Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/13

FBI arreston hakerin e Scarlett Johansson


FBI ka arrestuar hakerin e dyshuar se ka grabitur disa foto nudo të aktores Scarlett Johansson, direkt nga telefoni i saj celular.
Operacioni i agjentëve federalë nuk ka pasur si objektiv vetëm fotot e divës së filmit “Të humbur në përkthim”, por edhe të yjeve të tjera të Hollivudit.
Pirati informatik është identifikuar si Christopher Chaney, 35 vjec. Ai është arrestuar në Xheksonvill të Floridës në përfundim të një hetimi që ka zgjatur 11 muaj.
Chaney rrezikon një dënim të rëndë deri në 121 vjet burg nëse shpallet fajtor për 26 akuza që rëndojnë ndaj tij.
Sipas një deklarate për shtyp të FBI-së, 35-vjecari nxirrte në shitje foto të vjedhura nga llogaritë e internetit të yjeve të showbiz-it.
Ai dyshohet se ka vjedhur gjithashtu informacione financiare dhe skripte të filmave të “viktimave” të tij përmes depërtimit në email-in e tyre.
“Për fat të keq, zoti Chaney arriti të merrte fotot nudo të disa aktoreve dhe disa prej tyre u transmetuan në internet”, ka deklaruar prokurori Andre Birotte Jr.
Zyrtari ka konfirmuar gjithashtu se, qarkullimi së fundmi në internet i fotove nudo të aktores Johansson është pjesë e hetimit.
Vetë Johansson, në një reagim të disa ditëve më parë lidhur me publikimin e fotove të saj, u shpreh se ky veprim “nuk është i drejtë”.

Shpend Maxhuni, emërohet drejtor i Policisë së Republikës së Kosovës



Në bazë të kompetencave të tij kushtetuese, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot vendim të emërojë Shpend Maxhuni, Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Vendimi u mor në mbështetje të nenit 94.6 dhe 128.3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 37 të Ligjit nr. 03/L-035, për Policinë, dhe pas rekomandimit të kandidatëve për këtë post.
Vendimi për emërimin e tij në këtë post vjen pas shkarkimit të Drejtorit të PK  Reshat Maliqit, më 25 korrik 2011, në ditën kur forcat speciale të policisë ndërmorën aksionin për marrjen e kontrollit mbi pikat kufitare në veri të vendit(Pika 1 dhe 31).

Shpend Maxhuni tashmë njihet për rolin e tij në drejtimin e aksionit të forcave speciale të policisë së Kosovës në veri të vendit, ku ra heroikisht edhe një pjesëtar i njësisë ROSU, në mbrojtje të sovranitetit të vendit.

Ndryshe, Maxhuni deri tani ka ushtruar postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të policisë, ku është vlerësuar për kontributin e tij dhënë në ngritjen dhe profesionalizimin e policisë

Emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë bëhet për një periudhë tri vjeçare.

Flori Bruqi

2011/10/11

Mendime për romanin ‘Grykës’ të shkrimtarit Fatmir Terziut


Optika qytetare dhe pozicioni intelektual i FATMIR TERZIUT


Nga Kristaq Turtulli



                Kam lexuar mjaft këto vitet e fundit mbi aktivitetin e rëndësishëm dhe përkushtimin intelektual të Fatmir Terziut. Një punë voluminoze,  kritikë, analitike dhe studimore në shërbim të artit dhe të kulturës Shqiptare. E kam përshëndetur me shumë dëshirë dhe respekt aktivitetin e tij voluminoz, të papaguar por të një rëndësie të veçantë.

 Dikur një ndërmarrje, një nismë të tillë organizohej nga institucionet shtetërore. Kish  objekt dhe rëndësi të interesave të kohës. I shërbente me besnikëri qëllimit të atyre që e organizonin dhe drejtonin. Gjithsesi edhe nën presion politik dolën vlera të padiskutueshme dhe të pamohueshme. Arti i mirë me cilësi u reziston kohërave, lulëzon edhe në shkëmb.

Sot gjithçka është krejtësisht ndryshe. Ndodhën ndryshime të mëdha të mendësisë dhe të sistemit. Të dëshirës për progres, për të njohur botën, për tu pasuruar. Për të shkundur nga supet mykun e kohës. Të përshpejtimit, të amullinë dhe pështjellimin të periudhës së tranzicionit. Nuk është shumë e lehtë të përshtatesh. Të pranosh pa kompromis realitetin, të jesh i kthjellët, objektiv dhe i paanshëm.

Me ndryshimin e sistemeve sigurisht që ndryshoi optika, problematika, këndshikimi, u rit komunikimi, kërshëria. Molla e ndalur prej shumë vitesh u prek dhe u kafshua prej të gjithëve. Ndërkohë bota u bë çuditërisht shumë e vogël. Vërshoi letërsia, piktura, në atdheun mëmë, por edhe në mërgim. Në të gjitha skajet e globit, ku mundën dhe shkuan shqiptarët, por që mbartnin pas vetes një varg me ndjenja, përshtypje, dhembje, shqetësime, kujtime dhe mendime. Letërsia nisi të shkruhej e zhveshur nga kornizat e ngushta. Shitësve librarive u merret fryma, nuk mund të lëvizin prej peshës së madhe të librave. Por nuk mund të thuhet se çdo gjë që shitet dhe gjendet nëpër librari është grurë i cilësisë. Aty mund të gjesh shumë barishte që shiten për grurë, dhe misër, urof, tërshërë a ku di unë.

Ndërkohë përmbysen kultet e vjetra ngaqë i ka lodhur në vite e vite shkëlqimi i tyre. Ngrihen artificialisht dhe individualisht mbi këmbëza druri të pa latuar mirë, kulte te reja.

Kuptohet krijuesit kanë nevojë të shprehen, të pasqyrojnë jetën, ndryshimet, ngjarjet, emigracionin e madh, të shkuarën dhe situatat që përjetojnë. Gjithashtu lind nevoja se ata me pa tjetër duhet të gjykohen dhe të vlerësohen me paanësi dhe dashamirësi nga njerëz të kualifikuar për krijimtarinë e tyre, kur kanë vlera.

Pra ndjehet gjithnjë e më tepër nevoja e gjykimit dhe e evidentimit të kësaj kulture, arti dhe letërsie. E cila ka nevojë për seleksionim dhe përgjegjësi qytetarie. Kjo çështje mendoj se është shumë e rëndësishme, mbasi heshtja e mendimit intelektual dhe të kualifikuar u lejon, u hap udhë prishjeve të shijeve estetike, cilësisë, nuk vlerësohet e realja dhe e vërteta. Në rrjedhën e pandalur të viteve, brezat lëvizin, rriten, ndryshojnë , por kanë nevojë të mësojnë.

Një rol të rëndësishëm në këtë fushë, për evidentimin dhe pasqyrimin, të mendimit kritik të letërsisë. Me punën këmbëngulëse dhe voluminoze sigurisht që e ka intelektuali dhe krijuesi Fatmir Terziu.

Para disa ditësh më ra në dorë romani ‘Grykës’  I shkrimtarit Fatmir Terziut. Mërguar si shumë të tjerë, vite më parë në Angli. Libri është botuar në Shqipëri më 2010, nga shtëpia e njohur botuese ‘Lulu.

 Me shumë dëshirë fillova ta lexoja librin ‘Grykës’.

Romani ‘Grykës’ qysh në titull duket intrigues. Të krijon menjëherë përshtypjen e etjes për përlarë gjithçka me grykësi përbindëshi. Paçka se në kopertinë prehet një femër e bukur gjithë pafajësi.

Romanin ‘Grykës’ e lexon me ëndje nga faqja në faqe dhe është një libër bashkëkohor, interesant, i shkruar me kulturë, dhe përgjegjësi qytetarie. Libri ka intensitet, me digresione, kalime situatash, sjellje në kohë. Përshkohet në të një ankth i fshehur, që lëviz si eter nën dhe e nën lëkurë. Ky makth të merr me vete hap pas hapi në rrjedhën mëtejshme të ngjarjeve. Personazhet në libër paraqitin situata dhe momente të caktuara në funksion të shtjellimit dhe të qëllimit të autorit. Aty ku është dëlirësia, ndjenja intime, puthja,  fshihet pasiguria, grykësia. Një teh i mprehtë, gjendet ndehur në erë.

Autori është i saktë, i kujdesshëm, inteligjent, vëzhgues në trajtimin dhe shtjellimin e veprës. Optika e tij e shikimit është e koncentruar në atë mesash të rëndësishëm që do të përcjellë tek lexuesi i sotëm i kualifikuar, i cili nuk pranon zgjatime dhe përshkrime të panevojshme. Grykësia nuk është diçka e pakapshme, ajo gjendet kudo nën lëkurë dhe ka një neps të papërballueshëm, për seks, pushtet dhe para. Fuqia e fshehur e grykësit ka pasoja fatale për jetën e njeriut dhe të shoqërisë. Diktatura është e mostër sikundër dhe grykësia sepse është pjellë e saj dhe sëmundje gërryese e demokracisë.

Romani ‘Grykës’ i shkrimtarit Fatmir Terziut përcjell tek  lexuesi me finesë dhe vërtetësi ngjarje të ditës, të rëndësishme të periudhës post komuniste në të cilën po jeton vendi ynë. Fill pas trazirave paradoksale dhe aq shkatërruese për vendin tonë.

 Të gjithë e përjetojnë situatën dhe gjendjen e sotme, por e rëndësishme është se sa je i aftë ta pasqyrosh,  të jetë lexueshme, të lërë mbresa, ta përjetosh dhe të nxjerrësh mësime nga një vepër. Sepse ky është dhe vetë misioni i krijuesit, përcjellja dhe demaskimi në mënyrë emocionale i vesit, korrupsionit, banalitetit, falsivitetit,  frikës, poshtërsisë.

 Të shkruash thjesht dhe me sens do të thotë të shkruash bukur.

Qysh në hyrje të librit, gati si rastësisht nëpërmjet një bisede në dukje e thjeshtë, me të rëndomtën dhe delikatesën e moshës, midis disa vajzave të reja. Autori Fatmir Terziu me penelata të shkathëta, fraza të sakta ,të rrjedhshme hap ngadalë dhe me kujdes siparin. Na paraqet gjendjen, korrupsionin, degjenerimin, prostitucionin, frikën, vuajtjen e brendshme shpirtërore në të cilën ndodhen vajzat e reja dhe shoqëria e lodhur aq tepër me përmbysje dhe çmenduri nga periudha e stërzgjatur e kalimit nga një sistem në një sistem tjetër.

 Në instancat më të larta të shtetit dhe të rendit gjendet gangrena e korrupsionit. Ajo endet, shtrihet dhe përtej kufijve të shtetit mëmë, në Maqedoni, Kosovë. Metodat dhe format janë të ndryshme, përfundimi është i njëjtë: ligësia dhe etja e shfrenuar, pa marrë parasysh asgjë. Por jo për të shuar kureshtjen e lexuesit, përkundrazi për ta ndezur atë, për të ndjekur me kujdes zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve.

 Vajzat e reja duan ngrihen mbi të rëndomtën, të neveritshmen dhe të protestojnë. Mbasi janë ato të parat që e pësojnë për tu pasuruar dhe shuar epshet mbi supe dhe në trup.

Një sërë personazhesh të shfaqen përpara syve. Ata janë të portretizuar, të dhenë me vërtetësi dhe me detaje të sakta. Ja si e paraqet autori njërën prej tyre:

’Një njollë rozë dhe tejet delikate i shfaqej në faqen e majtë të saj. Goja e saj e plotëqeshur me një kërshërinë tërheqëse të bënte më tej të përhumbje. Ai mori frymë thellë e shumë shpejt. Rrëmbimthi nxori, ndoshta më shumë ajër nga sa thithi në çast. Ta dinte që ishte kaq e bukur kjo Monda Huta.’

 Bukuroshja Monda Huta është një nga personazhet më interesante të librit të përshkruar prej autorit me dashuri. Ajo është një vajzë e zgjuar që përpiqet të ketë dinjitet, ta ruajë të pastër dashurinë në këtë amulli të pakuptimtë, ku njeriu për njeriun është ujk.

Personazhet në librin: ‘Grykës’ paraqesin shtresa dhe mendësi të caktuar. Të cilët jetojnë, lëvizin, ëndërrojnë, meditojnë, bëjnë të pamundurën për të plotësuar egon e tyre, duke mbartur mbas vetes të shkuarën afërt dhe të largët. Nuk është e lehtë që njeriu të shkëputet aq shpejt prej së kaluarës.

 Nga kapitulli në kapitull paraqiten ngjarjet dhe situatat, me meditime dhe intensitet. Çifti Monda Huta dhe Tritan Begu përshkojnë në libër një linjë dhe zënë në vend të veçantë të tipizuar me vërtetësi. Të dy janë të dashuruar, i jepen njëri tjetrit, gjenden shumë pranë, nën presionin e së keqes përpiqen për realizuar më të mirën.

Ulko Copia është personazh interesant. Gjetja e kaut rrëmbimi dhe vendimi i të atit për ta bërë pastërma. Mbasi e kaluan kaun në provë. Protesta e heshtur e Ulkos për të mos e lejuar të bijën të shkojë aksioneve. Ai shkoi dhe u paraqit vete në sheshin e nisjen së vullnetarëve.

 Personazhi i Subit, shefit të policisë është intrigues, dhenë me kujdes, i paskrupullt, tipik, i ardhur nga llumpeni, për tu ngjitur në karrierë dhe për tu bërë i pasur. Lidhja me të bijën e sekretarit të partisë përbën një shkallë ngjitjeje. Enigma e Zotit X, telefonatat e mugëta. Mbas tij fshihen të tjerë, që mbartin në mot të errët një thes me eshtra. Ja si e përshkruan autori:

‘Dy re u shfaqën menjëherë në qiell kur thesin e zi të mbushur plot me eshtra e plasën   dy mushamaveshur në qoshin e asaj godine të braktisur vitesh. Dy retë e zeza në fakt vetëm sa imituan krokamën e korbave, që u shfaq, u dëgjua dhe u shua pas Kodrës së Mavijosur. Pastaj, e gjitha u tendos nën një thupër të zjarrtë, që u shkëput nga qielli e përfundoi aty ku zëri i kambanave dëgjohej çalë.

Pas tyre vjen fuqia absolute e ndëshkimit, në se prishet marrëveshja. Primitivizëm shtazarak i kohëve moderne. Të tjerë lëvizin në terr, përfaqësojnë regresin, janë grykës dhe nuk kanë asnjë shenjë njerëzore, mbasi grykësia të tjetërson. Të paditurit, të paparët dhe të tërbuarit janë më të rrezikshëm se bishat.

Konfuci i lashtë ka thënë: ‘Ruaju të pangopurit e të pushtetshmit më shumë se tigrit.

 Natyrshëm të vjen mendimi se grykësia u ngjan metastazave të kancerit që mbështjell trupin e brishtë  të shoqërisë të dalë prej një sistem të egër diktatorial dhe po shkon mbështetur mbi paterica drejt një sistemi tjetër. Por që i duhet të përshkojë një urë të gjatë për tu bërë vërtet vend demokratik. Krahët e metastazave lidhen, vijnë nxitimthi nga shumë skaje, anë dhe labirinte: inferioritetit, egoizmit, etjes për revansh, për pushtet. Kur njeriu del papritmas prej errësirës në dritë dhe ku elementet e shfrytëzimit dhe të shpërdorimit janë të skajshme.

