Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/16

Liri Gjoliku: Ballistët bashkëpunuan me gjermanin, duke vrarë edhe gratë




Zonja Liri, a ka pasur luftë civile në Shqipëri, gjatë periudhës 39-44?



Jo, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast. Lufta e popullit tonë ishte një luftë çlirimtare dhe u karakterizua nga heroizmi i madh i partizanëve tanë. Kjo luftë u njoh edhe nga aleatët ndërkombëtarë si luftë antifashiste çlirimtare. Gjatë kësaj periudhe unë isha e vogël në moshë, por i mbaj mend mirë gjërat. Sepse familja jonë ishte e përfshirë në këtë luftë me shumë pjesëtarë të saj, si babai, Jaho Gjoliku, (Heroi i popullit) 3 vëllezërit dhe motra ime.

Përse atëherë, komunistët dhe partizanët u shpallën luftë përfaqësuesve të Ballit Kombëtar?

Kjo ndodhi se ballistët u bënë mercenarë rë gjermanëve. Ata tregonin dhunë dhe barbari ndaj popullsisë civile. Mbaj mend në një rast, gjatë Operacionit gjerman, se si, ne popullata civile u strehuam në vende më të sigurta. Por një ditë, atje ku qëndronim, na erdhi një ballist. Komandanti i xhandarmërisë së Gjirokastrës, Idriz Jazo, nga Kuçi, dërgoi atë ballist me një letër që i drejtohej nënës. Letrën e lexova unë, që mezi e kuptova shkrimin, sepse ballisti që e solli ishte analfabet dhe nuk dinte të lexonte.

Çfarë shkruhej në atë letër?

Aty shkruhej: “Partizanët u shpartalluan. Thuaju djemve dhe vajzës që është turp, që e keni lejuar të shkojë me ata pa moral, që të dorëzohen. Ju premtoj se kundër tyre nuk do të merren masa , kurse për tët shoq, Jaho Gjolikun, nuk të garantoj”

Si reagoi nëna jote?

Në atë çast ballisti me festen e bardhë me shkabë priste përgjigjen. Dhe nëna i tha: “Shko i thuaj Idriz tradhtarit, që po qe i zoti të shkojë e t’i kapë vetë, si burrin dhe djemtë apo vajzën. Dhe le të ngopet si shpërblim, me miellin me miza të gjermanëve”. Ballisti foli disa fjalë nëpër dhëmbë dhe pastaj iku andej nga erdhi. Pra, ballistët bashkëpunonin hapur me gjermanët dhe ata plaçkitnin e vrisnin ngado njerëz të pafajshëm.

Kë kanë vrarë?

Nuk ka nevojë të them shumë emra, se të vërtetën tani e di e gjithë Shqipëria. Mjafton të përmend këtu Bule Naipin e Persefoni Kokëdhimën. Ato, dy heroinat i torturoi me dorën e tij, tradhtari Idriz Jazo. Por këtu dua të tregoj se pas vendimit të gjyqit ushtarak për dënimin me vdekje të dy heroinave, nazistët dhe tradhtarët bënë edhe një provë tjetër për të thyer Bule Naipin.

Çfarë prove?

Ata i morën të dyja heroinat, duke i shoqëruar me nazistë shqiptarë, e i shpunë te Rrapi në sheshin “Çerçiz Topulli”. Litarët ishin gati. Persefonin e ekzekutuan në prani të Bules. Ajo, pasi krehu flokët, dhe përqafoi Bulen, i bërtiti fort kriminelit shqiptar, Idriz Jazo, duke e quajtur “bishë” dhe “tradhtar”. Pastaj, shtyu vetë fronin ku kishte hipur dhe dha shpirt para gjermanëve e tradhtarëve shqiptarë. Ndërsa, më 17 korrik, Bulen e çuan te Rrapi për ta ekzekutuar konform vendimit ushtarak. Por më parë i shqyen gojën, ngaqë ajo nuk tregoi edhe pas premtimit që i bënë për një jetë luksoze në Gjermani. Pastaj e varën. Por partizanët ia morën hakun menjëherë duke bërë aksionin e vrasjes së togerit gjerman dhe shërbëtorëve të tjerë. Fatkeqësisht, i shpëtoi nga rrethimi tradhtari Idriz Jazo. Pas disa ditësh prefekti i Gjirokastrës i ka dërguar qeverisë kislinge të Tiranës një letër.

Çfarë thuhej në atë letër?

“Në mëngjesin e datës 17 .7.44, para disa ditësh është arrestuar dhe më pas është ekzekutuar Bule Naipi, vjeç 22 nga lagjia Dunavat. Ky ekzekutim është bërë nga Gestapo dhe komanda e Xhandarmërisë së qarkut të këtushëm. Kundrejt këtij ekzekutimi, çetat partizane kanë qenë të revoltuara dhe thuhet se sulmi i datës 18 të jetë bërë për hakmarrje të së përmendurës. Datë 22,7,44, Prefekti Veip Runa. Pra, këtu vërtetohet bashkëpunimi dypalësh i gjermanëve me tradhtarët kombit

Çfarë të është ngulitur nga kjo luftë?

Nga kjo luftë më është ngulitur trimëria e pashoqe e partizanëve shqiptarë. Ata të merrnin gjak në vetull, kur ishte fjala për mbrojtjen e interesave kombëtare. Gjithashtu edhe gjatë operacioneve naziste, kur popullsia civile tërhiqej në prapavijë, krerët e partizanëve dhe komunistëve i shihja gjithmonë, pranë halleve të popullit. Kështu në çdo vend, në të gjitha kasollet apo shpellat ku ne qëndronim ose fshiheshim, vinin me rradhë pothuajse, çdo ditë të gjithë udhëheqësit e Partisë Komuniste, si edhe komandantët e komisarët, e zonës së Jugut.

Kë keni parë, gjatë atyre ditëve?

Kam parë Bedri Spahiun, Mustafa Matohitin,. Asim Zenelin, Shefqet Peçin, Haki Toskën, Tahir Kadarenë, Dervish Hekalin Pandi Kriston Abaz Shehun Zaho Kokën e shumë të tjerë.

Po babai juaj Jaho Gjoliku, a ishte komunist?

Ai ishte një patriot dhe nacionalist. Thoshte shpesh: “Në moshën që jam, nuk i nënshtrohem dot, disiplinës së partisë, por do të luftoj deri në fund për çlirimin e vendit tonë. Ndërsa, tre vëllezërit e mi ishin partizanë dhe njëkohësisht komunistë. Nga ana tjetër babai i dha leje dhe e nxiti motrën time Habiben, që në atë kohë ishte 16 vjeç, që të shkonte në male për të luftuar për lirinë. Atëherë, nëna e pyeti babanë: Me kë do më lësh mua, me 4 fëmijë të vegjël? Dhe ai iu përgjigj: Unë si komandant nuk bëj dot propogandë ndaj vajzave të tjera, që të bashkohen me lugftën, në rast se nuk marr vajzën time,

A kishte shumë femra në luftë?

Mendoj se kishte plot. Vetëm nga fshati ynë kishin dalë në luftë më shumë se 30 gra e vajza. Lufta përfshiu të gjithë patriotët dhe njerëzit e ndershëm të këtij vendi. Midis tyre edhe shumë vajza e gra.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...