në sytë e tyre lexohej shpresa për lirimin tim. I dorëzova Gencit dyzet faqe letër, ku i kërkoja Ministrisë së Drejtësisë, që posa ishte krijuar ato ditë, pafajësinë time. Aty kisha shkruar gjithçka kisha hequr në hetuesi dhe se nëse kisha nënshkruar një deklaratë fajësie, atë e kisha bërë nën dhunë dhe torturë psikologjike dhe fizike. Burgu ynë po zbrazej për ditë, vetëm ne, unë me Taqon më kot prisnim çdo ditë të liroheshim. "Ju nuk ju lirojnë, se s’jeni të burgosur të ndërgjegjes, por për sabotim!", na tha një polic një ditë, zor se ju lirojnë as me ndërhyrjen e atyre, si i thonë të helinskit…" Lajmin e lirimit na e dhanë një mbrëmje të njëzetë e tetë marsit njëmijë e nëntëqin e nëntëdhjetë e një, tri ditë para zgjedhjeve të para pluraliste. S’kemi fjetur gjithë natën. Mëngjesin e asaj dite erdhën dhe më morën kushërinjtë e mi këtu në Tiranë. Kishim gjashtë vjet plot që s’ishim parë! Pas pak erdhi dhe Genci me motrën. Emën e kishin lajmëruar që atë mbrëmje me telegram. Atë e kishte marrë në dorë në mëngjes në fillim Enida dhe kishte vrapuar tek e ëma aty në punë:"Mami! Babi del sot!" Takimi me familjen ishte sa i përmallshëm për mua, aq edhe i dhimbshëm. Fëmijët ishin rritur. Enida ishte bërë një vajzë e bukur, kurse binjakët nuk më ndaheshin. Ema kishte filluar të thinjej…Rrudha të lehta i kishin pushtuar cepat e syve, me gjithatë ishte po ajo Ema e bukur, pas së cilës isha dashuruar përjetë! "Tani na duhet të martohemi dhe një herë", i thashë atë mbrëmje kur mbetëm vetë. Ajo më buzëqeshi si e zënë në faj dhe tha: "E bëra për hir të fë…" Nuk e lashë të mbaronte fjalën, por e putha ëmbël në ato buzë… x x x Ai më doli përpara aty në bulevardin e qytetit dhe mua m’u vranë sytë. U afrua duke buzëqeshur sikur të kishim qënë miq të vjetër. Më zgjati dorën, por unë nuk ia dhashë timen. -Mos ji i zëmëruar me mua! -tha- Me ty jam sjellë më mirë se me të tjerët, me gjithatë … Nuk e lashë të mbaronte fjalën. -Kur më arrestove isha vetëm dyzetegjashtë vjeç dhe deri atëhere as nënë as atë nuk kishin vënë dorë mbi mua, kurse ti… I ktheva krahët me mendimin se s’do ta takoja kurrë më në jetë, por nuk qe e thënë. Kur kërkova një ditë në Tiranë të noterizoja një dokument për Ministrinë e Drejtësisë, ku kërkoja marrjen e pafajësisë sime, ai sa s’më doli përsëri përpara. Në një nga rrugët kryesore të Tiranës, pothuaj aty në zemër të saj, sipër një tip dyqani ishte shkruar me ngjyrë të kuqe "NOTER". Për pak do të kisha hyrë aty, sikur të mos më shfaqej pas xhamash fytyra e tij tek po i vuloste një klienti një dokument… "Ah, thashë me vete, derisa në Shqipëri nuk u bë Nurembegu i komunizmit, njerëz, xhelatë si Xhaviti, do të kullosin përsëri…Ndoshta dhe "justifikohen" me atë, që "ne kemi bërë detyrën! S’kemi faj, fajet i kishte sistemi!..." x x x Ema herë pas herë ngrihet nga aty ku është ulur pranë kokës sime. E di, ka merak, që gjithçka në ceremoninë e përcjelljes sime të jetë në rregull. Ato lekë, që mora shpërblim si i dënuar nga diktatura, ajo do t’i shpenzojë për drekën e përmortshme dhe për varrin tim… Ema, Ema! Punova një jetë dhe kurrë s’e bëmë bashkë një pushim në verë, sepse meraku për punën nuk më la të shijoja jetën me ty dhe fëmijët e mi. Unë, për ty, siç e ke thënë kaq herë, kam qënë vëlla, shok, burrë dhe ati i denjë i fëmijëve të tu! Ti ishe vajzë e vetme dhe prindërit e tu kishin rritur një vajzë plot virtyte. Ata ikën njëri pas tjetrit, por ti ndiheshe e lumtur krah meje, por këtë lumturi na e prenë në mes, e dashur! Erdhën vitet e burgut… dhe ja pas dy vjet lirie unë po të le përsëri vetëm. Fëmijët do të kenë jetën e tyre. Enida do të mbarojë shkollën dhe do të martohet me Ervinin. Dy binjakët gjithashtu do të studiojnë, do të njohin vajzat e tyre dhe një ditë do të krijojnë dhe ata familjen e tyre, kurse ti Ema e dashur, që tani nuk je veçse pesëdhjetëvjeç, do të mbetesh në vetminë tënde…pa mua! Unë po iki në kulm të dashurisë për ty dhe për jetën, pesëdhjetë e katër vjeç! Ma shkurtuan jetën e dashur dhe ty t’i nxinë ditët! O nënë e shtrenjtë! Po ndahem dhe prej teje, o shenjtorja ime, që nuk u lodhe duke më ndjekur gjatë gjithë kalvarit tim, nga ty, që je e gjitha dashuri, një dashuri që nuk të braktis kurrë! E di, po të le zemërplasur, por ti duhet të jetosh për vëllanë, motrën, për fëmijët e mi, në sytë e të cilëve do të më gjesh gjithmonë mua, djalin tënd të madh, fëmijën tënd të parë, për të cilin asnjë çast nuk mendove keq, por përkundrazi ke qenë krenare për ç’ka unë isha. Tani u mbyll dhe arkëmorti im! Krahë të fuqishëm po më ngrehin. Mbi supe njerëzish, që nuk e dija se më donin kaq shumë, po kaloj gjithë bulevardin e vetëm të qytetit. Njerëz mos harroni, iu kam dashur shumë! Paqja dhe dashuria qoftë mes jush! maj 2008 

****
Mikesha ime ,shkrimtarja e mirenjohur shqiptare Zhuliana Jorganxhi lindi ne qytetin e Korçes me 1946, ne nje familje me tradita muzikore. Eshte nje nga kater femijet e kengetarit veteran "Artistit te Merituar" Gaqo Jorganxhi, qe per 65 vjet kendoi pa rreshtur si solist dhe ne grupin e mirenjohur te kengeve karakteristike korçare "LIRA".

Mesimet e para dhe ato te mesme i mbaroi ne qytetin e lindjes me 1964.

Me vone ndoqi studimet e larta ne Universitetin e Tiranes ,ne fakultetin Histori-Filologji dhe krahas tij ndoqi prane Fakultetit te Shkencave Juridike, kursin dyvjeçar te gazetarise, duke u diplomuar njekohesisht si mesuese e gjuhes dhe letersise shqipe per shkollen e mesme dhe si gazetare.

 Me njehere mbas mbarimit te studimeve ka punuar per gjashte vjet si gazetare ne revisten "Shqiptarja e Re" dhe nga viti 1975 si redaktore letrare dhe poete e kenges ne redaksine e krijimtarise dhe inçizimeve muzikore prane Radiotelevizionit shqiptar.

 Aktivitetin e saj letrar e ka filluar ne moshe te njome dhe qe prej moshes 17 vjeçare, poezite e saj shohin driten e botimit ne gazeta dhe revista si "Drita", "Zeri i Rinise", "Nentori" dhe "Les lettres albanaise" etj.

 Ka botuar libra me poezi si "Net provimesh"(1969), "Rritje"(1971) ,"Lule ne pemen e lirise" (1982) dhe vellimin me tregime per femije "Femijet e teto Nastes"(1975).Etj.

 Ka marre pjese ne konkurse letrare kombetare dhe ka fituar dy here çmimin e dyte dhe te trete per poemat e saj. Por, aktivitetin e saj me te madh, krahas poezise dhe tregimit, e ka zhvilluar mbas vitit 1974 ne gjinine e tekstit poetik te kenges.

 Eshte autore e qindra teksteve poetike neper festivalet e kenges ne RTVSH  dhe rrethet e Shqiperise, ne anketat dhe koncertet e RTVSH si ai "Kur vjen pranvera", "Kenget e stines", dekadat e Majit dhe ne festivalet e femijeve ne Tirane dhe rrethe te ndryshme te Shqiperise.

 Eshte fituese e gjashte çmimeve te para dhe shume te tjera. Poezite e saj jane botuar ne Greqi, Rumani,
Hollande,Kosove,Slloveni dhe Japoni.

 Ne vitin 1996 iu dha Disku i Arte i Festivalit, kurse per 40 vjetorin e Festivalit te kenges ne Rtvsh me 2001, ju dha CMIMI I KARRIERES.

 Nder tekstet poetike te kenges mund te permendim: "Jon", "Se kenduam Let it bi", "Jeto dhe jeten time",
"Bashkemoshataret", "Ne duart e nenes", "Jemi emri i vet jetes", "Kthehu per vete, per mua!" , "Ne, bijte e lirise" ( me kete te fundit, ne dhjetor te ' 90-tes, hapeshin dhe mbylleshin manifestimet e studenteve ne sheshin, sot te quajtur "Demokracia").

Sot Zhuliana Jorganxhi jeton jashte Atdheut ne qytetin e Triestes te Italise, por asnje çast nuk ka nderprere lidhjet e saj artistike me vendin e saj.Ajo ka marre pjese me tekstet e saj poetike ne Festivalin e kenges triestine , si dhe bashkepunon me kompozitoret dhe kengetaret e vendit te saj neper festivale dhe per albumet e tyre muzikore.(FLORI BRUQI)

DY POEZI NGA ZHULIANA JORGANXHI

XHEVAHIRI I FJALES

Mikes sime poete Natasha Lako



Më kërkove rrugëve të Korçës.
Perëndimi ulej atë çast këmbëve të saj,
thyente kokën nëpër kalldrëme,
gurët bëheshin fjalë xhevahir.
Në kërkim të tyre nuk e di
më gjete a të gjeta.

Erdhi një kohe,
që besuam se erdhi,
diku në një cep dhjetori 'nentedhjete,
besuam se gjetëm rininë e shpirtit të humbur,
nën dritën e xhevahirit të fjalës së lirë
nuk e di,
më rigjete a të rigjeta.

Eshtë një kohë tani,
që nuk e di në është...
Rrugëve të botës
enigma e fjalës na bën ende shënjë.
Rend unë a rend ti,
të kërkoj a më kërkon,
nën dritën e xhevahirit të gjuhes sonë,
të gjej a më gjen
nuk e di...

Do vdes duke të kërkuar,
do vdes duke të gjetur,
nën driten e një xhevahiri,
xhevahir të fjalës, që nuk vdes!








ETERIT


Etërit na ikën...
Në ditëvite të ndryshme.
Me vdekje të thjeshta,
si jeta e tyre.

Na ikën...
Cdo ditë e më shumë
ua numërojmë të mirat...
Ku ishim më parë
ne bijtë, ne bijat?!

Tani, që s'i kemi,
ah, dhe një çast t'i kthenim!
Të bëjmë ca rrugë
andej nga Liqeni,
t'iu japim një kafe,
që s'ua dhamë te "Rinia"
dhe tutje më shumë 
t'iu bëjë pleqeria...
Rradhëve mos t'i lodhim
në asnjë lloj dyqani,
Mbrëmja mos heshtojë
me sy tek ekrani.
Të nisim udhë bisedash
për botën anembanë,
një gotë, çdo mbrëmje
ta pimë me etërit tanë...

Cfarë s'japim,
t'iu jepnim,
ato, që dot s'ua dhamë!
Të urtëve,
të pafjalëve,
të mirëve,
etërve tanë!

Ahmet Zogu dhe lidhjet e tij me Mustafa Qemal Ataturkun

Nga KOPI KYÇYKU Në periudhën përkatëse, të dy udhëheqësit e Shqipërisë dhe të Turqisë, Ahmet Zogu dhe Mustafa Qemal Ataturku, i kanë kushtuar rëndësi të posaçme zhvillimit të marrëdhënieve miqësore tradicionale nëmes dy popujve tanë. “Ne i duam popullin dhe kombin shqiptar - është shprehur krijuesi i shtetit modern turk, Mustafa Qemali. - Ne i konsiderojmë ata vëllezër tanët. Ata nuk janë larg nesh. Ne urojmë që Shqipëria, si shtet e si komb, të zhvillohet, të forcohet e të ecë përpara. Ne dëshirojmë që Shqipëria të zerë vendin që meriton në Ballkan, sidomos si një shtet i pavarur. Shqipëria të jetë e sigurtë për çiltërsinë tonë. Populli shqiptar nuk duhet të dyshojë kurrë në ndjenjat vllazërore që populli turk ushqen për të. Dhe kjo nuk është shprehje sentimentale, por ndjenjë e dalë nga thellësitë e zemrës së tij” (Bilal N. Shimshir, Direktivat e Ataturkut dhënë ambasadorit Ryshen Eshref Ynajdën, Ankara, 1981, f.2. Direktivat e sapopërmendura, autori i këtij shkrimi, Kopi Kyçyku, i ka gjetur më 1981 në Arkivat e Shtetit Turk (Türk Devlet Arşivleri) dhe i ka përfshirë në të dy botimet e librit të vet: “Mustafa Qemal Ataturku”, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1986 dhe Shtëpia Botuese “Arbri”, Tiranë, 1993, f. 99-116). Qysh më 1907, në një bisedë me Fuat Pashën, Mustafa Qemali kishte theksuar: “Fuqitë e Mëdha, prej kohësh kanë vendosur ta coptojnë Perandorinë Osmane. Ato presin momentin e përshtatshëm për të vënë në zbatim planet e tyre. Gjithsesi, Shqipëria duhet dhe do të mbetet e pavarur” (Ali Fuat Xhebesoj, Shoku im i klasës, Ataturku, Stamboll, 1980, f.116). Më 1908, në një takim të ngrohtë në Selanik, atdhetarët shqiptarë Mihal Grameno, Bajo Topulli e të tjerë, kuvenduan me Mustafa Qemalin gjerë e gjatë për drejtësinë e luftrave që zhvillonin populli ynë dhe popujt e tjerë për flakjen tej të zgjedhës otomane. Ata do t'i kujtonin më vonë me nderim fjalët e Ataturkut për “rëndësinë e lirisë, e cila do t'i bashkojë kombet në një punim për lumturinë...” e tyre (Mihal Grameno, Kryengritja shqiptare, Vlorë, 1926, f.114). Pikërisht në momente vështirësish e sakrificash të mëdha, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Mustafa Qemalit, i cili në atë periudhë ndodhej në ballë të luftës së popullit të vet kundër forcave të huaja intervencioniste, midis qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës (më 1920) dhe qeverisë turke, u vendosën kontakte. Një delegacion ushtarak turk, i kryesuar nga koloneli Selahedin Sahip, bëri një vizitë në Shqipëri. Më 1 mars 1921, Mustafa Qemali do të deklaronte para Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë: “Me popullin shqiptar jemi miq për shekuj. Së toku ndajmë të mirat e të këqijat e jetës e të fatit të përbashkët” (Nga procesverbalet e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, sipas Nexhip Allpan, në: Shqipëria e sotme në dritën e historisë, Ankara, 1975). Më 1922, konsulli shqiptar në Stamboll vinte në dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se sulltanati ishte përmbysur dhe se Republika e re Turke tashmë ishte fakt i kryer (Arkivi Qëndror i Shtetit/AQSH, Fondi 251, viti 1922, dos. 61, dok.10). Dhe nuk ishte aspak rastësi që bisedimet shqiptaro-turke për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona zunë fill pikërisht pas krijimit të Republikës Turke. Më 15 dhjetor 1923 në Ankara u nënshkrua Traktati i Miqësisë midis Turqisë dhe Shqipërisë. Po atë ditë u nënshkruan Marrëveshja e Qëndrimit dhe Marrëveshja e Shtetasve (konsullore). Të tre dokumentet e lartpërmendur hynë në fuqi në vitin 1925. Këta hapa drejt afrimit të dy vendeve tona u hodhën në një kohë kur forcat përparimtare shqiptare, me borgjezinë demokratike në krye, e dëshironin mirëkuptimin e bashkëpunimin me Turqinë e re dhe në kushtet kur forcat regresive, duke mos i pasur pozitat të forta dhe as orientimet në politikën e jashtme të qarta, e kishin të vështirë ta kundërshtonin një gjë të tillë. Më 1923 Ahmet Zogu ishte kryeministër, ndërsa më 1925 u zgjodh President i Shqipërisë. Kur u nşnshkrua Traktati i Miqësisë Shqiptaro-Turke, Ahmet Zogu, me cilësinë e kreut të qeverisë shqiptare, i dërgoi një letër miqësore Gazi Mustafa Qemal Pasha Ataturkut (Gjenerali Ngadhnjimtar Mustafa Qemali, Babai i Turqve), në të cilën i paraqiste urimet më të çiltra për “lumturinë dhe miqësinë me kombin e madh turk” dhe theksonte: “Shpresoj plotësisht se historia e lidhjeve të përbashkëta të kombeve tona, në një të ardhme të afërt do të jetë faktor i sigurtë paqeje” (Arkivi i MPJ të Turqisë /AMPJT: Shpallja e Republikës, 1923. Telegram i A. Zogut dërguar kryeministrit turk, 31.10.1923). Në vitin 1926 midis dy republikave të reja u vendosën marrëdhënie diplomatike. Për herë të parë, në kryeqytetet përkatëse u çelën ambasadat. Tahir Lytfiu (Tekaj) u emërua ambasador i Turqisë në Tiranë. Duke qënë ambasadori i parë turk që vinte në Shqipëri, Tahir Lytfiu kishte sjellë për Presidentin shqiptar, Ahmet Zogun, një letër të Ataturkut, me anë të së cilës e falenderonte për mesazhin që ky i pat dërguar, e uronte për zgjedhjen në krye të shtetit shqiptar dhe shprehte ndjenjat e miqësisë për shqiptarët (AMPJT, dosja 94: Letër e M. Qemalit për A. Zogun, 22.12.1925). Ambasadori Tahir Lytfi, më 17 shkurt 1926 i paraqiti Ahmet Zogut letrat kredenciale, sidhe letrën vetjake të Ataturkut. Me atë rast u mbajtën fjalime për ndjenjat e miqësisë e të vllazërimit, që buronin nga “fati i përbashkët pesëshekullor”. U ngritën edhe dollì. Atë ditë ambasadori dërgoi këtë telegram në Ankara: “Sot i paraqita Presidentit letrat kredenciale. Ceremonia ishte më se e shkëlqyer. I dorëzova edhe letrën vetjake të Shkëlqesisë së Tij, Gazi Pashait. Fola frëngjisht. Presidenti foli shqip. Gjatë bisedës, Presidenti, Ahmet beu, foli me një gjuhë plot respekt dhe vlerësim për Shkëlqesinë e Tij Gazi Pashain, për qeverinë tonë republikane dhe për kombin tonë. Duke ngritur kupën me shampanjë, ai tha: E ngre këtë gotë për lumturinë dhe miqësinë e Gaziut të Madh dhe të kombit të madh turk. Për reciprocitet, edhe unë e ngrita gotën time për lumturinë e Presidentit dhe të Republikës Shqiptare”. Në fillim të vitit 1926 ambasador i Republikës së Shqipërisë në Ankara u emërua Rauf Fico. Ky diplomat i zgjedhur, që në të ardhmen do të bëhej edhe ministër i Punëve të Jashtme, kishte për detyrë të forconte më tej marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve (AMPJT, dok. 4/1: Letrat kredenciale të Rauf Ficos, 17.1.1926). Më 13 mars 1926 Rauf Fico i paraqiti Gazi Mustafa Qemalit letrat kredenciale. Gjatë ceremonisë përkatëse, ai tha se do të përpiqej me të gjitha forcat “për të konsoliduar lidhjet miqësore që ekzistojnë prej shekujsh midis dy kombeve që kanë pasur fate të përbashkëta gjatë rrjedhës së historisë” (Po aty: Fjalimi i Rauf Ficos, 13.3.1926). Ataturku iu përgjigj ambasadorit shqiptar me këto fjalë: “Mund të jeni i sigurtë se do të keni ndihmën time dhe të qeverisë republikane në punën tuaj për konsolidimin e lidhjeve të miqësisë midis dy popujve që kanë pasur fate të përbashkëta në shumë fusha, në periudha tepër të hershme të historisë, në punën tuaj për t'u shërbyer interesave të të dy vendeve dhe për të çelur një periudhë bashkëpunimi të ngushtë midis dy kombeve”. Kështu u vendosën marrëdhëniet diplomatike turko-shqiptare. Ato patën një zhvillim pozitiv për afro dy vjet. Por vendosja e monarkisë dhe shpallja më 1 shtator 1928 e Ahmet Zogut “Mbret i Shqiptarëve”, nuk u pritën mirë nga republikani Mustafa Qemali. Krahas qëndrimit mosmiratues, Presidenti i Turqisë e cilësoi aktin e mësipërm si anakronizëm politik, që nuk përputhej me frymën e demokracisë borgjeze, sidomos të vendeve që ua kishin parë dëmin monarkive mesjetare. Ndryshimi i formës së qeverisjes në Tiranë mjaftoi për ftohjen e menjëhershme të marrëdhënieve shqiptaro-turke. Turqia, siç dihet, ishte republikë e re dhe udhëheqësit e saj tregoheshin tepër të ndjeshëm në këtë çështje. Ndërkaq, fill pas shpalljes së Monarkisë Shqiptare, shtypi botëror filloi të bënte komente nga më të ndryshmit, madje nuk munguan spekulimet që lidheshin veçanërisht me qëndrimin e Ataturkut ndaj regjimit të ri në Tiranë. Sapo u kthye nga pushimet verore, Ataturku e thirri ambasadorin ministër fuqiplotë nga Tirana. Urdhëri për këtë iu dërgua me telegramin e datës 3 tetor 1928, në të cilin thuhej: “Shkëlqesia e Tij, Presidenti, u kthye. I folëm për ndryshimin e regjimit në Shqipëri. Pas kësaj ndodhie të rëndësishme, nga qeveria shqiptare nuk na u dhanë shpjegime të mjaftueshme. Prandaj Shkëlqesia e Tij ka nevojë të vini këtu (në Ankara) për t'i dhënë informata të mjaftueshme për gjithë këtë aventurë. Ju lutem të vini këtu pasi të keni shpjeguar në një mënyrë të përshtatshme arsyen e udhëtimit tuaj” (AMPJT – Shqipëria m/32/ MPJ-së, telegram i shifruar nga përfaqësia në Tiranë, 3.10.1928, nr. 49701/55). Ministri fuqiplotë turk, Tahir Lytfi, shkoi në Ankara dhe nuk u kthye më në Tiranë. Sekretari i parë, Fuat beu, mbeti i ngarkuar me punë ad interim. Të nesërmen e kthimit të Tahir Lytfiut nga Tirana, në shtypin francez u botua një intervistë e Ataturkut, në të cilën, pasi ritheksonte kritikat për veprimin e Ahmet Zogut, deklaronte se, edhe sikur të mbetej i vetëm, nuk do ta njihte mbretërinë e tij (“Le Petit Parisien”, 7.10.1928). Në të vërtetë, Ataturku shpresonte dhe parashikonte që marrëdhëniet midis dy vendeve të zhvilloheshin një ditë normalisht. Ky ishte shkaku që ai tërhoqi nga Tirana vetëm ministrin fuqiplotë, Tahir Lytfiun, pa e mbyllur përfaqësinë. Mirëpo titulli zyrtar i të ngarkuarit me punë ad interim të Turqisë nuk njihej nga qeveria shqiptare. Fuat beu, - dhe më pas diplomatët e tjerë turq me detyrën e mësipërme, - qëndroi në Tiranë jo si i ngarkuar me punë ad interim, por thjesht si shtetas turk. Mbreti Zog I, i prekur thellë e i zemëruar nga mosnjohja e regjimit të tij nga Ataturku, çka përbënte një sfidë të mirëfilltë, jo vetëm e tërhoqi ministrin shqiptar nga Ankaraja, por, duke nxjerrë në pah “vështirësitë financiare”, e mbylli përfaqësinë shqiptare në kryeqytetin turk e më pas edhe konsullatën në Stamboll, duke i lënë të drejtat e interesat e shtetasve shqiptarë në Turqi në dorë të ambasadës italiane në Ankara. Edhe shtypi turk filloi të botonte artikuj kundër Mbretërisë Shqiptare. Ndërkohë, qeveria shqiptare ndaloi futjen në Shqipëri të të gjitha gazetave turke. Gazeta “Shekulli i ri”, që dilte në Durrës, pat nisur të botonte Diskutimin e madh të Ataturkut, mbajtur në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë, më 1923. Ky botim u ndërpre. Gjithsesi, shtypi shqiptar i kohës, në mënyrë sistematike, botoi një numur të madh shkrimesh të gjinive të ndryshme, nga njoftimet e thjeshta e kronikat, deri te portretet e komentet e hollësishme - pasqyrë e pikëpamjeve të forcave të ndryshme politiko-shoqërore për Lëvizjen Nacionalçlirimtare turke dhe për shndrrimet demokratike në Turqi. Bie fjala, në disa numura të revistës përparimtare të mirënjohur “Bota e Re”, zuri vend seria e artikujve “Pse dhe si u shkatërrua Turqia e vjetër”, që arrinte në përfundimin se Turqia po shpëton nga “imperializmi evropian dhe nga klasa drejtuese e vjetër” (“Bota e Re”, nr.7, 10, 11, 12, 13, Korçë, 1936). Megjithëkëtë, lidhjet shqiptaro-turke për tre vjet me radhë vazhdonin të qëndronin në nivelin zero. I ngarkuari me punë ad interim i Turqisë në Tiranë theksonte se “… me qeverinë (shqiptare, sh.y.) nuk kam as edhe një kontakt. Pres udhëzime” (AMPJT, Shqipëri-Turqi, 1926-1931. Një faqe nga marrëdhëniet Turqi-Shqipëri. 18.11.1931). Në përgjigjjen që iu dërgua nga Ankaraja, vihej në dukje: “Me qeverinë nuk duhet të mbash kontakte dhe të shmangësh në mënyrë të prerë çdo ballafaqim” (AMPJT, Shqipëri-Turqi, 1926-1931. Një faqe nga marrëdhëniet Turqi-Shqipëri. 18.11.1931). Pra, i ngarkuari me punë ad interim do të qëndronte në Tiranë si vëzhgues. Ai nuk do të zhvillonte bisedime me qeverinë shqiptare. Lipsej të tregohej i duruar, nuk duhej të reagonte e as t'u jepte përgjigjje skandaleve që mund të sajonin persona të ndryshëm. Pikërisht në ato momente delikate hyri në mes Ataturku. Ai i ktheu marrëdhëniet shqiptaro-turke drejt normalizimit. Më 20 tetor 1931, në Stamboll u mbajt Konferenca e Dytë Ballkanike, ku mori pjesë edhe Shqipëria. Delegatët, për seancën e fundit shkuan në Ankara. Ataturku i priti ata dhe në të njëjtën ditë u dërgoi nga një telegram kryetarëve të shteteve ballkanike, pjesëmarrëse në Konferencë. Telegrami drejtuar mbretit shqiptar Zog I kishte këtë përmbajtje. “Duke pritur sot në Ankara pjesëmarrësit në Konferencën e Dytë Ballkanike, ndjeva kënaqësi të vërtetë. U preka thellë nga urimet e shprehura për mua dhe për kombin turk nga përfaqësuesit e organeve kombëtare shqiptare. Me këtë rast, duke formuluar urimet më të përzemërta për lumturinë e Shkëlqesisë Suaj dhe për mirëqënien e popullit shqiptar, mendoj se nuk shpreh vetëm ndjenjat e mia, por edhe ndjenjat e kombit turk” (Anadolu Ajansi, Shërbimi i Dytë, Buletini Politik, 29.10.1931. Përgjigjja e mbretit Zog: “Jam thellësisht i prekur nga urimet e përzemërta për kombin shqiptar dhe për mua. Në emrin tim dhe të kombit shqiptar, ju uroj lumturi, ndërsa kombit fisnik turk urimet më të ngrohta për begati”). Ky telegram i Ataturkut ngjalli gëzim në Shqipëri dhe e mbylli menjëherë periudhën e “luftës së ftohtë”. Lidhur me gjendjen në Tiranë, i ngarkuari me punë ad interim i Turqisë njoftonte Ankaranë: “Telegrami i Presidentit tonë të madh ka krijuar në Shqipëri një atmosferë hareje dhe mirënjohjeje të çiltër. Gjithkush mbeti i mahnitur nga delikatesa. Ish-ministri i Jashtëm Jobek erdhi në ambasadë, shprehu kënaqësinë e madhe që ndjente, m'u lut t'u transmetoja ndjenjat e tij Shkëlqesisë Gazi, kryeministrit e funksionarëve të lartë dhe uroi për festën tonë të Republikës. Erdhën, gjithashtu, të ngarkuarit me punë ad interim të Gjermanisë e të Greqisë dhe shprehën urimet e gëzimin e tyre” (AMPJT: Turqi-Shqipëri, 1931. Telegram i shifruar drejtuar MPJT-së nga Ambasada në Tiranë, 28.10.1931). I ngarkuari me punë ad interim i Turqisë në Tiranë u bë sakaq njeriu i ditës, ftohej në çdo vend e veprimtari dhe qarkohej nga njerëz që e këqyrnin miqësisht. Madje mbreti Zog I po tregonte interesim dhe kujdes të posaçëm për të. Në telegramin që i ngarkuari me punë ad interim i Turqisë i dërgonte Qëndrës më 29 nëntor 1931, vinte në dukje: “Për të uruar përvjetorin e Pavarësisë, dje shkova në pallat sëbashku me trupin diplomatik. Kur po shtrëngonte duart, mbreti qëndroi veçanërisht para meje, të ngarkuarit me punë ad interim, dhe më pyeti me respekt të madh për Shkëlqesinë e Tij Gazi” (AMPJT: Shqipëri-Turqi 2/5. Telegram i shifruar dërguar MPJT-së nga ambasada turke në Tiranë, 6.12.1931, nr. 310). Pas një jave, ai dërgoi telegramin e mëposhtëm: “Dje u prita në audiencë nga mbreti. Pranë Tij nuk kish njeri tjetër. Me një turqishte të saktë, mbreti tha me çiltërsi të jashtëzakonshme këto fjalë: Lidhjet që na bashkojnë me Turqinë janë të shënjta. Ato nuk mund të cënohen. Turqisë i jemi borxhli për shumë gjëra. Jam i lumtur që, më në fund, u arrit mirëkuptimi. Shkëlqesia e Tij Gazi, të cilin e nderoj shumë, në çështjen e gjallërimit të vendit ka mbajtur qëndrim gjenial, çka e çudit njeriun. Ajo që po përpiqemi të bëjmë ne, nuk është asgjë para asaj që ka kryer Ai. Juve nuk ju shoh si diplomat të huaj. Ejani menjëherë tek unë, edhe për gjëra të parëndësishme, që nuk do të mund t'i zgjidhni me Ministrinë e Punëve të Jashtme (AMPJT: Shqipëri-Turqi, 1931. Telegram i shifruar dërguar MPJT-së nga ambasada turke në Tiranë, 6.12.1931, nr.359). Mbreti Zog I e përcolli pastaj deri tek dera të ngarkuarin me punë ad interim të Turqisë, Zeqi Haki beun, dhe i shprehu sërish respektin për Ataturkun. Pa kaluar as një javë, Zogu I e priti përsëri dhe, këtë radhë, duke folur për një aleancë midis Shqipërisë dhe Turqisë, tha: “Turqia është aleatja e natyrshme e Shqipërisë. Do t'i qëndroj gjithmonë besnik Gaziut. Kam simpati të veçantë për ju. Ejani tek unë sa herë të dëshironi” (Po aty. Telegram i shifruar dërguar MPJT-së nga ambasada turke në Tiranë, 12.12.1931). Kishte filluar kështu përsëri periudha e vllazërimit mes Shqipërisë dhe Turqisë. Mbreti Zog I shprehte dëndur admirimin që ndjente për Ataturkun dhe i dërgonte përshëndetje. Edhe Ataturku i përgjigjej. Në përvjetoret e Republikës së Turqisë, mbreti Zog I i dërgonte Ataturkut telegrame urimi dhe merrte falenderimet e Ataturkut. Po kështu, për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, Ataturku i çonte mesazhe urimi mbretit Zog I. Gjatë vitit 1933, në Ballkan pati zhvillime të rëndësishme politike. Në atë periudhë dha frytet e veta politika e Ataturkut për shndrrimin e Ballkanit në një rajon të paqes e të sigurisë. U hodhën hapa drejt krijimit të Paktit Ballkanik. U nënshkruan traktate miqësie dhe mossulmimi ndërmjet Turqisë dhe vendeve ballkanike. Traktatin e Miqësisë midis Turqisë dhe Greqisë, të nënshkruar më 14 shtator 1933, e pasuan traktate të njëjtë edhe me Rumaninë (17 tetor 1933) e me Jugosllavinë (27 nëntor 1933). Me një protokoll të 24 shtatorit 1933, Traktati Turko-Bullgar i Miqësisë dhe i Asnjanësisë, i nënshkruar më parë, u zgjat edhe për pesë vjet. Në këtë frymë miqësie të gjithëmbarëshme u kremtua edhe përvjetori i dhjetë i krijimit të Republikës së Turqisë. Në veprimtaritë e organizuara me këtë rast, morën pjesë edhe shtetet ballkanike, pra edhe Shqipëria. Mbreti Zog I i dërgoi Ataturkut një mesazh të çiltër urimi, me të cilin shprehte besimin se Republika e Turqisë, të cilën e cilësoi “vepër e pavdekshme të krijuar dhjetë vjet më parë”, do të zhvillohet vazhdimisht (Po aty. Fjala e përgjigjjes e Mustafa Qemalit). Duke e falenderuar me ngrohtësi Ahmet Zogun për këtë mesazh, Ataturku formuloi urime të çiltra për përparimin e kombit shqiptar “nën administratën e ndritur” të mbretit Zog I (Po aty, 23.10.1933). Pas një muaji, në nëntor 1933, me rastin e përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ataturku dhe mbreti Zog I shkëmbyen sërish telegrame urimi dhe falenderimi. Krahas marrëdhënieve shqiptaro-turke, u zhvilluan edhe marrëdhëniet e Turqisë me vendet e tjera të Ballkanit. Më 9 shkurt 1934, ndërmjet katër shteteve eurojuglindore, - Turqia, Greqia, Jugosllavia dhe Rumania, - u nënshkrua Pakti Ballkanik. Bullgaria dhe Shqipëria mbetën jashtë tij. Pak kohë pas nënshkrimit të Paktit Ballkanik, sekretari i përgjithshëm i Ataturkut, Ryshen Eshref (Ynajdën), u emërua ambasador i Republikës së Turqisë në Tiranë. Duke dërguar në kryeqytetin shqiptar bashkëpuntorin e vet të ngushtë, Ataturku desh të tregonte se i jepte rëndësi edhe Shqipërisë, - në një kohë që ishte krijuar Pakti (apo Antanta) Ballkanik, - për të fituar zemrat e shqiptarëve. Ai e pa të udhës t'i jepte direktiva të hollësishme ambasadorit të ri, që do të shkonte në Tiranë. Edhe mosdërgimin atje për një periudhë të gjatë të një ambasadori, Ataturku e lidhte me faktin se deri atëhere nuk ishte gjendur një person i përshtatshëm për atë detyrë. Në udhëzimet me shkrim, që i dha Ryshen Eshrefit për këtë çështje, Ataturku përcaktoi një “formulë”, të cilën Rysheni do ta përdorte: “Ju e dini se unë kam qënë sekretar i përgjithshëm i Shkëlqesisë së Tij, Presidentit Gazi Mustafa Qemalit. Kur iu kërkua nga Ministria e Jashtme të emëronte një ambasador në Shqipëri, ai u lëkund. Pas kësaj lëkundjeje, kaluan ditë. Për të kuptuar shkakun e lëkundjes së Tij, ministri i Punëve të Jashtme m'u drejtua që të ndërhyja. I thashë shefit tim të madh për çka më ish lutur ministri i Jashtëm, dhe Ai m'u përgjigj: “Kam të drejtë të lëkundem… Unë dëshiroj që përfaqësuesi që do të shkojë në Shqipëri, të jetë një zotni që e njoh nga afër, që i besoj moralit të tij dhe që njeh nga afër mendimet e mia. Derisa nuk do të gjendet një njeri i tillë, nuk do t'i miratoj ambasadorët e propozuar. Unë, si sekretar i përgjithshëm i Presidentit, e kreva me sinqeritet detyrën time, me një fjalë mendimin e Gaziut ia kumtova ministrit të Punëve të Jashtme. Paskëtaj, ministri i Punëve të Jashtme bëri propozimin e vet të fundit e të prerë. Si rezultat i këtij propozimi, me të cilin u bashkua edhe Shkëlqesia e Tij, kryeministri Ismet Pasha, u caktova ambasador. E pranoj se kjo më shkaktoi shqetësim në një drejtim. Nuk është nevoja ta shpjegoj shqetësimin tim. Por shqetësimi im zhduket prej faktit që shefi im më parapëlqeu mua për Shqipërinë e nderuar, ndaj së cilës ka treguar miqësi të madhe. Këtë shqetësim ma zhduk edhe fakti se do të jem pranë Tij si specialist përsa kohë që do ta kryej me sukses detyrën time në Shqipëri, sikurse pret Ai. Kjo detyrë është të ngre lart vllazërinë dhe miqësinë turko-shqiptare” (Bilal N. Shimshir: Direktivat e Ataturkut ambasadorit Ryshen Eshref Ynajdën Mbi marrëdhëniet turko-shqiptare, Ankara, 1981, f.5). Në porositë që i dha me shkrim Ryshen Eshrefit, Ataturku preku edhe probleme të ndryshme politike, si marrëdhëniet turko-shqiptare, Shqipëria dhe Pakti Ballkanik, politika e Turqisë në Ballkan, qëndrimi ndaj Italisë dhe veçanërisht orientime për qëndrimet që duhej të mbante ambasadori. Lidhur me çështjen “Shqipëria dhe Pakti Ballkanik”, Ataturku theksoi: “Nëse ende nuk janë ndërmarrë nisma të qarta dhe të prera për futjen e Shqipërisë në Paktin Ballkanik, janë mbajtur parasysh interesat e Shqipërisë. Mendimi im është ta shoh Shqipërinë si pjesëtare të natyrshme dhe të përhershme të këtij pakti. Presim momentin dhe ruajmë shpresën se kjo dëshirë do të përmbushet në një kohë të afërt, kur shteti shqiptar ta shohë veten në kushte të përshtatshme. Megjithse Shqipëria nuk bën pjesë në këtë pakt, është rregulluar në një mënyrë të tillë që qeveria shqiptare siguron kufijtë ballkanikë” (Po aty). Në direktivat e tij, Ataturku e përmblidhte kështu politikën ballkanike të Turqisë: “Punon për miqësi të vërtetë, serioze, në të gjithë Ballkanin e në garanci e çiltërsi të ndërsjellë për çdo çështje. Ndërkaq, edhe për bullgarët ushqejmë të njëjtat ndjenja”. Lidhur me këtë politikë, Ataturku e porositi ambasadorin: “Të punosh me besnikëri e dashuri me përfaqësuesit e shteteve ballkanike dhe t'i nxitësh ata t'u bëjnë thirrje shteteve e qeverive të tyre për të punuar në këtë drejtim” (Po aty). Në direktivat që Ataturku i dha Ryshen Eshrefit, përfshihen edhe mjaft këshilla. Ataturku sillej si një mësues, që dëshiron ta përgatisë nxënësin e vet. Ai po e përgatiste për detyrën e re bashkëpuntorin e tij të afërt, i cili, për herë të parë, ngarkohej me një detyrë diplomatike. Këshillat e Ataturkut janë të dobishme edhe sot për diplomatët e rinj. Po citojmë disa syresh: 1. Në kontaktet me popullin shqiptar duhet të propagandoni, pa bujë, se jeni mik, vëlla i sinqertë dhe përkrahës i flaktë i interesave dhe i pavarësisë së Shqipërisë. Por duhet të mos hiqni nga mendja faktin që, midis shtresave të ndryshme të popullit ka disa kategori njerëzish, siç ndodh në çdo vend. Një pjesë e tyre ankohen nga qeveria e nga regjimi dhe në këtë terren diskutojnë. Ndaj këtyre personave asnjëherë nuk duhet mbajtur qëndrim e nuk duhet folur me një gjuhë përkrahëse dhe, sapo t'i dalloni se cilët janë këta tipa, t'i ndërprisni kontaktet me ta, sepse ambasadori dhe ambasada nuk janë përfaqësues të një komiteti apo ndonjë organizatë e prirur për të shkatërruar shtetin në të cilin ndodhen. Me një fjalë, ambasadori punon për farkëtimin e miqësisë së ngushtë midis shtetit ku është akredituar dhe shtetit të vet, sidhe për konsolidimin e shtetit mik… 2. Përsëri në popull ka një kategori të dytë. Këta njerëz janë edhe kundër vendit të tyre, edhe kundër Turqisë, që ka miqësi me vendin e tyre. Këta në përgjithësi janë spiunë të shteteve të huaj. Sa për qëndrimin ndaj tyre, duhet t'i dëgjojmë, të mos u japim përgjigjje të shkoqur dhe, ndonjëherë është me dobi të flasim siç e kërkojnë interesat e shtetit dhe të politikës sonë. 3. Ka disa persona, që janë miq të Turqisë, ashtu siç janë miq të shtetit dhe kombit të tyre. Me këta duhet mbajtur qëndrim sa më dashamirës e të sillemi me ngrohtësi. Ky është një ndër frontet më dobiprurës për të fituar opinionin në favor të Turqisë. 4. Duhet t'i kushtoni rëndësi të qënit i kujdesshëm gjithmonë në bisedat që do të keni me personalitetet gjatë kontakteve dhe takimeve miqësore dhe documentés (të dokumentuar, frëngjisht, sh.y.) në problemet që trajtohen. Përsa kohë që nuk do të jeni i bindur se fjalët tuaja nuk do të përgënjeshtrohen nga realiteti, është veprim i pranueshëm të tërhiqeni nga biseda. Kur ju drejtohen për të mësuar mendimin tuaj dhe kur u japin rëndësi fjalëve tuaja, do të thotë se keni tërhequr vëmendjen… 5. Duhen ndjekur me ndjeshmëri të lartë dhe vazhdimisht marrëdhëniet me qeverinë, pranë së cilës ndodheni. Duhet ta bëni zakon që t'u kushtoni rëndësi ngjarjeve të përditshme në shtetin ku ndodheni dhe të njoftoni menjëherë me raport për ato ngjarje që i gjykoni me interes për qeverinë tonë, politikën tonë dhe interesat tona. Mos u ndruani se mund të keni gabuar në pikëpamjet e në mendimet tuaja për këto çështje. Edhe nëqoftëse do të keni ndonjë mendim apo pikëpamje të pasaktë, kjo zgjidhet me shkëmbim mendimesh. Nga kjo kemi shumë dobi për të nxjerrë pikat kryesore të nevojshme për të qënë syçelët në të ardhmen. 6. Para çdo veprimi që shkel materialisht dhe moralisht pavarësinë, krenarinë, interesat e larta të shtetit, në rast se duhet mbajtur qëndrim, për përfaqësuesin tonë është tejet i rëndësishëm vendimi i çastit. Në rast se janë të përshtatshme kushtet dhe koha për të dhënë vendimin, ai duhet të kërkojë menjëherë udhëzime nga Qëndra. Në rast se kjo mundësi nuk ekziston, atëhere nuk duhet të ngurrojë të vendosë për të vepruar personalisht, duke marrë përsipër pa frikë përgjegjësinë. 7. Kur merret vendimi, duhet menduar vetëm për këtë pikë: t'i impononi mendjes dhe ndërgjegjjes suaj se keni të drejtë dhe të jeni i bindur se do ta mbroni dhe argumentoni këtë vendim para kujtdoqoftë. Ryshen Eshrefi, pasi i shkroi dhe i futi në çantë këto këshilla të Ataturkut, më 2 prill 1934 u nis nga Ankaraja dhe më 8 prill mbërriti në portin e Durrësit. Pas një jave, pra më 15 prill, i paraqiti mbretit Zog I letrat kredenciale. Ndërkaq njoftoi me një raport të hollësishëm për fillimin e detyrës, për takimet e para në Shqipëri dhe për mbresat e para. Lidhur me takimin me mbretin Zog I, në raport shkroi: “Mbreti më priti në një sallë mjaft të madhe. Vetë qëndronte më këmbë në mes të sallës. Pranë kish ministrin e Jashtëm dhe një nëpunës tjetër. Biseda do të zhvillohej vetëm midis ne të dyve, kokë më kokë. U drejtua tek unë. Në fillim foli ai në turqisht: Mirseardhët, bej efendi! Në ecje ishte i shkathët dhe energjik. Turqishten e fliste bukur, por me theks paksa shqiptar. Para se të ulesha, paraqita letrat kredenciale dhe dokumentin e largimit të paraardhësit tim, të nderuarit Tahir Lytfi beut. I thashë që sjell përshëndetjet miqësore të Shkëlqesisë së Tij, Presidentit. Më falenderoi dhe më bëri me shënjë të ulesha. Ndërkaq më zgjati një cigare nga kutia e argjendtë, prodhim italian, që e kishte pranë. Mori edhe një për vete. Pa më lënë kohë të merrja shkrepsen, e mori vetë, u ngrit më këmbë dhe tregoi respekt duke ma ndezur cigaren” (AMPJT: Shqipëria, K 5/12. Raport dërguar MPJT-së së Turqisë nga ambasada turke në Tiranë, 19.4.1934, nr. 8.7/997/68). Si një mjeshtër i reportazheve, Ryshen Eshref Ynajdëni na e paraqit me imtësi takimin e tij me sovranin shqiptar. Ai i thotë përmendësh mbretit fjalët e Ataturkut, që i jepnin Shqipërisë garanci për miqësi. Në vazhdim, Ynajdëni shkruan: “Para se ta thithja cigaren, i thashë tekstualisht pjesën e parë të direktivave të Shkëlqesisë së Tij, Presidentit. Në këtë kohë edhe mbreti e la cigaren dhe nga fytyra dukej tepër i kënaqur prej fjalëve me peshë. Me të mbaruar këtë pjesë, shtova se detyra ime është të veproj në bazë të kësaj porosie e direktive të lartë dhe të punoj me besnikëri për të afruar e forcuar më tej lidhjet e ngushta e të çiltra që kanë dy vendet tanë vëllezër. Gjithashtu vura në dukje se dëshirat tuaja për këtë çështje do t'ia paraqis qeverisë sime. Madhëria e Tij, mbreti, tha se Shkëlqesia e Tij, Presidenti Gazi Mustafa Qemali, duke dërguar në Shqipëri një person të vet të afërt, i ka bërë një kompliment Shqipërisë. Ai theksoi se kjo gjë këtu do të vlerësohet dhe do të pritet me mirënjohje. Pasi bëri disa komplimente për mua, tha: Për pesë shekuj jetuam në unitet ndjenjash dhe kulture me Turqinë. Kjo bashkëjetesë ka lënë tek ne ndjenja të pashlyeshme dashurie dhe mirënjohjeje. Për pesë shekuj unitetin e kombit shqiptar e mbrojti Turqia. Po të mos ishte Turqia, Shqipëria nuk do të shpëtonte as nga pushtimi sllav e as mund të pengonte dot fshirjen e saj nga harta e botës prej latinëve. Thelbin e ekzistencës sonë ia kemi borxh Turqisë. Kombin fisnik turk ne e shohim si vëlla të madh dhe shtetin e tij si shtet të madh. Madje edhe sot, shumica a antarëve të qeverisë së Shqipërisë së re janë arsimuar dhe edukuar në Turqi. Prandaj gëzohemi shumë kur shohim këtu ambasadorin e Turqisë. Ju këtu nuk jeni i huaj; konsiderojeni veten si në vendin tuaj. Sigurisht do të keni kontakte të ngushta me qeverinë, por mos u kufizoni vetëm me këtë. Ju lutem të shëtisni sikur të jeni vendës, krijoni kontakte të ngushta dhe të afërta me popullin. Do të shihni me sytë tuaj ndjenjat dhe dashurinë që ushqen vendi ynë për popullin fisnik turk. Krijoni kontakte të ngushta me qeverinë, pyesni çfarë të dëshironi, mësoni madje edhe çështjet sekrete. Këtë e them sinqerisht nga zemra. Tek unë do të gjeni një mik tuajin, të kombit tuaj, të të mëdhenjve tuaj… Kur të dëshironi, ejani të takohemi. Bile edhe po s'patët ndonjë punë, ejani qoftë edhe vetëm për t'u fjalosur. Në fakt, ambasadorët e tjerë do të bëhen pak xhelozë për këtë, por s'ka asnjë rëndësi. Sepse secili duhet ta dijë që ambasadori turk në Shqipëri nuk konsiderohet i huaj” (Po aty). Kësisoj, takimi i parë midis ambasadorit Ryshen Eshref Ynajdën dhe mbretit Zog I zgjati mjaft. Nuk ishte vetëm një ceremoni e paraqitjes së letrave kredenciale dhe e kapërceu kuadrin e protokollit normal. Mbreti Zog I tregoi interes të madh për zhvillimin e Republikës së Turqisë dhe bëri pyetje të ndryshme për këtë çështje. Kërkoi edhe libra ku flitej për Turqinë dhe tha se do t'i lexonte ato. Pastaj, mbreti u ankua se në Shqipëri nuk kishte kapitale të mjaftueshme dhe njerëz të përgatitur. Më tej shfaqi interesim të posaçëm për faktin që Turqia përparonte pa marrë borxhe të jashtme dhe preku vështirësitë ekonomike në Shqipëri. Pasi ambasadori tha se kishte parë me sytë e veta se në Shqipëri bëheshin përpjekje për zhvillim dhe se në çdo anë të vendit “mbizotëron rregull i plotë”, mbreti Zog i shpjegoi përse hoqi dorë nga republika dhe parapëlqeu monarkinë. E, sikur të dashkej t'i kërkonte ndjesë Ataturkut, shtoi: “Ky rregull nuk ishte në të kaluarën. Shumë ngatërresa të brendshme rrezikonin ekzistencën e Shqipërisë. Veprimtaritë e huaja rreth nesh dëshmonin se ekzistonte rreziku për të na coptuar. Këtë rrezik e kapërcyem vetëm me përpjekjet tona, duke bërë sakrifica. Në thelb, edhe unë jam përkrahës i republikës, jam republikan po aq sa është edhe Shkëlqesia e Tij, Gaziu. Të jetë i sigurtë për këtë. Por kushtet na detyruan të garantojmë unitetin e brendshëm, prandaj vepruam në këtë mënyrë. Lutemi që Ai ta dijë këtë. Admiroj Shkëlqesinë e Tij Gazi dhe veprat e Tij. Thuajini të më pranojë si një vëlla të vogël, të mos më mbajë larg këshillave e paralajmërimeve. Vendin tuaj, që çapitet drejt Perëndimit, e marrim shëmbull për vendin tonë, ju marrim si model” (Po aty). Po kaq e ngrohtë dhe e frytshme pat qënë edhe paraqitja e letrave kredenciale nga ambasadori shqiptar Xhavit Leskoviku në Ankara, Presidentit Ataturk, në pranverën e vitit 1933. Në marrëdhëniet shqiptaro-turke filloi një periudhë e re mirëkuptimi e simpatie të ndërsjellë, që vazhdon edhe në ditët tona.

Rrugëtimi i identiteteve fetare dhe influenca e tyre në shoqërinë shqiptare

Nga Dorian Koçi, studiues
Dorian Koçi

  Dorian Koçi është pedagog i anglishtes në Universitetin U.F.O në Tiranë. Krahas punës së pedagogut ai shkruan në mediat e kryeqytetit

 Në fillim të vitit 2006, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhuroi një fond përreth 30.000 euro për të restauruar një objekt brenda kështjellës së Rozafës që kishte shërbyer për një kohë të gjatë si kishë dhe xhami njëkohësisht. Në fakt, objekti me historinë e tij të veçantë mund të konsiderohet si një nga objektet sintezë të historisë religjioze së shqiptarëve. E njohur dhe e dokumentuar si kisha e Shën Stefanit në veprat e Marin Barletit dhe Marin Beçikemit, dy autorëve të shekullit të XV, kisha do të shndërrohej në një xhami gjatë pushtimit turk. Sipas specialistëve mendohet se ″minarja është shtuar rreth vitit 1405“ (Peçi.A,2006:1) dhe jo në vitin 1479 siç mendohet rëndom duke marrë për bazë pushtimin e kështjellës nga turqit. Viti 1405 është vit ″kur osmanët e patën në duart e tyre qytetin e Shkodrës për disa vjet së bashku me Ulqinin dhe Lezhën. Vendosja e garnizonit osman në këtë periudhë dhe stili i minareve selxhuke bashkëkohëse me minaren e kuqe në kalanë e Beratit të vitit 1389, si dhe vendosja e saj në anën fundore të xhamisë dhe jo në të djathtë hyrjes,është karakteristikë për xhamitë osmane të shekullit XV“ (Po aty:2006). Adoptimi i bërë nuk kërkoi ndryshime të mëdha në arkitekturë, kjo për faktin se “orientimi i mihrabit koincidonte, me atë të mjedisit të altarit në apsidë. Ky mjedis ka qenë i mbuluar deri vonë me kupolë nervaturash të kryqëzuara të stilit romano-gotik. Në vitin 1760-1764 Veziri i Shkodrës, Mehmet Pashë Bushatlliu, në punimet rindërtuese e restauruese në strukturat e kalasë kreu ndërhyrje edhe në xhami duke shtuar hajatin me arkadë në anën jugore. Ai porositi nga Venediku edhe një mekanizëm sahati akustik, për të cilin siç shprehet vetë në një dokument kishte ngritur para xhamisë një kullë të lartë” (Po aty: 2006). Si mund të vështrohet, me gjithë shndërrimet që iu bënë objektit, ″banorët e këtij qyteti e ruajtën harmoninë fetare”(Po aty: 2006). Shkresa e firmosur nga Veziri i Shkodrës, ku rinovohej e leja zyrtare për të mbajtur meshën çdo të premte në mëngjes, tregon se banorët ende të përqendruar në kala, kishin mirëkuptimin maksimal mes tyre″ (Po aty:2006). Por ajo që ishte shmangur për një kohë të gjatë me mirëkuptim midis dy komuniteteve fetare u lëkund në ditët e sotshme kur godina nuk shërbente më si një objekt kulti. Qysh pej vitit 1878, kur ajo u kthye në një depo baruti, godina gjendet në gjendjen e sotshme duke pritur një restaurim të mundshëm që sipas specialistëve duhet të përfshijë të gjitha etapat e ndërtimit të saj. Por jo të gjithë ndanin të njëjtin mendim në qytetin verior të Shkodrës. Një debat shpërtheu midis Myftinisë së Shkodrës dhe shtetit shqiptar (nën administrimin e të cilit ishte objekti si monument kulture) për administrimin e fondeve të dhëna nga Ambasada Amerikane. Myftinia e Shkodrës kërkonte që ta përdorte fondin për të restauruar xhaminë që dikur kish qenë Kisha e Shën-Stefanit. Në debat ndërhyri dhe Kisha Katolike e cila ndante mendimin tjetër se gërmadhat e godinës duhej të restauroheshin në kishë. Si gjithmonë në raste të tilla lindën pyetje të ndryshme të cilat nxorën në pah sërish konflikte të heshtura nën petkun e fortë të formimit të shtetit-komb të periudhës së viteve 20’ dhe totalitarizmit të viteve 40’-90’ që qenë munduar t'i fashisnin konflikte të tilla në emër të formimit të identitetit dhe kombit shqiptar. Më tepër se një konflikt mbi pronësinë e një objekti, situata hodhi dritë mbi identitetet e fjetura fetare të shqiptarëve dhe në këtë mënyrë mund të thuash se ishte një pararendëse e debatit Kadare-Qose që mbërtheu elitën intelektuale shqiptare pas nënshkrimit të marrëveshjes së MSA dhe publikimit të veprës së Kadaresë “Identiteti Evropian i Shqiptarëve”. Në këtë studim do të mundohemi të hedhim dritë nëpërmjet një analize të hapave të parë të formimit të shtetit modern të shqiptarëve sesa përcaktues ka qenë identiteti fetar në zgjimin nacionalist të shqiptarëve, si ka ndikuar dhe ndikon ky identitet në shoqërinë shqiptare dhe prirjet moderniste të religjionit të shqiptarëve në epokën e sotshme të Globalizmit. II Identiteti fetar në Shqipëri nuk është marrë gjithmonë në konsideratë në rrugëtimin e tij drejt realitetit që kemi sot, duke vlerësuar se motoja e rilindësit Pashko Vasa “ Feja e shqiptarit është shqiptaria” është përgjithësuese dhe karakteristike për epokën e Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve dhe si e tillë duhet t'i përshtatet apriori të gjitha situatave shtetformuese apo kulturore-historike të mëvonshme. Ky përcaktim vjen pasi Rilindja Kombëtare ka një peshë të veçantë në botëkuptimin nacionalist shqiptar si apogjeu i përpjekjeve intelektuale dhe shpirtërore për të themeluar një Shqipëri moderne dhe të zhvilluar. Në fakt rrugëtimi i identitetit fetar të shqiptarëve i ka përngjarë një batice e zbatice, pa qenë asnjëherë në gjendje të luajë fuqinë e një force centrifugale për të realizuar një bashkim të qëndrueshëm kombëtar, as shumë i fuqishëm sa të pengojë përjetësisht atë, por i mjaftueshëm sa të influencojë dhe vonojë disa procese intriguese që popujt e tjerë të Ballkanit i realizuan më shpejt se shqiptarët. Gjithsesi shprehja nuk duhet marrë si simboli i një lëvizje apo epoke, siç ka prirje të shumta në qarqe studiuesish apo politikanësh për ta përqasur atë, pasi në një analizë të thellë të veprës së dy poetëve tanë kombëtarë që kanë luajtur dhe një rol të madh në formimin e ndërgjegjes kombëtare vëren se identiteti fetar është një pjesë e rëndësishme e veprës së tyre. Kështu p.sh është e pamundur ta lexosh Gjergj Fishtën dhe të mos hasësh binomin “Fe dhe Atdhe”, ku me fe ai nënkupton fenë e të parëve- Katolicizmin apo Naim Frashërin dhe të mos hasësh Bektashizmin dhe filozofinë e panteizmit të tij. Madje Naimi shkon dhe më larg në botëkuptimin e tij fetar kur krijon një poemë si “Qerbelaja” që përshkruan një konflikt të mirëfilltë fetar. Shqiptarët nuk mund të bënin dallim nga popujt e tjerë ballkanikë kur nisën zgjimin e tyre nacionalist. Prirja e natyrshme do të ishte ashtu si dhe te fqinjët e vet, një kundërvënie ndaj fesë zyrtare të pushtuesve-Islamit, diçka që hasi në vështirësi që në hapat e parë, sepse një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve kishin pranuar Islamin dhe nën influencën e shtetit teokratik osman e identifikonin veten shpesh herë si myslimanë dhe pastaj si shqiptarë. “Kultura islamike e Perandorisë Osmane i kishte mëshuar identifikimit të besimit fetar me kombin, duke sheshuar dallimin midis shqiptarëve e myslimanëve të tjerë nga njëra anë dhe duke nxjerrë më në pah, nga ana tjetër, atë midis islamikëve dhe të krishterëve gjithfarësojësh. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth besimit, të cilit, ata i përkisnin: domethënë, vija ndarëse ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve-ose, thënë më shkoqur, popullsisë hegjemone-ishte religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të gjithë perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion të priveligjuar, gjë që, në rastin e Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për të arritur bashkimin kombëtar të myslimanëve me të krishterët, qofshin ata ortodoksë apo katolikë.”(Salleo 2000:22). Edhe pse ekzistonte një farë “patriotizmi lokal “që shpesh herë gjente shprehje ashtu siç na dëshmon Hobhouse-i në veprën e vet A Journey through Albania and other provinces of Turkey in Europe and Asia, to Costantinople during the years 1809 and 1810 në deklarimet e banorëve, që kur i pyesnin s’e ç’ishin, banori shqiptar nuk thoshte përkatësinë fetare, por përgjigjej “Jam shqiptar” (Mema,1988:70), prapëseprapë ky patriotizëm lokal nuk shtrihej në përmasa përgjithësuese që mund të përbënte një nga bërthamat e themelimit të identitetit shqiptar dhe pastaj më vonë atë kombëtar. Ishin lëvizjet e mëvonshme anti-osmane të viteve '20,'30 e '40 të shekullit të XIX në kuadër të luftës kundër centralizimit të perandorisë turke që krijuan kundërvëniet e para serioze pas 3 shekujsh pushtimi. Rëndësia e këtyre kryengritjeve qëndron në atë që shqiptarët myslimanë u ngritën në kryengritje kundër pushtetit turk që faktikisht duhej të konsiderohej si i tyre. Është e vërtetë se ato nuk ishin lëvizje me karakter të plotë kombëtar, por gjithsesi vërehet një ngjizje e identitetit kombëtar shqiptar, kur rapsodi popullor i këndon përpjekjeve të kryengritësve që s’luftojnë “as për mua e s’për ti/po për gjithë Shqipëri” (Islami,1977:67). Në këtë kohë nis dhe procesi i gjatë para-rilindës i ngjizjes së idesë mbizotëruese se shqiptarët në rrugën e tyre drejt pavarësisë apo afirmimit të tyre si komb, duhet ta shmangnin faktorin fetar dhe të bënin të tyren dy faktorë të tjerë: gjuhën shqipe dhe figurën mitike të heroit të tyre kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeut. Për të arritur këtu mendimi politik i rilindësve tanë për sa i përket identitetit kombëtar kaloi në tre etapa maturie, të cilat dëshmojnë dhe rrugëtimin e identitetit fetar të shqiptarëve. “Ndërmjet fqinjëve ballkanikë të Shqipërisë feja dhe kombësia përputheshin. Përderisa kjo nuk ndodhte me shqiptarët, udhëheqësit e tyre u përpoqën të zhvillonin ato aspekte të kulturës kombëtare që ishin të një natyre jofetare sepse vetëm kështu mund të arrihej bashkimi” (Skëndi,2000:111). Etapa e parë i përket periudhës të viteve '20-'60 të shekullit XIX, kohë në të cilën përkthehen Bibla nga gjuha greke në atë shqipe, duke krijuar kështu një sfond të nevojshëm shpirtëror për shqiptarët e besimit ortodoks që gjuhën e tyre tashmë mund ta shikonin dhe si “gjuhë perëndie”, ku mund të lexonin dhe kuptonin shkrimet e shenjta. Kjo epokë lidhet fort dhe me krijimin e komuniteteve të forta tregtare në jug të vendit, tashmë fshatra por dikur të lulëzuara si Voskopoja, Vithkuqi etj apo rritjen e qyteteve si Elbasani, Gjirokastra, Shkodra e Berati. Nga radhët e këtyre komuniteteve do të dilnin dhe disa nga figurat e shquara të mendimit politik rilindës shqiptar si Vangjel Meksi që përkthen Biblën në shqip, Naum Veqilharxhi që krijon abetaren e parë në shqip, Kostandin Kristoforidhi që përkthen e boton Biblën në shqip etj figura, vepra e të cilëve do të influenconte në zgjimin nacionalist shqiptar. Etapa e dytë i përket viteve '40-'70 të të njëjtit shekull, kohë në të cilën fillojnë të dalin në pah manifestet e para të Rilindjes Kombëtare dhe nën influencën e Romantizmit Evropian dhe përmbledhjet e para folklorike. Interesant është fakti se në këto manifeste ndihet një pranim i situatës religjioze në Shqipëri dhe bëhet përpjekje që të mos cenohen marrëdhëniet midis komuniteteve fetare, por gjithsesi ka akuza të tërthorta për situatën e keqe në të cilën gjendet Shqipëria dhe një nga ato sipas “Letrës Enciklike Për Të Gjithë Të Pasurit E Të Mësuarit Ortodoksë Shqiptarë” të Naum Veqilharxhit është dhe “hyrje dogmash të reja fetare” (kupto Islamin) (Islami.M,1977:147). Po kështu përjashtues mbetet fakti që encilika u drejtohet vetëm “të pasurit e të mësuarit ortodoksë shqiptare”(po aty:147), duke mos përmendur të pasurit e të mësuarit myslimanë një pjesë e të cilëve ishin dhe elitë e Perandorisë turke apo të pasurit e të mësuarit katolikë, të cilët kishin një komunitet të fuqishëm tregtar në Shkodër. Enciklika në këtë mënyrë, sa shpreh një vullnet nacionalist kur flet për përparimin dhe dëshirën për tu vënë “në radhën e kombeve të qytetëruara” (po aty:149), po aq ka dhe një karakter lokalist e përfaqësuar nëpërmjet titullit të vet. Në këtë etapë vërehet se identiteti fetar vazhdon të jetë një pjesë e rëndësishme e përpjekjes për të formuar identitetin kombëtar. Efekti i kësaj karakteristike lokaliste të Enciklikës u mundua që të shmangej në epokën e tretë që i përket viteve 1878-1912, vite të stuhishme këto për themelimin e shtetit dhe identitetit shqiptar. Në fakt lëvizja shqiptare kishte humbur mbështetës që në fillimet e para të tyre kishin përkrahur idenë e shqiptarizmës, por të cilët nën influencën e prosiletizmit që filloi Patrikana Greke e Stambollit jo vetëm ndaj zgjimit nacionalist shqiptar por dhe atij të kombeve të tjerë në Ballkan, kaluan në përkrahës të hapur të Helenizmit. Sigurisht, përkatësia fetare kish qenë një faktor kryesor që i kish kthyer si me “magji” këta figura në identitete të deformuara “greke” sipas kulturës që i përkisnin por që shumë shpejt përqafuan dhe deklaruan dhe identitetin e tyre si “grekë”. Një rast tipik është shqiptari i pasur nga Labova Vangjel Zhapa, i cili nga një përkrahës i një “lëvizje për kulturë kombëtare” (kupto shqiptare) (Po aty:120) në vitin 1844, kthehet në një përkrahës të Helenizmit në vitin 1860 kur polemizon me Naum Veqilharxhin “kundër alfabetit shqiptar” (Po aty:84). Për të tejkaluar këtë pengesë të rrezikshme që mund të shkaktonte dështimin e projektit nacionalist shqiptar, rilindësit i kushtuan më shumë rëndësi bashkimit sesa identiteteve të veçanta fetare. Në asnjë promemorie apo program të saj nuk do të gjendet më ndonjë thirrje e njëanshme si e Veqilharxhit, bazuar në identitetet fetare. Madje dhe kur do të ketë propozime gjithëpërfshirës si ai i De Radës për një Shqipëri të ardhme federative, “të ndarë në tre njësi, në bazë të besimeve fetare” (Skëndi,2000:159), mendimtari politik i Rilindjes Sami Frashëri do ta kundërshtonte si plan “jo të mirë dhe as të realizueshëm” (Po aty:159). Në vend të njësive të bazuara mbi identitetet e veçanta fetare, të cilat sipas Sami Frashërit do të sillnin ndarje, ai propozonte se “fetë duhet t’i liheshin kishës dhe xhamisë dhe se gjithë shqiptarët duhej të bëheshin vëllezër ashtu siç e kishte caktuar vetë natyra dhe siç kishin qenë në kohët e lashta” (Po aty:160). Të njëjtin mendim ndante dhe Naim Frashëri i cili shprehej në librin e vet “Liga e vërtetë e Shqiptarëve” se “ne të gjithë kemi fe Perëndinë dhe nënë Shqipërinë. Kushdo le t’i falet Perëndisë si të dojë. Po kjo nuk bën të na ndajë” (Po aty:159). Është po Naim Frashëri që në 1898, në prag të vdekjes së tij boton “Istori e Skënderbeut”, një lloj testamenti politik me të cilin poeti kombëtar i shqiptarëve dëshironte t’u jepte kumte të reja bashkatdhetarëve të vet. Në poemë mungojnë referencat fetare, por ka një idealizim të fortë të gjendjes së Shqipërisë të para pushtimit turk. Në poemë nuk përmendet asnjë institucion fetar apo lidhjet e Skënderbeut me Papët e Romës e aq më tepër cilësimin prej tyre si “Kampion i Krishterimit”, por ka një “pamje idilike”(Sulstarova, 2007:6), ku si karakteristika të kohës jepen paqa, kama, nderi, shpresa, drejtësia, dashuria, miqësia dhe besa-besa. Nuk është e vështirë të kuptohet se duke mos përmendur asnjë fe konkretisht, por duke dhënë në të njëjtën kohë pothuajse të gjitha karakteristikat e besimeve monoteiste, Naimi Frashëri dëshiron të “krijojë” një besim të përbashkët të gjithë shqiptarëve, të cilin ai e gjen të konkretizuar në epokën e Skënderbeut. Kjo “fe” e re që Naimi kërkon të krijojë nuk është gjë tjetër veçse bashkimi kombëtar i shqiptarëve dhe atdhedashuria. Zgjedhja e figurës së Skënderbeut si simbol i bashkimit kombëtar nuk është e rastësishme, por nëpërmjet figurës së tij rilindasit kërkonin të nënvizonin faktin e kundërvënies dhe luftës me turqit për të arritur pavarësinë, simbol të të cilave janë bërë vargjet e Naim Frashërit : Jo nuk vdiq Shqipëria Nuk vdiq por është gjallë Tjatër përgjigjie Turqia Nuk do përveç me pallë (Frashëri,1966:63) Për të shmangur kontradiktat fetare midis shqiptarëve, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve kishin përqafuar Islamin dhe që ndoshta akoma e shihnin Turqinë si pjesë përbërëse të atdheut të vetë, antagonizmi turko-shqiptar në poemë përshkruhet më shumë si “përplasje qytetërimesh” midis Evropës dhe Azisë sesa dhe kundërvënie fetare siç shihet në letërsinë apo programet politike të kombeve të tjerë ballkanikë. Këtij qëndrimi që ravijëzohet dalëngadalë në mendimin politik shqiptar do t'i qëndrojnë besnik jo vetëm Naim Frashëri që i përkiste vetë besimit mysliman por dhe shkrimtarë dhe ideologë të tjerë të krishterë të Rilindjes Kombëtare. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se kjo zgjedhje e rilindasve ka qenë më tepër e detyruar sesa ka në të një përçmim apo kundërvënie ndaj Azisë-Lindjes. Vetë Naim Frashëri ishte një orientalist i shkëlqyer, i cili madje kish botuar dhe një përmbledhje poetike në persisht. Natyrisht ishte e natyrshme që intelektualët shqiptarë të kishin filluar të kishin një tërheqje ndaj zhvillimit kulturor dhe ekonomik të Evropës, fenomen që nuk ndodhte vetëm ndër shqiptarë që ishin afër Evropës gjeografikisht, por dhe që në momente të ndryshme kishin marrë pjesë aktivë në disa nga proceset evropiane, por dhe vetë ndërmjet elitës turke. Shekulli i XIX ishte një shekull i shndërrimeve të mëdha dhe modernizmi ishte prirja e ditës. Identiteti fetar kish luajtur një rol të fuqishëm dhe frenues në ngjarjet e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, ku nuk u arrit të avancohej apo shkohej më tej në kërkesat ndaj Portës së Lartë, sepse “forcat që sundonin në mbledhjen e Prizrenit ishin forca myslimane konservatore dhe nëpërmjet tyre Porta mund të ushtronte një ndikim për interesat të veta. Kjo shpjegon përse shqiptarët e Prizrenit luftonin në fillim, bashkë me boshnjakët myslimanë për një kauzë të përbashkët.” (Skëndi,2000:46). Ky lloj dyzimi i elitës administrative shqiptare jo vetëm gjatë Lidhjes se Prizrenit por në vazhdimësi, për t'i quajtur të vetat interesat e perandorisë, do të pengonte dhe vononte rrugëtimin e shqiptarëve drejt pavarësisë. Duke qenë se patriotizmi lokal kishte një influencë jo të vogël në botëkuptimin e shqiptarëve, për të cilët mund të qe “një gjë e natyrshme që të kridheshin në mbretërinë më të madhe (kupto Perandorinë Turke) e të linin pas dore atdheun e tyre të vogël dhe primitiv, interesin e të cilit e shihnin të lidhur ngushtë me atë të perandorisë” (Po aty:29), gjithsesi “në përgjegjësi nuk harronin se ishin shqiptarë” (Po aty:29), faktorit të dytë që iu mëshua për të shmangur dallimet, ishte gjuha kombëtare. Vështirë të gjesh një numër kaq të madh poetësh dhe mendimtarësh në kulturat e tjera ballkanike që t'i kenë kënduar apo thurrur himne gjuhës së tyre kombëtare sa në letërsinë shqiptare të shekullit XIX-XX. “Gjuhë perëndie” (Po aty:120) e quan Naim Frashëri, ai që nuk flet shqip sipas Fishtës, “duket i ulët...Krejt i turpëruar?si ai që.... nuk di se kush është babai i tij” (Po aty:121). Rëndësinë e gjuhës dhe lëvrimit të saj e jep Kristoforidhi kur shprehet se ”nëse gjuha shqipe nuk do të shkruhet, atëherë brenda një kohe të shkurtër nuk do të ketë më Shqipëri në faqe të dheut dhe as do lexohet më emri shqiptar në hartën e botës” (Po aty:119). Është ky përkushtim me figurën e Skënderbeut, gjuhën dhe kulturën kombëtare që formon shtratin e identitetit kombëtar të shqiptarëve,u jep atyre kohezionin që u mungon nga dallimet fetare dhe i përgatit për maturinë e tyre si komb. Në brezin e dytë të Rilindësve gjejmë vargjet monumentale të Andon Zako Çajupit që shpërthen në “Myslimanë’ e të krishterë/jemi keq/Të ngrihemi të tërë/djem e pleq”(Po aty:121). Përballë këtyre dy faktorëve, identitetet fetare të nxitura më shumë nga turqit përsa i përket popullsisë myslimane dhe Patrikanës së Stambollit dhe shtetit grek për sa i përket popullsisë ortodokse fillojnë e humbin terren, neutralizohen por jo deri sa të zhduken fare. Nuk mungojnë edhe rrugët e tjera të tërthorta, të cilat duke e ditur rëndësinë e identitetit fetar kërkojnë të ndërmarrin hapa të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve duke nxitur përqafimin e një feje të vetme apo konvertimin në një tjetër perëndimore siç ishte protestantizmi. Është i ditur fakti se në këtë rast Naim Frashëri preferonte dhe propozonte bektashizmin si sekti islam që ishte dhe më afër kristianizmit. ”Për bektashizmin ai shprehte shpresën se ai do të bëhej një ditë feja e gjithë Shqipërisë, derisa bektashizmi merrte frymëzimin e vet si nga Ungjilli dhe nga Kurani”(Bartl.P, 2006:166) Një propozim tjetër erdhi nga radha e intelektualëve patriotë ortodoksë, të cilët vuanin faktin se përveç që shqipja ndalohej nga autoritetet turke, ata nuk mund ta praktikonin gjatë liturgjisë fetare, sepse ndalohej nga autoritetet kishtare greke. Ata u ndodhën përpara një dileme, “nëse duhej të përqafonin një degë tjetër të kristianizmit që kështu të hiqnin qafe ndikimin grek dhe të fitonin proteksionin e fuqive dhe popujve të perëndimit?” (Po aty:169). Për këtë dilemë pati dy versione, gazeta Kombi e Bostonit propozoi “kthimin e shqiptarëve në ortodoksë unikë, domethënë të ruhej liturgjia ortodokse por të njihej Papa si udhëheqës suprem shpirtëror” (Po aty:169), një rast i tillë ishte popullsia e Shpatit në Elbasan, kurse shoqëria shqiptare e Egjiptit mbështeste “konvertimin në protestantizëm, e cila jo vetëm kishte pasues të fortë në perëndim por gjithashtu, duke qenë gjë e re në Shqipëri, mund të tërhiqte pasues nga të tre fetë.” (Po aty:169) Siç kuptohet dhe nga pyetjet dhe dilemat e ngritura identitetet e veçanta fetare kanë qenë një pengesë serioze për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe klasa intelektuale shqiptare ishte gati të bënte dhe kompromise të këtij lloji, të cilat natyrisht nuk dihet nëse do të priteshin mirë apo përqafoheshin nga populli i thjeshtë. Në fakt shqiptarët, nuk ishin të përgatitur për veprime të tilla, pasi ata nuk ishin aq të pjekur politikisht sa të ndërmerrnin një hap të tillë, ndaj në lëvizjen kombëtare shqiptare zuri vend më shumë propozimi i Fan Nolit, i cili nuk e shikonte problemin në ekzistencën e tre feve, por në faktin që “asnjëra nga besimet e njohura në Shqipëri nuk praktikohej në gjuhën shqipe dhe klerikët qenë armiq me njëri-tjetrin” (Po aty:169). Më andej Noli shtonte se “fatkeqësia nuk qëndron aq shumë në ndryshimin e feve sesa në krerët fetarë. Ata nuk duhen të jenë të huaj, por shqiptarë dhe patriotë”(Po aty:169). Këtu zë fill projekti i Nolit, i cili themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse shqiptare, duke e shkëputur nga ndikimi grek dhe u duke u dhënë një shembull të mirë edhe shqiptarëve të besimeve të tjera sesi mund të fitonin pavarësinë shpirtërore dhe forcimin e vetëdijes së tyre kombëtare. Kështu identitetet fetare fillojnë të përftojnë ngjyrat shqiptare, por gjithsesi kjo rrugë ishte ende e brishtë për të dhënë rezultat menjëherë. Në prag të shpalljes së pavarësisë, atëherë kur fillon e kuptohet se bërja e Shqipërisë si shtet i pavarur është shumë afër dhe e pashmangshme, identiteti fetar rigjallërohet sërish për të dalë në skenë herë në trajta të verbëta në formën e kryengritjeve dhe herë denoncues për lirinë e munguar përgjatë pushtimit të gjatë turk. Influenca e tij përgjatë viteve të para të pavarësisë dhe formimit të shtetit modern të shqiptarëve do të jetë jo e papërfillshme dhe madje në disa raste përcaktuese. Madje ai është prezent dhe në programin prej 14 pikash më 9 gusht 1912 që kryengritësit shqiptarë kërkuan të realizohej nga qeveria turke për të fituar autonominë, ku në një nga pikat krahas krijimet të liceve me bazë gjuhën shqipe, kërkohej dhe “krijimi i medreseve (shkolla me mësim fetar mysliman) dhe ruajtja e adeteve dhe zakoneve të Islamit” (Po aty:389). Prania e këtyre pikave në programin autonomist shqiptar tregonte se identiteti fetar përbënte gjithashtu një pjesë të rëndësishme të vetëdijes së shqiptarëve, e cila nuk mund të mos merrej parasysh. Shqipëria hynte në radhën e kombeve të rinj të kontinentit, si kombi me katër besime fetare, si askush tjetër më parë. III Ekzistenca e shtetit shqiptar të vitit '13 e në vazhdim do përbente një kuriozitet të veçantë sociologjik për të gjithë ata që do ta ndiqnin nga afër, pasi kërkohej të kryhej pothuajse e pamundura, të ngrihej dhe mbijetonte një shtet me fqinjë agresivë që nuk dëshironin që ta njihnin pasi tokat shqiptare i konsideronin si plaçka të luftës ballkanike që kishin fituar, me rezerva financiare të pamjaftueshme as për të paguar rrogat e nëpunësve të vet dhe me një popullsi që ishte në mes të formimit të identitetit kombëtar dhe e ndarë në katër besime fetare. Përsa i përket armiqësisë së fqinjëve, kjo gjë nuk mund të ishte e pakapërcyeshme pasi herët a vonë nën presionin e fuqive të mëdha Austro-Hungarisë dhe Italisë fqinjët do të neutralizoheshin, po kështu gjendja financiare do të përmirësohej, pasi Shqipëria zotëronte burime natyrore dhe me ndihmën e fuqive të mëdha të interesuara për të, do të dilte nga kriza. Problemi i vërtetë nuk do të qëndronte as në marrëdhëniet midis komuniteteve fetare, pasi Shqipëria deri në atë kohë kish demonstruar një tolerancë fetare deri diku të pranueshme, por në ndarjen e pushteteve në shtetin e ri, ku myslimanët kishin pasur privilegjet tradicionale të pjesëmarrjes në qeveri, kurse të krishterët katolikë në veri dhe ortodoksë në jug kishin qenë të përjashtuar. Kjo do të ishte sfida më e madhe në shtetin e ri, ku identitetet fetare do të kërkonin të rikonfiguroheshin në kërkim të afirmimit të tyre për të ndarë më vonë tortën e pushtetit. Logjika që mund të ekzistonte ishte se përderisa shteti i ri u krijua nën kujdestarinë e Evropës, të krishterët shqiptarë do të kishin më tepër pjesëmarrje dhe se myslimanëve do u duhej të hiqnin dorë nga privilegjet tradicionale. I pari që e kuptoi këtë ishte publicisti Faik Konica i cili në një artikull të vet qysh në prag të shpalljes së pavarësisë “drejtuar vetëm myslimanëve vinte në dukje se për ata po afrohej një rrezik iminent” (Skëndi,2000:359). Më tej Konica shtonte se “ishte i sigurtë se otomanët do të dëboheshin prej Evropës dhe shqiptarët myslimanë rrezikonin kështu të përziheshin dhe ata dhe vendi i tyre të ndahej” (Po aty:359). Prandaj sipas Konicës “kishte vetëm dy zgjidhje për bashkëfetarët e tij: ose të ktheheshin në fenë e stërgjyshërve të tyre, domethënë të bëheshin të