Kulla e Sali Berishës.



Agron TUFA
Një e përditshme shqiptare, që i “shkarkon të gjitha bateritë” në sulm ndaj qeverisë dhe personalisht kundër Berishës, hapej këto ditë me një foto të rrallë e unikale me titullin “Vizitë në kullën e Berishës në Viçidol”. Fotoja që zinte thuajse gjithë faqen e parë të gazetës, falë edhe cilësisë së mirë të saj, të realizuar nga Jutta Benzenberg, paraqiste një ekzemplar të rrallë të arkitekturës së kullave të malësisë së veriut, që janë thuajse të zhdukura në kohën e sotme.Kuptohet, se intenca e gazetës kërkonte të nxirrte përfitime maksimale prej kësaj fotoje, duke i orientuar asociacionet e lexuesit të saj, kryesisht të majtë-nostalgjikë të komunizmit, drejt një racizmi këmbëngulës, të përditshëm e tepër të vjetër në propagandën politike-atë të demonizimit të kundërshtarit me çdo gjë të keqe. Në këtë rast, orientimi psikologjik që synonte të përcillej lexuesit të majtë, duhet të ishte i një semantike të shumëfishtë negative.
Sipas kësaj simbolike asociative efektiti semantik, duhet të përplotësonte negativisht shoqërimin e mllefit demonizues ndaj Berishës dhe imazhit të patronimit gjeokulturor që përfaqëson ai: “Sali Shpellari”, “maloku”, “mendësia e kullës”, “autoritarizmi”, “hakmarrësi”, “dhunuesi”, “zemërguri”, “vrasësi”, “bajraktari”, etj, etj, – të gjitha – kulturologjema raciste që mund t’i kujtohen gjithkujt nga ligjërimi politik i tribunave e shesheve. Është një propagandë, në thelb, ideologjike, e prodhuar që nga e çara që krijuan komunistët më 1943-1945 me malësitë e veriut gjatë fushatave të tyre ndëshkuese e spastruese kundër parisë, bajraqeve e oxhaqeve, çka, tekefundit, ishte e vetmja “aristokraci” e takatit tonë. Zhbimja e tyre parakuptonte shpartallimin e çdo formacioni të vetëdijshëm kundërshtar, duke patur mandej punë vetëm me masën e vegjëlisë, – fshatarët e varfër, pa ndofarë vetëdijeje e kujtese dhe sidomos, pa pasur se ç’të sakrifikonin.
Nëse e lexon shkrimin në brendësi, të shkruar nga një gazetare skupesh e sensacionesh, dallon, përkundër simbolikës që ka fotografia e kullës në faqe të parë, një varfëri informacioni, një përpjekje tejet të tendosur për të përligjur ekzistencën e fotos. Me dy fjalë në shkrim hidhet ideja, se në këtë kullë me frengji që shohin nga shpatet e Shkëlzenit, jetojnë disa familje të fisit Berisha (më tej, në shkrim, na del se nuk janë “disa”, por vetëm një) dhe se kulla, prej së cilës vetë Berisha është larguar që në moshën 18 vjeçare, është në gjendje rrënimi. Në shkrim flitet për varfërinë e banorëve të kullës dhe të fshatarëve – rast fort i sforcuar ky për të përligjur temën e varfërisë. Por, nëse supozojmë se në kullë apo në fshat nuk do të kishte varfëri, prapë gazetarët do të shkruanin përafërsisht kështu: “…ndërsa në fshat ka pllakosur varfëria, kulla e kryeministrit (të korruptuar) lulëzon si sallonet e mbretërve, etj, etj”.
Duke e parë shkrimin dhe foton, të zhveshur nga maska e tematikës së sforcuar, krejt çka mbetet është përpjekja e redaksisë për një ushqim racist urrejtjeje, e cila i shkon shumë oreksit të së majtës në këtë prolog parazgjedhor. Kuptohet se kulla ku ka kaluar fëmijërinë Berisha, zgjon një simbolikë të disafishtë, e kësodore i jep një spunto të re asociative imazhit-klishe të prodhuar nga sensibiliteti derdimen komunist. Në këtë kornizë imazhi për tjetrin, jo proletar, jo urban (pra, jo “si ne”), jepet së bashku me sfondin e kullës (bjeshka) – një gjë aq tëhuajësuese për mitin urban të arkitekturës komuniste. Kulla është krejt e përkundërt me projektin e pallateve-kazermë, në uniformitetin dhe shpëlarjen e të cilëve merr fund çdo privatësi dhe identitet privat. Kështu “puna e asociacionit” në psikikën komuniste është e përllogaritur mirë: Berisha dhe kulla e tij, bashkë sfondin,  janë tjetërsia e pozicionit gjeografik, krahinës që përfaqëson ai dhe, më ndjeni, paralelja synon të përbashkojë në një vijë Kullën me “Kullën tjetër” të Berishës, në Kryeministri (!).
