Migjeni në librin e shtëpisë



Elsa Demo
Ke lënë në Akademinë e Shkencave përvjetorin e Dritëro Agollit, me dëshirën që në Black Box të Akademisë së Arteve të gjesh një shteg për ta çarë marrjen e frymës që shkakton apologjia politike për kulturën e djeshme zyrtare në fuqi.
Në njërën sallë duartrokitet për dije sokratike pohimi i shkrimtarit i cili sapo e ka krahasuar artistin me maçokun që i pëlqen ta mbështesë kokën në prehrin e politikanit (e më të fortit). Në atë sallë ku njerëzit i mban bashkë pështyma e kauzave të djeshme, nuk ka pyetje për letërsinë dhe as për jetën publike të tjetrit, as për rolin shoqëror e as për moralin politik të shkrimtarit.
Takimi në Black Box të Akademisë së Arteve për 100-vjetorin e lindjes së Millosh Gjergj Nikollës organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Universiteti i Tiranës (Departamenti i Letërsisë në Fakultetin e Historisë e Letërsisë) jep shenja se ekzistojnë përpjekjet për t’i ndarë domenet e influencave të jashtme mbi letërsinë. Për sa kohë ekziston letërsia e mirë si gjallesë do të ekzistojë antikonformizmi dhe shqetësimi, dyshimi dhe diskutimi, e kështu më tej në një jetë të përbashkët të njeriut me letërsinë.
Në leximin që i bëhet Migjenit dallohen dy burime që drejtohen njëri për nga interpretimi jo tradicional i veprës dhe tjetri për nga biografia dhe origjina etnike e autorit, gjithnjë përmes dokumenteve.
Persida Asllani trajton poetikën e skandalit në prozën e poezinë e Migjenit dhe stilin e tij, si një stil i hapur drejt të ardhmes. Studiuesja nxjerr nga leximi i skandalozes në tekstin migjenian tabutë e seksit e të erosit, të incestit e homoseksualitetit. Asllani kujton se “Vargjet e lira” botuar gjashtë vjet pas vdekjes së poetit, më 1944, përgatiteshin për një vdekje tjetër, për “leximin këmbëngulës ideologjik dhe fabrikimin sistematik të një miti pre realist-socialist të veprave të tij. Përveç varfërimit të përgjithshëm në perceptim duke e salduar Migjenin thjesht dhe mjerueshëm në kutizën e një poeti të mjerimit materialist, kjo zhvendosje fillestare e receptimit të paradigmës artistike shkaktonte varfërimin e receptimit të tij, zbehu ndjeshmërinë ndaj formës dhe asgjësoi rezonimin e një poetike të skandalit brendashkruar strukturës së tekstit”.
Raportet e veprës së Migjenit me kristianizmin duket një temë e parapëlqyer për studiuesit. Dy diskutime u mbajtën mbi këtë subjekt. Shaban Sinani bën një vështrim tekstologjik dhe del në përfundimin që Bibla, letërsia ungjillore është ndoshta më kushtëzuesja nga të gjithë tekstet në veprën e Migjenit: “Pyetja është se deri në ç’shkallë vargjet e lira dhe prozat e poezitë e Migjenit kanë simetri me tekstet ungjillore.” Për të verifikuar këtë simetri studiuesi i referohet rrafshit figurativ ku mund të bëhet paralelja e “Parathënia e parathënieve” me “Këngët e këngëve” apo “Dy Milloshët” me “Dy natyrat e Krishtit”. Dhe në nivelin e leksikonit gjuhësor “duke përjashtuar leksemat të cilat kanë pasur përhapje të gjerë vetëm prej atyre që janë tipike të ligjërimit liturgjik”, studiuesi Sinani përmend: blasfemi, kredo, apoteozë, ati ynë, ishujt e rremë, idhujt pa krena, parajsa, dreqnit, molla e ndalueme, dielli, vuajtja, urdhëresat, shkëndija, yjet, engjëjt, tempujt, zotat, ringjallja, jeta e re, psalmet, mëshira, shpirti i sëmund, kënga e re, drita, ndjesa, lumnitë, lajmi i mirë etj..
Eljon Doçe evidenton risitë formale në prozën e shkurtër të Migjenit nëpërmjet analizës strukturaliste të skicës “Bukuria që vret” ku vdekja vjen e veshur me ngjyrë të bardhë dhe vrasja merr nota poetike si vrasje shpirtërore.

Përkatësia etnike
Grupi i dytë i referateve përballë një auditori të ri, bën një lexim të biografisë së Migjenit nëpërmjet librit të shtëpisë.
Përkatësia etnike e Migjenit: shqiptare apo sllave?
Studiuesit paraqesin, këqyrin dhe lexojnë përmes radhëve të thata dokumentet zyrtare e familjare, certifikata lindjeje e vdekjeje.
Brikena Smajli i kthehet arkivit të Migjenit në Muzeun Historik të Shkodrës, i krijuar më 13 tetor 1961, aty ku është familja Trimçev. Dosjet nuk janë fort të pasura “por ekziston një dokumentacion ku drejtori i atëhershëm i muzeut Vasil Llazari komunikon me bashkëkohësit apo me njerëz të njohur në mënyrë që të mbledhë fonde”. Smajli përmend një letër të z. Trimçev i cili sugjeron rindërtimin e shtëpisë së Migjenit, e asaj shtëpie të dikurshme njëkatëshe, me dy dhoma e një korridor dhe që skicues i kësaj shtëpie mund të ishte Lec Fishta, atëkohë skenograf i Teatrit “Migjeni”.
Smajli thotë se në fondin “Migjeni” të këtij Muze, gjen dokumente të cilat mund të sqarojnë origjinën etnike të poetit vënë në fokus të polemikave në vitet e fundit.
Ardian Marashi paraqiti dëftesa e certifikata nga Arkivat Familjare të Tivarit.
Në pasaportën e datës 17 qershor 1932, emri i Migjenit shënohet Milosh Nikolic me l, pastaj në dekretin e emërimit si mësues një vit mbrapa, më 18 maj 1933, nënshkruar nga Ministri i Arsimit Mirash Ivanaj, emri shënohet Millosh Nikolla. Në letërnjoftimin që mban datën 11 tetor 1933, përsëri gjejmë Milosh Nikolic. Në certifikatën e lindjes, e datës 26 janar 1937 ku korrigjohet viti dhe data e lindjes, shënohet Millosh Nikolla. Me këtë emër paraqitet në dokumentet italiane gjatë qëndrimit në Torino më 28.12.1937. Këtu emri i babait shkruhet Gjokë dhe emri i nënës Sofia. “Nisur nga kjo ne synuam të bëjmë një pemë gjenealogjike të parë e cila lidhet me trungun e parë”, thotë Ardian Marashi, drejtues i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Nga trungu i parë, nisur nga stërgjyshi Nikolla, janë dy vëllezër, njëri Gjergj Nikolla i njohur dhe i shënuar në certifikata njëherë Gjoko njëherë Gjeorgje me mbiemrin Nikolic (1872-1924) lindur dhe banues në Shkodër. Vëllai tjetër Kërsto Nikolic. Nga babai i Migjenit, Gjergj Nikolla, janë disa fëmijë: Nikolla i vdekur më 1925, tutori i Migjenit gjatë 2 viteve të shkollimit në Tivar, është Milloshi, është një fëmijë që ka vdekur foshnje, janë motrat Lenka, Jovanka, Cvetka dhe Olga. Nga Xhaxhai i Migjenit, Kërsto Nikolic kemi katër fëmijë: Milan 1904-1956, Andria 1912-1972, Leposava 1908-1983 tek e cila ai jetoi në Ulqin, dhe Julka 1918-2006.
Marashi thotë që për të kuptuar enigmën e formave të ndryshme të emrave familjarë të Migjenit, duhet shqyrtuar dhe mjedisi familjar e social ku ai lindi, u rrit e u shkollua. Mjedisi është komuniteti malazez ortodoks në Shkodër. Migjeni u shkollua në shkollën fillore malazeze, e ashtuquajtur shkolla serbe e Shkodrës. Pas kësaj dërgohet për të vazhduar kolegjin në Tivar. Nga dokumentet e shkollimit në Tivar studiuesi Marashi përmend faktin që emrat e prindërve në regjistër shënohen Gjeorgje babai dhe Sofia nëna, kurse për babain jepet profesioni “pronar pijetoreje”. Vendlindja jepet Shkodër, ndërsa shtetësia Srpska (serbe). Në vitin e parë të shkollimit kujdestar i fëmijës është babai ndërsa fëmija jeton te Kristo Ivanovic në Tivar. “Ndërkaq”, kujton Marashi, “në gjithë certifikatat dhe dokumentacionin e Migjenit në Shqipëri ai ka kombësi dhe shtetësi shqiptare, pra vetëquhet i tillë.”
Prapë duke iu referuar dokumenteve të shkollimit në Tivar, Marashi përmend që në të gjitha lëndët ai vlerësohet “shumë mirë”, kurse te vlerësimi sjelljes jepet “shembullore”. Në vitin e dytë të shkollimit, ndërrohet kujdestari, bëhet vëllai i tij, Nikolla Nikolic, dhe në fund të këtij viti Migjeni detyrohet të largohet nga shkolla dhe të lërë Tivarin.
“Mbas vdekjes njëri pas tjetrit të babait e pastaj edhe të vëllait më 1925, Migjeni i humb të dy kujdestarët e vet dhe kjo është arsyeja që i ofrojnë një bursë shkollimi në Manastir. Kjo është arsyeja pse Migjeni pas kthimit në Shkodër u emërua në shkollën e fshatit Vrakë një fshat i njohur asokohe për komunitetin e tij malazez. Në këtë mjedis bikulturor ai përpiqet të afirmojë identitetin e tij të vetvetishëm, një identitet i cili nuk do të lidhet me aspektin social e politik, por me identitetin letrar, pra vetëm me poezinë.” Marashi e quan këtë një akt që i hapi rrugën e afirmimit si poet, si poet shqiptar dhe si një zë i fuqishëm i letrave shqipe.
Marashi thekson se mbeten me interes materialet arkivore jo vetëm në muzeun e Shkodrës, por edhe në Manastir e Tivarit si dhe në arkivat e pasardhësve të Migjenit ku mund të gjenden letra, kartolina, fotografi. “Hetimi i aspekteve biografike në një masë të mirë mund të ndihmojnë për të kuptuar veprën, atë ndjeshmëri karakteristike të kësaj vepre, që siç thotë Pipa, është një zë krejtësisht i veçantë që u afirmua në letërsinë shqipe dhe që duket se vjen nga një planet tjetër. Ardhja e Migjenit është një prurje krejtësisht e re, është një traditë që krijohet jo një traditë që vazhdohet, që duket se vjen drejtpërdrejt nga shkollat shkollat e reja moderniste evropiane në vitet 1920-30.”
“Vetëvrasja e trumcakut” videoperformanca e realizuar nga Stefan Çapalikut mbyll takimin mbi Migjenin. Aty në fund mësuam për të ftuarit e ardhur nga Ulqini, të cilët deri në atë moment nuk i kishte përmendur kush.
Takuam Kosto Kitanov, 76-vjeçar, një pasardhës i largët i Migjenit, po jo dhe aq. Ai është biri i Leposavës. Shoqërohej nga Branka, vajza e Julkës. Të dy janë fëmijë të kushërirave të para të Migjeni.t


Pasardhësit e Migjenit vijnë në Tiranë

Si është emri juaj?
Kosto Kitanoviç. Nana jeme është vajza e axhës së Migjenit, është martu në Ulqin. Baba është prej Maqedonie, ka ardhë më 1923. Mandej ka ardhë gjyshi jem me gjyshen, kanë shku mbas vajzës n’Ulqin.

Ju jetoni në Ulqin?
Po. Gjyshi ka dekë kur ka pasë pesëdhjetë vjeç, n’Ulqin. Gjyshja ka dekë ma përpara. Mandej nana jeme ka dekë më tetëdhetetreshin.

Çfarë dini për Migjenin?
Unë jam le më tridhetegjashtën. Migjeni ka dekë më tridhetetetën.

Ai ka jetuar në shtëpinë e nënës suaj. Çfarë dini prej nënës, çfarë flitej për Migjenin te ju?
Çfarë na ka diftu nana kena dit, mandej kta librat janë shqyp e na shqyp nuk dimë me shkru.

Në shtëpinë tuaj çfarë gjuhe është folur?
Nashka, nashka, serbokroatisht. Nana pak shqyp na ka fol. Na n’Ulqin ashtu kena fol.

Sot u fol për origjinën e familjes së Migjenit. Ju çfarë thoni për këtë temë?
Është malazius, ortodoks malazius.

Ju keni ndonjë kujtim për Migjenin?
Kena fotografi qi na ka lanë teze Julka. Edhe nana qi na ka dhan librën. Milani qi ka kenë ma i madhi, mandej nana jeme, Andria edhe Julka, ata janë fëmit e axhës së Migjenit.

Sot ne e kujtojmë Migjenin si një poet shqiptar.
Jo është malazius, nuk asht katolik. Lina ka shkru gabim.

Kush është Lina?
Angjelina Ceka.

Ju mendoni që ajo ka shkruar gabim origjinën e Migjenit?
Për mu po, për te jo.

Ju e keni lexuar Migjenin në shqip?
Nuk di me lexu shqip.

Kaq sa arrini të flisni ku e keni mësuar?
N’Ulqin. Aty kena shit bukë e kena mësu me fol shqip.

Po sot si erdhët, ju ftuan?
Më kanë thirr, na ka shoqëru nji mik. Është organizu shumë mirë.

Keni ardhur më përpara në Shqipëri?
Në Shkodër po, në Tiranë jo.

Keni shkuar te varri i Migjenit?
Jo, sepse qysh më katërdhetetetën nuk kam ardh në Shqypni.


Kanë thënë

Arshi Pipa:
“I lindur shqiptar në një familje me prejardhje sllave, pastaj i arsimuar në një mjedis kulturor sllav, ai u takua prapë me Shqipërinë dhe me kulturën shqiptare si një i rritur. Gjuha që foli në shtëpi ishte serbo-kroatishtja, ndërsa në seminar ai mësoi rusisht. Ai nuk e dinte shqipen mirë.”

Kristaq Jorgo:
Që Millosh Gjergj Nikolla mund të kishte vepruar lehtësisht ndryshe (…) e provon, sa për të sjellë një shembull, rasti i poetit Mateja Matevski, me origjinë po nga Reka e Dibrës, prindërit e të cilit flisnin shqip dhe të cilin maqedonasit e kanë cilësuar kur-e-kur poet kombëtar të tyrin. Migjeni nuk është pra ‘shpirti sllav që flet shqip’ (A. Pipa); ai është trashëgues i shpirtit shqiptar dikur përgjysmë të sllavizuar që shqiptarizohet i tëri sërish.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)