Vlerësime për librin “Fijeshpresë” të Alban Tartarit




Libri përmban poezi të autorit, përmbledhje e 10 viteve të fundit. Në përgjithësi trajtohet problematika e rinisë shqiptare në dekadën që lamë pas, mërgimi, largësia nga të dashurit, ndarja, dashuria etj.
Poezitë janë botuar në këta vjet në të përditshme të ndryshme të Tiranës dhe Prishtinës, antologji poetike si dhe në forumet letrare në internet. Po ashtu një pjesë e tyre janë kthyer në këngë shumë të njohura nga kantautori Pirro Çako. Në pjesën e dytë shqipërime nga poezia turke. Vijnë në gjuhën shqipe emra të njohur botërisht si Nazim Hikmet, Nexhip Fazëll, Orhan Veli, Xhan Jyxhel, Sezai Karakoç etj.

Janë 14 poetë turq të përkthyer direkt nga turqishtja. Është hera e parë që këta emra vijnë të përkthyer direkt nga gjuha turke dhe jo nga gjuhë të tjera. Poezitë janë botuar më parë në shtypin letrar të Tiranës. Libri iu prezantua lexuesit në stendën e Shtëpisë Botuese “Prizmi” në panairin e librit. Ai është redaktuar dhe mban parathënien e poetit dhe shkrimtarit Agron Tufa dhe editimin e gazetarit Ramadan Çipuri.
“Më erdhi shumë mirë që në këtë vëllim gjeta edhe poezi të gati dhjetë vjetëve përpara. I lexova me mall e më dhanë po atë kënaqësi si atëherë. Kjo tregon që poezia jote nuk ishte një trill në kalim, por do t’i rezistonte kohës. Për vitet kur i shkrove, atëherë 20 vjeçar, poezitë kishin sinqeritetin e pasionin e të riut dhe mençurinë e Plakut. Dalloje nga moshataret e tu. Disa prej tyre, për mendimin tim, janë poezi antologjike edhe sot. Me poezitë e tua unë hapa antologjinë e te rinjve në mërgim, “Zëra nga larg”.
Albana Mëlyshi Lifschin
Shkrimtare, Poete (SHBA)

“Vargjet e Albanit kanë ndjenjë dhe sinqeritet mendimi, cili shihet qartë si në temat e dashurisë, por edhe në ato që e vendosin autorin në udhëkryqet e jetës, apo thjesht si vëzhgues te saj.
Alvin Ekmekçiu
Arkitekt (Suedi), themelues i Bota Letrare në internet
“Poezia e tij dehëse me aromë orienti vjen me një shqipe që rrjedh ëmbël e ngrohtë duke të përkëdhelur të gjitha gjëndrat e shijes. Aspak hermetike, por e hapur dhe e prekshme ashtu si gjërat që janë prej natyre të mira, kjo poezi krejt origjinale përben një risi në letrat shqipe të kohës sonë.”
Aida Dizdari
Poete (Itali)
“Ka një element tragjik në vargjet e Albanit. Ngjyrat e errëta që shoqërohen me të, vdekja, guri i varrit, pritja [thuajse pa fund], thyerja, etj, të japin përshtypjen se gjithçka ka marrë fund, se shpresa s’është askund përreth. Jo. Ndonëse fjalët në dukje të errëta, të skajshme, ato i vihen në shërbim një qëllimi të vetëm: të theksojnë me forcë shpirtin dhe zemrën e autorit që dashuron, që dashuron të dashurën e tij, jetën, të drejtën, dhe dëshirën e paepur për vetëpërmbushje”.
Altin Gallanxhi
Poet (SHBA)
“Pikë takimi parë më poezinë e Alban Tartarit ka qenë vite më parë në një sit interneti. Poezia e tij rridhte ndjenjë. Ishte si një pikëllim i bukur që të çlodhte. Pasi lexova poezinë e parë, gërmoja sa herë që të lexoja poezitë e tij të reja. Nëse ka një gjë që ai di ta bëjë shumë mirë është të të përcjelli emocion. Është një lloj emocioni që të fisnikëron teksa lexon rreshtat e tij. Nuk e di nga i buron gjithë ky frymëzim i bukur, por do t’i këshilloja të gjithë që të kenë një pikëtakim me poezinë e tij, sidomos atëherë kur duan të ndihen trishtueshëm të bukur…”
Irena Shabani
Gazetare, Poete (Tiranë)
Titulli : Fijeshpresë,
Poezi dhe Shqipërime
Autor: Alban Tartari
Redaktor: Agron Tufa
Botuar: Nëntor, 2010
Botues: Universiteti Epoka
Nr. i faqeve:100

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit