Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/09/18

Ndër duar dua ta mbaj….

Venka Capa ka lindur me 11 shtator 1962 në Steblevë të Dibrës. Shkollën e mesme  e kam mbaruar në Ylli Kuq Kamez, Dega Zooveterinari. Tani jeton në Tiranë. Në 2006 botoj librin e parë me poezi me titull “Për pak lumturi”.  Momentalisht është në proces për botimin e librit të dytë me poezi.
Libri më i ri poetik “Unë prek me frymë” i autores Venka Capa, me 70 poezi, tingëllon jo vetëm si një këngë dhimbjeje, por pasqyrohet me një larmishmëri gjendjesh poetike, jetësore, ku meditimi dhe imazhet poetike krijojnë struktura emocionale.
Picture
Autorja Capa synon të japë bukurinë shpirtërore të njeriut të dashuruar me jetën, pasi autorja vjen nga komuniteti i njerëzve me aftësi të kufizuara, ku shpeshherë ndihen të paragjykuar nga fatkeqësia e tyre. Kjo fatkeqësi njerëzore vjen në këtë libër të dytë poetik nga autorja Capa, me një dashuri të madhe për jetën, por shpeshherë, si një personazh emocional, social, me një karakter poetik shpesh kontradiktor të ndjenjave, i mundësive dhe i pamundësive, për të realizuar veten si të barabartë brenda shoqërisë sonë antihumane e paragjykuese. Nga poezia në poezi, autorja shpalos me forcën e shpirtit, dhembjen për njeriun dhe pamundësinë e të dashuruarit. Me këto lirika, Venka Capa depërton në psikikën e njeriut, për të zbuluar anët e errëta të shoqërisë dhe përçmimin ndaj tyre dhe këtë e bën me shumë dashuri e humanizëm. Poezitë e saj në përgjithësi, shprehin filozofinë e jetës, dashurinë me vargje të sinqerta e shumë domethënëse. Ky libër vjen me një apel njerëzor: “Jeta është e shtrenjtë dhe ajo duhet jetuar me të gjithë elementet e saj!”. Ai tregon në çdo kohë, se edhe ne njerëzit me aftësi të kufizuara, jemi njerëz me të drejta të barabarta!
Venka me vëllimin e dytë me poezi “Unë prek me frymë”, tenton të lërë një shenjë në poezinë shqiptare.



Cikël me poezi nga Venka Capa

1-Pasqyra
Statujë para pasqyrës,
Ngjethen rrudhat,
Thinjat shpirtërore,
Imazhi yt më përqesh,
Trembet në sy pasqyra…
Ciflat bien si gurë,
Hijes së dëshirave,
Shterpë…


2-Jam grua

Hedh vështrimin
Zbehtësisë së dritës…
Jam cung dru tharë
Përplasur nga fati,
Rrahur nga mëshira,
Në stinë hipokrizie.
Malli që kullos për jetën,
Më dhuron këmbët e lisit,
Lutem para Shën Marisë:
Jam grua, kam shpresa,
Më vlon dëshirë e shenjtë,
Më hidh një degë të pafaj,
Të lidh dashurinë amësore!


3-Filxhani i kafesë

Filxhani i kafesë mban lëngun e zi të,
Cigarja djegien me shtëllunga shpërndan,
Shpirti i afrohet pemës së braktisur,
Era e tërbuar e kohës lëviz rrënduar,
Ku këputet një filiz i njomë lastarë,
Degët të lagura nga lotët e syrit.
Edhe toka rënkon me një zë grykor,
Nga ky yll që u shua si meteor…
Kënga ka rrëshqitur nga vegla muzikore,
Dëgjoj simfoninë në vaj…
Qielli ka një ngjyrë që s’është veç blu,
Çarçafë gri nga lart si mantel për mua,
Dielli shpërndan grimca rrezesh të vetëvrarë,
Durimi kërkon zgjatjen e dorës së pa faj.



4-Pa titull

O atmosferë e rënduar, ajërndotur,
I pisët, me vizion imagjinar!
Jam në pragun e një pritjeje,
Pranë një porte të mbyllur që mban erë,
Fëlliqësia shikon anembanë zhurmshëm,
Vdekjet na shohin drejt e në sy,
Fjalët e tellallëve janë të pakuptimta,
Tradhtia shkarkon muzgjeve të përhirta…
Po vetmia qan e dhemb, shpirtvrarë,
Pret në stacionin e ardhmërisë së vonuar.
Në fund, mallkimi del nga shpirti,
Për kohën e gjatë të ikjes së gjërave,
Në asgjësimin e një fundi të pafund,
Ku asnjë s’kërkon falje, faljeeeeee, falje!



5-Njeriu Bosh
Teksa eci në rrugë
Hija e trupit më përndjek…
Kur dielli ka çastin e përndritjes,
Shpresa qesh nën buzë e vrarë,
Në dridhje kënaqësish të pa jetuara…
Vështrimet si shigjeta të mprehta,
Thyejnë shkëlqimin në sytë e mi,

Në rrugë një zonjë e bukur,
Puthte me dashuri qenin e saj…
Afshi kundërmojë ajrin përreth…
Rruga zhvesh krahët e kthesës,
Unë var në degë të vështrimeve,
Përçmimin e njeriut bosh në shpirt.



6-Të kërkoj

Të kërkoj
Në sqep të ëndrrës,
Larguar
Muzgjeve të shpëlara….

Të kërkoj
Në kurmin e trëndafilit,
Thyer
Në duar dëshpëruese…

Të kërkoj
Labirinteve të dritës,
Fshehur qelizave
Të shpirtit tim.

Të kërkoj,
Ankthit të zemrës,
Të më duash kjo që jam,
Shpirtëbardhë!


7-PREK NJË FERR

Pak nga pak, dimri po na shëndenë,
Po vjen pranvera, dashnorja e poetëve.
Unë kam zënë radhë në një pllajë,
Ku kanë çelë bisqe lulesh, ndër pemë,
Pemë të buta e të egra.

Afrohem me dëshirë prej zogu,
Të prek një bisk të njomë,
T’ia vë kurorë mbi shpinë
Mëkateve të dimrit…
Por dora më prek një ferr,
Që më drithërojë dëshirën…

Mblodha flokët e dhimbjes,
Peshqesh për pikëllimin!