 Autori nuk hyn në hollësi të shtjellimit të ngjarjeve ai e lë të kuptohet. Janë zhdukur shumë vajza. Njëra prej tyre fatkeqja dhe naivja Mendo Bogjas që e donte aq çiltërsisht Subin, u gjend e mbytur në breg të detit, pranë saj u gjend ora e Subit, në një vajzë tjetër në ADN doli sperma e tij.

Në mbyllje të librit autori lë një dritë shprese. Një kontradiktë që ndodh, ku forcat e mirëfillta janë gjithnjë në pritje për të gjetur një udhëzgjidhje. Në Shqipëri krahas zhvillimeve të përshpejtuara, kristalizohet dhe një mendësi e re e cila shpejt a vonë do të jetë promotorë e zhvillimeve  të mëvonshme të ngjarjeve. Uji që të pastrohet dhe të bëhet i pijshëm e kërkon dyzet guriçka. Dhe të shihet një progres, zhvillim dhe përparim e kërkon një kohë, duke mbartur mbas vetes besimin. Kjo shihet në dy propagandistët kryesorë të librit: Monda Huta dhe Tritan Beku.

Disa mendime për librin autobiografik të profesor Sami Repishti “NË HIJEN E ROZAFËS”


ZOTI NUK ËSHTË QENDRA E FRIKËS POR BURIMI I DASHURISË


Nga Kristaq Turtulli


Disa mendime për librin autobiografik të profesor Sami Repishti “NË HIJEN E  ROZAFËS”

Prof Sami Repishti

Shumë kush nga ne ka dëgjuar dhe lexuar mjaft për intelektualizmin dhe patriotizmin shkodran, të klerit katolik, mysliman dhe ortodoks. Këto tre fe kanë qene në harmoni të mrekullueshme në shekuj si kudo në Shqipëri edhe në Shkodër. Kemi lexuar heroizmin e pashembullt të malësisë shqiptare që mbrojtën me thonj dhe gjak gjuhën, traditën, besën dhe fisnikërinë.

 Klerikë të ndershëm të arsimuar, të përkushtuar ndaj Zoti drejtësisë dhe atdhedashurisë, heronj të heshtur, të pajisur me kulturë perëndimore dhe civilizim, Kolosë të mendimit intelektual: Qysh me të madhin  Marin  Barleti, i cili përshkroi aq madhërisht heroizmin e Skënderbeut dhe të popullit shqiptar, kundër hordhisë turke, perandorisë më të madhe të kohës. Pal Engjellin, me formulën e pagëzimit. Burimorin, origjinalin Gjon Buzuku. Pjetër Bardhin. Pjetër Bogdanin. Ndre Mjeda. Patër Gjergj Fishta. Patër Antoni Arapi. Patër Ndue. Patër Gjonin dhe plot të  tjerë. Të cilët kanë qenë patriotë të mëdhenj, shkrimtarë të shkëlqyer, historianë, kronikanë, lëvrues të gjuhës së bukur shqipe, pishtarë dhe fanarë të përparimit shqiptar.

 Shumë kush nga ne ka dëgjuar dhe lexuar mjaft për intelektualizmin shkodran, të malësisë dhe të klerit, rezistencën kundër komunizmit. Shkodra, vatër kjo e demokracisë dhe progresit Shqiptar.

Ndërsa në kuintat e ndyra u përgatit loja e sigurimit të shtetit për ti fajësuar ata klerikë, besimin fetar dhe me pas asgjësuar, sikundër edhe ndodhi.  Ata u përballën me dinjitet me marrëzinë e kohës dhe u martirizuan egër prej komunizmit. Humbën në vite dhe vite neper burgje dhe birucat, u vranë, u pushkatuan, u zhdukën  pa nam e nishan. Dhe nuk u përmenden. Ndoshta dikush prej tyre tani vonë fare pak. Dhe jo aq sa e meritonin dhe sa kishin sakrifikuar.

 Shumë pak prej tyre, mund ti numërosh me gishtat e dorës, me kosoren dhe lakun në qafë arritën të çanin gardhin e hekurt. Tu shpëtonin plumbave dhe qenve te tërbuar, morën arratinë, shkuan në perëndim. Por me zemër të ndezur prej mallit dhe përkushtimit të pashuar atdhetar.

Një prej tyre është pa dyshim personaliteti, patrioti dhe shqiptari i madh, me kulturë dhe inteligjencë profesor Sami Repishti. Ai ka qenë pjesëmarrës aktiv për të drejtat e popullit Kosovar për vetëvendosje. Ka dëshmuar vazhdimisht përpara Kongresit Amerikan, duke mbajtur lidhje me Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, gjithmonë për çështjen shqiptare. Ka drejtuar Këshillin Kombëtar Shqiptar Amerikan për shumë vite me radhë. Ai ka botuar me qindra artikuj e studime mbi problemet shqiptare dhe te drejtat e njeriut ne shtypin shqiptar dhe te huaj. Është dekoruar disa here nga qeveritë shqiptare dhe amerikane, për merita te shquara dhe për veprimtari patriotike dhe akademike.

Ish profesori i nderuar i Universitetit Adelphi, Sami Repishti tani është në moshën tetëdhjetë e gjashtë vjeçare. Është një histori e gjallë e dhembjes dhe së vërtetës. Një libër i hapur,  dëshmitar okular, për të ndriçuar llambën e së drejtës. Dhe na tregon se individi i vogël rritet, merr përmasa mbinjerëzore, që fisnikërohen nga madhështia e kauzës që i shërben.

Libri : ‘Në hijen e Rozafës.’përshkruhet nga një ndjenjë e fuqishme për vendin, fëmijërinë, Shkodrën fisnike dhe patriotike. Kontradiktat e thella në gjirin e shoqërisë shkodrane, brumosjen e karakterit të tij, e cila i shkaktoi aq mundnim e persekucion. Vuajtjen, mbrojtjen e integritetit kundër vasalitetit jugosllav. Dashuria e pakufishme për nënën, respektin ndaj kujtimit të babait, klerik. Për shokët, miqtë edhe pse i prangosur dhe i torturuar deri në barbari. Në ferrin dantesk, nën presionin e tmerrshëm, si të gjithë të burgosurit e tjerë, viktima të pafaj, atij iu lëkund besimi tek zoti dhe humanizmi. Por përsëri i dalluar dhe i brumosur për karakter të fortë, nuk i humbi këto elemente të rëndësishme. Mbeti njeri, si rrallë të tjerë.

Sami Repishti midis shumë veprave me karakter historik dhe librit me tregime:’ Pika loti,’ tregime nga burgu. Në vitin 2004 botoi librin e tij të merituar outobiografik:’ Në hijen e Rozafës.’ Narracion i hollë,dhembje ,mundim, kundërshti, luftë për dinjitet dhe sensibilitet. ‘Në hijen e Rozafës.’nuk është thjesht një libër që tregon jetën e një individi, por është një analizë e thellë e jetës politike dhe shoqërore shqiptare në harkun kohor njëzet e pesë vjeçar, midis viteve tridhjetë deri në mbarim të vitit 1959 të shekullit të kaluar. Në Shqipëri ndodhën ndryshime të mëdha siç ishte pushtimi fashist, lufta e popullit mbarë për rezistencë kundër okupatorit. Lufta civile, vëllavrasja, si dhe ardhja e komunizmit. Mënyra e egër e vendosjen së diktaturës së proletariatit .Intelektualët e ndershëm e kundërshtuan, u përballën me të dhe u kryqëzuan prej saj.

Si të gjithë të rinjtë dhe Sami Repishti u gjend që në fillim në udhëkryq. Kazani ziente. Ai duhej të merrte një vendim qoftë dhe me rrezikun e jetës. Të bëhej pjesë e rrjedhës të pashmangshme ku kish mbërthye euforia dhe çmenduria.  Ta kundërshtonte atë dhe të përpiqej për një mundësi më të mirë? Ai me kthjelltësi dhe ndërgjegje i tha ‘Jo’ diktaturës dhe morri rrugën që nuk kishte fund, një lundërtar në detin e gjerë, pa brigje. Akti i tij rebel pothuajse e vrau, por e çliroi njëkohësisht.

