Fatos Lubonja: “Instrumentalizimi që i bën Topalli debatit duke i vendosur katolikët si superiorë ndaj myslimanëve është i rrezikshëm.” Shtypi për Topi vs. Topalli.


Lexojmë tek gazeta Shekulli se: “Përplasja mes Presidentit të Republikës dhe Kryetares së Kuvendit dhe sidomos replikat e kësaj të fundit që i dhanë deklaratave sfond krahinor, duket se kanë hapur debat të fortë publik.”
“Instrumentalizimi që i bën Topalli debatit duke i vendosur katolikët si superior ndaj myslimanëve është i rrezikshëm, – deklaroi mbrëmë në emisionin Opinion në TV Klan publicisti Fatos Lubonja. Sipas përfaqësuesit të qeverisë Gent Strazimiri, Topalli nuk ka dashur t’i fyejë myslimanët shqiptarë. Strazimiri ka ndërprerë vazhdimisht Lubonjën shpesh pa etikë i mbështetur nga moderatori Fevziu. Lubonja i është drejtuar ndërkohë Fevziut me fjalët: “Ke kohë që bën debate që polarizojnë Shqipërinë. Ta dija që do kishe në panel, militantë si Strazimiri, nuk të vija në emision.. Nuk mund të na marrësh ne si gazetarë e të na vesh përballë militantëve.. je bërë palë me PD-në”.
Në po këtë gazetë lexojmë shkrimin e Ardian Vehbiut rreth këtij debati:
Meqë Kryetarja Topalli jo vetëm flet lokalisht në një mjedis institucional qendror, por edhe e bën këtë me bindje, atëherë nuk mund të mos krijohet përshtypja se ajo kërkon ta theksojë prejardhjen e saj gjeografike dhe kulturore, duke i kumtuar publikut të vet, sa herë që e përdor shkodranishten, se Parlamenti i Republikës Shqiptare ka për kryetare e cila i referohet, në identitetin e vet, jo Republikës, por Shkodrës dhe Gjergj Fishtës.
Dhe ky është akt politik i kulluar. Për arsye të njohura, shumë shqiptarë, sidomos nga veriu i Shqipërisë, po ndeshin në vështirësi me standardin; kryesisht ngaqë mësimi i shqipes në shkollë, këto njëzet vjetët e fundit, ka lënë shumë për të dëshiruar. Vështirësi të ngjashme, madje edhe më të mëdha, po ndeshin sot edhe shqiptarët në Kosovë. Shto këtu edhe zbritjen e një numri të madh shqiptarësh të veriut drejt qyteteve të Shqipërisë së Mesme, për të plotësuar tablonë e një mase të madhe njerëzish, të cilët nuk e përdorin dot standardin ashtu siç do të dëshironin, dhe e perceptojnë këtë mangësi si një barrierë midis tyre dhe institucioneve qendrore të shtetit, ose mass mediave me shtrirje kombëtare.


EDLIRA GJONI

Cilin variant? “Përmbi za që lshon bylbyli”, apo “gjuha jonë sa e mirë”? Nga mënyra se si tingëllon në gojën time toskë-shqiptimi i vargjeve të Mjedës, gjuha e tij shqipe m’shugullon e bash pa da zemnën ma ngushllon tek e përsëris. Por, në përmendje e sipër, hezitoj, duke ditur se gazeta në të cilën botohet shkrimi përdor ligjërisht shqipen e njëjtësuar zyrtare,  përfshirë edhe citimet në ligjëratë të drejtë të dialekt-folësve shqiptarë. Dhe nuk mund të pretendohet ndryshe përderisa përdorimi i njësuar i gjuhës është vendosur në një marrëveshje akademikësh, gjuhëtarësh e shqipdashësish më të mëdhenj se këta të sotmit, që në vitin 1972. Që të kthejmë sërish ëmbëlsinë e shqipes së Mjedës në përdorim nuk do të ishte aspak keq. As mprehtësinë e leksikut të Fishtës, që e gjen shqipen gjuhë shpirti, jo foltoreje: “Porsi kanga e zogut t’verës, q’i vallzon n’blerim të prillit, porsi i ambli fllad i erës, q’i lmon gjit e drandofillit; Porsi vala e bregut t’detit, porsi gjama e rrfes zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, njashtu a’ gjuha jonë shqyptare”.
Po nuk e di nëse Mjeda e Fishta do të dilnin në publik sot e të flisnin me gegërishten e tyre të mrekullueshme, duke ditur se në përdorimin e gjerë të shqipes është përcaktuar të jetë një variant i njësuar i saj, për të cilin kanë rënë dakord ca burra e gra të mençme rresh 40 vjet më parë. Është mirë apo keq që është vendosur toskërishtja e përpunuar si gjuhë zyrtare, kjo është çështje tjetër për diskutim dhe, për fat të mirë, ky vlerësim i kapërcen kapacitetet e jo-gjuhëtarëve. Por, që të shash apo të mburrësh përdorimin e gjuhës së Fishtës, të Mjedës apo edhe të Haxhi Qamilit, është njëlloj sikur drejtimin e lëvizjes së mullinjve të erës ta shohësh njëherë me sytë e Sanço Panços, e njëherë me ato të Don Kishotit.
Debati i fundit mediatik mes Presidentit e kryetares së Parlamentit, më shumë se i panevojshëm, është edhe krejt pa vend. Që të ligjërohet e të mbështetet përdorimi gjoja fishtian i shqipes në njërin krah, apo varianti modern i saj, pa pikë, presje, nyja, parashtesa, prapashtesa e huazime, nga krahu tjetër, duhet bërë një kongres tjetër, që ta hartojë, ta miratojë e t’u shpjegojë shqiptarëve llojin e ri të shqipes që duhet të dëgjojnë, lexojnë, shkruajnë e të presin për përdorim të gjerë në vazhdim. Pra, zgjedhja e shqipes nuk është çështje shijesh personale, as mitizim apo keqpërdorim i pakontrolluar i saj.
Në një nga shkrimet e tij të fundit, tek lëngonte në ditët pa shpresë, i dhëni i tëri pas shqipes, Robert Shvarci u orvat edhe njëherë të tërhiqte vëmendjen e medias e të politikës për përdorimin e gjuhës shqipe, që për të ngeli e shenjtë. (“Pasurimi” i gjuhës shqipe në media, R. Shvarc).
Thirrja e tij ngeli fatkeqësisht kambanë në shkretëtirë, siç kishte frikë edhe vetë, sepse sot, në emër të shqipes, herë të përdorur gabim në emër të fishtëzimit, e herë të barbarizuar në emër të modernizimit, roli i gjuhës është tjetërsuar; nëse Shvarci, ashtu si Fishta, Mjeda, Luarasi, Frashëri, Kristoforidhi, Xhuvani, Çabej, Kostallari, Shuteriqi, Cipo, Dodbiba, Domi apo Riza, mendonte se gjuha duhet përdorur për bashkimin e shqiptarëve, në kohët moderne ajo po përdoret për t’i ndarë ata. Po, kështu duket, se në skenë nuk kemi më turq që na sulmojnë kalatë, por kemi politikanë ngjyra-ngjyra që pretendojnë se me gjuhën krijojnë identitet. Në fakt, është e kundërta. Se është përgjegjësi e madhe të pretendosh se ecën në gjurmë të atyre që kanë vënë gurë themeli në gjuhën shqipe. E po ta ndiqte Fishta debatin e sotëm mbi dialektizmat, s’do të ishte çudi të huazonte Azem Shkrelin me retorikën e tij përcëlluese: “Sikur të takoheshim me vetveten në sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”.
Ç’do të bënin Fishta, Mjeda, Migjeni, apo edhe Naimi e Luarasi, nga kahu tjetër, nëse pasardhësit e tyre deklarojnë se janë vetvetja e të mësipërmve? Dilemë e madhe, po këtyre pikave të referimit që përdoren sot nuk u kishte hyrë në gjak lufta brenda llojit. Ndaj duket sikur Fishta i ka shkruar për sot vargjet për shqipen: “Qoftë mallkue kush qet ngatërrime, ndër kto vllazën shoq me shoq, kush e dan me flak’ e shkrime, çka natyra vet’ përpoq”.
