Akademik prof.dr.Rexhep Qosja:Sali Berisha autokrat blegtoral, Rama i qullët, ambasadorët, qëndrime të paparimshme



Në këtë intervistë dhënë gazetarit Ëngjëll Musai në Telegraf, akademiku i njohur Rexhep Qosja pasi u përgjigjet pyetjeve për situatën në Kosovë jep analizën e tij për situatën politike në Shqipëri. Më poshtë, ribotojmë një pjesë të kësaj interviste:

..Duket se në themel të kësaj krize, apo ngërçi, siç thonë ndërkombëtarët, qëndrojnë problemet me dy zgjedhjet e fundit, ku Shqipëria nuk ka shënuar progres në lidhje me  standardet. Kë bëni përgjegjës për këtë krizë dhe pse?
Gjendjen e sotme në Shqipëri e konsideroj gjendje krize të vazhdueshme: gjendje të krizës politike, parlamentare, shoqërore, morale. Fjala “ngërç” në të vërtetë është eufemizëm që kanë futur në përdorim demagogët – kryesit e punëve të pista të kryeministrit dhe e kanë futur për ta bërë të shpërfillshme krizën që sundon Shqipërinë sot. Fjala “ngërç” është fjalë e anatomisë, plotësisht banale për të shënuar me të gjendjen politike. Shikojeni Fjalorin e Gjuhës së Sotme  Shqipe.. Shikojini fjalorët terminologjikë të politikës a sociologjisë: ngërçet nuk përdoren për të karakterizuar kundërshtitë politike, ekonomike, financiare, shoqërore, morale në një shtet e në një shoqëri. Ato janë nocione të mashtruesve dhe diletantëve politikë. Kundërshtitë politike dhe ekonomike në Shqipëri janë aq të ashpërsuara saqë gjendjen e saj mund ta quajmë jo vetëm krizë, po edhe krizë e rëndë. Në themelet e kësaj krize të rendë, të përgjithshme, nuk qëndrojnë vetëm dy zgjedhjet e fundit, në të cilat Shqipëria nuk ka përmbushur standardet demokratike. Në themelet e kësaj krize të rëndë, të vazhdueshme, qëndrojnë kundërshti të ashpra, pothuaj të papajtueshme sot, politike, ekonomike, shoqërore. Keqpërdorimi i vullnetit zgjedhor të popullit, parregullsitë në zgjedhje, përdorimi i policisë dhe i administratës nga ana e Sali Berishës për të siguruar fitore në zgjedhjet, – të gjitha këto janë vetëm mbulesa e dukshme e kundërthënieve të brendshme që karakterizojnë shoqërinë shqiptare sot. Edhe kontrolli i pamëshirshëm, i egër, i gjyqësorit nga ana e kryeministrit; edhe përpjekjet e kryeministrit për të vënë nën kontroll SHIK-un; edhe kontrolli i pandërprerë i kryeministrit ndaj hetimeve të tragjedisë së Gërdecit, në të cilën janë të përzier edhe i biri i tij, edhe trumbetuesi i tij medial, edhe ish-ministri i tij i Mbrojtjes; edhe fyerjet banale, primitive, që kryeministri ia drejton Kryeprokurores së Shqipërisë; edhe kthimi i televizioneve e i gazetave shërbyese të tij, duke u krijuar privilegje a duke i blerë me financat e tajkunëve besnikë dhe, ashtu, duke i privuar prej çdo morali të gazetarisë – të gjitha këto janë të zezat e “vogla” me të cilat vetëm sa mbulohen kundërshtitë e brendshme shoqërore! Edhe nxitja e mospajtimeve me gjuhën e njësuar letrare kombëtare, domethënë me gjuhën standarde, janë tjetër e keqe e “vogël” me të cilën mbulohen ato kundërshtitë e ashpra shoqërore.
Prej gjithë kësaj që thashë përgjegjës për këtë krizë është: qeveria e sotme e Shqipërisë me kryeministër Sali Berishën. Është e qartë se Kryeministri Sali Berisha me gënjeshtrat e tij ka arritur të mposhtë energjinë, të mos thuhet edhe vetëdijen e rinisë, të studentëve dhe të punëtorëve – të dy shtresave më të cenuara në Shqipëri.
Por mund të besohet se manipulimit të tij do t’i vijë fundi. Në qoftë se të varfrit, të indinjuarit, të cenuarit, të shpërfillurit e Spanjës, të Uoll Stritit, në përgjithësi të Amerikës, të Italisë janë çuar në këmbë kundër atyre dy a tre a katër për qind të pasanikëve që kontrollojnë gjithë pasurinë kombëtare, janë çuar në këmbë dhe kërkojnë ndarje të drejtë të kësaj pasurie, mund të shpresohet që edhe rinia, studentët dhe punëtorët shqiptarë do të çohen kundër klikës politike dhe tajkunëve, bashkërisht të pasuruar me korrupsion, me vjedhje e plaçkë në procesin e tranzicionit. Mund të shpresohet. Ndoshta populli shqiptar nuk ka mbetur pa rininë e vetëdijshme për interesat kombëtare që gjithmonë e gjithkund sjell ndryshimet që e ndryshojnë gjendjen e krizave, që e përparojnë dhe e nderojnë popullin.

