Cikël poetik nga Riza Lahi





Riza Lahi ka lind në qytetin e Shkodrës me 16 .10. 1950.
Në tetor të vitit 1970 është diplomuar për  pilot  në aviacionin ushtarak shqiptar , ai këtë profesion e vazhdoi deri  në vitet 90-ta .Sot  jeton dhe vepron në Tiranë.Herë pas herë shkruan edhe për Agjencionet  Floart-Press , Floripress,Shqip.dk,forumin Sterkala  etj.



Ka botuar  disa  libra:

“ Legjenda e Zardelisë” 1985
“Kosovë e fejuara ime” 1994
“Golgota shqiptare” 1995
“Trëndofil” 1996
“ Fluturime mbi qilimin Persian” 1997
“Ikje massive” 1997
“Ledia në një natë me hën” 1995
Të shtundën në mesnatë në një pyll” roman për fëmijë 1997
“Drenica –qeleshja Kosovare” poezii 1998
“ Ëngjëlli I Monstarit”(S. Bejkër)2000
“Aventurat e rosës Monda””
Ylli që sheh mbi sheshin Skënderbej” 2001
“ Nën Hënën e Ulqinit” 2001
Vorri i Ashikut
“Trëndafila nga Tirana” 2009
Etj.



BALADË PËR VALMIREN E VOGËL

"Valmira Deliaj, 18 muajsh, veshur me xhup roze, me kapuçin ende në kokë; fytyrën gjithë gjak. Në qafe i varej biberoni. 
Pranë - shishja me qumësht.” - Sipas gazetarit të Uashington post”, 
Din Moor.



Valmira me xhupin ngjyrë roze, faqet – vishnje
Valmira, o bec, që pin qumësht, fytin prerë
Valmira, me buzët në biberonin e bukur
si engjëll rrëzuar me shigjetë, fytin prerë.

Valmira, përse ke ndenjur te shkurret?
Përse nuk u bëre e madhe menjëherë
Ta merrje te doçka një pushkë të madhe
të shkoje ushtare me fytin e prerë?

Valmira, o qumësht, ç’ke bërë që të mbytën?
O zogu i mamit të vdekur kaq pranë.
Po mami për ty s'do te ngrihet më natën,
e ti me buzë s'do ta puthësh babanë.

Po këtë trikon roze, moj, mami ta veshi
që të thonin të gjithë "sa kukull e bukur"?
Që mami të të hiqte mënjanë duke qeshur,
kur të suleshin si qenushe për të të puthur?

Kush është ai burrë të të marrë,Valmira,
me krahë përbindëshi të të vere në qivur?
I duhet të flakë tej zemrën mbi Shkëlzen
mes lotësh në vend të saj të vërë gurë.

Valmira, mes pyllit, sikur të kish gjetur
ashtu, duke fjetur me biberonin në gojë
edhe ditë,edhe javë të kishte pa ngrënë
s'të shqyente, por nënë do të bëhej ujkonja.

Kush ishte kjo qenie që s'te la, moj Valmira,
ta pije tërë qumështin, e vraftë perëndia!
- Ai që ka mbytur nëpër gjak të Kosovës
dhe njëzet njerëz njëherësh nga familja Delia.


NATURA MORTA 


…këtu vinte erë plehra, shurrë,bajga , mutëra;
shihje romë gjysëm të çveshur që dilnin nga
kasollet me mballoma llamarine, ku kishin 
kaluar natën dhe qenë zgjuar nga
lehjet mëngjesore të qenve; bënin
kujdes se mos shkelnin mbi bajga nën
pëllitjet e lopëve dhe
diellin e verës.


E tër kjo pamje ndodhet nën ujra tani, ku lëvrijnë 
cironka të vogla,
shumë të vogla,
fare të vogla 
tepër të vogla,
krejt të vogla , sa
krimbat që lëvrijnë në
kufomën e dekompozuar.

Çfar nuk do të jipja këta çaste për
erën e shurrës, bajgave;
për romantizmin me romëve gjysëm të çveshur duke dalë nga
kasollet e tyre prej llamarine
nëpër lehje qënsh dhe
pëllitje lopësh!

Po më zihet fryma anës kësaj
varreze 
vigane 
ujrash.

Natura morta


HANIBALI TE PORTAT


Ujrat janë ndalur para mureve të Shkodrës:
“ Hapi portat!”

Ujrat vijnë të sulmojnë qytetin 
si një falangë kartagjenase
e heshtur dhe me nerva të çelikta. Mbi ujra
-një erë e ftohtë, e mprehtë, e djallëzuar
si borie sulmi. 

Unë jam i vetëm me hapat e mi dhe
shallin që
kërkojnë të ma shkulin me arrogancë rrymat. Endem 
nëpër erë, anës ujrave, 
si një kronikan në
pikën e tij të vetmisë. Errësira
ka mbuluar qytetin ku vezullojnë dritat
e gëzuara e moskokçarëse, si sy 
kurtizanesh romake.

Endem…ende endem
si një rojë që ka zbritur për zbulim nga
karakollet e “Rozafës”.

Varkat bosh të peshkatarëve 
të lidhura në breg në dhomën e torturave të
valëve; asnjë rrjetë, asnjë peshk të zënë, atyre
varfërinë ua kanë marrë peng 
ujrat.

Ujrat po kacavaren drejt dërrasave të urës së Bunës
Edhe paksa
Edhe paaaak 
Paaaaaaaak

Nëpër terr shkojnë mbi urë makina, si të jenë
skifterë deti. Agimi 
nuk ka ndër mënd të agojë këtë mëngjes.

Ujrat përgatiten të sulmojënë qytetin! Mes tyre
shelgjet si shatorre të
marra peng
për të tmerruar banorët e rrethuar.

Endem sërish...Erë sërish...

Ujrat...Nesër...në të zbardhur...Ujrat
do të nisin sulmin!

Do ta nisin, sapo 
t’u vijnë përforcime 
nga damarët e fshehtë
të nëntokës, nga
qielli dhe 
nga retë e zeza 
që sillen
mbi bedena
si dashnorë të dëshpëruar 
të Rozafës.



Ora 04.30 mëngjes buzë Bunës. 28 nëntor


LËNDINA


Oh,popo
Kjo është ajo lëndina e bukur 
E paskan shtrirë ujrat përdhe! 


Kasollet e miqve të mi romë
janë mbuluar me ujë. Asknd 
as romë 
as kuaj romësh, 
as arushi i vogël nuk është
kushedi se në cilën strofull e ka mbledhur kruspull nata arushin..

Botën cigane e kanë përmbytur ujrat

Por cigantët do t’i shtiejnë fall 
t’ia prishin ëmndjen,
perandoreshës së ujrave , por ajo
që të dorëzohet krejt
lyp magjepsien e violinave …

Perëndesha e ujrave do t’ua kthejë sërish livadhin
si qylymi fluturues romëve
sapo ata të nisin të zgjojnë pranverën
me tingujt prej zogjësh pendëartë
të violinës .

Ja, edhe pak
do të vijë duke qeshur me një fustan plot lule
pranvera
duke prurë me vete
livadhin me bar tër epsh
zogj të mrekulleshëm nga parajsa
kuaj të mëdhej dhe një
haursh të vogël mbështjellë me pellush .


FLAKË NË KOSOVË

Mbytur në djersë
mu si në front
ditën - argatë
netëve – kontë.

Me kokat lart
ndarë nëpër botë,
ndër gjunjë bien
veç në një odë.

Veç dy herë japin
besën e burrit:
për ndër të nënës
dhe të flamurit!!!

* * *
"Ç' janë këta lot,
o mixha plak,
që m'i lëshon
këtu në prag?!

Unë do të shes
shtëpi e dhe
vizë e biletë
me 'to do blej.

