Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/19

POEZIA DËSHIRA TRANSPARENTE E SHPIRTIT POETIK



Nga Fatmir Terziu
Natyrshëm fjala e ëmbël, e përzgjedhur flet me një gjuhë të qartë, aty buron vetë dëshira e realizimit të ëndrrës së ngrohtë e mikpritëse poetike. Pikërisht aty ku poeti gjen fjalët edhe fjalët e përqafojnë fjalën e dëshirën e shprehur të poetit në vargje: “Ti nuk je/retë mbi qytet me nevrikosin/dhe shiu më lag bashkë me vargjet” (Bruqi, poezia: Qyteti ku të prita). Ndryshe retorika e Shefqet Dibranit nuk do të kishte atë vlerë që ajo ka në paraqitjen e saj artistike: “Në kohën kur po pushkatoheshin intelektualët/Ngritën në tempull vëllezërit analfabetë./Më thuaj ardhmëri, ku shkohet/Me logjikën kooperativiste të baltës?” Vajë medet sikur kjo të rindodhte edhe me poezinë sot.



Aspekti kohë, vend, pasqyrim, frymëzim dhe detaj artistik nuk mund të kuptohet pa rezonancën dhe timbrin që popullorja e thjeshtë i jep si model ushqimi poezisë, veçanërisht asaj poezie që rrokjen e merr hua nga tradicionalja dhe dëshira për një realizim të asaj që shpirti e pret dhe e ëndërron prej kohësh. Pra poezia është dhe mbetet një dëshirë transparente e shpirtit poetik të poetit në kohë dhe vend të përcaktuar. Kështu koha dhe vendi që zgjojnë dhe pasqyrojnë tematikën poetike ka rrëndësi të dyfishtë. E tillë është edhe poezia e Ndue Hilës, që pret e përcjell këtë aspekt kohor dhe vendor në një tematikë tashmë mbarëpopullore për të gjithë poetët shqipshkruajtës. Tematika e Pavarësisë së Kosovës e shkruar në vargje ka shpërthyer në tërë këtë gërshetim dhe ka marrë një formë të re të shprehjes së dëshirës dhe gëzimit kolektiv. “Pritja më durin nuk ka” thotë në titullin e një poezie Hila dhe ndërsa më pas ditën e madhe të pritjes e simbolizon me foshnjën dhe gëzimin e lindjes së saj: “Po presim të lindi/Një foshnjë e lindur/Po presim ta pagëzojmë në emër/Emër të bukur ka/Perëndia Shenjtnore emrin ia la/Presim të gjithë, po presim/Në çdo cep të botës mbarë”. Kompletimi i metamorfozës poetike në komponentin dual të dëshirës dhe frymëzimit poetik padyshim që gjen ushqimin e vet në brazdat e moçme të folklorit shqiptar, ku spikat tashmë edhe ndërthurja e lirikes me modernen dhe më tej me të thjeshtën e qartë dhe të kuptueshme të simbolikës poetike. Ajo që vjen nga frymëzimi Kutelian, me poezinë e tij të hershme “QËNDRIMI” ku shprehet në vargjet: “Jam shqiptar/e kosovar;/zot e krenar,/zot e bujar/mbi këtë dhé,/q'e kam si fe,/e përmbi fé:/E kam vatan!” sot kuptohet qartë në krijimtarinë e përkushtuar kësaj tematike. Le të shohim se si konkretisht kjo tematikë aspiron dhe realizohet.
Poeti Riza Lahi tek poezia “PRITMË SE PO VIJ” të cilën ia kushton poetit luftëtar Hajdin Abazi shprehet direkt me vargjet prekëse e dhimbjengjallëse për Nënë Kosovën, nënën e robëruar por tashmë krenare “O moj nënë e poshtëruar,/Robëruar e dërrmuar,/Mish e kocka masakruar/Më s’duroj, por do të kthej”. Herronjtë e Kosovës është jo më ana tjetër që ushqen këtë temë, por tema që frekuentohet më së shumti. Poeti Agim Doçi gjen dhe seleksionon këto vargje: “Shirat e vjeshtës dhe psherëtimat/Më sjellin pranë shokun e shtrenjtë/Atë që/shkrepte si vetëtimat/Dhe tokën nënë e kish të shenjtë” të kthej dhimbjen për mikun e poetit dhe luftëtarin e Lirisë Agim Ramadanin. Pra shihet qartë se poezia dhe Kosova janë një vatër, një strehë ku strehohet malli dhe dëshira poetike që asaj t’i shërrohen sa më shpejt plagët. Poezia dhe poetët kanë qenë dhe janë prej kohësh inicuesit e këtij evenimenti jetik që shtrohet me qilimin e bujarisë poetike. Kështu ka qenë edhe në ato kohë ku Kosova strehonte vargun poetik lirik shqiptar, kur vargu shqiptar krenohej me Kosovën. Lasgush Poradeci ndoshta është një shembull më i qartë në këtë mes. Jo më kot Petraq Kote shkruan “Lasgushi botohej e ribotohej në Kosovë ato vite. Këtej letërsia e tij ishte futur në bodrumet e shpirtit të lig komunar. Emri i Lasgushit atje përtërihej me lindjet e reja të fëmijëve (Lasgush Kyçyku, Ferizaj 1986), këtej fshihej nga faqet e leksikonëve. Kosova dhe Lasgushi ishin dhe janë motër e vëlla. Nuk mund t’i shikosh e imagjinosh jashtë njeri - tjetrit ata. Jashtë shtëpisë shqiptare njëri e brenda shtëpisë përgjysmë, tjetri” (Kote, 2007). Ajo që Arshi Pipa do të nxirte nga zemra e tij më 1958 padyshim plotëson më së miri tematikën e sotme ku gërshetimi i vlerave rimbursohet me detajet e mirëfillta poetike: “O toke e bukur ku fjala burrneshe/ ilire ushton qysh me mjegull gojdhane!/gjoks i Shqipnis, ku e ndryme si luaneshe/ nder hekura gjemon zemra Dardane”.
Larmia e krijimtarisë poetike kushtuar dëshirës së Pavarësisë për Kosovën natyrshëm në kohë dhe vend gjen hapësirë të mjaftueshme për të realizuar shpirtdëshirën dhe vrullin poetik në vargje të shijuar poetikisht nga të gjithë. Por ajo që poeti Flori Bruqi gjen dhe gatuan me vlera artistike është padyshim medalja e vetëmerituar që vargu dhe arritja e poezisë shqipe i dhurojnë poetit. Me një vlerë tepër artistike ai shkruan mjeshtërisht: “Këtë poezi Nënë/nga zemra e shkrova/dhe hije azhuri/s’i futa Brenda/Ti kërkon dritë/se ishe Dritë/siç janë Drita/të gjitha Nënat”. Natyrshëm fjala e ëmbël, e përzgjedhur flet me një gjuhë të qartë, aty buron vetë dëshira e realizimit të ëndrrës së ngrohtë e mikpritëse poetike. Pikërisht aty ku poeti gjen fjalët edhe fjalët e përqafojnë fjalën e dëshirën e shprehur të poetit në vargje: “Ti nuk je/retë mbi qytet me nevrikosin/dhe shiu më lag bashkë me vargjet” (Bruqi, poezia: Qyteti ku të prita). Ndryshe retorika e Shefqet Dibranit nuk do të kishte atë vlerë që ajo ka në paraqitjen e saj artistike: “Në kohën kur po pushkatoheshin intelektualët/Ngritën në tempull vëllezërit analfabetë./Më thuaj ardhmëri, ku shkohet/Me logjikën kooperativiste të baltës?” Vajë medet sikur kjo të rindodhte edhe me poezinë sot.

