2011-07-05

EKSLUZIVE :Rusia, kjo armike e betuar

Prof.dr. Eshref Ymeri


Rusia, kjo armike e betuar

e kombit shqiptar
      
Sa herë që kombit shqiptar i ka qëlluar të përjetojë periudha kthesash vendimtare për fatet e veta historike, Rusia, gjithmonë si një fantazmë, i ka prerë rrugën dhe i është kundërvënë me një egërsi të pakundshoqe në rrugën e tij për realizimin e aspiratës së vet shekullore: bashkimin e të gjitha trojeve tona etnike në një shtet të unifikuar kombëtar.
Më poshtë  do të merret në analizë sfondi historik i qëndrimit të egër të Rusisë ndaj kombit shqiptar dhe do të shikohet konkretisht se si politika dhe diplomacia ruse, në vijimësi, kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë edhe sot e gjithë ditën një qëndrim tërësisht armiqësor ndaj zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në Evropën Juglindore. Për këtë qëllim,  në qendër të vëmendjes do të jenë tri periudha me rëndësi historike për fatet e kombit shqiptar dhe do të shikohet me fakte konkrete se cili ka qenë qendrimi i politikës ruse ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Këto tri periudha janë: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shpallja e pavarësisë dhe çështja e statusit të Kosovës.
       Çështja kombëtare shqiptare doli për herë të parë në skenë në çerekun e fundit të shek.XIX dhe, konkretisht, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila u themelua më 10 qershor 1878, për të afirmuar botërisht të drejtën e kombit shqiptar për krijimin e një shteti të unifikuar kombëtar autonom, përfshirë të gjitha trojet etnike shqiptare. Për të kundërshtuar drejtpërdrejt vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, fuqitë e mëdha perëndimore dhe Rusia cariste, organizuan  Kongresin e Berlinit të vitit 1878, në të cilin do të rishikohej edhe Traktati i Shën Stefanit. Në atë kongres, fuqitë perëndimore dhe sidomos Rusia cariste, duke e ndier se Perandorisë Otomane kishin filluar “t’i dridheshin gjunjët”, kërkonin copëtimin e trojeve etnike shqiptare, për llogari të shovinizmit sllavogrek, copëtim ky që u konkretizua me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit të 13 korrikut të vitit 1878.
       Gjatë diskutimeve që u zhvilluan në Kongresin e Berlinit, “përfaqësuesit e Gjermanisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Italisë i rekomanduan Portës së Lartë dispozitat e projektit franko-austriak dhe, çka është më e rëndësishme, bënë të ditur se qeveritë e tyre nuk do të kishin asnjë kundërshtim në qoftë se Porta e Lartë do ta quante me vend që t’i bashkonte trevat shqiptare në një vilajet të vetëm” (Arben Puto. “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”, Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll.I (1867-1912). Tiranë, 1984, f.34).
       Sigurisht që bashkimi asokohe i trevave shqiptare në një vilajet të vetëm, krijonte kushte për gshpalljen e autonomisë së tyre në kuadrin e Perandorisë Otomane. Por përfaqësuesi i Rusisë në Kongresin e Berlinit, agjenti diplomatik Hitrovo, interpretoi “qëndrimin e përgjithshëm të qeverisë së tij që ishte kundër çdolloj autonomie shqiptare” (po aty).
       Në një memorandum të shqiptarëve, të 13 qershorit të vitit 1878, drejtuar lordit Bikonsfild, përfaqësues i Anglisë në Kongresin e Berlinit,  thuhet: “…Malin e Zi të vogël kërkojnë ta zmadhojnë së tepërmi dhe ta shtrijnë deri në qendër të Shqipërisë, që të bëhet një post i avancuar i Rusisë dhe një kryeurë për aneksime më të gjera” (po aty, f. 143). Në atë letër theksohet se tani Rusia, duke e shpallur “hapur dhe me triumfin e armëve qëllimin që ndjek, ka humbur çdo prestigj në Shqipëri” (po aty, f. 141).
       Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, e cila u mblodh fill pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, u vazhdua më tej copëtimi i trojeve etnike shqiptare, po për llogari të shovinizmit sllavogrek. Në dallim nga ambasadorët e tjerë të fuqive perëndimore, ambasadori i Rusisë në Konferencën e Londrës ka mbajtur qëndrimin më të egër dhe më armiqësor ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Në janar të vitit 1913, qeveria serbe i ishte drejtuar me një memorandum të posaçëm Konferencës së Ambasadorëve. Në atë memorandum, ndër të tjera, theksohej: “Ne kemi thënë se kombi serb nuk mund të sakrifikojë “tokën e shenjtë” të territoreve të veta, ku ndodhen kryeqyteti i lashtë i Mbretërisë së Parë Serbe, Shkodra; selia e Patrikanës Serbe, Peja; Manastiri i Deçanit dhe Gjakova” (Arben Puto. “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll. II. Tiranë, 1987, f.216).
       Për qeverinë shoviniste serbe nuk kishte fare rëndësi se Shodra ka pas qenë themeluar që në shek.IV para erës së re dhe ka qenë kryeqendër e mbretërisë ilire, me në krye Gentin. Dhe kjo për faktin se krejt historia e Serbisë ka në themel gojëdhëna mitologjike. Me sa duket, sipas mitologjisë serbe, para se ca tribu gjysmë të egra sllave, pas zhvendosjes nga stepat ruse në shek.VII, të kalonin Danubin dhe të dyndeshin poshtë, drejt jugut, në trevat ku ato u ngulën për banim, paska pasur vetëm hapësira boshe, të papopulluara nga ndonjë popullsi vendase. Kësisoj, edhe Shkodrën, po sipas gojëdhënave mitologjike serbe, ato na e paskan “sjellë” të gatshme, që nga stepat ruse, të “ngarkuar” në ndonjë “karro” tribush, për ta “vendosur” aty ku është sot dhe për ta shpallur më pas si “kryeqytet” të mbretërisë “së lashtë” serbe!      
       Pikërisht këto përralla, të përziera me gojëdhëna mitologjike serbe, të cilat fshihnin në vetvete synimet e shovinizmit serbomadh, në dëm të trojeve etnike shqiptare, në Konferencën e Londrës i mbështeste me zjarr ambasadori i Rusisë cariste. Ministri i jashtëm britanik, Eduard Grei, në seancën e 22 janarit të vitit 1913, thekson: “Ambasadori i Rusisë thotë se qeveria perandorake ka për të paraqitur kundërshtimet më të rrepta kundër caktimit të qytetit të Shkodrës Shqipërisë, për shkak të çështjes dinastike. Populli malazias e kërkon këtë qytet që është dalja e vërtetë ekonomike e vendit dhe përbën nga pikëpamja politike dhe strategjike një mbrojtje nga më seriozet. Sipas informatave të sakta që kanë ardhur në Peterburg, duket si një gjë e sigurt se mbreti i Malit të Zi është në rrezik të humbasë fronin po qe se, pas përpjekjes ushtarake të kryer nga populli i tij, ai do të detyrohej t’i impononte një zhgënjim kaq të rëndë” (po aty, f.218).
       Ambasadorët e vendeve pjesëmarrëse i paraqitën Konferencës hartat përkatëse, në të cilat dukej qartë se si fuqitë e mëdha bënin pazare dhe copëtonin trojet etnike shqiptare. Midis të gjitha hartave, binte në sy harta e paraqitur fillimisht nga ambasadori i Rusisë cariste. Lexuesve të respektuar iu rekomandoj të shfletojnë vëllimin II të sapocituar të prof. Arben Putos, në të cilin, mes faqeve 192-193, është botuar harta e paraqitur nga Rusia në atë Konferencë. Sipas asaj harte, jashtë kufijve të tanishëm të Shqipërisë, mbeteshin edhe Shkodra, edhe Tropoja, edhe Kukësi, edhe Dibra, edhe Pogradeci, edhe Korça, edhe Erseka, edhe Delvina, edhe Saranda.
       Moris Paleologu, ish-ambasador i Francës në Rusi prej korrikut të vitit 1914 deri në maj të vitit 1917, në kujtimet e veta shkruan: “Sot në mëngjes (e shtunë, 21 nëntor 1914 - E.Y.) Sazonovi (asokohe ministër i jashtëm i Rusisë cariste - E.Y.) më tha: “Sovrani (cari Nikollaj II - E.Y.) ju pret në orën katër. Nuk ka asgjë për t’ju deklaruar zyrtarisht, por dëshiron të bisedojë me juve fare lirshëm dhe me çiltërsi. Ju paralajmëroj se audienca do të jetë e gjatë”. Në orën 3-10 nisem për në Carskoje Sjello me një tren ekspres… Perandori më pret me mirësjelljen e tij karakteristike, me përzemërsi dhe paksa me druajtje… Mandej, pasi shpalosi hartën e Gadishullit të Ballkanit, ai, në vija të përgjithshme, më parashtron këndvështrimin e vet se cilat duhet të jenë ndryshimet territoriale, të cilat ne, sipas vlerësimeve të tij, duhet t’i dëshirojmë: Serbisë t’i aneksohen Bosnja, Hercegovina, Dalmacia dhe pjesa veriore e Shqipërisë. Greqia të marrë Shqipërinë e Jugut, përveç Vlorës, e cila do t’i lihet Italisë” (Moris Paleolog. ”Carskaja Rossija vo vremja mirovoj vojnëj”, Mezhdunarodnëje otnoshenjija. Moskva, 1991, f. 125-126, 128-129). 
       Pikërisht në frymën e rekomandimeve të carit të Rusisë, fuqitë e mëdha evropiane, nuk u mjaftuan vetëm me copëtimin e trojeve etnike shqiptare në Kongresin famëkeq të Berlinit dhe në Konferencën famëkeqe të Ambasadorëve në Londër. Ato, nën diktatin e Rusisë cariste, tashmë kërkonin zhdukjen tërësisht nga harta edhe të asaj ngastre të vogël Shqipërie që u kishte shpëtuar thikave të kasapëve të diplomacisë shoviniste evropiane në vitin 1913. Me këtë rast, Sergej Sazonov, ish-ministër i jashtëm i Rusisë cariste prej vitit 1910 deri në vitin 1916, shkruan:
       “Që në ditët e fundit të tetorit (të vitit 1912 - E.Y.), i dërguari ynë në Beograd më njoftonte për planin që aleatët kishin hartuar për ndarjen e territoreve të pushtuara. Duke marrë parasysh informacionin e tij, mund të druheshe se në dëshirat e zjarrta serbe për të dalë në bregdetin shqiptar të Detit Adriatik, diplomacia austro-hungareze do të gjente shkaqe më se të mjaftueshme për të kundërshtuar… Për këtë arsye, nuk kishte asgjë për t’u habitur me fjalët që më shkruante N.G. Hartvig (ambasadori rus në Beograd - E.Y.), se mes kërkesave që ishin shtruar nga qeveritë aleate, figuronte edhe copëtimi i Shqipërisë mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, madje Serbia llogariste si pjesë të présë së vet Shqipërinë e Veriut, me përjashtim të krahinës së Shkodrës, që i aneksohej Malit të Zi, bashkë me vijën bregdetare, që nga Shëngjini deri në Shkumbin, duke i lënë Greqisë Shqipërinë e Jugut (poshtë Shkumbinit - E.Y.). Këto kërkesa, më shkruante Hartvigu, fitimtarët ballkanikë kanë vendosur t’i mbrojnë me forcën e armëve… Kuptohet vetvetiu se nga ana e Rusisë copëtimi i Shqipërisë mes ballkanasve, në thelb, nuk mund të haste në kurrfarë kundërshtimesh… Lejimi i Serbisë për të pasur një dalje në Adriatik, gjatë një periudhe të gjatë kohe, u shndërrua në një problem qendror të politikës evropiane, megjithëse në vetvete ai kishte një rëndësi thjesht të karakterit lokal. Qëndrimi i zjarrtë ndaj këtij problemi i opinionit mbarëshoqëror serb, nuk vonoi të gjente jehonë edhe në Rusi. Disa qarqe të Petrogradit, shumë të afërta me oborrin e carit, dhe mbarë shtypi i kryeqytetit me kahje nacionaliste…nisën…një fushatë të bujshme, të shoqëruar me demonstrata nëpër rrugë dhe me mitingje, ku mbaheshin fjalime patriotike, në të cilat kërkohej fillimi i luftës në mbrojtje të interesave sllave…” (Sergej Dmitrijeviç Sazonov. “Vospominanjija”. Harvest. Minsk, 2002, f. 77-79).
       Dhe më poshtë vazhdon: “…Konferenca e Ambasadorëve në Londër, pa ndonjë siklet të veçantë, ra në një mendje…për lënien në shfrytëzim të Serbisë të njërit nga portet shqiptare, me të drejtën e importimit dhe të eksportimit pa doganë të mallrave të saj, por, me këmbënguljen e qeverisë ruse, edhe të çdolloj furnizimi ushtarak dhe armatimi, si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë lufte. Për këtë qëllim, kihej parasysh që porti i parashikuar të lidhej me Serbinë me një rrugë hekurudhore, madje kjo rrugë hekurudhore duhej të ishte, gjithashtu, nën kontrollin e fuqive të mëdha” (po aty, f. 89-90).
       Siç dihet, Traktati i fshehtë i Londrës (kjo njollë turpi në ballin e diplomacisë evropianoperëndimore dhe të Rusisë cariste), i nënshkruar më 26 prill 1915,  e zhdukte fare nga harta shtetin e pavarur shqiptar. Më 28 janar 1918, Shoqata “Vatra”, në letërprotestën e vet, drejtuar  kryeredaktorit të gazetës “Mançester Gardian”, ndër të tjera, shkruante: “Më 1912 shqiptarët ishin duke e fituar mëvetësinë kombëtare brenda kufijve të tyre etnikë. Atëherë shtetet ballkanike e shpejtuan luftën kundër Turqisë me qëllim që ta ndanin territorin shqiptar midis tyre, përpara se Shqipëria të arrinte të bëhej më vete. Italia dhe Austria e kundërshtuan këtë copëtim, por, si pasojë e presionit të ushtruar nga përfaqësuesit e carit të Rusisë dhe për shkak të dobësisë së treguar prej Fuqive të Mëdha, një pjesë e territorit shqiptar kaloi në duart e fqinjëve të saj” (Arben Puto, po aty, f.663).
       Pra, fryma e debateve për çështjen kombëtare shqiptare në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 dhe gjatë nënshkrimit të Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit  1915, është orientuar tërësisht nga diplomacia ruse, e cila ka qënë në pararojë për marrjen e vendimeve që  u firmosën.
       Edhe Ismail Qemali, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, duke bërë fjalë për ngjarjet e vitit 1912, e ka vënë në dukje fare mirë urrejtjen e Rusisë kundër kombit shqiptar, duke theksur se Shqipëria “do të përballej me tekat e Rusisë, pasi ishte një ligj i pashkruar rus për të mos përkrahur asnjë shtet josllav në Ballkan” (Intervistë për gazetën amerikane “Christian Science Monitor” me qendër në Boston, dhënë në Paris më 18 mars 1916. Citohet sipas gazetës “Tirana Observer”, 04 mars 2009, f. 3).
       [Me siguri që duhet të jetë fjala për vende joortodokse dhe jo për vende josllave, siç theksohet në intervistën e lartpërmendur, pasi Greqia është vend josllav, por ortodoks, prandaj edhe ka gëzuar përkrahjen e gjithanshme të Rusisë, vetëm në dëm të interesave jetike të kombit shqiptar në Ballkan].
       Kur Lufta e Dytë Botërore po shkonte drejt fundit, Josif Stalini, në një takim që ka pasur më 9 janar 1945 me kryetarin e delegacionit të Komitetit Kombëtar të Çlirimit të Jugosllavisë A. Hebrang, do të deklaronte se “edhe shqiptarët janë sllavë për nga origjina” (“Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”. Botimet TOENA. Tiranë, 2006, f. 101).
       Madje diplomati rus, Oleg Levitin, ka nënvizuar një fakt interesant: “Stalini i kërkonte delegacionit jugosllav në mesin e viteve 1940, t’i shpjegonte diçka për shqiptarët misteriozë, duke dhënë vetë shpjegime të pamjaftueshme dhe duke konkluduar se Moska nuk kishte asnjë interes në çështjet shqiptare” (Oleg Levitin. Brenda turbullirës së Moskës për Kosovën”, “Albania”, 10 janar 2001, f.6).
        Komunistët shqiptarë, duke i lejuar vetes të përdoreshin si mashë e komunistëve rusë, do të përkrahnin pa rezerva komunistët grekë gjatë luftës civile në Greqi. Pikërisht për interesat e veta gjeostrategjike në Evropën Juglindore, Bashkimi Sovjetik do të pranonte të bënte edhe pazare të rrezikshme me shovinizmin grekomadh, në dëm të tërësisë territoriale të vendit tonë. “Më 7 korrik 1948…përfaqësuesi sovjetik në Greqi (Çernjishev - E.Y.), kishte propozuar fillimin e bisedimeve midis qeverisë sovjetike dhe qeverisë greke për zgjidhjen e problemeve që kishin dalë. Kushti i parë ishte premtimi i Caldarisit që t’i zhvillonte bisedimet personalisht në fshehtësinë më të madhe, pa e përmendur çështjen me asnjë njeri në qeverinë greke. Ishte lënë të kuptohej se sovjetikët ishin përgatitur të diskutonin jo vetëm marrëdhëniet e përgjithshme të Greqisë me fqinjët veriorë, por gjithashtu edhe çështjen e Epirit të Veriut… Kjo ofertë e Bashkimit Sovjetik për qeverinë greke, nxjerr në pah si mungesën e sinqeritetit të qeverisë sovjetike në marrëdhëniet me Shqipërinë, ashtu edhe rëndësinë e papërfillshme që kishte Shqipëria në planet dhe në objektivat sovjetike… Pra, përpara interesit madhor të Shqipërisë dhe respektimit të integritetit të saj territorial, sovjetikët vinin ruajtjen  dhe mbijetesën e forcave komuniste greke… Këtë konkluzion e përforcon edhe propozimi që i kishte bërë Stalini Gjilasit në shkurt të vitit 1948, që Jugosllavia ta gëlltiste Shqipërinë. Pra, Stalini e llogariste Shqipërinë si një copë tortë, që do t’ua vinte përpara komunistëve deviacionistë jugosllavë për të ndjekur politikat e vijën e tij, ose të djathtëve shovinistë grekë për të ndalur ofensivën dhe për të zbutur qëndrimin e tyre ndaj komunistëve dhe influencës sovjetike” (Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar”. 1939-1949. GEER. Tiranë 2002, f. 612, 613, 614).
       Fakti që Stalini i ka kërkuar Gjilasit që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë, jepet në një mënyrë pak më të zgjeruar në një tjetër burim. Kështu, sipas diplomatit Shaqir Vukaj, asokohe (shkurt 1948 - E.Y.) delegacioni jugosllav (i përbërë nga M. Gjilasi, K. Popoviçi dhe V. Tempoja) u prit nga Stalini dhe midis tyre qënka zhvilluar kjo bisedë, në të cilën, sipas shënimeve që ka mbajtur vetë Gjilasi, Stalini u qenka drejtuar jugosllavëve me fjalët e mëposhtme:
       “- Atje tek ju, në Shqipëri, po vriten anëtarët e Komitetit Qëndror. Kjo është keq, shumë keq. - Unë fillova ta sqaroja se Nako Spiru ka kundërshtuar lidhjen e Shqipërisë dhe  Jugosllavisë, ai ishte vetizolua në Komitetin e vet Qëndror. Pa përfunduar, papritmas, Stalini më ndërpreu: - Në Shqipëri ne nuk kemi interesa të veçanta. Ne jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë! - Dhe ai mblodhi gishtat e dorës së djathtë dhe i afroi te goja, sikur po kapërdihej. Mua më çuditi, pothuajse më turbulloi kjo mënyrë shprehjeje e Stalinit dhe gjesti i tij…Unë përsëri fillova t’i shpjegoj: - Nuk duam ta gëlltisim, por të bashkohemi. - Këtu ndërhyri Molotovi: - Po, kjo do të thotë ta gëlltisni. - Ndërsa Stalini - përsëri me gjestin e tij: - Po, po, ta gëlltisni. Dhe ne jemi dakord me këtë, ju duhet ta gëlltisni Shqipërinë dhe sa më shpejt, aq më mirë” (Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova. (Shënime të një diplomati)”. Tiranë 2007, f. 104).
       Pikërisht ky Stalini i Kremlinit, që me gjak të ftohtë bënte një deklaratë të tillë shoviniste kundër Shqipërisë  Londineze, disa muaj më parë, dhe pikërisht në korrik të vitit 1947, priste për vizitë në Moskë vetë Enver Hoxhën, kryetarin e shtetit shqiptar, udhëheqësin e një vendi sovran, i cili, si pjesë e koalicionit antifashist në Luftën e Dytë Botërore, lirinë e kishte fituar me gjakun që derdhën bijtë e tij më të mirë. Gjatë takimit që Stalini pati me Enver Hoxhën, në bisedë e sipër, këtij të fundit i deklaroi: “Shqipëria duhet të eci me këmbët e veta, sepse ajo i ka të gjitha mundësitë” (Enver Hoxha. “Me Stalinin. Kujtime”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”. Tiranë. Dhjetor 1979. Botim në gjuhën ruse, f. 95).
       Kurse ca muaj më vonë, pra, në shkurtin e vitit 1948, po ky Stalini i Kremlinit i kërkonte Jugosllavisë titiste që kjo ta gëlltiste Shqipërinë sa më shpejt që të ishte e mundur. Në këto kushte, nuk e besoj se mund të haset në botë shfaqje më e pastër e një pabesie të kulluar, si ajo që kreu i Kremlinit manifestonte ndaj një vendi të vogël sovran, si Shqipëria, e cila asokohe ishte anëtarja më besnike e të ashtuquajturit kamp socialist. Megjithatë, në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur. Stalini, si kreu i një shteti shovinist, siç ishte Bashkimi Sovjetik, pabesinë e kishte praktikë pune, sepse ai ishte vazhdues besnik i pabesisë, të cilën cari i dikurshëm i Rusisë, Pjetri I, ua kishte lënë si  trashëgim në Testamentin e vet brezave që do të vinin pas tij. Pikërisht në përmbajtjen e atij Testamenti zbulohet  arsyeja themelore se pse politika dhe diplomacia e Kremlinit, që nga koha e Pjetrit I dhe deri në ditët tona, vazhdon të vërtitet në qerthullin e pabesisë.
       Për të kënaqur kërshërinë e lexuesve, këtu po mjaftohem me citimin e një fragmenti të shkurtër, të nxjerrë nga Testamenti i famshëm i Pjetrit I, në mënyrë që ata të kuptojnë se ç’është  tradita e shovinizmit rusomadh, i cili është manifestuar dhe vazhdon të manifestohet në mënyrën më të egër kundër kombit shqiptar.
       “…Për momentin, duhet t’i propozojmë në fshehtësi shumë të madhe, së pari, Versajës e më pas Oborrit të Vjenës, për të ndarë me ta perandorinë e Universit. Nëse vetëm njëra prej tyre do të pranojë, gjë që është e pashmangshme, atëherë duhet t’i përkëdhelen ambiciet dhe krenaria dhe të përdoret njëra për të shkatërruar tjetrën. Më pas, me radhë, ta shkatërrojmë atë që mbetet, duke i hapur luftë, përfundimi i së cilës nuk lë më vend për dyshim, përderisa Rusia zotëron gati gjithë Lindjen dhe pjesën më të madhe të Evropës. Nëse që të dyja do të refuzojnë ofertën e Rusisë, gjë që është tepër e pamundur, atëherë duhet të jemi të zotët të nxisim armiqësi midis tyre dhe ata të bluajnë njëri-tjetrin. Pastaj, duke përfituar nga çasti vendimtar, Rusia do të lëshojë trupat e saj, tashmë të grumbulluara, drejt Gjermanisë…Flota jonë detare do të përparojë, duke përshkuar Mesdheun dhe Oqeanin, do të pushtojë, nga njëra anë, Francën e, nga ana tjetër, Gjermaninë. Me t’u pushtuar këto zona, ç’mbetet nga Evropa do të bjerë lehtë e pa qëndresë nën kontrollin tonë. Ja si mund e duhet nënshtruar Evropa” (Citohet sipas përkthimit nga frëngjishtja dhe anglishtja të zotit Pandeli Pasko dhe të botuar në gazetën “Bashkimi”, datë 8 prill 1995, f.4).
       Pas prishjes me Jugosllavinë në vitin 1948, Kremlini u kujtua për Shqipërinë, për këtë prapavijë të largët të kampit socialist. Por u kujtua jo për interesat e Shqipërisë dhe aq më pak të kombit shqiptar. Ai u kujtua për të për interesat e veta gjeostrategjike, se kërkonte të ngrinte një bazë të fuqishme detare në Gjirin e Vlorës, siç edhe e ngriti në realitet,  me të cilën të mbante nën kontroll gjithë pellgun e Mesdheut.
Por Rusia komuniste, edhe më vonë, i vazhdoi pazaret edhe me shovinizmin grekomadh në dëm të tërësisë tokësore të Shqipërisë. Kështu, Venizellosi, më 5 qershor 1960, “i kërkoi Hrushovit ndërmjetësimin e tij që udhëheqja shqiptare të pranonte autonominë e “Epirit të Veriut”. Shefi i Kremlinit i deklaroi atij se “partitë komuniste e përshëndesin idenë se çdo minoritet duhet të jetë autonom, me qëllim që të jetë në gjendje të zhvillojë kulturën dhe gjuhën e tij, sipas dëshirave të veta. Ai u angazhua se do t’ia transmetonte këto gjëra E. Hoxhës kur ta takonte në Bukuresht. Këtë bisedë me Hrushovin, Venizellos e bëri atëherë publike në shtypin grek dhe ajo nuk u përgënjeshtrua nga ndonjë burim sovjetik” (Prof.dr. Beqir Meta. “Shqipëria dhe Greqia”. 1949-1990. Paqja e vështirë. Shtëpia Botuese Koçi. Tiranë 2004, f. 165).
       Megjithatë, si “gur i fundit i provës” për të gjykuar nëse ka pësuar sadopak ndryshime qëndrimi i politikës dhe i diplomacisë ruse ndaj çështjes ende të pazgjidhur kombëtare shqiptare në Evropën Juglindore, do të shërbente trajtimi që ajo do t’i bënte çështjes së Kosovës. Për fat të keq, politika dhe diplomacia ruse vërtetoi edhe një herë faqe botës se në qëndrimin ndaj çështjes kombëtare shqiptare, ajo është shumë larg qëndrimeve parimore dhe objektivitetit shkencor, se në gjykimin e kësaj çështjeje ajo ka manifestuar dhe vazhdon të manifestojë njëanshmëri absurde, se në themel të bindjeve të saj paradoksale qëndrojnë gënjeshtrat, shpifjet dhe trillimet mitologjike të shovinizmit serbomadh dhe të kishës shoviniste serbe. Njëanshmërinë e politikës dhe të diplomacisë ruse e pohon edhe vetë zoti Levitin. Ai shkruan:
       “Unë kam ndjekur shumicën e takimeve mes Kozirevit (ish-ministër i jashtëm rus - E.Y.) dhe Millosheviçit në mesin e viteve ’90. Me aq sa di unë, pala ruse kurrë nuk nisi ndonjë diskutim serioz për Kosovën në këtë kohë. Në këto raste, kur përmendej kjo çështje, Kozirevi e kufizonte veten vetëm në dëgjimin e versionit të Millosheviçit, që në të vërtetë ishte shumë larg realitetit. Në momente të tilla, unë ndihesha si një udhëtar që dëgjoja “Bisedat me Stalinin”, të mbajtura mend mrekullisht nga Milovan Gjilasi” (po aty).
Përrallën e kahmoçme serbe se Kosova na qenka “djepi” i Serbisë, politika ruse vjen dhe e shtjellon, e zhvillon dhe e zgjeron më tej, duke realizuar kësisoj ngulitjen, rrënjosjen në mendësinë e mbarë opinionit publik rus të një psikologjie të dëmshme që qëndron shumë larg të vërtetës historike. Megjithatë, njëanshmëria proverbiale e politikës dhe e diplomacisë ruse në trajtimin e marrëdhënieve mes popullit serb dhe popullit shqiptar të Kosovës, nuk shpjegohet vetëm me transformimin e përrallave dhe të miteve serbe për Kosovën në të “vërteta historike të mirëqena”. Arsyen e vërtetë, në këtë mes, të politikës dhe të diplomacisë ruse, e zbulojnë dy politikanë të mirënjohur rusë, të cilët bien në sy për antiamerikanizmin dhe antishqiptarizmin e tyre të ekzaltuar. Këta janë Nikollaj Rizhkov (ish-funksionar i lartë i nomenklaturës së kuqe të Moskës, i cili gjatë viteve 1982-85 ka mbajtur postin e Sekretarit të KQ të PKBS dhe atë të kryeministrit sovjetik gjatë viteve 1985-90) dhe Vjaçeslav Tetjokin, të cilët deklarojnë: “Serbia është pararoja e qytetërimit tonë. Është kjo arsyeja që palca e Ballkanit, e populluar nga sllavët e jugut, gjatë shekujve ka qenë objekt i një presioni të pandërprerë nga ana e Perëndimit” (N.I. Rizhkov, V.N. Tetjokin. “Jugosllavskaja gollgofa”. Moskva 2000, f. 22).
