Shpirti dhe shteti totalitar



Pikturë e Siemiradzki Henryk. "Grua e krishterë e martirizuar në Nero"
Vera Bekteshi
Për të konkretizuar temën Shpirti dhe Shteti Totalitar, mendoj se s’ka shëmbull më sinjifikativ se ai i një muzikanti të vrarë nga diktatura.
Pak kohë më parë, në fjalën e mbajtur ditën e dekorimit Mjeshtër i Madh, një artist shqiptar 60-vjeçar, Gazmend Mullahi, ndalet për të nderuar një artist tjetër shqiptar, ndoshta babanë e tij shpirtëror, një artist që kurrë nuk u dekorua, nuk mori ndonjë çmim, nderim apo mirënjohje. Ky ishte muzikanti Gaspër Çurçia.
Ai lindi në Shkodër në 1934 në një familje të kamur tregtarësh. Gjyshi dhe i ati i tij ishin përfaqësues të Kompanisë Ford për Shqipërinë. E ëma, Vjera, ishte kroate dhe të dy u njohën gjatë studimeve në Zagreb.
Për të kuptuar rrethanat e formimit të këtij artisti krejtësisht të veçantë, më duhet të përshkruaj shkurtimisht qytetin e Shkodrës, qytetin ku kanë zënë fill tek ne zhanret më të rralla të artit muzikor dhe jo vetëm të tij.
Të parat vende ku është luajtur muzikë në këtë qytet, kanë qenë lokalet. Qysh më 1878, ende nën sundimin otoman, Palok Kurti me orkestrën e tij, jepte muzikë në Milet Bahçe (vini re emrin turk të lokalit). Aty luheshin jaret e famshme shkodrane, por edhe muzikë e huaj nga vendet fqinje. Milet Bahçe-ja frekuentohej nga qytetarët shkodranë pavarësisht fesë të cilës i përkisnin dhe kjo traditë u ruajt edhe më pas ndër vite, edhe pse me ndërprerje të herë pas hershme. Kleri françeskan i përkrahu përgjithësisht këto aktivitete artistike në qytet, me sa duket për të zgjuar ndjenjën kombëtare, meqë ishin vende grumbullimi të të gjithë shqiptarëve.
“Është e pabesueshme që në Shkodër nuk u ndërpre muzika në lokale as në kohën e luftërave, thonë bashkëkohësit dhe njohësit e muzikës.”
Pas luftë II, më 1946, në Shkodër u hap Shtëpia e Kulturës dhe Teatri. Atëkohë bëheshin koncerte në sheshin kryesor me banda dhe orkestër. Prenkë Jakova ka qenë jo vetëm  iniciatori i gjithë aktiviteteve muzikore, por edhe kompozitori i operës së parë shqiptare.
Po atë vit, pra më 1946, ndodhi në Postribë, një fshat fare afër qytetit, kryengritja antikomuniste, e para e këtij lloji, jo vetëm në Shqipëri. Pas masakrës ndaj pjesëmarrësve dhe familjeve të tyre, Shkodra pësoi një tronditje të madhe dhe u “tkurr”. Të asaj kohe janë shprehjet e dykuptimta të shkodranëve, shprehje që u pasuruan e u përdorën gjatë gjithë kohës së diktaturës: “Shuk, a bane kursin?” që do të thoshte a arrestuan kënd nga familja jote?
Nën zë, në gjithë Shqipërinë gjatë pothuajse pesë dekadave shpërndaheshin barcaleta me nëntekst politik, që krijoheshin në këtë qytet njerëzish të talentuar. Ishte një nga format e  revoltës ndaj pushtetit e ngaqë kalonin gojë më gojë, i jepnin të drejtën e autorësisë të gjithë atyre që e përdornin dhe e shijonin ironinë me këtë pushtet.
Në këtë atmosferë Gasperi i vogël filloi të marrë mësime muzike nga pianistja Ida Melgushi. Kjo pianiste e mbetur në hije, ka qenë mësuesja e parë e shumë artistëve të shquar nga Shkodra.
Përveç pianos ai mësoi të luante në kitarë, fizarmonikë, harmonikë, por vegla e tij e preferuar u bë tromba. Me gjithë mësimet e marra, mund të thuhet se ai qe autodidakt.