Sami  Repishti është dëshmitar okular i jetës në ferrin fashit dhe komunist në Shqipëri. Jo si ‘politikan’, apo ‘personalitet’ i makro politikës shqiptare, por si student dhe i ri, i cili u ndërgjegjësua për rolin e vet, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashuria për atdhe dhe dëshira për liri. Ne ato momente të vështira shohim një djalosh të ri me qëndrim të qartë, besnik i vetvetes, i jetës për të jetuar me dinjitet pa kompromis.

Gjatë udhës, thotë autori, takova dhe njoha ma mirë ‘njeriun’ krijesën fisnike, të etur për liri, të djegur për vëllazërim e njëkohësisht të aftë për të zbritur poshtë, në botën ku mbretëron çnjerëzimi ma i plotë dhe vdekja e frikshme. Në këtë botë të nëntokës përqafova viktimën dhe e doja atë me pasion. Kjo dashuri për njeriun mundi dhe kërcënimin e vdekjes.

Sami Repishti lindi dhe hodhi shtat në hijen e kështjellës tremijë vjeçare së Rozafës. U ushqye me legjendën e dhimbshme e magjepse: Një murojë madhështore e pathyeshme ndërtuar mbi trupin e njomë të një nuseje, të një nëne që linte djalin jetim nga respekti i padiskutueshëm për traditën. Ideja e sakrificës që kërkon jetë njerëzore në formën më të ashpër, ushqeu fantazinë e një populli, që mund dhe vdekjen. Më vonë mbretërit që kishin mbajtur dhe mbrojtur këtë kështjellë: Bardhyli. Pleurati. Teuta. Agroni. Deri tek dorëzimi i mbretit Genci, i përcjellë në Romë me pranga floriri.

Në këto histori madhështore të kështjellës së Rozafës dhe qytetit të tij Shkodrës u brumos karakteri i djaloshit të ri, birit të thjeshtë Sami Rapishti.

 Në një pjesë të rëndësishme të librit autori përshkruan pushtimin vendit prej Italisë fashiste. Si priti dhe e përjetoi populli i vuajtur Shqiptar këtë ditë të zezë. Shkodra si e gjithë Shqipëria ishte në tension e flakë. Trusninë e përjetuan dhe shkollarët, për të cilën e përshkruan dhe jetuar autori me aq patos dhe art. Himni kombëtar këndohej pa pushim. Shqetësim, dhimbje për nënën Shqipëri, gatishmërinë e të gjithëve për të shkuar dhe luftuar me armë kundër pushtuesit. Hija e rëndë e pushtimit. Por qëndrimi i popullit kundër pushtimit nuk u fashit, nuk reshtën demonstratat dhe lëvizjet mazive të organizuara. Si i gjithë populli ai vetë po ashtu dhe familja e tij u përfshinë në këtë lëvizje të madhe për liri dhe përparim.

Sami Repishti luftoi pa kompromis kundër çnjerëzimit, pavarësisht nga ngjyra.

Pikërisht në këtë lëvizje frontale ai u përfshi me idealizmin për një Shqipëri të vërtetë me vështrim demokratik perëndimor, duke  futur brenda të gjitha trojet shqiptare të ndara padrejtësisht nga trungu i nënës Shqipëri. Ai u përball në të njëjtën kohë me komunizmin që ish ushqehej dhe shtyhej prej Jugosllavëve: Me moton shkatërrimtare, o me ne, o kundra nesh.

Sami Repishti edhe pse shumë i ri, nuk mund të pranonte një shoqëri që premtonte dhunë dhe urrejtje. Një shoqëri që nëpërkëmbte parimet morale, që ishin bazë e një qytetërimin tre mijë vjeçar. Komunistët nuk i kërkonin trojet shqiptare, as nuk e hapnin këtë kapitull. Ata kërkonin luftë pa kompromis kundër të gjithëve, pronës, fesë, duke shkulur nga rrënjët botën e vjetër, me ideologë të mëdhenj Titon dhe Stalinin dhe me militantë  të brumosur me urrejtje.

Në kulmin e përfshirjes madhore të lëvizjes për çlirim, në mbledhjen e njësitit. Sami Repishti  

ngihet dhe thotë: ‘Unë nuk jam komunist.’

Por ky deklarim burrëror dhe i sinqertë, nuk kaloi pa gjurmë. Pa vonesë ai e kuptoi se tashmë ishte përballë kundërshtarësh, deri tek Lili, vajzën që adhuronte aq shumë. E cila i tha:

 ‘Meqenëse nuk ish i një mendje me ideologjinë komuniste dhe kushdo që nuk e pranon ose kundërshton këtë, është armik që duhet të urrehet dhe të luftohet pa mëshirë.’

 Në këtë pështjellim njerëzor autori i thotë vajzës së zemrës:

‘Lili, ke humbur çka është fisnike tek ti, ke humbur çka është e jotja dhe vetëm e jotja…’

Interesant është gjithashtu debati me të kushëririn komunist. Ata kishin bindje të kundërta. Kushëriri kërkonte ndryshim dhe dhunë pa kompromis. Samiu i thoshte për tolerancë dhe mirëkuptim në interes të vendit. Në fund u ndanë të indinjuar me njëri tjetrin. Shikimi i kushëririt ishte tmerrshëm. Por vetëm dy ditë më vonë, nën errësirën e natës, kushëriri u hyri në shtëpi me hap të shpejtë dhe u tha: ‘Policia fashiste më ndjek. A mund ta kaloj natën këtu tek ju?’ I ati i Samiut, hoxha Hafis Ibrahim Repishti e pranoi pa hezitim në shtëpi  edhe pse e dinte që komunistët ishin ateistë. Besa e shqiptarit është më e rëndësishme se gjithçka.

Në mesnatë fashistët shkatërruan derën në kërkim të kushëririt. Nëna e Samiut e nxori nipin nga dera tjetër. Në shtëpinë e tyre filloi bastisja. Oficeri kapi të atin nga krahu dhe e shtyu me forcë në dhomën tjetër, filloi të bërtiste. Për një klerik mysliman trajtim i këtillë ishte shumë i rëndë, pësoi hemorragji cerebrale, paralizë dhe mbas disa ditësh i ati vdiq.

Erdhi çlirimi i vendit, kjo ngjarje e jashtëzakonshme shoqërohej nga frika e së panjohurës. Kush janë fitimtarët, partizanët, udhëheqësit e pakontestueshëm të rendit të ri që premtohej? Metodat e përdorura ishin të ashpra e diktatoriale. E liruar nga dy regjime, shoqëria shqiptare priste me padurim një periudhë paqeje e sigurie. Por psikologjia e masave të një qyteti si Shkodra që e kish pësuar vazhdimisht invazione nga fqinja e veriut, nuk lejonte pranimin pa kushte të një bashkëpunimi të ngushtë me jugosllavët, praninë e instruktorëve serbë dhe malazezë në të gjitha sektorët e jetës së vendit.

Autori na jep me vërtetësi pamjen e Shqipërisë në vitet e para të pas çlirimit të vendit, varfërinë, euforinë, pasigurinë. Në të njëjtën kohë po ngrinte kokë organizimi i shtetit mbështetur mbi forcën e zjarrit dhe të hekurit. Ekzekutim publike sipas stilit fashist, rreth të pushkatuarve, grupe partizanësh që hidhnin valle, duke kënduar këngën: ‘Lule Sofo, lule djalë.’Ishte mënyra e këtij ekzekutimi ‘të bashkëpunëtorëve’ që tregonte një mospërfillje për shtetin ligjor si dhe mospërfillje për ndjenjat qytetare.

