TRAGJEDIA QË MORI ENGJËLLUSHEN SHQIPTARE LEJLA SELACI




Nga Astrit Gashi 


Nga e gjithë bota dhe në të gjitha emisionet e lajmeve në tv dhe radio jepeshin orë pas ore raporte të ndryshme për sulmin me bombë në Oslo dhe aktin vrastar e të llahtarshëm kundër aktivistëve të rinjë majtistë në ishullin Utoya në Norvegji. Komentatorët e kanaleve botërore shpjegonin se humbjet në jetë do të vëreheshin në tërë Norvegjinë nga që kombi është i vogël dhe komunitetet janë mjaft të afërta njëra me tjetrën. Ndërsa biografia e terroristit filloi të analizohej për të gjetur ndonjë dromcë shpjegimi se si dhe pse ky gjakatar mori aq shumë jetë njerëzish, filluan dhe shqetësimet e familjareve për fëmijët që ndodheshin në këtë ishull në konventën e partisë së majtë norvegjeze.

Në mesin e familjeve që kërkonin më të dashurit e tyre ishte dhe familja e Bajrush Selacit, e cila kërkonte engjëllushen e tyre, Lejla Selacin. Të gjithë, kudo dhe pa dallim kombi, e kishin postuar flamurin norvegjez në faqet e tyre në rrjete sociale duke bashkëndjerë dhimbje me popullin norvegjez dhe viktimat që humbën jetën në qytetin e Oslos dhe në ishullin e parajsës ne Utoya që tashmë ishte shndërruar në ishull tmerri. Shqiptaret kudo që u ndodhën u lutën për jetën e Lejla Selacit, një kosovare-norvegjeze, e cila ishte udhëheqëse e rinisë popullore në komunitetin e vet në Fredrikstad dhe Ostfold. Në kampin e të rinjve në ishullin Utoya ndodhej edhe Egzon Belegu, i cili ka shpëtuar me lëndime të lehta. 
Për familjen Selaci, Norvegjia ishte një vend i shenjtë, një strehë e sigurt larg nga qyteti i Mitrovicës, të cilin e kishin lënë shumë vite më parë për arsye të represionit e dhunës sistematike te ushtrisë dhe policisë serbe që tentonin të zhduknin gjithçka shqiptare. Nga Mitrovica, familja Selaci erdhi ne Fredrikstad,qytet bregdetar në jug të Oslos. Duke mësuar nga prindërit për historinë dhe përjetimet e familjes, Lejla Selaci i dha një mision vetes duke u përfshi në politikë, e bindur se fjalët dhe jo armët janë mënyra më e mirë për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë.

Por kjo dëshire mbeti vetëm dëshirë e saj sepse pikërisht në vendin ku ajo ishte duke jetësuar këtë dëshirë, terroristi Anders Behring Breivik bëri masakrën më të madhe në historinë e Norvegjisë, duke vrarë 77 persona. Terroristi Anders Behring Breivik pak orë para se t’i kryente dy masakrat, botoi në internet një “Manifest”, program “revolucionar” që synon të jetë udhërrëfyes për luftimin me dhunë të myslimanëve dhe të ashtuquajturën kulturë marksiste. Se terroristi ishte kundër vendit të origjinës së Lejla Selacit, Kosovës e dëshmon dhe fakti se në "Manifestin" e tij në “Deklaratën e Pavarësisë së Evropës” ku përshkruan arsyet e sulmit, e përmend Kosovën më se 150 herë, e Shqipërinë mbi 200 herë, shumë më shpesh se Iranin apo Afganistanin. Dy kapituj ia ka dedikuar Kosovës. Konsideron se Beteja e Kosovës më 1389 është fillimi i okupimit të Evropës nga myslimanët. Shkruan me hidhërim për rrezikun që vjen nga shtimi demografik i shqiptarëve. Shpreh zhgënjim dhe dëshpërim me qeveritë e shteteve evropiane që njohën pavarësinë e Kosovës. Citon ish-Peshkopin Artemije dhe kundërshton historianin Noel Malcolm. 
Pikërisht kundër këtyre mendimeve ishte vasha engjëllore shqiptaro-norvegjeze, Lejla Selaci, (17 vjeçe), udhëheqëse e organizatës rinore (AUF) ne Fredrikstad dhe studente në Shkollën e Frederick II po në Fredrikstad.

Për ata që e kanë njohur Lejlën, ajo kishte një të ardhme të sigurt si udhëheqëse dhe para vetes kishte një synim të qartë. Ajo ishte krenare për AUF-in dhe kishte përkrahjen e të gjithë miqve më të mirë.Ajo kishte për qëllim të krijojë një rini të fortë në Fredrikstad. Ishte një vajzë shumë e lumtur dhe sociale që u angazhua fuqishëm në atë që ajo besonte, shprehet anëtari i bordit të Østfold , Inger Christin TORP. Se Lejla vërtet ishte e dashur për të gjithë dëshmon fakti se në ceremoninë mortore dhe të varrimit morën pjesë mijëra qytetarë nga e gjithë Norvegjia por pati dhe nga Kosova.

Flamurët e tre shteteve ishin mbi arkivolin e bardhë ku qëndronte trupi i pa jetë i Leja Selacit. Flamuri i Norvegjisë, Shqipërisë dhe Kosovës dhe një trëndafil i kuq që është simbol i rinisë së të majtës norvegjeze.

Qeveria norvegjeze kishte caktuar pikërisht ish-kryeministren e vendit, Gro Brundtland Harlem të përfaqësohej në ceremoninë e varrimit . "Papritur jeta e saj mori fund. Por vlerat që ajo donte ti jepte në jetë, solidaritetin në mes njerëzve, kemi nevojë për ta forcuar edhe më tej këto vlera qe Lejla donte ti jetësonte, tha Gro Harlem Brundtland gjatë ceremonisë mortore. Kujtime dhe pikëllim të thellë shfaqi dhe mikja e ngushte e Lejla Selacit, Sophie Tømmerås Lyshagen, e cila kujton se " i kishim premtuar njëra tjetrës që në ceremoninë e martesës të ishim dëshmitare të njëra tjetrës. Asnjëherë se kisha menduar se unë do të të flitsha në një funeral. Duke menduar për ty vrej vetëm momente te mira, kudo ku ishe ti ke sjellje vetëm të qeshura dhe lumturi dhe tani në keto momente qe flas për ty nga kjo foltore se kisha menduar kurrë një fat të këtillë, u shpreh mikja e ngushte e Lejla Selacit, Sophie Tømmerås Lyshagen.

Ndërsa kreu i të majtëve Ostfold Oye Signe në fjalën e tij përkujtimore tha: “Lejla ishte multi-kulturore dhe aktive në organizatën AUF. Ajo është një nga shumë viktimat e tragjedisë që ka ndodhur në Utøya, e pikëllimi është një dimension shtesë kur mendojmë se kjo rini ka punuar për të gjitha komunitetet që në vendin tonë të ndihen si në vendin e vet. Ai kujton se deri tani bordin e drejtoreve e udhëheqte Leja, por tani një karrige rri boshe boshe ndërsa vetëm disa muaj më vonë Lejla Selaci do të udhëtonte në Holandë për të marrë pjesë në Shkollën Verore AER për parlamentarët e rinj nga e gjithë Evropa.

Edhe ambasada e Republikës se Kosovës në Suedi kishte dërguar Arrita Gjakovën për të përfaqësuar qeverinë e Kosovës në ceremoninë e varrimit. Gjithasht, ministri i punëve të jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në emër të Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Selaci me vendbanim në Norvegji. 


“Që nga fillimi, kemi qenë pjesë e lutjeve, që Lejla të gjendet e gjallë. Por, shpresat tona dhe tuajat u shuan pikërisht sot. Në këto momente shumë të vështira, populli dhe qeveria e Kosovës është pjesë e dhembjes dhe pikëllimit tuaj”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të dërguar nga MPJ.


Babai i Lejla Selacit kujton mesazhin e fundit që kishte marrë nga e bija “Babë, deshtëm me u nisë po nuk po na lejon policia me hip në anije se paska ndodhë një sulm në Oslo”. Ishte ky mesazhi i fundit me telefon, që kishte pranuar Bajrush Selaci, të premten pasdite nga e bija Lejla (17)që ndodhej në ishullin Utoya të Norvegjisë. Para pak ditësh vetë Bajrushi e kishte dërguar të bijën e vetme, Lejlën, tek një shoqe e saj norvegjeze me të cilën dhe në shoqërim të së ëmës së saj do të shkonin në drejtim të Utoyas për të marrë pjesë në kampingun veror të Partisë së Punës. Por aq shumë është i shqetësuar nga zhdukja e së bijës sa ka harruar se cilën ditë e kishte përcjellë të bijën e tij duke mos e menduar se kjo do te ishte dhe takimi i fundit me bijën e tij.

Te gjitha mediat në Norvegji njoftuan për një pjesëmarrje te madhe ne një ceremoni te varrimit qe vendasit nuk e kishin parë ndonjëherë më parë. 

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)