E s’kishte si ta dinte Fishta se lufta shoq më shoq s’do të bëhej tamam për gjuhen, por ajo do të përdorej për qëllime shumë më të mbrapshta se aq. Në një kohë tjetër, Petro Nini i drejtohej pikërisht kësaj frike të brendshme: “Epo ju gjuhën tonë, doni ta humbisni fare, dhe me mallkim e me nëmë, shprehni ta shpini në varre”. Po frika e tij vinte nga priftërinjtë që bënin mesha në gjuhën greke, e nuk kish si ta mendonte as ai, as të tjerë shqipdashës në kohën e tij, se shkatërruesit e vërtetë të shqipes, keqpërdoruesit e ndarësit me vise në emër të saj do të ishin vetë shqiptarët. E kur Kadareja thoshte se ishin turqit që “me parashtesa e pjesëza, e lidhëza së prapthi, të bukurën gjuhë tonë, e bënin lesh arapi”, as ai nuk e mendonte, njëlloj si edhe Shvarci, se gjuhën dhe rolin e saj e sollën në këtë gjendje shqiptarët vetë, politikanët dhe njerëzit e saj me status gjoja publik, që e përdorin gjuhën si t’u interesojë atyre, e jo si t’i vijë për shtat shqipes.
Këtu nuk ka vend për rishikim apo vlerësim të aftësive apo të vendit që zënë rilindësit në historinë tonë, por porosia e Naimit duket më me vend sesa debati qesharak që ka plasur për llojet e shqipes: “Pa shihni sa ësht’e mirë, s’u vjen mall’ e dëshirë? Gra, burra, djem e vasha! E ju plaka zë-trasha! Mos rrini pa e mësuar, Kjo do të na nderojë”. Jo se nderi është ndonjë virtyt me vlerë ndër ata që fshihen pas shqipes, po të paktën si këshillë edhe mund të hahet.
E, në fund, një mendim i fundit i Shvarcit, që për ironi të fatit u drejtohet institucioneve që sot janë në qendër të gjoja debateve për gjuhën: “Në qoftë nevoja, mund t’i drejtohet një peticion edhe Presidentit të Republikës, Kuvendit apo Kryeministrit për ndërmarrjen e sanksioneve – sepse, fatkeqësisht, në këtë vend të bekuar, ku demokracinë ende e ngatërrojnë me anarshinë totale, vetëm gjobat i sjellin në vete disa kokëbetonë, që më kujtojnë tri vargjet e paharruara të Bertolt Brehtit: ‘Nga tigrat munda të shpëtoj,/ Me gjakun tim ushqeva çimkat,/ Por kokën ma hëngrën mediokrët!’”.
E, Fishta, më shumë ngjan me Brehtin, sesa me këdo që pretendon se e pason. Ndaj debati për gjuhën është mirë t’u lihet gjuhëtarëve.

Lëvizja e Presidentit, Jozefina, gegnishtja dhe zhargoni 


JETMIR SHPUZA


Kur Presidenti Topi, të shtunën e kaluar gjatë një vizite në Shkodër, sulmoi Kryetaren e Parlamentit, zonjën Topalli, pa e përmendur me emër para mediave të qytetit të Shkodrës duke e etiketuar si spikere që lexon atë që ia shkruajnë të tjerët dhe që nuk e flet mirë shqipen. Me siguri zoti Topi po bënte një deklaratë fort mirë të menduar, si në mënyrën e etiketimit me qëllim denigrimi dhe injorimi politik, ashtu edhe ndaj korrjes së fryteve politike që do të vinin më pas.
Personalisht ndjeva një keqardhje ndaj kësaj shprehjeje që injoron një politikane të qytetit tim. Ndonëse opozitar i saj, kam qenë entuziast ndaj daljes së zonjës Topalli në politikë, e kam mbështetur edhe publikisht në vitet e para, pavarësisht mendimit që mund të kem sot duke e analizuar në aspekte të ndryshme të funksionimit përfaqësimin e saj, si spikere e Parlamentit. Presidenti Topi i bëri një sfidë të fortë, duke e sulmuar zonjën Topalli në Shkodër, pra në “strofullën e saj”. Dhe natyrisht përgjigjja erdhi duke i kaluar përmasat personale si debat mes dy politikanëve, dhe duke e kthyer në debat për gegnishten, në mbrojtje të gegnishtes, pra duke marrë zonja në fjalë aureolën si mbrojtëse e një lobi, atij shkodran, apo më tepër gege. Por si qytetar shkodran, ndihem i fyer për cilësinë e këtij debati. Deklaratën e Topit unë nuk e kuptova si sulm ndaj gegnishtes, pasi një gjë e tillë do të ishte pa sens, e realizuar pikërisht në Shkodër. Qysh në fillim, deklarata e Kryesisë së Kuvendit, ku kryetarja mbrohej duke thënë se përdor gjuhën e Fishtës apo Migjenit, në vend që t’i jepte pikë zonjës Topalli, e uli nivelin e saj përballë Presidentit. Në radhë të parë nuk mund të pretendohet se po përdor gjuhën e Fishtës apo Migjenit, sepse gjuha e tyre ka art brenda, art që e nderuara Topalli të paktën publikisht nuk ka arritur ta manifestojë deri tani. Në radhë të dytë, nuk mund të pretendohet se po përdoret gjuha e kohës se këtyre dy artistëve të fjalës, sepse çdo njeri me një nivel mesatar kulture, e kupton se gjuha ka ligjësitë e saj të zhvillimit. Po të mos ndryshonte gjuha që flitet, atëherë ajo do të bëhej amorfe. Çdo njeri që njeh sadopak gjuhësinë, nuk mund ta bëjë një gafë të tillë. Larg qoftë na del ndonjë krutan e thotë se jam duke folur gjuhën që ka përdorur Skënderbeu. Por si shkodran, u ndjeva keq nga ajo që ndodhi më pas, prononcimet në televizionet publike të disa figurave që përfaqësojnë institucione shkencore në qytetin tonë, duke sulmuar Presidentin për diçka që ai nuk e kishte thënë, pra që na paskësh sulmuar gegnishten dhe rrjedhimisht zonjën Jozefinë, si përfaqësuese të saj. Më e çuditshme është se edhe rektori i universitetit, ish-pedagogu im, që ka marre gradat dhe titujt më të lartë që ekzistojnë në fushën e gjuhësisë, na del si mbrojtës i “gegnishtës topalliste”, në një kohë që ai si gjuhëtar duhet të kishte bërë minimumin këta 20 vjet demokraci për futjen në trajtën e njësuar të disa elementeve të gegnishtes si paskajorja gegë etj. Ndodh edhe tjetra, që drejtori i teatrit “Migjeni”, i cili nuk ka të bëjë me gegnishten, se flet toskërisht, të thërrasë (me siguri me porosi nga lart) aktorët e këtij teatri për një kolazh recitimesh, ku me sa duket, duhet të jetë futur edhe ndonjë poezi “gegnisht” kundër Presidentit Topi…
Jam i sigurt se Presidenti Topi nuk ka pasur qëllim të ironizojë gegnishten. Por është fyerje që i bëhet gegnishtes, kur dikush, qoftë edhe kryeparlamentarja, nga padija apo kushedi se çfarë, kërkon të shesë zhargonin e rrugicës si gegnishte. Shprehje si “xjerre për zhelesh” apo “ulu nejun” nuk kanë të bëjnë me gegnishten, aq më pak me gjuhën e Fishtës apo Migjenit. Me sa duket, Presidenti ka ironizuar me raste të tilla. Edhe në raste të tjera kryeparlamentarja është ironizuar për varfëri fjalori dhe shprehjeje, dhe do të ishte pozitive sikur ajo të studiojë Migjenin e Fishtën, por edhe shkrimtarë të tjerë, për ta kaluar këtë handikap të saj. Po më tepër se një, debat gjuhësor, deklarata e Presidentit m’u duk një lëvizje e rafinuar politike, shumë e hollë. Presidenti Topi tashmë ka vendosur të luajë hapur politikisht, duke formësuar elektoratin e tij të ardhshëm, bazën e të cilit kërkon ta marrë nga elektorati i Partisë Demokratike. Në vizitën në Shkodër, ai jo vetëm është shoqëruar nga disa miq, që janë figura të njohura të Partisë Demokratike në këtë qytet, por me sa duket ka arritur të grumbullojë shumë pakënaqësi që ka në degën e kësaj partie në Shkodër, për politikën e kuadrit që udhëhiqet nga zonja Topalli, dhe kërkon që këtë pakënaqësi ta kanalizojë në të ardhmen e tij politike. Nga ana tjetër, zoti Topi mendon politikisht për gjithë Shqipërinë. Duke pritur që zonja Topalli do të binte në kurthin e ngritur prej tij, siç ajo ra në të vërtetë, Presidenti arriti ta kundërvërë mentalitetin e zonjës Topalli kundër gjithë pjesës tjetër të Shqipërisë, duke synuar të fitojë pikë në elektoratin e Partisë Demokratike në pjesët e tjera të Shqipërisë. Sa më shumë zhurmë të bëhet për këtë debat, aq më tepër zoti Topi fiton pikë te demokratët e Tiranës, Elbasanit, Korçës, Vlorës, Beratit…. Partia Demokratike nuk ka vota vetëm në Shkodër.
