Boris Ljubomir Tadiç porosit serbët e rebeluar të mos konfrontohen me KFOR-in




Përfaqësuesit serbë të katër komunave veriore janë mbledhur për mbi tri orë në Zubin Potok për të sjellë konkludime në lidhje me kërkesën e KFOR-it për heqjen e menjëhershme të barrikadave në veri.
Mediat serbe raportojnë se në takim është kërkuar nga kryetarët ilegalë të komunave veriore që në bisedimet me përfaqësuesit e KFOR-it të gjejnë zgjidhjen për furnizimin e trupave të KFOR-it në veri të Kosovës.
​​Përfaqësuesit e serbëve të veriut kanë kërkuar që bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës të mbahen nën ombrellën e Këshillit të Sigurimit, në përputhje me rezolutën 12 44 duke thënë se nuk pranojnë që në veri të zbatohen marrëveshjet e arritura në dialogun që zhvillohet në Bruksel.
Po ashtu është kërkuar që hetimet për ngjarjet në Jarinë të bëhen nën mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Zubnin Potokut, Stevan Bozhoviq, ka thënë se miratimi i këtyre pikave nuk nënkupton edhe heqjen e barrikadave, por vetëm mundësimin e furnizimit të ushtarëve të KFOR-it në veri.
KFOR-i ka shtyrë të paktën dy herë afatet për heqjen e barrikadave, ndërsa konvoji i nisur dje për të furnizuar ushtarët në veri përmes rrugëve tokësore ka hasur në rezistencën e banorëve në barrikada.
Zyrtarët e KFOR-it nuk deklarohen në lidhje me veprimet e sotme, duke lënë të kuptohet se presin rezultatet e takimit të përfaqësuesve serbë.
Ndërkohë, një deklaratë para takimit përfaqësuesi i serbëve të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq ka bërë të qartë se në verpimet e tyre kanë mbështetjen e Beogradit.
“Udhëheqja shtetërore e Serbisë është me popullin në Kosovë dhe ne jemi në kontakt me Beogradin përmes ministrit për Kosovën, Goran Bogdanoviqit. Ata na japin mbështetje në luftën tonë paqësore”, ka thënë Nedelkoviq.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se gjendja në veri mbetet e pandryshueshme.
“Sa i përket barrikadave deri më tani nuk kemi pasur ndonjë veprim apo aksion për largimin e tyre. Në to kemi prani të personave të përkatësisë serbe në urën kryesore, në Shkollën Teknike, në Zupç dhe në Rudare”, tha Hoti.
E diela ishte përcaktuar fillimisht si afat për largimin e barrikadave nga ana e paqeruajtësve dhe po atë ditë, në komunikatën e KFOR-it thuhej se “përfaqësuesit e komunave të Leposaviqit, Mitrovicës veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë kërkuar më shumë kohë dhe komandanti i KFOR-it ka vendosur t’u ofrojë një ditë shtesë”.
Strukturat paralele kërkuan kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në veri
Në takimin e katër komunave veriore të mbajtur të mërkurën në Zubin Potok, deputetët njëzëri kanë obliguar kryetarët e komunave që në bisedime me përfaqësuesit e KFOR-it të gjejnë një zgjidhje të përbashkët rreth furnizimit të ushtarëve në veri të Kosovës.
Brenda këtij takimi kanë bërë të ditur se deputetët kanë shprehur mospajtimin e tyre që gjendja reale në terren të ndryshojë dhunshëm, si dhe kanë kërkuar që gjendja në veri të Kosovës të kthehet siç ishte para 25 korrikut.
”Ata kërkuan kthimin e një pjese të ushtrisë dhe policisë serbe në veri të Kosovës, kthimin e UMNIK-ut në vend të EULEX-it, pastaj që bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit të udhëhiqen nën mbikëqyrjen e Këshillit të Sigurimit të KB-së, ndërkohë që marrëveshjet e arritura deri tani të mos imlementohen, sepse dëmtojnë interesat serbe”, kanë thënë burimet, duke shtuar se deputetët e pranishëm kanë insistuar po ashtu që veriu i Kosovës të mbetet në kuadër të Serbisë.
Tadiq porosit serbët e rebeluar të mos konfrontohen me KFOR-in
Përfaqësuesit e serbëve të veriut duhet të marrin një vendim të arsyeshëm në raport me KFOR-in. Ky është moment historik për qëndrimin e serbëve në këto hapësira, ka thënë para takimit të mërkurën i ashtuquajturi kryeshef i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq.
Sipas tij, serbët lokalë kanë porosinë nga kreu i shtetit të Serbisë Boirs Tadiq që të mos konfrontohen me forcat ndërkombëtare në Kosovë, KFOR.
“Mendoj se ky është momenti historik për serbët e këtushëm dhe për mbijetesën e tyre në këto hapësira. Sot në këtë takim duhet të jemi shumë të shkathët dhe të mençur, të vendosur e të guximshëm në mënyrë që të marrim një vendim racional”, ka thënë Radenkoviq, duke shtuar se në asnjë mënyrë serbët nuk guxojnë të shkaktojnë konflikt me institucionet ndërkombëtare.
KFOR-i pret vendimin e serbëve për barrikadat
Këshilltarët e katër komuna ilegale sot në takimin e tyre në Zveçan duhet të vendosin a do t’i heqin barrikadat nga rrugët në veri të Kosovës. KFOR ka tërhequr vërejtjen se është i vendosur që sot të ndërmarrë aksion për heqjen e barrikadave nëse serbët nuk marrin vetë vendim për largimin e tyre.
Mbledhja e “këshilltarëve” është planifikuar të fillojë para mesdite dhe në të marrin pjesë edhe zyrtarë nga Beogradi.
Kryetari ilegal i komunës së Leposaviqit Branko Niniq ka thënë për B92 se sot me siguri do të arrihet marrëveshja për heqjen e barrikadave.
Sipas paralajmërimeve të sekretarit në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën Oliver Ivanoviq, sot do të arrihet marrëveshja ndërmjet serbëve dhe përfaqësuesve të KFOR-it e cila ka tri elemente.
Marrëveshja, sipas tij, përfshin pikat se KFOR-i nuk do të transportojë doganierët e Kosovës, se nuk do të lejojë shkuarjen e njësiteve të armatosura të Kosovës në veri dhe se nuk do të ndihmojë EULEX-in në për të sjellë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në veri.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)