Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/05/26

ELISA BRUQI:Kam një shoqe quhet Sara ...


Cikël poetik nga gjeniu i vogël Elisa Bruqi





Elisa Bruqi është nxënëse e shkelqyeshme e shkollës fillore “Iliria” ne Prishtinë(klasa II-të).

E lindur në Kanada, por jeton dhe shkollohet ne Prishtinë. Përpos suksesit të saj në shkollë, 
ajo vijon edhe kursin e baletit ku çdo herë na befason me shaqjet e mrekullueshme. 

E mos ta harrojmë talentin e saj në letërsi, ku qysh ne ditët e para të klasës se parë ajo ia filloi
me thurrjen e poezive të saja të para.

 Ajo është shumë e talentuar në të dy gjuhet, shqipe dhe angleze. Është imitatore , manekene  dhe fotogjenike...

Elisës i deshirojmë sukses të madh në artin letrarë dhe shpresojmë se do të kemi kënaqësinë të lexojmë  punimet e saja të rradhës në sitet shqiptare....

NËNA IME


Nënën time
Shumë e dua,
Se kujdeset
fort për mua.

Më mëson,
më ledhaton
Për jetë ajo
mua me mëson.

Zëri i saj,
I ëmbli zë,
në vesh  çdo natë
më këndon.

Sa herë kam nevojë
për ndihmë,
është e para
që vepron.




Gjyshja ime


Gjyshen time shumë e dua,
Në prehër ajo më mban mua.

Më përqafon, më ledhaton,
Përralla të bukura më tregon.

Me ëmbëlsi më këshillon,
Gjëra të reja më mëson.

Gjyshja ime është e mirë,
Është e bukur dhe shpirtmirë


Gjyshi dhe gjyshja ime


Gjyshi im është
Shakaxhi ,
Luan me mua
Si t’ ishte fëmi…

E gjyshja ime
Më do shumë,
E sjellshme me të tjerët
Të habit…

Të dy bashkë
Në shtëpi
Atmosfera
- mrekulli !

Çaj dhe biskota
 në tavolinë,
po bëhemi gati
ta shohim serinë.

Shumë biseda
dhe lavdërata,
sa e mirë
që u bë nata.

Shoku im i dashur

Kam një shok,
E dua fort,
Luaj me të
E bashkë mësojmë.

Eshtë i mençur,
Të habit
Me gjëra të bukura
Për çdo ditë.

Më meson,
Më tregon
E më shpjegon
Çdo çudi që nuk e di.

Shkoj  në shkollë me të,
Kush është a e di?
Ai është -libri im,
shoku im më i mirë.


Dy shoqet

(Elisa Bruqi &Sara Sahtaçiu)

Unë kur isha e vogël
E kisha një shoqe,
Që luanim bashkë
Herë brenda e herë jashtë.

Ne jemi akoma si motra
Shumë lozonjare,
Që në shitore
Ne shkuam dorë për dore.

Blinim çokollata
dhe bonbone.
Si dolëm nga shitorja
Hymë në ëmbëltore.

Kur erdhi koha
Për të shkuar në shtëpi
I premtuam njëra-tjetrës:
Do takohemi përsëri.


Shoqja ime Sara


Kam një shoqe
Quhet Sara,
Është e mirë
Si ëmbëlsirë.

Së bashku mësojmë,
Së bashku punojmë,
Tabelën e shumëzimit
çdo ditë e ushtrojmë.

Në “Family Center”
Sot do të shkojmë,
Ditëlindjen e Luçes
Do ta festojmë.

Urime, urime,
Paç jetë të gjatë,
Shoqja ime e dashur
Me zemër të artë.



Mirë se erdhe pranverë



Gjethet çelin,
Bashkë me lulet,
O sa mire, qyteti im.

-Fluturat, zogjët, 
dallëndyshet
- po na vijnë fluturim.

Mirë se erdhe, zog i malit,
mirë se erdhe n’qytetin tim!
Kënga jote na mahnitë
Mbushur plot me cicërimë.

Shokët dhe shoqet
Janë të gëzuar
Për pranverën
E gjelberuar.

Lule e bukur


Lule e bukur,
Je si kukull,
E bukur që je
Manushaqe çel.

Shtëpia ime
Sa bukur - lule plot,
Aromë e mire në dhomë,
i dua si gjithmonë.

O lule e bukur,
je si kukull,
Unë të dua shumë
dhe e di se ti e di.

2011/05/25

Violeta Murati : Kapuscinksi: Gazetaria mision, jo karrierë!



 Një poet në vijën e frontit prezanton para publikut botën e Ryszard Kapuscinskit, korrespodentit të famshëm të luftës dhe një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore. Një film nga Gabrielle Pfeiffer, 62 minuta, produksion i 2003-shit, u projektua mbrëmë në Akademinë e Filmit “Marubi”, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias. Ky udhëtim përfshin vizita në shumë vende të përmendura në librin e Kapuscinskit “Imperium”. Kapuscinski dhe miqtë e kolegët e tij gjithashtu diskutonin sfidat e shkrimtarëve, kur u përballën me censurën dhe reportazhet si një formë letrare


Ryszard Kapuscinski


Një poet në vijën e frontit prezanton para publikut botën e Ryszard Kapuscinskit, korrespodentit të famshëm të luftës dhe një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore. Një film nga Gabrielle Pfeiffer, 62 minuta, produksion i 2003-shit, u projektua mbrëmë në Akademinë eFilmit “Marubi”, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias.
I njohur si “Indiana Jones with a notepade”, Kapuscinski është një legjendë në mesin e kolegëve të tij i cili ka kërkuar për të vërtetën dhe përvojën njerëzore në vendet më të rrezikshme. Në këtë film, regjisorja indipedente Gabrielle Pfeiffer zbulon sfidat e shkrimtarit përballë censurës, dhe shqyrton linjën mes gazetarisë dhe letërsisë. Ajo e konsideron dallueshmërinë e Kapuscinskit, përmes regjistrimit të fakteve të vështira të një ngjarje të kohës, duke arritur në thellësi, në thelbin e përvojës njerëzore.
Zonja Pfeiffer udhëtoi me Kapuscinksin në katër shtete, kapjen e karakterit të tij të vërtetë, pasionin e tij, humorin dhe demonët e tij. Ajo hodhi vështrimin te fëmijëria e Kapuscinskit, si një refugjat në Poloni gjatë luftës së dytë botërore, me përvojat e tij të mëvonshme në fushëbetejat e botës së tretë, një ëndërrim poetik i tragjedisë dhe absurditet të luftës.
Ky udhëtim përfshin vizita në shumë vende të përmendura në librin e Kapuscinskit “Imperium”. Kapuscinski dhe miqtë e kolegët e tij gjithashtu diskutonin sfidat e shkrimtarëve kur u përballën me censurën, dhe reportazhet si një formë letrare.

***
Për Ryszard Kapuscinskin, i cili vdiq në moshën 74 vjeç, në janar të 2003, gazetaria ishte një mision, jo një karrierë, dhe ai kaloi një pjesë të madhe nga jeta e tij, për fat të mirë, në vende të padukshme dhe të errëta, shumë prej tyre në Afrikë, duke u përpjekur të përcjellë thelbin e tyre nga një kontinent i largët. Askush nuk ishte më i befasuar se ai kur, në mes të moshës 40 vjeçare, ai papritur u bë ekstremisht i suksesshëm, me librin e tij të përkthyer në mbi 30 gjuhë. Ai fitoi çmime letrare në Gjermani, Francë, Kanada, Italia dhe Amerikaë, dhe u bë gazetar i shekullit në Poloni. Kapuscinksi u lind në Pinsk, tani në Bjellorusi, dhe në vitin 1945, u dërgua në Poloni nga nëna e tij, në kërkim të babait ushtar.
Lufta si një normë e jetës ishte e rëndë për psikologjinë e të riut, pas viteve të para të urisë së pandërprerë, të ftohtit, vdekjeve të papritura, zhurmës dhe terrorit, pa këpucë, pa shtëpi, pa libra në shkollë. Dekadat e mëvonshme ai ka shkruar: “Ne, që shkuam përmes luftës e dinim se sa e vështirë ishte të përcillje të vërtetën në lidhje me atë se çfarë ishte kjo përvojë, për fat të mirë, të panjohur. Ne e dinim se gjuha nuk na shërbente, se si shpesh ndjeheshim të pafuqishëm, si përvojë është, në fund, e pakomunikueshme”.
Pas universitetit në Varshavë, ku ai studioi histori, ai gjeti punë si gazetar praktikant, në një revistë rinore, ishte vetëm 23 vjeç. Ai ishte gazetari i parë polak, i përligjur, i dërguar jashtë vendit si në Indi, Pakistan dhe Afganistan. Më vonë ai lëvizi për në Agjencinë e Lajmeve Polake, dhe qëndroi atje deri më 1981.
Në vitin 1957 shkoi në Afrikë, dhe u kthye atje shpesh, aq sa ishte e mundur, në 40 vitet e ardhshme. Ai mbuloi gjithë kontinentin, përfshirë 27 revolucionet dhe grushtet e shtetit, dhe ishte i ekzaltuar nga të qenit pjesëmarrës i kësaj historie. Ai dhe punëdhënësi i tij nuk patën para, por ai ishte një krijues i cili shpesh pati kontakte për të ndihmuar gazetarët e tjerë, të cilët nuk kishin para për të marrë avionin, dhe kështu të dy arritën në skenën e dramës më të fundit. “Afrika ishte rinia ime”, shkruante ai më vonë, duke përshkruar se sa shumë patën kuptim kontinentet për atë.
Në vitet e para si gazetar ai zhvilloi teknikën e dy fletoreve: njëra i lejohej për të fituar jetesën me bukë në raportimin e fakteve për agjencinë, ndërkohë tjetra ishte mbushur me përvoja duke besuar në modestinë e pakomunikueshme, por që u bë libri i tij më i famshëm “The Emperor” 1978. Ai ishte libri i parë përkthyer në anglisht dhe Janathan Millet e përshtati atë për teatrin mbretëror, në vitin 1985.
Përpara “The Emperor”, ai shkroi ndoshta librin e tij më të mirë, “Another day of life”, 1967, unik dhe vështrues i afërt i kolapsit, rënies së kolonializmit portugez në Angola, të cilën e përshkroi si “një libër shumë personal, rreth të qenit i vetëm dhe i humbur”. Ai ishte i vetmi gazetar i huaj, dhe i vetmi nga Evropa Lindore, në Luandën e verës kaotike dhe të frikshme të 1975. Si kolonët portugezë grumbulluan jetën e tyre në port, ushtarët nga aparteidi në Afrikën e Jugut, Zaire dhe Kuba lëvizën në drejtim të kryeqytetit në ballë ose prapa ushtrive konkurruese Angolane, ndërsa hijet e burrave nga CIA dhe PIDE portugeze, të ushqyer me thashetheme të triumfit për një anë apo tjetrën.
Mes historive të pabesueshme, të histerisë, fija e vetme e sigurt e ditëve të Kapuscinskit ishin mbrëmjet kur lidhej me teleks me Varshavën, kur ai mund të paraqiste ndonjë histori, që ai kishte sajuar nga thashethemet dhe skenat e çmendura në rrugë, pyeste rreth motit në shtëpi, dhe ankohej për ushqimin. Ai kurrë nuk e hoqi nga mendja e tij Angolën, edhe kur ishte në Londër, më 1986, ai donte kryesisht të bisedonte për librat e tjerë gjatë kësaj periudhe.
Ndër librat e tjerë të tij ishte “Shah of Shahs”,1982, në fund të ditëve të Shahut të Persisë, dhe koleksione të tilla si “The soccer war”, 1978, “The shadow of the sun”, 1998, dhe më pranë shtëpisë “Imperium”, 1993, esetë dhe reportazhet në Bashkimin Sovjetik, dhe pesë volume të eseve dhe poezive, “Lapidarium”.