Këtij kurthi i shpëtoi me zgjuarsi Kryeministri Berisha. Ai u rrëshqiti pyetjeve të gazetarëve për këtë problem, duke mos u bërë palë në këtë debat, duke e paraqitur si një problem mes Presidentit Topi dhe kryeparlamentares Topalli, jo si problem të Partisë Demokratike.

Krerët e institucioneve e kanë për detyrë ta respektojnë shqipen standarde


MUSTAFA NANO

Presidentin e qortojnë pa ndonjë arsye të fortë lidhur me debatin mes tij e Kryetares së Kuvendit. Kushdo mund ta marrë e ta fusë në lupë reagimin e tij, por nuk ka për të gjetur asgjë tjetër veç një shpërthimi, që në fakt nuk është fare shpërthim po t’mos e përfytyrojmë që del nga goja e Bamir Topit rëndom të shtruar, të urtë, të qetë e babaxhan. Ata që e kanë ndjekur në TV përgjigjen që Topi i dha Topallit mund të kenë pasur ndonjë dyshim tek fraza e fundit, tek e cila mund të jetë pikasur ndonjë aluzion kundër së folmes së shkodranëve, por kur e kanë dëgjuar për herë të dytë, apo kur e kanë lexuar, nuk duhet t’u ketë mbetur asnjë grimcë dyshimi. “Minimalisht do u thoja të gjithë këtyre që, së paku në komunikim me publikun, të jenë qytetarë dhe, e dyta, ta flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte…”, tha Topi në momentin e vetëm delikat të përgjigjes së vet. Topalli sigurisht që flet shqip të gjitha herët që flet shkodranisht, por Topi e ka pasur fjalën për “shqipen korrekte”, d.m.th për standardin. Dhe të gjithë e dimë se Topalli nuk e parapëlqen këtë të fundit. “Flas me vetëdijë gjuhën që flas”, tha ajo në thelb në diatribën me Topin, dhe me këtë la të kuptohet se mund ta flasë “shqipen korrekte”, por nuk do.
Këtu hapet një diskutim që është hapur dhe më parë në mënyrë disi të ndrojtur, ndoshta prej merakut për “t’mos ngacmuar gjarpërin që fle”. Dhe gjarpëri që fle është argumenti i gjuhës shqipe, i qëndrimit ndaj standardit, i qëndrimit ndaj dialekteve. Me sa është vënë re, të shumtët janë me idenë se për ca probleme është më mirë të mos flasësh, dhe këtu kanë parasysh probleme të fesë, të identitetit nacional, të diferencave që vihen re në botën shqiptare, etj., etj. Gjuha, standardi, dialektet, janë një prej këtyre argumenteve. Është e drejtë të mos flasësh? Apo është e dobishme dhe çfarë është e dobishme duhet me qenë dhe e drejtë? Personalisht mendoj se nuk është as e drejtë (si mund t’i vësh fre e kufij fjalës së lirë?), as e dobishme (vjen një moment, që plaga që ia fshehim vetes, malcohet e mbledh qelb, deri sa shpërthen, duke provokuar një dëm shumë më të madh se sa ai që donim të shmangnim).
Por standardi është një argument i madh më vete, tek i cili nuk kam ndërmend të ndalem. Debati Topi-Topalli “na fton” në një debat tjetër, në atë mbi ligjërimin publik të personazheve institucionalë. Në dijeninë time, fakti që Jozefina Topalli ka folur në shkodranishte nga karrigia e Kryetares së Kuvendit, nuk është bërë objekt qortimesh në shtypin apo debatin e përditshëm, dhe nuk e kuptoj pse. Në botën online bëhet një diskutim i madh dhe me tone të forta sektare lidhur me këtë gjë (një pjesë shfaqen të bezdisur prej Topallit, e një pjesë i japin të drejtë Topallit), por ky debat online që bëhet në agorën më demokratike të botës së sotme nuk përcillet off-line. Duhet thënë pra se shumë njerëz nuk e pranojnë këtë qasje, pasi u ngjan tepër tribale dhe jo serioze për një komb. Një nga këta jam dhe unë.