krishterë, ose të mbeteshin myslimanë, por të ishin aq të afërt dhe sinqerisht të bashkuar me të krishterët, sa t'i jepnin kombit një karakter semi-kristian” (Po aty:359). Më andej Konica vazhdonte të këshillonte se “përderisa rikonversioni nuk mund të bëhej, shqiptarët mund ta mbanin fenë Islame, por në të njëjtën kohë të largoheshin nga e keqja politike që vinte prej saj: identifikimi nga të huajt i shqiptarit mysliman me turkun” (Po aty:359-360). Ndoshta Konica ekzagjeronte pakëz kur kërkonte që kombit t'i jepej një “karakter semi-kristian” pasi ndoshta nuk ishte e nevojshme të shkohej deri në atë pikë dhe as vetë popullsia myslimane nuk ishte e gatshme për një gjë të tillë, por që ishte e nevojshme një ri-rregullim i ri në raportet mes myslimanëve dhe të krishterëve, kjo patjetër që s’kishte diskutim. Për një kohë të gjatë dhuna feudale e identifikuar dhe shpesh herë si dhunë fetare ndaj të krishterëve në Shqipëri, kish krijuar të çara të mëdha, të cilat kërkoheshin të riparoheshin. Në formimin e qeverisë së parë shqiptare u morr parasysh identiteti fetar dhe ajo përfaqësonte të katër besimet. Caktimi i një princi evropian, një vit e gjysmë më vonë, krijoi të çarat e para në besimin e ri të ndërsjellë që po krijohej. Një rol të rëndësishëm në acarimin e situatës luanin dhe fqinjët ballkanikë të Shqipërisë që kërkonin të destabilizonin shtetin e ri dhe xhonturqit që kërkonin të rikonfirmonin influencën e tyre nëpërmjet caktimit të një princi mysliman. Këta të fundit “duke shfrytëzuar në mënyrë të veçantë grupe fanatikësh myslimanë boshnjakë, që ishin vendosur në Shqipëri nën mbrojtjen e Portës, në kohën e pushtimit austriak të Bosnjë-Hercegovinës” (Salleo,2000:86) si dhe ndjenjat islamike të një pjese të popullsisë vendase “organizuan një kryengritje të vërtetë” (Po aty:86) me tendenca islamike kundër qeverisë së Princ Vidit. “Këta agjitatorë kishin përhapur lajme se princi, që ata e përshkruanin si hebre, kishte ndërmend të ndalonte Islamizmin dhe kjo shkaktoi zemërim tek myslimanët boshnjakë, zemërim që përfshiu dhe myslimanët sunitë,që mendonin se një hap i tillë do dhunonte lirinë e tyre. Për më tepër, shumë myslimanë kishin frikë se princi, si i krishterë do përmbyste në favor të të krishterëve epërsinë shoqërore që ata si myslimanë kishin gëzuar gjatë rregjimit turk”(Swire.J, 2005:176) Lëvizja ka hyrë në histori si “kryengritja e Haxhi Qamilit” dhe përfaqëson një nga episodet më të errtë në historinë moderne të shqiptarëve. Kërkesat kryesore të “kryengritësve” ishin që Shqipëria të futej nën suzerainite turk, përdorimi i flamurit turk dhe i turqishtes dhe ndonjëherë ato kalonin dhe cakun e absurditetit kur kërkonin që princ Vidi të kthehej në mysliman dhe të bëhej synet! Identiteti fetar shfaqej kështu në formën më të egër dhe primitive për të shkatërruar identitetin kombëtar që mezi kish filluar të merrte jetë. Në të njëjtën kohë por me një kahje tjetër për sa i përket identitetit fetar shpërthen dhe rebelimi i ashtë quajtur “epirot” në jug të Shqipërisë i organizuar nga një renegat shqiptar, Kristaq Zografo-ish ministër i jashtëm i Greqisë nga fshati Qestorat i Lunxhërisë dhe një nga “shpirtrat e humbur” të shqiptarëve në betejën e tyre me Helenizmin dhe Kishën greke. “Rebelimi” u nxit dhe u mbështet nga ushtritë pushtuese greke, të cilat kishin hyrë në territorin shqiptar, përkatësisht në Gjirokastër e Sarandë. “Bandat epirote” të Zografos mundën të marrin pjesë si palë në bisedimet që Komisioni Ndërkombëtar ndërmori me autoritetet greke, bisedime nga të cilët u formulua dhe “Protokolli i Korfuzit”, që iu dërgua fuqive të mëdha për ta miratuar, miratim i cili erdhi në datën 2 Korrik. “Dispozitat e protokollit ndërmjet të tjerash parashikonin shndërrimin e bandave të armatosura në xhandarmëri lokale, e cila do të ushtronte detyrat e saj vetëm në qarqet e Korçës e të Gjirokastrës. Në të dyja rrethet, qeveria shqiptare do të emëronte guvernatorë të krishterë, pranë të cilëve do të vendoseshin këshilltarë të zgjedhur nga vota e popullit. Sigurohej liria e plotë e besimit, ndërsa gjuha greke do të mësohej në shkollat fillore, si dhe do të përdorej në administratë dhe në sistemin e drejtësisë”(Salleo, 2000:78). “Kjo xhandarmëri që përbehej nga vullnetarë që tashmë ishin nën armë”(Po aty:78), përbën pikën më të errët të kësaj historie pasi asnjëherë nuk është theksuar në historinë zyrtare të Shqipërisë, se këta vullnetarë ishin banorë lokalë të krishterë të Shqipërisë së jugut, të cilët “mbajtën një qëndrim të dyzuar duke u luhatur ndërmjet ndjenjave nacionaliste nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, filohelenizmit, rezultat i lidhjes së tyre me Greqinë dhe propagandën greke.”(Swire.J, 2005:160-161) Sigurisht këto ndjenja nuk mund të ishin arsye të mjaftueshme që këta njerëz në emër të identitetit të tyre fetar të braktisnin identitetin etniko-gjuhësor si shqiptarë, për të përqafuar një identitet tjetër kombëtar, por që shoqëria shqiptare e asaj kohe i duhej të bënte një “mea culpa”, për sa i përket dhunës feudale që shpesh herë aristokracia shqiptare myslimane kish ushtruar mbi popullsitë krishtere shqiptare, ky duhej të ishte pa diskutim një nga hapat e parë që ajo duhej të ndërmerrte për të realizuar një bashkim të vërtetë kombëtar. Madje ekzistencën e kësaj dhune dhe mosbarazie në të drejta kish arritur që të shfrytëzonte propaganda greke që kish arritur të ngjallte frikën “midis shtresave filohelene-që politikisht nuk ishin progreke”(Swire.J, 2005:161) se një “qeveri shqiptare e mbizotëruar nga myslimanët do të vazhdonte ta konsideronte elementin ortodoks si inferior ndaj elementit mysliman sikurse kish ndodhur nën sundimin otoman” (Po aty:161). Në fakt ai shqetësim nuk i përkiste vetëm asaj periudhe, ai kish filluar më herët qysh gjatë shtypit të Rilindjes ku kish patur një debat të gjerë mbi barazinë politike të shtetasve në shtetin e ardhshëm shqiptar, ku natyrisht nuk kishin munguar dhe tonet e ashpra. Një nga më të ashprit ishte poeti Asdreni i cili në artikullin e vet “Dy fjalë për Aristokracinë” botuar në Albania theksonte se: “Nëse Shqipëria ishte duke fituar pavarësinë e saj...ajo mundet dhe të mos e fitonte këtë, në qoftë se të gjithë shqiptarët nuk kanë për të gëzuar të gjitha të drejtat e tyre; dhe nëse duam të ndjekim idetë e mëdha:barazi,vëllazëri, liri-atëherë ç’nevojë ka kombi të ndahet në shkallë, me zotërinj dhe skllevër? Shqiptarët duhet të jenë të barabartë midis ligjit. Titujt duhen të hiqen...Apo mos vallë besoni se aristokracia duhet të urdhërojë dhe atëherë siç bën tani?” (Skëndi,2000:175) Ky paragraf shpesh herë është komentuar edhe si parim i luftës së klasave nga historiografia komuniste, por dhe nga historinë shqiptarë në perëndim (shih Skëndi Stavro, Zgjimi Kombëtar Shqiptar Tiranë, dhjetor 2000), por në të vërtetë pasqyron një realitet të hidhur që ishte mbizotërues në Shqipëri në atë kohë. Asdreni jetonte dhe punonte në Rumani e cila ishte një monarki dhe asgjëkund tjetër nuk gjenden shkrime që të jetë kundër aristokracisë në përgjithësi, por mendimi i tij i drejtohej pikërisht kundër arbritaritetit me të cilin qeveriste aristokracia shqiptare në atë kohë. Është shumë e rëndësishme të kuptohet fillimi i këtij debati sepse në vitet '20 ai do të marrë përmasa më të mëdha dhe kontestuesit e klasës feudale nuk do të nisen nga premisa thjesht anti-lindore kur do ta cilësojnë aristokracinë feudale si “anadollake”(Sulstarova 2007:7), por me këtë term do të identifikonin burimin e privilegjeve që ata kishin fituar gjatë pushtimit turk. Anadolli konsiderohej si vendi ku ishte themeluar shteti i osmanëve, “ndaj dhe Ataturku e transferoi kryeqytetin e shtetit të ri turk nga Stambolli kozmopolit në Ankara, duke dashur të në këtë mënyrë të përforcojë dhe tregojë karakterin aziatik të kombit turk”(Aleksandri.A Istorika 2000:12) Identifikimi shpeshherë me lavdinë perandorake të familjeve aristokrate shqiptare vazhdonte dhe pas pavarësisë dhe hapësira e shtetit të ri që u krijua nuk i mjaftonte asaj për të demonstruar ambiciet e veta për karrierë prandaj dhe vetë midis saj pati një konflikt të fortë për pushtet. Përfaqësuesi tipik i saj ishte Esat Pashë Toptani, i cili në një intervistë të dhënë në një gazetë italiane në vitin 1914 kur fliste për ardhjen e princ Vidit në Shqipëri, “nuk i mohonte simpatitë e tij për Turqinë” (Salleo,2000:61), por në të njëjtën kohë i zotohej princit se “askush tjetër përveç tij nuk do të bëhej mbret i Shqipërisë në qoftë se princi jepte dorëheqjen” (Po aty:62), duke shprehur në këtë mënyrë ambiciet e tij personale. Lufta e Parë Botërore i fashiti për një moment konfliktet e brendshme të bazuara në identitetet fetare, pasi shteti shqiptar pushoi së ekzistuari dhe Shqipëria u bë shesh lufte. Ashtu si dhe në periudhën e para pavarësisë dhe tani çështja shtrohej për garantimin e pavarësisë së Shqipërisë, prandaj identiteti fetar nuk luan ndonjë rol shkatërrues apo pengues. Aq më tepër që një pol i rëndësishëm i tërheqjes shpirtërore të shqiptarëve myslimanë, perandoria turke, ishte shkatërruar, po kështu ishte shkatërruar dhe dhe perandoria e Hasburgasve, poli tradicional mbështetës i katolikëve shqiptarë me politikën e vet të “Kulturprotectorat”, si dhe perandoria ruse një mbështetëse e fortë e ortodoksisë. Fuqitë lokale fqinje nuk mund të luanin më rolin e këtyre perandorive, ndaj identiteti fetar i shqiptarëve tashmë hyn në një fazë të re, në atë të afirmimit dhe ndarjes së pushtetit në shtetin e ri, sesa forcimit të karakterit të vet shpirtëror dhe dallues. Delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris do ketë përfaqësues të tre besimeve, po kështu regjenca e parë që krijohet më 1921 kishte në përbërje të saj katër përfaqësues, të cilët përveç cilësive të tyre politike përfaqësonin dhe të katërt komunitetet fetare. Natyrisht që nuk mund të mungojnë dhe shpërthimet e identitetit fetar, siç është rasti i “vetëshpalljes” së republikës së Mirditës më qershor 1921, nga ana e prijësit katolik Marka Gjoni, i cili kërkonte “të krijonte një republikë të pavarur nën kujdesin e Jugosllavisë. Justifikimi i Gjonit për shkëputjen nga Shqipëria ishin prirjet “xhonturke” të qeverisë së Tiranës dhe qëndrimi i saj armiqësor ndaj lirisë së katolikëve” (Austin,2003:57). Mirdita dhe fiset katolike po e kalonin tani ethet e forta të identitetit fetar që kish kaluar Shqipëria e mesme me lëvizjen e Haxhi Qamilit dhe një pjesë e Shqipërisë së jugut me lëvizjen “epirotase” të Kristaq Zografos. Gjithsesi, në veprimin e Marka Gjonit kish më tepër një prapavijë politike sesa fetare. Si prijës i një krahine që historikisht ishte qeverisur tradicionalisht nga familja e vet, Marka Gjoni nuk mund të pranonte të ishte një qytetar i zakonshëm i shtetit të ri, ndaj thërriste në ndihmë identitetin fetar për të krijuar një identitet të ri shtet formues, natyrisht për të ruajtur pozitat e veta sunduese në krahinë. Akuzat e Marka Gjonit nuk ishin të vërteta pasi siç deklaroi anëtari i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë Mithat Frashëri, “qeveria e Tiranës nuk ishte qeveri muhamedane. Në kabinetin e saj kishte përfaqësues nga të gjitha fetë shqiptare.”