Dr Gёzim Alpion
Universiteti i Birminghamit, Angli
Thanas Jorgji dhe Emigrimi i Poshtërimit
Parathënie e romanit ‘Ëndrrat Treten në Mëngjes’, ribotuar në 20 vjetorin e Eksodit të Gushtit 1991
Thanas Jorgji
Si
çdo njeri, edhe kombet përjetojnë atë që mistikët i referohen si ‘nata e
errët e shpirtit’. Kombi ynë ka kaluar netë të tilla të errëta shpesh
dhe, me sa duket, një fat i tillë që nuk është për t’u patur zili, ka të
ngjarë të na ndjekë edhe në të ardhmen. Jo se nenët e errëta të
shpirtit janë të dëmshëm, por në rastin tonë ata janë pjesë e një
procesi që përjetohet pothuajse nga çdo gjeneratë, pa nxjerrë ndonjë
mësim të vlefshëm.
Të
shkruash për ‘natën e errët të shpirtit’ në aspektin fetar është një
dhunti e veçantë e një numri të përzgjedhur shenjtorësh si Xhoni i
Kryqit, Tereza e Aviles dhe më së fundi Nënë Tereza. Këta shenjtorë kanë
arritur të kapin thelbin e këtij transformimi misterioz të shpirtit,
mbi të gjitha sepse ata vetë kanë përjetuar proceset për të cilat
shkruajnë me kaq delikatesë dhe nderim. Të komentosh për ‘vërtetësinë’ e
rrëfimeve të tyre është vështirë dhe deri diku arrogancë, pasi
përderisa dikush vetë nuk ka përjetuar të tilla sprova të shpirtit,
sprova si rezultat i të cilave shpirti pastrohet aq sa është i denjë të
‘ulet’ pranë Zotit, është vështirë dhe deri diku e pamundur të kuptohet
dhe interpretohet me objektivitet një proces i tillë transformues sa
misterioz po aq edhe mistik.
Ashtu
si shenjtorët e lartpërmendur (të tillë shenjtorë gjenden jo vetëm në
Katolicizëm po edhe në degë të tjera të Kristianizmit si dhe në besime
të tjera si në Islamizëm, veçanërisht të traditës Sufiste), edhe
shkrimtarët janë në thelb studiues të shpirtit dhe të metamorfozave të
tij. Të rrëfesh transformimet e shpirtit të një njeriu apo të një morie
personazhesh në letërsi është një sfidë më vete; të analizosh dhe të
bëhesh zëdhënës i shpirtit të një populli dhe kombi të tërë është një
angazhim të cilin shumë krijues e marrin përsipër por vetëm pak e
realizojnë me sukses.
Një
krijues i tillë i talentuar, i guximshëm dhe i suksesshëm në letërsinë
bashkëkohore shqiptare është edhe Thanas Jorgji. Romani i parë i Jorgjit
‘Ëndrrat Treten në Mëngjes’,
që u botua fillimisht në 1997, sinjalizoi mbërritjen në letrat shqipe
të një pende sa ambicioze po aq edhe origjinale. Në këtë roman debutant
Jorgji nuk e lë në dyshim lexuesin dhe kritikun se ai kërkon të merret
seriozisht. Dhe me të drejtë.
Si
shenjtorët e lartpërmendur të shpirtit, transformimi që rrëfen Jorgji
është origjinal pasi ai përqendrohet në një ngjarje të cilën ai e ka
përjetuar vetë: eksodin e stërmundimshëm të dhjetë mijë vetëve në anijen
‘Vlora’ në Gusht të vitit 1991. Por qëllimi i Jorgjit në ketë vepër nuk
është të regjistrojë eksperiencën personale. ‘Ëndrrat Treten në Mëngjes’
nuk është roman autobiografik. Dëshmia personale e një ngjarjeje të
tillë sa tronditëse aq edhe simbolike është përdorur me mjeshtëri nga
autori për të dokumentuar me një stil origjinal një ngjarje sa personale
po aq sa edhe kolektive, një aventurë sa premtuese po aq edhe dështake,
një eksod me nota biblike drejt një ëndrre për të cilën guximtarët e
dëshpëruar duhet të pagëzohen me ujin e detit duke u zhytur me rrezik
jete në fillim dhe në mbarim të kalvarit të tyre.