- Opozita është kthyer në Parlament dhe është gati të bashkëpunojë me maxhorancën për të votuar ligjet që kërkojnë votën e saj për integrimin e vendit, pavarësisht kontestimeve që ka lidhur me problemet që u evidentuan në zgjedhjet e 8 Majit. Si ju duket kjo sjellje e saj?
- Më duket sjellje pak a shumë kundërshtimore; sjellje pak a shumë dyfytyrëshe; sjellje pak a shumë e qulltë – sjellje e një politike të pasigurt, që nuk e ndryshon  dhe nuk e çon përpara gjendjen.

- Sidoqoftë, raporti i OSBE / ODIHR- it për zgjedhjet e 8 Majit ishte shumë i rreptë, sidomos sa i përket parregullsive, ndërkohë që i bënte thirrje opozitës për bashkëpunim. A nuk ju duket se ka një qëndrim kontradiktor në këtë mes?  
Me qëndrimet e paparimshme, jo vetëm OSBE/ODIHR-i, po edhe institucione të BE-së, edhe ambasadori i tanishëm amerikan, Arvizu, janë bërë pjesë organike e krizës së përgjithshme politike, parlamentare etj në Shqipëri. Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 Majit ishte i rreptë, por, megjithatë, nuk e prekte thelbin e çështjes, e thelbi i çështjes ishte ky: në ato zgjedhje, më të turpshmet gjatë njëzet viteve pas komunizmit legal në Shqipëri, Partia Demokratike e kandidoi për Kryetar të Tiranës një vrasës të katër qytetarëve të pafajshëm që morën pjesë në demonstratën e 21 janarit 2011. Për mendjen time, për ndërgjegjen time, më shumë se hajnitë, dallaveret, poshtërsitë, numërimet e falsifikuara të votave, shakatë e kryetarit të KQZ-së me mendjen dhe dinjitetin e shqiptarëve, tragjik ishte kandidimi i Lulëzim Bashës, i cili ishte ministër i Rendit publik ditën e vrasjes së katër qytetarëve. Kandidimi i tij ishte cenim i egër i parimeve dhe i vlerave të demokracisë; provokim i hapët i familjarëve të të vrarëve; ky ishte provokim i ndërgjegjes së shqiptarëve, ky ishte cenim i rëndë i zakoneve etike të shqiptarëve. Pavarësisht pse Lulëzim Basha sot e ushtron detyrën e kryetarit të Tiranës, unë them: në qoftë se Shqipëria një ditë bëhet shtet i së drejtës; në qoftë se Shqipëria një ditë bëhet shtet në të cilën do të sundojnë Kushtetuta e ligji; në qoftë se Shqipëria një ditë do të ketë kryeprokuror të lirë e të pavarur; në qoftë se një ditë Shqipëria do të bëhet shtet demokratik; në qoftë se Shqipëria  shërohet prej sëmundjes me të cilën e ka sëmurë politika blegtorale e Sali Berishës, Lulëzim Basha do të nxirret në gjyq për vrasjen e atyre katër qytetarëve, të cilët, si çdo qytetar tjetër të Shqipërisë, i ka lindur nëna e me të si bashkëfajtor apo dëshmitar në Gjyq do të nxirret edhe Sali Berisha. Ky është borxhi për të cilin ata pashmangshëm do të japin llogari: sipas ligjeve të shtetit demokratik apo sipas ligjeve të Kanunit të Lekës!