Edmond Tupja i bëri bisht ngasjes për të folur për këtë dukuri, duke thënë se “më me qejf dëgjon fjalën katërdhetë se sa fjalën suport”. Edhe unë, si Tupja, më me qejf dëgjoj dikë që flet në shkodranisht, kosovarçe e korçarçe se sa dikë që e bën pis gjuhën shqipe vend e pa vend me terma të huaj. Por ky është një diskutim tjetër, ndërsa diskutimi që del nga debati Topi-Topalli ngrihet mbi pyetjen: A është e udhës që një dinjitar i lartë shtetëror, i cili përfaqëson shtetin unitar dhe kombin si të tërë, të refuzojë të flasë gjuhën zyrtare shqipe?
Sipas meje, jo. Nuk është e udhës. Me sa di, nuk ka ndonjë ligj që e ndalon ndokënd në krye të institucioneve të flasë shqipen që do, apo që e detyron të flasë në respekt të plotë standardit, dhe në këtë kuptim problemi dhe diskutimi i tij, nuk janë të natyrës ligjore. Janë të një natyre tjetër.
Ne të gjithë kemi një identitet tonin tribal, e secili është ndoshta po aq krenar sa Topalli për këtë identitet, e për rrjedhojë secili mund ta theksojë e demonstrojë si e sa të dojë këtë identitet. Asnjë e keqe nuk na vjen prej kësaj; përkundrazi. E keqja na vjen prej sublimimit të këtij identiteti në kurriz të një identiteti më të madh, atij nacional, të cilin kemi rënë dakord ta mbrojmë e ta zhvillojmë, pasi e shohim si një mënyrë për t’u bërë më të mbrothët e më të mbrojtur në botën ku jetojmë. Dhe përsëris e saktësoj, që e keqja nuk është theksimi e manifestimi i identitetit lokal; e keqja është sublimimi i tij në një kontekst nacional, dhe një nga mënyrat për ta sublimuar është dhe qëndrimi përçmues që mbahet ndaj gjuhës zyrtare, standardit pra, në majë të institucioneve nacionale.
Si i bëhet me ata që, edhe pse janë zgjedhur në krye të institucioneve nacionale, nuk e flasin dot standardin? Në këtë rast nuk ke se çfarë të bësh. Duket pak e pamundur, në fakt, që dikush që ka një marrëdhënie gati zero me standardin të ngjitet deri lart në maja institucionesh, pasi standardi, duam s’duam, përbën një stekë që duhet kaluar prej të gjithë atyre që duan të marrin grada në hierarkinë shtetërore e nacionale. Por nëse ndodh, nuk ke se çfarë të bësh; për më tepër, nuk është këtu çështja. Secili prej nesh ka mbeturina të të folmeve tribale, të cilat i demonstrojmë gjatë ditës në të gjitha rrethanat e mundshme. Gramoz Ruçi e Dash Shehi kanë, gjithashtu, paranteza dialektore në ligjërimin e tyre publik. Por te të dy këta, ashtu si tek gjithë të tjerët, vihet re një kokëçarje minimale për të respektuar një simbolikë shtetërore, dhe nacionale në daçi, siç është gjuha standarde zyrtare. Kur nuk ia dalin ta bëjnë këtë gjë, nuk kemi ndonjë hatá. Në fund të fundit, dhe Topalli nuk ka tronditur ndokënd me t’folmen e vet nga tribuna e Kuvendit (duke përjashtuar ndonjë të sëmurë nga trutë), por ajo të shock-on në momentin që deklaron se “e bëj qëllimisht e me vetëdijë të plotë këtë gjë”. Kjo don të thotë se ajo mbi të gjitha vë identitetin e vet tribal, e prandaj nuk e meriton atë post nacional që mban.
Po sikur Topalli t’mos e durojë dot gjuhën standarde? Po sikur ajo ta shohë si një gjë që s’i përket, si një vepër të komunistëve të jugut në dëm të antikomunistëve të veriut? Hm, kështu do të komplikohej disi puna. Por ajo këtë gjë nuk e ka thënë. E për sa kohë që s’e ka thënë, duhet ta respektojë ashtu siç respekton simbole të tjera shtetërore e nacionale, siç është dhe posti që mban, të cilit ajo ia ka parë hairin.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)