Roli i kritikës në muzikë


Kritika ne MuzikeKritika ne Muzike
Si dhe pse duhet ta ushqejmë kritiken muzikore. Gjithëmonë koncertet janë dhe do të jenë objekt i kritikës muzikore. Çdo kritikë nuk është një informacion sepse ndryshe do të thiresh informacion dhe jo kritikë. Çdo kritikë është një konkluzion i qëndrimit, pikëpamjes, mendimit dhe i impresionit të personit i cili në këtë rast është në rolin e kritikut. Kritikët punojnë në mënyra e rrugë të ndryshme të cilat mundë të pëlqejnë ose jo. Qëllimi kryesor është që kritika të informojë lexuesin lidhur me muziken dhe artin muzikor në përgjithësi.










Si dhe pse duhet ta ushqejmë kritiken muzikore. Gjithëmonë koncertet janë dhe do të jenë objekt i kritikës muzikore. Çdo kritikë nuk është një informacion sepse ndryshe do të thiresh informacion dhe jo kritikë. Çdo kritikë është një konkluzion i qëndrimit, pikëpamjes, mendimit dhe i impresionit të personit i cili në këtë rast është në rolin e kritikut. Kritikët punojnë në mënyra e rrugë të ndryshme të cilat mundë të pëlqejnë ose jo. Qëllimi kryesor është që kritika të informojë lexuesin lidhur me muziken dhe artin muzikor në përgjithësi. Nganjëherë ndodhë që kritikët duan të vënë re në ndonjë performancë koncerti instrumental apo simfonik por edhe operistik, ndonjë notë mangut, apo rrëshqitje të memories gjatë interpretimit për të na treguar se e njohin pjesën që po luhet shumë më mirë nga audienca profesionale dhe në këto raste japin konkluzione a raporte pa vend, të pa përshtatshme dhe jashtë temës kryesore. Mendoj se kritika ka një vend të gjerë në artin muzikor. Më e mira prej të gjithave është kur kritika është e mirinformuar sepse në këtë rast ajo do të shkruaj drejtë për çdo gjë, deri në detale e në mënyrë konstruktive duke e vënë pikem mbi "i". Atje ku kritika është e pa aftë të gjykojë për një koncert, për solistin, orkestrën apo dirigjentin dhe veprën, kjo ndodh ngaqë kritiku apo kritikja nuk i njohin mirë arsyet dhe shkaqet dhe se ata nuk janë në gjendje të hyjnë brenda psikologjisë dhe emocioneve të interpretuesve. Në raste të tilla kritikët mundohen të japin shpjegime e raporte por jo detalet kryesore që kanë të bëjnë me rezultatin përfundimtar.
Unë vetë jam kritik dhe nuk nisem nga pamja e jashtme e një koncerti apo simfonie, apo opere, jo, në asnjë mënyrë. Kur u bë performanca e violinë koncertit të Paganinit në Re maxhor No.1 në Tiranë nuk vura re asnjë lloj kritike në shtyp për një interpretim virtuoz të violinistit Shqiptar Tedi Papavrami. Ai interpretoi me mjeshtri një koncert virtuoz të Paganinit. Pse kritika e Tiranës nuk tha asgjë të veçantë për Papavramin, për orkestrën dirigjentin dhe koncertin No. 1, asgjë rreth integritetit të tij si muzikant. Se, që të analizosh në një mënyrë kritike atë performancë është e domosdoshme pa tjetër të njohësh Paganinin, 24 kapriçot e tija, repertorin e tij dhe veçoritë e koncert-virtuozit tonë modern. Violinisti ynë me një "infant prodigy" tregoi vlerat e tija artistike si një virtuoz i vërtetë i violinës. Po ashtu edhe Orkestra Simfonike nën drejtimin e Maestro Ermir Krantja ishte në nivelin e kërkuar dhe në balancë me instrumentistin, në një performancë virtuoze. Ndërsa, nuk më kujtohet se në cilën gazetë një kritike, në vend që të bënte një vlerësim real performancës po fliste për mangësitë e sistemit të ngrohjes në sallën e koncertit, pra jashtë temës qendrore , dhe jashtë çdo koncepti e niveli profesional. Kompozitorët i kanë filluar shpesh violinë koncertet në tonalitetin "Re" sepse ky lloj tonaliteti i hapë mundësi të mëdha instrumentistit i cili ka midis tjerash edhe një tel "Re".
Por disa kompozitorë kanë shkruar koncertet edhe në tonalitetet e tjera e që shpesh i korespondojnë telave të tjerë të violinës si Sol*, La* dhe Mi* e që i gjejmë në violinë koncertin e Max Bruch (në Sol), të Mozartit (në Sol, No.3 dhe në La maxhor No.5) të Mendelssohnit (në Mi minor) etj. Kjo duhet të jetë njohja e parë e kritikës, pra tonalitetet, pastaj tri seksionet ekspozicioni, zhvillimi dhe rekapitulacioni (repriza) krahas gjithë elementëve muzikorë të virtuozitetit dhe mjeshtrisë. Çdo orkestrant i një orkestre simfonike është pa tjetër me shkollë të lartë muzike ose konservator e megjithatë edhe orkestra dhe dirigjenti janë objekt i kritikës muzikore por jo të asaj kritike në kuptimin e mirëfilltë por i kritikës e cila është në gjendje ti bëjë një vlerësim shkencor muzikor një koncerti a performance. Muzika është i vetmi art i gjallë dhe ajo flet me gjuhen e vet. Eshtë dirigjenti ai nga i cili varet çdo gjë në orkestër, se ai është përgjegjës për tempon, për balancën instrumentale, nivelin e volumit, koloritetin orkestral, theksin dramatik dhe klimakset. Bile muzikantët nuk janë absolutisht të pa gabueshëm në sensin e tempos prandaj edhe në këtë rast është dirigjenti ai që duhet të unifikojë tempon e orkestrës. Herbert von Karajan ishte një dirigjent gjeni jo vetëm në simfonitë dhe koncertet por veçanrisht i njihte më mirë se kushdo tjetër operat e Verdit, Puccinit, Ëagnerit, Donizettit, Bellinit dhe ishte njohës i mrekullueshëm i skenës. Ai kish një komandë absolute mbi orkestrën megjithëse orkestrantët e tij ishin të gjithë virtuozë. Roli i tij si dirigjent duket në Simfonitë e Beethovenit veçanërisht në Simfoninë No.5 dhe No.9 Korale* si dhe në Simfoninë No. 6 Pathetique* të Çajkovskit. Në të njëjtën rrugë është edhe dirigjenti Riccardo Muti i cili po dirigjon me sukses në Njujork dhe Chicago.
Pra. fusha për të ushtruar kritikën muzikore është aq e gjerë sa edhe e vështirë dhe e kualifikuar sepse ka të bëjë me fokusimin e gjithë forcës në gjykimin me cilësi të interpretimit dhe performancës ndryshe nga analiza e cila merret me studimin e lidhjeve në mes të strukturës muzikore, performancës dhe kulturës. Edhe publiku në sallë gjithashtu ndodhet para kritikës muzikore. Ai duhet ta njoh koncertin, interpretimin e artistit, qoftë ky instrumentist apo dirigjent apo orkestër dhe patjetër punimin muzikor dhe kompozitorin në mënyrë që ta absorbojë performancën. Vetëm dua të jap një shembull të freskët për një performancë në DeVos Hall të qytetit Grand Rapids Michigan në të cilën asistova. Një orë para se të fillojë performanca e "Requiem" e Verdit, dirigjenti Sir David Lockington në një auditorium të madh doli para audiencës për ta njohur atë me gjithë pjesët e Requiemit. Kishte thirrur këngëtarët e kuartetit dhe filloi në piano ti shoqërojë në pjesët Offertorio*, Agnus Dei*, Lux Aeterna* dhe Libera Me*, shkurtimisht dhe krahas kësaj i bëri shpjegimet lidhur me jetën e Verdit, punën dhe veprën e tij dhe veçanërisht për Requiemin që do të shfaqesh pas 30 min, çdo gjë e ilustruar edhe me pamjet filmore që nga shfaqja e parë në San Marco të Milanos e deri në atë të La Scalas. Këtë dirigjenti e bëri për audiencën që ajo ta absorbojë plotësisht performancën. Dhe kjo bëhet vetëm në Amerikë, një shembull dhe praktikë që duhet të ndiqet edhe në vendin tonë ku nivelet e edukimit muzikor brenda audiencave janë të ndryshme. Kritika amerikane ka se çfarë të shkruajë për një performancë të tillë, fjalët më të mira, për një interpretim madhështor të një doppio kori të fuqishëm për një kuartet brilant, për një orkestër të një dimensioni të madh si dhe për një dirigjent të madh. Kjo orkestër simfonike performoi deri sot edhe Simfoninë No. 80 në Re minor të Haydnit Simfoninë No. 5 të Beethovenit , Skerco nga Simfonia No. 9, violinë koncertin e Beethovenit dhe piano koncertin No. 20 të Mozartit, Simfonia No. 3 "Eroica", Simfonia No. 8 Dvorzhak, violinë koncerti i Mozartit No. 3 , piano koncerti No. 1 i Çajkovskit etj.
Nga veprat e klasikëve , pra siç shihet deri tani kur sezoni është në vazhdimin e tij , ka një ngarkesë të madhe me një program shumë të ngjeshur performancash. Një rendësi të veçantë ka edhe media shqiptare e cila duhet të shkruaj më tepër për performancat, interpretuesit, e bazuar mbi kritiken muzikore.Pianistja kroate Martina Filjak e përfundoi me sukses vitin 2009, me një triumf në një konkurs prestigjioz të pianistëve. Recitali u mbajt në Njujork në sallen e pallatit Zankel* që i ngjanë atij të famshmit Carnegie Hall. Kësaj pianiste i hapet një derë e re e sukseseve sidomos mbas kritikës që i bëri interpretimit të saj kritiku i Neë York Times, Antony Tommasini, një prej kryesorëve në këtë gazetë për muziken. Ajo interpretoi sonaten e Beethovenit "Hammerklavier" plot mjeshtri dhe koloritet. Sipas Tommasinit, Martina luajti plot kolor e gjallëri e me një kontroll absolut ndersa në fund ai tha: "Zonjusha Filjak është pianistja që duhet mbajtur para sysh" (Branimir Pofuk 22.12.09 ). E një konkluzion i tillë sigurisht është rezultat i njohjes jo vetëm të muzikës por edhe i një informimi të plotë për veprën e Beethovenit, stilin e tij të kompozimit dhe të "Hammerklavier" sonatës, një sonatë më se e bukur, e trajtuar nga forca e konfliktit dhe e tensionit. Beethoveni e konsideroi sonatën "Hammerklavier" një kompozim të madh që, op. 106, ka se çfarë ti japë pianistëve virtuozë që edhe sot luhet dhe dëgjohet me admirim. Prandaj Beethoveni deklaronte për këtë sonatë, "Është një nga kompozimet shumë të suksesshme".
Historia e muzikës në radhë të parë është histori e stilit muzikor dhe prandaj është e domosdoshme që të njihen disa terma muzikorë të rëndësishëm krahas harmonisë nëpërmjet leximit dhe dëgjimeve të shpeshta të muzikës klasike në radio, me anë të regjistrimeve dhe koncerteve direkte në skenë. Se, për të bërë një kritikë një performance koncerti apo opere është e domosdoshme të dallosh qartë se cila performancë është më e mira. Shumë mendime dhe opinione ka sot në tekstet muzikore bile edhe të vitit 2010 për realizimin më të mirë të Operas "Rigoletto" të Verdit, por mendoj se performancë më të shkëlqyeshme se ajo e Tullio Serafinit me starët* Maria Callas, Tito Gobbi nuk ka, apo "Tosca" e Puccinit me Maria Callas (para Renata Tebaldit), dhe me Tito Gobbin, ende nuk duket sot pas më shumë se 30 viteve. E njëjta gjë në performancat e piano koncerteve të Beethovenit dhe të Mozartit. I kam parë dhe ndëgjuar shumicen e pianistëve virtuozë por si interpretimet e Vladimir Ashkenazit, Evgeny Kissin dhe Yefim Bronfman për mendimin tim më brilantë se këta nuk ka. Ashkenazi është brilant në koncertet e Mozartit veçanërisht në piano koncertet No. 20, 21, 23 ,24 dhe 25 ndërsa Kissin dhe Bronfman në të pesë piano koncertet e Beethovenit ashtu si mundë të thuhet për interpretimin e 6 violinë koncerteve të Paganinit prej virtuozit Salvatore Accardo.
Po ashtu nuk mundë të le pa përmendur performancen brilante të dy legjendarëve, çelistit Rostropoviç dhe dirigjentit Herbert von Karajan me Orkestrën e Filarmonisë Berlin në interpretimin e "Variacione Rococo" të Çajkovskit. Kjo performancë ishte një "dhuratë" e madhe për gjithë ata që admirojnë muziken klasike, se nuk ka Sllava tjetër që mundë ta interpretojë më mirë këtë Rococo, por as një Çajkovsk tjetër që mundë ta kompozojë më këtë pjesë aq të bukur sa dhe virtuoze. Për gjithë këto arsye që rrjedhin nga gjithë këto argumente, kritika muzikore është një fushë e gjrrë, e ndërlikuar që kërkon profesionalizëm, saktësi, mirinformim, edukim artistik dhe përgjegjësi.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)