Çdo ditë përsëritnin si në kor: ‘Plumbin ballit, plumbin ballit!Vdekje tradhtarëve!’ Gjithçka ishte llogaritur për të krijuar atmosferën e frikës.  Autori na je jep të saktësi sesi klasa shoqërore shkodrane dhe të malësisë së madhe, dikur e privilegjuar dhe e fuqishme, më vonë e dërmuar prej krizës ekonomike, ndryshimeve shoqërore e kataklizmave të luftës, po avullohej pa lënë trashëgimtarë për zëvendësim. Boshllëku i mbetur ishte i madh dhe i frikshëm.

Në këtë trusni, terror, që po ngrihej përpara syve të inteligjencës së mirëfilltë shkodrane, humbje vlerash të çmuara të traditës dhe kulturës, u ndje nevoja për veprim. ‘Para meje, shkruan autori, ngrihej çdo ditë ma e madhe kërcënuese’ ndërtesa’ që më zinte frymën përgatiste murimin e përjetshëm, si varri i Rozafës viktimë. Ai ishte vetëm njëzet vjet dhe në luftë të brendshme shpirtërore. Për tu fisnikëruar dhe lartësuar. Dhe gjykonte se shoqëria e re, kish vrarë me dorën e vet, ambiciet e saj morale. ‘Njeriu i ri’ që po krijohej ish i përqendruar vetëm në një pikë: ‘urrejtje.’ Tek ai ishte përqendruar një ndjenjë:’ hakmarrja.’ Tek ai, gjithçka ishte e frymëzuar nga një qëllim: etja e pangopshme për pushtet.’

Ndërkohë dy ngjarje të rëndësishme ndodhën në qytetin e Shkodrës. Në maj të vitit 1946 u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste e qetë por e fuqishme, krejtësisht spontane, nën vëzhgimin e Sigurimit. Ishte funerali i arqipeshkvit katolik që vdiq, ndërsa mbahej në gjendje arresti, në shtratin e vdekjes. Ndërsa më 9 shtator 1946 ndodhi ‘Lëvizja e Postribës’.Këto dy ngjarje u bë shkak të ‘spastrohej’ i gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe. Brenda një muaji qyteti kishte njëmbëdhjetë burgje të përkohshme dhe më shumë se njëmijë e dyqind të arrestuar. Hija e rëndë e ekzekutimeve ishte kudo.

Arrestimi i autorit të librit: ‘Në hijen e Rozafës,’ ndodhi në mbasdreken e 22 tetorit 1946. E flakën në qeli. Dhe qysh në momenti e parë u përplas me dhunën e egër dhe torturën e cila i vazhdoi për shumë muaj me radhë për të pranuar fajin e pakryer. Ai e mendoi shpesh vdekjen. I mbyllur, i torturuar shumë pranë hijes së kështjellës së Rozafës.  Ardhja e nënës për të vizituar në burgun e spitalit dhe dhuna e egër nga saj prej rojeve. Autori me shpirt në dhembë i thotë rojës: ‘Unë nuk do ta shkelmoja kurrë nënën tende.’

Më në fund mbërrin gjyqi, një farsë e zakonshme, turma të eksituar që bërtasin. Gjykatësit, prokurori, vetë flasin, paraqitin akuzat e rreme dhe vetë vulosin. Heshtje prej të akuzuarve, pastaj dënimi me pesëmbëdhjetë vjet burg, shumë të tjerë me pushkatim. 

Më 28 nëntor 1947 e transferojnë në burgun e madh. Solidariteti i të burgosurve , të cilët heqin kapotën nga vetja dhe ja japin më të dobëtit. Aty autori ra gjithashtu në kontakt me klerikë dhe të njerëz shquar të burgosur padrejtësisht, të cilët ndihmuan në forcimin dhe vendosmërinë e karakterit. Më vonë puna kapitëse në kampet e punës. Shpirtligësia e gardianëve dhe rojeve të burgut nuk kish kufi. Po ju jap disa shembuj: ‘Një oficer duke u tallur urdhëroi heqjen e mjekrës së një imami shtatëdhjetë vjeçar. Imamit lotët i binin rrëke. E tallura e oficerit vazhdoi: ‘ hoxhë, a ndjehesh më mirë tani?  Imami plak u përgjigj me zë që dridhej prej dëshpërimit:  ‘A nuk turpëroheni prej pleqërisë sime?’

Apo shehu plak nga Luma, i dërmuar prej plagëve dhe torturave thosh shpesh: ‘Zoti nuk është qendra e frikës siç e propagandojnë këta, por burimi i dashurisë.’

 Ose talljet e tejskajshme të rojeve kundër priftërinjve të përgjakur dhe të munduar: ‘Ore uratë, sikur të kisha atë Zotin tënd tani këtu, do ti a thyeja brinjët me këtu dru lisi, dëgjove ore?

Autori në burg takoi klerikët e akuzuar padrejtësisht për fshehje armësh në kishë. Autori takoi gjithashtu dhe dëshmitarin okular i cili e dinte mirë të vërtetën, por të gjithë u pushkatuan dhe humbën në rrëpirat ku frynin erëra të mëdha. Krahas punës së rëndë rraskapitëse, në baltë erë dhe të ftohtë vazhdonte tortura dhe marrëzia e rojeve.

Në protestën më të vogël: ‘Unë nuk jam kafshë pune,’ tha një i burgosur. Ndëshkimi i sh mesjetar: ‘Je armik i poshtë o derr i derrit.’u tërbua roja dhe i vuri cigaren e ndezur në sy. Viktima lëshoi britmë therëse dhe i tha: ‘ O, Aristidh Karrabeci. Edhe Zotin mund të harroj, por jo fytyrën dhe emrin tënd.’

Më në fund më 1 korrik 1956 Sami Repishti u lirua prej burgut. Por u përball menjëherë me  vuajtjen e urinë e familjes, ata nuk kishin bukë ti nxirrnin. Varfërinë e një populli të tërë, të cilët jetonin me triska për një kile sheqer ose oriz. Si dhe propaganda e shfrenuar komuniste për mirëqenien e popullit të vet, heroik, luftarak dhe paqedashës.

Kështu ai doli nga një burg i vogël dhe u përball me burgun e madh,ku vuante një popull i tërë i indoktrinuar deri në marrëzi. Ndiqej, përgjohej  ngado. Tehu i mprehtë i arrestimit të dytë rëndonte çdo minutë mbi kokën e tij. Çdo lëvizje që ndodhte në vend ose në botën matanë telave me gjemba, emri  i tij ishte në listë për tu arrestua dhe ekzekutuar. Samiu ishte në dilemë të madhe. Ikja dhe mos ikja. Vetësakrifikimi dhe e drejta për të jetuar. Ai nuk ish si gjithë të tjerët. Mbasi nuk bëri asnjëherë kompromis me dinjitetin në kulmin e tmerrit, mundimit dhe të torturës. Atë e mundonte në të njëjtën kohë hakmarrja e pushtetit ndaj fatit të nënës dhe njerëzve të tij.

 Me dhimbje dhe art ka përshkruar autori monologimin në varrin e të atit: ‘Kështu më deshe, besnik të vetvetes. Ti më mësove të luftoj për parime të drejta, që kërkojnë vuajtje dhe sakrificë. Të lutem babë falu për mue…’Kontrasti i filozofisë së jetës, mes babës dhe djalit ishte i plotë…

Gjendja e Samiut mori karakter tragjik. Çdo minutë ai ish i ndërgjegjshëm për arrestimin , burgosjen dhe ekzekutimin. Një jetë  me vuajtje të padurueshme dhe të përhershme nuk është jetë. Vdekja me dinjitet është më e pranueshme. Le të goditej prej rojeve të kufirit në se zbulohej por nuk kish më kthim prapa.

Dhe ai më 23 gusht 1959 bëri arratisjen nëpërmjet lumit të Bunës.

Pse shkruaj? thotë autori në parathënien e librit. Jam  viktimë e, denoncimi i krimit e kriminelit. Justifikon mbijetesën time. Zbulimi i dhimbjes se vuajtur e ngre viktimën në sferën e absolutes dhe hedh dritë mbi fajtorin e frymën e së ‘keqes’. Drita këput vargonjtë e lidhur në errësirë. Drita sjell lirinë…

SYRI I RITES


Nga Kristaq Turtulli


SYRI I RITES

                        KAPITULLI  NJËZET E TRE

                                                            Vërtet beson në moralin e pështirë..?