8-Ngjyer në pafajësi
Jeta ime pelegrin në Sahara,
Zbehtësia e ditëve shoqëria ime,
Nëpër stinë hipokrite
Shartuar në pemë cungje drutharë,
Kalema besimi, e njomështie,
Me mall limfe dashurie,
Përqeshur nga mëshira.
Mendimi gjezdisë nëpër jetë…
Në rrënjë trungu, hiperbolash,
Nëpër qumështin e gjinjve të mi,
Lodron një dritëz Shën Mërie.
Degë të pa faj në letër,
Të bardhë, e etur shkronja,
Zambak të fshehur ndrojtjes.
Jam zog i ngjyer në pafajësi,
Mes fajit të të gjitha botëve ….



9-Hapësirave të shpresës

Poezisë i dhashë gjakun e frymëzimit,
Vargut i dhashë timbrin e përflakur,
Heshtjen e ofshamës së dhimbjes, rimës.
Plagët që rishfaqen si batica e zbatica,
Metamorfozave të mendjes sime,
Arnuar me penj shpirti të padukshme,
Lidhin fjalët e METRIKES.
Për të shteruar damarët e helmuar,
Që nga lotët s’gjendet as lum për t’i larë,
S’gjendet për t’i tharë as një copëz diell…
Ëndrrat e mia shëtisin zhveshur kudo,
Ndër hemisfera afshnore,
Metafora si një nimfë më buzëqesh.
Sublimja gjinore,
Me ëmbëlsi më mat pulset e netëve magjike,
Duke transmetuar damarëve të bukurën ndjesi,
E lehtas më largon ngricën dimërore.
Si pishtar ndezur qëndron strofa,
Duke u harlisur shtigjeve hapësinore të shpresës,
Fisnikja, kryeneçe e madhështore…


10-Mall
Vitet e mia ikin, ikin me vrap
E unë s’i arrijë dot kurrë, me hap,
Portën e jetës hapur e mbaj,
Me shpresën se një ditë e bardhë
Do të vij të më marrë, si dikur…
Tavolinën e mbaj të shtruar, përherë,
Me vetminë ngre më shpesh dolli,
Nga mëndja s’më shqitet mendimi,
Për të shkretat vite që ikin hijezezë…

11–Lidias

Sa herë të vështroj ty, Lidia ime,
Bota më duket krejt errësirë….
Përtej kësaj bote të ndyrë,

Shoh ngjyrat që komunikojnë me ty,
Të ngjizen ndër gishta dhe bashkëpunoni në heshtje….
Ndërsa ne, komunikojmë me gishta në bebe të syrit…
Shpirti kërkon para Zotit një shpjegim…
U tregua i pamëshirshëm, i pa shpirt!
Ah, e dashur Lidia, sikur të ndodhte mrekullia,
Të flisje vetëm një fjalë, të dëgjoje vetëm një çast,
Kur në zemrën tënde të trokasë dashuria!
Lidia, dëgjoje fëshfërimën e gjetheve të luleve,
Kwngwn e zogut që rri nw parvaz të dritares twnde!
Lidia, sa bukur shprehesh me penel në dorë,
Pikturat mbushin hollet e ekspozitave nëpër botë,
E suksesit, nuk mund t’i bindesh me zërin tënd:
“Faleminderit ju vizitorë për fjalët e bukura që thatë sot!”
Ah, sa herë e shtrydh në imagjinatën time,
Fjalën magjike, tingullin e shumëkërkuar…
Kur krihesh para pasqyrës në heshtje,
Largohesh e përshëndet me dorën e njomë,
Duke mërmëritur veç me sy….
Pa shqiptuar asnjë fjalë, asnjë tingull…
Si një zogth që lëngon dhe nuk cicëron dot me sy…

Hiret e tua lëvizin si hyjni nëpër shtëpi,
E goja s’e shqipton kurrë, fjalën: Mirëmëngjesi!


12- Në kërkim…


Në kërkim të fjalës së ngrohtë,
Ndjej të më rrahë era e tërbuar…
Në kërkim të mirënjohjes,
Ndjej shuplakat e hekurta…
Në kërkim të mirësisë,
Takojë shpirtgur të kullandrisur.
Në kërkim të fjalës së bekuar dashuri,
Dëgjojmë helmin e fjalëve vrastare!
Në kërkim të vetvetes, s’do rresht kurrë!



13-Loti

Lot i hidhur,
Lot i bekuar,
Lot i bardhë,
Lot i zi!

Luan me zemrën time,
Po unë të ndjej,
Nuk të mbaj mëri!


14-Nuk kam urryer kurrë

Dashuri, jam robinjë e flaktë nën pushtetin tënd,
Ëmbëlsinë e ndjenjës dua ta pikturojë hijeve të poezisë,
Të kundrojë frymëzimin e çastit ndër vargje.
Ah, kjo jeta ime, sa e vështirë paska qenë!
Më mbylli në mure të mëdha pamundësie,
Me fatin e destinuar për të vuajtur, pa faj.
Me inferioritetin kacafytet, ëndërron e flet,
Brenda murevegur, hijeligj, gojëhidhur e shpirtlig.
Ma kanë përfol, paragjykua edhe tallur shumë,
Më kanë rrëzuar, m’kanë shkelmuar, prapë jam ringritur,
Të mirat e të këqijat si rrodhe nuk më janë ndarë.
Ah, sa m’kanë bërë të vuaj, m’kanë ndjek në çdo hap,
Por me zemrën time ndjehem mirë, se brenda këtij burgu,
Unë jam robinjë e dashurisë, jam grua dhe dua të dashuroj,
Nuk kam asnjë faj që ëndërroj, atë që më mungon…!
S’kam faj unë, që në sferën e thellë shpirtërore banon mirësia,
E në tempullin e lartë, është hyjnore vetë dashuria.
Sa bukur rrëshqasin vargjet, për të shenjtën dashuri,
Në thelb të zemrës, gjithnjë dua të kem vlerë si njeri,
Pasi kam dashuruar, kam gabuar, kam vuajtur shumë,
Por edhe nga gabimet kam nxjerr mësime në jetë,
Edhe pse më kanë bërë të vuaj, s’e kam humbur toruan,
Zemra ime nuk ka urryer kurrë, kurrë…
Në të kam varur çelësin e mirësisë që shkëlqen!


15-Flaka e oxhakut

Vjeshta e artë m’ka trokit n’sy.
Nga kopshti në tavolinë,
Vështroj një kokërr shegë e ca mollë,
Ca rrush të zi e ca lajthi,
Sikur duan të na thonë:
Jemi këtu për ju,
Me shpirtin tonë shumë vitaminoz.
Por nata sonte bën ftohtë,
Dhoma është fshehur në errësirë,
Vetëm flaka në oxhak ndriçon si një qiri…
Më tutje, më ysht rafti me libra,
Por flaka m’i ka magjepsur sytë…
Përgjumur dëgjoj përrallat e drurit që treten e bëhen hi…
Kokën kam mbështetur mes gjinjve,
Në tavolinë ma bën me sy një kanë me verë,
Verë Muskat nga rrushi në oborr.
Me një gotë me fron e ngre dollinë,
Urimin për një jetë më të mirë.
Dora më dridhet e vera rrëshqet,
Dhe më spërkat ëmbël buzët,
Buzët që m’i fshijnë të tjera buzë…
Ah, përgjumje e kapërthyer mes trupash,
Dritë e zjarrit belbëzon mes çikjes së lëkurës…
S’ka dritë më të bukur se drita e zjarrit.
Ajo në çdo sekondë  ngjyrën ndryshon…


16-Dëbora në sytë e mi
Hedh sytë nga mali i Dajtit,
Shijoj dremitjen e tij ajërqetuar…
Mbuluar me pudërbardhë të lehtë
Me fllad ëmbëlsie të deh…!
Pemët veshur me mantel të hollë,
Mbi degë presin zogjtë vizitorë,
Shkunden nën tinguj cicërimash,
Kërcejnë te ëmblën melodi.
Hapësira qiellore tendos
Ndriçimin magji e rrallë.
I lutem diellit të më mbështjellë,
Me rrezet e tij të ngrohtësisë….

Të ma shkrijë si bora trishtimin,
Që rri varur në sytë e mi…
Ashtu si natyra, edhe unë si fëmija,
Ka nevojë për diell e përkëdheli.
17-Më rrëmbeu nata

Nëpër udhë komunikimi.
Shpirti rënkonte nga vuajtjet e kalume…
Komunikimi më rrëmbente,
Më humbiste në skutat e mistershme,
Duke derdhur ekstazën poetik.
Liqeni i zemrës fërgëllonte,
Me magjinë e çuditshme të fjalës,
Si në një formulë të fshehtë,
Trazonte kutizën time të mendjes.
E si reaksion kimik vepronte,
Në djegie pasionesh…
Vetëm mendimi që kam për ty,
Më dërgon ngjyrat larushjane.

Heshturazi erdhe në poezitë e shpirtit,
Si zog i plagosur nga dallgët e jetës.
Dhimbjen nëpër rreshta ma lexove,
duaje artin e poezinë, më këshillove,
Bashke do i ngjisim shkallët e majat,
se plagët shërohen veç nga fjalët.

Po cilin të dua më shumë vallë,
Si t’i sfidoj ligjet e natyrës?
Poeti më beson … në aftësinë krijuese,
E unë të gëzohem të lumturohem,
Me punën e devotshme të POETIKES …..

18-Unë prek me frymë

Rrugëtoj, notoj… Le pas vetes
Një det të ngrohtë ku spirancat duhen përmbytur.
Pastaj duhen ngritur, ag i nisjes…
Nëpër frymë dashurish alveolat e mija te brishta
Krahë engjëjsh, gugatje të porsalindura
Horizonte drithëruese, mole poezish
Dhe trishtimi i lehtë i valës se tij…
Ajo prekje ere e mbarë kthimi….
Sytë më gënjejnë si klithma pulëbardhash
Të shkrifëta, direkeve duke i përkëdhelur
Me pendë nëpër kocka, nëpër thinja,
Ku gulçet e dhimbjeve dhe meraku për brigjet,
Malli për dheun, për bymimin e Burrit të Vogël të Dheut
Që lëshon klithma urithi të uritur….
Unë nuk prek me dorë, unë prek me frymë,
Mbështetem me zemër, jo me gjinj,
Nuk lëshohem me kurmin tim, por me ëndrra
Dhe çapitem me ndjesi…


19–S’kam faj

Dielli më ka kthyer krahët
Hëna më belbëzon nën zë,
Yjet ikin, ikin, më paskan frikë…
S’di në kam bërë ndonjë faj,
Hiret e natën në gji dua t’i mbaj!
Udhës së errësirës së gjatë,
Dëgjoj psherëtimat e reve përqark…

20- Puth gjethet e vjeshtës

Dëgjoj mbi supe
Erën t’më përkëdhelë er’ e lehtë,
Ngazëllehem si fëmijë,
Ndër duar dua ta mbaj….
Sa i hapa 5 gishtat e dorës
Ajo fluturoi pa e parë…

Ndjej ndër këmbë,
Të kërcasin gjethet e vjeshtës
CEZMA E STEBLEVËS

Gurgullima e ujit që gjarpëron ,
Nga të carat e malit del,
Nga thellësia e tokës së artë
E në qendër të fshatit zë vend ...
Sikur të mundja të merrja nga ky ujë,
Ta mbaja me vet gjithnje ,
etjën buzëve t'u shuaja
E shpirtit t'i ktheja freskinë...
Ah kjo gurgullimë e ujit ,
Si një melodi e bukur dhe e rrallë,
Ka shumë histori brenda saj,
Ka grimca gurësh nga malet e Raducit,
Ka gjethe e lule nga fushat e Klenjës
Ka aromë dehjeje nga ajri i bjeshkës ,
Ka në te burimin e jetës ...
Nga burimi i Steblevës
Merr jetë cezma e Ferat Lilës
Si kujtim i viteve që ikën,
Në ballë të djersitur freskon,
Udhetarin e largët duke pritur...


BEKIMIN TËND DUA

Mbrëmë pash yjet, atje lart
Me to kuvendova gjatë, gjatë
Ti diku atje mu duke - se të pash ,
Zemrën dëgjova, te dua vetës - i thash .

Edhe me diellin sot bisedova
Rrezet e tij të zjarrta ty ti dërgova
Mallin tënd vala e detit ma sjell
S' di se pse me lotin e brengës më ngjet.

Me zogjtë e pyllit dua të bej paqe
Dua ti marrin e te ty ti sjellin këto vargje
Të bëhet një poezi me rima e lirika
Të derdhët e hapur në to dhimbja .

Me erën shpesh herë bisedoj
E me duket se bekimet e tua më dërgon
S'e besoja se mrekullia ekziston
Po ajo kembëkryq në zemrën tënde qendron.



KAM MALL PËR TY

Nga linku fjalët sonte s` po më arrijne
c` të beje , me ty si të flas?
shiu mallin më sjell me mbushen sytë
e ndjesi oqeani lëjnë nga pas.

Po shkrepetimën dëgjoje mirë
me ofshamën e shpirtit tim ngjet
mos krijo këte zbrazëti, këte etje që djegë
si akordi i vrarë kitareje kur këputet një tel!

Ah sa mirë që një rast të vetëm kam
në poezi frymëzimin tim kompozoj
me erën vargjet te ty i dergoj
e sedrën tënde sadopak ta ledhatojë !

Sa mirë qe jam një poete
kështu shpirti më ka pak dritë
dhe ne të mbajtsha gjithmonë me vete
vargjët jehojnë e këtë ta dishë se te kam edhe shpirt



MË BESO
Mos mendo, i miri im, se të harroj
Hënën ta dërgoj si kurmin tim
E brishtë, e verdhë si një mallkim,
Me yjet për rreth si qirinj....

Steblevën kujtoj si emër gruaje
E të shtrëngoj në gji me mall,
Ti puth sytë e dritën ndjej
Një frikë mëkati, një frikë të rrallë.

Dhe kokën mbështes mbi tëndin gjoks
Zemrën e çmendur nis ta dëgjoj
E dhimbja e saj më ngroh, më ngrohë,
E puthje plotë etje pastaj kërkoj.

Eh, kjo hënë e zbehtë e qiellit tim,
Sa here në token time e ul, e ndjej
Si drithërimë e lehtë dhe me habi
Besoj se jeta më vdes ndër qiej…. 

Njeriu Bosh


Hija e trupit më përndjek...
Kur dielli ka çastin e përndritjes,
Shpresa qesh nën buzën e vrarë,
Në dridhje kënaqësish të pajetuara...
Vështrimet si shigjeta të mprehta,
Thyejnë shkëlqimin në sytë e mi.

Në rrugë një zonjë e bukur,
Puthte me dashuri qenin e saj...
Afshi kundërmoj ajrin përreth...
Rruga zhvesh krahët e kthesës,
Unë var në degë të vështrimeve,
Përçmimin e njeriut bosh në shpirt.


Sytë dajtorë
(Variant)


Me sytëhedhur malit të Dajtit,
kundroj dremitje të qetuar…
Pudërlehtë i mbuluar
embëlsi dehëse të hedh’…

Pemët mantelbardhë
tejmiqesohen me zogjtë,
nën tinguj cicërimorë
ritmin melodiëmbël
këngërojnë…

Hapësira qiellësore tenduar
dritimin e saj tinëzisht,
Diell laguri prej rrezatimit
shtrirë në imagjinatën e ngrohtë
paqësisht…

Oh, borëbardha shpirtin
lutem të ma shkrijë;
trishtin e veluar syve të mi,
në besim ta kthejë
në ardhmërinë
time të menduar…


Komunikim shpirti !

Më rrëmbeu nata
nepër udhë komunikimi,
e shpirti reënkonte nga vuajtjet e kaluara,
...
Komunikimi më rrëmbente,
humbur në skutat e mistershme
duke derdhur ekstazin poetik.
Liqeni i zemrës fergëllonte,
me magjinë e çuditshme të fjalës,
Si me një formulë e fshehtë,
trazonte kutizën time të mendjes.
E si reaksion kimik në veprim
në djegie pasionesh.
Vetëm mendimi për ty,
me dërgon ngjyrat larushiane.
Heshturazi erdhe në poezitë e shpirtit,
si zog i plagosur nga dallgët e jetës
Dhimbjen ma këndove nëpër rreshta:
"Mjaltoje artin poetik
tokësisht do t’i ngjisim shkallët e majat,
se plagët shërohen veç nga fjalët,
Janë në mëdyshje të vetmuar.
Po kë të dua më shumë vallë ?
Si t’i sfidoj ligjet e natyrës?
Poeti besimtar në dhunitë e mia krijuese
gazmohem e lumturohem,
me mrekullimin e POETIKES triumfale...


Pasqyra

Statujë para pasqyrës,
Ngjethen rrudhat, thinjat shpirtërore,
Imazhi yt më përqesh,
Trëmbet në sy pasqyra…
Ciflat bien si gurë,
Hijes së dëshirave,
Shterpë…

PREK NJË FERR
Pak nga pak, dimri po na shëndenë,
Po vjen pranvera, dashnorja e poetëve.
Unë kam zënë radhë në një pllajë,
Ku kanë çelë bisqe lulesh, ndër pemë
Pemë të buta e të egra.

Afrohem me dëshirë prej zogu,
Të prek një bisk të njomë,
T’ia vë kurorë mbi shpinë
Mëkateve të dimrit...
Por dora më prek një ferr,
Që më drithërojë dëshirën...

Mblodha flokët e dhimbjes,
Peshqesh për pikëllimin!


Nga  Murat Gecaj

 “POETJA, ME SHPIRT TË MADH E SY TË KALTËR”
1.
Jorrallë, njihemi me një njeri fare rastësisht dhe pastaj bëhemi miq të mirë, me respekt të ndërsjelltë. Megjithëse jemi në moshë të ndryshme, kështu ka ndodhur edhe në njohjen time, me poeten Venka Capa, me origjinë nga rrethi i Kukësit dhe me banim në Tiranë. E kam thënë edhe më parë, por nuk e kam “zbuluar” unë këtë gjë, se Interneti po i lidhë njerëzit, si asnjë mjet tjetër komunikimi. Aty e ka zanafillën edhe njohja ime me këtë poete të talentuar. Ajo kishte publikuar një poezi (nuk më kujtohet mirë, se cila ishte ajo) në një faqae Interneti dhe poshtë saj bëra një shënim të shkurtër e dashamirës. Ajo ishte prekur nga fjalët e mia dhe më shkroi një mesazh, me nderim e respekt.
Kështu, pastaj, mesazh pas mesazhi, duke patur në mes dhe të njohurin e përbashkët, shkrikmtarin e publicistin Pilo Zyba, me banim në Athinë, por i kudogjendur, jemi takuar në përurime librash, në Muzeun Historik Kombëtar të kryeqytetit dhe në mjedise të tjera. Kujtoj këtu edhe një takim të këndshëm tonin, në shoqërinë e kolegeve Raimonda Moisiu e Kozeta Zavalani dhe poetit Bajazit Cahani. Nuk e kam të saktë, por besoj se me Mondën shiheshin për herë të parë, pasi ajo jeton në Nju Jork. Ndërsa “gjurmët” e mëtejshme të lidhjeve të tyre i kemi edhe nga një mesazh i ngrohtë, që ajo i ka kthyer Venkës. Në të, shkruhen këto fjalë domethënëse: “Edhe unë të përqafoj, shumë e dashur. Jam e lumtur dhe krenare, që  të takova ty, Venka Capa, Poeten me shpirt të madh e sy të kaltër, si thellësia e detit dhe mjaft ekspresivë, që tregonin se brenda tyre ka jetë e dritë. Suksese e urime! Të përqafoj fort: Monda" .
Ndërsa po i rendis këto radhë, gjithashtu, unë e kam para syve Venkën, me atë pamjen e buzëqeshur e plotë dritë jete. Bashkë e me kolegë të tjerë, kemi bërë dhe fotografi, të cilat i kam kujtim të rrallë. Tashmë, në njohjen e miqësinë tone, kemi dhe një të afërme timen, që na lidhë. Ajo është vajza nikajmërturase, me emrin e bukur, Dukate Bushgjoka. Jetojnë së bashku në një zonë të Tiranës dhe problemet e tyre shëndetësore kanë bërë, që jetën ta përballojnë me guximin, optimizmin dhe mirësinë, që rrezatojnë ndaj të tjerëve.

Kopertinat e librit të ri me poezi, nga Venka Capa
2.
Ai, që i ka lexuar fjalët e mësipërme për Venka Capën, sigurisht, pret që të flasim e të shkruajmë diçka për të edhe si poete, me ndjesi të holla e frymëzim të bukur. Në dorë kam vëllimin e saj të ri me poezi, i cili mban titullin simbolik, “Unë prek me frymë”, ku ajo më ka bërë shënimin e ngrohtë të zemrës, si bija për prindin: “Babushit! Me shumë respekt, Venka për Ju. Tiranë, 26.06.2011”.
Libri në fjalë fillon me shënimet vlerësuese për Venkën e krijimet e saj, nga Fatime Kulli (redaktore), Krishtaq  F.Shabani, Prend Buzhala (kritik letrar, nga Kosova) e Pilo Zyba. Ndërsa në kopertinën e fundit janë shënuar këto fjalë të Fatimes:“Ky libër tregon, në çdo kohë ,se edhe njerëzit me aftësi të kufizuara, janë njerëz me të drejta të barabarta.Venka Capa, me vëllimin e dytë me poezi, “Unë prek me frymë”, tenton të lërë një shenjë në poezinë shqiptare”.
Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe faktin se, në tubimin e sivjetëm mbarëkombëtar të poetëve, në  Vushtri të Kosovës, Venka Capa u nderua me “Çmim të veçantë”, për krijimet e saj të arrira.
Në këtë libër të dytë të saj, janë përmbledhur 67 poezi të frymëzuara. Sigurisht, është e pamundur të  jepet përmbajtja e tyre dhe as të analizohen ato, në një shkrim të shkurtër. Por dëshiroj të theksoj se tematika e tyre është e larmishme, buron nga ndjenjat e çiltëra të kësaj poeteje, që jeta ia ka kufizuar disa gjëra, por jo shpirtin e pasur e të pastër. Natyrshëm, poezitë e saj nuk mund të shpëtonin nga një hijë pesimizmi, si “revoltë” ndaj padrejtësisë së fatit të saj. Megjithatë, në radhët e poezive të saj gjen forca shpirtërore, që të ngrihet mbi fatkeqësitë dhe jetën ta jetojë, ashtu si i është paraqitur.
Poetja kërkon mbështetje edhe te vargjet, te poezia e saj: “Poezisë i dhashë gjakun e frymëzimit,/vargut i dhashë timbrin e përflakur,/heshtjen e ofshëmës së dhimbjes, rimën” (“Hapësirave të shpresës”). Venka është e ndjeshme ndaj bukurive të natyrës dhe dëshiron që ato të bëjnë strehë në shpirtin e saj: “Vjeshta e artë më ka trokitë në sy,/nga kopshti në tavolinë,/vështroj një kokërr shegë e ca mollë,/ car rush të zi e lajthi,/ sikur duan të thonë:/Jemi këtu, për ju…”(“Flaka e oxhakut”). Ndërsa në poezinë “Dritësim, në oborrin tim”, ajo shkruan: “Pranëvera në oborrin tim ka shtri magjinë e ylberit,/rrezja e diellit më fton në ngjyrën e argjendë,/portokalli lulen ka çelë në mirënjohje,/ zambakët e bardhë në dyluftim me krenarinë…”.
Në fillim të këtij shkrimi fola për cilësi e virtyte të mira të poetes Venka. Por edhe ajo vetë shkruan, me sinqeritetin e njeriut zemërgjerë: “Jam e dashur,/bëj shumë për shoqëri,/ fali gjithçka për miqësi…/ Di të fali shumë dashuri”. Nëpër vargjet saj, ajo kudo kërkon gëzim e lumturi, të cilat i ka pak të kufizuara nga jeta: “Botës do t’i bija përqark,/në shpirt do të ndizja zjarr,/gjithçka do e lija peng,/ lumturisë t’i gjeja vend!...” (“Për pak lumturi”). Pastaj  shkuan për çaste të gëzuara të jetës,(te vjershat “Më nungon” , “Vetëm një çast”, “Shpirt margaritar” etj.): “Shikoja hënën në sy,/ e krejt pakuptuar, i dashur,/mendja më shkonte tek ty…” dhe më tej: “Vetëm shpirtin e dua të lirë,/ të endem bashkë me të,/ e pranë teje të vij!”
Me shpirt të ndejshëm poeteja dhe me “zemër të pastër”, e privuar vetë edhe nga disa gjëra në jetë, ajo këshillon me sinqeritet:”Mbaje afër gotën e dashurisë,/ pi herë pas here në të,/kërko nektarin e lumturisë,/qesh e gëzohu pa zë!”Dhe, si për ta përmbledhur tërë botën e pasur shpirtërore të saj, Venka Capa shkruan vargjet e bukur e domethënës:“Ndiçon natyra e shpirtit të kadiftë,/brenda magjisë së syrit jeshil…”.
…Tani, kur po i mbylli këto pak radhë, para më del përsëri pamja e buzëqeshur e kësaj poeteje të re, me ndjenja ta pastra e të forta për jetën, por edhe me dhimbjen e shkaktuar nga aftësitë e kufizuara shendetësore. Ajo ka  virtyte të larta njerëzore, një botë të pastër e të pasur shpirtërore, me dashurinë e respektin për cilindo, që njeh e miqësohet me të.
Tiranë, 18 korrik 2011

VEPËR VËSHTRIMESH KRITIKE DHE SHUMËSHTRESIMESH LETRARE


Flori Bruqi




NËSE KAM DITUR TË GUXOJ



/poezi…për krijimtarinë letrare e publicistike në kohë…vështrime kritike…letra…/




 Rugova Art

 Biblioteka:Feniksi

Redaktor:Naim Kelmendi

Recensent:Prof.Dr.Eshref Ymeri

Design:Çajup Kajtazi

Shtëpia Botuese Rugova Art
Prishtinë
2011

VEPËR VËSHTRIMESH KRITIKE DHE SHUMËSHTRESIMESH LETRARE

(Nga fjala e redaktorit)

Libri më i ri publicistik i shkrimtarit, tashmë të mirënjohur, Flori Bruqit, na vjen si një sihariç i mirë letrar. Libri me titull shumë sinjifikativ “Nëse kam ditur të guxoj”, përmbanë një lëndë të pasur në shumë aspekte letrare. Meqë kapitulli i parë përmbanë  një cikël poezish të autorit, kapitulli i dytë hap një faqe interesante me shkrimet kritike nga autorë të ndryshëhm e të mirënjohur shqiptarë, pra vlerësime kritike e vështrime për disa nga veprat letrare të Bruqit, por të publikuara më parë në shtypin shqiptar të kohës. Autori Bruqi i ka sistemuar këto shkrime, që përbëjnë një sërë vlerësimesh të çmueshme letrare për krijimtarinë e tij letrare,poetike e publicistike por edhe për ato botime të fushës profesionale të Flori Bruqit, nga emra tashmë të ndjerë, por mjaft të shquar, si Mehmet Kajtazi, Rifat Kukaj, Zejnullah Halili, Iljaz Prokshi e ndonjë tjetër. Por, edhe nga emra po aq të mirënjour të letërsisë sonë, të gjallë, janë përmbledhur këtu mjaft vështrime që cilësojnë e vlerësojnë veprën e Flori Bruqit, sikur janë: Fatmir Terziu, Bedri Halimi, Lumturie Haxhiaj, Shyqri Galica, Namik Shehu, Izet Çuli, Zeg Pergega, Kristaq Shabani, Naim Kelmendi, Rajmonda Maleçka, Eshref Ymeri, Rushit Ramabaja, Abdullah Konushevci, Rrustem Geci, Nehat S.Hoxha, Ajshe Qorraj, Arlinda Meksi, Shpend Ruci, Arian Blushi, Nikollë Frangaj, Faik Xhani e ndonjë tjetër. Do theksuar se në të gjitha kritikat dhe vështrimet kritike mbi veprat letrare të Bruqit, qofshin ato vështrime të mëdha apo të vogla, ndonjëherë si njoftime mbi librat e publikuar nëpër kohë të Bruqit, qoftë si vështrime më të gjata, cilësohet e vlerësohet krijimtari letrare e Flori Bruqit, dhënë lëtërsisë sonë më të re, duke bërë kështu emër në letërsinë moderne.
Ja si do të shprehej atëbotë shkrimtari i mirënjohur yni, Mehmet Kajtazi, në një vështrim të tijin për poezinë e Floriut: “Temat që ngërthehen në këto vargje nuk burojnë nga inspirimet që i marrin disa poetë nga librat që i lexojnë, por Flori Bruqi inspirimet i merr nga jeta. Ato nuk mbesin vetëm inspirime, por dalin nga kornizat e një gjirme të thellë dhe si valëzat e detit të shqetësuara afrohen drejt brigjeve, por edhe kthehen në suprinën e largët të detit me emrin nënë, me emrin martizim, me emrin LIRI”.Apo në një rast tjetër njëri nga shkrimtarët tanë të shquar Zejnullah Hallili: “Flori Bruqi po hyn nëpër një shteg të ndritshëm në poezinë shqipe. Figura e tij në fillim të kësaj poeme na sjell shqetësime të shumta që lidhen me Tokën, me Nënën, me Gjakun, me Vallen e Shkrepave, me Baladën e Yjve, me Lotin që ka Ogur, me Zërin me Frushullimën e Krahëve, me Akuarelin e Diellit, me Lumin e Bardhë. Secili varg vendoset në patosin e Kësaj Luleje. Secila poezi ka gjethin  e Vet, Dritën, shqetësimin dhe besimin, andejza, matanë errësirës pra ai këto frymëzime i zë nga jeta, sepse e nxit Bardhësia e katër vargjeve, figura e saj, shpirti shqetësues, Fjala”.
Në kapitullin e tretë mbarështrohet një lëndë po aq e pasur dhe e thekur letrare e autorit mbi veprat dhe mbi jetën e shumë autorëve botërorë e shqiptarë,sipas këndvështrimit dhe shijes dhe dioptrisë krijuese të studiuesit Bruqi. Flori Bruqi këtu spikat me vështrimet e tij të thukta dhe përmbajtësore, me një metodologji klasike të vështrimit: ai shkruan mbi veprën e autorit, jep mjaft shënime biografike dhe shtjellon motivet e veprës së tyre, por edhe klasifikon ndonjë nga poezitë apo prozën apo shkrimin e akëcilit që merr në theks të vështrimit.
Në të gjitha këto vështrime kritike vërehët përkushtimi dhe niveli studimor i autorit me një bagazh të mirë studimor mbi veprat dhe autorët. Poashtu autori, në secilin vështrim jep edhe të dhëna të shumta mbi veprat e autorëve, që përmbëjnë opusin krijues të tyre, si informacion të plotë për lexuesin. Janë një sërë artikujsh kritik e publicistik edhe për figurat e jetës sonë letrae por edhe politike e publicistike sikur artikulli për Dr.Ibrahim Rugovën, ku Bruqi qëmton me këndvështrimet e tija, duke na sjellë përshkrime dhe vlerësime për figurën madhore e komplekse të presidentit historik Ibrahim Rugova, por edhe për veprën e tij letrare dhe kritike që është mjaft e bujshme. Gjithashtu me interes janë edhe mjaft shkrime të kësaj natyre, siç janë p.sh shkrimet për Nënë Terezën-nderin e kombit shqiptar, pastaj vështrimet kritike për figurat letrare si për Eqrem Çabejn, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Azem Shkrelin, Ismail Kadarenë, Prend Buzhala, Naim Kelmendi, Bardh Frangu,dhe poetë të gjeneratës më të re të postmodernes, sikur Irena Gjoni, Lediana Kapaj, Alma Papamihali,Thani Naqo, Jorgo Sofokli Telo, Valdete Berisha e ndonjë tjetër.
Ato që përbëjnë gamën e gjerë të vështrimeve dhe temave sintetizuese, por edhe tematike, janë disa nga shkrimet që zënë vend në këtë vepër, si “Shkrimtari idealist shqiptar gjatë shekullit XX”, “Kritita tani ngjanë në një digë të shpartalluar, që i varen lllamarinat nga erërat e fitimit”,”Spastrimi etnik në Kosovë”,”Shqiptarët në shtypin arab”, ”Historik i shkurtër i gjuhës shqipe” etj.Me një fjalë, vepra letrare e Flori Bruqit: “Nëse kam ditur të guxoj” përmbën një aureolë pikëvështrimesh të qëmtuara lëtrare mbi veprat e shumë autorëve të shquar vendas e ndërkombëtar, por edhe ato mbi veprën autoriale të këtij shkrimtari tashmë të njohur në letrat tona.me kontributin e shumë veprave cilësore letrare, poetike e publicistike që zënë vend të merituar në “Panteonin” e letërsisë shqiptare.