       Personalisht, deri tani, kam qenë i bindur që pararoja e qytetërimit sllav është Rusia. Çuditërisht, dy autorë rusë, na bëkan një “zbulim” të ri, duke e zhvendosur në Serbi pararojën e këtij qytetërimi! Të deklarosh që Serbia na qenka “palca” e Ballkanit, do të thotë që kombet e tjera na qekan “bërsitë” e këtij gadishulli. Sigurisht që kësisoj mund të gjykojnë vetëm studiues megallomanë rusë, të brumosur me ideologjinë e shovinizmit rusomadh dhe me shkencën e urrejtjes për kombet e tjera josllave. 
       Besoj se nuk ka nevojë për komente të tepërta një deklaratë e tillë butaforike, në të cilën Serbia na paraqitet si “varfanjakja e Qabesë”, që “tradicionalisht” na paska qenë “e persekutuara e madhe” e Perëndimit. Faktet historike, siç u përmendën edhe më lartë, tregojnë se Serbia, përkundrazi, ka qenë dhe vazhdon të mbetet e përkëdhelura e madhe e Perëndimit. Se po të mos kishte qenë kështu, atëherë fuqitë e mëdha evropiane dhe Rusia cariste nuk do t’i kishin aneksuar asaj një pjesë të mirë të trojeve etnike shqiptare, duke ia dyfishuar kësisoj sipërfaqen e territorit të saj të vërtetë, i cili, historikisht, përfshihej brenda hapësirave që zinte Pashallëku i Beogradit. Po të mos kishte qenë kështu, forcat e NATO-s, pas përfundimit të bombardimeve të Serbisë, këtë, si një shtet agresor, që kishte shpërthyer disa luftëra pushtuese në Evropën Juglindore (kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës) dhe që kishte kryer masakra, gjenocid dhe spastrim etnik të pashembullt në historinë e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, duhej ta kishin pushtuar tërësisht territorin e saj dhe të bënin ndarjen e tij në zona pushtimi, pikërisht ashtu siç u veprua në vitin 1945 kundër Gjermanisë naziste.
 Autorët e lartpërmendur, duke iu përmbajtur praktikës serbe të falsifikimit të historisë, arrijnë deri aty sa të kuturisin të shkruajnë edhe monstruozitete të tilla: “…që në Konferencën e Londrës shqiptarët filluan të paraqitnin pretendime territoriale ndaj Greqisë dhe Serbisë” (f.38) Ose më poshtë: “Sipas disa të dhënave, që nga prilli i vitit 1941 deri në gushtin e vitit 1942, shqiptarët vranë rreth 10 mijë serbë, më shumë se 100 mijë veta (serbë - E.Y.) u përzunë nga territori i krahinës. Njëkohësisht, përafërsisht po kaq shqiptarë u zhvendosën nga Shqipëria dhe u vendosën në Kosovë” (f.39).
Ja edhe një tjetër përrallë argëtuese e dy autorëve të sipërpërmendur. “KFOR-i duhej t’i ruante kufijtë e krahinës. Por, në vend që ta bënte një gjë të tillë, ai i hapi këto kufij për Shqipërinë. Një mori e madhe njerëzish nga Veriu i Shqipërisë u zhvendosën drejt Kosovës. Mendohet se 200 deri në 250 mijë shqiptarë nga viset veriore të Shqipërisë, u dyndën drejt Kosovës dhe u ngulën atje në zona të ndryshme. Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë i paraqiti të dhënat e duhura Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke ngulur këmbë që qytetarët e Shqipërisë të largohen nga Jugosllavia” (f.149).
Por qëndrimin armiqësor, më të koncentruar, të politikës dhe të diplomacisë ruse ndaj çështjes së Kosovës e manifeston Evgjeni Primakov, ish-kryeministër dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme i Federatës Ruse: “Qëndrimin e vet, i cili karakterizohet kryesisht nga tre elemente, Rusia e ka mbrojtur vijueshmërisht gjatë gjithë kohës së krizës (kosovare - E.Y.): së pari, Kosova është çështje e brendshme e Jugosllavisë; së dyti, për shkëputjen e krahinës nga Jugosllavia as që mund të bëhet fjalë; së treti, është e nevojshme të ndërpriten aktet armiqësore dhe të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës brenda Jugosllavisë” (Evgjeni Primakov. “Godëj v bolshoj politike”. Izdatjelstvo SOVERSHENNO SEKRETNO. Moskva 1999, f. 342).
Gjatë kohës që president i Federatës Ruse ishte Boris Jelcin, të krijohej përshtypja sikur ai do ta vlerësonte në një mënyrë më realiste edhe vetë Millosheviçin për qëndrimin që mbante ndaj Kosovës, duke pasur parasysh edhe krimet e rënda që ai pati kryer gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Por, fatkeqësisht, edhe presidenti Jelcin nuk u shkëput dot nga mendësia burokratike e politikës ruse, e cila avazin “prit të presim”  tradicionalisht e ka pasur si praktikë të punës së saj, deri sa kjo vjen e mahiset keq e më keq. Një mendësi të tillë e vë shumë mirë në dukje edhe zoti Levitin. Ai thotë:
“Arsyeja kryesore e kundërshtimit të Rusisë për t’u bashkuar në një diskutim serioz sa i përket statusit legal të Kosovës, rrjedh jo nga distanca në pozicione mes Rusisë dhe Perëndimit, por nga zakoni i inercisë së Rusisë, vonesat dhe frika për të marrë vendime” (po aty).
Por burokratizmi politik rus del edhe më shumë në pah nga një bisedë telefonike që  presidenti Jelcin ka pasur asokohe me presidentin Klinton, pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Jelcini shkruan: “Unë i thashë Billit: “Nuk mund të lejohet që për qejfin e një njeriu të vetëm të vriten qindra dhe mijëra njerëz, që fjalët dhe veprimet e tij të na shërbejnë neve si orientim. Duhet të arrijmë që rreth tij të jenë të tjerë njerëz, në mënyrë që atij t’i bëhet e pamundur të sillet në atë mënyrë, siç po sillet tani. Në këtë mes mund të bëhen shumë gjëra, përfshirë këtu edhe aspektin e zbulimit të jashtëm. Për hir të së ardhmes së marrëdhënieve tona dhe të së ardhmes së sigurisë në Evropë, të lutem që të pezullohet ky bombardim. Ne mund të takohemi në ndonjë territor tjetër dhe të përpunojmë taktikën e luftës kundër Millosheviçit. Ne jemi më të zgjuar dhe më të matur dhe me siguri që do të mund ta arrijmë një gjë të tillë. Duke e parë problemin më gjerë, kjo duhet bërë për hir të marrëdhënieve tona dhe të paqes në Evropë. Nuk dihet se kush do të vijë pas nesh. Kam parasysh ata që do të merren me shkurtimin e armatimeve strategjike bërthamore. Veçse është e qartë se çfarë duhet të bëjmë vetë ne, - t’i shkurtojmë dhe të vazhdojmë t’i shkurtojmë këto male me armatime. Ja se me çfarë duhet të merremi ne”.
Mbaj mend se në bisedë e sipër unë mundohesha t’i shqiptoja fjalët sa më shkoqur. Përpiqesha që të ndikoja disi sa më emocionalisht mbi bashkëbiseduesin tim. Klintoni m’u përgjigj se nuk e pranon optimizmin tim lidhur me metodat që mund të përdoren për të ndikuar mbi Millosheviçin. Kjo nënkuptonte fillimin e luftës… Nga ana njerëzore, unë nuk kisha pretendime ndaj Billit. Në zërin e tij ndjeva madje simpati. Ama si president i SHBA, ai, në një mënyrë të ashpër dhe të njëanshme, të linte të kuptoje: bisedimet nuk kanë asnjë kuptim. Ky ishte gabim. Një gabim shumë i madh. Klintoni solli edhe një argument nga më seriozët për mua: Millosheviçi është diktatori i fundit komunist, i cili dëshiron t’i vërë kazmën aleancës mes Rusisë dhe Evropës, është kundër demokratizimit të kontinentit. Por edhe unë kisha argumentet e mia: “Populli ynë do të mbajë një qëndrim shumë të keq ndaj Amerikës dhe NATO-s. Më kujtohet se me çfarë sikleti e kam ndryshuar qëndrimin e njerëzve të thjeshtë dhe të politikanëve këtu, në Rusi, ndaj SHBA dhe Perëndimit. Ka qenë shumë e vështirë, por këtë arrita ta realizoj. Dhe tani të gjitha këto të shkojnë dëm?”… Kjo bisedë zhvillohej në ato çaste, kur aeroplanët e NATO-s tashmë ndodheshin në ajër. Të nesërmen do të fillonte lufta” (Boris Jelcin. “Presidentskij marafon”. Izdatjelstvo ACT. Moskva 2000, f. 282-283).
Nga kjo bisedë telefonike mes dy presidentëve, del qartë se sa larg ishte mendësia ruse nga mendësia amerikane në trajtimin e një problemi aq tragjik, sa ç’ishte çështja e Kosovës. Një popull i tërë po masakrohej në mënyrën më barbare, bash në atë mënyrë si trupat naziste patën masakruar qindra mijë qytetarë sovjetikë në ditët e para të sulmit hitlerian kundër Bashkimit Sovjetik, kurse presidenti rus e ftonte presidentin amerikan për të vazhduar bisedimet për çarmatimin! Koha vërtetoi se “ora” e politikës dhe e diplomacisë ruse kishte mbetur shumë prapa nga “ora” amerikane në trajtimin e çështjes së Kosovës.
       Zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve të kujton po ato skena që përshkruan ish-ministri i jashtëm carist Sazonov, të cilat u përmendën më lart. Skena të tilla pati në mbarë Rusinë gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Ja se si i përshkruan ato vetë Jelcini në Moskë: “Në Moskë situata u bë me të vërtetë shqetësuese. Pranë mureve të ambasadës amerikane turmat e njerëzve nuk përmbaheshin dot. Dritaret qëlloheshin me shishe dhe me gurë. Nëpër mure shkruheshin fjalë të ndyra… Në ato çaste, policia ndaloi një grup ekstremistësh, të cilët po kalonin me makina pranë ambasadës amerikane, me një granatëhedhës në duar. Vështirë se mund të përfytyroheshin pasojat e një të shtëne të tillë. Parlamenti aprovonte njërën rezolutë pas tjetrës… Filloi rekrutimi i vullnetarëve për luftë në përkrahje të serbëve. Politikanë të të gjitha ngjyrave mundoheshin të fitonin pikë nga konflikti i Kosovës. Për shembull, kryetari i Bashkisë së Moskës, Juri Llushkov, doli haptazi në përkrahje të demonstruesve pranë mureve të ambasadës amerikane… Tragjedinë jugosllave njerëzit e konsideronin si një tragjedi të tyre… Agresioni i NATO-s… për rusët, nga ana psikologjike, qe një tronditje e vërtetë. Në Beograd artistët tanë vazhdonin të jepnin koncerte, gazetat dhe revistat qenë mbushur cep më cep me artikuj antiamerikanë” (po aty, f.285-286).
       Është e çuditshme kur e mendon se si ka mundësi që mbarë politika dhe diplomacia ruse, mbarë populli rus, që nga Balltiku deri në Paqësor, mbarë mjetet e informimit pamor dhe shtypi rus nuk e prishën fare terezinë atëherë kur Millosheviçi vrau qindra mijë njerëz të pafajshëm në Bosnjë-Hercegovinë, kur ditën për diell u krye masakra e Srebrenicës, kur në Kosovë u dogjën 70% e shtëpive të banimit të shqiptarëve, në mënyrë që spastrimi etnik të bëhej një fakt i kryer?! Disa gazetarë rusë, të cilët i shoqërova si përkthyes në Kosovë në nëntor të vitit 1999, në fshatin Grejkoc të Komunës së Prizrenit, i panë me sytë e tyre shtëpitë e djegura nga paramilitarët serbë (që po i riparonin ushtarët gjermanë të KFOR-it) dhe dëgjuan me veshët e tyre fjalët e zëvendëskryeplakut të fshatit, zotit Kadri Canaj, i cili tha: “Paramilitarët serbë këtu armatosën me automatikë edhe nxënësit serbë të moshës 14-vjeçare për të terrorizuar popullsinë e fshatit. Këtu, në mes të fshatit, paramilitarët serbë, bashkë me oficerë mercenarë rusë të shërbimit aktiv, pushkatuan dy nxënës shqiptarë dhe mandej kufomat e tyre i dogjën me benzinë. Prandaj rusëve nuk dua t’ua shoh bojën, qoftë gazetarë apo kushdoqoftë”.
       Gjat gjysmës së dytë të vitit 1999, më qëlloi tri herë të shoqëroja, si përkthyes, grupe gazetarësh ukrainas dhe një herë grupin e lartpërmendur të gazetarëve rusë, gjatë shërbimeve që ata patën në Kosovë. Gazetarët ukrainas më lanë përshtypje të mira, për objektivitetin që treguan në pasqyrimin e atyre të vërtetave që panë me sytë e tyre në Kosovë, për dashamirësinë që manifestuan ndaj shqiptarëve, gjatë takimeve që patën me ta. Të njëjtën dashamirësi ata manifestuan edhe ndaj serbëve. Madje më dërguan edhe gazetat ku kishin botuar reportazhet e tyre. Për të vërtetat lakuriq që pasqyroi në gazetën “Sevodnja” të Kievit, gazetarja Tatjana Stepanjenko u pushua nga puna, pas ndërhyrjes këmbëngulëse te autoritetet e gazetës në fjalë të ambasadorit jugosllav në Kiev!  M’u bë qejfi pa masë kur gazetarët ukrainas blenë shumë distinktivë kosovarë dhe sidomos simbole të UÇK, flamuj shqiptarë, kanotiera dhe kapele me mbishkrimet UÇK. Kurse qëndrimi i gazetarëve rusë ishte boll i rezervuar ndaj shqiptarëve dhe tepër i përzemërt ndaj serbëve. Nuk mësova dot asgjë se çfarë patën shkruar në reportazhet e tyre për përshtypjet që patën nga Kosova. S’më dërguan ndonjë gazetë. Prandaj kur u ktheva në Tiranë, në disa numra të gazetës “55”, botova një reportazh të gjatë me titull “Dertet e një përkthyesi”. 
       Si është e mundur që qytetarët e Moskës nuk organizuan ndonjë protestë masive pranë ambasadës jugosllave, në përkrahje të popullit të pafajshëm boshnjak? Apo boshnjakët që vriteshin nga agresorët serbë ishin myslimanë dhe kur në Evropën Juglindore kriminelët e “qytetërimit” serb, këta shtetas të “palcës” së Ballkanit, vrisnin myslimanë, në Moskë dhe në mbarë Federatën Ruse shpirtërat e njerëzve nuk u trazuakëshin nga emocionet? Po si është e mundur që nuk u gjetën qoftë edhe 50 apo 100 rusë, që të protestonin në përkrahje të popullit shqiptar të Kosovës? Populli rus,  me sa duket, i paska harruar masakrat që i shkatoi makina ushtarake e nazizmit gjerman!