(Po aty:57), por ato arritën ta vinin në vështirësi delegacionin shqiptar, i cili i duhej të përballej me faktin se brenda territorit të vet ishin dy qeveri dhe në këto kushte Fuqitë e Mëdha mund ta vononin njohjen diplomatike të Shqipërisë. Lëvizja nuk u mbështet as nga kleri katolik i Shkodrës duke zhvlerësuar në këtë mënyrë pretendimet e pa baza të Gjonit. Prapavijat politike do të bëhen shprehëse të një lufte për pushtet, e cila kur nuk do të gjej argumente bindëse për të mposhtur kundërshtarin do u kthehen identiteteve fetare duke dhënë kambanën e alarmit se të drejtat e njërit grup po shkelen nga tjetri. Kështu grupet politike dhe partitë që do të rreshtohen në parlament, shpeshherë do të kenë ngjyra lokaliste, krahinore dhe i vetmi karakteristik e përbashkët do të jetë besimi fetar. Kështu blloku mysliman i çifligarëve do të rreshtohej në Partinë Përparimtare, intelektualët ortodoksë në Partinë Popullore dhe intelektualët katolikë në grupin parlamentar të quajtur “Ora e Maleve”. Të gjitha këto grupe do të jenë shumë të ndjeshëm ndaj pushtetit politik dhe sidomos çështjes së tokës që përbënte një pikë kyçe në marrëdhëniet e barazisë qytetare. Shumica e çifligarëve myslimanë nuk dëshironin që të bëhej një reformë agrare pasi pretendonin se toka ishte e trashëgueshme, ndërsa intelektualët ortodoksë dhe katolikë pretendonin se tokën çifligarët e kishin fituar si rezultat i privilegjeve që kishin pasur në perandorinë turke ndaj ajo duhej t’i nënshtrohej reformës agrare. Në këtë kuadër nuk mënonin të ndizeshin dhe debatet të bazuara mbi identitetet fetare se kujt i përkiste toka dhe rrjedhimisht Shqipëria, atyre që kishin përqafuar Islamin dhe kishin bashkëpunuar me turqit apo atyre që kishin ruajtur besën e të parëve dhe kishin vuajtur dhunën feudale për shekuj me radhë? Debati do të vazhdonte të ishte i hapur përgjatë viteve '20-'24dhe në një farë mënyre vazhdon të ketë spiralet e veta deri në ditët e sotshme. Me rastin e debatit për identitetin Kadare-Qose, publicisti dhe piktori Maksi Velo do t’iu drejtohet “pasardhësve të atyre që u myslimanizuan” (Sulstarova,2007:9) se : Për çfarë patriotizmi mund të flasin ata që tradhtuan fenë e të parëve dhe fenë e gjithë Ballkanit dhe Evropës, Krishtërimin. Shqipërinë e ka sjellë në këtë gjendje (si vendi më i prapambetur dhe më i varfër), pikërisht kjo tradhti nga një pjesë e shqiptarëve. Shqipërinë e solli në këtë gjendje Islami, që ishte një regres i pashembullt. Jemi i vetmi popull në Evropë që kemi pasur një tragjedi të tillë. Të paktën tani pasardhësit e tradhtarëve të heshtin (Sulstarova, 2007:9). Tone të tilla është vështirë të gjesh në gjithë literaturën e hershme të Rilindjes po dhe në atë të viteve '20. Këtë lloj ligjërimi Noli do të mund ta cilësonte si një ilustrim të idesë së tij të anarkisë fetare, të cilën e radhiste në një nga pesë anarkitë që “pengonin integrimin kombëtar të shqiptarëve” (Austin,2003:34). Noli kish qenë “veçanërisht gjithmonë i shqetësuar për ndikimin që do të kishin fetë e ndryshme ndaj bashkimit kombëtar, duke vërejtur se bashkimi fetar kishte qenë shumë i rëndësishëm për kombet e tjerë të Ballkanit si grekët dhe serbët. Për të, për sa kohë qytetarët ortodoksë shqiptarë ishin nën kontrollin e Patrikanës greke dhe myslimanët nën ndikimin e Turqisë do të kishte pak progres”(Po aty:34). Prandaj Noli do të vazhdonte punën e tij titanike të themelimit të Kishës Autoqefale Ortodokse shqiptare me një pasion të madh duke u shkëputur dhe për një vit nga karriera politike, në mënyrë që në mos të realizohej dot bashkimi fetar për shkak të ekzistencës së tre feve të ndryshme, të paktën shqiptarët të kishin institucionet e tyre të pavarura fetare. Në të njëjtën rrugë do të ecte dhe komuniteti mysliman shqiptar, i cili do kërkonte që të ishte i pavarur nga Stambolli, ndërsa bektashinjtë për shkak të përndjekjeve në Turqi, e patën më të lehtë për të siguruar pavarësinë nga teqeja e tyre mëmë. Të gjitha këto hapa, shprehnin një emancipim të elitës shqiptare e cila e shoqëruar dhe me tolerancën tradicionale fetare të shqiptarëve, krijonin premisa për ekzistencën dhe mbijetesën e shtetit të ri. Reformat për përftimin e institucioneve fetare të pavarura vazhduan dhe gjatë qeverisjes së mbretërisë, ku në përgjithësi u ruajt formula tashmë tradicionale e pjesëmarrjes së të krishterëve në kabinetet ministrore, madje dy kryeministra ishin të tillë, Pandeli Evangjeli dhe Koço Kota. Reformat e ndërmarra më 1928 në kuadër të miratimit të Kodit Civil, për zëvendësimin e statusit fetar në të cilin bazohej juridiksioni i Islamit në sektorë të gjerë të jetës shoqërore dhe familjare me atë personal, laik dhe heqjen e gjyqtarëve islamikë, kadinjve nga puna nuk shkaktuan ndonjë oponencë të madhe nga ana e popullsisë dhe ishte prova e parë se shteti mund të ndërhynte për të dhënë shoqërisë dhe fesë një fytyrë më moderne. Në gusht 1929 organizohet Kongresi i myslimanëve suni shqiptarë i cili miraton një sërë “masash radikale” të cilat do të ishin: përdorimi ekskluziv i gjuhës shqipe për lutjet dhe predikimin, unifikimi i medreseve dhe seminareve ë një institut të vetëm formimi për tërë mbretërinë;administrimi i centralizuar i të gjitha pasurive të Vakëfeve; mbyllja e shumicës së xhamive, duke mbajtur dy apo tre në çdo qytet; detyrimi i çdo funksionari fetar për të mbajtur një letër-njoftimi të lëshuar nga qeveria e Tiranës. (Dela Roka 1994:29-30) Këto masa të miratuara nga Kongresi në shtator të vitit 1928 do të kodifikoheshin në një statut ligjor për bashkësinë myslimane të Shqipërisë. Ndër detyrat kryesore në të cilat angazhohej bashkësia myslimane në bazë të statuteve ishin ato të “inkurajimit të myslimanëve për t’iu konfirmuar qytetërimit modern”(kursivet janë të origjinalit) dhe të “ndihmesës për të zhvilluar vëllazërimin kombëtar nëpërmjet shqiptarëve të çdo besimi.(Po aty:31) Gjithsesi pati pakënaqësira në radhët e klerit mysliman dhe “besimtarëve të devotshëm myslimanë në qendrat urbane por kjo rezistencë u mposht pa vështirësi”(Po aty :31) IV Analiza tradicionale të marrëdhënieve midis shteteve dhe besimeve fetare tregojnë se ka tre modele të tilla. “Modeli i parë është sistemi i bazuar në marrëveshje midis shtetit dhe besimeve fetare, modeli i dytë është sistemi i karakterizuar nga ekzistenca e kishës shtetërore apo nacionale dhe sistemi i tretë, i cili ka një ndarje të qartë midis shtetit dhe besimeve fetare.” (Sinani, 2007:15). Modeli i tretë i cili quhet dhe secularist apo laik dhe është modeli të cilin ka marrë për bazë shteti shqiptar për të ndërtuar marrëdhëniet e veta me komunitetet fetare. A është kjo zgjedhje, një prirje moderniste e shqiptarëve apo është një zgjedhje e detyruar për shkak të identiteteve të ndryshëm fetarë që është e përbërë Shqipëria? Natyrisht përgjigje nuk mund të jepet lehtë, veçanërisht nëse krahason aspekte të tjera të jetës dhe kulturës sonë për të parë nëse ato kanë qenë kaq moderne sa prirja e shqiptarëve përkundrejt besimit fetar në këto 85 vjet të shteti të stabilizuar shqiptar. Por edhe në qoftë se nuk është kështu, domethënë që zgjedhja në fillimet e viteve '20 ka qenë e imponuar për shkak të realiteteve fetare, askush nuk mund ta mohojë sot prirjen moderniste të identitetit fetar të shqiptarëve. Kjo prirje është e lidhur shumë e ngushtë dhe me identitetin kombëtar kaq të përfolur në ditët tona, aq sa shpesh herë duket se në debatin Lindje-Perëndim do të përcaktohet dhe vendi i shqiptarëve në hemisferë sipas besimit të tyre fetar. Kjo lloj përqasjeje mendoj se është e gabuar, sepse të kërkosh t'i përshtatesh mjedisit (domethënë Evropës ku jetojmë) do të thotë që ta konsiderosh veten një “patate të Lisenkos”, e cila rritet dhe fryhet por humbet shijen e vetë origjinale. Ka një farë përkushtimi të shqiptarëve në ditët e sotshme me pragmatizmin e skajshëm të “evropianizimit” të jetesës së tyre, ku dhe identiteti fetar tashmë i paracaktuar sipas disave, përderisa rrojmë në Evropë duhet të ketë një tendence kristianizmi, ose në qoftë se jo e tillë, të “paktën semi-kristian” siç e përcaktonte Konica në prag të shpalljes së pavarësisë. S’ka asnjë gjë të keqe nëse në momente të caktuara individë apo grupe njerëzish vendosin të përqafojnë një identitet tjetër fetar nga ai i mëparshmi apo ai i prindërve të tyre, aq më tepër që kjo “është e garantuar nga Karta e të Drejtave Themelore, artikulli 10” (Sinani, 2007:16), por kur kjo tendencë shkon dhe në përqafimin e një identiteti kombëtar tjetër atëherë këtu çalon diçka dhe duhet të fillojmë të dyshojmë nëse zgjedhja është bërë sipas kërkesës shpirtërore të papërmbushur nga besimi i mëparshëm apo thjesht pragmatizëm në përftimin e një statusi të qytetarit të hemisferës perëndimore? Me hemisferë perëndimore nënkuptoj Perëndimin me të tërë zhvillimin e tij social, historik kulturor, përkundrejt Lindjes të përfaqësuar nga hemisfera lindore. “Për evropianët “ sipas Saidit “e para është quajtur “bota jonë” (kursivi është i origjinalit), kurse e dyta “tjetri” (kursivi është i origjinalit) negativ i saj”(Sulstarova, 2007:1). Shqiptarët kanë pasur fatin historik (mirë apo për keq, kjo mbetet ende një pyetje e hapur) t'u përkasin të dyjave influencave dhe të jenë vendi ku të dyja botët janë ndeshur ashpër. Vetëm 95 vjet më parë territori ynë konsiderohej Lindja e Afërme dhe ishim pjesë e një perandorie që shtrihej nga Eufrati deri në Ballkan, kurse 95 vjet më vonë territoret tona quhen Ballkani Perëndimor dhe jemi gati të hyjmë në njësinë më të përparuar për sa i përket sot zhvillimit kulturor, social dhe ekonomik -Bashkimin Evropian. A do të marrim me vete ndonjë gjë nga të qenit tonë si ex-Near Eastern apo do hyjmë si present-Balcan Western, që është afër për të mos thënë më mirë pro-european life style. Përgjigjen mund ta kërkojmë ta gjejmë në diasporat shqiptare në Evropë, të cilat janë integruar më shpejt sesa popullsia në Shqipëri në tërësinë administrativo-ekonomike ku ne aspirojmë të hyjmë. Fatkeqësisht, vihet re një ri-gjallërim i identitetit fetar disa herë të trashëguar disa herë të fituar në vendin pritës, dhe që shpesh herë është i shoqëruar dhe me përqafim të një identiteti tjetër kombëtar. Rasti më flagrant në këtë drejtim është “vetëshpallja” e disa banorëve të Himarës apo banorëve të disa fshatrave të tjerë të Shqipërisë se Jugut që i përkasin besimit ortodoks si grekë, duke sjellë edhe njëherë ndërmend turbullimin social të 1913. Jemi ndoshta nga të paktat shtete në Evropë që mund të kemi probleme të vetëdijes kombëtare dhe të “kacafytjes” nacionaliste për të bindur njerëz tanë, bashkatdhetarë se na përkasin “neve” dhe jo “të tjerëve”. Në fakt fenomeni nuk është i ri, pasi në asnjë komb tjetër në Evropë nuk gjendet shprehja “gjaku ynë i shprishur”. Për shekuj me radhë shqiptarët furnizuan repartet drithëruese të jeniçerëve dhe shpeshherë qindra nga ata bënë një karrierë të shkëlqyer me një identitet të ri fetar dhe identitet të ri kombëtar, por çështja shtrohet, nëse gabuam njëherë në mugullirat tona të historisë, kur nuk ishim të ndërgjegjshëm si komb, a duhet të gabojmë tani sërish në prag të festimit të njëqindvjetorit të pavarësisë? Duke qenë njëherë viktima të një inxhinierie sociale që na shkatërroi rëndë sepse kthimi jonë nga Njeriu i Ri i socializmit real në homosapiensin normal u shoqërua me trauma, efektet e të cilave i shikojmë përditë rreth e rrotull, do të jetë shumë e vështirë që të ndërtojmë apo të marrim hua një identitet tjetër. Nëse ekzistenca dhe mbijetesa e shtetit shqiptar të vitit 1913 ka pushuar së qeni një eksperiment sociologjik, dhe është tashmë një realitet atëherë suksesin nuk duhet ta shikojmë në tipin e këshillave koniciane për të përqasur identitete, por në diversitetin e këtyre identiteteve. Shoqëria e sotshme shqiptare pas një rrugëtimi të gjatë të integrimit të kulturave, si rezultat i identiteteve të ndryshme fetare, është çka Evropa ka propaganduar dhe kërkuar të jetë shoqëria e saj në të ardhmen. Krisma e armës që vrau arkidukën Ferdinand në Sarajevë më 1914, prishi përgjithmonë dhe Bosnjën idilike të Ivo Andricit dhe statuskuo-në fallco të harmonisë midis identiteteve fetare që s'e ndjenin veten një komb. Fatmirësisht shqiptarët kanë zgjedhur që të ndihen si komb dhe pastaj të identifikohen si identitete fetare dhe kjo prirje moderniste e tyre ka treguar se ka qenë zgjedhja më e mirë që kanë bërë ndonjëherë. Përgjigja proverbiale e poetit kombëtar të shqiptarëve patër Gjergj Fishtës, kur një diplomat francez e pyeti sesi ka mundësi që të besosh në mbijetesën e një shteti të tillë me tre besime, ishte:“po është e vërtetë zotëri se kemi tre besime, por ne nuk kemi pasur ndonjëherë Natë Shën Bartolemeu”, vazhdon të mbetet sfiduese edhe për kombe dhe shtete shumë më të zhvilluara sesa Shqipëria. V Identiteti fetar dhe bashkimi fetar ka qenë një nga qelizat më të forta të shoqërive, që kanë aspiruar dhe janë krijuar si kombe. Në vende të ndryshme këto tipare vazhdojnë ende të jenë përcaktuese për zgjedhje të ndryshme apo hartimin e politikave të ndryshme. Në Shqipëri për shkak të ekzistencës së tre besimeve fetare, identiteti fetar u mënjanua nga zgjimi nacionalist i tyre, duke ia lënë rrugën kulturës dhe gjuhës kombëtare. Në periudha të ndryshme identiteti fetar influencoi në zgjedhje lokaliste, por ai s’arriti dot që të pengonte procese integruese, falë të cilave shqiptarët u themeluan si komb dhe në të njëjtën kohë u bënë pararendës të një sistemi vlerash aq të dëshirueshëm sot në Evropë. Prirjet moderniste të shqiptarëve, duhet t'i qëndrojnë zgjimit të tyre nacionalist, duke u munduar për të nxjerrë vlerat më të mira të tyre dhe jo të imitojnë apo krijojnë identitete të rrema. Integrimi në familjen evropiane, nuk do të thotë detyrimisht pragmatizëm por para së gjithash është integrim vlerash dhe në këtë kontekst, shqiptarët kanë se ç’afrojnë nga historia e tyre e gjatë e formimit si komb. Burimet: Aleksandri.A. Mustafa Qemali-Pashai Evropian. Istorika, Benizelos-Ataturk. Afrimi Greko-Turk 1928-1932. Athinë (9 Mars 2000) Austin,C.Robert.(2003).Shtegu i Pashkelur i Fan Nolit.Tiranë: Albin Bartl. P(2006). Myslimanët shqiptarë në lëvizjen per pavarësi kombëtare (1878-1912) .Tiranëituria Islami, M.(1977).Naum Bredhi-Veqilharxhi.Tiranë:8 Nëntori Maroko Dela Roko.R(1994) Kombi dhe Feja në Shqipëri 1920-1944. Tiranë: “Elena Gjika” Mema, Sh.(1988).Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë.Tiranë:8 Nëntori Peçi,A.(2006) Kisha-xhami: “Dilema e madhe e Rozafës”. Internet: http://www.tokashqiptare.com/kultura/10.htm Salleo,F.(2000).Shqipëria:gjashtë muaj mbretëri.Tiranë: Shtëpia e Librit dhe Komunikimit. Sinani,GJ. Tirane(2007). “European model of relations between state and religion”.The National Interest, 1:15 Skëndi. S(2000). Zgjimi Kombëtar Shqiptar.Tiranë:Phoenix Swire.J (2005). Shqipëria-Ngritja e një mbretërie .Tiranë: Dituria Sulstarova E.(2007).”Orientalizmi shqiptar dhe debati mbi identitetin”Vlorë:Universiteti Veror

