Përzgjedhja e filmit “Amnistia” për të përfaqësuar Shqipërinë në “Oscar” është përshëndetur nga disa kineastë, duke e vlerësuar këtë zgjedhje si të drejtë dhe mbi bazë të rregullave të vendosur nga akademia e filmit në Los Anxhelos. Regjisori i njohur i filmit shqiptar Saimir Kumbaro, pohon se ky është një vendim i saktë, megjithëse sipas tij kinematografia shqiptare është ende larg të konkurrojë në evenimente të tilla. Në intervistën dhënë për gazetën “SOT” regjisori Kumbaro mes të tjerave pohon se filmi “Falja e Gjakut” ka një regjisor amerikan dhe ai quhet një prodhim amerikan. Sipas tij, përveç tematikës që trajtonte ky film nuk kishte asgjë shqiptare.
-Para disa kohësh bordi i QKK miratoi filmin “Falja e Gjakut” për të qenë kandidatura zyrtare e Shqipërisë në “Oscar” 2012, por ndërkohë ky vendim u hodh poshtë nga akademia e filmit në Los Anxhelos sepse ishin shkelur disa rregulla të akademisë, ndërsa më vonë u miratua nga bordi si kandidaturë zyrtare filmi “Amnistia”. Ju çfarë mendoni?
Po e nis me një parantezë. Ndërrimit i sistemit në vitin 1996 solli dhe krijim e QKK. Ne të gjithë ishim dakord që të krijohej kjo qendër, me idenë dhe shpresën e madhe që do të rritej cilësia e filmit shqiptar, por dhe sasia. Unë isha i pari që kam krijuar shtëpinë filmike “Bunker film” me Pirro Milkanin dhe Liri Begenë, fill pas kësaj u vu re një invazion ku çdo regjisori hapi një shtëpi filmike dhe kjo ishte e ekzagjeruar duke sjellë dhe një ngërç dhe një kategori krijuesish rrinin pasiv, sepse jo të gjithë hyjnë në garë dhe fitojnë. Defekti i dytë është se buxheti që u akordua nga qeveria për kinematografinë ishte shumë i vogël. I gjithë buxheti vjetor që ishte parashikuar për 4-5 filma mezi dilte për një film. Kjo gjë krijoi vështirësi për regjisorët, të cilët deri në vitin 1996 ishin pothuajse të mbyllur. Në ligj më vonë u fut që të bëhej montazhi financiar duke futur dhe shtëpi të huaja kinematografike, gjë që do ti hapte dritë jeshile dhe në Europë filmit shqiptar, pra bashkëprodhimi ose kooproduksioni dhe në fakt pati disa kooproduksione. Por a janë të justifikueshme këto? Për mua nuk janë të justifikueshme, vetëm me disa përjashtime të rralla, përmend këtu filmin “Parrullat”, “Kronikë provinciale”, filmi gjerman “Shqiptari” për të arritur tek filmi “Falja e Gjakut”, që u përzgjodh nga bordi i QKK të përfaqësojë Shqipërinë në “Oscar”. Filmi “Falja e Gjakut” është një prodhim 100 për qind amerikan, ashtu si dhe filmi “L’America” i Xhani Amelios që është 100 për qind italian, apo si filmi i Liri Begesë “Larg nga barbarët”, që është 100 për qind francez. Pra kemi të bëjmë me një produksion ku prezenca e shqiptarëve nga ana financiare nuk është, dhe i vetmi është filmi “Muajt e Mjaltit” i Goran Paskaljevicit, në të cilin ka pjesë Shqipëria. Megjithëse sipas ligjit të kinematografisë, komponentët kryesorë si regjisor, skenarist, kompozitor dhe producent duhet të jenë në masën 70 për qind shqiptarë. Me filmin “Shqiptari”, skenari është gjerman dhe gjysmë shqiptar, regjisori është gjerman, ngjarjet zhvillohen disa ditë në Shqipëri dhe Gjermani dhe quhet film shqiptar, mirëpo nuk mund të quhet film shqiptar, sepse në të gjithë botën quhet një film i Spilbergut, një film i Fatmir Koçit, një film i Saimir Kumbaros dhe nuk quhet një film shqiptar i Xhani Amelios, sepse ai merr automatikisht matrikullën e autorit kryesor të filmit që është regjisori. Mendoj se në Los Anxhelos është vënë re që janë shkelur rregullat dhe e kanë kthyer filmin “Falja e gjakut”, pasi ata kërkojnë të respektohen rregullat, por jemi ne ata që nuk i respektojmë.
-E gjithë kjo bëri që të kishte shumë reagime mes kineastëve shqiptarë, ndërsa mendimet pro dhe kundër nuk kanë munguar gjatë këtyre ditëve?
Unë nuk e kam parë filmin “Falja e Gjakut”, por kam dëgjuar fjalë të mira për të, por nuk më duket i drejtë vendimi i parë i bordit të QKK, që ky film të përfaqësojë Shqipërinë në Los Anxhelos në seksionin e filmit të huaj. Përveç tematikës, ky film nuk kishte asgjë shqiptare. Siç thashë dhe më parë, filmi mban gjithmonë autorësinë e autorit kryesor dhe në rastin konkret kemi të bëjmë me Joshua Marston, që është amerikan, prandaj dhe “Falja e Gjakut” është film amerikan. Këtu bordi që përzgjodhi herën e parë gaboi, më pas e korrigjoi. Akademia e filmit në Los Anxhelos e ktheu pas filmin “Falja e Gjakut”, sepse e pa që ishin shkelur rregullat. Me përzgjedhjen e “Amnistisë” mendoj se është bërë një zgjedhje e saktë, megjithëse ne nuk jemi ende në atë stad që të konkurrojmë me dinjitet në një eveniment të tillë si në “Oscar” dhe koha e ka vërtetuar këtë. Ne duhet të fuqizojmë fytyrën tonë të vërtetë dhe të tregojmë vlerat tona të vërteta dhe më pas të konkurrojmë.
-Janë disa shtëpi filmike që zhvillojnë aktivitet sot, si i shikoni ato?
Tek ne shtëpitë filmike janë kthyer si agjenci, që i bëjnë të gjitha. Po të shohim ekipin vëmë re që producenti, regjisori, skenaristi janë një dhe kjo gjë e dëmton. Ai që do ti bëjë të gjitha nuk i bën mirë. Një tjetër problem ka të bëjë me regjisorët, të cilët unë nuk di se çfarë bëjnë në botë, por vijnë këtu gjejnë një producent me letra dhe vijnë aplikojnë tek ne dhe fitojnë. Në një kohë kur të gjithë regjisorët e karrierës, duke filluar nga Dhimitër Anagnosti, Kristaq Dhramo, Pirro Milkani, Kristaq Mitro, Vladimir Prifti, Esat Musliu janë aut. Jo se nuk na duan, por nuk na jepet mundësia. Ne brezi i vjetër kemi defekte, dhe unë vetë jam partizan i të rinjve. Duke përfituar nga zemërgjerësia që ka kryeministri jonë vjen një kineast që ka bërë dy filma pak të suksesshëm, por një reklamë të suksesshme si Stan Dragoti dhe e bind kryeministrin që ti japë 250 mijë dollarë për të shkruar një skenar. Kanë kaluar 3 vjet dhe ne nuk kemi asnjë informacion se ku kanë shkuar këto para, në një kohë që me këtë buxhet mund të bëheshin 20 filma me metrazh të shkurtër. Unë mendoj se QKK ka bërë mirë që ka sponsorizuar studentët, gjë që duhet ta bëjë MASH.
-E ndërkohë çfarë mund të na thoni për këtë mori festivalesh, që zhvillohen në vendin tonë?
Kjo është bërë modë dhe asnjë nuk bën festival me paratë e veta. Tek ne bëhen festivale dhe harrohen. Unë nuk jam kundër festivaleve, por mendoj se si fillim duhet të fuqizojmë kinematografinë. Shteti jonë i jep këto para se do të zhvillojë kulturën, por tek ne njerëzit nuk kanë dëshirë të shkojnë në kinema, sepse ne nuk kemi një politikë që në shkolla që të edukojmë artdashës. Unë kam filmuar në disa shkolla në Amerikë dhe atje klasat ishin me projeksion, ku fëmijët merrnin edukime dhe për kinematografinë. Tek ne edhe një sallë që ishte tek “Myslym Shyri” ish kryetari i bashkisë e prishi. Njerëzit kthehen në kinema kur ka kinema.
- Buxheti për filmat në QKK ?
Për fat të keq këtë vit buxheti është pothuajse zero. Para se të vinte Artan Minarolli në QKK, u dhanë shumë projekte pa dallim nga cilësia dhe kur erdhi puna për këto prodhime që duan para, askush nuk ka lekë dhe mendoj se do të arrijë defiçiti-defiçitin. Nuk kanë para për të dhënë për projekte të vogla, dhe jo më për projekte që duan shuma të mëdha.
-E ndërkohë që dhe juve ju është aprovuar nga QKK një projekt për një film dokumentar?
Dokumentari titullohet “Vrasja e demokracisë”. Për herë të parë dhuna ndaj elementit demokrat opozitar antikomunist ka filluar në dhjetor të vitit 1944, më pas në vitin 1945 me gjyqin special të Koçi Xoxes, më pas vijoi me goditjet që hëngri po vetë Koçi Xoxe, dhe të gjitha këto bëheshin nën dirigjimin e Enver Hoxhës. Më pas kemi goditjen tjetër pas vdekjes së Stalinit, dhe kështu me radhë deri tek goditjen që erdhi me vdekjen e Mehmet Shehut. Po të shikojmë historinë e Shqipërisë, kjo është një copë e saj. Dhuna ka shoqëruara popullin tonë me dekada dhe unë do të mundohem të tregoj në një orë film ngjarjet nga viti 1945 deri më 1988. Unë kam xhiruar shumë pak dhe tani nuk kam para për të rifilluar xhirimet, pasi ata më dhanë një paradhënie të vogël më parë dhe sipas kontratës nëse QKK do ketë para duhet të japin pjesën tjetër, por unë kam informacion që QKK nuk ka para.
-Filmat e prodhuar në kohën e diktaturës e ruajnë akoma publikun. Pse vjen kjo sipas jush?
Tek filmat e vjetër futet historia, dekori, kostumografia, ambienti apo dhe faktorë të tjerë të cilët sot nuk janë më. Atje shikojmë Tiranën pa makina, shikojmë sekretarin e partisë në atë kohë si një pëllumb paqeje apo dhe elementë tjerë të kohës, ata filma kanë pasur shumë propagandë. Nuk duhet të harrojmë që disiplina e ashpër e asaj kohe na detyronte që ne të kishim një super korrektesë në prodhim. Unë filmat e mi i kam bërë me shumë qejf dhe kam pasur dhe asistentë të cilët më kanë ndihmuar shumë, megjithatë ne nuk mund të themi që filmat e sotëm janë të dobët, sepse prodhimi i sotëm do kohën e tij të stazhonohet dhe pasi të kalojë një kohë prej 10 vitesh mund të themi se cili film vlen dhe cili jo. Intervistoi: Julia Vrapi
No comments:
Post a Comment