Bamir Topi: Kritikova Jozefina Topallin, jo qytetarinë shkodrane




Presidenti Bamir Topi ka reaguar lidhur me atë që ai e quan keqinterpretim mbi deklaratën, ku ai foli për një zyrtare të lartë të shtetit e pikërisht kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në këtë reagim sqarohet se deklarata e djeshme e Topit kishte të bënte me veprimet personale të Topallit dhe nuk kishte për qëllim të kritikonte traditën apo gjuhën e qytetit të Shkodrës.
“Në respekt të qytetarisë shkodrane, opinionit publik dhe përgjegjësisë institucionale Presidenti sqaron se në asnjë rast, në asnjë fjalë apo veprim të tij nuk ka bërë komente kritike ndaj qytetit të Shkodrës, qytetarisë së saj, traditës së pasur të gjuhës apo të kulturës së saj. Mesazhi kritik i Presidentit, siç mund të vërtetohet direkt përmes regjistrimeve televizive i është adresuar nominalisht një zyrtari të lartë të shtetit, e cila me qëndrime e sjellje joinstitucionale, keqpërdor detyrën kushtetuese, postin publik, etikën institucionale të komunikimit dhe vetë votën demokratike të Shkodrës”, thuhet në reagimin e presidencës.
Në këtë reagim nënvizohet se vlerësimi i Presidentit për Shkodrën, është dëshmuar me nderimin e personaliteteve më të shquara qytetare, kulturore e sportive si dhe të qëndrimit të tij permanent në mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e traditës së pasur të qytetarisë shkodrane.
“Çdo interpretim tjetër është jorealist dhe i sponsorizuar nga zyrtarë të veçantë, të cilët duan ta mbajnë qytetin peng të axhendave të tyre personale politike. Për këdo sot është e qartë se ky ose këta individë nuk përfaqësojnë Shkodrën as traditat e saj të çmuara kulturore, por vetëm një grup individësh të lidhur me interesa specifike pushteti, të cilët me rotacion nominal e kanë pronësuar me pa të drejtë vendimmarrjen politike të këtij qyteti. Kjo sjellje abuzuese me mandatin përfaqësues dhe vullnetin e qytetarisë shkodrane, me siguri që nuk ka dhe nuk mund të ketë mbështetje qytetare, përveç grupeve të tilla të izoluara dhe të lidhura me interesa të ngushta ekonomike e politike”, thuhet në reagimin e Topit.
*    *    *
Drejtoria e Informacionit Publik në Institucionin e Presidentit ka reaguar mbi një lajm të publikuar nga një gazetë pranë qeverisë. Gazeta në fjalë në numrin e sotëm raportonte se Presidenti i Republikës Bamir Topi është larguar nga stadiumi “Loro Boriçi” para përfundimit të ndeshjes Vllaznia – Tirana. Shkak sipas gazetës janë bërë thirrjet e tifozëve kundër Topit.
Në reagimin e sotëm presidenca saktëson se lajmi është një “deformim mediatik i porositur në kushtet e një nervozizmi politik”.
“Këto janë deformime të qëllimshme, që synojnë t’i japin një imazh negativ pritjes jashtëzakonisht të ngrohtë e qytetare që iu rezervua Presidentit të Republikës si kudo, edhe në qytetin e Shkodrës. Presidenti i Republikës, ishte personaliteti i vetëm që nderoi ditën e djeshme në një ceremoni homazhi, kujtimin e aktorit të paharruar jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë, Ndrek Prela”, thuhet në reagimin e presidencës.
Në këtë reagim sqarohet se “largimi pak momente para mbarimit të ndeshjes, lidhej vetëm me detyrimin qytetar e institucional për të respektuar përfaqësuesit e familjeve të nderuara shkodrane, të mbledhura për ceremoninë e paralajmëruar të dekorimit të disa personaliteteve të sportit në qytetit e Shkodrës, që janë pikë referimi për çdo brez”.

*    *    *
Duke luajtur me termin “spikere e parlamentit” për kryeparlamentaren Jozefina Topalli, presidenti Topi, i cili sot ndodhet në Shkodër u shpreh se “spikeri përgjithësisht i merr tekstet e recitimit nga të tjerët. Është çështja se sa në mënyrë cilësore e reciton tekstin. Por, minimalisht do t’u thoja të gjithë këtyre që së paku në komunikim me publikun të jenë qytetar dhe, e dyta, ta flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte”. Një përgjigje e tillë e kreut të shtetit erdhi në momentin që u pyet për deklaratat e Topallit se Presidenti është pjesë e “një celule antievropiane” – sipas saj.
Ndërkohë që për këtë deklaratë të kreut të shtetit kishte një reagim të menjëhershëm të zyrës për shtyp të Kuvendit. “Topalli flet me krenari dhe me vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni, Luigj Gurakuqi. Atë gjuhë Haxhi Qamili nuk e kupton dot!” – thotë kjo deklaratë që duket se nënkupton edhe ndasi krahinore të palejueshme për një politikan të lart.
Kundërreplika erdhi edhe nga zyra e shtypit e Presidencës e cila u shpreh:
“Presidenti vlerësoi sonte të gjitha familjet e njohura e me tradita qytetarie, kulture e sportdashëse që i kanë dhënë emër Shkodrës, por edhe krenari gjithë Shqipërisë. Nisur nga deklarata e zyrës së shtypit të Kuvendit, zyra e shtypit e Presidentit shpreh bindjen se po të ishin gjallë Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni e Luigj Gurakuqi do të ndiheshin të fyer nga kush i përfaqëson me mungesën e etikës, kulturës politike e institucionale dhe respektit për shqipen zyrtare në Republikën e Shqipërisë”.
Presidenti Topi iu përgjigj edhe deklaratave të Ministrisë së Mjedisit për ligjin e plehrave: “Koha ka provuar se vendimet e Presidentit kanë qenë gjithnjë korrekte dhe Gjykata Kushtetuese është prova më e qartë edhe me ligjin e pronave. Unë kam kontestuar kontradiktën mes neneve dhe habitem që ekspertë të mjedisit nuk shqetësohen për ambientin, por bëjnë komente politike”, përmbylli Presidenti i vendit.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit