Zoti Gjinushi, periudha e vitit 1939-44, ishte luftë civile apo çlirimtare?
Këtë nuk e përcaktoj unë. As politika shqiptare dhe as historianët e ndryshëm që dalin sot e japin lloj lloj versionesh. Këtë e ka përcaktuar vetë heroizmi dhe vetmohimi i partizanëve shqiptarë, të cilët u renditën me vetëdije të plotë në krahun e bllokut antifashist dhe çlirimtar. Ndërsa, në lidhje me zbulimet historike unë do të thosha se ka aq histori, sa ka edhe historianë. Pra, askush nuk e ndalon një individ-historian që të japë versionin tij mbi këtë problem. Prandaj, nuk dua të bëj asnjë koment mbi atë që kanë thënë të tjerët në rubrikën e hapur tek gazeta juaj. Por karakteri i luftës së popullit tonë gjatë viteve 1939-44 është i qartë sepse fashistët na pushtuan dhe lufta ishte çlirimtare, antifashiste. Kjo ndodhi edhe në shumë vende të botës, prandaj lufta e partizanëve tanë u njoh nga vendet e koalicionit.
Pse goditeshin forcat e Ballit Kombëtar, nga partizanët dhe komunistët?
Mos harro se po të fshihesh ferrave do të godasin. Në këtë mënyrë një pjesë e ballistëve u fshehën dhe u mbuluan me turp. Natyrisht, bëhet fjalë për atë pjesë që bashkëpunoi me okupatorin dhe që pas luftës, nuk dinte ku të futej.
A jeni krenarë për luftën dhe për pjesëmarrjen e babait tuaj në këtë luftë?
Natyrisht, që jam krenar. Unë e quaj veten të privilegjuar nga fati, në lidhje me prindërit e mi. Po të lija mënjanë modestinë do të thosha se me babanë tim krenohet e gjithë zona, madje i gjithë vendi, ashtu siç krenohet edhe me luftëtarët e tjerë sypatrembur dhe idealistë të kombit tonë.
Çfarë mendoni për ata njerëz që bashkëpunuan me okupatorët?
Kjo kategori njihet në të gjithë botën. Në rradhë të parë dua t’u them një gjë: Që të marrësh pjesë në luftë kundër okupatorit, në rradhë të parë duhet të jesh trim dhe njeri me ndjeshmëri tepër të lartë për traumat e pushtimit, që kalon vendi yt. Ndryshe, ke edhe një mundësi të dytë.
Cila është kjo mundësi?
Kjo është, që frikacakët mund të bashkohen me pushtuesit. T’u shërbejnë atyre dhe t’u fshijnë edhe çizmet me statusin e shërbëtorit. Pastaj, t’ia mbathin ose të ngrenë lloj-lloj justifikimesh për indiferencën, apo që ta themi më shkoqur, për tradhtinë antikombëtare. Por në luftë, ka vetëm një shprehje që i mbart brenda të gjitha ato që do ndodhin më vonë.
Cila është kjo shprehje?
Shprehja është “o fol tani, ose hesht përgjithmonë”. Pra, ose, merr mitrolozin dhe lufto për kombin tënd, ose më vonë, mbylle gojën, se nuk vlejnë justifikimet.
Ju mendoni se babai juaj ka zgjedhur rrugën e duhur, në momentin e duhur?
Unë nuk mund të flas për babanë tim, por atë e kanë zgjedhur mijra e mijra shqiptarë të cilët sollën lirinë, që u vadit me gjakun e 28 mijë dëshmorëve. Ata dëshmorë përbëjnë sot, një kurorë lavdie dhe nderi për Shqipërinë.
Çfarë do të thoshit ju, nëse sot në tabelat e rrugëve hiqen emrat e dëshmorëve dhe vihen emrat e ballistëve apo nacionalistëve?
Atëhere, nga drejtoria e Policisë rrugore do të kërkoja edhe një tabelë tjetër, për ndalim qarkullimi, ku aty të shkruhet: “Mos kaloni këtu se mund t’ju shtypë makina”.
No comments:
Post a Comment