Nëse gërmojmë në shtresa e nënshtresa të tjera Kulla malësore ka qenë në rrafshin simbolik të nënvetëdijes  një armik i vështirë për pushtetin komunist, me paepshmërinë e saj ndaj nënshtrimit, nivelimit dhe humbjes së identitetit. Lufta e vetëdijshme dhe e pavetëdijshme për simbolet e mbi simbolet nxjerr një mori “lapsusesh”, që ish-komunistët nuk i kontrollojnë në performancën publike. Xhelozia e vjetër dhe urrejtja e sotme kapërthehen në një makth domethënës, duke restauruar dashjepadashje imazhin e “armikut”, që për ta ka një gjenealogji aspak “të rastësishme”.
“Njeriu s’është tjetër, pos se gramatikë”, thotë Shën Thoma Akuinasi. Vetë ligjërimi, i orientuar nga inspirimet inkoshiente qet krye në rrafshin e shprehjes. Thjesht mjafton të marrësh në shqyrtim narrativën, në dukje të patëkeq të humorit barcaletor dhe të kuptosh menjëherë “hallin” e folësit. Por, fjala vjen, në estradën e lirë të “Portokallisë” tregohen barcaleta të tipit: “…po udhëtonte njëherë Berisha me Lul Bashën për në Tropojë. Pak para se të arrinte në BC, Berisha nxorri celularin dhe, para se ta vërë në vesh, dikush ia hoqi. – Lul, pse ma hoqe celularin nga dora?! – tha Berisha. Jo, doktor, tha Luli, nuk ta mora unë. Po kush, tha ai… Nuk qe nevoja, se pak më tutje panë një arushë që po ikte tutje në gëmusha me celularin e kryeministrit në dorë”. Thelbi i anekdotës është, si minimum, racist.
Sepse së paku, i bën me dije një gjë dëgjuesit: “Kryeministrin e kemi nga ajo trevë e Shqipërisë ku nuk mbretëron asnjë agjent civilizimi, përveç kafshëve. Atëherë nga t’a marrë kulturën ky njeri?!” Në thelb kemi instalimin e imazhit të barbarit. Edhe arbitrariteti i nofkave hyn gjithashtu në një teknologji tepër dinake të perceptimit, për ta varrosur “tjetrin” përjetë në kornizën e një imazhi standard. Këto nofka mbi malësorët e veriut i kemi ndeshur shpesh në kryeqytet dhe gjithkush e kupton se nofkat “çeçen”, “malok”, “shpellar” etj, nuk i drejtohen të njëjtit malësor në kuptimin gjeografik e social, që vjen nga malësitë e jugut, juglindjes apo Labërisë. Ata kanë veçse një drejtim: malësorët e veriut. Nga ana tjetër dihet gjithashtu, se këto nofka distancuese nuk i kanë krijuar absulotisht qytetarët autoktonë të Tironës, e as ata qytetarë të Dibrës së Madhe që iu janë bashkuar tironsve autoktonë që nga viti 1913. Është afër mendsh që distancimin racist nëpërmjet këtyre nofkave, të drejtuara vetëm në një kah, i prodhon psikologjia e banorit me “neurozën e të konvertuarit” jo më shumë se një brezni në kryeqytet – kryesisht ish-të ardhurit pas Luftës së Dytë, që e identifikojnë ekzistencën, jo shumë të gjatë të brezave, me mitin e komunizmit.
Pavarësisht qëllimit dhe tentativës vulgare e raciste për t’i ngulitur lexuesit të vet asociacione të përcaktuara urrejtjesore, krejt padashje gazeta u ka bërë një shërbim të madh adhuruesve si puna ime, të relikteve arkitekturore autentike të Shqipërisë së Veriut. Pamja mbresëlënëse e kullës katërkatëshe, konstrukti i saj madhështor, hijerëndë, me frëngji të harkuara gjatoshe e picirrake, duket si një ilustrim romantik i Eposit të Veriut. Tashmë të shkëputur nga ideja se kjo është kulla e lindjes së Kryeministrit (fakt shumë miklues për të), meditimet e mia morën kah për fatin e trishtë të shkatërrimit të tyre, duke humbur kështu disa nga shenjat më origjinale e më të hershme të identitetit tonë.
Kam qef të meditoj për imazhin e këtyre kullave si simbole të virgjëra të mbijetesës së fiseve shqiptare dhe si vatra spartane të edukimit frymor të etnisë sonë. Nëse e sheh me vëmendje fasadën, lartësinë, konstruktin me dritaret e gjatoshe, si termometra, të kullës, mund të dallosh, për syrin e stërvitur, se kjo ngrehinë bart diçka të lashtë, e pikërisht atë kufi që tretet e shkrihet nga stili roman tek gotika. Ja disa karakteristika: për ngrehinat e stilit roman karakteristike është kombinimi i siluetës së qartë arkitekturore me lakonizmin e pamjes së jashtme – ngrehina vendoset dukshëm në gjirin e natyrës rrethuese, dhe prandaj duket edhe më solide e kompakte. Kullat shqiptare të këtij lloji, të vendosura në kodra a shkëmbinj, vijnë si kulmime valëzore të komplekseve kishtare, duke u manifestuar me kullën, që plotëson finalizimin e panoramës si një “donxhon”.
