NJË LIS NË PYLLIN POETIK SHQIPTAR




IZET  DURAKU
 
NJË LIS NË PYLLIN POETIK SHQIPTAR

(Shënime të redaktorit Izet Duraku për librin poetik “Lis i vetëm në fushë” të Rexhep Shahut )

Photo of Rexhep Shahu

Libri më i fundit poetik i Rexhep Shahut “Lis i vetëm në fushë”, që u botua këtë verë të 2011, ndër të tjera, shënon kristalizimin e plotë të pjekurisë artistike, të origjinalitetit dhe mëvetësisë krijuese të autorit, me të cilin unë jam mik i vjetër dhe kam ndarë së bashku me të, në ditë e orë të gjata bisedash, hallet tona të përbashkëta të jetës dhe kam patur luksin dhe fatin e mirë të flasim edhe për shqetësimet tona krijuese.
Në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80, në qytetin e Kukësit ishte krijuar një bërthamë e vogël krijuese, por mjaft aktive, ku krijuesit poetë, prozatorë, piktorë, muzikantë e dashamirës të artit, mblidheshin në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe pothuajse gjithnjë në kafenetë e qytetit të vogël dhe flisnin për letërsinë, për miqtë e letrave në qytetet e tjera, për letërsinë botërore që botohej, për pjesët letrare, kryesisht poezi të korifejve të huaj që ashtu të pabotuara kalonin dorë më dorë. Ndonëse në kushte të vështira, ne si krijues u përpoqëm të jemi në një rrjedhë me kohën dhe të krijonim fizionominë tonë poetike.  
Në këtë klimë të ngrohtë shoqërore u maturuan poezitë e para të autorit Rexhep Shahu, libri i parë i të cilit “Mali i Hënës” u botua megjithatë relativisht vonë, në vitin 1998, kur kishin rënë barrierat e kuptueshme të regjimit totalitar. Më duhet të them se te Rexhepi, asgjë nuk ka humbur prej kësaj vonese, sepse poezia e vërtetë i reziston kohës, ajo duket si e pakohë, mund të jetë shkruar para shumë vjetësh, siç mund të shkruhet edhe pas shumë vjetësh. Edhe në letërsinë tonë për fat të mirë, kemi poetë tradicionalë, madje të cilësuar të vjetër, që ngjajnë kaq të rinj.
“Mali i Hënës” u pasua në vitin 2000 nga libri “Bregu i brengës”. Pas tyre, në 11 vjet të vrullshëm, shpeshherë të turbullt, Rexhepi u muar më shumë me publicistikë “me një qiri të ndezur në dorë për me ndritun atë të vobektë dhe”, siç thoshte Bogdani i Sibilave, vendlindja e të cilit është krejt përballë Bardhocit, vendlindjes së poetit Rexhep Shahu. Ndërkohë më shumë se prej publicistikës, drita duket se lind nga poezia, sado e trishtuar, e mjegullt, e zymtë dhe ankthioze të vijë ajo. Rexhepi nuk iu nda për asnjë çast dashurisë së vjetër, dashurisë poetike, që lindi rrëzë malit të Pikëllimës, përballë malit të shenjtë të Pushtrikut, Sionit të Sibilave, buzë rrjedhës së Drinit të Bardhë.
 Ashtu si jeta, edhe poezia për të lindur ndjen nevojën e ujërave, të lumenjve dhe deteve. Prandaj, Durrësi, ku Rexhepi kreu shkollimin e mesëm, mund të quhet vendlindja e dytë poetike e tij.
Poezia e Rexhep Shahut, është lehtësisht e komunikueshme me të gjithë lexuesit, e hapur, e kthjellët, e vetëvetishme dhe rrjedh pa sforcim, duke përcjellë dhimbjen tronditëse për humbjet tona, trishtimin e hollë, tragjizmin dhe shpresën njëkohësisht, ku pjesa e vdekshme bashkëjeton me pjesën e pavdekshme të individit.
Në poezinë e Rexhepit ndjehet rrjedha e trazuar e kohës që i bën trysni shpirtit njerzor, për ta mpakur dhe rrudhur deri në asgjësimin e plotë të individit. Kërkohen të dystohen ëndrra, të rrafshohen vlera. Por ka një spirancë të mos mbytet anija e jetës. Kjo është, Dashuria, gjithnjë e pranishme në poezi si një ndjenjë e thellë që jetohet me intensitet, që është e prekshme, por edhe e përjetuar me dhimbjen e largimit dhe mungesës së saj therëse. Dashuria është prej uji, prej ajri, drite dhe ëndrre, por edhe krejt lëndësore, që ndjehet, preket e shijohet plotësisht. Si e tillë, mungesa e saj barazohet me mungesën e jetës deri në vdekje.
Poezi të tilla intime dikur quheshin poezi të vogla, vetjake. Fati i individit, i shqetësimeve dhe dashurive të tij kërkohej të merrej nëpër këmbë, por poezia më e mirë e viteve 80 ia doli t’i vinte në substancë të saj këto fate të vogla, këto shpirtra që shpëtuan nderin e krijuesve dhe jetën e poezisë. Poezia e Rexhepit ecën në këtë tragë dhe poezia e tij mbetet thellësisht personale, ku mund të pajtohesh me gjithçka, por jo me mungesën e dashurisë. 
“Dëshirë të frikësuar s’do të ketë më
Ajo është mosdashje, s’ka emër tjetër
Unë shkaku i saj s’do të jem askund
Ndoshta në rrënjët e një lisi të vjetër.
…………………………………………………
………………………………………………….
…Prej sysh më del
Si hyjni qielli, sirenë deti
Përpara meje e veshur me dritë
Ndërsa zhdukesh pa gjurmë
Nëpër tymin e shkrumbit tim
Unë mekem pa frymë
Lis i shituem prej zanash.
Me teknika që tingëllojnë të njohura e klasike, poezia e Rexhepit arrin të përftojë gjendje të vërteta emocionale. Vargjet që citova janë krejt të zakonshme në libër, nuk janë nga më të zgjedhurit. Për një trill mbase, unë si redaktor, poezitë që më kanë pëlqyer më shumë, me mirkuptimin e Rexhepit, i kam vënë në fillim të librit. Vargjet e para që ju lexova janë marrë në faqen 63 dhe të tjerat në faqen 86.
Por kjo poezi qenka e hapur për interpretime të ndryshme, për rivlerësime. Tani më jep një imazh tjetër, një domethënie më të thellë. Dhe kjo ngjet më shumë tek ajo pjesë ku mungon krejt nervi i retorikës. Ato janë të ftohta, madje të akullta në dukje. Neutrale. Bukuria e vargut i shpëton syrit të pavëmendshëm. Edhe kur ndjeshmëria e lexuesit arrin optimumin e përthithjes, zbulimi është i pamundur të arrihet menjeherë dhe plotësisht. Pamje të reja do të shfaqen më vonë si nënshtresa të pikturuara në kohë të ndryshme. Dhe kam thënë me vete si nuk i kam vënë re më parë.
Këto po i thoja një natë mikut tim, poetit Aqif Hysa, librin e të cilit, për kënaqësinë tonë do ta kemi shpejt ndër duar.  Një pjesë poezish që mund të përfshiheshin te “Bregu i brengës” i pata mënjanuar se nuk ma mbushën mendjen, por ndonëse i mbaja mend turbull, i përfshiva pas 11 vjetësh te ky libër, se mu dukën krejt ndryshe. Jam i bindur se gabojnë redaktorët. Sigurisht nuk gabon poeti, as poezia.
          Tonaliteti i poezisë së Rexhepit nuk vjen i rrafshët, por i shumllojshëm, i përthyer si relievi i vendlindjes. Një pjesë poezish vijnë të zhurmshme, madje të marrin përpara me spontanitetin e tyre, me të shkruajturën me një frymë. Ato u ngjajnë përrenjve malorë që zbresin me shkumë dhe gjëmime. Vrulli i tyre nuk mund të mbërthehet në pritat, ledhet, argjinaturën e metrikës e ritmikës. Përmbytja sjell fundosjen e rregullit strikt gjuhësor. Fuqia e poezisë vendos në sovranitet të plotë mënyrën e shprehjes…
Malet e lartë të mbuluara nga mjegulla e bora, ujëra të vrullshëm që sulen brinjave, dimra të rreptë, ortiqe të frikshëm, krijojnë pamjen e një vendi, ku natyrshëm mund të lindë epika. Dhe vërtetë në këto treva gjendet dhe djepi i epikës, por në Lumë, krahas epikës historike, krahas mrekullisë së rrëfimeve realiste, alegorike e plot zgjuarsi, ku elementet fantastike zbehen, gjallon e përtërihet një lirikë e fuqishme. Në raport me epikën, lirika në Lumë dhe jo vetëm atje, si gjini më e vjetër, moshatare me njeriun, prandaj dhe më themelore, më prekëse dhe më gjithëpërfshirëse, zë vendin kryesor.
Pranë vatrës së ndezur të netëve dimërore, si i vetmi burim drite në kullat të zymta, gruaja lumjane (gjyshe, nënë, motër) tirrte dhe këndonte nën hundë vajin e shpirtit të vet, dëshpërimin e thellë për humbjet e saj dhe humbjet historike të brezave, dhimbjet e shkuara dhe dhimbjet e ardhshme.
Prej këtij shpirti tragjiko - poetik lumjan duket se është gatuar e mbrujtur poezia e Rexhep Shahut, ku miq krijues të poetit kanë mundur të shohin pamje të ndryshme të kësaj lirike, ku ndërthuret tragjizmi vetjak me tragjizmin e përgjithshëm, ku vërehet dyzimi, tuajzimi dhe dashuria e përjetshme.
Këto ditë përkujtuam 100 vjetorin e Migjenit të madh, që i dha aq forcë, bukuri, nder, e dinjitet poezisë shqipe. Pas pak ditësh do të përkujtohen 40 poetë që nuk mblidhen dot me ne për të drekuar, por janë me ne gjithnjë me poezinë e tyre. Frederik Reshpja, Arshi Pipa, Zyhdi Morava, Bilal Xhaferi, Agim Spahiu…
 Dëgjojmë të thuhet se poezia është ne vështirësi, ka mbaruar koha e saj, duhet një poezi e re, të vijnë poetë të rinj. Ndërkohë që botohen qindra libra me vargje që nuk kanë lidhje, as me poezinë e vjetër të Bogdanit, as me poezine moderne… Nuk janë poezi.
Natyrisht ka një brez të rinjsh të afirmuar që nderojnë ekzistencën tone njerzore dhe letrare. Lisi i Rexhep Shahut vjen natyrshëm në pyllin poetik shqiptar.

Floripress

PËR LIBRIN LIS I VETËM NË FUSHË TË REXHEP SHAHUT

Këtë qershor, doli në qarkullim libri më i ri i poetit dhe gazetarit Rexhep Shahu, Lis i vetëm në fushë, vëllim me poezi, mjaft cilësor si nga përmbajtja ashtu edhe nga paraqitja e botimit. Ky është libri i gjashtë i këtij autori, 3 libra poetikë dhe 3 publicistikë.


Në 122 poezitë e këtij vëllimi poetik poeti Rexhep Shahu vazhdon të jetë në shtratin e krijimtarisë së tij poetike : poet i tragjizmit, i revoltës së fortë, i vëzhgimeve të thella.

Për ta përshkruar më mirë poezinë e këtij poeti e gazetari të angazhuar, vlen të lexojmë minibiografinë e tij letrare të botuar në kopertinën e librit Lis i vetem në fushë.

Biografia letrare e Rexhep Shahut :

Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 ne Lume. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimën në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.

Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të.

Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit dhe në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, ku dhe ende punon për një detyrë tjetër.

Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”,  revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe prej pesë vitesh edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë.

Rexhep Shahu vazhdon të magjepset pas poezisë. Vargjet e tij të hershme janë tretur shpateve te fëmijërisë si larat e dëborës. Vijat e fatit shpeshherë trazohen në përngjasim me relievin e përthyer të Bardhocit të Kukësit, fshatit të tij të lindjes, njërit prej fshatrave të Lumës, i ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër “Via Publica” që lidhte Dardaninë ilire me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që në shekullin e 13-të.

Veç librit “Lis i Vetëm në Fushë”,  ky autor ka botuar edhe pesë libra të tjerë, dy vëllime poetike dhe tre libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi , Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006.

Redaktori i librit, poeti dhe gazetari Izet Duraku, ka bërë këtë shënim :

“Një mal dhimbjesh të ndritshme, larë në argjendin e hënës, ku nuk shqiten mjegullat, s’reshtin shirat, e, rrallë, tepër rrallë, mbase në një skaj ëndrre, shfaqet dielli. Përse iu dashka kjo natë e natuar botës? A thua do të mbërrijmë në bregun e lakmuar ku së paku me veten të jemi vetvetja?
“Lis i Vetëm në Fushë” i Rexhep Shahut ndryn burime të kthjellta poetike, por rrjedhat e pakta, përmes botimesh të pakta, herë pas here bëjnë të mos e ndjesh mrekullinë e shijes që në hurbën e parë. Të thëna nën zë, mbase për të mos e provuar kurrë syrin e vrazhdë të dritës, në të ndihet si një pelin e pezm i tepruar. Pamjet apokaliptike, kundruar me një qetësi të admirueshme, mund të shihen vetëm përmes poezisë”.

Për poezinë e Rexhep Shahu, poeti, shkrimtari e studiuesi i mirënjohur Sadik Bejko është shprehur:

“Njeriu i dyzuar që vuan, që shpreh pikërisht hendekun midis vetes e vetvetes, që e bën njeriun – veten e tij, një tjetër dhe pastaj si në një operacion fillon dhe e copëzon më tej atë. Ka gjë më të dhimbshme, tragjike? Ato që duan të pikëllohen, tu them unë, lexoni Rexhepin? Ndoshta të tjerët pëlqejnë gjëra të tjera, më të bukura, tek ai, fjalën e mirë, të saktë, harmoninë e vargut, të figurës…

Por nëse vetmia është përsonale dhe tëhuajëzimi mbetet i huaj në një shoqëri të caktuar, ndonjëherë merr edhe përmasa kombëtare. Rexhep Shahu do të hedhë ura midis kufijve, ura midis vetmive, ura midis njerzve…”.

Nuk mungojnë edhe vlerësimet e poetit të njohur shqiptar Aqif Hysa që është në emigrim. Ai shprehet për librin e Rexhep Shahut si më poshtë :

Dashuria lind në një vend e në një moment e humbet në pafundësi… Por poezia jo. Ajo lind në një vend e në nje moment e jo vetëm që nuk vdes, por s’le të vdesin as vendin e as momentin që i nxori në dritë. Se vendi dhe momenti, por dhe poeti bashkë me ta, janë fiksuar në celuloidin e fjalës; tinguj e ngjyra, feshfëritje e pëshpëritje e mahitje e mahnitje, të filtruara nëpërmjet vetvetës. Kjo është përshtypja ime nga leximi i poezisë së Rexhep Shahut. Ka shumë rrugë e levizje në poezinë e tij, ka shumë ecje . Ecje me këmbë mbi të gjitha. Aq sa shpeshherë të ngjet se ecën këmbëzbathur, si për ta prekur më mirë tokën, si për ta prekur më mirë erën, si për të treguar se ecja e poetit drejt mbërritjes është kaq e përjetuar dhe e vertetë, aq sa ç’janë të vërteta dhe rrugët që ai ka përshkuar, përshkon e do të përshkojë… Gjithnjë drejtë majës së parabolës së tij poetike.

Mbresëlënëse është vlerësimi i poetit të mirënjohur të letrave shqipe Xhevahir Spahiu, për Rexhep Shahun dhe poezinë e tij:

“Rexhep Shahu është një poet i vertetë. Ka një ndjeshmëri, ku tragjizmi vetiak bashkohet me tragjizmin e përgjithshëm të shqiptarëve. Ai beson se njeriu mund ta jetojë jetën dhe lirinë e tij duke u mirëkuptuar me njerzit, malet dhe universin. Ai jeton nën hijen e Pikëllimës. Fati i këtij mali është edhe fati i tij. Të dy bashkë hedhin sytë në largësi për të gjetur një shteg drite”.

Ndërsa më gjërë për këtë poet dhe poezinë e tij është shprehur shkrimtari i njohur Faruk Myrtaj i cili e gjen të veçantë në shumë aspekte poezinë e Rexhep Shahut:

“Në të gjitha kohët, fati i autorit dhe fati i poezisë së tij, janë gjëra të ndryshme në jetë. Migjeni, ndër të fundit (!), e ka shpallur mrekullueshëm, madje ca vulgarisht : Sokrat i vuajtun, a derr i kënaqun…?! Është tjetër se në këtë truallin tonë, që jemi marrë vesh ta quajmë edhe për ca kohë, së paku, Shqipëri, na është bërë e mundur të vuajmë si Sokratër e të shtiremi si derra.

Rexhep Shahu, kuptuar sipas poezisë së botuar prej tij, duket se mbase nuk e lexon pjesën “moderne” të poezisë së sotme shqipe, së paku nuk joshet e as mashtrohet prej lulkave pa aromë të vërtetë të saj.

Ai e vendos veten aty ku është : qoftë edhe i kërcënuar.

Të jesh, është e domosdoshme të shpallesh siç je. Si njeri është mbase më vështirë se si krijues. Si krijues, si poet, është mallkim i detyruar. Mund të shtiresh gjatë si i ri, si gjoja i dashuruar, si gjoja i lumtur, si gjoja qytetar duartrokitës, si mëmëdhetar i paatdhe… Por si poet nuk mund të mbyllësh sytë…

Autori e ka fituar betejën me të shkuarën e shkuar. Malet e Hënës dihet që janë. Janë, kanë qenë prej kohësh. U desh dikush të shkonte, t’i prekte, t’i shfaqte për të tjerët…!”.

TIRANA OBSERVER

Te “Lisi” i Rexhep Shahut


Miho Gjini
Lisi, si pemë shekullore, përmes fëshfërimave të veta, duket sikur përcjell jehonën e viteve që shkuan, bëhet rrëfyes i bëmave e ngjarjeve të së kaluarës dhe duket sikur flet me zogj e me njerëz… Ndaj edhe poeti Rexhep Shahu e zgjedh atë si figurë-motiv që shpërfaq meditimet e imazhet e jetës së vet, po edhe ëndrrat që ka e që i vërtiten në kokë e në shpirt.

Libri i tij i ri “Lis i vetëm në fushë”, krijon freski e hapësirë për lexuesin, duke dalë nga vetja e duke u zhytur rishtazi brenda vetes. Natyra bën kështu ciklin e vet (tokë, qiell, tokë) dhe aty pleksen që të gjitha: dashuritë, ëndrrat, tradhtitë, rënia e rrufeve, shkrumbëzimi, vdekja, hiri e varri… Dhe ringjallja… Poeti do që ti prekë që të gjitha, ti shfaqë e ti shprehë me gjuhën e tij të thjeshtë, fare të qetë, por mikluese e të figurshme, hera-herës ngazëlluese Ndonëse i dyzuar si njeri ai e ndjen vetminë e tij tragjikisht. Ndjejmë aty “peshën“ e një dhimbjeje të përhershme që e mundon poetin, po edhe freskinë nën gjethet e një lisi të moçëm, e një lisi të vetmuar, në degët e të cilit “varen ëndrra”…

Të dy motivet vërtiten aty: ai i lisit të vetmuar që qëndron si i brengosur në mesin e fushës dhe i ëndrrave të poetit që rrinë “varur nëpër degë“ si të ishin njerëz…. E, midis tyre, shpirti i poetit, po kaq i vetmuar e i dërmuar nga jeta, që diku-diku e sheh veten të “përcëlluar nga rrufetë“ afër trungut, jo pak herë si një “gur i brejtur“ nga erërat e rrebeshet e motit. Dhe e sheh veten të “varrosur së gjalli“, poshtë “zemërimeve qiellore“. Mirëpo poeti është poet, është edhe zog edhe njeri, që e do lisin, për tu bërë hije njerëzve. Ndaj ka keqardhje kur rrufeja bie mbi të dhe e djeg, e shkrumbëzon gjer në atë shkallë, sa të mos mbijë në trungun e vet asnjë filizë e të mos këndojë asnjë zog nëpër degë. Kësisoj, poeti, është e mbetet njeri “që ha përditë fatin e vetes“ së vet dhe përsëri ngrihet mbi “hirin e vetvetes, për tu bërë rishtazi i gjallë“. Edhe pse e rrëmben pesimizmi (“Në ëndërrat e mia –kam vdekë e -jam varrosur qindra herë“, duke shkuar me veten për dore-drejt asgjësë“, nën hijen e këtij lisi, ai do të gjejë edhe cicërima zogjsh gjithfarësh, si edhe do të ndjejë zërin e së dashurës e do të thërrasë: “mi sill zogjtë e zemrës, -të mos vdes”. Se, lisi i tij, ‘ende dëgjon gjithçka – nga bëmat e botës“, -sidoqë është i vetmuar, “gjysmë i plakur e gjysmë i kalbur“! Do të mbijë kështu një lis i ri, filizë jete, në rrjedhën e përroit të fshatit malor a në mesin e lëndinës së blerte, kundër “natyrës tip”, “ditës tip”, “njeriut tip”, poshtë “qiellit idiot“ dhe përbrenda “kornizave ku na kanë vënë”. “Kemi të bëjmë pra, me një poet, që del nga vetja për të qenë jashtë “kornizave të vetvetes“, jashtë tipave të zakonshëm që i “kacavirren jetës“ si ai kërmilli quravec trungut të një lisi të shëndetshëm. ( Oh, sa është e mbushur kjo djallo jetë me të tilla kreatura të neveritshme!). Dhe, të gjorit poet, për të mos e “shtyrë jetën “me pahir, i duhet që “ta pijë detin me fund“. Sikundër i bëri llogaritë Ksanti për ti dredhuar Ezopit. Prandaj ai do të dalë edhe kundra rrufeve që bien mbi lis, duke ia ndërruar kahjen goditjes (“Rrufetë i kam ndezë zjarre- Me ngrohë veten“).

Në këtë libër të Rexhep Shahut, i cili e kaloi fëmijërinë e tij midis brigjeve të lumenjve Drini i Zi e Drini i Bardhë, i kredhur i tëri në gjelbërimin e flladitjen e përjetshme të bregoreve të atjeshme, ka këtu po atë drite e gjallëri, paçka se nganjëherë e rrëmben trishtimi i: “ujerave të jetës”. Ai është një poet i imazheve të qarta, që zgjojnë asocacione të gjera dhe hapin “ shtigje “ ne horizontin poetik. Poezia e tij është e thjeshtë, konkrete dhe e prekshme. Emocionale dhe meditative njëherësh. Poet që e besojmë dhe e ndjejmë. Bile na duket sikur e “dëgjojmë“ të zëshëm, tek i thotë poezitë e veta atje, nën degët e lisit, kur “ia kërcet“ kënga e gjinkallave në çerrin e vapës. Dhe, tek e dëgjon, do që të marrësh me vete katër vargje poetike, si këto:
Të jetë si të jetë,
Dhe më mbulo me të
Kur të vish….”

Bukur! Kështu po. Mund të shkruash e të botosh libra me poezi. Jo vargëzime pa fund, si ato qe hidhen “lum“ e pa përgjegjësi në internet e pastaj “rëndojnë” raftet e librarive, gjersa ti mbulojë pluhuri e harresa.


Floripress


Gëzim AJGERAJ 

MISIONI I VARGUT SI VIZION PËR TË ARDHMEN, PËRKUSHTIM POETIK I REXHEP SHAHUT


Rexhep Shahu, ”LIS I VETËM NË FUSHË“, poezi, botoi “ALBDESING“, Tiranë, 2011, faqe 144. ISBN 978-99927-685-5-6
Poezia e Rexhep Shahut, këtu e dymbëdhjetë vite më herët, edhe në përmbledhjen “Mali i Hënës“, më ka tërhequr për filozofinë metaforike, që mbështjell vargun e tij, duke e bërë një varg shumë hermetik por aq edhe të ëmbël në lexim. Për mua, poezia e tij, është shumë meritore në avancimin e poezisë së sotme shqipe, me plot forma estetike që qojnë në përsosmërinë e formave të ndërtimit të poezisë.
Vlerësimin tim për librin “Lis i vetëm në fushë“, do ta nis me poezinë e parë, që na vjen si një prolog i të gjitha zhvillimeve kohore, me të cilat ballafaqohet poeti, e që shpeshherë shpirti i tij shpërthyes nuk pajtohet me to.
Poezia e Rexhep Shahut sikur bartë me vete ndrydhje të brendshme deri në shpërthim, që në fakt herë herë bartë emocionet e poetit, i cili për nga aspekti filozofik në varg, na bën të kuptojmë se ai i ndjek edhe zhvillimet në kohë, për ti metaforizuar ato brenda vargut, bashkë me përcaktimin e drejtë karshi zhvillimeve, për çfarë na jep të kuptojmë se poeti dhe vargu i tij, bëhen shkëndijë drite në zhvillimet e kohës.
Si kuaj të zi nisur për luftë
Turfullojnë e rendin radhë e pa radhë
Kalorësit u kanë mbetë s’dihet se ku
Jelet u janë zbardhë.
SI KUAJ TË ZI TË NISUR PËR LUFTË, (faqe 7)
Pra, me një fjalë ai e portretizon harbimin e trazimeve në kohë, deri në përfundimin e këtyre trazimeve që shpeshherë na dëmtojnë si popull se sa sjellin diç të mirë, dhe pikërisht këtu poeti përmes vargut, bëhet shkëndijë drite, për lexuesin, që me misionin poetik në varg, hap portat e dritës, se nga duhet të ecet.
Bregun synojnë dallgët e çmendura
Si në çdo luftë ku s’fitohet gjë
Përplasen në shkëmbinj e zalle
Shuhen e treten pa zë.
SI KUAJ TË ZI TË NISUR PËR LUFTË, (faqe 7)
Ai vazhdon më tej duke mos u ndalur, dhe qëndron karshi furtunës deri në veshjen e plotë të kësaj maskote. Ai e vesh kohën, zhvillimet deri në ekstrem, dhe kjo është dëshmia më e mirë se Rexhep Shahu, është shumë i vendosur në misionin e poetit vizionar dhe taban të gjerë në shërbim të interesit të përgjithshëm kombëtar.
Me veten e kanë dhe e bëjnë stuhinë
Si njerëzit që fundin harrojnë
Dhe rendin ta shalojnë lavdinë
E në fund në zalle shterrojnë.
SI KUAJ TË ZI TË NISUR PËR LUFTË, (faqe 7)
Për të mos u ndalur vetëm tek e sotmja, e cila sa do drejt e besueshmërisht të jetë pasqyruar, me zhvillimet dhe ecjen nëpër kohë mund të shihet ndryshe, brenda koncepteve tematike të poezive, ai na shfaqet edhe me tema të tjera metaforike, të cilat pasqyrojnë sentenca të tjera të jetës nga perceptimi poetik dhe pikërisht, këtu qëndron filozofia e poetit, duke i dhënë laryshi tonesh librit, për ta bërë tërheqës dhe të qëndrueshëm në çdo kohë vargun e tij, edhe në të ardhmen e largët. Dhe poeti vazhdimisht arrin të përsosë ndjeshmërinë e formave të ndryshme letrare, që sjellin laryshi artistike në stilet dhe strukturat e ndërtimit të vargut.
Nëse më do, mos më fto të vdes
Më ler të ngjitem në parvaz të dritares
Të shoh hënën…
(NËSE MË DO)… (faqe 24)
Jo rastësisht, kapëm një lirikë të poetit, për ta argumentuar atë që e thamë rreth laryshisë së poezive në këtë libër, dhe mesazheve të shumta që mbërthejnë ato brenda vargjeve. Dhe lirika brenda këtij libri, e cila nuk është e paktë, sikur të çlodh nga përditshmëria e cila është e stërngarkuar me zhvillime që herë herë e rëndojnë njeriun tonë, për mes këtij lloji të poezisë, poeti ia arrinë ta çlodhë lexuesin, që sa do pak ta ëmbëltojë për mes vargut, në shpirtin e tij.
Ti je mbyllë ne kullën e heshtjes,
Për mua mendon orë e çast
Unë i kam hypë kalit të ëndrrës
Prej vetes më ikë larg.
Aty ku troshiten nata me ditën
Në mbrëmje, të pres përnatë,
Mbërthyer në heshtje varri
Flas me yjet e hënën e ngratë
TI JE MBYLLUR (faqe 128)
Poezia e Rexhep Shahut, është sikur një pasqyrë, e zhvillimeve të kohës dhe ecjes së poetit nëpër të, e që natyrisht është e mbështjellë me metaforën letrare, që librin e bën të këndshëm për lexim. Krahas kronikave të përditshmërisë, për mes vargut, ai hedh dritë në të ardhmen. Vargu i tij, sikur të deh gjatë leximit, për të mos u ndalur deri në fund të librit. Dhe kjo çlodhje, që e ndjen gjatë leximit, sikur të mbushë plot motive shprese për ta shijuar të bukurën që e ofron jeta.
Të rend çdo çast drejt teje nëpër shi me çadër në dorë,
E të mos kujtohem ta hap çadrën nga nxitimi,
Hutimi a frika se mos vonohem;
Të emërtoj gjithë sendet e njerëzit e botës me emrin tënd;
Të ndaloj urbanin, të zbres dhe të ec në këmbë
Se më duket se urbani ecën më ngadalë se unë;
TË REND, (faqe 81)
Bota e brendshme e poetit, shpeshherë është shpërthyese, në raport me kohën. Ai vazhdimisht është në kërkim të së bukurës, të drejtës, të lirisë, që herë herë në varg tingëllon edhe ndryshe.

E kam marrë përdore veten
Dhe plasa ta tërheq për tek një qiell tjetër
Ku s`të thonë “trus”…
Pronarët e qiellit janë harbutë
Të jesh i gjatë do prerë diçka nga vetja
Të bëhesh i shkurtë.
Këtu si të tjerët duhet të jesh
As të dish më shumë as të kesh,
Ndaj e kam marrë për dore veten
Zvarrë po e tërheq…
NJË QIELL TJETËR, (faqe 65)
Rexhep Shahu, për mes këtyre vargjeve, nuk i bindet realitetit të të sotmes, e cila herë herë sikur nuk është në binarët e normales. Ky realitet, për fat të keq, po e përcjell vazhdimisht shoqërinë tonë njerëzore, në veçanti në Ballkanin e trazuar, e cili nëpër tranzicionin e tejzgjatur, herë herë po del nga realiteti i rregullave të normales. Dhe ky realitet, tek poeti, perceptohet nëpër vijat e holla të vargut, deri në ekstrem, të kërkimit të “Një qielli tjetër”. Ndaj, vargjet e tij, bartin mesazhe të qarta, duke i dhënë grusht të fortë ligësive të kohës, mesazhe këto të cilat veç sa e forcojnë misionin e të qenit poet.
Ku janë heronjtë, ku janë,
Ku rrinë, ku struken, ku pinë…
Kohë heronjsh nuk ka,
Nuk ka stinë të tyre, as mot të tyre,
As shekull, as ditë, as orë, as çast heronjsh nuk ka.
Ata s`ishin kur na u deshën në luftra,
Në tragjeditë tona jo e jo,
Pse t`i shpikim vallë?
Heronjë nuk ka kund motra ime,
Viktima po, të mundur po,
Të mundur që urrehen e vazhdojnë të munden nga të gjithë,
Të mundur që s`munden t`ia kafshojnë xhelatit
As gishtin kur ua fut në gojë.
Të mundurit e përdhunuar gjithmonë kanë faj,
E kurr jo xhelati.
Dhunuesi ishte hero dje,
Sot e përgjithmonë.
HERONJTË, (faqe 48)
Pamjet e këtilla që na faqen në libër, sikur na vijnë nga një shpërthim i brendshëm poetik, për ti ndërruar kohët. Kjo papajtueshmëri me kohën, brenda kronikave na vjen si një mesazh, se vërtet kohët dhe mentalitetet duhen ndërruar. Ai për mes kulturës krijuese, është shumë i vetëdijshëm se poezia e tij, do ti shërbejë edhe të tjerëve.
Poezitë e librit; “Lis i vetëm në fushë”, na bëjnë gjithmonë të besojmë se Rexhep Shahu, i kronikon kohës, i freskët me misionin poetik në gji, dhe pa ngarkesa nga e kaluara, por gjithmonë me vizion drite dhe besim në të ardhmen.
Unë nuk dua tavolinë të shtruar feste, urime gëzimi e cakërrime gotash
Në ditëlindjen time,
Sepse nuk dua të festoj humbjet e mia, vitet e çuara dëm
Nuk dua t`i shes mend zotit e as të festoj plakjen.
Nuk dua sepse kështu çoj dëm orët e lumtura që do të rrija veç me ty
Dhe trishtohem për këtë shkak, trishtohem pa fund…
NUK DUA FESTË NË DITËLINDJEN TIME, (faqe 116-118)
Këto vargje, sikur na japin të kuptojmë se, edhe përkundër jo ngarkesave të së kaluarës, ai brenda vetes bart vragën e dhimbjeve, nga ajo kohë, që poeti i quan; vitet e çuara dëm. Pra, për shumkënd, edhe për poetin, një pjesë nga e kaluara, sikur ishin vite të humbura, të cilat nuk kanë sjellur asgjë për një popull të tërë, pos dhimbje e vuajtje. Megjithatë, brenda këtij libri, thuaj se fare, poeti nuk i kthehet më të kaluarës. Sikur, s`don ta kujtojë më atë kohë. Disonanca e ngjyrave në vargje ndryshon, duke sjellë laryshi të temave të cilat janë preokupim edhe përditshmërisë poetike. E gjithë kjo laryshi temash, na vjen pasi vagjet në libër na vijnë si tërësi jo të ndara në cikle. Dhe kjo formë e aplikuar, librin sikur e bën më hermetik brenda akceptimit të temave. Megjithatë, ndoshta këtu do i jipnja të drejtë poetit, sepse estetika e ndërtimit të librit, temat dhe bukuria e vargjeve, e ruan origjinalitetin e përditshmërisë kronologjike të poetit.
Lis i vetëm në fushë
Gjysmë i plakur e gjysmë i kalbur
Që ende dëgjon gjithçka
Nga bëmat e botës,
Që sheh edhe ato që s’duhen parë.
Trumcak i ngrirë në borë
Me krahun e thyer nga llastiqet e fëmijëve.
Sytë e Hënës që shohin gjithësinë,
Dera e çelur ku hyjnë zërat,
Dritare pa xhama nga hyjnë zogjtë,
Dhimbja që ndjen toka nga pesha e hapave,
Etja e lumit nga shterrja e ujit,
Tharja e buzëve nga mungesa e puthjes,
Thirrja e gjinjve për tu shtërnguar,
Malli i dorës për të rrëshqitë mbi flokë,
Shëmtimi i oxhakut pa zjarr,
Fole dallendysheje e braktisur…
E tjetër çfarë mund të jem
Në këtë ditë pa sy
Në këtë natë të verbër
Kur ti s’je…
LIS I VETËM NË FUSHË, (faqe 34-35)
Vargjet që vijnë brenda poezisë, që shfaqen në formën e kronikave, na japin të kuptojmë se Rexhep Shahu, i vetëdijshëm për misionin poetik, sikur bartë mbi vargje edhe peshën e kohës, duke nxjerrë mesazhe të qarta edhe për ardhmërinë, pa ndonjë ngarkesë nga e kaluara, por duke ecur gjithmonë drejtë një vizioni plot dritë. Figurat letrare që i përdor poeti në vargje, vijnë si rezultat i një përvoje të gjatë në letra, përvojë e cila me mjeshtri i u jep kuptimin artistik në poezi. Pra, siç shihet nëpër vargje, poeti në masë të madhe, ja ka arrit të zbërthejë shpirtin e përditshmërisë së tij, të cilën më së miri e pasqyron poezia, ndryshe ecjes sonë do ti mungonte kuptimësia. Nga kjo që thamë, konstatojmë se poeti Rexhep Shahu, i kronikon kohës, duke e shikuar dhe ecur nëpër të, brenda vizionit poetik, që për mes poezisë hap dritë për të ardhmen, njëkohsisht përmes vargut, shquhet plot guxim, si luftëtar për ndryshime të përgjithshme shoqërore. Nga ky prizëm i të menduarit, na jep të kuptojmë, se poeti Rexhep Shahu, me plot besim në vizionin e tij, na shprehë atë edhe përmes vargjeve, të cilat në të shumtën e rasteve u prijnë ndryshimeve në shoqëri, e sidomos tek ne kur ende jemi përpëlitjeve tranzicionale.
Këto që i thamë, për poezinë Rexhep Shahut, nuk mundë të jenë e tëra. Ishte njëri nga aspektet e përceptueshmërisë shumëdimensionale të poezisë së këtij poeti. Kemi prekur vetëm disa pejsazhe nga libri ”Lis i vetëm në fushë”, për të sjellë mes jush perceptimet tona brenda kësaj bukurie letrare, nga këndi i ynë. Me këtë konstatim Rexhep Shahut, i urojmë edhe për shumë margaritarë tjerë letrarë, në botën e letrave shqipe.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)