Udhëtimi
fizik është temë qëndrore në ketë roman por më të rëndësishme janë
odisea dhe tranformimi i shpirtit individual dhe kolektiv që përjetojnë
emigrantët. Këtu qëndron forca e Jorgjit. Si një Homer i verbër, autori e
fashit prezencën e tij fizike. Ai është i kudondodhur. Ai është çdo
njëri në çdo cep të Shqipërisë ku fillojnë të rrjedhin rrëketë e
njerëzve që si një ortek me shpejtësi maramendëse shndërrohen në një
magmë të papërmbajtshme. Ai është në çdo kamion, taksi dhe tren që ka
për destinacion Portin e Durrësit. Ai kacaviret në litarin e anijes si
mijëra të rinj e të moshuar, gratë shtatzëna dhe viktimat anonime që i
përpin deti. Ai shoqëron mijëra bashkëpasagjerë në stadiumin-kafaz të
Barit por në të njëjtën kohë nuk e ‘braktis’ gjysmën tjetër të
shtrënguar të ngujohet në portin e qytetit që ngjan me tepër me një
kopësht zoologjik.
Jorgji,
rrëfyesi që gjendet kudo, metamorfozohet si Visari, Rubini, Tino,
Helena, Nidha, Niska, Gaci, Lazëri dhe Sugari. Ai ‘prezantohet’ shpesh
si ‘ne’, gjë që e bën atë të identifikohet me mijëra refugjatë dhe në të
njëjtën kohë mundëson pa u ndjerë krijimin e empatisë dhe simpatisë tek
lexuesit për sprovat e shumta që eksodasit kalojnë veç e veç dhe së
bashku. Kjo mënyrë e pozicionimit të rrëfyesit është një gjetje
origjinale edhe për të njësuar lexuesin me emigrantët.
Jorgji
është i prirur ta shikojë njeriun thellësisht si një qënie pozitive por
ai nuk nguron të nxjerrë në pah pa mëshirë edhe anët më shtazarake të
njerëzorëve. Personazhe si Lad Vampiri, Pantera, Hiena, Bishtcigarja,
Kuqoja Al Kaponia, Kokë Preshi apo Qimja e Derrit identifikohen vetëm me
nofka; Jorgji ua heq të drejtën këtyre ‘pjellave të krimit’, sic i quan
ata Visari, për të pasur emra normalë. Autori pa dyshim beson se e mira
dhe e keqja ekzistojnë krahas njëra tjetrës; ka momente kur e keqja
duket edhe sikur mbisundon dhe në këto raste të trishtueshme koncepti
‘civilizim’ bëhet një fjalë pa kuptim. Aktet kriminale dhe veprimet
makabre që këta njerëz-shtazë kryejnë si hedhja në det e një të riu nga
Hiena dhe Lad Vampiri vetëm se thotë se nuk ka vend ku të shtyhet, si
dhe përdhunimi i një gruaje dhe më vonë i Helenës në mes të mijëra
dëshmitarëve në stadium të revoltojnë dhe vazhdojnë të të trondisin edhe
kur ke përfunduar romanin.
Për
Jorgjin, një eksperiencë e tillë si eksodi i Gushtit 1991 simbolizon
nadirin dhe zenithin e shpirtit njerëzor. Siç thamë me sipër, autori me
të drejtë beson se edhe pse kurajoja njerëzore për t’iu kundërvënë hapur
së ligës tulatet përkohësisht nga instinkti për të mbijetuar, njeriu
përgjithësisht është në shpirt qënie e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme.
Në pamundësi për të ndihmuar viktimat e krimit, veçanërisht gratë e
përdhunuara, burrat e çburrëruar vidhen si hije për të vuajtur në
heshtje dënimin me të cilin ndëshkojnë veten për impotencën e tyre
morale.
Në
të njëjtën kohë, romani regjistron edhe akte të shumta bamirësie,
ndoshta të parëndësishme dhe në pamjen e parë edhe të rëndomta, por
megjithatë shumë domethënëse; njerëzit janë të gatshëm të kontribuojnë
me të holla për të blerë ujë dhe ushqim për të tjerët nga spekulatorë të
pashpirt, apo ndajnë ushqimin për të cilin rrezikojnë kokën kur u
hidhet pa dinjitet në port dhe stadium.
Jorgji
është i ndërgjegjshëm se romani i tij nuk është ‘argëtues’. Të shkruash
për eksodin e Gushtit 1991 në një kohë kur plagët, brengat dhe kujtimet
janë akoma të freskëta dhe veçanërisht në një kohë kur demokracia në
Shqipëri shpesh duket si një ‘lindje’ e stërgjatur dhe e mundimshme, aq
sa ndonjëherë duket se do të rezultojë në një ‘dështak’, si dhe t’i
kujtosh popullit tonë të lodhur në shpirt nga rumpalla e tranzicionit që
duket se nuk ka fund, vuajtjet që hoqi gjatë dhe pas regjimit komunist
është jo sadizëm por dëshmi e kurajos intelektuale të autorit dhe e
besimit që ai ka në aftësitë e tij krijuese. Mbi të gjitha, ky roman
shqetësues është provë e bindjes së Jorgjit në forcën ripërtëritëse të
shpirtit të kombit shqiptar, të njeriut i cili përngjan me një feniks që
ringjallet çdo herë që flakët e historisë shkrumbëzojne përpjekjet e
tij të stërmundimshme për të mbijetuar.
Optimizmi është një leitmotiv kryesor në ‘Ëndrrat Treten në Mëngjes’,
veçanërisht kur tragjikja binjakëzohet me komiken. Me Jorgjin letërsia
shqiptare ka gjetur një mjeshtër të ri humori. Humori i Jorgjit nuk
është thjesht argëtues; ai është thellësisht humor filozofik dhe
terapik. Humori është i pranishëm pothuajse në çdo moment të eksodit.
Humori bëhet bashkudhëtari më i besueshëm i këtyre qënieve pa fat që
braktisin veten në dorë të një fati që nuk i dihet fundi. Personazhi i
Nidhës, për shembull, megjithëse jo figurë qëndrore (ky roman ka për
personazh kryesor dhjetë mije refugjatë) është ndoshta një ndër
protagonistët më komikë të dekadave të fundit. Është vështirë të mos e
vësh buzën në gaz kur dëgjon Nidhën bujar të shprehet për pasagjerët që
merr në Tiranë: ‘Le të vijnë! Le ta kenë kujtim pe mua Italinë. Le të
thonë: deri në Durrës na shpuri një shofer pe Korçe. Pa leka!’; apo kur
rrëfehet gradualisht pas ngacmimeve të shumta të ‘panxharit’ Niskë, se
arsyeja kryesore për emigrimin e tij është të bëhet ‘milioner’ duke
punuar si shofer në Itali dhe të kthehet në Korçë për t’i fituar zemrën
dhaskalicës së frëngjishtes, Marjankës, bijës së Pavlinës; apo kur mëson
se megjithëse e quan ‘qelbanik’ një çunak që shkul një tapet nga
tribuna e stadiumit, për vete bën të njëjtin ‘mëkat’ para se të kthehet
me avion në Tiranë: merr nga stadiumi kupën e futbollit të ekipit të
Barit. ‘E mo ja: thashë ta shpija në Korçë. Meqë “Skënderbeu” s’ka ndonjë kupë’, justifikohet Nidha i sikletosur.
Jorgji
e përdor humorin me mjeshtëri edhe kur përshkruan degradimin që u bëhet
eksodasve në Portin dhe në Stadiumin e Barit nga autoritetet italiane.
Si çdo shkrimtar i madh, Jorgji indinjohet kur shikon se si përbaltet
dinjiteti njërëzor në Italinë e civilizuar dhe anëtare e Komunitetit
Evropian. Ai di të vlersojë dhe të shprehë mirënjohje për italianët e
thjeshtë si Karla dhe Domeniko të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë
emigrantët fatkeqë me sa munden dhe në mënyrë dinjitoze. Por satira e
Jorgjit fshikullon pa mëshirë autoritetet italiane, policinë italiane,
mediat italiane dhe shtetin italian për trajtimin që u bëjnë eksodsave
të Marsit dhe të Gushtit. Me të drejtë, autori u kujton italianëve, diku
me fakte, diku nëpërmjet humorit dhe diku me sarkazëm se në vitin 1943
ishin etërit e këtyre emigrantëve të mjerë që strehuan dhe mbrojtën nga
ushtria naziste mijëra dezertorë të ushtrisë së Musolinit. Ndryshe nga
shteti italian, që vihet në lëvizje ‘për të bërë diçka’ për refugjatët
ngaqë e ‘zë turpi’ si rezultat i jehonës sensacionaliste që i bën
eksodit media italiane që i filmon fatkeqët shqiptarë nga helikopterët
‘deri në fyerje’, apo ngaqë duan të evitojnë ndonjë ‘vërejtje’ që mund
t’iu vijë nga Komuniteti Evropian,
zemërgjerësia e shqiptarëve të varfer por zemërbardhë në 1943 motivohej
thjesht nga shpirti i civilizuar i një kombi i cili nuk ka lejuar kurrë
që padrejtësitë historike t’i mjegullojnë ndjenjën e përgjegjësisë së
shenjtë për njerëzit në nevojë, përfshirë edhe hallexhinjtë fqinj që
ndonjëherë janë sjellë si barbarë me të.
Në fillim të viteve 1990 ishin njerëzit
e thjeshtë në Greqi dhe Itali që ndihmuan popullin tonë të ‘dezartuar’
ndërsa policia greke dhe karabinieria italiane i ndiqte refugjatët
shqiptarë siç ndiqen kafshët nga gjahtarët e pashpirt. Ndjekja nga
policia nëpër
rrugët e Barit e autobusit të drejtuar nga Nidha është një nga skenat
me të arrira tragjiko-komike në letërsinë bashkëkohore shqiptare, e
denjë për penën e Servantesit. Në Evopën e lirë të ëndërruar me
çiltërsinë e të miturve, refugjatët kriminalizohen vetëm se ëndërrojnë
të ndërtojnë një jetë më të mirë. Kjo skenë demaskon jo vetëm Italinë
dhe Komunitetin Evropian po edhe Perëndimin ku shqiptarët, edhe dy
dekada pas eksodit të Gushtit 1991, akoma nuk gëzojnë të drejtën të
emigrojnë në mënyrë të civilizuar.
Dështimin
moral të Perëndimit Jorgji e simbolizon mjeshtërisht edhe me rikthimin
në Tiranë nga autoritetet Italiane të Dante Kalogierit i cili kur
kapitulloi Italia fashiste u mirëprit në Shqipëri ku edhe krijoi
familje. Dante, apo Dane, siç e pagëzuan shqiptarët, vuan nga humbja e
kujtesës si pasojë e një plage në
luftë. I gjori nuk e ka idenë se italianët ‘e tij’ po e përzenë nga
vendlindja ku ka ëndërruar të kthehet për afro gjysëm shekulli. Puthja e
pllakave të sheshit qëndror në Tiranë nga Dantja, i cili kujton se më
në fund, mbërriti në qytetin e lindjes Peruxhia, është një nga skenat me
të arrira të ironisë dramatike që kam lexuar ndonjëherë. Ky moment
simbolizon braktisjen e dytë të Dantes nga Italia dhe ri-biresimin e tij
në patrian e adoptuar.
Amnesia e Dantes është një bekim i trishtueshëm ndërsa
amnesia e shtetit italian moralisht e dënueshme. Kjo ide është
simbolizuar në bisedën e trazuar që Luixhi, një ish dezertor i mbrojtur
nga shqiptarët në 1943, i cili ndryshe nga Dantja, arriti të kthehet në
Itali pas luftës së Dytë Botërore, zhvillon me shefin e policisë. Luixhi
ka 50 vjet që kërkon ta ‘lajë borxhin’ dhe për këtë merr rrugën nga fshati i tij për në Bari kur dëgjon në
televizor se ç’po ndodhte në stadiumin-geto. Kur shikon se argumenti i
tij nuk ka efekt tek shefi i policisë i cili, si një robot besnik i
aparatit burokratik italian, i kujton Luixhit se ‘rregullat’ nuk e
lejojnë që ai të strehojë në shtëpinë e
tij asnjë refugjat, veterani nuk heziton ti kujtojë atij se po të ishin
zbatuar ligjet e luftës, pesëdhjetë vjet më parë, atij do t'i kishte
ikur koka si ‘ushtar i ushtrisë sonë të kapitulluar’.
Jorgji është një ndër shkrimtarët tanë më produktivë dhe origjinalë
të dekadës së fundit. Nëpërmjet një stili që ndonjëherë të kujton
‘kick-writing’ e Kerouac-it, në romanin e tij të parë ky autor
regjistron në prozë dhimbjen njerëzore me intensitetin që vihet re në ‘Guernica’ të Pikasos. ‘Ëndrrat Treten në Mëngjes’
është padyshim romani më i arrirë për eksodin e shqiptarëve në fund të
shekullit të njëzetë. Dhe jo vetëm të shqiptareve. Ky roman simbolizon
tragjedinë e miliona njërëzve fatkeqë për të cilët mërgimi shpresëdhënës
kthehet në një llahtar të pafund. Ndoshta në një të ardhme të afërt kjo
vepër do të tërheqë vëmendjen e ndonjë regjisori me vizion të
mjaftueshëm për të regjistruar në film një ndër tragjeditë me të
dhimbshme të kohës sonë.
‘Ëndrrat Treten në Mëngjes’ është një anti-Kështjellë Kadareane.
‘Kështjelltarët’ e Jorgjit u zbuan nga Evropa të cilën nuk shkuan ta
zaptonin. Zbimi i tyre ua treti ëndrrat. Por shpirti i tyre i lënduar u
bë më i mençur, erdhi në moshë. Ata mësuan, si të gjithë ne që jemi në
mërgim, se ‘El Dorado’ jonë është trualli amëtar të cilin me tepër e
kemi nëpërkëmbur ne se të huajt. Ndoshta klasa politike shqiptare do ta
kuptojë këtë fakt të hidhur një ditë. Me tepër se lexuesi i thjeshtë,
romanin e Jorgjit duhet ta lexojnë me vëmendje politikanët shqiptarë që
janë në pushtet apo që aspirojnë për të në mënyrë që eksode si i Gushtit
1991 t’i përkasin historisë. Shpresojmë në shpresë.
No comments:
Post a Comment