Ndërsa nga gotika këto kulla (ose më saktë kulla e fotografuar e Berishajve) ka harqet e mprehta të dritareve – një lloj kontrolli i frymores mbi materialen – duke plotësuar kështu funksionin e kullës gotike, siç kanë qenë kullat qytetare si forum këshillimi (“Befrua”). Kulla e paraqitur në fotografi është gërshetim i të dy stileve, pa qenë, në përfundim, asnjëri sosh, pra, një variant shqiptar i malësive tona. Fakti i servirur me këtë fotografi, përkundër propagandës, që synon ta paraqesë Berishën (dhe çdo kundërshtar tjetër të këtyre trevave) si “barbar”, “të pagdhendur”, “shpellar” etj, bart një kontradiksion të papajtueshëm: ose duhet të pranojmë “shpellorësinë” dhe “barbarinë” e tij (dhe krejt banorëve të këtyre trevave), ose të pranojmë ekzistencën e kullës – një organizim perfekt arkitekturor, që manifeston një shkallë të lartë organizimi e kulture autentike shqiptare, në të cilën garantohet formimi që në embrion i njeriut me kulturën familjare, mitet e ritualet, të cilat janë pjesë pandarë e frymësisë njerëzore.
Komunizmi dhe trashëgimia e tij ka synuar të na bëjë të gjithëve viktima të imazheve të pavërteta e paragjykuese, duke u nisur nga mendjengushtësia hipokrite me standarde të dyfishta. Kur është fjala për patriotizmin si propagandë komuniste, atëherë Kulla është trajtuar në simbolikën e qëndresës, traditës dhe pastërtisë shpirtërore (siç na është komentuar për shembull, që në gjimnaz, tregimi “Kulla” i Anton Pashkut, apo në narrativën më të vonë – Kulla e Adem Jasharit). Nga ana tjetër, kur është fjala për të nxjerrë përfitime nga propaganda politike komuniste, vetë Kulla dhe bijtë e këtyre kullave, nxihen e demonizohen poshtërsisht si “barbarë” dhe “shpellarë”. A nuk kemi të bëjmë pra në të dy rastet veçse me hipokrizi dhe racizëm? Dhe dihet se të dyja këto sjellje i bën i kompleksuari.
Kulla në të gjitha traditat e lashta dhe të vona në kontinent ka qenë shenjë-determinitave, që shenjon lartësimin mbi nivelin e rëndomtë të jetës në shoqëri. Kësisoj, në themel të saj, kulla simbolizon ngjitjen dhe lartësimin. Përgjatë gjithë mesjetës kullat dhe kambanoret kanë patur domethënien e vëzhgimit të lartësive, por në të njëjtën kohë, falë traktimit të thjeshtë të niveleve simbolike (sipas të cilave lartësia materiale nënkupton edhe lartësinë frymore), ato (kullat), kanë shprehur po atë simbolikë që kanë dhe shkallët – lidhjen e tokës me qiellin. Në kohën e substratit roman (gjykuar nga konturet stilistike të arketipit që ka trashëguar kulla në fjalë), simboli i Kullës, nëse ajo është e rrethuar dhe e mbyllur hermetikisht me mure, shërbente si simbol i Virgjneshës së Papërlyeme, siç mund të duket më qartë tek simotrat e saj në Evropë, në vizatimet alegorike të fasadave.
Përderisa ideja e ngjitjes apo madhërimit që nënkupton kulla, ka në konotacionin e saj transformimin dhe evolucionin, atëherë “atanor” (furra alkimike) ka marrë formën e kullës, më qëllim, që për nga korrelacioni inversiv – të kumtojë, se metamorfoza e materies parakupton procesin e ngjitjes/lartësimit. Në fund është i pashmangshëm orientimi mitik i analogjisë së kullës me njeriun: ashtu siç është pema për nga forma e saj shumë afër me figurën e njeriut, se sa me formën horizontale të kafshës, ashtu edhe kulla rezulton e vetmja formë e strukturuar, tipar dallues i së cilës është orientimi vertikal, – ndërsa dritaret në katet e saj më të epërme, u korrespondojnë syve dhe mendjes së njeriut.
Një vetëdije e ulët, një mendje e varfër dhe një nivel barbar civilizimi, nuk do të ishte në gjendje të trashëgonte me shekuj një filozofi të tërë simbolesh e frymësie, siç i ka të tretura në vetvete arti shumëshekullor i kullave të malësisë. Një ekzemplar i tillë i rrallë që e përfaqëson këtë arketip, është edhe kulla e Berishajve në Viçidol. Sado që sot pamja e saj e rrallë është thirrur për të ushtruar e ngjallur një racizëm propagandistik pragzgjedhor, që tej fotografisë, shihet qartë, që dritaret e saj gjatoshe e picirrake të shohin me shpërfillje të pacënueshme, siç mund të kenë parë shpërfillshëm t’i kacarrohen mureve të saj ndër shekuj lloj-lloj reptilësh, bubazhelësh e kacabujsh kalimtarë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)