2011/09/16

“Takimet e Dom Mikelit”

Të shtunën në Stubëll të Epërme, të CVitisë, mbahet manifestim tradicional kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”. Temë bosht e këtyre takimeve, siç bën të ditur Ipeshkvia e Kosovës, do të jetë Papa Gjoni Pali II dhe çështja e Kosovës. Në Tribunën shkencore do të referojnë Dr. Jakup Krasniqi, kryeparlamentar i Republikës së Kosovës, Dr. Jusuf Buxhovi, shkrimtar e historian, pastaj Dr. Eqrem Zenelaj, Willy Kamsi, ish-ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Dom David Gjugja, drejtor i Radio Vatikanit, seksioni në gjuhën shqipe, dhe Dr. Shyqri Galica (Mbi portretin e studiuesit e krijuesit Isak Ahmeti).

Po ashtu në program do të jenë edhe Ora e madhe letrare, Ndarja e çmimit “Agim Ramadani” për tri poezitë më të mira, Ndarja e çmimit “Akil Koci”, dhe po ashtu

një programi argëtues (marrin pjesë këngëtarë e ansamble).

Proghrami nis në orën nëntë, me meshën pontifikale, që do ta mbajë Imzot Dodë Gjergji, ipeshkev i Kosovës.

“Krimet e luftës në Gjakovë, 1998 -1999”

Monografia “Krimet e luftës në Gjakovë, 1998 -1999”, e autorit Fuat Haxhibeqiri, e promovuar të mërkurën, është cilësuar si një përmendore ndaj të gjitha viktimave civile të luftës së fundit në Kosovë.

“Ne njerëzit që shkruajmë, nuk kemi mundësi të tjera të ngremë përmendore, pos me fjalë”, ka thënë ndër të tjera redaktori i librit Halil Matoshi. Sipas tij, kjo monografi është një dokument më i besueshëm për krimet e shtetit serb në Kosovë, i shkruar me saktësi dhe objektivitet.

“Duke qenë se autori ishte aktivist i të drejtave të njeriut, ai ia ka dalë që në kapitullin e ‘Kujtesës së Kosovës’ të shkruajë faqet e historisë së kësaj lufte; të sjellë fakte të pamohueshme për krimet e egra të fashizmit të Milosheviqit, si në tërë Kosovën edhe në Gjakovë”, ka thënë ai. Në mbi 200 faqe Fuat Haxhibeqiri - i cili gjatë viteve 1998-99 ka qenë kryetar i KMDNJ-së në Gjakovë - trajton të gjitha llojet e krimit që i shkaktuan njësitet ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ndaj popullatës së Komunës së Gjakovës.

“Monografia flet për ngjarje të vërteta dhe në sfond ka dëshmitarë të gjallë, të gjithë ata që kanë përjetuar tmerrin e luftës së fundit”, ka thënë autori.

Recensenti i monografisë, Enver Robelli, ka folur më shumë për personalitetin e autorit. Bashkëvendësve të autorit u ka thënë se duhet të jenë krenarë për “një bashkëqytetar të tillë i cili e menaxhon kujtesën e këtij qyteti”.

“Shpresoj se shumë njerëz në Kosovë që dinë për të kaluarën, ta marrin Fuatin si shembull dhe të na sjellin vepra të tilla edhe për qytetet E tjera, në mënyrë që ne të kemi një pasqyrë të qartë se çfarë ka ndodhur në këtë vend. Ne për fat të keq dimë shumë pak për ato vitet e tmerrshme”, ka thënë ndër të tjera Robelli.

Akademik Pajazit Nushi ka thënë se në veprën e Haxhibeqirit - me të cilin ka bashkëpunuar - ka konstatuar disa veçori që pak konstatohen në botimet e tjera individuale dhe të disa institucioneve tona.

“Kjo monografi është e fitore e betejës për të vërtetën”, ka thënë Zejnullah Gruda, drejtor i Institutit për Krime të Luftës. Botimi i Monografisë është përkrahur nga Komuna e Gjakovës.

“Falë këtij libri autorëve po e qesim në shesh historinë tonë më të dhimbshme, me të cilin është ballafaquar çdo njeri, qytetar e familje”, ka thënë me këtë rast kryetari i Komunës, Pal Lekaj. 

Libri për Arbën Xhaferin, libër për pjekurinë e shoqërisë shqiptare


Politikanit më emblematik shqiptar në Maqedoni, Arbën Xhaferi, nuk i ka mbetur merak të shtojë as edhe një presje në rrëfimin që është botuar nga Botimet KOHA, në formë të bashkëbisedimit me gazetarin Enver Robelli. Ky i fundit ka thënë se po t’i jepej mundësia e ribotimit të librit që e ka titulluar “Arbën Xhaferi: Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, do të kishte për Xhaferin edhe 200 pyetje të tjera. Por vetë protagonisti i librit është i bindur se i ka thënë të gjitha që kishte për t’i thënë, në pyetjet që ia ka bërë gazetari Robelli.

“Nuk i kam ikur asnjë pyetjeje, por drejtpërdrejt dhe sinqerisht jam munduar t’i shpjegoj fenomenet ashtu siç i shihja unë”, ka thënë Arbën Xhaferi për gazetën, pak pasi ka përfunduar ceremonia e promovimit të librit për të, bashkë me dhënien e shumë autografeve që ai dhe autori Robelli kanë vënë në kopjet e para të librit, i cili ka dalë rishtas në treg.

Me parathënie të publicistit Veton Surroi, libri më i ri i Botimet KOHA është promovuar të enjten pasdite, në hotelin “Victory”. Përveç tij në promovim kanë folur edhe autori i librit, Enver Robelli, dhe drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi. Poetit Ali Podrimja i ka takuar të recitonte gjashtë poezi, prej tyre një e shkruar për humanisten e shquar shqiptare Nënë Tereza dhe një tjetër për aktorin shqiptar me famë botërore Bekim Fehmiu.

Intelektuali që nuk ka heshtur asnjëherë ndaj fenomeneve që kanë preokupuar shoqërinë shqiptare gjithandej ku jetojnë, e di që një libër ku ai do të fliste gjerësisht për fenomene shoqërore ka ardhur pak vonë.

“Mendoj se fajin për vonesë e kam unë, meqenëse duhej paraprakisht të shkruaja një vepër për këto dukuri”, ka thënë Xhaferi, i cili nuk ka vonuar për t’u “amnistuar” pse nuk e ka bërë këtë.

“Zakonisht çështjet vitale marrin një konotacion të domosdoshëm, e çështjet esenciale lihen pas dore. Kur u paraqit Robelli që të kërkojë intervistën, unë e pranova atë dhe shfrytëzova interesimin e tij dhe të gazetës ‘Koha Ditore’ që të jap opinionin tim për ato çështje që i interesojnë opinionit përmes kureshtjes së Enver Robellit”, ka thënë Xhaferi.

Gjatë promovimit ka thënë se është ndier i emocionuar.

“Natyrisht që e përjetova me emocione, sepse arrita përmes një gazetari të jap një rrëfim të sinqertë për nocionet politike, për proceset historike, si dhe për fenomene të tjera që veprojnë në mënyrë interaktive në Kosovë, siç është çështja e religjionit dhe çështje të tjera”, ka thënë Xhaferi.

Ai ka thënë se është dorëzuar para motivacionit të gazetarit, i cili parashtroi pyetje që atij i dukeshin interesante, për të bërë skenimin e një politikani, të mendjes së tij, dhe të mënyrës se si ai e kupton politikën dhe çështjet e tjera.

Por vetë gazetari Enver Robelli ka thënë se meritat për librin i ka intelektuali që ai e ka intervistuar.

“Është një arbitraritet, sepse në fakt autor i këtij libri është vetëm z. Xhaferi. Jam përpjekur që përmes pyetjeve, të cilat mua më kanë interesuar vazhdimisht ta nxis atë të flasë”, ka thënë Robelli.

Sipas tij, ajo çka e përbën një intelektual është se ai nuk shkëputet asnjëherë nga jeta e përditshme.

“Arbën Xhaferi është prej intelektualëve të rrallë që asnjëherë nuk është shkëputur nga përditshmëria, nga realiteti dhe nga rezonimi për problemet e ndryshme me të cilat ballafaqohet ambienti politik dhe kulturor”, ka thënë Robelli.

Ai ka thënë se gjithherë i kanë interesuar mendimet e Xhaferit në prononcimet mediale, përderisa librin e ka parë si një mundësi që të zgjerohej më shumë në reflektimet e tij.

“Bashkëbisedimi me të më ka krijuar një kënaqësi të jashtëzakonshme. E falënderoj edhe atëherë kur më thërriste në orën 10 të natës, edhe kur e thirrja në orën 11 të natës”, ka thënë Robelli.

Tetova e viteve të rinisë së tij, Prishtina e trazuar nga politika dhe Tirana e dikurshme, janë vetëm disa nga aspektet ku është ndalur bashkëbisedimi i Robellit me Xhaferin. Por Robellit do t’i interesonin edhe qëndrimet e bashkëbiseduesit të tij për tema të tjera jashtë politikës, por që reflektojnë në politikë - mendimet e tij mbi religjionin, mbi kinematografinë e shumë më shumë.

“Në këtë kontekst doli një vepër e kompletuar”, ka thënë Robelli.

Drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka treguar se Enver Robelli e kishte iniciuar dhe zhvilluar serinë e intervistave, të cilat i quajti “40 pyetjet”, që botohet çdo të mërkurë në “Koha Ditore”.

“Deri te publikimi i intervistës me Arbën Xhaferin, që të gjitha të tjerat ishin ‘paketuar’ në nga një faqe gazete. Intervista me zotin Xhaferi u publikua në tri vazhdime - ngase nuk kishte si, e nuk kishte as pse të cungoheshin përgjigjet absolutisht interesante dhe plot peshë e përmbajtje që ua kishte dhënë pyetjeve të shtruara. Pa dyshim - ishte një intervistë e jashtëzakonshme”, ka thënë Surroi.

Sipas saj, “Në Tetovë, në kërkim të kuptimit” është libër në të cilin Arbën Xhaferi, thjesht, shkëlqen me të gjithë kapacitetin e të menduarit që tregon edhe shtjellimin e argumenteve që i bën.

“Leximi i librit me një frymë më ka shkaktuar kënaqësi të posaçme - sa për gjërat e reja që i kam mësuar, aq edhe për shkak të bindjes së thellë se edhe ne shqiptarët kemi pse të krenohemi me këtë figurë emblematike, të kapacitetit të këtillë intelektual”, ka thënë Surroi.

Sipas saj, përvoja e gjatë publicistike dhe njohja disadekadëshe me Arbën Xhaferin do ta kenë shtyrë Veton Surroin që t’i propozonte autorit që këtë bashkëbisedim ta zgjeronte.

Publicisti Veton Surroi librin “Arbën Xhaferi: Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, e ka cilësuar si libër të pjekurisë. Ideatori i zgjerimit të botimit të mendimeve të Xhaferit ka dhënë arsyetimin për këtë gjë.

“Kur u botua intervista e parë e Enver Robellit me Arbën Xhaferin, në fillim të këtij viti, mendova se ajo që u botua aty ishte vetëm një pjesë e një libri të pabotuar. Një libri i cili duhej të dilte, e meritonte të dilte, dhe i një libri i cili në fund do të karakterizonte tërë këtë punë të tij, në një fazë të pjekurisë”, ka thënë publicisti Surroi. Për të, ky libër është i pjekurisë, edhe për faktin se autori i tij është, siç e ka quajtur Surroi, penë brilante e gazetarisë shqiptare.

“Robelli zbuloi detaje të një jete politike, të një jete kulturore dhe të një konteksti politik dhe kulturor në të cilin kanë jetuar shqiptarët”, ka thënë ai. Kjo ka bërë që Surroi të konkludojë se libri ka ardhur edhe në fazën e pjekurisë së shoqërisë shqiptare.

“Libri i Arbnit dhe i Enverit është pjekuri, të cilën e kemi mbërritur edhe si shoqëri”, ka thënë ai.

Për Surroin, Arbën Xhaferi është pa dyshim njëra prej figurave më emblematike të politikës dhe të mendimit politik shqiptar, në të gjitha viset e banuara me shqiptarë. Ai ka thënë se për dallim prej shumë aktorëve politikë, Arbën Xhaferi ka studiuar për politikën brenda një konteksti më të gjerë: ka menduar dhe ka shkruar për të.

“Ai, i cili është përpjekur vazhdimisht që të imponojë racionalitet në shoqërinë shqiptare, ka qenë pa dyshim Arbën Xhaferi”, ka thënë Surroi. 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...