Syri i Rites

 Eli Begolli i kërkoi Rezeartes të vinte e te takohej me të. 

Rrezearta porsa kapërceu derën e mesit që të çonte në korridor, dëgjoi Elin që bërtiste dhe lëvizte krahët e bëshme, si e prishur nga mendtë. Ajo qëndronte në mes të korridorit të katit të parë me këmishë nate. Një fëmijë, vajzë e vogël, disa muajsh i volli në përparëse. E vjella e saj ishte lumë vreri. Femijën e gjetën të braktisur në stacionin  e trenit. Eli shkoi në dhomën e saj, tërhoqi nga dollapi i vjetër përparëse tjetër, e veshi me bezdi pa ndërprerë ulërimat dhe të sharat.  Rrezearta kishte qëndruar mbështetur mbas murit. Eli bariti drejt saj, e vështroi një copë herë me habi, si ti thoshte, ‘çdo ti këtu.’ U kujtua, i ra ballit me pëllëmbë dhe pa përshëndetur i tha:

‘- Dy ankesa kundër teje kanë shkuar në komitet të qytetit, prej simotrat e shtëpisë së fëmijës. E lezetshme është se ato shushka të mjera, nuk kërkojnë tu jepet secilës dhomë më vete, të sistemohen si të gjithë bota, ngulmojnë pa kompromis ti hiqet dhoma Rrezeartës. Uh, kurvickat e gjora, dinë vetëm të pallohen. U ka marrë koka erë.’

Rrezearta mblodhi buzët dhe luajti kokën me trishtim:

‘-Para disa javësh ishte tek unë Valiu, shefi i strehimit,’- foli Rrezearta me zë të ulët duke vështruar mënjanë.

Eli Begolli tundi kryet me nervozizëm dhe shtroi përparësen e zhubrosur, mbërtheu tre kopsat e para dhe i a pat:

‘-Dhe ti nuk ja le, përzure me bisht në shalë goxha shef strehimi qyteti. Ai të dha një dhomë të mrekullueshme si fole pëllumbash. Ti pa u menduar gjatë i dhe duart!’

Rrezearta i nguli sytë me vëmendje fytyrës së mbufatur të Elit, ngriti supet.

‘-Eli,’- foli me zë të ulët: ‘-Nuk mund të veproja ndryshe.’

‘-Ashtu posi,’- ia pat Eli dhe vazhdoi të shtronte përparësen e zhubrosur: ‘-Ajo strehës e kërkon një çmim, ndryshe do mbash gjithë putanat e qytetit mbi shpinë.’

Vajza fërkoi me inat syrin e majtë, derisa e skuqi dhe mërmëriti:

‘-Eli, ti e dije?’

‘-Sigurisht që e dija,’- u përgjigj Eli me moskokëçarje. ‘-Ç’më di mua, shushkë, femër koti e prishur nga mendtë,hë!  Qe di të pastroj vetëm mutra e të vjella te dobicerve!’

‘-Nuk më lajmërove?’-e pyeti vajza e indinjuar.

‘-Të lajmëroja,’- bërtiti Eli e fyer, kësaj vajza kish filluat ti hynte vetja në qejf: ‘-Ç’është kjo pyetje idiote! Kush je ti, kush jam unë. Hiç. Sa për dijeni nuk jam jot ëmë, dhe as shoqja jote, gjithashtu nuk jam as postiere e broçkullave dhe epsheve të shkrehura njerëzore.’

‘-Eli të  lutem,’-ia bëri Rrezearta e zverdhur ne fytyrë.

Eli e vështroi pjerrët, me mundim mbuloi shkëndijimin e keq në sy dhe nënqeshi lehtë. Nuk e përkrahu dhe e inkurajoi Rrezeartën për mëshirë kristiane, si nënë Tereza që jetonte diku në Kalkutë të Indisë së largët, por ngaqë pëlqehej dhe lakmohej prej meshkujve; trupi, gjoksi, këmbët, mbi të gjitha fytyra ekspresive i bënte shefat tu binin jargët. Me marifet ajo donte ta fuste vajzën në çetë, ku bënin pjesë më të zgjedhurat dhe më të ndezurat e femrave të qytetit. Eli Begolli kish vite që luante rolin e madamës, afronte femra të reja të hijshme, të zjarrta. Zyrtarët e shtetit të lodhur prej detyrave të mëdha dhe streseve kishin nevojë për një strehë të ngrohtë ku të çlodheshin, të shfrynin epshet. Della me kompani e pranuan pa kompromis ofertën e Eli Begollit, por u flakën shumë shpejt tutje si kafshëza të vogla, të cilat u binin teneqesë, të linin në mes të rrugës, fshanin marrëzi dhe mendjeshkurtri të konceptueshme. Ato nuk ishin të denja të qëndronin në elitën e seksit qytetar. Në çetë merrte pjesë dhe nusja e plakut Pal Dograja, ishte energjike e papërmbajtshme në seks. Shef Valiu njihte mirë vrimë dhe vërushkë të asaj shtëpie.

Rrezearta ish tjetër brumë e bukur e zjarrtë e kujdesshme, si panterë e vogël, mbarsur dhe dështuar në moshë shumë të re e fshikulluar prej jetës, nëpërkëmbur, por jo e plandosur përtokë për tu bërë kleçkë në dhembët e të tjerëve. Eli Begolli mendoi se ndërhyri në kohë kur pa vajzën të dekurajuar.

‘-Rrezearta,’- nisi të fliste me kujdes dhe maturi Eli Begolli: ‘-Ti je fill e vetme në këtë botë, pa njeri të afërt, pa përkrahje. Jo pa qëllim të kam thënë: Njeriu në jetë duhet një mik të fuqishëm ti mbarojë punë dhe një armik ta vrasë. Të kujtohet?’

‘-Po..!’

‘-E pra, Valiu është padyshim mik i fuqishëm të mbaron punë, të mbështet në çdo hap të jetës…

‘-Eli, ti thua të bëhem dashnorja e tij?’ -e ndërpreu zëngjirur Rrezearta.

Eli mblodhi supet me moskokëçarje dhe i foli me ton të akullt:

            ‘-Ç’të keqe ka të bëhesh dashnorja e një personi me rëndësi në qytet, është një shans i rrallë. Po ju përsërit, një vajzë në moshën tuaj e do një pikë ku të mbështetet.’

            ‘-Eli me gjithë mend e ke? Të lutem mos më çmend, ti kërkon të bëhem kurvë?’ bërtiti Rrezearta me sa zë kishte në kokë. Ajo dridhej shkumëzonte prej inatit. Disa fëmijë jetimë zgjatën kokat të trembur.

            Eli hiqej tmerrësisht indiferente, ngriti dhe uli me përbuzje krahun e majtë dhe foli me ton të bezdisur:

            ‘-Kush thotë të bëhesh kurvë! Sa larg qëndron kurvëria! Vajzë kujdes, mos kalo në ekstrem të lutem, të dashurosh dikë, cilido qoftë ai nuk do të thotë kurvëri. Ti e di mirë unë bëra sa munda për ty.’

            ‘-Unë të jam mirënjohëse për sa keni bërë’- foli ultazi Rrezearta por pa shumë dëshirë.

            ‘-Atëherë përse nuk do të dëgjosh deri në fund  këshillat e mia të vyera? Kush të ka ndihmuar më shumë se unë në këtë botë të poshtër, hë fol kush?’- e pyeti drejtpërdrejt Eli Begolli: ‘-Rrezearta, dëgjomë mua që jam e rrahur me vaj dhe me uthull prej jetës, je në lule të moshës, mban erë trëndelinë, mos e lërë veten të shkosh për dhjamë qeni. Ti moj vajzë akoma nuk e kupton sa e pushtetshme do jesh mbi burrat, mbi të gjithë, po të kesh marrëdhënie me një person me pozitë. I madhi Zot këtë vrimë të shkretë, që gjendet në mes të shalëve të femrës, nuk krijoi vetëm për të bërë shurrën, por më shumë e krijoi si prag prehjeje seksuale të mrekullueshme, çmendurake, ndezëtare, që ngre dhe përplas përtokë një botë të tërë. Rrezeartë  të lutem mos i bjer të mirës me këmbë, një vajzë jetime askujt nuk i hyn në pjesë. Shijoje jetën ashtu siç të jepet pa kokëçarje…’

            Fytyra e Rrezeartës ish zverdhur, trupi i dridhej, goja po i bëhej e hidhur farmak, figura e edukatores Eli po humbiste nëpër pështjellime:

            ‘-Eli,’- e ndërpreu ajo me ton të rëndë: ‘-Mos më detyro të urrej. Për të dëgjuar lumin e turbulluar të fjalëve më thirre?’

‘-Për këtë thirra! Lumin e turbulluar të fjalëve! Kështu i quan ti këshillat e vyera?’ u grind Eli e nervozuar dhe kroi gjoksin me thonj derisa e gjakosi: ‘-Hëm! Nuk doje të thërrisja, nuk doje të vija në dijeni për letrat tendencioze, të poshtra të jetimeve të mjera kundër teje? Shumë keq e shpërdoron ndihmesën time të sinqertë. Mirë, mirë, mos u mërzit nuk të thërres më. Edhe nëse  kthehesh përsëri këtu të jetosh, nuk do të flas me gojë.’

‘-Eli të lutem, mos e tepro,’- ia bëri Rrezearta dhembështrënguar: ‘-Unë më mirë të mbytem dhe këtu nuk kthehem më.’

‘- Ha, ha, ha,’-ia pat Eli Begolli ajo dukej si e shkapërderdhur: ‘-Bëra shaka. Budallaqe e vogël, nuk të braktis ty Eli jo. Uf! Jam femër e rëndomtë. Femrat kur mplaken pështirosen, gjepurojnë pak si tepër. Sidoqoftë ti vajzë akoma beson në moralin e pështirë, askush nuk ka të drejtë të gjykojë ty. Ti i përket vetvetes, qysh kur erdhe këtu e mbështjellë lurek dhe deri tani. Flasim gjithnjë me idiotësi për moralin dhe ndershmërinë. Bah! Rrezeartë, ky moral që kujton ti ka shkuar si vapa me gushtin. Hëm, nuk ka përse të jesh më e mirë nga ç’duhet, mirësi të tilla shërbejnë vetëm në vendet e kultit, por edhe atje myku i kohës së vjetër të tërbon prej pervesitetit, ta sjell mendjen vërdallë. Kështu epshe të çartura, gjepura, marrëzira idealizma…

‘-Eli të besoj që jeni ajo që njoh unë, apo dikush tjetër? Më mirë më thuaj që jam shumë e lodhur,’- foli të ulët Rrezearta duke e vështruar ngulët, me dyshim dhe shtoi: ‘Ndoshta duhet të bëni pak pushim.’

‘-E jam, ca e lodhur, jam, ndoshta mund të bëj dhe pak pushim,’- mërmëriti Eli dhe fshiu me inat qafën e trashë që i kruhej prej djersës.

Eli Begolli ndjehej e nxehur me veten, rrëgjimi po e shkundte prej themeleve, nuk diti ti hidhte siç duhej me zgjuarsi kësaj bushtre të vogël. Mbase e inkurajoi më tepër nga ç’ishte e nevojshme, Ta kish lënë më gjatë nën kthetrat e Dellës dhe të nevojtores, shtëpisë së fëmijës. Idhnake e ndyrë kjo femër, harroi që hodhi një doç në plehra, qysh kur ish spurdhjake, hëm! Ç’e gjeti atë që bëri pallë, u shkërdhe si desh dhe me kë desh, me shefa dhe drejtorë. Eli Begolli kish qenë e plotfuqishme, vendimmarrëse e kudogjendur, ndoshta më shumë se Sekretari i parë i rrethit ose Kryetari i degës së punëve të brendshme. Të gjitha ata vinin në qytet me zulmë dhe bujë, iknin me bisht në shalë, disa prej tyre arrestoheshin në mesnatë dhe pushkatoheshin anës lumit me nga një plumb prapa kokës. Ndërsa Madama e respektuar qëndronte në pozicion, në krye të çetës, syri veshi, mendja e qytetit. Mbase ish koha të tërhiqej mënjanë…

 Për të davaritur mendimet e mugëta, Eli i a plasi të qeshurës me të madhe, ngriti sisët dhe rregulloi sutjenat e përdredhura. Kopsat e përparëses i kishte mbërthyer shtrembër, e zbërtheu. Duke tundur kokën lart e poshtë, filloi ti mbërthente kopsat nga e para. Ajo ishte nervoze e paduruar, xheloze e mjerë.

‘-U plake, harraqe e ndyrë,’- ulëriti me sa zë kishte në kokë: ‘-Po shkon për lesh Eli Begolli.’

‘-Eli të lutem, mjaft,’- foli ultas Rrezearta.

Gruaja e vështroi pjerrët:

‘-Mjaft thua, të vjen keq për matufen Eli? U ndjeva e zhgënjyer’- ajo dukej e shkërmoqur.

Rrezearta e vështroi pa folur, sytë e saj ishin të vëmendshëm shpues. Ajo u pendua që u kthye në shtëpinë e fëmijës. Lëvizi shpatullat e bezdisur dhe hodhi shikimin drejt derës. Eli u tremb, ndoshta vajza i a bleu mendimet.

‘-Nuk dua tu vijë keq,’- gërhiti: ‘-As ty e as një njeriu.’

‘-Jo nuk më vjen keq,’- u përgjigj vajza ftohtë: ‘-Eli, ti sigurisht nuk e do mëshirën?’

‘-E urrej keqardhjen, edhe ti gjithashtu?’

‘-Po.’

Eli u kollit, kërkoi gëlbazën në fyt me zhurmë, e gjeti, e vërtiti nëpër gojë, bëri buzët rrotullak, e flaku, pështyu përdhe, u kthye dhe vështroi buzagaz drejt vajzës:

‘-Rrezeartë mirë bëre që nuk ja le dhe e zbove me hosten atë steril muti. Përherë një lepur i shpifur, këf- këf dhe asgjë. Do ta neveriste atë punë.’

Eli donte ti thoshte gjithashtu se Valiu ishte i frymë me një mllef të madh të hidhur, por heshti. Vajza po shkiste larg, ndjehej e përgjegjshme se kish bërë mjaft. Kjo teveqele kujtonte se dhuratat falen pa interes dhe bota ish lesh arapi. Tani le ti bënte vetë ballë furisë dhe hakmarrjes së shef Valiut.

Rrezearta e dëgjonte pa folur. Eli ishte si gjithnjë e mirinformuar, fjalë ndyrë, pa dallime të veçanta nga banorët, punonjësit e shtëpisë së fëmijës.

Diku matanë u dëgjua zhurmë e madhe, thyerje xhamash. Vajza ishte në pritje të ndonjë këshille të saj, ndërsa Eli zë grindur befas i tha:

‘-Ikë tani Rrezeartë, mbushu, e ndjej, po më kërcejnë përsëri nervat. Ky azil muti po më ha të gjallë, se sheh po më bluan kockat.’

