Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/08/30

Sa shumë beqare, zemra të vetmuara...


E quan veten poet amator hungarez. I pëlqen të nxjerrë në pah absurdin e jetës së përditshme, kur tragjedia kthehet në shaka dhe shakaja në tragjedi. Një bibliotekar në pension, ai gjithashtu kompozon muzikë, vizaton karikatura dhe hedh videoklipe të shkurtra në YouTube. Poezitë e përkthyera janë shkruar nga autori në Anglisht.
Për më tepër, mund të lexoni në faqen e tij të internetit:
http://web.t-online.hu/mandygabor/


Nga Gabor Mandy ( Hungari)

(1945- )
Në pyllin e shiut



Vendasit në Pyllin e Shiut brazilian

nuk dinë për luftërat e botës,

nuk dinë për bankat dhe falimentimin,

nuk dinë për telenovelat,

nuk dinë për Zbarkimin në Hënë.

Për ta, Hëna mund të jetë një Perëndeshë.

Kjo gjendje duhet të qëndrojë kështu.

Si gjatë kohës së Apokalipsit

kur Zoti i gjykon opsionet e tij.

Mund t’i duket e volitshme

të lërë ca shpirtra të pafajshëm.


Shalqinjtë shpërthyes
Shalqinjtë shpërthyen në Kinë.


U bëra nervoz kur i pashë në TV.

Duket që diçka ka ndryshuar.

Natyra tha: boll më.



Diçka shkon keq në botë.

Kjo është vënë re nga ajsbergët.

Madje dhe nga zogjtë shtegtarë,

por jo nga njerëzit.



Rrugët e tyre tani janë të ndryshme.

Të gjitha gjërat ndryshojnë nga pak.

Edhe toka dhe deti e dinë këtë;

ka tërmet por ka edhe cunam.

Dhe tani shalqinjtë në Kinë!

Nuk i prisja ATA.Kushe bëri?

Si ndodh që ne, më brilantët,

jemi edhe më të çmendurit?

Gratë kineze

Ka një faqe interneti për gratë kineze.

Poe hap. Të gjitha janë të bukura.

Sa shumë beqare, zemra të vetmuara,

Sa keq. Pa burra!



Më vjen keq për ta po si mund t’i ndihmoj?

Nuk mund të martohem me të gjitha.

Nëse do të mundesha, çfarë do t’u ndodhte

aq shumë vejushave kur të vdisja.



Lule-letre të mira, flutura,

do t’ju kënaq të gjithave, një nga një.

Do të jem vetëm i juaji, për njëzet minuta,

duke ju shikuar me radhë, pa bërë zë.



Kam dëshirë të isha i pasur, të blija një tokë.
 

Një sipërfaqe të madhe, kam menduar.

Atje do të mblidheshim të gjithë së bashku,

të formojmë bashkësinë e njerëzve të vetmuar.




Si një prostitutë

Ajo është femër klasi.

E kalon shumë rangun tim të të ardhurave.

Unë e dua atë

por ajo po gjuan për peshk të madh

për të ndërtuar jetën e saj të ëndërruar.

Ajo është si një prostitutë

me një zemër të pafajshme,

e cila beson në mrekullinë

e takimit të syve.

Ajo ka sy të mëdhenj që vështrojnë gjithë kohën

por unë jam në anën e gabuar të pellgut

dhe ajo në të vërtetë

nuk më sheh

mua.

Njeriu i zvarranikëve

Ata thonë se unë jam eksperti më i mirë i zvarranikëve.

Të të gjitha llojeve- nga hardhucat te krokodilët.

Unë kam punuar me ta mbi gjashtëdhjetë vjet,

i mbaja ato, i ushqeja, i stërvisja,

sikur të ishin fëmijët e mi.

Por duke hedhur shikimin prapa,

në jetën time të gjatë e të vetmuar,

mendoj tani se do të ishte më mirë për mua,

nëse do të dija më pak për zvarranikët

dhe më shumë për gratë.

Mos më ngacmo

E dashur, mos më ngacmo,

mos m’i ngre nervat.

Çfarë po të mundon ty,

po më bën mua të çmendem.

Nuk dua të shoh më

në jetën time. Nëse do të kemi

një jetë tjetër, siç besojnë disa,

ne duhet të ekzistojmë në botë të ndryshme

Aponëse kjo nuk është e mundshme

në kohë të ndryshme.

Vetëm më trego më përpara.

Ta di, kur

të mos lindem.

Ardhja e Dytë

Mos prit për ardhjen e dytë të Jezu Krishtit.

Qyshse u ngjit në Qiell,

ai ka qenë këtu disa herë.

Duke ardhur e duke shkuar, i pavënë re.

Duke vështruar.

Nëse një person i panjohur pyet për strehë,

nëse një lypës zgjat dorën për lëmoshë,

nëse një qen i rrugëve iu vjen pas,

Ai mund të jetë një nga këta.

Ji i kujdesshëm kur flet

Jezusi do t’ju falë mëkatet,

por ju mund të mos jeni në gjendje të falni

veten tuaj.


Sanduiçi


Një grua e re në autobuz,

me një sanduiç në dorë.

Flokët e saj duken shumë të bukur

sytë e saj si yje,

gjinjtë e saj të mahnitshëm,

shpina e saj me formë të mirë.

Unë nuk e di.

Ia kam ngulur sytë sanduiçit

E papritshme


Poshikoja një grua të bukur,

dhe fillova të shkruaj këtë poezi për të,

kur mora një mesazh telefonik nga një mik,

që thoshte se kishte ndodhur një grabitje banke

në rrugën ku unë banoja dhe TV tregoi pallatin tonë.

Jeta ndikon te poezia në mënyra të paparashikueshme.

Këta grabitës banke hynë padashur në poezinë time

pa pasur asnjë lidhje.

Kjo poezi do të përfundojë në mënyrë të papritshme,

me fjalët e

parave, gjakut, ulërimave dhe terrorit.

Ndërkohë

imazhi i gruas së bukur po venitet ngadalë.

Librat e vjetër

Mos i hidhni librat e vjetër.

Ato nuk janë të vdekur, vetëm po flenë

si organizmi bakterial,

që u la rastësisht në Hënë

nga astronautët amerikanë.

Ekuipazhi tjetër e gjeti atë të gjallë,

duke pritur për një mjedis tjetër zhvillimi.

Librat e vjetër janë duke pritur gjithashtu,

ato presin me durim

të mund të jetojnë përsëri

në mendjen e dikujt.

Mos i hidhni librat e vjetër.

Ata nuk janë të vdekur, vetëm po flenë

dhe po ëndërrojnë për lexuesit


Gabime

Doja të bëhesha milioner

por kur erdhi koha,

u linda në vendin e gabuar.



Doja të kisha një martesë të lumtur

me shumë fëmijë dhe gëzim

por njëherë shkova në shtëpi në kohën e gabuar.



Mund të isha bërë një poet i madh

po kur Muza ime më puthi,

ia ktheva puthjen në anën e gabuar.



Tani shkruaj romancë dhe erotikë

me të vërtetë të dobëta, por unë mund të bëhem

milioner.


Makina e kohës



Njëherë një djalë krijoi një makinë kohe,

hipi në të dhe tha, le të ecim.

Ai donte të shihte sa njerëz kanë jetuar

para njëmijë vjetësh.



Kjo nuk ishte më një ëndërr,

ai udhëtoi prapa në kohë,

vendosi datën në kurdisje,

dhe çdo gjë i shkoi fjollë



Ai zbarkoi në vitin 1000,

në luftërat e Vikingëve.

Ai u frikësua shumë, pa makinën,

por nuk e dinte çfarë ishte.



Po nëse dikush hidhet në kohë

pas njëmijë vjetësh? Mund të funksionojë.

Makina e kohës do të arrijë atje,

por Toka mund të mos ekzistojë.



Kështu nëse keni një makinë kohe,

mendoni dy herë para se të filloni lëvizjen.