Për shkak të origjinës së pasur familjare nuk mundi të ndiqte shkollën artistike në Tiranë, por futet në lëvizjen amatore, duke ekzekutuar kryesisht në lokalet e qytetit.
Në moshën 20-vjeçare, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, vjen në Tiranë, me të jëmën dhe të motrën, sepse fejohet e më pas martohet me një vajzë tiranase.
Në Tiranë gjen fillimisht punë si instrumentist nëpër lokale. Me krijimin e Estradës së Shtetit fillon për herë të parë një punë më serioze, në orkestër dhe kontribuon në shumë harmonizime dhe orkestrime së bashku me Alqi Karecon.
Gjatë këtyre viteve ai kompozon muzikë të lehtë si dhe një muzikë për film, por kryesisht orkestronte. Incizimet e tij në radio janë ende të paarritshme.
Aktiviteti i Gaspërit nuk u kufizua vetëm në muzikën e lehtë. Ai arriti të studiojë, projektojë dhe prodhojë instrumente të muzikës popullore si dhe të kompozojë për këtë orkestër. Por mbi të gjitha ai ishte një magjistar, një Lui Armstrong shqiptar, ishte një trombë në një gjysmë vajtim – shprehen kolegët e tij.
Në vitin 1962, me fillimin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion, Gaspëri gjeti më në fund veten në fushën e muzikës. Për herë të parë ai u bë pjesëtar i orkestrës së radios për festivalet e këngës.
Edhe mbas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, pas 1961-shit, Radio-Tirana jepte muzikë xhaz nga vendet e Lindjes, xhaz hungarez, polak, çek dhe gjerman. Po atë vit tek ne filloi të ndiqet televizioni italian. Shtëpitë e rralla që atë kohë e kishin këtë mundësi, pra aparat televizori, u kthyen në kinema ku ndiqeshin festivalet dhe emisionet muzikore italiane. Pak a shumë kjo situatë vazhdoi deri në vitin 1967, vitin e histerisë anti-kulturë, histeri që zgjati deri në 1972, për t’u përsëritur në 1973 edhe më ashpër.
Në këtë vit, pra në 1972, në arenën ndërkombëtare ndodhin ngjarje të rëndësishme. Presidenti amerikan Nikson viziton Kinën dhe shumë shpejt ky vend, satelit i të cilit ne ishim që prej prishjes me B.S., fillon të eci drejt hapjes me hapa të shpejtë. Kjo hapje e Kinës si dhe mundësia potenciale e rikthimit të hrushovizmit në B.S., bëri të lindin shpresat edhe tek ne. Këto shpresa mund të realizoheshin vetëm nëse do të kishte një ndryshim kursi, që do të fillonte në radhë të parë në kulturë. Atë vit në fakt, në të gjitha aspektet e jetës shoqërore në Shqipëri, ndjehej një frymë paksa liberale. Në të gjashtë teatrot profesioniste të vendit, u vunë në skenë drama moderne. Teatri i Operës dhe Baletit vuri në skenë operën “Traviata” me një skenografi të guximshme. Në artet figurative me gjithë vonesën, ndihej përpjekja për futjen e rrymave moderne.
Po në muzikë? Në muzikë njerëzit po prisnin me ankth festivalin e 11-të të Këngës në RTV Shqiptar. Qenë të shumtë ata që ëndërronin dhe guxuan të mendonin se ky festival do çelte rrugën e ndryshimit të kursit në politikën shqiptare. Për të flitej si për një ngjarje që do të ngrinte artin nga mediokriteti dhe vulgariteti që kishte uzurpuar jetën kulturore-artistike të vendit.
Shumë intelektualë dhe artistë mendonin që kultura jonë duhej të hynte patjetër në rrjedhën e kulturës globale. Kjo kulturë kishte të bënte me LIRINË dhe pyetja që shtrohej me ankth ishte:
A do të sillte kjo kohë disi më liberale një hap drejt lirisë?
Koha tregoi që ishte e pamundur!
Mbrëmjen e 23 dhjetorit 1972 filloi Festivali i 11-të i këngës në RTV shqiptar. Për tre net ky festival u ndoq me interes të jashtëzakonshëm, pikërisht për arsyet e përmendura më lart. Deri në ditët e para të Janarit 1973 kudo këndoheshin këngët e tij. Njerëzit e komentonin si ngjarje që lidhej me shpresën për liri.
Në mënyrë të papritur Radioja dhe Televizioni ndërprenë transmetimin e këtyre këngëve dhe kudo u përhap lajmi se diktatori e kishte goditur rëndë këtë festival. Pas disa ditësh ai doli në publik dhe u shpreh:
Kjo është një muzikë dekadente që kërkon të helmojë rininë e të kryejë përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri.
Çfarë mund të pritej paskëtaj?
Elita artistike në shkallë të gjerë mori një goditje shumë të ashpër. Me qindra artistë, jo vetëm në muzikë, por edhe në fusha të tjera të artit si teatri, piktura e arkitektura, morën dënime të ndryshme deri në burgime të rënda. Kërkohej të rrafshohej gjithçka, çfarëdo progresi në art e letërsi. U pengua transmetimi i RAI-it dhe në malin e Dajtit u vendosën zhurmues. Shqipëria po mbyllej hermetikisht. Shtegu i ngushtë që ëndërronim të na çonte drejt rrugës së lirisë, u mbyll përfundimisht.
Çfarë pjese kishte Gaspër Çurçia në këtë festival?
Ai ishte orkestruesi i këngëve dhe dirigjenti i të parës orkestër xhazi në skenë. Kjo ka qenë arritja më e madhe e tij. Edhe me mjetet e sotme është vështirë të arrihen orkestrime të atij niveli. Mjafton të përmendim arranxhimin në xhaz të këngës “Natën Vonë” që tingëllon aq i kohës sot e kësaj dite. Jo më kot artistët e rinj e kanë si pikë referimi. Si të gjithë organizuesit dhe kontribuesit e këtij festivali, që mbeti në historinë e muzikës, jetës artistike dhe shoqërore-politike të Shqipërisë, edhe ai mori dënimin përkatës. Gaspëri u çua fillimisht punëtor në Ndërmarrjen “Migjeni”.
Pas disa vitesh edhe aty filloi pas orarit, punën e muzikantit në lëvizjen amatore, duke organizuar një grup xhazi vetëm me femra. Më 1978 punon në një ndërmarrje tjetër, i angazhuar me prodhimin e instrumenteve popullorë, që i projekton dhe ndërton me pajisje  të ideuara nga ai vetë.
Mendja e tij nuk rresht së krijuari deri sa më 1984 akuzohet për një krijim të një lloji të veçantë, që kurrë nuk u provua, por që i kushtoi atij jetën.
Gjithë veprimtaria e tij artistike u ndalua rreptësisht dhe u asgjësua. Më 11 Prill 1984 muzikanti Gaspër Çurçia ekzekutohet. Në të njëjtën ditë, një vit më vonë, “shpallet” vdekja e diktatorit shqiptar, që ideoi, frymëzoi dhe vuri në jetë jo vetëm ekzekutimet e kundërshtarëve të tij politikë realë apo imagjinarë, por edhe të të gjithë shqiptarëve që luftuan për sado pak liri.
Lajmi i pushkatimit të Gaspër Çurçisë, megjithëse i pashpallur, u përhap fshehurazi në botën artistike të Tiranës. Qe një zi në heshtje. Tani fillonte kalvari i familjes. Gruaja Vasilika dhe tre djemtë Marku, Eduardi dhe Fredi, internohen në fshatin Dardhë të Beratit, në një zonë të thellë malore. Marku kishte trashëguar duart e arta të të atit, Fredi pasionin për trombën, kurse Edi, mirësinë e tij.
E fejuara e Edit, Zana, pa marrë parasysh pasojat dhe vështirësitë e jetës në internim, i bashkohet familjes Çurçia në fshatin Dardhë. Gjatë viteve të hidhura të internimit familja pati edhe një gëzim të madh, lindjen e dy fëmijëve, Vjerës dhe Xhinos.
Në vitin 1991, familja Çurçia, si shumë familje të tjera të dënuara kthehet në Tiranë dhe vendoset në ish Shkollën e Partisë. Fillon për ta një fazë tjetër jete në mizerje:
regjimi i vjetër po lëshonte terren, sepse s’mund ta mbante më. Shkolla e Partisë si bastion ideologjik i rëndësishëm i sistemit komunist, ishte nga të parat objekte, që u ‘pushtuan’.