Kulla e Sali Berishës.



Agron TUFA
Një e përditshme shqiptare, që i “shkarkon të gjitha bateritë” në sulm ndaj qeverisë dhe personalisht kundër Berishës, hapej këto ditë me një foto të rrallë e unikale me titullin “Vizitë në kullën e Berishës në Viçidol”. Fotoja që zinte thuajse gjithë faqen e parë të gazetës, falë edhe cilësisë së mirë të saj, të realizuar nga Jutta Benzenberg, paraqiste një ekzemplar të rrallë të arkitekturës së kullave të malësisë së veriut, që janë thuajse të zhdukura në kohën e sotme.Kuptohet, se intenca e gazetës kërkonte të nxirrte përfitime maksimale prej kësaj fotoje, duke i orientuar asociacionet e lexuesit të saj, kryesisht të majtë-nostalgjikë të komunizmit, drejt një racizmi këmbëngulës, të përditshëm e tepër të vjetër në propagandën politike-atë të demonizimit të kundërshtarit me çdo gjë të keqe. Në këtë rast, orientimi psikologjik që synonte të përcillej lexuesit të majtë, duhet të ishte i një semantike të shumëfishtë negative.
Sipas kësaj simbolike asociative efektiti semantik, duhet të përplotësonte negativisht shoqërimin e mllefit demonizues ndaj Berishës dhe imazhit të patronimit gjeokulturor që përfaqëson ai: “Sali Shpellari”, “maloku”, “mendësia e kullës”, “autoritarizmi”, “hakmarrësi”, “dhunuesi”, “zemërguri”, “vrasësi”, “bajraktari”, etj, etj, – të gjitha – kulturologjema raciste që mund t’i kujtohen gjithkujt nga ligjërimi politik i tribunave e shesheve. Është një propagandë, në thelb, ideologjike, e prodhuar që nga e çara që krijuan komunistët më 1943-1945 me malësitë e veriut gjatë fushatave të tyre ndëshkuese e spastruese kundër parisë, bajraqeve e oxhaqeve, çka, tekefundit, ishte e vetmja “aristokraci” e takatit tonë. Zhbimja e tyre parakuptonte shpartallimin e çdo formacioni të vetëdijshëm kundërshtar, duke patur mandej punë vetëm me masën e vegjëlisë, – fshatarët e varfër, pa ndofarë vetëdijeje e kujtese dhe sidomos, pa pasur se ç’të sakrifikonin.
Nëse e lexon shkrimin në brendësi, të shkruar nga një gazetare skupesh e sensacionesh, dallon, përkundër simbolikës që ka fotografia e kullës në faqe të parë, një varfëri informacioni, një përpjekje tejet të tendosur për të përligjur ekzistencën e fotos. Me dy fjalë në shkrim hidhet ideja, se në këtë kullë me frengji që shohin nga shpatet e Shkëlzenit, jetojnë disa familje të fisit Berisha (më tej, në shkrim, na del se nuk janë “disa”, por vetëm një) dhe se kulla, prej së cilës vetë Berisha është larguar që në moshën 18 vjeçare, është në gjendje rrënimi. Në shkrim flitet për varfërinë e banorëve të kullës dhe të fshatarëve – rast fort i sforcuar ky për të përligjur temën e varfërisë. Por, nëse supozojmë se në kullë apo në fshat nuk do të kishte varfëri, prapë gazetarët do të shkruanin përafërsisht kështu: “…ndërsa në fshat ka pllakosur varfëria, kulla e kryeministrit (të korruptuar) lulëzon si sallonet e mbretërve, etj, etj”.
Duke e parë shkrimin dhe foton, të zhveshur nga maska e tematikës së sforcuar, krejt çka mbetet është përpjekja e redaksisë për një ushqim racist urrejtjeje, e cila i shkon shumë oreksit të së majtës në këtë prolog parazgjedhor. Kuptohet se kulla ku ka kaluar fëmijërinë Berisha, zgjon një simbolikë të disafishtë, e kësodore i jep një spunto të re asociative imazhit-klishe të prodhuar nga sensibiliteti derdimen komunist. Në këtë kornizë imazhi për tjetrin, jo proletar, jo urban (pra, jo “si ne”), jepet së bashku me sfondin e kullës (bjeshka) – një gjë aq tëhuajësuese për mitin urban të arkitekturës komuniste. Kulla është krejt e përkundërt me projektin e pallateve-kazermë, në uniformitetin dhe shpëlarjen e të cilëve merr fund çdo privatësi dhe identitet privat. Kështu “puna e asociacionit” në psikikën komuniste është e përllogaritur mirë: Berisha dhe kulla e tij, bashkë sfondin,  janë tjetërsia e pozicionit gjeografik, krahinës që përfaqëson ai dhe, më ndjeni, paralelja synon të përbashkojë në një vijë Kullën me “Kullën tjetër” të Berishës, në Kryeministri (!).
Nëse gërmojmë në shtresa e nënshtresa të tjera Kulla malësore ka qenë në rrafshin simbolik të nënvetëdijes  një armik i vështirë për pushtetin komunist, me paepshmërinë e saj ndaj nënshtrimit, nivelimit dhe humbjes së identitetit. Lufta e vetëdijshme dhe e pavetëdijshme për simbolet e mbi simbolet nxjerr një mori “lapsusesh”, që ish-komunistët nuk i kontrollojnë në performancën publike. Xhelozia e vjetër dhe urrejtja e sotme kapërthehen në një makth domethënës, duke restauruar dashjepadashje imazhin e “armikut”, që për ta ka një gjenealogji aspak “të rastësishme”.
“Njeriu s’është tjetër, pos se gramatikë”, thotë Shën Thoma Akuinasi. Vetë ligjërimi, i orientuar nga inspirimet inkoshiente qet krye në rrafshin e shprehjes. Thjesht mjafton të marrësh në shqyrtim narrativën, në dukje të patëkeq të humorit barcaletor dhe të kuptosh menjëherë “hallin” e folësit. Por, fjala vjen, në estradën e lirë të “Portokallisë” tregohen barcaleta të tipit: “…po udhëtonte njëherë Berisha me Lul Bashën për në Tropojë. Pak para se të arrinte në BC, Berisha nxorri celularin dhe, para se ta vërë në vesh, dikush ia hoqi. – Lul, pse ma hoqe celularin nga dora?! – tha Berisha. Jo, doktor, tha Luli, nuk ta mora unë. Po kush, tha ai… Nuk qe nevoja, se pak më tutje panë një arushë që po ikte tutje në gëmusha me celularin e kryeministrit në dorë”. Thelbi i anekdotës është, si minimum, racist.
Sepse së paku, i bën me dije një gjë dëgjuesit: “Kryeministrin e kemi nga ajo trevë e Shqipërisë ku nuk mbretëron asnjë agjent civilizimi, përveç kafshëve. Atëherë nga t’a marrë kulturën ky njeri?!” Në thelb kemi instalimin e imazhit të barbarit. Edhe arbitrariteti i nofkave hyn gjithashtu në një teknologji tepër dinake të perceptimit, për ta varrosur “tjetrin” përjetë në kornizën e një imazhi standard. Këto nofka mbi malësorët e veriut i kemi ndeshur shpesh në kryeqytet dhe gjithkush e kupton se nofkat “çeçen”, “malok”, “shpellar” etj, nuk i drejtohen të njëjtit malësor në kuptimin gjeografik e social, që vjen nga malësitë e jugut, juglindjes apo Labërisë. Ata kanë veçse një drejtim: malësorët e veriut. Nga ana tjetër dihet gjithashtu, se këto nofka distancuese nuk i kanë krijuar absulotisht qytetarët autoktonë të Tironës, e as ata qytetarë të Dibrës së Madhe që iu janë bashkuar tironsve autoktonë që nga viti 1913. Është afër mendsh që distancimin racist nëpërmjet këtyre nofkave, të drejtuara vetëm në një kah, i prodhon psikologjia e banorit me “neurozën e të konvertuarit” jo më shumë se një brezni në kryeqytet – kryesisht ish-të ardhurit pas Luftës së Dytë, që e identifikojnë ekzistencën, jo shumë të gjatë të brezave, me mitin e komunizmit.
Pavarësisht qëllimit dhe tentativës vulgare e raciste për t’i ngulitur lexuesit të vet asociacione të përcaktuara urrejtjesore, krejt padashje gazeta u ka bërë një shërbim të madh adhuruesve si puna ime, të relikteve arkitekturore autentike të Shqipërisë së Veriut. Pamja mbresëlënëse e kullës katërkatëshe, konstrukti i saj madhështor, hijerëndë, me frëngji të harkuara gjatoshe e picirrake, duket si një ilustrim romantik i Eposit të Veriut. Tashmë të shkëputur nga ideja se kjo është kulla e lindjes së Kryeministrit (fakt shumë miklues për të), meditimet e mia morën kah për fatin e trishtë të shkatërrimit të tyre, duke humbur kështu disa nga shenjat më origjinale e më të hershme të identitetit tonë.
Kam qef të meditoj për imazhin e këtyre kullave si simbole të virgjëra të mbijetesës së fiseve shqiptare dhe si vatra spartane të edukimit frymor të etnisë sonë. Nëse e sheh me vëmendje fasadën, lartësinë, konstruktin me dritaret e gjatoshe, si termometra, të kullës, mund të dallosh, për syrin e stërvitur, se kjo ngrehinë bart diçka të lashtë, e pikërisht atë kufi që tretet e shkrihet nga stili roman tek gotika. Ja disa karakteristika: për ngrehinat e stilit roman karakteristike është kombinimi i siluetës së qartë arkitekturore me lakonizmin e pamjes së jashtme – ngrehina vendoset dukshëm në gjirin e natyrës rrethuese, dhe prandaj duket edhe më solide e kompakte. Kullat shqiptare të këtij lloji, të vendosura në kodra a shkëmbinj, vijnë si kulmime valëzore të komplekseve kishtare, duke u manifestuar me kullën, që plotëson finalizimin e panoramës si një “donxhon”.
Ndërsa nga gotika këto kulla (ose më saktë kulla e fotografuar e Berishajve) ka harqet e mprehta të dritareve – një lloj kontrolli i frymores mbi materialen – duke plotësuar kështu funksionin e kullës gotike, siç kanë qenë kullat qytetare si forum këshillimi (“Befrua”). Kulla e paraqitur në fotografi është gërshetim i të dy stileve, pa qenë, në përfundim, asnjëri sosh, pra, një variant shqiptar i malësive tona. Fakti i servirur me këtë fotografi, përkundër propagandës, që synon ta paraqesë Berishën (dhe çdo kundërshtar tjetër të këtyre trevave) si “barbar”, “të pagdhendur”, “shpellar” etj, bart një kontradiksion të papajtueshëm: ose duhet të pranojmë “shpellorësinë” dhe “barbarinë” e tij (dhe krejt banorëve të këtyre trevave), ose të pranojmë ekzistencën e kullës – një organizim perfekt arkitekturor, që manifeston një shkallë të lartë organizimi e kulture autentike shqiptare, në të cilën garantohet formimi që në embrion i njeriut me kulturën familjare, mitet e ritualet, të cilat janë pjesë pandarë e frymësisë njerëzore.
Komunizmi dhe trashëgimia e tij ka synuar të na bëjë të gjithëve viktima të imazheve të pavërteta e paragjykuese, duke u nisur nga mendjengushtësia hipokrite me standarde të dyfishta. Kur është fjala për patriotizmin si propagandë komuniste, atëherë Kulla është trajtuar në simbolikën e qëndresës, traditës dhe pastërtisë shpirtërore (siç na është komentuar për shembull, që në gjimnaz, tregimi “Kulla” i Anton Pashkut, apo në narrativën më të vonë – Kulla e Adem Jasharit). Nga ana tjetër, kur është fjala për të nxjerrë përfitime nga propaganda politike komuniste, vetë Kulla dhe bijtë e këtyre kullave, nxihen e demonizohen poshtërsisht si “barbarë” dhe “shpellarë”. A nuk kemi të bëjmë pra në të dy rastet veçse me hipokrizi dhe racizëm? Dhe dihet se të dyja këto sjellje i bën i kompleksuari.
Kulla në të gjitha traditat e lashta dhe të vona në kontinent ka qenë shenjë-determinitave, që shenjon lartësimin mbi nivelin e rëndomtë të jetës në shoqëri. Kësisoj, në themel të saj, kulla simbolizon ngjitjen dhe lartësimin. Përgjatë gjithë mesjetës kullat dhe kambanoret kanë patur domethënien e vëzhgimit të lartësive, por në të njëjtën kohë, falë traktimit të thjeshtë të niveleve simbolike (sipas të cilave lartësia materiale nënkupton edhe lartësinë frymore), ato (kullat), kanë shprehur po atë simbolikë që kanë dhe shkallët – lidhjen e tokës me qiellin. Në kohën e substratit roman (gjykuar nga konturet stilistike të arketipit që ka trashëguar kulla në fjalë), simboli i Kullës, nëse ajo është e rrethuar dhe e mbyllur hermetikisht me mure, shërbente si simbol i Virgjneshës së Papërlyeme, siç mund të duket më qartë tek simotrat e saj në Evropë, në vizatimet alegorike të fasadave.
Përderisa ideja e ngjitjes apo madhërimit që nënkupton kulla, ka në konotacionin e saj transformimin dhe evolucionin, atëherë “atanor” (furra alkimike) ka marrë formën e kullës, më qëllim, që për nga korrelacioni inversiv – të kumtojë, se metamorfoza e materies parakupton procesin e ngjitjes/lartësimit. Në fund është i pashmangshëm orientimi mitik i analogjisë së kullës me njeriun: ashtu siç është pema për nga forma e saj shumë afër me figurën e njeriut, se sa me formën horizontale të kafshës, ashtu edhe kulla rezulton e vetmja formë e strukturuar, tipar dallues i së cilës është orientimi vertikal, – ndërsa dritaret në katet e saj më të epërme, u korrespondojnë syve dhe mendjes së njeriut.
Një vetëdije e ulët, një mendje e varfër dhe një nivel barbar civilizimi, nuk do të ishte në gjendje të trashëgonte me shekuj një filozofi të tërë simbolesh e frymësie, siç i ka të tretura në vetvete arti shumëshekullor i kullave të malësisë. Një ekzemplar i tillë i rrallë që e përfaqëson këtë arketip, është edhe kulla e Berishajve në Viçidol. Sado që sot pamja e saj e rrallë është thirrur për të ushtruar e ngjallur një racizëm propagandistik pragzgjedhor, që tej fotografisë, shihet qartë, që dritaret e saj gjatoshe e picirrake të shohin me shpërfillje të pacënueshme, siç mund të kenë parë shpërfillshëm t’i kacarrohen mureve të saj ndër shekuj lloj-lloj reptilësh, bubazhelësh e kacabujsh kalimtarë.