Mund të udhëtoni para ose prapa në kohë,

por mund të mos ktheheni në kohën e tanishme.


rkthyer nga Kujtim Morina

Mos ka mbetur edhe diç ...











Ali Podrimja

Poezia dhe vasha


Ajo shkruante poezi erotike
U ngjante vitrazheve, frymës
Kish shpirtin dhe bukurinë engjëllore
 
Para se të bënte dush
Plaçkat i hidhte nëpër sallon
Dhe shikonte trupin në pasqyrë
 
Mos ka mbetur edhe diç 

         Mund të ndërpritet komunikimi
          Mes saj dhe atij tej xhamit
          Që shikonte me sy të mjegulluar
 
Ne bisedonim për të bukurën
          Dhe sensibilitetin njerëzor
Për kohën që na mungonte
 
Atë që prekte shkaktonte vërshime, tërmete
Dhe atë zërin e brendshëm
Që duhet mbrojtur
 
Një nga një ia ktheja plaçkat
Para sa kohësh të shpërndara
Në hapësirën blu
 
Dëshironte të ndjejë zgjimin e trupit
        Të shëndetshëm, të pastër
        Ç’të heqë më dorë e Krijuesit
 
(2010)
HARTA E GRISUR

Kujdes se minjtë grimcojnë hartën
                        e të qenit tonë

Breznitë ku mësonin si të ecet lashtësisë
Deri ku shtrihet atdheu e sa dete e lagin

Në fund të horizontit ngrin fryma
Në një cung ulur vërej para Kullës
Ku bie guri e ku fluturon zogu im

Shalues të ri një kalë kërkon
Gryka e vdekjes nuk kapërcehet
Nën krahë engjëlli udhëtim ëndërrues

Dherave lë nga një gur varri
Në shkreptina humb
Buzë Ujit të Madh shfaqet vdekja
Në rroba të zeza

Arbëria m’i ngjante një deleje të zgjebosur
Gardhiqeve lëkurë linte e ndrite pikagjaku

Ulërinte kopeja e ujqve të tërbuar 

Vetëtimë shpatash këtejeandej Murit
Binin Majët e Sulit e lotonin selvitë
Me kokën e Ali Pashës në shuplakë

Hapet harta e grisur e atDheut

(Pragë, 1986)
Fusha e Zezë

Ku të lëshoj rrënjë
E të bëj pakëz hije
Se varre e varre e varre
Mbi to zgjohemi e dashur
Shkundim dritën e verbër
Të lexojmë fundin e ëndrrës
Nën një qiparis

(2005)

Maratoni nga Iliria

Është një engjëll që na mbron
Se kujt Maratoni nga Iliria
Do ia kumtojë lajmin
Se në Ulpianë
U gjet tërfili me katër fletë

(1999)

Tek ia kaloja Akilit

Këmbëzbathur zbres Malit të Vetëtimave
Qetësinë përrallore të Villa Walbertës
Ta hap në Gadishullin Ilirik
Çast të lumtur të kujtoj nga Golgota
Në shpinë Breshke Arbërie
Akilit tek ia kaloja

(Feldafing, 23.7.1992)

Gjarpri, bukuria

Mbyta gjarprin të hy në kohën time
Ç’po më dendëson zbrazëtia nëpër
huqet e mia

Diku në botë

Po qe se nuk të shkruaj
miku im i dashur dhe
Po qe se nuk ma dëgjon zërin
Merr një karafil
e ma kërko varrin
diku në botë
se vajta pas Lumit

(Ulpianë, 1982)
Një lozë seç loton

Tatëpjetë Golgotës zbret
                hija e Njeriut
Është Çami, këngëtari i verbër i Sulit
Me një vravashke ndritë
                rrugën e errët
Kërkon shtëpinë në lagjen Plaka
dhe varret e të parëve
Buzuku do të men
për komandant Arvanit
Nën çati seç loton lozë e tharë.

(Athinë, 1986)

G u a s k a
 
Dikur ishte shfaqur Shkretëtira
Dhe kisha dëgjuar vajin e Burrit të  Dheut
 
Kisha përvjelë pantallonat
Pas zërit të fyellit isha nisur
 
Nga fundi i mistershëm  tej horizontit
I' guaskë seç  e kishte nxjerrë Uji i Madh
 
Kisha filluar ta hapë dhe Guaskë pas Guaske
Zbuloja fatkeqësitë e dherave të Arbërisë.  
 
(Vlorë, 1992)

Litari i ankthit

E lirë Kosova dhe e pavarur
Me një litar rreth qafe
Kërkon degën më të lartë

Si dele nuk i dilet në pazar
Nëpër fjalë seç dridhet
Midis dy qytetërimeve e zënë

Nuk e mban litari as e lëshon
Në konferenca ndërkombëtare
Kallëzohet si përrallë

E s’e lëshon as e mban një litar

(Ulpianë, 9.10.2000)
Lufta Ime

Ra nata, tej vringëllin
Kur te duan me ndëshkojnë
Ligji nuk ekziston për mua
Timin prandaj e shkruaj
Thyej xhamin e errët
Mes meje e forcës së verbër 

(Këln, 1 nëntor 1998)

Vaji për Kosovën

Na pate apo te kishim

Ne toke as ne qiell
mori e uruar

Hap shuplaken dhe peshoj
Piken e gjakut tënd

(Munih, 1998)

Dridhme

Ne Kosove
Vetëm vdekja
nuk vonon 

(Munih, 1999)

Mjerimi njerëzor

Edhe Qeni
nuk kafshon
nganjëherë
e nuk është Njeri

Po Njeriu 
nuk le gjë
pa gëlltitur
e nuk është Qen.

(Prishtinë, 1980)
KOMETA E HARRUAR

Gjithnjë e më pak i ngjaj vetes
Dje e varrosëm poetin Jamarbër Marko
Tirana e zbrazur dhe më bëhej se
një peshkaqen kërkonte gjahun e vet

Jam i huaj gjithnjë e më shumë
Me kockë e mish më kapërdinë zbrazësia
E kërkoj gurin tim dhe ik
nga Uji i Madh që rrah brigjet e mia

Nuk besoja se kaq shumë vetmi
Tjerret metropoleve shqiptare
Ku ndonjë mbret i minjve
Hedh dhe duqin e fundit të cigares

Duhet ikur duhet ikur miku im
Para se t’më zërë nata e thikave

Në Lesbos tek kërkoj Safon
Kokën e poetit të panjohur nga Australia
E pashë si fluturonte në qiellin grek

Komet e harruar nga koha e Homerit.

(Lesbos, 8/09/2010)
HARTA E GRISUR

Kujdes se minjtë grimcojnë hartën
                        e të qenit tonë

Breznitë ku mësonin si të ecet lashtësisë
Deri ku shtrihet atDheu e sa dete e lagin

Në fund të horizontit ngrin fryma
Në një cung ulur vërej para Kullës
Ku bie guri e ku fluturon zogu im

Shalues të ri një kalë kërkon
Nuk kapërcehet gryka e vdekjes
Nën krahë engjëlli udhëtim ëndërrues

Dherave lë nga një gur varr
Në shkreptina humb
Buzë Ujit të Madh shfaqet vdekja
në rroba të zeza

Arbëria m’i ngjante një deleje të zgjebosur
Gardhiqeve linte lëkurë e ndrite pikagjakut

Kopeja e ujqve të tërbuar ulërinte

Vetëtimë shpatash këtejeandej Murit
Binin Majët e Sulit e lotonin selvitë
Me kokën e Ali Pashës në shuplakë

Hapet harta e grisur e atDheut

(Pargë, 1986)
FLUTURIMI I FUNDIT

Paqen e përjetshme ma fale imZot
Kërkoj një vend të vë kokën
Mbi bos dheu ku shirat
nuk pushojnë

Në kujtesë të mbyll fluturimin e
fundit të fluturës
Para fjalës e shpirtit
tek digjen në flakën e qiriut

Faleminderës imZot që nuk më turpërove
mua rebelin e mbretërisë së përhirtë
qe ik tek fishkëllon andej fryma

(Ulpianë, 1998)

DËGJOHET `I KAMBANË

Jeta nuk është
Është vdekja
Që fshihet pas
Therres së vet

Pret të troket
Diku dëgjohet
`i kambanë

(Berlin, 1989)

NGA BENJAMIN FRANKLIN (1706-1790) -AFORIZMA


Një fshatar midis dy gjyqtarëve është si peshku midis dy maceve.

Një ndërgjegje e mirë është një Krishtlindje e pafund.

Një perandori, si një tortë e madhe, është më e lehtë të kafshohet anash.
 
Një shtëpi nuk është banesë nëse nuk ka ushqim dhe zjarr për mendjen dhe për trupin.
 
Një kokëtrashë i shkolluar është më kokëtrashë se kur është injorant.
 
Një qindarkë e kursyer është një qindarkë e fituar.

Një njeri i mbështjellë në vetveten është një deng shumë i vogël.
 
Një vend për gjithçka, gjithçka në vendin e vet.

Një e çarë e vogël mund të fundosë një anije të madhe.
 
Admirimi është fëmija e injorancës.

I gjithë njerëzimi është ndarë në tri klasa: ata që janë të palëvizshëm, ata që janë të lëvizshëm, dhe ata që lëvizin.
 
Bukuria dhe marrëzia janë miq të vjetër.
 
Duke dështuar së përgatituri, ju po përgatiteni të dështoni.
Asgjë nuk është e qartë në këtë botë përveç vdekjes dhe taksave.
 
Kënaqësia i bën të varfërit të pasur, pakënaqësia i bën të pasurit të varfër.
 
Huadhënësit kanë kujtesë më të mirë se borxhlinjtë.
 
Zelli është prind i fatit të mirë.

Mosbesimi dhe vëmendja janë prindërit e sigurisë.
 
Bëju mirë miqve tu, që t’i mbash; bëju mirë armiqve tu, që t’ua fitosh zemrën.

Mos e shpërdoro kohën, sepse është lënda prej së cilës përbëhet jeta. 
 
Ha për të kënaqur veten, por vishu për t’i kënaqur tjerët.
 
Ose shkruaj diçka që ia vlen ta lexosh, ose bëj diçka që ia vlen ta shkruash.
 
Energjia dhe këmbëngulja pushtojnë gjithçka.
 
Përvoja është mësuese e mirë, por budallenjtë nuk mësojnë prej asgjëje tjetër.
 
Lojërat grasatojnë trupin dhe mendjen.

Gjeniu pa shkollim është si argjendi në minierë.
 
Zoti i ndihmon ata që e ndihmojnë veten.
 
Mysafirët, si peshku, fillojnë të bien erë pas tri ditësh.

Një gjysmë e vërtetë është shpesh një gënjeshtër e madhe.
 
Të jesh i varfër nuk është turp, por të kesh turp për këtë, është turp.
 
Ai nuk e zotëron pasurinë; pasuria e zotëron atë.
 
Ai që ka durim, mund të ketë çfarë dëshiron.
 
Ai që kompozon veten është më i zgjuar se ai komopzon një libër.
 
Ai që jua ka bërë një të mirë do të jetë më i gatshëm t’jua bëjë një tjetër se ai që ju i keni bërë mirë.

Ai që është i zoti të shfajësohet, rrallë është i zoti për diçka tjetër.
 
Ai që mendon se paraja bën gjithçka, mund të dyshohet se bën gjithçka për paranë.
Ai që jeton duke shpresuar, mund të vdesë esëll.
 
Ai që rrit një familje të madhe, mund të ketë një jetë plot me keqardhje, por pastaj do të ketë një kënaqësi sa jeta.
 
Ai që nuk mund të këshillohet, nuk mund të ndihmohet.

Ai që dëshiron të jetojë në paqe dhe kollajllëk, duhet të mos flasë për gjithçka që di dhe gjithçka që sheh.
 
Ai që është i sigurtë nuk është i parrezikuar.

Ai që bie në dashuri me veten nuk ka rivalë.

Dëgjoje arsyen ose ajo do t’ju bëjë ta dëgjoni.

Ndershmëria është politika më e mirë.
 
Sa pak janë ata që kanë guximin t’iu dalin zot gabimeve të tyre, apo vendosmërinë t’i përmendin ato.
 
Lumturia njerëzore nuk është ndërtuar aq shumë nga pjesët e mëdha të fatit të mirë sa nga përparësitë e vogla që ndodhin çdo ditë.
 
Unë arrij në përfundimin se pjesa më e madhe e të këqijave të njerëzimit kanë ardhur nga vlerësimet e gabuara që iu janë bërë vlerave të gjërave.
 
Nuk më bën aq keq mosha e vjetër sa më bëjnë mbipesha dhe mosha e vjetër.
 
Mendoj se vdekja është e nevojshme për ne aq sa gjumi. Ne do të zgjohemi të freskët në mëngjes.
 
Kam parë pak të kenë vdekur nga uria, kam parë me qindra të kenë vdekur nga ngrëniet.
 
Unë zgjohem çdo mëngjes në nëntë dhe nxitoj të lexoj gazetën e mëngjesit. Pastaj shikoj te nekrologjitë a është emri im, e pastaj zgjohem nga shtrati.
 
Nëse njeriu do të kishte gjysmën e dëshirave të tij, atëherë do t’i dyfishonte telashet e tij.
 
Nëse njeru do ta zbrazte kuletën e tij në kokën e tij, askush nuk mund t’ia nxirrte që andej.
Nëse të gjitha shtypshkronjat nuk do të shtypnin asgjë pa qenë e sigurtë se nuk përmbajnë fyerje, atëherë asgjë nuk do të botohej.
 
Nëse pasioni u drejton juve, atëherë lere arsyen të mbretërojë.
 
Nëse dëshironi shumë gjëra, atëherë shumë gjëra do t’ju duken pak.
 
Nëse dini të shpenzoni më pak se merrni, atëherë e keni gurin filozofik.
 
Nëse doni një shërbëtor besnik dhe që ju e pëlqeni, atëherë shërbejini vetes.
 
Në përgjithësi njerëzimi, që nga koha e përmirësimit të gatimit, ha dyfishin e asaj që kërkon natyra.
 
Është shumë më e lehtë t’i parandalosh zakonet e këqija se t’i heqësh ato.
 
Është shumë më e lehtë ta frenosh një dëshirë se t’i kënaqësh të tjerat që vijnë pas.
Vetëm kur të pasurit sëmuren e kuptojnë plotësisht pafuqinë e pasurisë.
 
Është syri i të tjerëve që na rrënon ne. Nëse do të isha i verbër nuk do të doja as rroba të bukura, as shtëpi të bukur, as mobilje të bukura.
 
Njeriu i papërtuar është njeri i lumtur. Përtaci është njeri i mjerë.

Duhen plot punë të mira që të krijosh reputacion të mirë, dhe duhet vetëm një punë e keqe që ta humbasësh atë.
 
Mbaji sytë hapur para martesës, gjysmë të hapur pas martesës.
 
Ligjet e butë rrallë përfillen; ligjet e ashpëra rrallë zbatohen.
 
Tragjedia e jetës është se ne plakemi tepër shpejt dhe mençurohemi tepër vonë.
 
Koha e humbur nuk gjendet kurrë më.
 
Shumë njerëz mendojnë se janë duke e blerë kënaqësinë, kur ata në të vërtetë janë duke e shitur veten tek ajo.
 
Shumë dhelpra thinjen, por tepër pak bëhen të mira.
 
Shumë njerëz vdesin njëzet e pesë vjeç dhe varrosen kur janë shtatëdhjetë e pesë vjeç.
Imja është më e mirë se e jotja.
 
Kurrë mos e ngatërro lëvizjen me veprimin.