***
Të gjitha shkrimet e Kapuscinskit që lidhen me zhvillimin e vendeve, dolën nga përvoja e të jetuarit në këto vende. Ato ishin një rrjet origjinal që e bëri atë të njohur ndër intelektualët si të Afrikës, Amerikës Latine dhe në shtëpinë e tij, Poloninë. Të gjitha portretet që përshkroi ishin për të njohur mekanizmin e sundimit diktatorial, aq sa vlerësimi i tij, ishte lehtësim në ndjeshmërinë e jetës së njerëzve të zakonshëm.
Kapuscinski përshkroi punën e tij për “reportazhet letrare”. Dhe, edhe pse ai ishte një njeri modest, ai besoi në rëndësinë e saj për të kuptuar botën. “Pa u përpjekur për të hyrë në mënyra të tjera për të shikuar... duke i menduar, duke i përshkruar, ne nuk do të kuptojmë asnjë gjë nga bota”. Mendja evropiane, besonte ai, ishte shpesh tepër dembele për të bërë përpjekje intelektuale, për të parë dhe kuptuar botën e vërtetë, e dominuar nga probleme komplekse të varfërisë, dhe larg nga bota e manipuluar e televizionit.
Qetësia dhe stabiliteti i Evropës e mërzitnin atë, dhe ai viteve të fundit të jetës i kaloi, një sasi kohe e konsiderueshme, si pedagog në Meksikë, shpesh me mikun e tij Gabriel Garcia Marquez. Ai fliste gjithnjë për rëndësinë e reportazheve, dhe lëshonte fjalë thumbuese mbi lajmet si një mall, që fluturon nga “korrespondentë specialë”, të cilët raportojnë mbi drama pa kontekst. Ai urrente atë që ai e quajti “metamorfozë e mediave”. Vlera e lajmeve në ditën e tij, thoshte ai, nuk kishte të bënte me përfitimin, por ishte një temë e luftës politike, dhe kërkimi për të vërtetën.
Shkrimtari John Updike e adhuronte Kapuscinskin. Ndërsa Gabriel Garcia Marquez e ka etiketuar atë “zot të vërtetë të gazetarisë”. “Gazetar, udhëtar i përhershëm” është shkruar në media kur vdiq Kapuscinski, kur ky vetë ka deklaruar se puna e tij ishte “realizëm magjik”, duke përdorur “alegori dhe metafora për të përcjellë çfarë po ndodhte”.
Leksioni më rutinë i gazetarit ka qenë në këmbënguljen e tij të vazhdueshme se “të gjithë ata që lexojnë, e kuptojnë nga konteksti se jo gjithçka në to duhet të merret fjalë për fjalë”. Kjo vlerësohet si një kërkesë e guximshme e Kapuscinskit. Polonia totalitare ishte e vështirë për gazetarin, që punonte për agjencinë e lajmeve të qeverisë, ku nuk mund të shkruante të vërtetën në lidhje me vendin e tij, kështu u kanalizua në përvojat e tij në Sudan, Etiopi, Angola, El Salvador, Bolivi, Irani, dhe Kili, në mesin e vendeve të tjera, për të folur polonisht rreth jetës nën komunizëm. “Kjo është në rregull për mua për sa kohë që askush nuk e quan gazetarinë e tij lëvizje të këmbëve”, - shkruan një eseist.
"Gazetarët duhet të thellojnë njohuritë e tyre antropologjike dhe kulturore dhe për të shpjeguar kontekstin e ngjarjeve, ata duhet të lexojnë". Ishte kjo platformë racionale për gazetarët nga Kapuscinski, i cili “goditej” dhe nga kritika. Për të kishte shumë ankesa se asnjëherë nuk përmend data, kurrë nuk jepte emrin e ministrit, harronte rendin e ngjarjeve etj. Kësaj gazetari i përgjigjet me ironi, se kjo është pikërisht çfarë shmang, në të kundërt ai thoshte: në qoftë se ato janë pyetjet që dëshironi si përgjigje, mund të vizitoni bibliotekën tuaj lokale, ku do të gjeni gjithçka ju nevojitet; gazetat e kohës, libra reference, apo fjalor.
“Udhëzues për realitetin”- kjo është referenca për librat e Kapuscinskit, i cili lirinë e gjente në vendet dhe ngjarjet, ndonëse paralajmërohej për të mos marrë seriozisht këtë gazetar.
Disa janë të mendimit dhe besojnë se “teknika” e Kapuscinski ishte për mbrojtje, pasi lejonte shkrimtarët dhe gazetarët për të arritur një të vërtetë të lartë.

Shqipja letrare dhe gjuhëtarët e pasluftës





Nga Agustin Kalaja

Çmitizimi është një thikë me dy presa, që pret nga ajo anë që e drejton njeriu, sipas qëllimeve që ka. Te ne, nën pretekstin e luftës kundër totalitarizmit, çmitizimi është përdorur si mjet asgjësimi, duke i rënë ndesh edhe interesave kombëtare. Kështu:


u bënë përpjekje “për të çmitizuar” heronj të luftës së Dytë Botërore (p.sh. heronjtë e Vigut), Plakun e Vlorës (Ismail Qemali), heroin kombëtar (Skënderbeu), kurse tani na bëhet thirrje “të çmitizojmë historinë e shqipes standarde”, e cila, sipas autorit të kësaj teorie, vuan nga: . 1. Miti i “superioritetit” sasior të toskërishtes së shkruar; 2. Miti i “njësimit” të toskërishtes së shkruar; 3. Miti i dy “bashkëvarianteve” letrare veriore; 4. Miti i koinesë letrare “sui generis”. 
Për “mitin” e parë, prof. B. Beci thotë: “Për të treguar nivelin e zhvillimit të variantit letrar jugor në krahasim me variantin verior, është shkruar se, nga Rilindja e gjer më 1944, dialekti më i shkruar e më i përhapur me shkrim në vendin tonë qe vazhdimisht jugori ose “koineja letrare jugore”, e cila, jo vetëm gjatë Rilindjes, por edhe në dhjetëvjetorët e mëpastajmë, kishte pasur një përhapje më të gjerë në shkrim sesa dy bashkëvariantet veriore, dhe për këtë jepeshin edhe të dhëna statistikore”.
Sipas prof. B. Becit, “të dhënat statistikore të sjella për të vërtetuar mbizotërimin e toskërishtes letrare ndaj gegërishtes letrare janë të manipuluara nga pozita të caktuara”. Provat për këtë pohim, ai i nxjerr nga njoftimet statistikore të studimit “Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare”, botuar më 1997 nga S. Çapaliku, i cili ka shkruar se “shekulli XVII është shekulli i gegërishtes. Unë i pranoj të mirëqena këto shifra, sepse janë të njëjta edhe me ato që jep Dh. Shuteriqi më 1949, me përjashtim të shekullit të XX-të, që ai nuk e mori në shqyrtim dhe që është plotësuar sot nga S. Çapaliku, duke na vërtetuar në mënyrë të pamohueshme se gegërishtja nuk paska qenë e ndaluar, se ai liberalizmi gjuhësor, për të cilin flet profesori i nderuar Emil Lafe, qenka më se i vërtetë. Por, unë nuk mund të pranoj kurrë komentin e z. Çapaliku, mbështetur edhe prej prof. B. Becit, që:“Shkrimin në toskërisht, sa i takon numrit të veprave, e ndihmon kontributi letrar i bashkësisë arbëreshe të Italisë... Përndryshe, raportet në mes dy dialekteve të shqipes, nxjerrë prej librash të botuar e të shkruar brenda Shqipërisë, do të rezultonin në favor të gegërishtes letrare”.
Sa miopi e sa ndasi fsheh në vetvete ky “argument”! Çfarë e shtyn autorin të bëjë përllogaritje të tilla cinike dhe aspak shkencore? Po toskërishtja, ashtu si gegërishtja, është kryedialekt, nuk është një nëndialekt a një e folme e humbur, që dikujt i desh qejfi dhe e vuri në krye të sofrës, për të “dhunuar të drejtat e gegërishtes”! Mua më vjen turp të zgjatem me këto lloj stërhollimesh, ku bien brenda vetë ata që i sajojnë dhe që vetëm shkencë nuk janë, prandaj po e përmbyll këtë pikë me citimet si më poshtë:
“Letërsia jonë kombëtare, ka thënë Prof. Çabej, vjen si rrjedhojë e derdhjes në lumin e letërsisë kombëtare të shekullit XIX e tri qarqeve parakombëtare: Qarku katolik i Shqipërisë Veriore, Qarku italo-shqiptar dhe Qarku ortodoks i Shqipërisë Jugore.
“…në shekullin XIX, shtjellon prof. Çabej, idetë e shekullit të dritës (shekullit XVIII) dhe ato të romantizmit nisin e përhapen dhe në Shqipëri edhe në diasporën shqiptare… pemët e para të kësaj lëvizjeje mendore,… u dukën së pari,… tek arbëreshët e Italisë me Jeronim De Radën në krye. Për “mitin e  dytë”, prof. Beci, duke u mbështetur kryesisht në analizat që ka bërë N. Resuli për veçoritë e gjuhës së shkruar të autorëve me origjinë jugore dhe duke vjelur maja-maja të dhëna nga vepra e Naim Frashërit, arrin në përfundimin se është e vështirë të përligjet pretendimi i përfaqësuesve të gjuhësisë së pasluftës për praninë e “një koineje letrare gjithëjugore me një bazë të gjerë” dhe me “një nivel të lartë të njësimit”. Pra, sipas tij, toskërishtja letrare ka qenë e copëzuar, sepse çdo shkrimtar ka shkruar në nëndialektin e tij dhe jo në një toskërishte letrare.
Sigurisht që ky është një përfundim i pasaktë, sepse shkalla e njësimit të toskërishtes apo të gegërishtes së shkruar nuk mund të matet me lëkundjet në gjuhën e njërit apo të tjetrit autor, nuk mund të matet me statistika sasiore të thata që nuk pasqyrojnë evolucion, por me dukuri të përgjithshme e të përbashkëta në zhvillim. A. Xhuvani shkruante se proza e Naimit bashkë me atë të Vretos, të Mitkos e të tjerëve shkrimtarë toskë të Rilindjes formon toskërishten e vjetër kurse ajo e mbas kësaj periudhe formon toskërishten e re. Atëherë lindin pyetjet:
1. Si paraqitej toskërishtja e re, më pak apo më shumë e njësuar se toskërishtja e vjetër?
2. Si matet shkalla e njësimit të toskërishtes letrare: nëpërmjet mesatares matematikore të toskërishtes së vjetër e të re bashkë, apo nëpërmjet grafikut të zhvillimit të përgjithshëm cilësor?
3. Cilat ishin vlerat dhe përhapja e literaturës së shkruar në toskërisht?
Që të gjithave u jep përgjigje prof. Çabej, kur thotë:  
“Për mbledhjen e folklorit pak u bë, me përjashtim të "Bletës shqipëtare" të Th. Mitkos; po ç'u la mënjanë në këtë fushë, u kompensua më së miri me anën letrare e gjuhësore.
“Miti i tretë”, sipas autorit të artikullit, është krijuar nga gjuhëtarët e pasluftës për të bindur shqiptarët se në dialektin geg ka pasur dy variante letrare: shkodranishtja dhe elbasanishtja, kur në të vërtetë varianti letrar i elbasanishtes nuk ka ekzistuar.
Ky arsyetim është një përllogaritje e ngjashme me atë të S. Çapalikut, i cili bën zbritjen arithmetike të prodhimit letrar e gjuhësor arbëresh nga ai tosk. Po ç’rëndësi ka? Nuk ka qenë variant letrar, por ka qenë dialekt i gegërishtes, i vendosur nga Komisia Letrare e Shkodrës (më 1916) për t’u përdorur si gjuhë shkrimi në të gjithë territorin e gegërishtes e në një pjesë të mirë të territorit të toskërishtes. Me mitin e katërt, prof. B. Beci kundërshton shqipen standarde si variant letrar mbidialektor, duke shprehur bindjen që ajo është një toskërishte veriore e ngritur në normë, falë ligjërimit të saj prej shtetit komunist, sepse, sipas tij, dukuritë e sjella në studimet e pasluftës për të vërtetuar bashkëveprimin ose integrimin e tipareve dalluese të dy dialekteve kryesore të shqipes nuk janë tipare dalluese.
Së pari, dëshirojmë të themi se nuk është e re që shumë gjuhë standarde janë ndërtuar mbi një dialekt të caktuar, por është e pazakontë që gjuha letrare, siç është rasti i shqipes, të miratohet, të zbatohet dhe të shërbejë si symbol identiteti përtej kufijve shtetërorë. Në rrethet intelektuale të Kosovës e të Maqedonisë, që i kishin kuptuar përpjekjet e politikës jugosllave për t'i ndarë edhe gjuhësisht shqiptarët e Jugosllavisë nga trungu mëmë, erdhi duke u forcuar bindja se për ruajtjen e njësisë kombëtare duhej ruajtur njësia gjuhësore. Dhe kjo u arrit në Konsultën e Prishtinës të prillit 1968, e cila pranoi pothuajse plotësisht "Projektin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe", të botuar në Tiranë më 1967. Por prof. Beci, i mbërthyer pas fonetikës shqipe, për të cilën është dërguar për specializim katër vjet në Francë pikërisht nga ai akademiku “sovjetik” Kostallari dhe nga ai shteti komunist, përpiqet t’i mbushë mendjen lexuesit se dy kryedialektet e shqipes dallohen më së forti në sistemin fonetik, ku, si tipare dalluese më të rëndësishme, që duhet të jenë të pranishme në njësinë bazë të gjuhës letrare, mund të vlerësohen: hundorësia zanore e gegërishtes, që mungon në toskërishte, dhe prania e fonemës zanore të theksuar ë në toskërishte, e cila mungon në gegërishte (geg. na:n / tosk. nën(ë)), për shkak se këto lidhen me inventarin e fonemave dhe veçoritë e funksionimit të sistemit fonetik të dy dialekteve të shqipes. Kurse rotacizmin, domethënë praninë e fonemës [ r ] në atë grup fjalësh që në gegërishte dalin me fonemën [n]: (geg. bana / tosk. bëra), e shikon si ndër tiparet dalluese më pak të rëndësishme në fonetikë. E thënë më thjesht: gjuha letrare shqipe duhet të pasqyrojë më së pari kam ba e banasesa kam bërë e bëra.
Askush nuk mohon që këto dallime fonetike janë të rëndësishme, por për studimin e dialekteve dhe jo për gjuhën letrare, një nga parimet e së cilës është theksimi dhe fuqizimi i tipareve dalluese integruese e konvergjuese të gjuhës. Le ta konkretizojmë këtë, duke marrë si shembull pikërisht tiparet që citon më sipër prof. B. Beci: hundorësinë zanore të gegërishtes dhe rotacizmin e ruajtjen e zanores së theksuar ë në toskërishte.
Për zanoren ë të toskërishtes, gjykojmë se mjafton të përmendim se ç’ka thënë për të Prof. Çabej në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, pikërisht aty ku u shpall formimi i gjuhës letrare kombëtare shqipe:
“Kur Komisia Letrare e Shkodrës, në "Parimet e rregullat" që caktoi për drejtshkrimin e shqipes aty nga fillimi i vitit 1917, vendosi që zanorja ë e pathekse, grupet zanore ie, ue, ye dhe grupet bashkëtingëllore mb, nd e ngj do të shkruhen të plota ashtu si i ruan këto toskërishtja e pjesërisht dhe disa nëndialekte të gegërishtes”. Pra, për këtë arsye shkencore dhe madhore për gjuhën letrare shqipe, zanorja ë, grupet zanore ie, ue, ye dhe grupet bashkëtingëllore mb, nd e ngj të toskërishtes janë përfshirë në njësinë bazë të themelit të saj qysh në fillimet e shek. të XX-të, dhe po për këtë arsye nuk u ndryshua as nga gjuhëtarët e mëvonshëm.
Për hundorësinë zanore të gegërishtes, duhet të theksojmë se është një dukuri që nuk mungon vetëm në dialektin tosk, por edhe në një varg të folmesh të vetë gegërishtes, si në ato të Dibrës, Ulqinit dhe pjesërisht të Tropojës e të Malësisë së Gjakovës (mungesa e o-së hundore), të Llapit (mungesa e zanoreve hundore i, o, u), të Shalë Bajgorës (mungesa e zanoreve hundore  i, u, y), të Preshevës e Bujanovcit (mungesa e ë-së hundore) etj.
Gjithashtu, hundorësia i ka bjerrë bashkëtingëlloret hundore m e n, që ndiqnin pas zanoret dhe që ruhen ende në disa të folme të gegërishtes, madje edhe në folklorin e disa të folmeve të toskërishtes jugperëndimore. Kështu, ndërsa në shkodranishte kemi: ka bâ, pâ, prê (me zanore hundore), në disa të folme gege kemi ende: kabam(ë), pam(ë), prem(ë) etj., kurse në toskërisht kemi: ka bërë, parë, prerë. Këto fakte flasin për një dukuri të përbashkët të gjuhës shqipe, që ka divergjuar në rotacizëm në dialektin tosk dhe në hundorësi zanore në dialektin geg. Pra, në bazën fonetike të gjuhës letrare shqipe, përveç elementëve të përbashkët, janë gërshetuar elementë e veçori dalluese, por me prirje konvergjuese, të dy dialekteve të shqipes, prirje për të cilën prof. Çabej shkruan:
“Po qenësore, esenciale në këtë mes, në dallim nga periodat e mëparme të historisë së shkrimit të shqipes, është që vija e zhvillimit gjuhësor shkon drejt konvergjencës. Dhe ajo shkon në thelb vetvetiu, në pajtim me ligjet e brendshme të gjuhës. Ky proces nuk mund të çmohet kurrë mjaft në rëndësinë e tij. Ai ka për të vepruar më tej edhe në të ardhmen” (Fjala në Kongresin e Drejtshkrimit, Tiranë, 1972).
Kurse argumentit të prof. B. Becit për rëndësinë e hundorësisë zanore si tipar që lidhet me inventarin e fonemave dhe veçoritë e funksionimit të sistemit fonetik të gegërishtes, i ka dhënë zgjidhje Kongresi i Manastirit (1908), i cili, krahas çështjes teknike të alfabetit (çështjes së përcaktimit të grafemave), zgjidhi njëherë e mirë e mbi të gjitha çështjen e njësimit të fondit fonetik-fonologjik të ligjërimit shqip, ku zanoret hundore nuk janë përfshirë.
Si përfundim, lënia e hundorësisë zanore jashtë gjuhës letrare kombëtare dhe përfshirja në të e rotacizmit ka arsye shkencore dhe aspak politike apo denigruese ndaj dialektit geg. E njëjta gjë edhe për shkodranishten letrare, për të cilën prof; S. Riza, gjuhëtar, përfaqësues dhe mbrojtës i njohur i gegërishtes, thotë se nuk mund të bëhej gjuhë letrare e përbashkët, sepse kishte shkuar shumë larg në rrëgjimin e formave fonetike të fjalëve. Pra, vendimet dhe veprimet për krijimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe janë mbështetur mbi arsye shkencore. Dhe arsyet shkencore nuk lënë vend për krijim mitesh. Mitet për të cilat pretendohet nuk janë mite, por ankesa ankimtarësh e stërhollime që burojnë nga pasione të verbra me frymë bajraktariste, që vetë koha do t’i flakë si sajesa të dëmshme, për t’i lënë vend zhvillimit normal të gjuhës letrare kombëtare dhe nderimit për të gjithë ata që me devotshmëri punuan për të.

Historia e politizimit të gjuhësisë shqiptare


Bahri Beci





Të mbrosh historinë e vërtetë dhe me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare të Skënderbeut është detyrë e kujtdo që vlerëson të vërtetën, po të mbrosh të pavërtetat e thëna për historinë e standardizimit të shqipes standarde (kujdes se ti më duket nuk kupton dallimin në mes të shqipes standarde, me shpjegimet e dhëna për historinë e formimin e saj) janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme i dashur, aq të ndryshme sa ç’janë nga njëra anë Skënderbeu me bëmat e tij historike dhe nga ana tjetër historia e shkruar nga ndonjë pseudoshkencëtarë për të



Zoti Agustin Kalaja ka botuar në gazetën “Sot” të datës 16 shkurt 2011 artikullin me titull Shqipja letrare dhe gjuhëtarët e pasluftës, ku merr në “shqyrtim” pikëpamjet e shprehura prej meje në artikullin Historia e shqipes standarde e çmitizuar të botuar në gazetën Standard të datës 3 dhjetor 2010.