Të gjitha ambientet e kësaj shkolle u populluan me ish të dënuar politikë, por kryesisht me të dënuar ordinerë të liruar atë vit nga burgjet. Kush ka jetuar apo vizituar ato vite rrethimin e asaj shkolle, mund ta dijë se ajo u kthye në një farë getoje, mu afër qendrës së kryeqytetit shqiptar.
Familja Çurçia u sistemua në një hapësirë, që më parë kishte shërbyer si kafe e shkollës. Hapësira kishte një parket që u kalb në mënyrë të rrufeshme, por së paku kishte një çati, edhe pse pikonte. Në cepin tjetër të katit të parë u sistemua një familje e ardhur edhe ajo nga internimi dhe burgjet politike. Ambienti që ata zunë kishte shërbyer më parë si infermieri e më pas si depo. Ish-kafeneja dhe ish-depoja, u bënë për vite vendet ku dy familjet kalonin çaste të gëzuara në liri, edhe pse në mes varfërisë dhe mungesës së kushteve më elementare të higjienës. Në dhomën e vetme e të madhe të Çurçive një prej djemve të depos, festoi dasmën e tij. Tradita e vjetër e familjes u shfaq edhe në këto kushte banimi.
Me lejoni t’i përshkruaj paksa këto kushte banimi, megjithëse nuk do jetë aspak e këndshme për lexuesin:
Mijëra njerëz të kthyer nga burgjet dhe internimet, jetonin në katër apo pesë godinat e shkollës, çdo familje e ngucur në një apo dy dhoma konvikti. Për çdo kat kishte tre apo katër të ndara banjash alla turka dhe asnjë vend për të bërë dush. Nga banorët e shumtë banjat bllokoheshin çdo javë duke filtruar më pas në tavanet e kateve të mëposhtëm. Plehrat e hedhura nga penxheret krijonin pirgje që zinin dritën dhe ajrin e penxhereve të katit të parë dhe që i ngjitur me tokën, sulmohej pa nda edhe nga banorët e tjerë të kësaj shkolle:
Ata ishin më të shumtë se banorët e sapoardhur që ishin të të gjitha llojeve. Ishin minj gjirizesh të mëdhenj, minj banesash të veckël, krimba shumëkëmbësh të shumuar nga lagështia e madhe, krimba me bisht që s’njihnin pengesa, buburrecë, tartabiqe, akrepa dhe merimanga të madhësive të panjohura, mushkonja dhe miza që nuk njihnin stinë.
Në këtë mjedis u rritën Jera dhe Xhinua i vogël me prindër thuajse të papunë. Për më tepër Vasilika, gjyshja e tyre, një grua me një mirësi të jashtëzakonshme, një mësuese shumë e dashur për breza të tërë nxënësish, sëmuret rëndë dhe pas një vuajtje të madhe, ndahet nga jeta.
Vëllai i vogël, Fredi i ikur në Itali, nuk mund të vijë për të varrosur të jëmën, sepse humb të drejtën e kthimit. Dëshpërimi rikthehet përsëri në familje. Megjithatë, Edi dhe Zana, me shumë përpjekje gjejnë mënyra mbijetese duke realizuar shkollimin e Vjerës së talentuar dhe atë që nuk realizuan dot djemtë e Gaspërit, e realizoi mbesa e tij. Ajo ndoqi traditën artistike të familjes, studioi dhe u diplomua në shkollën e baletit dhe sot është soliste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve.
Xhino ndodhet në Itali ku punon dhe ndihmon prindërit që janë pa punë fikse dhe që jetojnë edhe sot atje, ku për fat të keq kushtet e jetesës kanë ndryshuar shumë pak.
Ende është aktuale elegjia që i thurën kësaj shkolle nostalgjikët e komunizmit:
Moj Shkoll’ e Partisë
Ç’të ka rënë zija
Varur nëpër tela rroba vija –vija
Atje ku marksizmi mësohej më parë
Sot vej e vijnë vetëm të paparë…


Ky tekst u lexua më 30 shtator 2011 në seminarin e Fondacionit Konrad Adenauer në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës mbi temën Muri dhe Mungesa e Lirisë. Vera Bekteshi është autore e romanit autobiografik Vila me dy porta, Tiranë, 2009, ku tregon përvojën e rënies nga pushteti të një familjes komunistësh, jetën gjatë internimit po aq e vështirë aq vitet e para të kthimit në Tiranë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)