Nevoja nuk lejon kurrë pazar të mirë.

Një e sotme vlen sa dy të nesërme.
 
Më mirë shko në shtrat pa ngrënë se të zgjohesh me borxhe.

Kryengritja ndaj tiranëve është bindje ndaj Zotit.
 
Kujtohu jo vetëm t’i thuash gjërat e duhura në vendin e duhur, por shumë më tepër të lësh pa thënë gjërat e gabuara në momentin tundues.
 
Mos harro se huaja është para.
 
Të egër i quajmë ata zakonet e të cilëve ndryshojnë nga tonat.
 
Ai qesh me çdo gjë që thoni ju. Pse? Sepse ai ka dhëmbë të bukur.
 
Mos fol keq për askënd, por fol sa më mirë që të dish për çdo njeri.
 
Më trego dhe unë harroj. Më mëso dhe mbaj mend. Më përfshij dhe mësoj.
 
Ata që mungojnë nuk mbeten kurrë pa faj, ata që janë të pranishëm nuk mbeten kurrë  pa u falur.
 
Dyert e dijes nuk mbyllen kurrë.
 
Dera kryesore e tempullit të dijes është pranimi i injorancës sonë.
 
Syri i mjeshtrit bën më shumë punë se të dyja duart e tij.
 
Ligji më i rreptë nganjëherë bëhet padrejtësia më e rëndë.
 
Kushtetuta e SHBA nuk e garanton lumturinë, vetëm kërkimin e saj. Duhet ta arrish vetë lumturinë.

Rrota më e keqe e një qerreje bën zhurmën më të keqe.
 
Janë tre miq besnikë – një grua e vjetër, një qen i vjetër, dhe paratë në dorë.
Janë tri gjëra tejet të rënda: çeliku, diamanti, dhe njohja e vetes.

Nuk ka kurrë luftë të mirë apo paqe të keqe.
Tre veta mund ta mbajnë një sekret vetëm nëse dy prej tyre kanë vdekur.
Për ta zgjatur jetën, lehtësoi të ngrënat.
Për të pasur sukses, rend shpejt tek mundësitë, siç bëni me konkluzionet.

Nesër çdo gabim mund të ndreqej, por e nesërmja nuk vjen kurrë.
Dinakëritë dhe tradhtitë janë praktika të budallenjve, që nuk kanë mjaft tru për të qenë të ndershëm.
Luftërat nuk paguhen në kohë lufte, fatura vjen pas tyre.

Ne kemi lindur injorantë, por duhet shumë punë për të mbetur të marrë.

Kur ke mbaruar së ndryshuari, atëherë ke marrë fund.

Ku ka liri, atje është vendi im.

Kush është i ditur? Ai që mëson prej gjithkujt. Kush është i fuqishëm. Ai që i qeveris pasionet e tij.
 
Njerëzit e zgjuar nuk kanë nevojë për këshilla. Budallenjtë nuk i pranojnë ato.
Puno sikur ke për të jetuar 100 vjet, lutu sikur ke për të vdekur nesër.

Humbjet shkruaji në pluhur, përfitimet shkruaji në mermer./Elida BUÇPAPAJ

nga Vaclav Havel- AFORIZMA


Kushdo që e merr veten tepër seriozisht, gjithmonë rrezikon të duket qesharak.
Sapo njeriu fillon ta konsideorjë veten burimin e kuptimit më të lartë të botës dhe njësi matëse të gjithçkaje, bota fillon të humbë dimensionin e saj dhe njeriu fillon ta humbë kontrollin e saj.
Ka gjithmonë diçka dyshuese kur një intelektual merr anën e fituesve.
Drama i përmbahet një rregulle. Nëse është mundur rregulla shkelet vetëm në mënyrë befasuese.
Edhe një akt i mirëfilltë moral i cili nuk ka shpresë për ndonjë ndikim të menjëhershëm dhe do të dukshëm politik, me kalimin e kohës mund të marrë domethënie politike.
Kur së vërtetës nuk i jepet liria e plotë, liria nuk është e plotë.
Shpresa është një ndjesi se jeta dhe puna kanë kuptim. Ti e ke atë ose nuk e ke, varësisht nga gjendja e botës që të rrethon.
Shpresa është një gjendje e mendjes, jo e botës. Shpresa, në këtë kuptim të thellë dhe të fuqishëm, nuk është e njëjtë si gëzimi se gjërat po shkojnë mirë, apo si dëshira për të investuar në sipërmarrje që sigurisht do të kenë sukses, por më shumë si një aftësi për të bërë diçka ngaqë është e mirë.
Gënjeshtra nuk mund të na shpëtojë nga një tjetër gënjeshtër.
Shprsa përfundimisht nuk është e njëjta gjë si optimizmi. Ajo është bindja se diçka do të marrë për mirë, por gjithsesi diçka që ka kuptim, varësisht nga mënyra si merr drejtim.
Puno për diçka ngaqë është mirë, jo ngaqë ajo ka shansin për sukses.
Unë vërtet i përkas një sistemi ku fjalët janë në gjendje ta tundin krejt strukturën e një qeverie, ku fjalët mund të tregohen më të fuqishme se dhjetë divizione ushtarake.
Unë mendoj se teatri gjithmonë duhet të jetë diçka e dyshimtë.
Nëse duam ta ndryshojmë botëkuptimin tonë, pamjet nuk do të ndryshojnë. Artisti ka një punë shumë të rëndësishme për të bërë. Ai nuk është një figurë e vogël periferike për t’i dëfryer të pasurit, ai është vërtetë i domosdoshëm.
A nuk është momenti i dyshimeve më të thella ai që iu jep jetë qartësive të reja? Ndoshta pashpresa është trualli i vërtetë që ushqen shpresën njerëzore; ndoshta njeriu nuk mund ta gjeë kurrë drejtimin në jetë pa e përjetuar së pari absurditetin e saj.
Ashtu si rritja konstante e entropisë (transferimi i informacionit në një mesazh të caktuar, shënim përkthimi) është ligji bazë i universit, ashtu edhe ligji batë i jetës duhet të jetë sa më përkryer i strukturuar dhe të luftojë kundër entropisë.
Njeriu modern duhet ta zbresë spiralen e absurditetit të tij deri në pikën më të ulët; vetëm atëherë mund të shohë përtej saj. Natyrisht është e pamundur t’i biesh rrotull, kapërce mbi të ose thjesht shmange atë.
Askush nga ne nuk i nhej të gjitha potencialet që flenë në shpirtin e popullit apo të gjitha mënyrat se si populli mund të na surprizojüe ne kur është ndërveprimi i duhur i ngjarjeve.
Orvatja për t’ia kushtuar veten vetëm letërsisë është gjëja më mashtruese, dhe shpesh, në mënyrë paradoksale, është letërsias ajo që vuan nga kjo orvatje.
Sa më i thellë të jetë përjetimi i një mungese të kuptimit – me fjalë të tjera, absurditetit – aq në mënyrë më energjike kërkohet kuptimi.
Shpëtimi i kësaj bote njerëzore nuk ndodhet tjetërkund veçse në zemrën njerëzore në fuqinë njerëzore për të reflektuar, në butësinë njerëzore dhe në përgjegjshmërinë njerëzore.
Tragjedia e njeriut modern nuk është se ai di gjithnjë e më pak rreth kuptimit të jetës së tij, por ngaqë kjo e mërzit atë gjithnjë e më pak.
Nganjëherë na duhet të prekim fundin e mjerimit për ta kuptuar të vërtetën, prandaj na duhet të prekim fundin e së mirës për të parë yjet në dritën e tyre të plotë.

Pa qytetarë të lirë, vetërespektues dhe të pavarur nuk mund të ketë kombe të lira dhe të pavarura. Pa paqe të brendshme, e cila është paqe midis qytetarëve dhe paqe midis qytetarëve e shtetit, nuk mund të ketë garanci për paqe të brendshme.
Elida Buçpapaj

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...