Vështrimi i Elit ishte i errët, i egër, kroi grykën me nervozizëm, mblodhi gëlbazën  e rrotulloi një copë herë nëpër gojë e bëri lëmsh të lagësht dhe e flaku në qoshe të korridorit me forcë. Me shumë mundim e kish përmbajtur vrerin të derdhej nëpër korridor, gëlbaza ish një pako gjë, duhej të flakte shumë të tilla, ndryshe do plandosej në shtrat e shpartalluar.  Eli nuk i durohej sa ti kthente shpinën, por jo ta harronte. Nuk mund të falte dhe të hidhte mbi shpinë me moskokëçarje një gjë që e gatoi me kujdes. Ujkonjave të vjetra plagët dhe dhembjet nuk u shërohen shpejt, u kollit me zhurmë dhe u drejtua me shpejtësi, duke u tundur, ngjitur shkallët si patë e shqyer.

Rrezearta vështroi një copë herë e menduar, muret, dyert e deformuara nga lagështia dhe dyshemenë e pistë të katit të parë. Në katin e dytë, ndoshta e në të tretin u dëgjuan të bërtiturat e Elit dhe dyert që përplaseshin.

‘-Mbani qetësi dreqi e morri,’- u dëgjuan të bërtiturat e Elit.

Rrënimi po trokiste zhurmshëm në shtëpinë e fëmijëve ‘Meri’ Qindra fëmijë të vobektë kishin lënë nëpër mure gjurmët e tyre, pikëllimin, trishtimin , ngashërimin, shpresën e vakët, ëndrrat e shurdhëta, ngazëllimin e beftë. Të gjitha po thërrmoheshin ngadalë, me neps prej lagështirës…

Vajza iu mblodh një lëmsh në fyt, doli me hapa të shpejtë…

Kristaq Turtulli

MUNGESA E LIRISË DHE OPTIMIZMI SHQIPTAR




Krijuesit në diasporë: Xhevat Muqaku


Nga  Ramiz Dërmaku

Xhevat Muqaku është një poet i ri dhe interesant i cili për herë të parë i paraqitet lexusit me një llojllojshmëri motivesh të ndryshme ne të cilat dominon vargu me rimë, të një bote të mbrojtur me dinamikën optimiste të ditëve tona. Autori edhe pse me profesion është  mjek,  atë e impresionon çdo gjë, që paraqet të bukurën, njerëzoren, altruizmin, humanizmin, duke e dashur, respektuar e nderuar njeriun dhe vendlindjen-Kosovën. Autori ndien dhembje të madhe për fatin e popullit shqiptar të privuar nga liria, për fatin e Kosovës, Kosovës Lindore, femrës në Kosovë e diasporë, shkollës plotësuese shqipe në mërgim, çështjes kombëtare dhe atdheut.  Kam ndjerë krenari të vërtetë duke e lexuar këtë libër. Kam përjetuar në largësi një ndërlidhje të shumëfishtë, një shqisim dhe përfytyrim universal dhe të pashpërbërshëm me autorin, i cili ishte konvertuar fuqishëm dhe thellësisht në çdo ind të librit, në këtë pasaport emblematike dhe tipike përfaqësuese të vetvetes dhe të kombit që e përfaqëson denjësisht.

Kam besuar jo vetëm tek idetë e pavdekshme, po akoma më tepër, tek interesat dhe tek të drejtat e pavdekshme dhe të patjetërsueshme të kombit.
Sipas autorit të librit “Nuset e Erës”, mësojmë se humbjet janë të përkohshme. Se disfatat potencialisht mund të kthehen në fitore. Kam rigjallëruar vetëdijën time, kam kuptuar se humbjet janë të përkohshme. Se disfatat potencialisht mund të kthehen në fitore.  Libri i mençur dhe kurajoz i poetit Xhevat Muqakut është libri i një poeti popullor dhe kombëtar.
Xhevat Muqaku, është njeri i kompletuar fuqishëm për nga dijet, për më tepër një intelektual guximtar, ky në librin “Nuset e Erës” , shkruan me serizitetin më të madhë. Libri i poetit të ri, është tërheqës për lexuesin dhe shumë lehtë për ta kuptuar.

Xhavat MuqakuPoeti i ri Xhevat Muqaku, nuk qëndis ornamente fjalësh, nuk bën stolira të kota retorikash luksoze e krejt të padobishme, por ai me përkushtim të madh e paraqet realitetin ne të cilin jeton, si në libër, poashtu edhe gjatë bisedave kur deklaron se e kam luftuar dhe e kam fituar luftën mbi vetminë, mbi dëshpërimin, mbi degradimin mbi kultet dhe tabutë. Për Muqakun çështja shqiptare nuk është një mit i rrugës. Duke e lexuar këtë libër m’u kujtuan fjalët e mrekullueshme të dijetarit të madh shqiptar Frang Bardhit, i cili qysh me 1.636 shkruante: “Përkrahni lirinë e natyrshme të njerëzve dhe diturinë e tyre me liberalitetin më të madh. Sepse vetëm kështu, -shton ai, -do ta paraqesin para syve të tu të vërtetën lakuriqe dhe të panjollosur, sepse e vërteta nuk ka nevojë të lyhet dhe stoliset me fjalë të bukura. Sipas Aristotelit, vërtetë njeriu është “kafshë politike” po në ato kushte dhe rrethana që e realizojnë historinë, jo si një zoologji instinktive, po si një politikë mbikafshore dhe tërësisht njerëzore, pra të kthimit të kafshës në njeri dhe jo të njeriut në kafshë, rrjedhimisht, të politikës në histori dhe jo të historisë në thjesht politikë, një lojë që din të lyhet dhe të stoliset me fjalë të bukura”.

Xhevat Muqaku, edhe më tepër do të motivohet të shkruajë kur shihte se si jetojnë popujt e tjerë e kanë lirinë. Ai ndjente dhembje për popullin shqiptar i cili jetonte në robëri. Në momentet më vendimtare kur ai hudhej në mendime, kur digjej nga malli e mërzia, sikur gjente forcë që t’i shkruaj këto vargje. Poezia e Xhevat Muqakut është e mbushur me plot kuptime dhe preokupime të përgjithshme që burojnë nga e veçanta. Ne disa poezi të tij çështjen kombëtare e gjejmë si një dhuratë të mirëseardhur. Mungesën e lirisë Xhevati, e ndjen si dhembje për fatin e popullit të tij. Ajo është e preokupuar me ndarjen e padrejtë që iu bë popullit shqiptarë nga të tjerët. Poeti i ri, në librin ” Nuset e Erës“ flet për dhembjen që ndjen ndaj popullit, dhe merr guximin ta shpreh realitetin në të cilin jeton populli shqiptar.

Autori shkruan edhe për dasmën shqiptare, për doke e mite dhe zakone shqiptare, për gëzimin e vallen dhe këngën. Duke qenë i revoltuar për mungesën e lirisë, poeti shkruar për ëndrrat e mërgimtarit, për tunelet dhe mollët e arta, për meditime, skulpturë, përjetime, lamtumirime, për motra, mësuese e shumë e shumë tema tjera të cilat e mundojnë mërgimtarin në diasporë. Poeti Xhevat Muqaku,siç duket, edhe pse jeton në mërgim, ai na shkruan edhe për dashurinë ndaj familjes, motrës, vëllaut, dasmës etj. Citoj: “Të skuqur në Parajsë/ Lotojnë ditë e natë/ Gjumi nuk i provokon/ Durojnë presin gjatë.” Pra po ti analizosh këto vargje do bindesh se ky poet i ri  shumë shpejt do të bëhet emër i njohur në poezinë tonë shqiptare. Nga këto vargje shohim se poeti i ri, Xhevat Muqaku, dikur ishte i rrembyer nga kthetrat e dashurisë. Dashuria tek ky poet është kuptim i gjërë dhe i përgjithshëm dhe i veqantë, publike dhe intime, e largët dhe e afërt, në disa raste ai ndjen një urrejtje, por prap triumfon dashuria ndaj familjes, arsimit, çështjes kombëtare -, atdheut dhe jetës. Ajo që duhet ceket është se Xhevati është në mesin e poeteve të parë të këtyre viteve në disporë. Ne po e përfundojmë këtë shkrim me shpresë se ky poet do ta vazhdon rrugën që ka nisur edhe ne të ardhmen.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...