Topi-Topalli dhe lokalizmi në foltoret publike




Ardian Vehbiu
Dje lexova në shtyp për një shkëmbim, të pazakontë, mes Presidentit Topi dhe Kryetares së Kuvendit Topalli, në lidhje me shqipen e ligjëruar në publik.
Vërejtjes së Presidentit Topi se Topalli “duhet të flasë korrekt gjuhën shqipe, duhet të mësojë artin e komunikimit”, Kryetarja Topalli iu përgjigj se ajo “flet me krenari dhe vetëdije shqipen më të bukur, atë shqipe që foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni dhe Luigj Gurakuqi.”
Kësaj replike, zyra e shtypit e Presidentit iu përgjigj pastaj se  “po të ishin gjallë Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni e Luigj Gurakuqi do të ndiheshin të fyer nga kush i përfaqëson me mungesën e etikës, kulturës politike e institucionale dhe respektit për shqipen zyrtare në Republikën e Shqipërisë”.
Deri këtu shkëmbimi, i cili i ka rrënjët gjetiu; dhe pikërisht në kundërvënien politike mes këtyre dy figurave institucionale.
Në ndërhyrjen e vet nistore, Presidenti Topi me siguri do t’u jetë referuar notave të forta të shkodranishtes në ligjërimin publik të Kryetares së Parlamentit; por jo vetëm. Shkodranishtja në gojën e Kryetares Topalli ka të bëjë, gjithnjë sipas Presidentit Topi, me mënyrën e komunikimit të saj, e cila është aq informale, ose “lokale” sa edhe veshja gjuhësore.
Më duhet të pranoj se nuk e ndjek nga afër veprimtarinë publike të Kryetares Topalli, por në ato pak raste që e kam parë të flasë, p.sh. në intervista, kam vënë re se ajo e zotëron pak a shumë standardin dhe mund ta përdorë, nëse dëshiron.
Prandaj, zgjedhja e saj për të devijuar prej këtij standardi është e vetëdijshme, dhe jo pasojë e një edukimi të mangët; ose, më keq akoma, e paaftësisë fizike dhe mendore të saj për të folur në një ligjërim të ndryshëm nga ai i qytetit ku ka lindur.
Nëse Kryetarja Topalli zgjedh të flasë shkodranishten në një institucion publik qendror, si Parlamenti, atëherë ajo është duke kryer, me dashje, një akt subversiv ndaj integritetit të institucionit.
Në Shqipëri ka shumë qytetarë të pakënaqur me standardin gjuhësor; madje ka edhe nga ata që besojnë se ai standard duhet ndryshuar. Ndoshta Topalli bën pjesë në këtë grupin e dytë, edhe pse unë nuk kam dëgjuar gjëkundi që ajo të shprehet publikisht për këtë çështje – edhe pse lajmet për standardin dhe shqipen publike i ndjek shumë në nga afër sesa ato për veprimtarinë rutinë të Parlamentit.
Megjithatë, standardi është ai që është, dhe nëse disa qytetarë të republikës kanë vështirësi me të, shumë qytetarë të tjerë e konsiderojnë përdorimin e atij standardi si kusht të komunikimit publik në një mjedis të ndryshëm nga ai lokal, katundar, pastoral dhe provincial – ose në mjedisin ku jemi të gjithë qytetarë të Republikës.
Të besosh se standardi duhet ndërruar është një gjë; të flasësh me vetëdije në të folmen tënde lokale, atje ku prej teje kërkohet të flitet qytetarisht, jo lokalisht, kjo është diçka tjetër.
Kryetarja Topalli e mbrojti shqipen e vet lokale duke përmendur një numër autorësh të shquar në të kaluarën, të cilët kanë përdorur shkodranishten letrare në veprat e tyre.
Natyrisht, edhe Fishta, edhe Migjeni edhe Gurakuqi kanë shkruar në një shqipe të mbështetur në të folmen e qytetit të Shkodrës – edhe pse të përpunuar dhe të ngritur në nivelin e një varianti letrar.
Përkundrazi, shkodranishtja që përdorin në publik Kryetarja Topalli dhe të tjerë shkodranë të paepur është thjesht e folmja bisedore e një qyteti të madh të provincës shqiptare.
Kushe zotëron shqipen, pavarësisht nga krahina, katundi a qyteza prej nga e ka prejardhjen, është në gjendje të lëvizë lirisht midis regjistrave: shqipes standarde, të folmes bisedore, të folmes së ngushtë lokale. Madje kjo aftësi për t’u zhvendosur, pa mundim, nga një regjistër në tjetrin, është shenjë e njeriut të kulturuar, që nuk e lë veten në duart e gjuhës së vet amtare, por që e shalon këtë gjuhë si të ishte kalë, për të kalëruar me të në viset e komunikimit.