 Nuk kisha në mend t’i përgjigjesha këtij artikulli sepse në të nuk gjej as edhe një argument që të më detyrojë që t’i rishikoj pikëpamjet e mia që gjerësisht i kam shtjelluar në librin Historia e standardizimit të shqipes të botuar në fund të viti 2010, të cilin, me sa duket, ai nuk e ka lexuar.
Gjithsesi, unë fillimisht do t’i rekomandoja autorit të artikullit ta lexonte librin që të kuptonte më mirë të vërtetën e pikëpamjeve të mia për këtë problematikë.
Megjithatë, po marr mundimin që t’i përgjigjem, ndonëse në reagimin e tij nuk ka asgjë shkencore për të diskutuar.
Zoti Agustin, e vërteta është që unë nuk të njoh, po të them te drejtën, mjaftojnë ato që ke shkruar që të marr vesh se kam të bëjë me një njeri që nuk do që të kuptojë të vërtetën, pra nuk do të kuptojë që shpjegimet e dhëna për historinë e formimit të shqipes standarde nga gjuhësia shqiptare e pasluftës, në thelbin e tyre, janë jo të argumentuara, madje shkencërisht të gabuara dhe të politizuara për të mos thënë më shumë.
Dua të sjell në vëmendjen tënde që politizimi i gjuhësisë shqiptare ka filluar shumë herët që në vitet dyzetë-pesëdhjetë të shekullit të kaluar. Në qoftë se nuk e di, mësoje që nga përfaqësuesit e gjuhësisë zyrtare të pasluftës, në Sesionin e parë të Institutit të Shkencave në vitin 1952 veprimtaria shkencore e profesor E. Çabejt është etiketuar si « antipatriotike » (Buletin për Shkencat Shoqërore, Tiranë, 1952, I, f. 52). Çfarë është kjo për ty?!
Edhe në vitet 1966-1969, pra 15 vjet më vonë, profesor E. Çabejt, në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, i është bërë një gjyq i tipit kinez me akuzën për përulje përpara autoriteteve të huaja. Po kjo çfarë është për ty?! Për të mos vazhduar më tej me qëndrimet ndaj profesor Selman Rizës e me radhë.
Po më mirë lexo vetëm fragmentet që vijojnë, që i kam shkëputur nga shkrimet e përfaqësuesve të gjuhësisë zyrtare të pasluftës dhe pastaj më thuaj se çfarë janë ato për ty.
Në vitet 1948-1952, përfaqësuesit e gjuhësisë zyrtare pohonin se “ jugu i Shqipërisë ishte më i zhvilluar se veriu nga pikëpamja ekonomiko-shoqërore dhe kulturore, se jugu ishte djepi i lëvizjes kombëtare të Rilindjes, se kolonitë shqiptare në mërgim përbëheshin kryesisht nga toskë, se ideologët, udhëheqësit dhe shkrimtarët e lëvizjes ishin nga jugu etj.” dhe se « Gjatë Rilindjes, edhe kleri katolik i veriut nisi të zgjerojë veprimtarinë e tij të hershme letrare. Po ai, në përgjithësi nuk frymëzohej nga idealet e Rilindjes. Qëllimi i tij kryesor qe me zëvendësue një pushtues me një tjetër - Turqinë me Austrinë »; se « Kleri katolik ... u përpoq për përçamjen e popullit shqiptar. Kjo veprimtari politike antikombëtare e klerit katolik, reflektohet edhe në punën e tij me gjuhën …»; se « Austria me anë të Ministrisë së saj t’Arsimit, Italia me anë të Mustafa Krujës e t’Institutit të Studimeve Shqiptare, kush më shumë e kush më pak, i mbështetën disa shkrimtarë e studiozë gegë të gjuhës që të shpallin nëndialektin e Elbasanit gjuhë zyrtare » (Buletin për Shkencat Shoqërore, 1952, I, f. 53-54).
Pra, sipas tyre, në Shqipëri, gjatë periudhës së Rilindjes e këtej janë ndjekur dy politika gjuhësore: një kombëtare dhe një antikombëtare. E para, e përfaqësuar nga ideologë, udhëheqës dhe shkrimtarë jugorë dhe disa autorë gegë që u frymëzuan nga idealet e Rilindjes e punuan për të, po që nuk e luajtën dot rolin e tyre dhe e dyta, e përfaqësuar nga kleri katolik i veriut. Po të kemi parasysh që shkrimtarët katolikë ishin përfaqësuesit kryesorë të letërsisë shqiptare të veriut, të shkruar në dialektin verior, atëherë bëhet e qartë që ata, politikën gjuhësore, po edhe më gjerë, politikën kulturore shqiptare në periudhën e Rilindjes kombëtare dhe pas saj, e ndanin, pak a shumë, në politikë jugore kombëtare dhe në politikë veriore antikombëtare. Çfarë i thua ti kësaj?
E njëjta gjë bëhej edhe në vitet tetëdhjetë kur ata shkruanin: “Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe pas Shpalljes së Pavarësisë ka pasur dy politika gjuhësore, një politikë kombëtare të përfaqësuar nga personalitete të tilla si Sami Frashëri, Kostandin Kristoforidhi, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani etj. dhe një politikë antikombëtare të përfaqësuar nga të huaj dhe nga qarqe antikombëtare reaksionare, ku një rol të veçantë kanë luajtur përfaqësuesit e klerit e sidomos të urdhrave katolike”; “ndeshja e dy politikave gjuhësore kombëtare e antikombëtare, karakterizoi, si vitet 20, ashtu edhe vitet 30 e gjysmën e parë të viteve 40 të shekullit tonë” (« Studime filologjike », Tiranë, 1985,2); ose “Gjatë viteve 20-30 u bë bipolarizimi i forcave që luftonin për të zgjidhur problemin e gjuhës letrare. Në një anë, u radhitën ata që e thelluan vijën themelore të Rilindjes dhe vazhduan me këmbëngulje përpjekjet për njësimin e shqipes së shkruar. Këto ishin forcat demokratike që lulëzimin e gjuhës letrare e lidhnin ngushtë me demokratizimin e përparimin e gjithanshëm të shoqërisë shqiptare »; « Kundër tyre, nxorën krye disa pikëpamje divergjente, lokaliste e partikulariste, antikombëtare e antidemokratike e njëkohësisht edhe antihistorike, që ishin shprehje e luftës së klasave në plan kombëtar e ndërkombëtar »; « ata u ngritën kundër vendimeve të Komisisë Letrare...kundër një gjuhe letrare të vetme për gjithë kombin shqiptar... se Flamurin e këtyre forcave reaksionare e morën sidomos krerët e urdhrave katolike ndër të cilët Gjergj Fishta» (po aty, f. 24-25). Po këto çfarë janë për ty zoti Agustin?
Po për hir të së vërtetës problemi yt i dashur është se të mungon kthjelltësia, jo për të kuptuar thelbin pozitiv madje kombëtar të atyre që kam shkruar unë, po edhe për t’i formular qartë “mendimet” e tua se për parashtrim argumentesh nga ana jote as që mund të bëhet fjalë.
Ti fillimisht duhet të mësosh të lexosh. Në asnjë vend të artikullit tim nuk kam thënë, siç pretendon ti, se gjuha letrare shqipe “duhet të pasqyrojë më së pari kam ba e bana sesa kam bërë e bëra” e budallaqe si këto.
Më fal, se nuk është në natyrën time të shkruaj kështu, po mungesës tënde të respektit e përgjegjësisë nuk ka rrugë tjetër për t’ju përgjigjur.
I dashur, ti nuk ke kuptuar asgjë nga ato që kam shkruar unë, prandaj të lutem ose lexoji dhe përpiqu t’i kuptosh, dhe po deshe të ndihmoj edhe unë, po mos fol përçart se kjo nuk të nderon as ty as edhe ndonjë tjetër që mund të fshihet prapa teje.
Nuk e kam fajin unë në qoftë se them kështu, po fraza të njëjta dhe një mënyrë po aq alogjike të të menduarit e kam ndeshur edhe një herë tjetër tek dikush si puna jote, po nuk kam pasur as kohë as dëshirë t’i përgjigjem. Dua të them se jeni një serë ju që i jeni bërë rrodhe kësaj shoqërie për ta penguar emancipimin e saj, po kot e keni, e vërteta i dashur vonon, po nuk harron.
Për mua do të ishte kënaqësi të ballafaqoja pikëpamjet e mia që janë rezultat i një përvoje e përkushtimi që do të duhej të të “impononte”të paktën respekt, me “pikëpamjet” e kujtdo tjetër që e shqetëson e vërteta, po më vjen keq se ti je shumë larg këtyre standardeve.
Në reagimin tënd që në fillim ka mllef dhe përpjekje për klasifikime që vetëm me shkencën nuk kanë të bëjnë.
Po ti çfarë kërkon t’i imponosh lexuesit me ato që shkruan që në fillim të artikullit tënd, i cili do të duhej të kishte frymë shkencore, sepse i tillë është edhe artikulli im, me të cilin ti kërkon të “polemizosh”.
“Çmitizimi, shkruan ti që në fillim, është një thikë me dy presa, që pret nga ajo anë që e drejton njeriu, sipas qëllimeve që ka”.
Pra, së pari, ti, preokupimin tim shkencor, kërkon ta etiketosh si një thikë. Këtu edhe mund të kesh të drejtë, sepse artikulli im është kritikë ndaj pohimeve të paargumentuar të gjuhësisë shqiptare të pasluftës për historinë e shqipes standarde dhe ti mund ta quash edhe thikë, po jo thikë për të vrarë, siç mendon ti, po thikë kirurgu që përpiqet të shërojë plagë.
Së dyti, ti preokupimin tim shkencor, kërkon ta etiketosh si mjet asgjësimi, si antikombëtar e më the e të thash, tamam siç bënin dikur përfaqësuesit e gjuhësisë shqiptare të pas luftës ndaj profesorëve tanë të nderuar.
“Te ne, shkruan ti në vazhdim, nën pretekstin e luftës kundër totalitarizmit, çmitizimi është përdorur si mjet asgjësimi, duke i rënë ndesh edhe interesave kombëtare. Kështu: u bënë përpjekje “për të çmitizuar” heronj të luftës së Dytë Botërore (p.sh. heronjtë e Vigut), Plakun e Vlorës (Ismail Qemali), heroin kombëtar (Skënderbeu), kurse tani na bëhet thirrje “të çmitizojmë historinë e shqipes standarde”.
Ti bën një gabim fatal, logjik, ngatërron ose vë në një plan historinë plotësisht të vërtetë dhe të lavdishme të Skënderbeut që dikush sot do ta çmitizojë (kupto zhvleftësojë) me kritikën ndaj shpjegimeve të dhëna pas luftës për historinë e standardizimit të shqipes. Je me mend a po pa mend ti?!
Të mbrosh historinë e vërtetë dhe me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare të Skënderbeut është detyrë e kujtdo që vlerëson të vërtetën, po të mbrosh të pavërtetat e thëna për historinë e standardizimit të shqipes standarde (kujdes se ti më duket nuk kupton dallimin në mes të shqipes standarde, me shpjegimet e dhëna për historinë e formimin e saj) janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme i dashur, aq të ndryshme sa ç’janë nga njëra anë Skënderbeu me bëmat e tij historike dhe nga ana tjetër historia e shkruar nga ndonjë pseudoshkencëtarë për të. Eja në vete, po të duash të bësh një paralelizëm unë nuk kam kërkuar çmitizimin (kupto zhvlerësimin) e Skënderbeut dhe të bëmave të tij, por çmitizimin (zhvlerësimin) e historisë së shkruar nga pseudot për Skënderbeun. Më qartë dhe në mënyrë më të thjeshtësuar se kaq nuk mund të shpjegohem.
Edhe një gjë tjetër, të kritikosh të pavërtetat e gjuhësisë shqiptare të pasluftës për historinë e standardizimit të shqipes dhe të mos pranosh mitizimin e tyre do të thotë të luftosh për të vërtetën. Të pavërtetat zotëri nuk mund të jenë me interes kombëtar. Vetëm në atë shoqëri që lamë pas gënjeshtrat shpalleshin si të vërteta dhe mitizoheshin, pikërisht, sepse ishin të pavërteta dhe pse vetëm kështu arrihej betonizimi i atij sistemi që mbahej vetëm me gënjeshtra. Nostalgjikët e atij pushteti, në pamundësi për ta rikthyer atë përpiqen të ruajnë ndër të tjera edhe gënjeshtrat e përfaqësuesve të tij, me çdo kusht dhe me çdo mjet. Dhe më vjen keq, po ti je bërë me dashje ose pa dashje pjesë e pandashme e tyre.
Ti dhe kategoria jote keni marrë përsipër për të mbrojtur gjithçka nga ai sistem, që, në thelbin e së keqes së tij, kishte nëpërkëmbjen e vlerave kombëtare. Po, po, ti dhe kategoria jote jeni ende nën efektin e drogës pesëdhjetëvjeçare që njerëzit me mendje të kthjelltë dhe përgjegjësi kombëtare po përpiqen t’ua shkulin nga trutë dhe nga trupi, po që me sa duket do të duhet edhe shumë kohë. Po kjo është një rrugë pa kthim prapa i dashur. Dhe mjerë ata që nuk arrijnë ose nuk duan ta kuptojnë.
Po le të kthehemi te artikulli yt.
Ti, i dashur, flet për thika, për mjete asgjësimi, u përgjigjesh pra argumenteve të mia shkencore, me mjete të tjera, kërkon ta politizosh, kërkon ta fyesh madje ta « asgjësosh » « kundërshtarin » me emërtesa të tilla bajate të dala jashtë mode në gojën e serës suaj si “antikombëtar” e më the e të thash. Ti flet njësoj si sëra jote në vaktit. Lexo parathënien e librit dhe do të kuptosh se nuk je tjetër veçse një papagall i keq që riprodhon ato që kanë thënë para teje kolegët e sërës sate. E veçanta jote është se ti nuk je veçse një beniamin i tyre pa vlerë. Dhe këto që po i shkruaj, mos mendo se po i shkruaj për ty, se ti nuk e meriton respektin tim, po për ata nga të cilët e ke frymëzimin, për të mos thënë më tepër.
Nga ato që lexon në fillim, po edhe nga ata që lexon në vazhdim bëhet e qartë se për ty nuk ka rëndësi e vërteta shkencore, e këtu ndahemi përfundimisht, jo vetëm me ty, po edhe me të gjithë ata si ty që nuk u intereson e vërteta shkencore, ose çka është më keq, që kanë frikë nga e vërteta shkencore.
Po përse i quan të nevojshme që në një diskutim shkencor për historinë e standardizimit të shqipes të flasësh për specializimin tim në fushën e fonetikës në Francë. Çfarë lidhjeje ka ndërmjet pikëpamjeve të mia për historinë e standardizimit të shqipes me atë që ti e quan specializim. Ti nuk ke asnjë informacion të saktë lidhur me këtë problematikë dhe kjo kuptohet thjesht kur thua se kam qenë për specializim « katër vjet » në Francë. E vërteta është se unë kam bërë studimet pasuniversitare në Universitetin e Sorbonës dhe kam mbrojtur doktoratën nën drejtimin e profesorit të shquar francez Rene Gsell me rezultatin « Shumë i nderuar dhe me përgëzimet e jurisë ». Ti ia atribuon vajtjen time për specializim ish-drejtorit të institutit dhe shtetit komunist. Këtu ka një pjesë të së vërtetës, sepse pa pëlqimin e tyre nuk ishte e mundur të shkoja jashtë shtetit, po ti nuk di shumë të vërteta të tjera që kur do t’i marrësh vesh, besoj se do ta mbyllësh sqepin dhe nuk do të kesh kurajon të dëgjosh se ç’thuhet nëpër rrugë ose nëpër kafene për të më bërë mua presion që të mos të them të vërtetën për problemet shkencore. Jo i dashur, lëri zanatet e grupeve, grupazheve të vjetra e të reja në fushën e gjuhësisë dhe ktheje fytyrën andej nga lind ai diell që ka filluar të ndriçojë tokën dhe mendjet e kthjellëta të atij vendi që nuk ua ka borxh t’ia zini rrugën e t’ia prishni të ardhmen.
Ti shkruan se unë paskam thëne se « si tipare dalluese më të rëndësishme, që duhet të jenë të pranishme në njësinë bazë të gjuhës letrare, mund të vlerësohen: hundorësia zanore e gegërishtes, që mungon në toskërishte, dhe prania e fonemës zanore të theksuar ë në toskërishte, e cila mungon në gegërishte (geg. na:n / tosk. nën(ë)), për shkak se këto lidhen me inventarin e fonemave dhe veçoritë e funksionimit të sistemit fonetik të dy dialekteve të shqipes” (?!)
Ku i gjete këto budallallëqe, në artikullin tim? Gënjen i dashur ose nuk ke kuptuar se çfarë kam thënë unë lidhur me këto dukuri.
Mjafton kjo e pavërtetë që ma atribuon mua ditën për diell për të kuptuar se ti nuk je i shkencës, po i mejdanit, se ti je një nga ata… që nuk ke ndërmend ta fitosh bukën hallall me punë dhe me djersë. E po jemi shumë larg i dashur, vazhdimi i bisedës me ty nuk më bën nder, prandaj do t’i lutem Zotit që të të ndihmojë të dalësh sa më shpejt nga bataku ku je futur, sa nuk është vonë.




Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë


Librin “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë” atdhetari Ismail Strazimiri, një prej protagonistëve të rendit parësor në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, e shkroi para 80 vjetësh. Koha që ka kaluar jo vetëm që nuk e ka pakësuar, por e ka rritur rëndësinë e tij. E ka rritur deri në atë shkallë sa pyetja se cila mbetet ndihmesa më e madhe e këtij protagonisti zhvillimesh parësore të Shqipërisë: puna atdhetare apo përshkrimi i ngjarjeve të saj në këtë libër del e pashmangshme.
Nëse provat e njeriut janë nyjat kritike të jetës së vendit të tij, Ismail Strazimiri pikërisht në nyjat kritike të historisë shqiptare mbajti qendrimet më të denja.


Shpallja e Pavarësisë; dy luftërat dhe dy paqet e paqendrueshme ballkanike; njohja e premtuar e një shteti shqiptar me kufij shumë në brendësi të hapësirës së vet historike; hapja e çështjes së caktimit të kufijve; projekti i Fuqive të Mëdha për një monarki të re pa monark në rajonin ballkanik; dorëheqja pa shpjegime e I. Qemalit; konkursi i princërve dhe shpërthimi epidemik i vullneteve vetjake dhe fisnore për kurorën e një shteti ende të panjohur ndërkombëtarisht; ardhja dhe ikja e pagjurmë e princit trashëgimtar Ëied; shpërthimi i Luftës së Parë Botërore dhe kryqëzimi i ushtrive të të dy palëve kundërshtare në Shqipërinë pa zot; janë zhvillime që çoroditin shumë lehtë edhe sot jo vetëm soditësin e historisë, por edhe studiuesin e saj. Ismail Strazimiri dëshmohet në gjithë këto rrjedha të turbullta atje ku i bëhej mirë atdheut të tij. Dhe kjo ndodhte vetëm në një grusht njerëzish idealistë, të cilët: nuk ishin pjesë e ndonjë projekti të të huajve për të sunduar në Shqipëri përmes duarve të zgjatura të tyre; nuk kishin ndërtuar plane vetjake për të shtënë në dorë Shqipërinë apo pjesë të saj dhe për t’i kthyer në pashallëqe; e donin sinqerisht atdheun e tyre pa ndonjë interes vetjak. Ismail Strazimiri paraqitet në jetën e vendit me vetëdijen e një rilindësi.
Libri i kujtimeve të Ismail Strazimirit, botimi më i ri i shtëpisë botuese “Naimi”,  për shkak të vërtetësisë së thellë dhe denoncuese; për shkak të palavdisë së shtetit dhe të shtetarëve në dorë të të cilëve gjendej Shqipëria; për shkak të dëshirës për të mos i bërë të njohura botërisht ato që quhen psikoza dhe komplekse shqiptare; këto kujtime nuk u botuan asnjëherë deri më sot. Kjo ka dhe të mirën e vet, sepse kështu objektivisht ato kanë ruajtur vërtetësinë burimore, duke shpëtuar prej konformizmave të gjithëfarshëm që ka njohur historiografía shqiptare: të lartësimit të parësisë, të madhështimit të traditës revolucionare, pa përjashtuar dhe konformiza të kohëve më të reja.
Gjëja e parë që mendon njeriu duke lexuar këto kujtime është se historia e fillimeve të shtetit shqiptar është një histori fatkeqe, apo e mbushur me protagonistë “fatzinj”, sipas një shprehjeje të përdorur me parapëlqesë nga autori. Elita e vjetër që kishte punuar për interesat e ish-perandorisë osmane pjesërisht e kishte kapërcyer të kaluarën, por pjesërisht kishte mbetur brenda idesë se një perandoria e reformuar mund të ishte një strehë e shëndetshme për Shqipërinë. Një pjesë e kësaj elite, me mbarimin e “shekullit të romantizmit”, ose ishte ndarë nga jeta fizikisht, ose ishte vendosur pa kthim në kryeqendra të mëdha europiane a gjetiu dhe mendonte ta ndihmonte çështjen e atdheut nga mërgimi. Shqipëria, në kuptimin e plotë të fjalës, pikërisht në kohën e themelimit të saj, kishte mbetur në duar të dallkaukëve.
Libri i Ismail Strazimirit është i mbushur me protagonistë që mbajnë me lavd të madh titulaturën e trashëguar nga perandoria. Autori ua shkruan me shkronjë të madhe madhe ofiqin, sepse kjo titulaturë kishte zëvendësuar mbiemrin e tyre. Kjo elitë kishte dhënë shenja të një rehatimi të dukshëm otoman qysh në shekullin e 18-të. Gjithë kësaj elite të dështuar nga të gjitha pikëpamjet: morale, politike, intelektuale, Ismail Strazimiri gjen t’u vendosë përballë një atdhetar të formuar pa bajrak a pashallëk nën sundim, me një flamur të vetëm, flamurin e shpëtimit të Shqipërisë: Elez Isufin, që përbën figurën më të rëndësishme të gjithë librit të tij. Ai është modeli i njeriut shqiptar që ia kushton gjithçka të vetën vendit të tij dhe, së fundmi, i jep lamtumirën kësaj bote me një dëshpërim të thellë, me tragjizmin e njeriut që vërente se sakrifica i kishte shkuar dëm. Megjithatë, Elez Isufi mbetet e vetmja dritë e panjollë në gjithë botën e ndërlikuar të karaktereve të groteskë të librit të tij.
Ismail Strazimiri i shkroi kujtimet e veta vetëm për një periudhë prej 12 vjetësh: nga Shpallja e Pavarësisë deri te Revolucioni i Qershorit. Në këto 12 vjet ka mbrapshti sa për disa shekuj. Shqipëria u bë, por jo siç e deshën shqiptarët. Aq më pak siç e donte Ismail Strazimiri. U bë një Shqipëri që zyrtarisht thuhej se vërtitej në duart e Fuqive të Mëdha, por vërtetësisht rrotullohej sipas konkurrencës së parave të dhëna “krenëve” të saj nga Beogradi, Roma, Athina, Stambolli, Viena dhe kryeqendra të tjera të politikës botërore. Dhe pikërisht kjo është dhe dhimbja fisnike e Ismail Strazimirit: që Shqipëria u ndorua prej “krenësh pa krye”, që e shisnin Jugun për “dishir” të Veriut e anasjelltas; që ia falnin dreqit të krishterët për një “Shqipëri të bekueme muslimane”; që i ndanin zotërimet e tyre prej Shkumbinit në Mat, prej Matit në Drin e kështu me radhë dhe në drejtimin jugor. Shqipëria e kujtimeve të Ismail Strazimirit është një republikë tribale, një shtet etnografik, ku për të kaluar nga një krahinë në tjetrën duhet “besa-besë” dhe asgjë tjetër! Eshtë një Shqipëri që, sipas shprehjes së Fishtës, nëse vërtet do t’ia dilte të përligjte pavarësinë e vet, kjo do të ndodhte “për inat të djallit dhe të shqiptarëve”, që bashkëpunonin kundër saj. Kjo është një pikëpyetje e madhe për historiografinë shqiptare: ndoshta jo tepëria, por pamjaftueshmëria e ushtrimit të pushtetit qeverisës, i çoi shqiptarët tek një qeverisje e tillë etnografike-fisnore-politike.
Shqipëria e viteve 1912-1924, siç na e dëshmon me dhimbjen e një protagonisti autori i këtij libri, ishte në kuptimin e plotë të fjalës një shtet etnografik-tribal, ku ligjin e bënin krerët e fiseve; një shtet që nuk ishte as monarki as republikë; një shtet ku krahinat shpallnin pavarësinë prej atdheut dhe ruanin me ushtarë vullnetarë “kufijtë” e tyre, urat, shtigjet e kalimit.
Revolucioni i Qershorit më 1924 është dëshpërimi i fundmë i Ismail Strazimirit. Ai nuk qe shumë besues se një ndryshim i vërtetë do të ndodhte, por gjithashtu nuk e kishte parashikuar se nëpunësia fanoliste, brenda një gjysmë viti, do të ndërronte krah e devocion prej njërit tek tjetri, prej kryepeshkopit tek monarku i ardhshëm i vendit. Në kuptimin e plotë të fjalës autori na tregon në mënyrë gati anatomike se si e pa revolucionin duke dështuar nga dita në ditë dhe nga ora në orë. Dështimi i këtij revolucioni përbën një kufi kohor përmbi të cilin Ismail Strazimiri nuk ngrihet. Dhe kjo shpjegon dhe faktin që ai, gjatë gjithë periudhës mbretnore, nuk mori asnjë shërbim a funksion, megjithëse një prej njerëzve më të formuar të asaj kohe.
Në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Ismail Qemalit; mbështetës i princit europian Wied që kundërshtarët e paraqitnin si një katundar austriak dhe të dërguar të krishterimit; njohës dhe kundërveprues i drejtpërdrejtë dhe i ballëpërballtë ndaj politikave të ringjalljes së pashallëqeve, në krahun e revolucionarëve fanolistë në vitin 1924 dhe paralajmërues i rreptë i dështimit të tij; larg qeverisjes republikane dhe mbretnore; Ismail Strazimirit, megjithatë, i kishte mbetur dhe një sfidë e fundme: pjesëmarrja në luftën antifashiste. Ai njihet si dëshmori më i moshuar i kësaj lëvizjeje në shkallë botërore: ishte 75 vjeç kur u vra në Sllovë prej ushtrive të huaja dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke pasur në krah si bashkëluftëtarë të dy djemtë.
Libri i Ismail Strazimirit nuk është thjesht një libër kujtimesh. Në përmbajtjen e tij autori ka tejshkruar biseda shumë të rëndësishme me veprimtarë të kohës, vendës e të huaj, të zhvilluara nga ai vetë; letra të pritura e të dërguara; shenjime të rëndësishme për njohjen e procesit historik; informata dhe të dhëna që nuk gjenden në shkrimet historiografike. Ky libër do të vlejë për të njohur historinë e lëvizjes atdhetare, po dhe të veprimit antikombëtar në dy dekadat e para të Shqipërisë shtetërore; do t’u vlejë historianëve jo vetëm për pasurinë e informacionit, por edhe për gjykimin dhe vlerësimin e situatave dhe sidomos për shumë pikëpyetje që shtron.

Sa e varfërë është sot Shqipëria (Botuar më 1900)



Mithat Frashëri


Në Kalendar të motit që shkoj, në faqe 75 e poshtë, nënë emrë: “Ç'jan' ata që shkojnë zallit", qërtonim mëmëdhetarët tanë, pse s'punojnë e janë përtacë. Shumë njerës që kishin kënduarë atë artikllë, na thonë se ish e padrejtë se edhe Shqipëtarëtë punojnë, të mjerëtë gjithënjë pa prerë. Vërtet Shqipëtarët e gjorë punojnë! Vërtet heqin njëmijë mundime për të nxjerrë një copë bukë! Oh, kush nuk ka parë shqipëtarin në Shqipëri e ka parëjashtë Shqipërisë, që bredh andej e këtej duke patur shpresë të bëhet një zaptie, a një kollçi e të hajë një copë bukë!

Kush nuk e ka parë shqipëtar' e gjorë të dergjetë nëpër qytetet e mbëdhenj duke priturë bukënë? Kush nuk' e di që Shqipëtari vete në Jemen dhe në vende më të largët e shkruhetë zaptie,  për të ngrënë bukë?Këto që themi janë të vërteta dhe tregojnë sa vuan dhe sa punon i varfëri djal' i Shqipërisë për të nxjerë bukë! Kam njohurë një Shqipëtar që të këputte shpirtin; s'kish as ç'të hante, as ç'të vishte. E pyeta a kish gjësend në shtëpi; m'u përgjigj se kish një familje, që vuante urije. - A ke tokë për të punuarë? - i thashë. - Kam disa pendë tokë, po s'ka kush t'i punojë; unë kam dalë në kurbet, tjatrë njeri s'kam në shtëpi, as të holla që të ze ndonjë njeri të punojë! A e kupëtuatë? I bir' i botësë kish dalë në kurbet për të fituarë të holla, po vete si dhe e shoqeja e djemte s'kishin buke të hanin; arat i linin pa punuarë, se s'kish kush t'i punonte!Nukë do t'ish vallë më mirë sikur, ay shqipëtar i gjatë sa një hosten, të rrijë në shtëpi, të punojë arënë e të shkojë një jetë të lumturë midis të fëmijësë, se sa të arratiset andej e këtej dhe të mos ketë bukë të hajë?Një vent, ku dheu nukë punohetë, ku bota s'është lidhur pas dheut, kurrgjë s'munt të vejë mbarë, se  çdo njeriu ay dhe ku ka lindurë, do t'i duketë si i huaj. Shumë të mençim kanë thënë që Inglizët venë mbroth se gjindja, në çdo gjë që ka ngjarë, gjithënjë ka ndenjur e lidhurë dhe e pandarë nga dheu. Inglizët, sado që kanë tokë shterpë më të keqe se ne shqipëtarët, e kanë dashur dhenë dhe shtëpinë e tyre, edhe sa herë kan' ardhurë të huaj, inglizët kanë punuarë të mbajnë arën e të jenë zot shtëpie. Shqipëtarët bëjnë liksht, fare liksht që janë lidhurë pas qeverisë (turke) e që çdo njeri shpreh të gjejë bukë në punë të qeverisë (të hyqymetit)...Të mejtohemi pakë: a bën mirë një shqipëtar që le penk shtepine, arën a fëmijën dhe vete kërkon memurijet, apo shkruhetë zaptie? Mbase thoni se i gjori shqipëtar vete nga e keqja, se nukë munt të rrojë në shtëpi të tij; është, pra, i shtrënguarë të dalë në kurbet të nxjerë bukënë! Po valle qysh e fitojnë atje këtë të pakë bukë?Ay i mjerë që le ëmbëlsin' e shtëpisë, që le fëmijen e dashurë të tij, që le vendin e bukurë ku ka shkuarë djalërinë e tij..., lë penk shtëpinë e del për kësmet, vete në një qytet të huaj, gjen një bej e i lutetë t'i gjejë bukë; shkojnë disa muaj, disa vjet pa gjeturë ndonjë vent: në këtë kohë fëmija i ka mbeturë shkretë se vuan urije; ay i gjorë m'anë tjatrë dergjet, krimburë në borxh... Ah, më në funt u-hap fati: miku yne u-shkrua zaptie me gjashtë mexhirka të bardha në muaj! Oh, sa i lumturë! Ja ku u mvesh me roba të zeza; një kordhë i varet m' anë të mëngjërë!
Të gjorit zaptie rroga një herë në tre muaj i del dhe të hollat që merr nuk i arrijnë as për vete as për në shtëpi, pa le që ka dhe një barë hua. Ç'bën, pra, miku ynë, që të nxjerë pakë të holla? - Del kusar! Vështroni qysh: Me qenë që rroga nuk i del çdo muaj, miku ynë ka synë të dalë të mbledhë të dhjetat (të dalë tahsildar), kur del për këtë punë, vete nëpër fshatra, ngrënjen' e tij si dhe të kalit e merr me pahir nga fshatarët; shtrëngon njerëzit e varfërë që të paguajnë; i shtrëngon e i rreh gjer sa t'i japin gjë! Kemi parë e kemi dëgjuarë, që shumë tahsildarë japin rryshfet te mylazimi a te jyzbashi, që t'i nxjerrin nëpër fshatrat, se ashtu gjejnë të hanë e të pinë pa të holla e të mbledhin para!Sa mylazime e jyzbashë, duke dalë disa muaj nër fshatrat, mbledhin një tok të holla për veten e tyre! Edhe vjet në jyzbash në Janinë, emri i të cilit nis me H... në dy muaj e siprë mblodhi 35 lira! Kuptohet mirë qysh vjedhin zaptietë a mylazimët...E kush nuk e di sa paudhësi punojnë ata që dalin për taksim? Kujt nuk' i kanë rjedhurë ca pika lot nga sytë, kur ka dëgjuarë qysh taksildarët rrjepin shtëpin' e bujkut, rrahin të mjerin fshatar, i marrin edhe kusinë dhe e lënë kërcu! Këto të këqija i bëjnë taksildarët shumë herë për të marrë disa grosh nga fshatari. Mos pandehet se këto ligësi i bën vetëm zaptie-ja; jo, të gjitha sa janë në punë të qeverisë, të gjithë sa janë në bukën e saj, që nga zaptieja e gjer te valiu, gjithë memurët e sulltanit, të tërë vjedhin e bëjnë një mijë turpe. Edhe prapë ndonjë prokopi nukë kanë, se të gjithë të këputin shpirtinë...Nukë do t'ish vallë më mirë të punojë arën shqipëtari, të shikonjë kopenë a të bëhetë tregëtar e të nxjerë bukënë me djersën' e ballit, sesa të dalë hajdut nënë robët e një zaptieje, të një mylazimi a të një qatibi? Hahni ka të drejtë kur thotë "Sa të muntnjë shqipëtari të lerë shtëpinë e të përpiqetë të fitonjë bukën në vende të huaj, s’shprehet ndonjë përmirësim" d.m.th. s'munt të vejë përpara vendi kur le shqipëtari plenk shtëpinë dhe aratisetë andej e këtej për të nxjerë bukën.E thamë më lart dhe e themi prapë: ay që lidhet pas qeverisë, domethënë ay që merr një punë në qeveri, është ay që i bën më të mbëdhatë e të ligavet Shqipërisë. Se, një njeri që ka shkuarë mirë me fshatarët e tij, posa bëhetë zaptie, zë e bëhet armik i fshatarëvet me të cilët gjer dje kish shkuarë vëllazërisht, hiqet i rëndë, bën ç'të dojë se ka krahë hyqymetin (qeverinë), dhe duke munduarë vëllezërit e tij, shikon të fitojë qeverija a vetë ai, pa në djall Shqipëria! Ata që janë lidhurë pas qeverise na kllasin në grindje dhe ndarje midis tënë; se ay njeri dolli nga Shqipëtarija e u-bë njeri i sulltanit. Duke dashurë të fitojë se rrogë nuk i japin, mundon të dobëtit dhe kështu gjindja thotë "nuk na mundon turku, po na mundon shqipëtari!" Me qenë që të krishterëtët janë shumë herë të dobëtë, zaptijeja e mylazimi e gjejnë më lehtë të bëjnë të këqija te shqiptarët të krishterë dhe kështu hyn grindja dhe mërzitja midis myslimanëve e të krishterëve. Pra, shqipëtarëtë që hyjnë në punë të qeverisë, punojnë, heqin shumë mundime, rrinë në vende të liq për shëndenë, mezi gjejnë bukë të hanë, rrobat i kanë copë-copë, gjithnjë ndodhen në rrezik e siprë se mos vritenë, se bëhen armiq me gjithë botënë. Me qenë kështu, këndonjësit munt të pyesin: Shqipëtarëtë nukë dinë të punojnë? Një i diturë n' ekonomi politike, Dety de Trasi, ka thënë: “Gjithë fatbardhësi e njerëzvet është në të përdorurit mirë të punës, e gjithë e keqja vjen nga të përdorurit më kot të punësë!" Kështu, pra, shqipëtarëtë, në vent që të lodhenë tërë kohënë, të shkojnë një jetë të ndyrë e të mos ngijin dot barkun në punëra të qeverisë, do t'ish shumë më mirë të vështronin të fitonin duke punuar bujqësine a tregëtinë në vent që të nxjerin bukën duke bërë të ligë botësë e duke i sjellë dëm     kombit dhe vehtes së tyre, do t'ish shume gjë e pëlqyerë ta nxirnin atë bukë me një mënyrë t'urtë, të nderçme e me djersën' e ballit.Nga të paturit synë në punërat të mbretërisë, na gjen të dobëtë qeverija e na lot si të dojë: se, te themi, që ca fshatra duanë, për shembëll, të qahenë nga pagesat e'rrugës ose tjatrë gjë. Për këtë punë duhetë që të gjithë njerëzija të jenë të bashkuarë... Qeverija, gjithënjë, me ca të qelburë mermurijetë a    me ca nishanë të teneqejtë, gjen anën të ndanjë e të bënjë me vehte ca nga të cilëtë bëhenë shushunja dhe pinë gjakn' e gjindjesë...Një shkronjës Frances duhet të ketë diturë mirë punërat e Shqipërisë, kur thotë: "Shqipëtari sa ësht' i butë e i mirë kur s'ka ndonjë punë në     qeverit, aqë bëhetë i keq e i lik kur merr ndonjë memurijet".     