Vlerësime për librin “Fijeshpresë” të Alban Tartarit




Libri përmban poezi të autorit, përmbledhje e 10 viteve të fundit. Në përgjithësi trajtohet problematika e rinisë shqiptare në dekadën që lamë pas, mërgimi, largësia nga të dashurit, ndarja, dashuria etj.
Poezitë janë botuar në këta vjet në të përditshme të ndryshme të Tiranës dhe Prishtinës, antologji poetike si dhe në forumet letrare në internet. Po ashtu një pjesë e tyre janë kthyer në këngë shumë të njohura nga kantautori Pirro Çako. Në pjesën e dytë shqipërime nga poezia turke. Vijnë në gjuhën shqipe emra të njohur botërisht si Nazim Hikmet, Nexhip Fazëll, Orhan Veli, Xhan Jyxhel, Sezai Karakoç etj.

Janë 14 poetë turq të përkthyer direkt nga turqishtja. Është hera e parë që këta emra vijnë të përkthyer direkt nga gjuha turke dhe jo nga gjuhë të tjera. Poezitë janë botuar më parë në shtypin letrar të Tiranës. Libri iu prezantua lexuesit në stendën e Shtëpisë Botuese “Prizmi” në panairin e librit. Ai është redaktuar dhe mban parathënien e poetit dhe shkrimtarit Agron Tufa dhe editimin e gazetarit Ramadan Çipuri.
“Më erdhi shumë mirë që në këtë vëllim gjeta edhe poezi të gati dhjetë vjetëve përpara. I lexova me mall e më dhanë po atë kënaqësi si atëherë. Kjo tregon që poezia jote nuk ishte një trill në kalim, por do t’i rezistonte kohës. Për vitet kur i shkrove, atëherë 20 vjeçar, poezitë kishin sinqeritetin e pasionin e të riut dhe mençurinë e Plakut. Dalloje nga moshataret e tu. Disa prej tyre, për mendimin tim, janë poezi antologjike edhe sot. Me poezitë e tua unë hapa antologjinë e te rinjve në mërgim, “Zëra nga larg”.
Albana Mëlyshi Lifschin
Shkrimtare, Poete (SHBA)

“Vargjet e Albanit kanë ndjenjë dhe sinqeritet mendimi, cili shihet qartë si në temat e dashurisë, por edhe në ato që e vendosin autorin në udhëkryqet e jetës, apo thjesht si vëzhgues te saj.
Alvin Ekmekçiu
Arkitekt (Suedi), themelues i Bota Letrare në internet
“Poezia e tij dehëse me aromë orienti vjen me një shqipe që rrjedh ëmbël e ngrohtë duke të përkëdhelur të gjitha gjëndrat e shijes. Aspak hermetike, por e hapur dhe e prekshme ashtu si gjërat që janë prej natyre të mira, kjo poezi krejt origjinale përben një risi në letrat shqipe të kohës sonë.”
Aida Dizdari
Poete (Itali)
“Ka një element tragjik në vargjet e Albanit. Ngjyrat e errëta që shoqërohen me të, vdekja, guri i varrit, pritja [thuajse pa fund], thyerja, etj, të japin përshtypjen se gjithçka ka marrë fund, se shpresa s’është askund përreth. Jo. Ndonëse fjalët në dukje të errëta, të skajshme, ato i vihen në shërbim një qëllimi të vetëm: të theksojnë me forcë shpirtin dhe zemrën e autorit që dashuron, që dashuron të dashurën e tij, jetën, të drejtën, dhe dëshirën e paepur për vetëpërmbushje”.
Altin Gallanxhi
Poet (SHBA)
“Pikë takimi parë më poezinë e Alban Tartarit ka qenë vite më parë në një sit interneti. Poezia e tij rridhte ndjenjë. Ishte si një pikëllim i bukur që të çlodhte. Pasi lexova poezinë e parë, gërmoja sa herë që të lexoja poezitë e tij të reja. Nëse ka një gjë që ai di ta bëjë shumë mirë është të të përcjelli emocion. Është një lloj emocioni që të fisnikëron teksa lexon rreshtat e tij. Nuk e di nga i buron gjithë ky frymëzim i bukur, por do t’i këshilloja të gjithë që të kenë një pikëtakim me poezinë e tij, sidomos atëherë kur duan të ndihen trishtueshëm të bukur…”
Irena Shabani
Gazetare, Poete (Tiranë)
Titulli : Fijeshpresë,
Poezi dhe Shqipërime
Autor: Alban Tartari
Redaktor: Agron Tufa
Botuar: Nëntor, 2010
Botues: Universiteti Epoka
Nr. i faqeve:100

Agron Tufa: Ju rrëfej sagën time familjare



INTERVISTOI: VIOLETA MURATI

Fotoporteti

Me romanin e ri “Tenxherja” ka larë hesapet me një situatë të ankthshme që kishte lidhje me fëmijërinë e tij, me një episod nga shtëpia prindërore - duke na çuar në rrëfimin e një sage familjare. Me ribotimin e romanit “Mërkuna e zezë” i jep fund mitit, si sprovë duke iu kundërvënë botës së varfër dhe psikës së njeriut bashkëkohor - dhe të gjitha romanet e Agron Tufës lidhen organikisht me vëllimin e ri me prozë të shkurtër “Thembra e Akcilit” duke u përballur me mitin urban, mbetjet e njerëzve nga totalitarizmi të mbushur me delire e paranoja. Mosha domethënëse në gjithë këtë lëndë letrare është adoleshenca, kapërcimi i saj që i intereson shkrimtarit si idiomë morale për karakterin e njeriut që merr “formën përfundimtare vetëm pas “betejës” së adoleshencës - kufiri që përcakton edhe arketipin e ardhshëm të burrit”. 



“Ndërsa romani im – jam unë. Janë të vërtetat e mia, të cilat nuk kanë për qëllim të habisin kënd me gjeste të jashtme. Maksimumi unë ofroj përvojën time, sugjeroj një mënyrë të pari të gjërave, ndjeshmërinë”. Në këtë intervistë ekskluzive ai tregon kapërcimin e madh që ndodh me gjuhën, kur kjo dëshmon kohën, epokën dhe jetët e njerëzve, në rendjen drejt klasikut, ndër të parët në letërsinë shqiptare, duke rrëfyer sagën familjare.



Ju njiheni si një ndër përfaqësuesit e avangardës së viteve ’90 në Shqipëri, që patët për mision shkatërrimin e sintaksës dhe kanonit socrealist, ndërsa duket se keni hequr dorë me një varg veprash të fundit. A mendoni se e keni kryer këtë mision?



Ajo që rëndom e quajnë “avangardë” ka qenë një kundërvënie dhe reaksion ndaj letërsisë së realizmit socialist – alergji nga gjuha, logjika, ndjeshmëria dhe estetika e mëparshme. Ne vërtet iu kundërvumë skajshmërisht, por nuk ishim të vetëdijshëm për “avangardë”. Thjesht ishte një frymë kundërshtie dhe veleritjeje, që merrte forma radikale në rrafshin e shprehjes dhe konceptimit letrar. E njëjta frymë e ngjashme ka ekzistuar edhe jashtë grupimit tonë “E përshtatshme”, si për shembull, në krijimtarinë e Virion Graçit, Luljeta Lleshanakut, Arian Lekës, Lindita Arapit, Parid Teferiçit, Ardian Kyçykut e më vonë, edhe në poezitë e Gentian Çoçolit, Romeo Çollakut apo Olimbi Velajt. Në fillimet e krijimtarisë është i nevojshëm grupimi, por më vonë kjo bëhet pengesë, se fillojnë ndikimet brendagrupore, të cilat seç kanë një frymë molepsjeje. Besoj se “misioni” ynë kishte të bënte me riverifikimin e gjuhës, përdorjen e saj për shtat një ndjeshmërie e përjetimi autentik kah intimiteti, krahas përvojave të fituara nga njohja me vokalin dhe estetikën e mjeshtërve të tjerë, të huaj apo shqiptarë (të ndaluar), si p.sh., Camaj.

Koha po vërteton se kemi pasur të drejtë: gjuha e teksteve tona dallon prerazi nga ajo e traditës së para viteve nëntëdhjetë. Dhe jo vetëm gjuha. Sa më përket mua, mendoj se nuk kam ndryshuar në gjuhë. Vetëm përvoja e njohjes dhe siguria më diktojnë të shkruaj ato gjëra që janë në harmoni me shijet dhe temperamentin tim. Dukë pasur parasysh axhendën time, është e qartë se ka gjithnjë e më pak kohë për eksperimente dhe lojëra: mua më duhet të shkruaj atë që më thotë intuita se është thelbësore.



Për mediat duhej të ishte ngjarje e madhe ardhja juaj në këtë panair me tre libra të rinj. Asgjë e tillë nuk është lajmëruar, ndërkohë që keni ndërruar dhe botues. Çfarë po ndodh?



Mediat kanë të përkëdhelurit e tyre, ndër të cilët unë s’kam qenë asnjëherë kanakar dhe as ua kam bërë hyzmetin ndonjëherë. Si duket, nuk jam ndonjë personazh, tek i cili publiku të mbështesë ndonjë shpresë, utopi apo ëndërrim dhe mandej të tunden e shkunden gazeta e studio televizive. Dhe lavdi Zotit! Pëlqej që kurbatura e lexueshmërisë sime të jetë e qetë dhe në rritje të ngadaltë dhe të braktisem “pabesisht” një ditë të ngrohtë vere apo të akullt dimri. Ajo çfarë kam kërkuar të gjej nga botuesit tanë, ka qenë gjëja elementare për një shkrimtar: natyralitetin e tregut. Që libri i botuar të gjendet në librari dhe aty ta provoj lëkurën time sa vlen. Dhe përderisa asnjëherë s’na e kanë dhënë këtë kënaqësi, derisa në asnjë librari nuk i gjen librat e botuar, atëherë çfarë ndryshimi ka nëse e ke botuar librin apo e ke në sirtar? Prandaj vendosa të ndërroj botues, duke parë se vetëm “Toena” e shpërndan dhe i shërben mirë librit, duke e çuar në destinacion – nga Prishtina në Sarandë. Në këtë pikë të rëndësishme e vendimtare për fatet e librit gjeta mirëkuptimin dhe ftesën e “Toenës”. Shpresoj fort të mos e zhgënjejmë aspak njëri-tjetrin.



A mund të na thoni cilat janë arsyet që dolët me dy vepra të reja – romanin “Tenxherja” dhe prozat e shkurtra të librit “Thembra e Akcilit”, meqenëse “Mërkuna e zezë” është ribotim?



“Tenxherja” ishte pakti i parë që bëmë me znj. Irena dhe bashkëshortin e saj, z. Fatmir Toçi, si botim im më i ri, inaugurues për marrëveshjen. “Mërkuna” do të botohej për shkak se qenë prodhuar pak kopje që në vitin 2005; një pjesë ua dhurova miqve dhe një pjesë tjetër u shpërndanë nëpër biblioteka; ishte një roman që nuk doli në librari dhe thuajse mbeti i panjohur. Në vazhdim, tek “Toena” do të botoj, krahas veprave ekskluzivisht të reja, edhe veprat e tjera, të cilat megjithëse janë botuar më parë, ka kohë që nuk gjenden më. Romani “Tenxherja” erdhi vetë, “trokiti” këmbëngulshëm, ndërhyri pa radhë, në mes të krijimeve të tjera. Në fakt ky roman e kishte kërkuar ekzistencën e vet në dritë prej shumë kohësh, në trajtën e një ëndrre që përsëritej prej disa vitesh. Ishte një situatë e ankthshme që kishte lidhje me fëmijërinë, me një episod nga shtëpia prindërore. Një episod i vërtetë me policët e Degës së Punëve të Brendshme. Zgjohesha në ëndërr i etur e i tharë për një gotë ujë, por në dhomë shihja një polic që bënte rojë me automatik në gjoks. Kështu, nëpërmjet romanit “Tenxherja” zbova disa hije të pakëndshme që kishin udhëtuar gjatë me mua.



Në cilën fazë të krijimtarisë suaj ju vendos ky roman? Cila është lënda e tij?



Faza e sinqeritetit të drejtpërdrejtë dhe e larjes së hesapeve, si me mjetet shprehëse, ashtu dhe me dormën e trajtimit të lëndës. “Tenxherja” është romani më diskret dhe më “realist” që kam shkruar deri tash. Ai ndjek një linjë të ngjeshur të rrëfimit intim nga koha kur diktatura kishte formësuar sllang-un e saj, ndihej e sigurt dhe e gjithëpushtetshme për të bërë çfarë të dojë me njeriun dhe fatin e tij. Përballë saj që ndjeja para fillimit të shkrimit, çdo stërhollim, çdo manierë apo truk stilistik më dukej e panatyrshme, e pasinqertë përballë brishtësisë së vërtetë të gjërave që kishin ndodhur. Nuk doja ta deformoja aspak lëndën e gjallë, të zymtë e të pikëlluar të asaj tabloje me policë, trysni dhe shkathtësi majmunore të procesit gjyqësor. Në raste të tilla çdo virtuozitet, çdo mani për të spitulluar stilistikisht, tërhiqet mënjanë e turpëruar, sepse është realiteti që të mund, i cili e gjen vetë formën dhe prerjen më të përshtatshme. Unë iu binda këtij urdhri, duke i sprapsur teknikat letrareske, apo më saktë, duke mos u dhënë më shumë vend, se sa u takonin.



Mendoj se ky roman mund të jetë i pari që hyn në letërsinë shqipe në trajtën e sagës së rrëfimit familjar, sikundër e kemi ndeshur në klasikët botërorë, të cilët na mundësojnë të njohim kohën, psiken dhe jetët njerëzore.



Nuk e di. Kam përshtypjen se rrëfimi i “sagave” familjare nën trysninë e diktaturës ka kaluar tek ne nëpër një proces të shumëllojshëm shkrimi. Disa kanë zgjedhur zhanrin e memuaristikës ose romanit autobiografik, me personazhe reale, si për shembull, At Zef Pllumi, Uran Kalakulla, Petro Marko, Fatos Lubonja. Por një pjesë e këtyre “sagave” kanë të bëjnë me familjet e nomenklaturës së goditur brenda llojit dhe, për mendimin tim, tipike janë romanet e Bashkim Shehut. Një tjetër pamje paraqesin romanet që rrëfejnë jetën e qytetarit nën kushtet e terrorologjisë shtetërore, sikundër ndodh me romanet e Fatos Kongolit, Besnik Mustafajt apo dhe të Ismail Kadaresë. Por tipi i romanit që e ka letërsinë përvojë konkrete, personale, autobiografike, është ende larg, me përjashtim të romaneve të Henrik S. G. Është mjaft delikat ky lloj shkrimi, pasi është vështirë të zotërohet artistikisht, pa kaluar në teprime. Dhe një roman i tillë duhet të mbajë vetëm barrën e vet, në një masë të kontrolluar elementësh, përndryshe rrezikon të bëhet melodramatik, patetik apo monoton.



Gjatë një gjysmë shekulli diktaturë shkrimtarët shqiptarë lanë pa përjetuar në veprat e tyre gjithë frymën tragjike të epokës, duke u modeluar tërësisht pas “romantikës” rozë, që diktonte dogma zyrtare. A nuk ju duket e absurde kjo, të cilën duhet ta sqarojë historia e letërsisë sonë?



Edhe e kobshme. Përfytyro: realitete shumështresore, një shumësi realitetesh të mbetura jetime, pa përjetim. Kush duhet t’i përjetonte, nëse jo shkrimtari? Unë mendoj se këto realitete të papërjetuara kanë krijuar një vakuum të llahtarshëm, një vrimë ozoni në ajrin e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Dhe pikërisht ky vakuum, kjo vrimë ozoni i realiteteve të papërjetuara herëdokur merr hak mbi shkrimtarët hipokritë, duke i përjashtuar pa ceremoni nga radhët e letërsisë. Prandaj ata shkrimtarë e kanë përjetuar si kulmin e lavdisë së rreme, ashtu dhe vdekjen për së gjalli pas rënies së komunizmit. Më e keqja është se këta shkrimtarë nuk arritën të ta shlyejnë borxhin e tyre as në liri, çka më bën të mendoj se, ashtu siç ka qenë vetë koha një mashtrim në Kohë, ashtu dhe shkrimtarët kanë qenë qenie fiktive, një bllof, një shkaka ngërdheshëse e historisë. Shkrimtarin e përcakton morali dhe pa moral s’ka karakter. E pa karakter s’ka as letërsi. Pra ne kemi pasur të bëjmë me vrima boshe shëtitëse nga njëri plenum në tjetrin. Kohë skarcitetesh. Edhe sot ata përpiqen (dhe jo pa sukses) t’i gjejnë vend boshit të tyre, duke u strehuar në kohën tonë. Por është një bosh plot me rrezatim të dëmshëm toksik për shëndetin.



Ka një moment tjetër tani, kur lënda letrare nga diktatura shfaqet jo rrallë në trajtën e “turizmit ekzotik”, që deri më tani është përdorur për t’u “riviktimizuar” në stilin mazokist dhe për të fituar besueshmëri për një profil më të ngritur të statusit publik. Çfarë e dallon romanin tuaj?



Nuk mendoj se ka zënë vend përpjekja për të sajuar mite të paqena, megjithëse kemi parë dendur krijues që shesin dëngla me gjoja veprat “e guximshme” të ndaluara apo të ruajtura në sirtar. Ata janë servilë të kohës, e cila në fakt, nuk e honeps servilizmin dhe hipokrizinë. Kemi shkrimtarë që i datojnë krijimet e “guximshme” në vitet shtatëdhjetë. Sigurisht ata kanë pritur që lexuesi të thotë: “Bah, çfarë guximi! Ku paska qenë ky farë djalë, që paska çarë mespërmes diktaturës me qefin për koke?” Këto janë majmunërira e shtërzime që nuk ecin gjatë. Ndaj tyre hakmerret Koha e pamëshirshme dhe nuk ia vlen të flasim. Ndërsa romani im – jam unë. Janë të vërtetat e mia, të cilat nuk kanë për qëllim të habisin kënd me gjeste të jashtme. Maksimumi unë ofroj përvojën time, sugjeroj një mënyrë të pari të gjërave, ndjeshmërinë me të cilën e ka përcjellë përvojën e vet një frymor, pa pasur nevojë për sforco dhe artifica. Lexuesi e ka intuitën për të dalluar falsitetin dhe shtijaninë. Ai të ndëshkon. Mendoj se lexuesit duhet t’i dorëzohesh me zemër të pastër si besimtari faltores. Ndryshe nuk ngjit. Ndryshe prodhon siklete të dyanshme



Sa kohë ju ka marrë ky roman për ta shkruar?



Pak gusht dhe pak tetor, midis punëve të shumta. Gjëja më vendimtare për mua është koha, e cila mbushet me detyrime të tjera. Kohë nuk ka ose të mbetet për të shkruar vetëm ajo kohë kur ti je bërë gjithë ditën zhele.



Romani juaj “Mërkuna e zezë” është botuar më 2005 dhe përveç një debati promovues ditën e panairit, nuk është përmendur më. Cili është fati i tij?



Është romani im më i dashur. Pati fat të keq sepse nuk komunikoi me lexuesin. Megjithatë ata që e kanë lexuar e kanë vlerësuar shumë lart. Ekzistojnë dhjetë shkrime të botuara këtu dhe në Prishtinë nga pena shumë të njohura, midis të cilëve Artan Fuga dhe Balil Gjini. Për këtë roman janë shkruar diploma, teza masteri dhe doktoratura. Ribotimi tek “Toena” do t’i hapë fatin e vërtetë. Është roman që nuk i ikën koha; nuk është produkt stinor, siç janë... e lëmë fare.



Siç janë, fjala vjen, romanet e pompuara nga fushatat mediatike?



Pikërisht. Atyre mund t’u përcaktosh edhe stinët e shitjes dhe të vyshkjes, njëlloj si zarzavateve. Pastaj nuk i prek më kush. Mbahet mend zallamahia e shtypit, kryqëzatat mediatike në gazeta dhe studio televizive, por jo romani. Nuk e di se çfarë boshllëku duhet të ndiejnë autorët e tyre. Zoti qoftë me ta!



Mund të flasim pak për “Mërkunën”. Një realitet mitik me në qendër një personazh adoleshent ose në kapërcim të adoleshencës. Përse është kaq domethënëse në romanet tuaja kjo moshë?



Sepse të gjitha mitet e grumbulluara apriori apo pavullnetshëm, deri në këtë moshë, vihen në provë me të panjohurën. E panjohura mund të jetë çmitizuese. Ajo në njëfarë kuptimi konfrontohet duke e tronditur ngrehinën e brishtë të botës ideale të adoleshentit. Shembja e botës që ka ndërtuar deri atëherë kjo moshë, shoqërohet me humbjen tërësore të kontrollit, të truallit dhe besimeve të mëparshme; për një çast ndodh një trandje e të gjitha përfytyrimeve mbi botën dhe para personazhet hapet një shtjellë marramendëse, e cila kërkon ta përpijë, t’ia zhdukë konturet, personalitetin, ta zhveshë e skllavërojë, ta bëjë të bindur si të gjitha elementët, për ta shndërruar në një qenie të adoptueshme, pa fizionomi. Adoleshentit i takon të ndeshet vetë me enigmat, ta kërkojë truallin e shkakësisë, të mbrojë atë botë me të cilën është i lidhur shpirtërisht, të identifikohet me të në atë shkallë që përbën dhe masën e rezistencës së tij. Në këtë moshë merr profil të qartë karakteri, ndjenja e drejtësisë dhe moraliteti i akteve, por gjithaq ushtron trysninë e vet tundimi dhe pesha e fajit apo mëkateve. Mendoj se reaksioni më i pastër e më idealist është përballja e adoleshentit me provën e atij realiteti që ka ndërtuar në imagjinatë. Është kufiri që ndan krijesën e pafajshme nga krijesa e fajshme. Simbolikisht kjo na është dhënë më imazhin e Adamit dhe rënien në mëkat. Realiteti për një fëmijë është një kone e vockël, e bindur dhe lozonjare, të cilin e ke nën kontroll; mund të lozësh e zbavitesh me të. Por ndërsa rritesh, konia dalëngadalë rritet gjithashtu, bëhet qen gjithnjë e më i pabindur, derisa vjen e bëhet agresiv, kërcënues, duke u shndërruar në një qen-ujk, me të cilin herëdokur duhet të lahen hesapet, të ndahet se kush do ta dominojë tjetrin. Adoleshenti duhet të ndeshet me realitetin që e kërcënon, si me një bishë të tërbuar. Ka dy rrugë: ose t’i nënshtrohesh kësaj bishe, duke pranuar të atrofizohesh nga frika, ose duhet të luftosh për ta nënshtruar atë. Karakteri i njeriut merr formë përfundimtare vetëm pas “betejës” së adoleshencës – kufiri që përcakton edhe arketipin e ardhshëm të burrit.