       Si është e mundur që politika, diplomacia ruse dhe mbarë populli rus të mos e kuptonin që udhëheqja serbe millosheviçiane qëndronte mbi një shoqëri të bazuar mbi dhunën dhe i përcillte asaj shoqërie shumë nga pasionet e veta primitive, shtazarake? Si është e mundur që intelektualët rusë të mos e kuptonin që, në Serbi, pranimi kolektiv i dhunës dhe i urrejtjes kolektive ndaj kombit shqiptar kishte bërë që udhëheqja serbe vazhdimisht të bënte për vete sa më shumë njerëz me nivel të ulët moral, si Millosheviçi, Shesheli, Arkani, Karaxhiçi, Mlladiçi dhe tërë -viçët e pafund të sorollopit serb?
       Në këto kushte, politika dhe diplomacia ruse, intelektualët dhe mbarë populli rus, duhet të kthjellohen një herë e mirë dhe të binden përfundimisht se morali i dhunës dhe shkenca e urrejtjes ndaj një kombi tjetër janë krejt të huaja për botëkuptimin filozofik të popullit shqiptar të Kosovës, prandaj ky e shikon veten si të huaj në një shoqëri serbe, e cila, gjithmonë ka pëlqyer mbi kryet e veta vetëm demonë!
       Në librin e sipërpërmendur, Nikollaj Rizhkov dhe Vjaçeslav Tetjokin shprehin shqetësimin se mos vihen në jetë “planet e kahershme të krijimit të “Shqipërisë së Madhe”. Pasojat e një politike të tillë për paqen në Ballkan mund të rezultojnë katastrofike” (po aty, f. 151). Kot shqetësohen zotërinjtë Rizhkov dhe Tetjokin. Çështja kombëtare shqiptare, ende e pazgjidhur deri më sot, nuk mund të vazhdojë të mbetet përjetësisht e pazgjidhur. Ecuria objektive e zhvillimit të ngjarjeve në Evropën Juglindore nuk mund të kuptohet dhe as të përfytyrohet dot pa zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, e cila duhet kuptuar, para së gjithash, si çështje e shkolonizimit të trojeve tona etnike përtej kufijve të Shqipërisë Londineze.
       Librin e lartpërmendur, Rizhkovi dhe Tetjokini e kanë mbushur cep më cep me përralla dhe me mitologji serbe për Kosovën, por këtu dëshiroj të ndalem edhe në njërën prej tyre, që është një xhevahir i vërtetë: Ja se ç’shkruajnë ata: “Po e theksojmë që në fillim se krahina gjeografike e Kosovës dhe Metohia asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e ndonjë shteti shqiptar. Një gjë e tillë dihet botërisht” (po aty, f.36).
       Së pari, Shqipëria, me mbarë trojet e saj etnike, që mbas vdekjes së Skënderbeut, ra nën sundimin e Perandorisë Otomane, derisa u shpall e pavarur në vitin 1912. Së dyti, trojet etnike shqiptare, siç u përmend më lart, Evropa dhe Rusia cariste filluan t’i copëtonin fill pas nënshkrimit të Traktatit të Berlinit. Por edhe sapo Shqipëria u shpall e pavarur, përsëri Evropa dhe Rusia u turrën me “hanxhar” në dorë, për të vazhduar copëtimin e trojeve etnike shqiptare, për llogari të sllavogrekëve. Kështu që ajo ngastër Shqipërie që shpëtoi “gjallë” vetëm me ndërhyrjen e presidentit amerikan Uillson në Konferencën e Paqes në Paris, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, s’kishte se si ta administronte Kosovën, si pjesë të territorit të saj. Por e keqja në këtë mes nuk qëndron në faktin se pse na zbavisin me përralla  këta dy autorë rusë, me profesion njëri inxhinier mekanik (Rizhkovi) dhe tjetri fillimisht xhenerik makinash e më pas i arsimuar si përkthyes në një institut pedagogjik të gjuhëve të huaja. E keqja është se këta dy zotërinj, të paktën, t’ua lënë fjalën historianëve rusë [se këtyre “u shkon” shumë më tepër për shtat shtrembërimi i së vërtetës historike për çështjen e Kosovës, siç i “shkon” sidozot prof.dr. Vollkovit, drejtor i Institutit të Sllavianistikës, i cili, në qershor të vitit 1999, në intervista dhe shkrime të ndryshme, në një mënyrë fare të pacipë, deklaronte poshtë e përpjetë se “UÇK-ja e ka treguar veten një organizatë terroriste…”, se “në të ka pasur edhe mercenarë, edhe të ashtuquajtur vullnetarë të huaj-moxhahidinë nga vendet arabe” (Shaqir Vukaj, po aty, f. 435)], e jo të kërkojnë të bëhen vetë historianë “me paterica”. Për dijeninë e këtyre dy autorëve, përfaqësuesi i Perandorisë Otomane në Kongresin e Berlinit, Mehmed Ali Pasha, mes çështjeve që propozoi për shqyrtim në seancën e 26 qershorit 1878, nënvizonte: “…kazatë shqiptare të Vuçiternit, të Kurshumlisë, të Urkupit (Prokuples) dhe të Leskovcit të mos shkëputen nga perandoria, dhe në rast se Kongresi do të vendosë të shkëputet ndonjë pjesë, gryka e Prepolacit…midis Kurshumlisë dhe Prishtinës dhe ajo e Grdelicë-Xeva që ndodhet midis Leskovcit dhe Vranjës t’i mbeten, në çdo rast Turqisë, meqenëse janë të domosdoshme për mbrojtjen e rretheve të Prishtinës dhe të Vranjës që, në këtë mënyrë, do të formonin nga kjo anë kufirin verior të perandorisë” ( Prof. Arben Puto, po aty, vll.I, f.153).
       Po ashtu, në memorandumin që disa shqiptarë, atdhetarë të shquar (mes tyre edhe Sami Frashëri dhe Seid Toptani), ia dërgonin Kongresit të Berlinit nga Stambolli më 20 qershor 1878, thuhej: “Ne mjaftohemi të tregojmë këtu kufijtë e saj (e Shqipërisë - E.Y.) që fillojnë nga Tivari, Shkodra me të gjitha malet e banuara nga katolikë, nga Peja, Kurshumlia, Prishtina, Leskovaci, Vranja, Shkupi, Përlepi, Manastiri, Follorina, Kosturi, Grebeneja, Pindi, Kalarita dhe Narta dhe mbarojnë në gjirin e Ambrakisë. Ky vend, i përfshirë midis pikave të lartpërmendura dhe detit dhe që përbën historikisht, gjeografikisht dhe etnografikisht Shqipërinë, ka qenë prej katër shekujsh pjesë përbërëse e Perandorisë Otomane dhe e ka bashkuar historinë e vet ushtarake me historinë e Turqisë” (po aty, f. 151).
       Por që dy zotërinjtë e lartpërmendur të binden, po të duan, për kufijtë e vërtetë të Shqiprisë Etnike, le të shfletojnë edhe burime shkencore ruse. Ju rekomandoj të shfletojnë Fjalorin Enciklopedik Rus, të botuar në Sankt-Peterburg në vitin 1896. Ja se çfarë shkruhet në zërin “Albania”: “Albania (në gjuhën shqipe Shqipëria, në gjuhën turke Arnaut) është emrtimi i pjesës perëndimore dhe jugperëndimore të zotërimeve të drejtpërdrejta të Perandorisë Otomane në Evropë. Duke përfshirë krahinat e Epirit të lashtë dhe të Ilirisë së lashtë, ajo vazhdon përgjatë brigjeve të Detit Jon dhe  të Detit  Adriatik, që nga Gjiri i Artës, deri në zonën që shtrihet matanë lumit Buna, nga 39 deri në 42 gradë të gjerësisë veriore. Në veri kufirin e saj e formon krahina që i është aneksuar Malit të Zi (Dulqinja) dhe Sanxhaku i Novipazarit që i ka kaluar Austrisë, në jug kufizohet me Gjirin e Artës dhe me mbretërinë e Greqisë, me të cilën Shqipërinë, që nga viti 1881, kur iu shkëputën ca territore, e ndan lumi i Artës. Në lindje…Shqipërisë i takojnë një pjesë e Thesalisë dhe e Maqedonisë. Sipërfaqja e këtij vendi …arrin në 134 mijë kilometra katrorë” (Russkij Encikllopediçeskij Sllovar. Sankt-Peterburg, 1896, f.359).
       Rizhkovi dhe Tetjokini le të lexojnë me kujdes veprën e prof. Nina Smirnovës (të vetmes historiane ruse që është udhëhequr kryekëput nga objektiviteti shkencor në trajtimin e çështjes kombëtare shqiptare) me titull: “Kosova. Aspekte ndërkombëtare të krizës”. Moskë 1999, ku theksohet se  Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë dhe se “Kosova për herë të parë ka hyrë në përbërje të Serbisë mbas Luftës Ballkanike 1912-1913” (f. 79. Citohet sipas: Shaqir Vukaj. Po aty, f. 592) dhe mandej të mendojnë mirë para se të kuturisin të na tregojnë përralla në një natë shënëndreu se kujt i përket Kosova.
Cilat mund të qenkan këto pasoja katastrofike për paqen në Ballkan me krijimin jo të “Shqipërisë së Madhe”, por të Shqipërisë Etnike, në trojet e saj etnike? S’ka për të pasur kurrfarë pasojash katastrofike. Këto janë përralla të serbëve që janë majmur dhe vazhdojnë të majmen me troje etnike shqiptare dhe që politika dhe diplomacia ruse kërkon t’i bëjë edhe më të besueshme për opinionin publik rus, për ta mbajtur të ndezur urrejtjen kundër kombit shqiptar. Problemet që Moska ka me etnitë e tjera brenda Federatës Ruse, të pushtuara që në kohën e carëve të Perandorisë Ruse, nuk ka pse i lidh me çështjen kombëtare shqiptare. Në letrën e sipërcituar të Shoqërisë “Vatra” thuhet: “Shqiptarët u detyruan t’i përuleshin vendimit të Evropës, por ata nuk i quajnë tokat e aneksuara si të humbura përgjithmonë” (po aty, f. 663). Këto fjalë vazhdojnë të kenë një tingëllim të fuqishëm aktual edhe sot e gjithë ditën. Diskutimi i çështjes çame në Kongresin amerikan dhe në Këshillin e Evropës nuk është aspak i rastësishëm. Ekspertja e çështjeve ballkanike, zonja Miranda Vickers, në një punim me titull “Çështja çame -, në ç’vend tani?”, të publikuar nga Qendra Kërkimore e Studimit të Konfliktit dhe të realizuar me mbështetjen e Akademisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, para do kohësh ka pas deklaruar: “Nëse nuk merren hapa për zgjidhjen e këtij problemi, kjo mund të nxisë grupet radikale ekstremiste në Shqipëri dhe gjetkë” (Gazeta “Shekulli”, 20 janar 2007, f.5). Politika dhe diplomacia ruse le të vazhdojnë ta bëjnë veshin të shurdhër para kambanave të tilla!
Kur shqiptarët, në mbarë trojet e tyre etnike, natën duke u gëdhirë 12 qershori 1999, po prisnin me padurim futjen e trupave tokësore të NATO-s në Kosovë, në efir u dha lajmi se dyqind trupa ruse, të nisura nga Bosnja, gjatë tërë natës, hipur në transportues të blinduar, pasi kishin përshkuar një largësi prej 500 kilometrash, kishin zbarkuar në aerodromin e Prishtinës, para se atje, siç qe parashikuar, të arrinin trupat angleze. Po cila ishte arsyeja që rusët e ndërmorën një hap të tillë në fshehtësi të plotë, natën, si puna e hajdutëve që nisen për kusari? Ja se ç’përgjigje japin burimet ruse:
       “Ato (trupat ruse - E.Y.) hynë në Kosovë tri orë e gjysmë më herët se pararoja e trupave paqruajtëse - anglezët -,  duke shkelur, po t’i marrësh për të vërteta ato që thotë Perëndimi, një marrëveshje të fshehtë që ishte arritur më 3 qershor në Helsinki, sipas së cilës, të parat në Kosovë do të hynin forcat e NATO-s. Por marrëveshjet e fshehta, dhe aq më tepër të bëra me gojë, dallojnë prej marrëveshjeve të dokumentuara, se ato mund të shkelen pa kurrfarë pasojash. Dikur, një vit e gjysmë para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Konferencën e Teheranit, aleatët e koalicionit antihitlerian u morën vesh që në Berlin do të hynin të parat trupat sovjetike. Por në majin e vitit 1945 atë marrëveshje, që ishte e dokumentuar, e shkelën amerikanët, anglezët dhe francezët, që hynë të parët në Berlin. Kurse në qershorin e vitit 1999 rusëve s’keshje ç’u bëje, t’u merrje veç pleshtat” (Leonid Velehov, Aleksandër Golc. “Marsh-demarsh”. Revista “Itogi”, 22 qershor 1999, f. 22)
Ndërkohë, gazeta moskovite “Sevodnja” e datës 15 qershor 1999 shkruante: “Një zyrtar i lartë i Shtabit të Përgjithshëm i bëri këtë deklaratë korrespondentit tonë: “Pikërisht në saje të vendosmërisë dhe hapave praktike që ndërmori Shtabi i Përgjithshëm, në Kosovë u krijua një situatë e re, për të cilën tani në NATO duhet të mendohen mirë. Ne mbërritëm të parët në Prishtinë, ashtu si dikur në Berlin”” (Shaqir Vukaj. Po aty, f.426).
Kësisoj, zyrtari i lartë ushtarak rus, për të ngritur sa më lart krenarinë e opinionit publik rus për forcat ushtarake ruse dhe për të nxitur edhe më shumë përkrahjen e atij opinioni për vendimet që merr kasta ushtarake ruse, nuk e ka për gjë të gënjejë në mënyrën më të pahijshme për të vërtetën e hyrjes së trupave ushtarake sovjetike në Berlin në maj të vitit 1945. Kjo gënjështër e këtij funksionari të lartë të hierarkisë ushtarake ruse dëshmon më së miri për praktikën e zakonshme të mashtrimit që Kremlini e përdor rëndom në raport me opinionin shoqëror rus,  sa herë që zihet ngushtë me politikën e vet dritëshkurtër. Siç u përmend edhe më lartë, revista “Itogi” e sqaronte fare mirë se cilat trupa hynë të parat në Berlin më 8 maj 1945.
Shqiptarët, sigurisht, nga natyra e tyre, nuk janë të prirur për të organizuar protesta spontane, të paplanifikuara, të atypëratyshme, kundër diçkaje të padëshirueshme, siç ishte rasti pas atij akti “inatçor” të trupave ruse. Megjithatë, një protestë e brendshme, e përcjellë me zemërim dhe me përbuzje ndaj Rusisë, nuk mund të mos shpërthente në qenien e çdo shqiptari atdhetar në mbarë trojet tona etnike. Aq më tepër që trupat e NATO-s priteshin nga populli shqiptar i Kosovës si çlirimtarë të vërtetë, me lule dhe me brohoritje, kurse për trupat ruse askush nuk jepte dot një përgjigje të saktë se pse duhej të ndodheshin në aeroportin e Prishtinës!