Meqë Kryetarja Topalli jo vetëm flet lokalisht në një mjedis institucional qendror, por edhe e bën këtë me bindje, atëherë nuk mund të mos krijohet përshtypja se ajo kërkon ta theksojë prejardhjen e saj gjeografike dhe kulturore, duke i kumtuar publikut të vet, sa herë që e përdor shkodranishten, se Parlamenti i Republikës Shqiptare ka për kryetare e cila i referohet, në identitetin e vet, jo Republikës, por Shkodrës dhe Gjergj Fishtës.
Dhe ky është akt politik i kulluar. Për arsye të njohura, shumë shqiptarë, sidomos nga veriu i Shqipërisë, po ndeshin në vështirësi me standardin; kryesisht ngaqë mësimi i shqipes në shkollë, këto njëzet vjetët e fundit, ka lënë shumë për të dëshiruar. Vështirësi të ngjashme, madje edhe më të mëdha, po ndeshin sot edhe shqiptarët në Kosovë. Shto këtu edhe zbritjen e një numri të madh shqiptarësh të veriut drejt qyteteve të Shqipërisë së Mesme, për të plotësuar tablonë e një mase të madhe njerëzish, të cilët nuk e përdorin dot standardin ashtu siç do të dëshironin, dhe e perceptojnë këtë mangësi si një barrierë midis tyre dhe institucioneve qendrore të shtetit, ose mass mediave me shtrirje kombëtare.
Handicap-i gjuhësor vërtet mund t’i shndërrojë këto subjekte në qytetarë të dorës së dytë; por ky handicap nuk mund të shërohet duke e degraduar standardin dhe duke e akuzuar dhe damkosur si armë të “toskëve” për të mbajtur zap “gegët”; por, përkundrazi, duke përmirësuar në mënyrë drastike dhe kapilare arsimin shqip në zonat veriore të vendit dhe në Kosovë.
Kryetarja Topalli pa dyshim nuk bën pjesë në këtë kategori njerëzish; ajo është e mirëshkolluar, intelektualisht e rafinuar dhe e zotëron mirë shqipen, në të gjithë regjistrat, duke përfshirë edhe shqipen standard. Subversioni i saj institucional ndaj shqipes standard dhe rregullave të ligjërimit publik objektivisht synon, përkundrazi, ta shndërrojë atë, dhe forcën politike që ajo përfaqëson, në përfaqësuese dhe flamurtare masës së shqiptarëve gjuhësisht të lënduar.
Presidenti Topi ka të drejtë t’i kujtojë Kryetares Topalli se ajo, në cilësinë e saj zyrtare, është e detyruar të shfaqet dhe të sillet si qytetare e Republikës Shqiptare, jo si e dërguar e një realiteti folklorik dhe lokal. Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi, të dy burra të shquar pa të cilët Shqipëria moderne nuk do të ishte krijuar dot, e përdornin shkodranishten e tyre në rrethana sociale dhe politike krejt të tjera; përndryshe, edhe njëri edhe tjetri kanë luftuar për njësimin e shqipes dhe që të dy kanë marrë pjesë në Komisinë Letrare të Shkodrës, të vitit 1916, e cila vendosi, ndër të tjera, krijimin e shqipes standarde mbi bazën e dialektit të Elbasanit – çka vërteton, nëse do të ishte nevoja, që edhe Fishta, edhe Gurakuqi, ishin gati të përqafonin, në emër të unitetit kombëtar, një shqipe zyrtare të mbështetur mbi dialektin e një qyteti shqiptar të ndryshëm nga Shkodra.
Presidenti Topi, ai vetë me prejardhje nga një qytet gegë si Tirana, ka shumë të drejtë t’i kujtojë, Kryetares Topalli, se posti i saj në krye të një institucioni kombëtar si Parlamenti vjen me disa detyrime kulturore elementare, mes të cilave edhe ai për të përdorur shqipen standard gjatë punimeve të Parlamentit dhe në kontekste të tjera publike, sa herë që Kryetarja Topalli shfaqet në cilësinë e saj si person zyrtar. Vëmendja e tij ndaj institucioneve të Republikës, aq e domosdoshme në këtë periudhë të turbullt për shtetin dhe demokracinë në Shqipëri, është provë e gjallë e një qytetarie për të cilën të gjithë kemi nevojë. 

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)