Çfarë e bën sensibël personazhin tuaj adoleshent, idioma morale, si ajo që përpiqeshin të ngulisnin mendimtarët tanë të viteve ’30, apo kushtet e shpërfilljes së sotme me një perspektivë kaotike midis drogës dhe kotësisë?



Mendoj se personazhet e mi adoleshentë janë vetmitarë, me përvoja të theksuara metafizike, të cilët kërkojnë një origjinë të përkatësisë shpirtërore, të prirë nga idealet dhe meditimet. Në një pikëpamje ata janë heronj të dekadencës romantike që bëhen esëll nga realiteti traumatik. Ata duan të pajtojnë në një unitet zanafillën idealiste me realitetin banal, të vrazhdë e praktik. Kjo sjell përshkënditjen shpirtërore, krizën dhe një gjendje boshllëku e tëhuajësimi. Kështu dalin dy Martinët nga romanet “Dueli” dhe “Fabula rasa” dhe kështu del edhe Guri tek “Mërkuna e zezë”. Në fillim reaksioni dhe protesta e tyre është estetike. Mandej pas përjetimeve të traumtizuara ata “aftësohen” për ta pranuar ekzistencën e tyre midis banalitetit tokësor, me pezëm dhe zemër të thyer. Pas këtyre përvojave ata ose bëhen të dhunshëm si Martin Gega (“Dueli”), ose të tëhuajësuar, si Martin Balla (“Fabula rasa”), ose të neveritur, si Guri (“Mërkuna e zezë). Tek “Tenxherja” kemi të revoltuarin e pafuqishëm (B. Blana). Shumë e përgjithshme e tyre është pakënaqësia ndaj modusit të realitetit dhe, së këndejmi, refuzues estetikë dhe etikë të tij.



A mund të quhet “Mërkuna” një roman çmitizues apo është një sprovë që i kundërvihet botës së varfër dhe psikes së njeriut bashkëkohor?



Në fakt “Mërkuna” është një “çarje” që i ka ndodhur njeriut në kohë, traditë dhe histori. Bota e pasur e kundërshtimit dhe refuzimit krijon shpërpjesëtimin ishullor të njeriut të veleritur nga modelet dhe skemat e ngurtësuara të realiteteve. Protesta shpirtërore e personazhit ka të bëjë me habinë e keqe, e cila vjen nga mospërkimi i zanafillës shpirtërore më atë çfarë mundësish realizimi ofron bota e njëmendët. Prandaj personazhet arratisen dhe kërkojnë të shpëtojnë nëpër botëra të trilluara. Kemi një “jetë të mendjes dhe shpirtit”, dhe një “jetë të kompromisit”, të cilat nuk bashkëpunojnë, por janë në armiqësi me njëra-tjetrën. Ato përjashtojnë njëra-tjetrën.





Në romanet tuaja duket sikur ndodh një proces i brendshëm, që lidhen organikisht me njëra-tjetrën deri tek botimi i prozave të shkurtra në vëllimin “Thembra e Akcilit”. Gjendje shpirtërore mitike, koha e rrëfimit, tendenca e çmitizimit dhe përballja. Cili është indi që ndjek lëndën tuaj letrare dhe që e gjejmë si vazhdimësi në “Thembra e Akcilit”?



Miti. Në miniaturat e këtij libri është përmasa e mitit që shtegton dhe zhvendoset në përditshmërinë urbane. Miti tani, i defunksionalizuar vepron si situatë absurde. Mjafton të hedhësh një hap jashtë pragut dhe përballesh me nonsensin. Koha e mitit tashmë është transformuar në pluhurnajën dhe mbetjet epokale të njerëzve me delire e paranoja. Simulimi, ekzibicioni, ekscentrizmi vërshojnë dhe përmbytin të gjitha marrëdhëniet tona në situata akomunikative. Miti absurd i totalitarizmit nuk vepron më në bllok, i organizuar dhe i konfiguruar, por përkundrazi: ai është ndarë në mijëra atome dhe gëzon të drejtën e mendimit dhe shprehjes së lirë. Një entropi e tillë e së keqes është pak a shumë tenja që grin marrëdhëniet ndërpersonale apo ndërinstitucionale. Struktura e mitit të përditshmërisë së sotme paraqet relativizimin e së Keqes dhe të çdo lloj vlere të mirë. Çështja e ndërgjegjes mbi dukuritë apo konceptet, i lihet në dorë tekave personale, pa asnjë konsensus, duke u shtruar kësisoj: do që të kesh ndërgjegje? – Kij! Nuk do? – Mos kij! Pra po prekim një situatë të ngjashme me atë që ka shkruar dikur filozofi – përtej së Mirës dhe së Keqes. Pikërisht kjo gjendje e ndërgjegjes së bashkëkohësit tonë përthyhet në miniaturat e këtij libri.



Çfarë do të thotë për ju poezia dhe proza? Ju i shkruani të dyja.



Poezia dhe proza janë e njëjta gjë. Shpeshherë proza është derivat i poezisë ose përpjekja për ta bërë poezinë të flasë me një gjuhë sa më të shpjegueshme e gjithëpërfshirëse për lexuesin. Në thelb për mua është çështje e instrumentit shprehës. Kemi shpërnguljen e një pale mjetesh të shprehjes ose ndërrim të tyre. Poezia është “muzikë dhome”, ndërsa proza – “gjallëria e shesheve dhe rrugëve”. Shumë prej poetëve të brezit tim kanë kaluar me sukses edhe në prozë: Virion Graçi, Arian Leka, Luljeta Lleshanaku, Romeo Çollaku, Petrit Nika etj.



Jeni bërë me një Shend (djali juaj); keni dhe dy vajza të vogla, Vesën dhe Bubulinën: ç’përmasë merr për ju dashuria e babait? Ç’kuptim do t’i jepnit ju mitit të atit?



Po përpiqem ta kuptoj, ndërkohë që jam duke i jetuar secilin prej fëmijëve me një prani syçelë. Përpiqem të kuptoj çfarë i bën ata të jenë veçantë. Jetoj me dëshirat dhe habitë e tyre (por jo me tekat), pa e vrarë mendjen se si duhej të ishte një baba ideal, sepse një i tillë nuk përkufizohet. Kam hequr dorë nga të gjitha idetë e të qenit “autoritar” dhe më pëlqen vërtet të jem, me sa mund, shok i ngushtë për moshën e secilit. Ata për ne janë kryefjala e çdo gjëje. Ndoshta është herët të shpall për vete ndonjë model të fiksuar babai, por dua të jem një figurë e pakonkurrueshme për ta për nga të kuptuarit, sakrifica dhe vetëmohimi. Kryesorja për mua është të mos u imponoj asgjë, asnjë diktat, asnjë model të trashëguar. Mendoj se duhet të rriten të lirë dhe logjikë, të dinë vetë të dallojnë dhe të zgjedhin.





Z. Tufa, e mbyllim këtë bisedë me një pyetje të thjeshtë. Si është një ditë e zakonshme juaja?



Në orën shtatë duhet të ngrihem, me hir a me pahir. Dal bashkë me vajzat – Vesën dhe Bubulinën: njërën e çoj në kopsht, tjetrën në çerdhe. Pas kësaj, nisem në fakultet, sepse në orën 8:00 duhet të jem në auditor. Deri nga ora 15:00, me ndonjë pushim midis orëve, për kafe. Mandej duhet të kthehem, që të arrij para orës 16:00, për të marrë vajzat nga kopshti dhe çerdhja. Pasditet i kaloj në “arrest shtëpiak”, me vajzat dhe djalin 7 muajsh, deri kur të jenë ushqyer dhe të kenë rënë gjumë, aty nga ora 22:00. Përjashtime ka, kur me fëmijët qëndron Elvana. Por gjithnjë ne kombinohemi, zëvendësojmë njëri-tjetrin, sipas natyrës së punëve. Vetëm pasi shtrihen fëmijët, fillon puna ime – leksione, përkthime, artikuj, shënime, lexime dhe, kur kam fat, krijimtari origjinale letrare. Kështu, pasi jam rraskapitur, e shtyj deri nga ora 2 e natës. Më shumë nuk guxoj, sepse siç e thashë, në orën shtatë duhet të ngrihem. Me hir apo me pahir, për të filluar gjithçka nga e para.



Libra nga i njëjti autor:



Origjinalë

“Aty te portat Skee”, poezi, Onufri, 1996

“Dueli”, roman, “Ora”, 2002, (ribotim “Fjala”, 2007)

“Rrethinat e Atlantidës”, poezi, Aleph 2002

“Fabula Rassa”, roman, Ideart 2004

“Janusi qindfytyrësh”, esse, Pro-Kultura, Tetovë, 2004

“La Prueba della tierra”, poezi, bashkautor, Maremoto, Spanjë 2005

“Mërkuna e Zezë”, roman, Toena 2005 (ribotim, Toena 2009)

“Avangardë engjëjsh”, poezi, Ideart 2005

“Fryma mbi ujëra”, poezi, “Fjala” 2007

“Nove poesie” – “La stanza del poeta”, Formia, Itali 2008

“Dibra me sytë e të huajve”, MB botime, Tiranë 2008

“Letërsia dhe procesi letrar ne shekullin XX”, vol I, II, SHBLU, 2008-2009

“Thembra e Akcilit”, miniatura, Zambak, Tiranë 2009.

“Tenxherja”, roman, Toena, Tiranë 2009.



Përkthime



“Dialog mbi romanin latinoamerikan”- ” G.G. Markez – M. V. Ljosa, Onufri, 1999

“Stacioni në shkretëtirë”, poezi, Josif Brodskij, Arbëria, 2004

“Iluzione Optike” – Prozë, Danjill Harms, “Naim Frashëri”, 2004

“Venera në pellush” – roman, Leopold fon Zaher-Mazoh, Ideart, 2005

“Lëkurës rrjedh shikimi”, poezi të zgjedhura Olga Sjedakova, Ideart, 200

“Kultura dhe Bumi” – Jurij Llotman - “Alef & Sh. Librit dhe Komunikimit – 2005

“Morfologjia e përrallës” – Vladimir Propp “Alef & Sh. Librit dhe Komunikimit – 2005

“Pullaliu” – Lev Tolstoi (novelë), Zambak, Tiranë 2009

“10 ditët e fundit të Lev Tolstojit”, Vladimir Çertkov, Onufri, 2006 

2011/10/18

Xhavit Haliti e Sabri Hamiti kundërshtarë politikë e miq të pandashëm


Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës përveç se janë në “ekipin standard” të partive të tyre si deputetë të Kuvendit të Kosovës, ata janë të pazëvendësueshëm edhe në postet e tyre prej nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Kështu përderisa Xhavit Haliti tashmë është “plakur” në postin e deputetit dhe nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës duke i mbushur më shumë se dhjetë vite në këtë post, edhe deputeti tjetër i LDK-së Sabri Hamiti pos që është deputet i katër legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, është në rrugë të mbarë që të jetë edhe i pazëvendësueshëm në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Por përveç postit të tyre të njëjtë Xhavit Haliti e Sabri Hamiti janë edhe “shokë të pandashëm” edhe postet e tyre prej deputeti. Madje ata janë ndër të rrallët deputetë që pinë kafe haptas në holin e Kuvendit të Kosovës pa pasur “frikë” nga “padronët” e tyre politikë apo nga kolegët e tyre deputetë të cilët në foltore janë “të zjarrtë” e pas përfundimit të seancave parlamentare bëhen “engjëj”.
Por ajo që ua kanë lakmi edhe kolegët e tyre janë postet e pazëvendësueshme të tyre jo vetëm si deputetë por edhe si nënkryetar të Kryesisë së Kuvendit duke i “shijuar” të gjitha privilegjet që u takojnë si nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. 

"Filozofia polike dhe nacionale e Dr.Ibrahim Rugovës" me autor z. Enver Bytyqi

Enver Bytyçi na  dhuron të plotë figurën e  Ibrahim Rugovës dhe se njerëz si  akedemik Ibrahim Rugova fatkeqësisht lindin rrallë, por fatmirësisht nuk vdesin kurrë.Libri "Filozofia polike dhe nacionale e Dr.Ibrahim Rugovës" i publicistit  Enver Bytyçi është një hulumtim i thuktë i veprës së Akademik prof.dr.Ibrahim Rugovës. Autori në veprën e tij i shërben kujtesës historike.

SDR@ SHQIPTARET SERBET DHE GREKET ENVER BYTYÇI
Autori  Bytyçi në 291 faqe, sa i ka libri, na jep një pikëpamje të filozofisë, të cilat afirmuan vlerat më sublime të popullit të Kosovës. Nga shqyrtimi i librit konstatojmë se ai paraqet interes të veçantë për opinionin.Autori  Enver Bytyçi është njeri ndër  njohësit  e shkëlqyer të historisë nacionale shqiptare. Në  librin "Filozofia polike dhe nacionale e Dr.Ibrahim Rugovës"  autori  Bytyç i konstaton se kurrë ndonjëherë më parë nuk ishte konstruktuar një vizion i qartë e me një profil aq dinamik sikur ai që kishte dizajnuar Ibrahim  Rugova për vendin e tij. Libri jep shumë përgjigje për shumë pyetje dhe jep analizë të thuktë...



Enver Bytyqi është autor edhe i tre librave të tjerë: “Shqipëria peng i një diplomacie të manipuluar”,  “Shqiptarët, serbët dhe grekët”, “E drejta e vetëvendosjes, rasti i Kosovës” dhe libri “Rikthimi i Marti Ahtisaarit”. (Koha Ditore)


/Flori Bruqi/


 

FTESË
Në promovimin e librit :  "Filozofia polike dhe nacionale e Dr.Ibrahim Rugovës" me autor z. Enver Bytyqi


Miq të nderuar

Sektori për arsim dhe Kulturë pranë Degës së LDK-së në Zvicër organizon cermoninë e promovimit të Librit:

"Filozofia polike dhe nacionale e Dr.Ibrahim Rugovës" me autor z. Enver Bytyqi

« Kur ndëgjoj që vdes në botë,
Një njeri i Vendit Tim,
Jam në zemër i piklluar,
Vdes një copë e shpirtit tim. »

Ibrahim Rugova

Andaj kemi kënaqësinë  t`ju ftojmë të merrni pjesë në promovimin e kësaj ngjarje kulturore:

Promovimi i librit do të mbahet të dielen, më 23 tetor 2011,Fillon në ora 15.30.
 Adresa : Dägersteinstrasse 1
 6210 Sursee/LU

Programi:

Fjalë hyrëse, Haki Latifi
Mesazh përshëndetës nga Enver Bytyqi
Referues për librin, poeti dhe kritiku z. Shefqet Dibrani
Biografia e autorit - Xhafer Leci
Seancë bashkëbisedimi
Pika muzikore/ këndojnë vëllezërit Mushkolaj

Gjatë promovimit, pjesëmarrësit do të mund ta blejnë librin.

Përshëndetje miqësore


Për kryesinë e Degës së LDK-së në Zvicër



Haki Latifi, Kryetar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...