Gjer më tani thamë që të qepurit pas qeverisë, të pasurit synë në     IDurijet është një fatkeqësi për shqiptarët, po këndonjësi munt të më thotë: "Këto janë të drejta, po qysh të bëjnë shqipëtarëtë për të fituarë të holla    ? Me ç'anë të gjejnë pakë para të flamosura?     Pa të shohim vallë, nukë ka ndonj' udhë për të fituarë të holla, veç memurijetit? Nukë munt, vallë, njeriu të nxjerë para pa bërë zaptie, mylazim, kajmekam a mytesarif? Nukë munt, vallë, njeriu të bëhet' i pasurë, pa rrjepur botënë e pa pirë gjakn' e vëllezërët? A nukë munt më mirë njeriu të fitojë të holla me bujqësi, me tregëri, me mjeshtëri (zanat)? Munt të themi që: Shqipëria do të shpëtojë kur nisinë Shqipëtarëtë të merrenë me tregti, me mjeshtëri e me bujqësi, dhe të heqin sa të mundinë dorë nga memurijetet. Pa më thoni sa merr një zaptie q’i pëlcet koka në djell, në shi, në dëborë e në baltë? Sa merr një kajmekam, sa merr një mytesarif? Rrogat që marrin nuk’ u japin as sa për duhan! Me aqë mundime, të merreshin me tregëri, me bujqësi e me mjeshtëri, do të fitonin më tepërë, do të rronin më të ndershëm, dhe në vent që t’i bënin dëm, do t’i bënin shumë të mira Shqipërisë. Pa na thoni, këndonjës të dashurë, a keni parë ndonjë njeri që të jetë në bukë të mbretit e të jet’ i pasurë? Jo, jo! Pa më thoni ai u-bë i pasurë Averofi nga Meçova, Hirsi, Roshildi, Vanderbildi, dhe kaqë të tjerë që kanë fituarë me miliona lira, me memurijete të qelburë që kanë fituarë të hollat, a po me tregëri e duke punuarë me nder? Bujqësija, domethënë të punuarët dhenë mirë dhe me ment, tregërija dhe mjeshtëria, na kanë për të shpëtuarë; ahere shqipëtarëtë do të bëhenë të pasurë, do të rojnë si njerës, do të duanë shoku-shokun, se tregërija gjithnjë sjell dashurinë. Duke hequr dorë nga qeverija e duke zënë tregërinë, do të ngrihen paudhësitë që punon sot parësija, se ahere në vent që ta ketë synë në vjedhje  e në rrëmbim, do ta ketë në tregëri e mjeshtëri. Adam Smithi, i madhi themelonjës i ekonomisë politike, ka thënë:Tregëria dhe mjeshtëria kallën dalëngadalë n’Ingiltere rregullën në punërat dhe qeverin’ e mirë; bashkë me këto dhe sigurinë dhe lirin’e gjindjesë, e cila më parë rronte në luftë të paprerë në mes tyre dhe si skllevër nën të fortëtë.
Duke rënë bota pas tregërisë, do të gjejë shpirt vendi ynë se bujku i varfërë, që sot nuk punon me dëshirë, se s’ka ku të shesë drithën q’i tepëron a viçin, a dhentë. Kur të lulëzojë tregërija e të dalë jashtë Shqipërisë plaçka, ahere fshatari e di që do-mos-do shitet plaçka dhe zë e punon me zjarr e dëshirë. Ahere bujku lehtë do të gjejë në Shqipëri maqinën q’i duhetë për të punuarë më mirë dhenë. Ahere do të hyjnë e do të dalin mallrat në të katërt anët e Shqipërisë dhe të hollat do të lëvrijnë nëpër duar, se paraja sa herë të shkojë nga një dorë në tjatrë, aqë më shumë punë bën. Duke shkuarë, të themi, një lirë një mijë herë nga një njeri më një tjatërë, ajo lirë bën punën e zë vendin e një mijë lirave. Andaj, pra, bejlerët  e Shqipërisë sa të dërgojnë djemt’ e tyre të mësojnë në shkolla për të dalë memurë, do t’ish shum’ më mirë për veten’ e tyre e për mëmëdhenë t'i mësonin për tregëri, bujqësi a mjeshtëri e të vininë të punonin për dritën e për fitimin' e vendit tonë e të tyren.
I madhi Adam Smith, kur kërkon se me ç'anë vjen kamja, gjen se "burimi dhe shkaku i kamjesë është puna"...Duhet të themi që kamja nuk është me të patur copëra ergjent a flori. Dhe me qenë se floriri a ergjendi (do-me-thënë paratë) na duhenë për të prishurë e për të blerë me to gjëra të nevojshme për të rrojturë mirë, themi se çdo gjë që na bën të shkojmë një jetë të prehurë, është kamje, edhe në mos paçim fare të holla. Ejani të vemi bashkë te një fshatar, kasolleja është mos më keq, ment rëzohetë, dera ësht' e thyerë; era hyn në çdo anë; brenda kasolleja është e pafshirë, e ndyrë; s'ka asnjë fron për të ndenjurë, asnjë mësallë ku të hanë bukë; shtrati për të flejturë është i fëlliqurë dhe napa copë-copë; robat e fëmijërisë janë të lyera dhe të shqepura. Themi që i zot i kësaj kasolleje është fort i varfërë dhe, që të bëhetë pak i pasurë e të rrojë si njeri, i duhenë të holla. Unë them se ky njeri bëhet i pasurë edhe pa të holla. Burri i shtëpisë sa të rrijë përtac, le të marrë spatën, të vejë në pyll të bëjë ca dhoga; me këto dhoga të ndërtojë kasollenë, të bëjë ca frone për të ndenjur dhe një mësallë (sofie) të bardhë; e shoqeja le të shpjerë në lumë të tëra plaçkat e shtëpisë e të fëmijërisë e t'i lajë mirë; çupat le të tjerrin me leshn' e dhenve ca napa, të cilatë t'i shtrojnë a të bëjnë raba; pastaj rreth e rrotull shtëpisë të pastrojnë kopshtin, të qërojnë barërat e egëra, të mbjellin ca lule... Kështu, kur të kthehemi pas ca muajsh, do të gjejmë kasollenë të mirë, era s'ka për të fryrë nga vrimatë, një pastërti duketë më çdo anë, mësalla, fronet, napat dhe çdo gjë janë të pastra, kopshti është zbukuruarë, tufë-tufë lulesh japin erë të mirë q'i gëzojnë shpirtin e i ëmbëlsojnë jetënë njeriut, foshnjat janë të pastra si pëllumba. Si u-bë tani shtëpi e fshatarit, themi q'ësht' i pasurë dhe i gëzuarë.Për të bërë kështu, fshatarit nuk i duhen as fare të holla: dhogat i bëri në pyll, napat i endi me leshn' e dhenvet, i cili kish kaqë kohë që rrinte me një çip, robat u-lanë në përrua: për t'u bërë i pasurë, arriti të përveshin llërët njerëzit e shtëpisë e të punojnë. Pra Adam Smithi, ka të drejtë kur thotë: Kamja është të punuarët. Po dëgjoj një nga këndonjësit që thotë: "Janë të vërteta këto fjalë, po ç't’i bësh qeverisë që s'na le të lirë, që s'na bën rrugë, që na rrjep e s'na lë një grosh, dhe veç që s'na bën asnjë të mirë, po na le në duart të hajdutëvet". Po dhe faj i këtyrëve te ne është, se në vent që të lidhemi gjithë në një brez e t'ja mbledhim rripat qeverisë, ne bëhemi një me të dhe i ndihim të shtypnjë vendin dhe vëllezërit dhe vehtenë tonë duke shpresuar të marrim ndpnjë copë teneqe a ndonjë memurijet; në vënt që të kërkojmë fitimnë tonë n’udhë të drejtë, arratisemi dhe dëmtojmë vehtenë tonë e gjithë gjindjen...Shqipërisë, -shpëtimi dhe fatbardhësija i ka për t’i ardhurë duke zënë njerësit tregërinë, mjeshtërinë dhe të heqin dorë nga dashurija që janë te buka me helm e qeverisë. Mbani në ment fjalët e Adam Smitit: “Tregërija dhe mjeshtërija e ndritoi Ingliterënë.”