Civilizimi shqiptar shkoi tek të tjerët

Përparim Demi

Nga: Dr. Përparim Demi -


 ”Zhvillimi i civilizimit” është i drejtë në shumicën e rasteve, por ne shqiptarët kemi specifikën tonë, historinë tonë, që nuk mund të merret dhe të futet në një kallëp me historitë e kolonive të vona mesjetare të Europës. Lidhur me këtë, do mundohem me pak fjalë të hedh dritë mbi këto veçorit tona. Një shprehje e popullit tonë thote se: ”më mirë të dish se të kesh” . Filozofia e kësaj shprehje popullore tregon nivelin e civilizimit tonë të vjeter. Atë që vëndet europiane e zbuluan në periudhën e kolenializmit (mesjeta e vonë), lidhur me shkëmbimin e diturisë kontra pasurisë, populli ynë e ka zbuluar dhe e ka vënë në jetë që në antikitet, që në kohën e Aleksandrit të madh. Kështu mund të përmendim dinastinë e Ptolemenjve në Egjyptin e vjetër, historinë e themelimit të Romës, etj. A nuk shkolloheshin patricët roman në Apolloni? Halli është se qyrtetërimi ynë antik u pushtua dhe u shkatrua nga barbarët dhe që nga mesjeta e herëshme e këtej. Kështu që ne u kthyem në një koloni e shfrytëzuar, nga shtetet që vet i krijuam ( rasti i pushtimit romak ose rasti i Greqisë). Të mbajtur gjatë gjithë kohës nën frërë, për të mos u zhvilluar, na u ndalua gjuha dhe na u dogjën shkrimet, na u fshi historia. Here pas here, shpesh, vinin ushtritë e huaja dhe na shkretonin tokën, na rënonin fashatrat e qytetet. Ne luftuam, pastaj u nënshtruam, bile me keq, pasi u pushtuam, shkuam ne tek pushtuesit dhe u dhame civilizim tonë. Kështu shpjegohet fakti i perandorëve, papëve, mbretërve dhe princërve, dijetarëve dhe intelektualëve me emër, me origjinë shqiptare. Nuk po jap shumë shëmbuj se del një listë shumë e gjatë, por vetëm do përmënd disa kryesorë: Familja Qypryli (drejtuesit e perandoris Ottomane), Muhamet Ali Pasha (themeluesi i Egjyptit modern), Ataturk (themeluesi i Turqisë moderne), Krispi (themeluesi i Italis së bashkuar), Kunderiotët (themeluesit e shtetit Grek), Gjikajt (princër të Moldavisë), Hoxha Tahsini (Mendelejevi i Turqisë), Sami Frashëri (filozofi i Turqisë), Jan Kukuzeli (mizikant i bizantit që vuri bazat e muzikës kishtare), Karl Gega (projektuesi i Simplonit), Aleksandër Moisiu (aktori i Gjermanisë), Vangjel Zhapa (miliarder dhe filantropi i shek.XIX, financuesi i olimpiadës së parë) etj. Të gjithë këta njerëz të nderuar nga gjithë bota, krijuan shtete moderne, investuan, krijuan pasuri, zhvilluan arsimin dhe kulturën e tyre, në dhe të huaj, dhe nuk bënë asgjë për vëndin e tyre. Pra populli ynë i pushtuar u konsiderua si pushtues i perandorive, të cilat i dhanë mundësinë të civilizonin vëndet e huaja. Bukur e ka kapur këtë pikë Kadareja në romanet e tij. Ajo që ne e quajmë histori të luftës për liri, është një histori e mbushur me luftra ndërmjet shqiptarëve të nënshtruar dhe me pozita, me ata të panënshtruarit. Shqiptarët e nënshtruar, të cilët bënë karierë në strukturat e pushtuesit, bënin politikën e madhe, të botës së civilizuar dhe mosnënshtrimin e pjesës tjetër të shqiptarëve e cilsonin si prapambetje, moscivilizim, i konsideronin rebela. Këta e dinin aftësitë e popullit shqiptarë se vetë ishin të tillë, e dinin se po të liheshim të lirë, zhvilloheshim shpejt, pasi kishim ADN-në e vjetër. Fjala e popullit ”i joti ti nxjerr sytë ma thellë”. Prandaj dhe paguanin qehajajtë vëndas, bajraktar dhe feudalë, që tu bënin punën dhe ti mbanin popullin në zap, e të përçarë. Rasti historik më i qartë në këtë drejtim ishte kur Mustafa Pashë Bushati i Shkodrës i propozoi Ali Pashë Tepelenës të bashkoheshin kundër Sulltanit, e ky s'deshi. Të ishin bashku atëhere, edhe Stambolli do ishte sot Shqipëri, për Greqi as që behej fjalë se nuk egzistonte. Të parët që e kuptuan qartë situatën shqiptare dhe që i vunë shpatullat të krijojnë Shqipërinë ishin Rilindasit tanë, të cilët vunë gishtin në plagë. Ata e kuptuan se ringjallja e gjuhës, zhvillimi i kulturës dhe arsimit, bashkimi, ishin e vetmja rrugë. Puna e tyre dha rezultat, por të pjesshëm, pasi u zgjuam vonë. Duhet që ti kishim nisur këto punë një shekull para. Momenti i pamvarsisë së Greqisë ishte rasti më i mirë për krijimin e Shqipërisë së pamvarur, por e humbëm, u përçamë, preferuam fenë para kombit. Kështu që fitoren tonë ndaj osmanëve na e morrën të tjerët – patriarhia e Athinës, e cila na helenizoi nëpërmjet fesë. Kush e dinte më mirë se shqiptarët se ”bashkimi bën fuqinë” dhe kush nuk e njihte më mirë se shqiptarët pasojat e politikës ”përça e sundo”. Ky ishte i vetmi çelës, që na vuri poshtë, që nga antikiteti ynë i lavdishëm e deri më sot. Kështu na ndane me fetë, kështu na morrën krejt Greqinë, kështu na e morrën dhe Kosovën, etj. Në rastin e Kosovës, lamë kombin në baltë dhe u bëmë internacionalista. Po pse su bënë internacionalista sërbo-kroatët dhe të na e linin Kosovën bashkë me Shqipërinë? Çfarë po ndodh sot me luftrat politike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, është një vazhdim, nuk është fillim. Tani nga internacionalista po bëhemi europianista. Në Europë të shkojmë, nuk them mos shkojmë, se europian jemi den baba den (shqiptarët janë në themel të kulturës europiane), por të shkojm të bashkuar. Të shkojmë si duhet, si në dasëm, të veshur, të larë, të krehur, të zbukuruar, bile dhe me peshqeshe, por mbi të gjitha të ftuar si e do vendi – ashtu do jemi të respektuar. Bukuresht, 04.05.2011

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...