Edhe fakti që trupat ruse hynë të parat në aerodromin e Prishtinës, për inat të perëndimorëve që i paskan prerë në besë lidhur me atë marrëveshjen e Teheranit të fundnëntorit dhe të fillimdhjetorit të vitit 1943, sipas së cilës trupat sovjetike duhej të hynin të parat në Berlin (duhet pranuar pa asnjë mëdyshje se trupave sovjetike, simbolikisht, u takonte merita të hynin të parat në Berlin, meqenëse Bashkimi Sovjetik mbajti mbi supe peshën më të rëndë të luftës kundër nazizmit gjerman), Kremlinit nuk ia rrit fare kredinë politike në sytë e opinionit publik shqiptar. Mërinë kundër Perëndimit, ta mbashë të fshehur thellë në qenien tende për 56 vjet me radhë, me mendimin që një ditë do të hakmerresh po në atë mënyrë, por në një mjedis krejtësisht tjetër dhe aspak të përshtatshëm për kredinë e politikës dhe të diplomacisë tënde, do të thotë që të udhëhiqesh nga motive me të vërtetë inatçore, të cilat të zbulojnë, si padashur, ca komplekse inferioriteti para Perëndimit dhe sidomos para trupave të NATO-s. Motivet inatçore mund t’u shkojnë për shtat shteteve të tilla shoviniste, si Serbia apo Greqia, të cilat kanë dhënë prova bukur të bollshme për urrejtjen e tyre të kahershme kundër kombit shqiptar, por jo Rusisë, që është një supershtet me shumë peshë në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë, edhe trupat ruse që hynë vjedhurazi në aeroportin e Prishtinës, bashkë me ato që u vendosën më pas përkrah KFOR-it, në lindje të Kosovës, e nisën dhe e përfunduan misionin e tyre sipas asaj fjalës së urtë ruse që thotë “naçali so zdravija, a konçili za upokoj”, që në gjuhën shqipe mund të përkthehet “e nisën mbarë, e mbaruan shtarë”, ose agjwroi kaq kohw dhe e çeli me mish të ngordhur”. Rusia nuk kishte “këllqe” të përballonte dot shpenzimet e trupave të veta në Kosovë, që arrinin deri në 36 milionë dollarë në vit dhe prandaj u detyrua t’i largonte prej andej përfundimisht në muajt e parë të vitit 2003. 
       Dy autorët e lartpërmendur, ashtu si edhe mbarë politika dhe diplomacia ruse, deri te presidenti Putin, moszgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare kërkojnë ta mbajnë peng të problemeve që kanë në federatën e tyre, duke u druajtur se shembullin e Kosovës mund ta ndjekin edhe etnitë joruse brenda saj. Me këtë rast, gjatë “një bisede telefonike për problemin e Kosovës, ish-ministri i jashtëm Ivanov i ka thënë Sekretares së Shtetit të SHBA Madlen Ollbrajt: “Madlen, si nuk e kuptoni ju se sa Kosova të tilla ka në Rusi?”” (Shaqir Vukaj. Po aty, f. 189).
       Duke bërë një analogji të tillë mes Kosovës dhe etnive joruse brenda Federatës Ruse, zoti Ivanov zbulon (besoj se pa dashje) një të vërtetë tragjike rreth marrëdhënieve të Kremlinit me etnitë në fjalë. Me sa duket, edhe Kremlini ato etni i trajtuaka po në atë mënyrë, siç e ka pas trajtuar Kosovën edhe Beogradi, deri në mëngjesin e 12 qershorit të vitit 1999. Prandaj Kremlini shkëputjen e Kosovës nga Serbia e konsideruaka si fillimin e shkallmimit të strukturës së Federatës Ruse. Derisa etnitë joruse apo republikat autonome brenda asaj federate, sipas fjalëve të zotit Ivanov, përfaqësuakan, secila, një Kosovë më vete, kjo do të thotë se, me kalimin e kohës, vetë Kremlini do t’u bëka shkaktari kryesor i shkallmimit të themeleve të Federatës Ruse. Në qoftë se Kremlini nuk e paska të qartë që themelet e perandorisë sovjetike i shkallmoi vetë shovinizmi rusomadh me politikën që ndoqi për rusifikimin e ish-republikave sovjetike, atëherë atij nuk ia ka  kush fajin për dritshkurtësinë e asaj politike që praktikoi për gati 70 vjet. Në qoftë se Kremlini nuk e paska të qartë që themelet e mikroperandorisë jugosllave i shkallmoi vetë shovinizmi serbomadh me politikën që ndoqi për serbizimin e ish-republikave dhe ish-krahinave autonome jugosllave, atëherë atij nuk ia ka kush fajin për dritëshkurtësinë e asaj politike që praktikoi gjatë viteve ’90 të shekullit që kaloi për mbajtjen domosdo më këmbë të ngrehinës së kalbur me emrin “Federatë Jugosllave”.
Faktet janë kokëforta. Ato dëshmojnë fare qartë së dritshkurtësia e politikës së Kremlinit dallohet për pastërtinë e saj shembullore. Këtu poshtë po radhisim disa prej këtyre fakteve dhe lexuesit e respektuar le të gjykojnë vetë për to. Ato janë nxjerrë nga libri i sipërcituar i zotit Shaqir Vukaj, libër ky që është me vlera të jashtëzakonshme për zbulimin e shumë të vërtetave të padiskutueshme rreth qëndrimit armiqësor të Rusisë ndaj çështjes kombëtare shqiptare, qëndrim ky që e prezanton atë fare pastër si armike të betuar të kombit shqiptar.
Së pari, organi i përditshëm “Njezavisimaja Gazeta” e datës 18 qershor 1999 shkruante: “Po përfundon me turp epopeja jugosllave edhe për propagandën, edhe për diplomacinë ruse: humbjet profetike dhe kërcënimet ndaj NATO-s dhe BE-së dolën zëra të kota. Nuk luajti mendsh Perëndimi dhe nuk u fut ai në rrugë pa krye, por “elita” politike ruse. Dhe kjo elitë ka një pjesë të përgjegjësisë për konfliktin në Kosovë. Në qoftë se qysh në fillim Millosheviçi nuk do të kishte përkrahjen e Rusisë, si zor që ai të vendoste të hidhte poshtë planin e paqes të NATO-s dhe të BE-së në Paris” (f.433).
Sigurisht, “Njezavisimaja gazeta” shpreh revoltën a saj për dritëshkurtësinë e politikës ruse ndaj Perëndimit për çështjen e Kosovës. Ama revoltën e vet në këtë rast ajo e manifeston “në inat e sipër” për pazotësinë e Kremlinit për t’i diktuar Perëndimit vullnetin e vet. Dhe këtë, nënkuptohet, e bën e nisur jo nga vlerësimi objektiv i situatës në Kosovë, por nga motive inatçore. Se sikur kjo gazetë të udhëhiqej nga vlerësime objektive, atëherë ajo nuk do të shpifte në mënyrë aq shembullore për krimet në Raçak, për të cilat, në numrin e saj të datës 25 gusht të vitit 2000 do të shkruante: “…kurrfarë vrasjesh nuk ka pasur në Raçak…” (f.502). Po kështu, simotra e saj, “Rossijskaja Gazeta”, në numrin e saj të datës 21 shkurt 2001, i mban avazin po së njëjtës shpifjeje, duke dalë me një deklaratë edhe më të turpshme: “Ngjarja e Raçakut ishte një provokacion i përbindshëm i shqiptarëve dhe i shërbimeve të fshehta të NATO-s, ku serbët nuk kishin fare gisht” (f. 546). Duket që mekanizmi i shpifjes kundër kombit shqiptar ka qenë i kurdisur dhe vazhdon të jetë i kurdisur me shumë kujdes në të gjitha strukturat e Rusisë neocariste, që poshtë, në “bazë”, deri në Kremlin.
       Së dyti, gjatë një takimi që ish-ambasadori ynë në Moskë, zoti Shaqir Vukaj, ka pasur me ambasadorin amerikan atje, ky i fundit ka bërë një vlerësim të tillë për politikën e Rusisë ndaj çështjes së Kosovës: “Ne mendojmë se në qëndrimet e Rusisë për problemin e Kosovës, që me fillimin e bombardimeve kundër Jugosllavisë, rusët kanë gabuar shumë herë. Për mendimin tonë, fajin kryesor e ka kasta ushtarake, e cila po dominon politikën e jashtme. Ne vërejmë se këtu ka mjaft politikanë realistë që në biseda private shprehen qartë dhe drejt, por që në qëndrimet zyrtare ndryshojnë krejtësisht, gjë që, sipas nesh, shpjegohet me faktin se vetëm në këtë mënyrë ata mund të mbeten në politikë. I tillë, për shembull, mund të konsiderohet edhe ministri i jashtëm, Ivanov, i cili në takime me Ollbrajtin e me të tjerë ka shprehur pikëpamje e propozime mjaft konstruktive, por në publik është shprehur ndryshe dhe kjo vetëm për të qenë në unison me ushtarakët, duke dalë nga vetja e tij e duke mos bërë figurë të mirë” (f. 441).
       Ky pohim i ambasadorit amerikan hedh dritë mbi një të vërtetë kuptimplote për faktin që në Kremlin sundon realisht kasta ushtarake që rri në prapaskenë, çka dëshmon për një traditë të kahershme në qeverisjen e Rusisë, që nga koha e carizmit. Eshtë pikërisht kjo arsyeja që Rusia edhe sot vazhdon të jetë e kapluar nga ethet e shovinizmit rusomadh, i cili, në mënyrën më të shkëlqyer, është manifestuar në qëndrimin ndaj kombit shqiptar në tërësi dhe ndaj popullit shqiptar të Kosovës në veçanti.
       Së treti, ditët e para të qershorit të vitit 2000, ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë, zoti  Paskal Milo, bëri një vizitë në Moskë. Gjatë takimit të zotit Milo me ish-ministrin e jashtëm rus, zotin Ivanov, ish-ambasadorit Vukaj i ka lënë mbresa një pyetje e çuditshme e zotit Ivanov: “Bëri përshtypje një ndërhyrje e Ivanovit në bisedë e sipër, që pyeti se a është Kosova shqiptare?” (f.  497).
       Një pyetje e tillë mund t’i shkonte për shtat një ministri të jashtëm të ndonjë shteti të largët të rruzullit tokësor, si fjala vjen, të zonës së Oqeanisë, por që një pyetje të tillë ta bëjë ministri i jashtëm i një supershteti të tillë në Evropë, si Rusia, kjo të bën të dyshosh se në këtë rast kemi të bëjmë me një shpërfillje të kulluar të tij që buron nga një botëkuptim shovinist për Kosovën, se nuk mund të vihet në dyshim kurrsesi formimi i tij kulturor,  intelektual.
       Së katërti, Kremlini ka pas ngulur këmbë deri në një kokëfortësi paradoksale që “të ruhet Jugosllavia, që të mos shkohet drejt ndarjes, sepse mund të ketë pasoja shumë të rrezikshme. Askujt nuk i duhen shtete lilipute në Ballkan” (f. 525). “Moska nuk është dakord për ndarjen e Malit të Zi, çka e ka shprehur shumë herë qartë e prerazi” (f. 539).
       Në praktikë u vërtetua se sa dritshkurtër ishte politika e Kremlinit. Mali i Zi u pavarësua dhe nuk pati asnjë pasojë të rrezikshme. Kremlini ka frikë nga krijimi i shteteve “lilipute”, sepse druhet se mos “liliputëzohet” federata e tij e stërmadhe. Dhe u dashka që haraçin e druajtjes së Kremlinit ta paguaka Kosova. Frikën e Kremlinit që buron nga pavarësimi i Kosovës, e cila mund të pasohet nga “liliputëzimi” i Federatës Ruse, e ka shprehur haptazi kryetari i komisionit të jashtëm të Dumës ruse K. Kosaçov, i cili, më 21 gusht 2007, deklaroi me një vetëbesim të mahnitshëm: “Rusia nuk do të lejojë kurrë që Kosova të bëhet shtet…” (f. 661). Kremlini është mirë të përsiat nëse duhet të vazhdohet edhe shumë gjatë të mbahet më këmbë ose jo një e tillë federatë-“stërmadhinë”, si Federata Ruse, duke zbatuar të tilla praktika shoviniste ndaj etnive të tjera joruse, siç është rasti i Çeçenisë.
       Së pesti, pas arrestimit të Millosheviçit dhe dërgimit të tij në Hagë, Kryetari i Dumës Shtetërore Ruse, G. Seleznjov, bëri këtë deklaratë paradoksale: “Kur flitet për gjenocid, nënkuptohet dhënia e urdhrave për të vrarë njerëz, por as Millosheviçi dhe askush tjetër nuk kanë dhënë ndonjë urdhër të tillë” (f.566). Sigurisht, duhet të jesh politikan rus që të bësh deklarata të tilla revoltuese kundër skenave tragjike që u luajtën në Kosovë, dëshmitare e të cilave ka qenë mbarë bota përmes mjeteve të informimit masiv.
       Pas deklaratës se Seleznjovit, bëhet publike një tjetër deklaratë, jo më pak “zbavitëse” e ish-ministrit të jashtëm, Ivanov: “Është e nevojshme që të likuidohet fare Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila nga mekanizëm juridik është shndërruar në një instrument politik presioni ndaj Beogradit” (f. 567). Kësisoj, ish-ministri i jashtëm rus kërkonte që t’u vihej kapak krimeve të shovinizmit serbomadh në Ballkan dhe kriminelët të mbeteshin pa u ndëshkuar.
Së gjashti, vazhdën e dy deklaratave të fundit e ndjek edhe Këshilli i Federatës së Kuvendit të Rusisë, i cili në maj të vitit 2001 doli me deklaratën e mëposhtme në mbrojtje të Millosheviçit: “Ne, anëtarët e Këshillit të Federatës së Kuvendit Federativ të Federatës Ruse e konsiderojmë detyrë qytetare të mbështesim Deklaratën e Grupit të politikanëve, shkencëtarëve, përfaqësuesve të inteligjencies mbi krijimin e Komitetit Shoqëror Rus në mbrojtje të Sllobodan Millosheviçit…” (f. 577).
Po ku ishte ky farë Komiteti Shoqëror Rus dhe ky farë Këshill i Federatës së Kuvendit Federativ të Federatës Ruse, ku ishin intelektualët rusë dhe mbarë opinioni publik rus, ku ishin mjetet ruse të informimit masiv, ku ishin shkencëtarët-historianë rusë kur Shesheli, gjatë vizitës së tij zyrtare në Moskë, ku mbërriti më 30 tetor 1998, deklaronte publikisht se “…problemi i Kosovës mund të zgjidhet lehtë: duke vrarë një milion shqiptarë dhe duke përzënë nga Kosova një milion të tjerë?” (f. 464).
Ajo që ka rënë  më shumë në sy në qëndrimin e Kremlinit është histeria mbarëruse kundër mbarë kombit shqiptar edhe pas përfundimit të bombardimeve kundër Serbisë. Të gjitha mjetet e informimit masiv u vunë tërësisht në shërbim të ndezjes së urrejtjes kundër gjithë shqiptarëve në mbarë trojet e tyre etnike, me të vetmin synim që Kosova të mos shkëputet nga Serbia kurrsesi. Në  shënimet e diplomatit Vukaj, të mbajtura gjatë kohës që ishte ambasador në Moskë, lexojmë edhe këto rreshta (të hedhura në letër më 12 tetor 2001): “Siç kam përsëritur shumë herë, këtu është folur e shkruar aq shumë për “terrorizmin” shqiptar, sa, kur përdoret fjala “terrorizëm”, rusit të thjeshtë  që ka ndjekur lajmet a ka lexuar shtypin rus gjatë këtyre viteve të fundit, menjëherë i shkon mendja te ne, shqiptarët. Shprehja “terrorizëm shqiptar” përdoret vend e pa vend. Shprehjet “terroristët shqiptar”, “UÇK-ja terroriste”.., “terroristët shqiptar të Kosovës”, “terroristët shqiptarë të Maqedonisë”, “terroristët shqiptarë të Shqipërisë”, “udhëheqësit terroristë të shqiptarëve të Kosovës” etj. etj. kanë mbushur lajmet televizive, shkrimet e gazetave e revistave aq sa rusët e thjeshtë, kur marrin vesh se jemi shqiptarë, na shohin me habi”!      
Më 15 gusht 1999, ambasadori Vukaj  pati dhënë një intervistë në kanalin televiziv TVC. Intervistën ia pati marrë  gazetari i njohur rus A. Bovin. Të nesërmen zoti Vukaj i paska telefonuar zotit Bovin për ta pyetur për përshtypjet që kishte lënë te teleshikuesit  intervista e djeshme. Gazetari Bovin i qenka përgjigjur se “asnjëherë nuk kishte pasur telefonata më shumë se mbrëmë. Shkaku ishte emisioni i djeshëm. Shumica e atyre që e kishin marrë në telefon ishin personalitete të fushave të ndryshme - politike, historike, shoqërore etj. dhe pothuajse të gjithë i kishin bërë vërejtje se përse e kishte lejuar shqiptarin të fliste siç donte ai, në kundërshtim me të vërtetën dhe përse nuk e kishte ndërprerë…” (f. 461)
       Ky fakt vërteton qartë se politika dhe diplomacia ruse, si edhe mjetet e informimit masiv, e kishin indoktrinuar deri në pore mbarë opinionin publik rus, duke e edukuar atë me ndjenjën e urrejtjes kundër kombit shqiptar. Dhe shprehja më e koncentruar e urrejtjes kundër kombit shqiptar përmblidhet në pak rreshta të njërit prej mesazheve anonime që asokohe i janë dërguar me faks ambasadës sonë në Moskë. Në të shkruhej: “Shqiptarë të ndyrë! Ju duheni mbyllur në Shqipëri si në kafaz dhe në rast se doni të dilni, duheni vrarë si qen të tërbuar. Gratë tuaja duhen sterilizuar, që të mos mund të lindin më si lepujt. Dhe në qoftë se ju do të vendosni të vini në Kosovën serbe, do të ngrordhni. Toka do t’ju helmojë. Kombi juaj duhet zhdukur. Le t’ju marrin amerikanët atje, në Amerikë. Ngordhni sa më shpejt në Rusi. Juve do t’ju therim” (f. 415).
       Kërcënime kaq të egra, deri edhe me zhdukjen  tonë nga faqja e dheut, ambasadës sonë në Moskë i dërgoheshin me faks pikërisht në një mjedis rus, të mbarsur me urrejtje kundër nesh dhe ku shkenca e urrejtjes kundër kombit shqiptar kishte arritur në kuota të papara ndonjëherë. 
       Politika dhe diplomacia e sotme ruse, si ndjekëse besnike e politikës dhe e diplomacisë cariste në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, kërkon të ruajë të paprekur pikërisht trashëgiminë e politikës dhe të diplomacisë cariste, duke e mishëruar atë në ngrirjen e copëtimit të trojeve tona etnike.
Po të mos ishte e vërtetë një gjë e tillë, ministri i tanishëm i punëve të jashtme të Rusisë, Sergej Llavrov, nuk do të ngrihej e të bënte një deklaratë të tillë shoviniste: “Duhet të jetë e qartë…se…për ne ekzistojnë ca “vija të kuqe”: kjo ndodh kur lind një rrezik serioz për sigurinë tonë kombëtare ose për rendin ekzistues juridik ndërkombëtar…Në listën e çështjeve të tilla përfshihen planet e vendosjes së bazave të SHBA të sistemit global të mbrojtjes kundër raketave, si edhe zgjidhja e çështjes së Kosovës” (Fjalim i mbajtur në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës me rastin e fillimit të vitit të ri arsimor. 3 shtator 2007). Kësisoj, sipas Lavrovit, pavarësimi i Kosovës përbëka “rrezik serioz” për sigurinë kombëtare të Rusisë, a thua se Kosova qenka një shtet fqinj me Federatën Ruse, e cila  ndodhet disa mijëra kilometra larg saj.
Ndërkohë, presidenti Putin, për t’i vënë “vulën e Kremlinit” moszgjidhjes asnjëherë të çështjes së Kosovës përmes pavarësimit të saj, bën një deklaratë të tillë, thelbi i së cilës zbulon lakuriq mendësinë cariste të politikës së sotme ruse në raport me çështjet ballkanike dhe rolin negativ të Rusisë në trajtimin e tyre, ashtu siç manifestohej ky rol edhe pak para fillimit të Luftës së Parë Botërore: “…ne jemi për zgjidhje të tilla që të kënaqin si Beogradin, ashtu edhe Prishtinën” (Konferencë shtypi për përfundimin e bisedimeve me Kancelaren e RF të Gjermanisë Anxhela Merkel. Soçi. 21 janar 2007). Pra, sipas presidentit Putin, zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të lihet për ditën e moskurrit. Duke e njohur mendësinë paradoksale që manifeston Kremlini në qëndrimin ndaj çështjes së Kosovës, për të cilën ai ngul këmbë për “gjetjen” e kompromisit mes Beogradit dhe Prishtinës, një gazetar i gazetës “Figaro”, jo pa qëllim, i drejton presidentit Putin pyetjen asgjësuese që vijon: “Unë do të dëshiroja të reagoja lidhur me atë që u tha për punën e Kosovës. Unë nuk shikoj ndonjë mundësi për kompromis. Më jepni një ide se ç’lloj kompromisi na qenka i mundur në këtë mes. Vendi ose është i pavarur, ose është i varur. S’po e marr vesh se çfarë kompromisi qenka i mundur këtu. Ku e shikoni Ju mundësinë e kompromisit?”. Dhe presidenti Putin i jep gazetarit të “Figaro”-s një përgjigje mjerane: “Po ta dija, do ta kisha propozuar me kohë” (Intervistë e presidentit Putin në Gjermani me gazetarë të mjeteve të informimit masiv të vendeve anëtare të “Grupit të Tetëshes”.  4 qershor 2007).
Kur njihesh me deklarata të tilla të krerëve kryesorë të politikës dhe të diplomacisë ruse për çështjen e Kosovës, nuk mund të mos fillosh të dyshosh për “trurin e Kremlinit”, të cilin e paska mësyrë një “plevit i rëndë”. Dikur, para fillimit të Luftës së Parë Botërore, ministri i jashtëm carist Sazonov, sipas kujtimeve të sipërcituara, pati deklaruar se “…shteti rus kishte harxhuar një shekull e gjysmë, gjatë të cilit i ishte dashur të zhvillonte luftëra të pafundme në veri dhe në jug që të çante deri në brigjet detare dhe që deri në ditët tona këtë detyrë ende nuk e ka zgjidhur në një mënyrë të kënaqshme” (f. 87).
Se ku e kishte fjalën Sazonovi kur deklaronte se shteti rus nuk e paskësh zgjidhur në mënyrë të kënaqshme detyrën për të çarë në jug drejt brigjeve detare, na e sqaron Lev Trocki, i cili, në një korrespondencë nga Sofja që i dërgonte gazetës ruse “Djenj” dhe të botuar në faqet e saj më 9 nëntor 1912, theksonte se “Rusia nuk po ia ndante sytë Konstantinopojës” (Citohet sipas: L. Trocki. Vepra. Vëll. 6. Moskva-Leningrad, 1926, f. 221). Kësisoj, Rusia cariste synonte të pushtonte Konstantinopojën, në mënyrë që kufijtë e vet t’i zgjeronte edhe më në jug, duke zbritur drejt ujërave të ngrohta të Mesdheut. Por meqenëse kjo ëndërr e Perandorisë cariste nuk arriti të bëhej dot realitet, gati një shekull më pas, Kremlini vendosi t’i zgjerojë kufijtë e tij drejt veriut, duke ndërmarrë një mësymje të gjerë drejt hapësirave të pafundme akullnajore të Oqeanit të Ngrirë të Veriut, mësymje kjo që u vu në jetë me pushtimin konkret të tij, të realizuar me zbritjen e një batiskafi në një thellësi prej 4 mijë metrash dhe nguljen atje të një flamuri rus. Me gjithë entuziazmin e madh që ngjalli në krejt Rusinë një akt i tillë, askush nuk mendoi për pasojat e palakmueshme që do të linte në Kremlin kjo bëmë rusomadhe: vënia nën zotërim e hapësirave të pafundme akullnajore të Oqeanit të Ngrirë të Veriut do të ndikonte drejtpërdrejt në “plevitosjen” e trurit të politikës dhe të diplomacisë ruse, një “plevitosje” kjo kaq e rëndë, e cila  solli si pasojë dritëshkurtësinë e gjykimit të saj që po manifestohet dukshëm në kundërvënien me aq kokëfortësi ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës.
       Një fakt i thjeshtë, në shikim të parë, mund të përmbajë në vetvete një mesazh tepër domethënës për dashamirësinë apo urrejtjen që mund të përcillet në adresë të një populli. Kështu, fjala vjen, vetëm një ndeshje futbolli që skuadra përfaqësuese e Rusisë zhvilloi më 29 mars 2003 me përfaqësuesen tonë në qytetin e Shkodrës, në kuadrin e eliminatoreve të kampionatit evropian të futbollit të vitit 2004, mund të shërbente në njëfarë mënyre për përcjelljen e ndonjë mesazhi sadopak dashamirës për popullin shqiptar, përmes mjeteve ruse të informimit pamor dhe të shtypit të shkruar. Por meqenëse përfaqësuesja ruse e humbi ndeshjen me rezultatin 3:1, mjetet në fjalë dhe shtypi i shkruar folën dhe shkruan keq për shqiptarët. Për më tepër, të nesërmen e ndeshjes, më 30 mars 2003, gazetat “Komsomolskaja Pravda” dhe “Moskovskij komsomolec”, në faqet e para shkruanin me gërma të mëdha”: “Ndeshja përfundoi me rezultatin 3:1 në favor të varfanjakëve”! Siç më njoftonte nga Moska një ish-studentja ime, që asokohe po i vazhdonte studimet atje, gjatë kohës që komentatori sportiv transmetonte ndeshjen në televizion, fliste keq për Shqipërinë.
       Nuk e di se si e kanë ndier veten të gjithë studentët shqiptarë që asokohe ndodheshin me studime në Federatën Ruse kur kanë lexuar “hyneret” që ishin shkruar në faqet e para të gazetave të lartpërmendura! Rusët kanë një fjalë të urtë shumë të goditur: “Bjednost nje porok” (varfëria nuk është ves). Por cinizmi i skajshëm i këtij takëmi gazetarësh rusë nuk e njeh filozofinë e kahershme të popullit të vet. Për ata gazetarë, që flasin keq për një popull që  është i varfër, nuk do të mjaftonte etiketimi që mund t’u bëhej si njerëz faqezinj. Ata gazetarët e atyre dy gazetave ruse, me sa duket, standartin e jetesës së popullit rus e matkan me kutin e milionerëve dhe tw  miliarderëve të Moskës e të Peterburgut.
[Dhe “kuti” i milionerëve dhe i miliarderëve  rusë është me të vërtetë shumë i madh. Sipas ca të dhënave të shtypit, “sot Moska mburret me 73 miliarderë (duke u krahasuar me 70 që ka Nju-jorku), ndërsa numri i milionerëve rusë vitin e kaluar (2008- E.Y.) arriti në numrin 136 000. Megjithatë, hendeku mes të pasurve dhe të varfërve gjithashtu po rritet… dhe 18,9 milionë rusë jetojnë nën linjën e varfërisë me të ardhura që nuk i kalojnë rreth 170 dollarë në muaj” (Gazeta “Shqip”, 27 shkurt 2009, f. 14). Në emisionin e lajmeve të orës 15-30, date 03 qershor 2009, kanali televiziv Top Channel, dha edhe këtë lajm me të vërtetë të bujshëm: miliarderi moskovit Vallov, në emër të disa miliarderëve të tjerë të kryeqytetit rus, na i qenkësh drejtuar me një letër ambasadës amerikane në Moskë. Në atë letër miliarderët në fjalë kërkonin të blejnw kufomën e këngëtarit M. Jackson, duke i propozuar familjes së tij një shumë marramendëse prej 3 miliardë dollarë, me qwllim qw kufomën në fjalë ta vendosnin nw njw mauzole qw do t’u ndërtuakësh enkas, pranë mauzoleut tw Leninit.  Më pas nuk u dha asnjë njoftim për reagimin e ambasadës amerikane apo të familjes së Jackson-it ndaj kwtij propozimi të këtyre miliarderëve ruse, të cilët, duke u mburrur faqe botës me miliardat e veta, nxjerrin në pah fare shkoqur kompleksin e inferioritetit të vet].
Por këta gazetarë të shpifur le të mundohen të bëjnë ndonjë “teferiç” deri në fshatrat që shtrihen në këmbët e maleve Urale, apo përtej tyre, në Siberi, ose të ngjiten deri në Arhangelsk, që të njihen më mirë me standartin “e lartë” të popullit rus, në mënyrë që paskëtaj t’u bëjnë thirrje miliarderëve marroqë që miliardat e tyre, të grumbulluara permes grabitjes së pasurive kombëtare të popullit rus, t’i përdorin për zbutjen sadopak të varfërisë në zonat periferike të Federatës Ruse.  
Kur nga Moska u vura në dijeni për ato që qenë thënë e shkruar  kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, pas asaj ndeshjeje futbolli, më erdhën ndër mend fjalët e avokatit të shquar rus Vasilij Maklakov, të thëna në një fjalim që ka mbajtur në Dumën Ruse në gusht të vitit 1915 dhe të cituara nga ambasadori francez Moris Paleologu në kujtimet e lartpërmendura: “Rusia është modeli i shtetit, ku njerëzit nuk janë në vendin që u takon” (po aty, f.9).
       Kam jetuar dy vjet mes rusëve si student (gusht 1959 - qershor 1961) dhe, megjithëse në moshë të re, jam munduar të hyj në psikologjinë e njerëzve të thjeshtë të atij vendi të madh. Një popull me një traditë mikpritëse, si ajo e shqiptarëve , me një shpirt të gjerë dhe të qetë, si stepat e pafundme dhe si rrjedha e Vollgës ujëplotë. Kam shumë dëshirë të besoj se populli i thjeshtë rus e do dhe e respekton të vërtetën. Prandaj, sikur klasa politike ruse, sikur intelektualët rusë, sikur mjetet e informimit pamor dhe shtypi i shkruar, t’ia kishin thënë opinionit publik rus të katër të vërtetat në sy për çështjen e Kosovës, a thua  se mund të mbahej ai qëndrim aq i egër ndaj kombit shqiptar, NATO-s dhe sidomos ndaj SHBA gjatë bombardimeve kundër Serbisë? A thua se afshi i dashurisë për serbët do të njihte kuota të larta si kurrë ndonjëherë? A thua se për shqiptarët do të flitej e do të shkruhej me aq urrejtje si asnjëherë?
       Megjithatë, duhet pranuar se sot opinioni publik  rus nuk është ai i viteve 1912-1913, kur informacionet për ngjarjet ballkanike i merrte vetëm nga shtypi rus që shtrembëronte të vërtetën për krimet e shovinizmit serbomadh dhe bullgaromadh kundër shqiptarëve dhe turqve. Sot opinioni publik rus, po të dëshirojë të mësojë të vërtetën për çështjen e Kosovës, ka shumë burime informacioni, edhe të drejtpërdrejta, përmes emisoneve televizive me lidhje satelitore. Këto burime të tjera informacioni i krijojnë atij mundësinë që të jetë i imunizuar nga ndikimi i politikës dhe i diplomacisë ruse dhe i mjeteve ruse të informimit masiv që shtrembërojnë të vërtetën për çështjen e Kosovës. Opinioni publik rus që reagoi dhe vazhdon të reagojë në një mënyrë aq armiqësore kundër kombit shqiptar në tërësi dhe kundër popullit shqiptar të Kosovës në veçanti, duhet të ketë parasysh një konstatim të vyer të Trockit të gati një shekulli më parë: “Protesta kundër dhunës ballkanike (ndaj etnisë shqiptare dhe turke - E.Y.) pastron atmosferën shoqërore brenda vendit tonë, ngre lart vetëdijen morale të vetë popullit tonë. Masat punonjëse të popullsisë së çdo vendi përfaqësojnë në vetvete edhe një vegël të mundshme të dhunimeve të përgjakshme, edhe viktimën e mundshme të tyre” (Gazeta “Lluç”, 22 shkurt 1913. Citohet sipas: Vëll. 6, f. 277). Faktet e sipërpërmendura vërtetojnë se sot, opinioni publik rus është shndërruar në vegël të politikës dhe të diplomacisë ruse, si edhe të mjeteve ruse të informimit masiv për shtrembërimin e së vërtetës rreth çështjes së Kosovës. Madje opinioni publik rus tani është “konsumator” i rregullt i gënjeshtrave dhe i shpifjeve të Kremlinit, i politikës dhe i diplomacisë së tij në qëndrimin armiqësor që kjo mban në tërësi jo vetëm ndaj çështjes së Kosovës, por edhe ndaj krejt kombit shqiptar.
Lidhur me shtrembërimin e së vërtetës nga ana e shtypit rus për krimet e serbëve dhe të bullgarëve kundër etnive josllave (shqiptarëve dhe turqve - E. Y.) gjatë luftërave ballkanike të viteve 1912-1913, Trocki shkruante: “Për një situatë të tillë, të mbarsur me zhgënjime nga më të rëndat, përveç diplomacisë zyrtare dhe jozyrtare ruse, mban përgjegjësi edhe ajo pjesë e shtypit rus, i cili fletën e gazetës e ka zëvendësuar me një copë lëkure viçi, të tendosur mbi një daulle. Ndjenja e mallkuar e papërgjegjësisë po e fut pjesën dërrmuese të shtypit rus në një rrugë të tillë, të cilën nuk mund ta quash ndryshe, përveçse kriminale” (Gazeta “Kievskaja Mëjsl”, 15 tetor 1912. Citohet sipas: Vëll. 6, f. 167).
Dhe arsyet e shtrembërimit të asaj së vërtete, Trocki i zbulonte në një tjetër artikull. Ai shkruante: “Përderisa gazeta “ Rjeç” po i shpërfill njoftimet që vijnë nga Gjermania për mizoritë bullgaro-serbe, atëherë ajo, siç jemi në dijeni, e ka një arsye të kulluar ruse, e cila është një arsye e pastër shoviniste” (Gazeta “Lluç”, 19 shkurt 1913. Citohet sipas: Vëll. 6, f. 274).   Traditën shoviniste të shtypit  të kohës së Rusisë cariste në shtrembërimin e së vërtetës për krimet serbo-bullgare, përkatësisht kundër etnisë shqiptare dhe turke në vitet 1912-1913, po e vazhdojnë sot me të njëjtin zell shtypi dhe mjetet e informimit pamor të Rusisë neocariste, e cila, në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, nuk ka lëvizur as edhe një grimë nga piketat e shovinizmit rusomadh.  Pikërisht ky shovinizmi rusomadh është ai që dashurinë përvëlimtare të rusëve për serbët, përmes mjeteve të komunikimit masiv, e ushqen me një urrejtje të thekshme  ndaj shqiptarëve? Atëherë mos u dashka menduar që populli rus qenka i indoktrinuar deri në palcë me mëri, me urrejtje për kombin shqiptar? Një gjë e tillë mund të jetë edhe e vërtetë, se kombi shqiptar në Evropën Juglindore, në masën 90%, është i besimit mysliman. Por rusët, për arsye të indoktrinimit të tyre ortodoks, marrëdhëniet e serbëve me kombin shqiptar, në shumicën dërrmuese të besimit mysliman,  i vlerësojnë pikërisht nën prizmin e këtij indoktrinimi, që është përçues i urrejtjes kundër elementit mysliman në Evropën Juglindore. Ky lloj indoktrinimi ka bërë që në psikologjinë e popullit rus të lindin ca paragjykime, të cilat janë krejtësisht të huaja dhe të papranueshme për kodin filozofik të popullit shqiptar. Kështu, në gjuhën ruse haset një shprehje frazeologjike tepër domethënëse: na russkij bajram, e cila në gjuhën shqipe përkthehet: asnjëherë, kurrën e kurrës. Po cili është motivimi i kësaj shprehjeje frazeologjike? Për këtë le të shikojmë se çfarë thonë burimet shkencore të frazeologjisë së gjuhës ruse: “Bajrami, ose fitër-Bajrami, është festa e mbarimit të agjërimit në kalendarin mysliman. Shprehja është një oksimoron (një figurë stilistike - E.Y.) që bazohet mbi pamundësinë logjike të festimit nga ana e të krishterëve të një feste fetare myslimane” (A.K. Birih, V.M. Mokijenko, L.I. Stepanova. “Sllovar russkoj frazeologii. Istoriko-etimollogiçeskij spravoçnjik”. Sankt-Peterburg 2001, f. 39).
       Kjo shprehje frazeologjike e gjuhës ruse më bën të ndihem gjakftohtë, kur kujtoj ca ditë të qëndrimit tim në Kosovë, në nëntor të vitit 1999, kur po shoqëroja, si përkthyes,  ata gazetarët rusë. Në një bisedë të lirë me ta, për gjëra nga më të ndryshmet, në hollin e “Grand Hotel”-it, ata u befasuan kur morën vesh që në varrezat e shqiptarëve prehen pranë e pranë eshtrat e myslimanëve, të katolikëve dhe të ortodoksëve. Unë, si shqiptar mysliman i paindoktrinuar, e kuptoja fare mirë befasimin e tyre, kurse ata, si ortodoksë të indoktrinuar, nuk e kuptonin dot gjakftohtësinë time. Vetëm ky fakt i thjeshtë i prehjes së eshtrave të bashkatdhetarëve të mi të besimeve të ndryshme fetare në të njëjtat varreza, tregon frymën e admirueshme të tolerancës që ka pas karakterizuar në shekuj kodin filozofik të popullit shqiptar, në këtë pikë tregon se sa fisnik është kombi shqiptar në krahasim me kombet e tjera. Toleranca proverbiale fetare e shqiptarëve është e përjetësuar bukur fare në një këngë të vjetër të Veriut të vendit tonë, në të cilën del mirë në pah se si shqiptarët e besimeve të ndryshme i festojnë bashkërisht festat fetare: “Turk Isuf e Lulash Ndré… / Hajshin mish e pishin venë, / Nuk e njihte qeni qenë, / Cili â turk, cili â i kshtênë!” (Tahir N. Dizdari. Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe. Tiranë 2005, f. 1055).
A nuk duhej vallë që ata gazetarët rusë të shkruanin dhe të flisnin me zë të lartë për tolerancën e shkëlqyer fetare që karakterizon mbarë kombin shqiptar, për t’ia bërë atë të njohur mbarë opinionit publik rus? Nuk e di se çfarë shkruan dhe çfarë folën ata gazetarë kur u kthyen në Moskë, se, siç e përmenda më lart, mua nuk më dërguan asnjë informacion, siç ma dërguan gazetarët ukrainas.
Megjithatë, përsëri kam shumë dëshirë të besoj se klasa politike ruse keqpërdor natyrën e urtë, të bindur, të duruar të popullit rus dhe, duke u mbështetur tërësisht në të dhëna të falsifikuara nga burime serbe, e keqinformon rregullisht atë për të vërtetën rreth çështjes së Kosovës. Ndryshe s’ka se si shpjegohet që një personalitet i lartë i politikës ruse, ish-ministri i jashtëm, Igor Ivanov, të shkruajë kësisoj: “Po vijnë dëshmi alarmante (me siguri nga burime serbe - E.Y.) që tregojnë se pushteti “në hije” në Kosovë, gjithnjë e më shumë po kalon në duart e grupimeve të ndryshme që janë të lidhura ngushtë me organizata kriminale ndërkombëtare, me narkobiznesin, me ekstremizmin islamik” (Igor Ivanov. “Vnjeshnjaja politika Rosii i mir. Statji i vëjstuplenjija”. ROSSPEN. Moskva 2000, f.231).
Asokohe, kur Igor Ivanovi shkruante kësisoj, Kosova kishte një vit që ndodhej nën mandatin e OKB dhe as që mund të bëhej dhe as që bëhet fjalë edhe gjer më sot se atje na paska ekzistuar një tjetër pushtet, “në hije”, veç atij të UNMIK-ut. Por tërë halli i Beogradit është që Kosova, përmes personaliteteve të larta të Moskës, të reklamohet në sytë e opinionit publik rus si “qendër” e ekstremizmit islamik, të cilin mund ta mbaka në zap vetëm “dajaku serb”. Pra, tërë halli i Beogradit është që Kosova të mbahet sa më larg statusit të pavarësisë. Në këtë mënyrë, Igor Ivanovi, informacionin e rremë që merr nga Beogradi për çështjen e Kosovës, “ia bën dalje”, ia shet mbarë opinionit publik rus për “ar të kulluar”. Pikërisht ky ish-ministër i jashtëm i Rusisë, zoti Ivanov, në dhjetëditëshin e dytë të qershorit të vitit 2001, bëri një vizitë në Ballkan dhe kur u kthye në Moskë deklaroi: “Para dy ditësh isha në Kosovë dhe pashë se atje veprojnë grupe të armatosura që lëvizin lirisht. Disa prej tyre kanë veshur uniformën e ruajtësit të rendit, të tjerët të UÇK-së, por unë mendoj se këto grupe kanë lidhje të ngushta me grupet terroriste. Organizatat që veprojnë në Kosovë janë të lidhura me ato që veprojnë në Afganistan dhe në zonën e Kaukazit të Veriut. Përfaqësues të KFOR-it më thanë se kishin të dhëna për futjen e luftëtarëve çeçenë në Kosovë” (Shaqir Vukaj. Po aty, f.555).
Përfaqësuesit e shtypit perëndimor kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të pranishëm në Kosovë dhe kurrë nuk kanë dhënë ndonjë informacion për futjen e  luftëtarëve çeçenë në Kosovë. Ish-ministri i jashtëm Ivanov po thoshte një të pavërtetë me brirë, vetëm e vetëm që të njolloste Kosovën, si “qendër” të terrorizmit ndërkombëtar. Gati një vit e gjysmë më parë, në Kosovë kishte shkuar ai grupi i gazetarëve rusë, për të cilët u fol më sipër. Gjatë qëndrimit të shkurtër në Pejë, ata u takuan edhe me zotin Gëzim Ostreni, asokohe komandant i KMK-së për zonën e Pejës. Gazetari Nikollaj Pllotnjikov i organit “Njezavisimaja Gazeta” e pyeti veças nëse ai kishte dijeni për ca mercenarë shqiptarë që luftojnë në Çeçeni, meqenëse, sipas tij, “forcat ruse kanë kapur katër robër shqiptarë në Çeçeni, por hëpërhë ndodhen në procesin e hetimit dhe nuk dihet asgjë me saktësi se nga kanë ardhur: nga shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë apo nga diaspora” (Gazeta “55”, 4 dhjetor 1999). Kësaj pyetjeje zoti Ostreni iu përgjigj se ishte e pamundur që në Çeçeni të ndodheshin mercenarë shqiptarë nga Kosova.
Kanë kaluar kaq kohë dhe as pamë dhe as dëgjuam gjë për atë “procesin e hetimit” që na qenka zhvilluar për ata “katër shqiptarët” që paskëshin luftuar në Çeçeni. Sikur të ishte e vërtetë “përralla” që tregonte gazetari Pllotnjikov për ata mercenarë “shqiptarë” në Çeçeni, Kremlini do t’u kishte rënë kambanave në të gjitha udhëkryqet e Evropës. Kësisoj, propaganda ruse, që nga gazetari deri te ministri i jashtëm, u binte borive për shndërrimin e Kosovës në qendër të terrorizmit ndërkombëtar. Dhe kjo me të vetmin qëllim, që të njollosej UÇK-ja si organizatë terroriste dhe të mohohej roli i saj, si formacion luftarak, në shërbim të popullit  shqiptar të Kosovës në luftën e tij kundër robërisë serbe.
Sot ndokush edhe mund të thotë se çështjen e Kosovës Rusia po e përdor për të nxjerrë sa më shumë përfitime nga Perëndimi. Nuk është aspak e vërtetë. Rusia, siç u theksua më lart, vazhdimisht, që prej Kongresit të Berlinit e deri tani, në qëndrimin ndaj kombit shqiptar ka manifestuar një shovinizëm të egër rusomadh. Në personin e Rusisë kombi shqiptar shikon një armik të betuar, i cili ka qenë violina e parë në skenën evropiane për copëtimin e trojeve të tij etnike. Mendoj se një gjë të tillë e kanë shumë të qartë të gjithë shqiptarët atdhetarë të Shqipërisë Londineze, të Kosovës, të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës, të Malit të Zi, të Çamërisë dhe të diasporës. Kjo për faktin se Rusia, në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, asnjëherë nuk është nisur nga rrethana koniunkturale. Përkundrazi, shovinizmi rusomadh përbën një vijë konstante në politikën dhe në diplomacinë e Kremlinit në raport me çështjen kombëtare shqiptare dhe deri tani nuk ka manifestuar as shmangien më të vogël.
 
Botuar  në gazetën “Republika”, 9-10-11 janar 2008 dhe në “Zemër Shqiptare”, 14 dhjetor 2009

Në vend të përkujtimit : Dijetarin Eqerem Çabej , nuk e harron dot Kosova !!!...


Nga Flori Bruqi


Eqerem Çabej lindi më 6 gusht të vitit 1908 në Gjirokastër dhe vdiq më 13 gusht të vitit 1980 në Romë. Ishte një nga figurat më të shquara të shkencës arsimit dhe kulturës shqiptare.
http://www.shtepiaelibrit.com/blog/wp-content/uploads/2008/03/eqrem_cabej.jpg
 Eqerem Çabej, shkollimin fillor e kreu në vitin 1921 në Gjirokastër.

 Studimet e larta i mbaroi për filologji në Klagenfurt (1923-1926), Grac (1927) dhe Vjenë të Austrisë
(1930-), ku ndoqi mësimet e Paul Kretschmer, Karl Patsch, Nikolai Trubetzkoy dhe Norbert Jokl. Nën drejtimin e Joklit, Çabeji filloi të kishte interes të madh në zhvillimin historik të Gjuhës Shqipe.

 Në 1933, ai dorëzoi disertacionin e doktoraturës mbi Italoalbanische Studien (Studime Italo-Shqipëtare) në Vjenë.

Çabej u kthye në Shqipëri ku edhe punoi si mësues gjimnazi në Shkodër (1934), Elbasan, Tiranë dhe Gjirokastër. Pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, ai vajti në Romë, ku qëndroi deri më Korrik të 1944-ës.

 Në 1942, ai refuzoi të bashkohej me Institutin e Studimeve Shqipëtare për arsye politike. Atij iu ofrua posti i Ministrit të Kulturës në qeverinë kukull të Rexhep Mitrovicës në 1943, por ai e refuzoi.

Ai u kthye në Shqipëri në 1944. Në 1947, ai u caktua anëtar i Institutit të Shkencave, instituti paraardhës i Universitetit të Tiranës.

Nga 1952 deri më 1957, ai shërbeu si profesor i historisë së Shqipërisë dhe fonetikës historike. Në 1972, ai u bë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave.

  Veprimtaria shkencore

Akademik Eqrem Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë.

Vend zënë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare.

 Eqerem Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980.

  Tituj të veprave

 Elemente të gjuhësisë dhe literaturës shqipe Hyrje në Indoeuropianistikë Studime etimologjike në fushën e shqipes, Tiranë 1976,
1999 Hyrja në historinë e gjuhës shqipe, Tiranë 1958

 Fonetika historike e shqipes, Tiranë 1968

 Shqipja në Kapërcyell

 Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes

 "Meshari i Gjon Buzukut, Tiranë 1968

 Fjalor i gjuhës shqipe i vitit 1954, (Bashkautorësi)

 Odiseu dhe Konstandini


Etj.


Skeda:Elemente të gjuhësisë dhe literaturës shqipe.jpg


Elemente të gjuhësisë dhe literaturës shqipe 

 Shtëpia botuese: Çabej. Viti i botimit 2009.

Faqet e librit 204. ISBN 978-99956-35-02-X

Ky tekst është përftesë e dijes, por edhe apsionit të Çabejit 27- vjeçar. U hartua më 1934-1935 dhe u botua në 1936. E ribotojmë sot për herë të parë të shtyrë nga dëshira e përtërimjes së misionit të Çabejit për formimin e vetëdijes brezore përmes rizgjimit të interesit ndaj gjuhës e kulturës sonë. Autori nuk ndërhyn aty në lirinë e arsyetimit të nxënësve, por ndihmon në formimin e vetëdijes me larushinë e përzgjedhjes dhe renditjen e pjesëve, sikundër edhe me shtjellimet filologjike, etimologjike dhe gramatologjike në fund të faqeve. Kësisoj edukimi kulturor, e veçanërisht ai letrar, bëhet shprehje e një procesi dinamik, përmes të cili dëshmohet si kombi lufton për veten, e në këtë mënyrë projekton vetveten në kohë të reja. Te ky proces, që vështron nga e ardhmja, Çabej zgjedh të rikrijojë me anamorfozë shpirtin e lashtë të kombit në të tashmen; ndaj nuk mjaftohet me përpilimin shterptë së shkuarës që cek data a thjesht kujton emrat e heronjve të saj. Mësojmë prej tij se nuk ka dobi ngërthimi i një populli tek e shkuara për këndellja e tharmit etnik që mpiks bukën e ardhmënisë së kombit.


Hyrje në Indoeuropianistikë, leksionet e Prishtinës 

Skeda:Hyrje në Indoeuropianistikë.jpgSkeda:Hyrja në historinë e gjuhës shqipe.jpg
Libri ka dhe CD të leksioneve të mbajtura nga dijetari i madh në vitet 1971-1973 në Prishtinë. Botim i vitit 2008, nga shtëpia botuese Çabej dhe ka 264 faqe.

Këto janë leksionet e folura, po kurrë të shkruara, mbajtur nga Çabej në vitet shkollore 1971-1973 në Universitetin e Prishtinës, për studentët e ciklit pasuniversitar. Këto leklsione u patën inçizuar në magnetofon e u patën zbardhur atëhere dhe u qenë shpërndarë studentëve në trajtën e një dispense të shaptilografuar. Do thënë qysh në fillim se zbardhja e zërit të inçizuar ka meritën e madhe se shpëtoi nga bjerrja për fare të kësaj vepre.


Skeda:Shqipja në kapërcyell.jpg


Shqipja në kapërcyell Epoka dhe gjuha e Gjon Buzukut është vepër e autorit Eqrem Çabej e botuar nga  Shtëpia Botuese Çabej ,Tiranë 2006.
Një ribotim, përmbledhur e sistemuar, të një punimi shkencor botuar në disa numra te “Buletin për shkencat shoqërore” të vitit 1955, pra gjysmë shekulli më parë. Punimi i Çabejt në thelb shkon përtej atij vështrimi të vëmendshëm e skrupuloz rreth zanafillave të shqipes së shkruar për të mbërritur natyrshëm te monumenti më i madh, i njohur i gjuhës që është “Meshari” i Gjon Buzukut  , si pararendësi i madh i shkrimtarëve katolikë të Veriut.



(Eshte me interes te shenojme ketu se, Cabej permes nje footnote hedh drite dhe e le te hapur historine e teksteve te vjetra te shqipes, nisur nga nje pohim me goje i N. Borgia-s, qysh me 1940, per ekzistencen e nje dokumenti edhe me te mocem te shqipes ne arkivat e Vatikanit, por qe vdekja e shtrengoi dijetarin ta marre zbulimin me vete ne varr.)
Pra, ky punim shkon e hedh drite mbi qyteterimin shqiptar ne zgrip te ekzistences se vet, pas pushtimit osman afro nje shekullor qe po zhbin nga faqja e dheut jo vetem kulturen materiale te homo albanicus, por edhe ate shpirterore, si shprehje te perkatesise se padyshimte ne qyteterimin europian.
Nga ky kendveshtrim, libri, ashtu si e gjithe vepra e Cabejt, eshte nje pergjigje elokuente ndaj atyre diskutimeve shterpe qe tirren edhe sot e gjithe diten mbi identitetin (e shqiptareve), duke argumentuar shkencerisht e pa kurrfare ambiguiteti perkatesine perendimore qysh ne zanafille. Edhe nga ky aspekt, por jo doemos vetem nga ky, teksti i Cabejt ruan nje freski te mahnitshme dhe mbart ne vetvete tharmin e atyre veprave qe s’vjeterohen kurre.


Skeda:Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes.jpgSkeda:Fjalor i gjuhës shqipe i vitit 1954.jpg


Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes libër nga nga Akademik Eqrem Çabej  .Kjo ese e përmbledhur mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare, e shkruar gati 70 vjet më parë, konsiderohet akoma edhe sot si një tekst themeltar për kuptimin dhe shpjegimin e historisë dhe mentalitetit shqiptar.
Në kapituj të shkurtër, por intensive që trajtojnë elementet e ndryshëm që influencojnë formimin e karakterit të një populli dhe kulturës së tij, autori përshkruan karakteristikat gjeografike të vendit, diskuton origjinën e emrit të popullit, forcat centrifuge në karakterin shqiptar dhe influencat e huaja, d.m.th çdo gjë që e bën Shqipërinë një udhëkryq mes lindjes dhe perëndimit...

....Analizohen fiset e veriut dhe të jugut, zonat tradicionaliste të maleve dhe bashkimi kombëtar, për të arritur në konkluzione interesante dhe me vlerë rreth folklorit dhe letërsisë. Esseja shënon perspektiva të rëndësishme për studimin e këtij vendi dhe të popullit të tij.

****
Ndërkohë vajza e tij, prej disa vitesh merret me botimin e veprave të të atit. “Natyrisht që sivjet do të jetë në mënyrë intensive, duke marrë shkas dhe nga 100-vjetori. Menjëherë do të çoj një libër, që rastësia e solli të mbeste për tani. Janë leksione që ka mbajtur në Prishtinë në ‘71-‘73 dhe që nuk janë shkruar kurrë. Është hera e parë që do të botohen në Shqipëri. Pas kësaj do dalin “Studimet italo-shqiptare ose shqiptarët në Itali”, që është edhe teza e tij e doktoratës. Ka disa vite që e mbaj nëpër duar”, – tregon Brikena Çabej për botimet që ka në proces.




Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...