Mithat Frashëri

Nonda Bulka në dhjetë vëllime origjinale


Oliverta Lila

Një punë dhjetëvjeçare do të kurorëzohet me botimin e dhjetë vëllimeve të krijimtarisë së Nonda Bulkës. Botuesi Mehmet Gëzhilli tregon se aty do të gjendet Nonda shkrimtar, publicist, përkthyes, kritik e deri edhe një album fotografik e me dorëshkrime. Dy vëllimet e para do të dalin në qarkullim për 105-vjetorin e lindjes, më 6 mars


Nonda Bulka me bashkëshorten Qefseren


Ata që e njihnin nga afër e kujtojnë burrin me flokë të bardhë që shëtiste në rrugët e Tiranës majë biçikletës. E njihnin për humorin mes miqsh dhe për satirën therëse hedhur mes rreshtave. Ky ishte Nonda Bulka. Apo Chri-Chri, ashtu si ai i firmoste fejtonet apo skicat e gazetave dhe revistave të viteve ‘30. Shkrimtar, publicist, përkthyes, pedagog, shkrimtari Dritëro Agolli e ka quajtur Volteri shqiptar. Së shpejti për Nonda Bulkën shënohen dy përvjetorë: ai i lindjes, më 6 mars (105-vjetori), ndërsa nëntori që vjen shënon 40 vjet ikje. Këto data të shënuara kanë qenë arsyeja, por jo shtysa, që Nonda Bulka të vijë i plotë në të gjithë krijimtarinë e tij. Dhjetë vëllime origjinale po përgatiten për shtyp nga “Argeta LMG”. Botuesi Mehmet Gëzhilli ka dhjetë vjet që rrëmon arkivave, për të gjetur deri edhe Nondën e pashfaqur. Atë që në gazetat e hershme është fshehur deri edhe pas pseudonimeve të tilla si Kin Fu San, Grepi, Thumbi, Sfurku. Gëzhilli tregon se kanë gjetur mjaft shkrime të tij që nuk njiheshin më parë. Të gjitha do të jenë pjesë e vëllimeve që po përgatiten. Pas gjithë kësaj pune, Gëzhilli e quan pa mëdyshje, themeluesin e publicistikës moderne. Sipas Gëzhillit, shkrimet e para të Bulkës  gjenden që më 1928, por veprimtarinë e mirëfilltë e ka filluar më 1932. I lindur në Leusë të Përmetit, një fshat me traditë që i dha bazat e para, prej nga kishin dalë Odhise Paskali, Alqi Kristo, Sejfulla Malëshova e të tjerë, Nonda Bulka mbaroi Liceun francez të Korçës, studioi për jurisprudencë në Paris dhe u kthye sërish në Korçë, këtë radhë si pedagog i letërsisë shqipe dhe franceze. Kjo është koha e tij aktive. Shkruan intensivisht në katër-pesë gazeta e revista të kohës si në gazetën e Korçës, “Rilindja”, “Arbëria”, “Drita”, në revistat letrare e më vonë edhe te “Bashkimi”, ndërsa më 1945 është iniciator i themelimit të “Hostenit”. “Në të njëjtën ditë ai mban disa rubrika me pseudonime të ndryshme. Por shkrimet e tij ishin shumë të shkurtra. Ka qenë ekonomitar i madh i fjalës, por me një satirë dhe humor therës. Disa nga rubrikat e tij më të preferuara ishin “Kur qan e qesh bilbili”, “Gjurmë nga jeta”, “Simite e ngrohtë”, ku ai hidhte plagët më të mprehta të shoqërisë. Intuita e çonte te fenomenet e mprehta dhe ai nuk kursehej t’i shkruante menjëherë. Nonda përdori edhe disa gjini të veçanta si  pusullën, ku në 5-10 fjali kritikonte fenomenet e ditës, por ishin edhe letra që i dërgonte në Ferr, ia dërgonte Zotit, Mit’hat Frashrit, Milto Sotir Gurrës, etj. Plot sarkazëm, në shkrimet e tij gjeje krizën që kishte pllakosur botën, nga Japonia, Europa, në Amerikë. Të gjitha këto fenomene i ka pasqyruar në vitet ‘32-‘37 dhe personazhet që demaskoheshin ishin Hitleri, Musolini, qeveritarë, deputetë, tagrambledhësit dhe vjehrra”, tregon Gëzhilli. Në fakt, këto kohë “vjehrrën” Nonda e vendoste gjithkund. Në të vërtetë, ato kohë ende nuk kishte vjehërr. Ashtu si ai vetë e shpjegon në intervistën e pak muajve para se të vdiste te “Hosteni”, “vjehrra” ishte një personazh që simbolikisht e kishte krijuar për t’iu kundërvënë regjimit të asaj kohe. Por ndonëse ishte një nga pikat e referimit për shkrimtarët që do të vinin pas tij, nisur që nga Migjeni, katër vjet më i ri se ai, Bulka nuk do ta linte pas dore letërsinë botërore. Ka përkthyer “Universitetet e mia” të Maksim Gorkit që më 1949, poemën “Vajza dhe vdekja” po të këtij autori, “Evgjeni Grande” të Balzakut, poezi të poetëve të njohur dhe bashkë me Foto Balën, përkthyen “Topazin”, premiera e parë e Teatrit Popullor më 1945.

Vëllimet

Mehmet Gëzhilli i ka mbledhur materialet dhe tashmë i ka ndarë për çdo vëllim. Në të parin libër do të përfshihet publicistika e një viti, 1932-‘33, një botim me rreth 450 faqe. Libri i dytë përmban sërish publicistikën e viteve ‘34-‘44, ku sipas Gëzhillit botohen për herë të parë rreth 400 shkrime që ishin firmosur me pseudonimet e tij e që nuk njiheshin si të tijat. Libri i tretë përfshin publicistikën dhe prozën e tij në vitet 1945-1972, kohë kur mbylli sytë. Libri i katërt përfshin mendime të tij për letërsinë, artin dhe kulturën. Gëzhilli shpjegon se që në vitet ‘30, Bulka ka shkruar për disa nga veprat e njohura të letërsisë botërore, duke nisur nga Shekspiri e Mopasan, por edhe për Naim Frashërin, Çajupin, Migjenin, Jeronim de Radën e të tjerë. Gëzhilli tregon se kanë gjetur edhe një vëllim me novela, që mund të quhet i tillë për nga ngarkesa emocionale dhe intensiteti, por që në fakt janë të shkurtra sa nuk i kalojnë 5-6 faqe libër. “Janë 15 autorë si Mark Tuen, Mopasan, Zola etj. Ky libër i botuar më 1943-‘44 nuk kishte emrin e përkthyesit, por vetëm inicialet N.G.B. Nga verifikimet por edhe nga dedikimi që i kishte kushtuar vëllait të vdekur në frontescip, zbuluam se ishin përkthyer nga Nonda”, tregon Gëzhilli. Vëllimi i pestë përmban poezitë origjinale dhe poezitë e përkthyera prej tij, ndërsa në vëllimin e gjashtë janë fabulat e Nonda Bulkës në prozë. Pjesë të këtyre botimeve Gëzhilli ka bërë edhe ato që janë shkruar për Nonda Bulkën dhe krijimtarinë e tij, të cilat do të jenë pjesë e vëllimit të shtatë. Vëllimet tetë-nëntë përmbajnë novelat e përkthyera, dramën “Topazi”, “Nata e gjatë” dhe “Evgjeni Grandenë”. Vëllimet do të mbyllen me një album fotografik, dorëshkrime, faksimile dhe një bibliografi. Kjo sipas Gëzhillit është e nevojshme, sepse jo gjithçka është futur në këto botime. “Kemi zgjedhur ato që kanë vlerë, duke i parë dhe me syrin e kohës. Por ka edhe shkrime të shkurtra, që nuk i kemi përfshirë, kryesisht reflektime të momentit”, thotë ai. Ndërsa për dorëshkrimet, thotë se ka pak të tilla. Letrat që shkëmbente me miqtë, e veçanërisht me Sterjo Spasen, janë botuar. Në fakt, që në vitet ‘80 janë botuar tre vëllime të veprave të Nonda Bulkës që kanë përmbushur nevojat e asaj kohe. Pas kësaj kohe të gjatë të studimit të veprës origjinale, Gëzhilli thotë se Nonda është masakruar në këto botime, është hequr pjesa e bukur e satirës. Dy vëllimet e para, Gëzhilli beson se do të dalin këto ditë të para të marsit, duke përkuar edhe me 105-vjetorin e lindjes. Kolanën e plotë dëshiron ta promovojë në Panairin e Librit të vitit 2012, në kujtim të 40-vjetorit të largimit të Nonda Bulkës nga jeta. Gëzhilli nuk ka menduar ta mbyllë me këto botime. Në bashkëpunim me TVSH, së bashku me regjisorin Halil Kamberi, operatorin Agim Kuri, kanë xhiruar një dokumentar që është në proces montimi. Gëzhilli do ta çojë veprën e Nonda Bulkës edhe në Korçë e Përmet, ndërsa mendon edhe organizimin e një sesioni shkencor në Akademinë e Shkencave. “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve jep një sërë çmimesh letrare. Do të ishte e nevojshme të shtojë edhe çmimin “Nonda Bulka” për veprën më të mirë satirike-humoristike”, thotë Gëzhilli, teksa i referohet veprimtarisë së Bulkës.


Profesor Nonda Bulka me studentët e tij, në vitin 1966

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...