Çlirim Hoxha:'Ditari i një murgeshe'



I pritur me interes nga lexuesit shqiptar, Shtëpia Botuese 'TOENA', nxori së fundmi në qarkullim romanin e pestë të shkrimtarit vlonjat Çlirim Hoxha. Romani titullohet 'Ditari i një murgeshe' dhe konsiderohet nga botuesi si një befasi i letërsisë shqiptare të 20 viteve të fundit. Një mëngjes herët, personazhi kryesor i romanit Aleksiada, e vogla vajzë mbetur jetime, troket në derën e manastirit të vjetër, duke mbyllur jetën e saj të re brenda atyre mureve. Por, nuk do të kalonte shumë dhe ajo do të sfidonte betimin dhe do binte në prehrin e dashurisë së vërtetë. Për një moment ky roman më solli ndërmend novelën e prozatorit francez Deni Didero 'Murgeshat', të shkruar prej tij, në 1760. Ky shkrimtar së bashku me iluministët e Shekullit të XVIII ishte personifikimi i traditave nacionale progresiste të kulturës franceze. Me të drejtë Rusoi do të thoshte për Dideroin, 'Kohët që do të vijnë do ta shikojnë këtë mendje universale me një ndjenjë admirimi të pleksur me habi'. Dhe ja përsëri, gati pas tre shekujsh në letërsinë tonë kombëtare shkrimtari vlonjate Çlirim Hoxha nëpërmjet 'Ditarit të Aleksiadës' ngre zërin kundër padrejtësive të kohës, për lartësimin e figurës së gruas të mbushur me nektar amoroz të atdhedashurisë, të nderit, të kulturës sonë e të traditave tona kombëtare. Heroina e romanit të Çlirim Hoxhës, Aleksiada, mbart ngjashmëri me heroinën e Dideroit Suzana Simonen, e përshkruar prej tij me mjeshtëri, me patos njerëzor, antiklerikale, me protesta demaskuese kundër botës së kalbëzyer manastireske, fanatizmit fetar. Ai flet për të drejtat e gruas, në mbrojtje të së cilës iu desh jo mëse një herë të ngrejë zërin e tij emocional e revoltonjës, për lirinë e personalitetit të saj. Ashtu si tek 'Murgesha' e Dideroit edhe tek 'Murgesha' e Çlirim Hoxhës demaskohet bota obskurantiste e manastireve ku tek-tuk mund të hasje ndonjë rreze drite të një shpirti të ngrohtë e fisnik, rastësor në këtë botë të zymtë. Ashtu si Didero i shërbeu Francës progresiste edhe me murgeshën e tij, edhe Çlirim Hoxha me murgeshën e tij, jep në sfond disa linja të personalitetit të gruas shqiptare dhe jo vetëm. Ky libër është si një manifest për shekullin që jetojmë; kundër padrejtësisë ndaj gruas, ndaj shfrytëzimit të fëmijëve nga imoraliteti klerikal që kaq herë Papa Benedikti ka ngritur zërin e vet kundër shërbëtorëve amoral të Perëndisë. Do të doja këtu të citoja disa thënie të Deni Dideroit; 'Republika është shteti i barazisë', apo; 'Ndërgjegja e ligjëvënësve është faktor vendimtar për zhvillimin e shoqërisë', pse jo dhe 'Lirinë personalitetit do t'ia jap prona private, teksa interesi shoqëror do të kufizoj interesin personal...' etj. Deni Didero thoshte; 'Njeriu që pushon së lexuari, pushon së menduari'. I citova këto për t'i bërë jehonë romanit të Çlirim Hoxhës që ngre zërin kundër padrejtësive shoqërore të kohës së diktaturës. Lexoni Aleksiadën e Çlirim Hoxhës, ajo të revolton deri në paradoks, të qetëson dhe frymëzon për një jetë të dlirë, të ndershme, të ngre kundër pengesave për të qenë i lirë në mendime e veprime, pse jo ka vlera edhe për aktualitetin që jetojmë, mbarsur me element moral shumë të rëndësishëm. Romani të shkakton kënaqësi estetike të mrekullueshme, gërshetuar këto me pikturimin e arrirë që autori u ka bërë figurave letrare. Në këtë roman me atribut 'epistolario', përmbledhje letrash të ditarit të murgeshës Aleksiada, nëpërmjet heroit pozitiv të murgut Sotir, i cili i drejtohet me dashuri atërore jetimes Aleksiada, transmetohet një nga mesazhet më të ndjeshme. 'Bija ime, - i thotë Aleksiadës murgu Sotir, - kjo botë e ngatërruar me shumë vuajtje dhe ligësira e ka të vështirë të zbulojë të vërtetat. Na takon neve që dimë diçka t'ia përcjellim këto të vërteta brezave që vijnë... Të mos rrimë duarkryq e të shohim se si të tjerët na sfidojnë kaq hapur...T'i tregojmë botës se gjuha që flasim ishte e para gjuhë që Zoti u foli njerëzve të parë...Se kjo tokë, që sot quhet Helladë, dje s?ishte e tillë, por tokë pellazgësh dhe ilirësh të lashtë...Troja, Sparta, Itaka, Athina, Kreta...janë vende ku u mbrujt shpirti pellazg i ilirëve...' Ky mesazh e frymëzon Aleksiadën t'i drejtohet me Apostrofa të fuqishme heroit të Trojës Patroklit. Nga brendësia e shpirtit të saj lind thirrja: Ngrehuni o heronj të Trojës dhe i tregoni gjithë botës, se kjo është fara jonë dhe askush nuk mund të na i mohoj. Për origjinën tonë pellazgo-ilire është shkruar e folur jo vetëm nga historianë shqiptar e të huaj, por edhe nga arvanitasit e Greqisë, pa lënë në haresë disa pseudohistorian të huaj të cilët duan të shtrembërojnë të vërtetat e historisë së racës sonë boreale. Ja, edhe për këtë e ngre zërin autori i romanit 'Ditari i një murgeshe'. Mesazhet që transmeton autori nëpërmjet Aleksiadës janë sinjifikative. Ato të frymëzojnë me atdhedashje, me besnikëri ndaj idealit të dashurisë, me lirizëm shpirtëror e mendimesh, me humanizëm njerëzor, me altruizëm, (kujtojmë sakrificën e familjes arvanitase Kokosi, që strehoi Aleksiadën që u arratis dhe e braktisi manastirin ku kërkoi strehë, por gjeti mbretërinë e mykur manastireske). Autori edhe pse e çoi heroinën e tij, Aleksiadën, në vetëflijim nuk është pesimist, por ai proteston si shqiptar kundër padrejtësive shoqërore. Edhe pse evokon një ngjarje të kohës së kaluar, ky roman me vlera ideo-estetike, tingëllon aktual për sot dhe brezat që do vijnë. Ngjarjet e romanit të mbajnë të gozhduar deri në fund dhe faqe pas faqe lexuesi përjeton emocione të papërsëritshme, ngjarje dhe personazhe që shfaqen vetëm një herë në jetë, por që lënë gjurmët e tyre në ndërgjegjen tonë, duke na dhënë mundësinë e një gjykimi gjakftohtë. Autori ka guxuar të tregoj të patregueshmen, një histori dashurie apo histori tragjike njëkohësisht, duke shkaktuar jo pak hamendje dhe polemika. Romani në formë ditari lexohet me një frymë, duke ndikuar në uljen dhe ngritjen e adrenalinës njerëzore, përmes një gjuhe të rrjedhshme, tërheqëse dhe intriguese.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)