Do bredh, do bredh
rreth botës mbanë,
nëpër Evropë,
tej oqeanit.

Të mos e shoh,
sa të jem gjallë
këtë Shqipëri,
si kalë gërdallë."

Plaku veç hesht
e qanë, e qanë
me sytë e kaltër
si oqeani:

"Njëherë kur qava
i gjithë katundi
ma uroi babën:
"Ty ta vraftë plumbi!"

Tash qaj rininë
si fukara,
e lash n' Detroit
në Ankara.

Kam pasur para
sa një sulltan,
por njerëzit thonin:
"ky ësht’ jaban!!"

Bëheshin tripe
nëpër pranverë,
"ta marrim", thonin,
këtë "stranjerin".

Shtyja vagonin
si ka i egër,
"gud, gud" e thonin
"dhe është forejnër".

Me dilte gjumi...
Oh, s'isha dhëndër
në Gjermani,
por një "auslandër"

Isha i bukur
e dorën - darë!!!
"Ella", më thonin
"more mallagaro"!!

Janë lot gëzimi...
Për Shqipëri,
sot do të bëhem
prapë djalë i ri".

"I ri? Po si?"

"Paratë që pata
i kam shpërndarë
ndër jetimore
fëmijëve shqiptarë.

S'jam rob i tyre,
- i lirë si hëna,
i pastër si
kur më tundte nëna"

"Por jo i ri!!!"
"Bëhem tani!!!



Këtu në gjoks
kam një flamur
do shkoj "atje"
ta ngul mbi gur.

Një palë pancirë
Një "kallashnik"
t'i hidhem shkjaut
përmbi çelik.

Do thërres:"Kosovë,
të erdha prapë,
kështu, qe besa
vdes mixha plak".

I ri, i fortë,
mu si kreshnik
do vdes në Junik
me "kallashnik".

Dhe përmbi varr
në qofsh shqiptar
këto dy fjalë
me gdhend me ar:

"Mallkuar qofsh
proverb latin:
"ATJE KU HA
- ATDHEU IM"!!


* * * 

Nëna ime, moj, ku po shkojmë kështu?
Nata është pus, mu si pusi ynë
Lemë të pi dhe një ujë, nëna ime moj,
S'ka në botë askund si ky pusi ynë.

Do ta mbushin serbët me kufoma, nënë,
pusin tonë të ëmbël do ta mbushin cyt
me pleq, të sëmurë qe s'i mbanin këmbët
edhe me ferishte të prerë në fyt.

Aman, pusi im, laji si i lanë hoxha
laji edhe qaji me ujët si lot...
Lemë të pi te pusi për të fundit herë
nënë, te pusi ynë, si nuk ka në botë...

* * *
Planet, me dete
me shtete ndarë
ngado - veç plisa
të bardh' kosovarësh.

Oj Kosova ime
a ka burra, vallë,
të të pushkatojnë
sa jam unë gjallë?

Oj, Kosova ime
kush është ai burrë
që me grykë pushke
të mbështet për mur?

Nuk jam sua skllavi,
jam mal e çinar,
e rrëmbej bajrakun
dhe shtatë pash nën varr.

Dhe shtatë palë zinxhira
në paça në qeli,
zemra m' del prej hekurash
dhe me çifteli.

do këndoj për liri:

Mos m'i lidhni sytë
mos, more me shami
se jam zog shqiptari
jam kosovarli!!!


* * *

Fehmi, të kam ndjekur nga plumbi te plumbi
Në Kroaci, Bosnjë, ngado në ato vende.
Sot është dita e jonë, dita e dasmës sonë
të vdesim të dy, ti me dadën tënde.

Mu largoni shokë, m'i lini bombat mua!
Më lini me Fehmiun, plumba kam unë plot
Largohuni që të gjithë!!! Unë jam komandantja!!!
Nuk e bëmë dot dasmën, dasma jonë është sot!


Përzgjodhi:Flori Bruqi

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)