- Ndërkaq, opozita ka hequr dorë nga protestat dhe Edi Rama shkruan editoriale me kushte dhe kërkesa për Berishën. A mund të quhet ky një aksion i ri opozitar për ta larguar Berishën nga pushteti?
-Shaka politike janë këto! Nuk largohet Sali Berisha prej pushtetit me editoriale. Editorialet nuk përbëjnë aksion politik. Ato, editorialet, janë zëvendësim i aksioneve demokratike, që përfaqësojnë protestat, demonstratat, grevat, me retorikë boshe; ato janë lutje si lutjet biblike a kuranore, por pa patosin e tyre etik.

Por Edi Rama i ka drejtuar ditët e fundit një ftesë për debat publik Sali Berishës. Pas një mërie dhe konflikti më se dyvjeçar, sa interesant dhe produktiv e shihni këtë ballafaqim midis këtyre dy liderëve të politikës shqiptare?
- Ky debat politik, që ju me të drejtë e quani ballafaqim, midis Edi Ramës dhe Sali Berishës, në asnjë pikëpamje nuk mund të jetë produktiv. Gjuha e tyre politike është plotësisht e harxhuar dhe e papërfillshme për opinionin, sepse ajo nuk ka për bazë bindshmëri morale politike. Debati midis tyre, midis një intelektuali dinakërisht të përmbajtur, siç është Edi Rama dhe një populisti të hallakatur, për të cilin gënjeshtrat janë Bibël e Kuran, siç është Sali Berisha, do të ishte vetëm një ndryshor i zbehtë, qesharak, në të vërtetë tragjikomik i dramave që shfaqen në teatrot amatore. Në vend se të humbja kohën duke e shikuar dhe dëgjuar atë debat, unë do të lexoja, në të vërtetë do të rilexoja, romanin e Balzakut, “Shkëlqimi dhe mjerimi i lavireve”.

- Profesor, ndërkohë në Shqipëri thuajse ka filluar gara për presidentin e ardhshëm të Shqipërisë. Midis emrave që lakohen për këtë post janë Sali Berisha, Jozefina Topalli, etj Ju, si mendoni, cila do të ishte figura më e përshtatshme për kryetar të Shtetit dhe cilës forcë politike do të duhej t’i përkiste ai?
-Pota përdorja si më lirisht togfjalëshin Tuaj “emra që lakohen”, do të thosha: Drejt! Të gjithë ata kanë një të kaluar shumë të lakuar. Sali Berisha? Shqipëria, açik vendeve të tjera ish komuniste në Ballkan, por ngjashëm Rusisë dhe Bjellorusisë, vazhdon të kryeministrohet jo prej një ish-komunisti, por prej një ish-anëtari të nomenklaturës komuniste! Llukashenkoja i ynë është ish-sekretar i Partisë së Punës në Fakultetin e Mjekësisë, në të vërtetë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Dhe, ky sekretar partie, që vendoste për fatin e studentëve dhe profesorëve të këtij Universiteti, ishte mik shtëpie i Enver Hoxhës, që bënte çmos të shfrytëzonte lidhjet me të bijtë e tij për të krijuar karrierë sa më të fortë staliniste. Ky njeri, ky ish sekretar partie, pas komunizmit ishte njëherë kryetar i Shqipërisë, që e çoi Shqipërinë në luftë qytetare në vitin 1997 dhe u përmbys pas një revolucioni demokratik. Si e duron Shqipëria autokracinë blegtorale të Sali Berishës? Si mund të lejojë ajo që të flitet që ky njeri të mbetet edhe më tej në pushtet? Madje të supozohet për së dyti kryetar i shtetit! Absurd! Përmbysje e ndërgjegjes, madje e logjikës, madje e etikës elementare qytetare! Jozefina Topalli? Do kujtuar gjuhën e saj në karrigen e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, sjelljet e saj, privatizimet e saj politike, uzurpimet e saj politike, fyerjet e saj ndaj opozitës, shprehjet e saj aq shpesh infantile, trashtinë e saj mendore për të mos i lejuar vetes të mendosh se edhe një personazh i tillë politik mund të propozohet për kryetare të Shqipërisë. Ndihmoji, Zot Shqipërisë. Ku ke katandisur Shqipëria ime e dashur!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit